Historia moderne queer është e mbushur me përvoja të pasura, të gjalla dhe të larmishme. Njerëzit LGBTQ+ kanë luftuar me vendosmëri për dukshmëri, solidaritet dhe përparim më të madh si individë dhe si kolektiv. Luftërat, arsimi, shkenca, mediet kryesore, artet, muzika, teatri, argëtimi, dizajni dhe poezia, të gjitha i kanë ndikuar njerëzit queer në një mënyrë ose tjetrën. Secili individ, përmes rrugëtimit të tij/saj unik personal, ka luajtur rol në gdhendjen e historisë queer, duke na sjellë ku jemi sot.
Zhvillimi politik dhe shoqëror ndodh ndryshe nëpër vende e rajone të ndryshme anembanë botës; rasti i lëvizjes masive queer të Kosovës nuk përbën përjashtim. Gjersa nuk mund ta dimë saktësisht momentin specifik në të cilin filloi lëvizja, shohim që nga fillimi i viteve 2000 e tutje, disa përpjekje më të dukshme e kanë sjellë atë në sy të publikut. Individët LGBTQ+ nga e gjithë Kosova dhe më gjerë u shpërngulën në Prishtinë — për punë, arsim ose për ta gjetur lirinë — njerëzit gradualisht filluan të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërveprojnë. Organizatat joqeveritare (OJQ) u krijuan dhe ndejat filluan të organizohen në një shkallë më të madhe, duke mos u kufizuar më në tubime nëpër shtëpi private. Posaçërisht, hotel “Aldi”, i cili u hap në fillim të viteve ’90-ta, përqafoi mysafirët queer pa diskriminim, një entitet i parë dhe i vetëm miqësor ndaj njerëzve queer i hapur në atë kohë.
Pavarësisht këtyre sfidave, një revolucion po ndodhte në këtë vend të vogël.
Megjithatë, ky përparim u prit me kundër-reagime. Individët queer u përballën me sulme të herëpashershme, u ballafaquan me refuzimin e mjekëve për t’i trajtuar plagët e tyre dhe duruan talljet e zyrtarëve policor kur raportonin sulmet. Kafiteria e parë queer u detyrua të mbyllej dhe pronari u largua nga vendi. K2.0 u sulmua në ngjarjen për publikimin dhe diskutimin e revistës së shtypur “Seks”. Pavarësisht këtyre sfidave, një revolucion po ndodhte në këtë vend të vogël.
Kosova ka bërë përparim mbresëlënës në dekadën e fundit. Para 12 vitesh, ne nuk do të ndiheshim të sigurt ta shkruanim këtë artikull. Bazuar në vëzhgimet dhe bisedat tona me njerëzit, ata/o, veçanërisht në Prishtinë, po respektojnë përditë e më shumë lirinë personale të secilit për të jetuar dhe dashuruar sipas dëshirës. Me fjalë të tjera, vendi po bëhet më tolerant — dhe indiferent — ndaj përparimit queer.
Hapat ligjorë përpara
Arritja më e rëndësishme ligjore deri më sot ndodhi në vitin 2019, kur Blert Morina fitoi njohjen ligjore të së drejtës së tij për ta ndryshuar ligjërisht shënjuesin e gjinisë. Ky vendim krijoi një precedent të rëndësishëm për rastet e ardhshme në Kosovë, duke konfirmuar se individët mund të vendosin për identitetin e tyre personal dhe njëkohësisht mund të bëjnë një hap të madh përpara në përpjekjen për të drejtat transgjinore.
Edhe pse fitorja ligjore e Morinës ofroi shpresë për shumë në komunitet, peizazhi ligjor për martesat midis personave të të njëjtit seks në Kosovë mbetet i paqartë. Përderisa kushtetuta i garanton të gjithëve të drejtën për t’u martuar në bazë të vullnetit të lirë, Ligji Nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës në mënyrë shprehimore e përkufizon martesën si një bashkim ndërmjet “dy personave të gjinive të ndryshme”. Në vitin 2022, Parlamenti i Kosovës e refuzoi një ligj të propozuar, i cili do t’ua mundësonte çifteve midis personave të të njëjtit seks të lidhnin bashkësi civile, duke e lënë çështjen të pazgjidhur dhe duke e vënë në pah luftën e vazhdueshme për të drejtat e LGBTQ+ në vend.
Përparimi i vazhdueshëm kërkon syhaptësi dhe përpjekje të vazhdueshme.
Përparimi i vazhdueshëm kërkon syhaptësi dhe përpjekje të vazhdueshme. “Problemi me përparimin queer është se ne gjithmonë duhet të luftojmë që zërat tanë të dëgjohen”, tha Morina, kur biseduam me të për historinë queer në Kosovë. “Secili hap para shpesh ndihet si luftë e vazhdueshme për drejtësi. Sapo të arrihet një moment historik, tashmë ekziston nevoja ta shtyjmë para kauzën tjetër për të siguruar trajtim të barabartë”.
Morina, i cili tani është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), shtoi se “Ndonjëherë, përparimi mund të duket thjesht si diçka kaluese për publikun derisa të kalojmë në një çështje tjetër që tërheq vëmendjen e tyre”.
Aktivistët/et që po bëjnë ndryshimin
Çdo vit, Prishtina gjallërohet gjatë aktiviteteve një-javore të Prishtina Pride, falë përpjekjeve të OJQ queer dhe aleatëve të tyre. Kjo festë e bashkimit dhe diversitetit, nderon betejat për barazi dhe është një ngjarje jetike për avokim dhe dukshmëri. Vlen të theksohen një sërë organizatash, avokimi i pandërprerë i të cilave i ka mundësuar këto festime.
Dylberizm është platforma kryesore online në gjuhën shqipe që i dedikohet çështjeve LGBTQ+. Ky forum u themelua në vitin 2018 nga domosdoshmëria për përfaqësim dhe rrëfimtari dinjitoze.
Festivali “Prishtina Queer”, që do të festojë vitin e tij të dytë, premton një përvojë pasuruese, duke festuar kulturën queer vendase dhe ndërkombëtare përmes një programi të larmishëm ngjarjesh dhe filmash.
Hyjneshat, lëvizje kulturore, përqendrohet në krijimin e hapësirave më të sigurta dhe promovimin e kulturës queer në Kosovë.
Programi i Mbështetjes i CEL siguron që individët e komunitetit queer të kenë qasje në mjedis të sigurt dhe mbështetës. Programi nxit ndjenjën e përkatësisë dhe solidaritetit mes anëtarëve/eve dhe ofron një sërë shërbimesh, përfshirë këshillimin, grupet mbështetëse, ndihmën ligjore dhe burimet e komunitetit.
CEL gjithashtu ka krijuar Arkivin e Lëvizjes LGBTI+ në Kosovë, duke synuar ta ruajë dhe t’i prezantojë përvojat origjinale të individëve LGBTQ+ përgjatë rrugëtimeve historike, rrëfimeve personale dhe artikujve gazetaresk.
Ngjashëm, qendra pranuese e Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD) ofron hapësirë mikpritëse për anëtarët/et e komunitetit, duke ofruar qasje në burime dhe shërbime të tilla si ndihma ligjore, këshillimi dhe testimi për HIV.
Sekhmet, një OJQ e re queer, kontribuon në demokratizimin e Kosovës, duke mbështetur ndryshime gjithëpërfshirëse shoqërore dhe kulturore. Hulumtimi, dokumentimi dhe prodhimet kulturore e artistike të OJQ synojnë të formësojnë sërish normat shoqërore. Një nga arritjet më të spikatura të OJQ është murali në kampusin e Universitetit të Prishtinës, që paraqet dy pionierët tanë queer, Mustafanë dhe Qerkicën, në një shpërfaqje të përzemërt dashurie.
Bubble Pub, i vetmi lokal queer në Prishtinë dhe strehë e sigurt për individët LGBTQ+ në Kosovë, përvjetorin e dytë e festoi me DJ gjallërues/e, performanca magjepsëse drag dhe hapësirë kërcimi, të cilat secila dhuronin argëtim mbresëlënës dhe ndjenjë përkatësie.
Për fund, Queen’s Corner, sallon bukurie që punëson njerëz queer dhe kujdeset për komunitetin queer dhe më gjerë, mishëron fuqizimin dhe përfshirjen, duke u përpjekur ta ripërcaktojë bukurinë dhe të kontribuojë në ndryshimet shoqërore.
Aktivizmi individual
Aktivistë/e të ndryshëm queer kanë lënë gjithashtu gjurmë të pashlyeshme në lëvizjen në Kosovë, me shumë figura pioniere që formësojnë peizazhin e aktivizmit queer. Përparimi që nga viti 2000 është dëshmi se sa larg ka arritur lëvizja. Shumë aktivistëve/eve queer, që dikur jetonin nën hije, sot u dëgjohen zërat më shumë se kurrë më parë. Vetë kjo trimëri duhet ta fuqizojë brezin e ardhshëm ta mbajë flakadanin derisa të arrihen të drejta të barabarta.
Shumë aktivistëve/eve queer, që dikur jetonin nën hije, sot u dëgjohen zërat më shumë se kurrë më parë. Vetë kjo trimëri duhet ta fuqizojë brezin e ardhshëm ta mbajë flakadanin derisa të arrihen të drejta të barabarta.
Mustafa e gjeti qëllimin e tij të vërtetë, duke hapur shtëpinë e tij për individë queer, duke ofruar strehim dhe mbështetje për ata në nevojë.
Igballe Rogova — drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe aktiviste pionere për të drejtat e njeriut gjatë dekadave të fundit — ia ka kushtuar karrierën e saj mbrojtjes së barazisë dhe është një udhërrëfyese në fushën e avokimit për të drejtat e njeriut. Përkushtimi i saj për drejtësi dhe barazi ka lënë gjurmë të përhershme në fushë. Nëse qeveria jonë do të ndajë ndonjëherë çmime nderuese atyre që luftojnë për barazi, atëherë Rogova padyshim e meriton të jetë e para që nderohet.
Qerkica mishëron më shumë se një figurë nëne brenda komunitetit; ajo shërben si figurë e nënës për shumë njerëz. Empatia e saj është e pakufishme, duke u ofruar strehë individëve queer që janë refuzuar nga familjet e tyre. Përkushtimi i saj për kauzën LGBTQ+ dëshmohet edhe më tej duke u zgjedhur si udhëheqëse nderi e Prishtina Pride për disa vite radhazi.
Që nga viti 2006, Rajmonda Sylbije-Mona është aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut në Kosovë. Ajo shquhet si një nga zërat më të guximshëm që trajton hapur çështjet LGBTQ+ në rajon. Në vitin 2014, filloi një projekt novator për të ofruar ndihmë psikologjike pa pagesë për individët LGBTQ+. Sot, vazhdon avokimin dhe udhëheqjen e saj si drejtore e programit në CSGD.
Morina dhe Lend Mustafa qëmoti e kanë mbajtur flakadanin para, duke e treguar pa frikë ndjeshmërinë dhe duke ndarë rrëfimet e tyre frymëzuese personale. Mbështetja e tyre reflekton fuqishëm dhe ata njihen në masë të gjerë si figura publike. Me vetëm një kërkim të shpejtë të emrave të tyre në Google, mund ta zbulosh ndikimin që kanë pasur, përpjekjet e tyre të ndërthurura përsosmërish në mbrojtjen e kauzës së tyre. Energjia e pakufishme e Morinës ushqen luftën e tij të vazhdueshme për të drejtat e LGBTQ+, ndërsa angazhimi i Mustafës shtrihet në menaxhimin e Bubble Pub, Bubble Foundation dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë në çdo mënyrë që kërkohet.
Shfaqjet avangarde të Liki sfidojnë publikun të shikojë përtej të zakonshmes, duke i shtyrë kufijtë e artit dhe shprehjes. Nëpërmjet punës së saj, ajo vazhdon të formësojë historinë queer dhe të frymëzojë imagjinatën.
Adelina Rose, artiste e shumëanshme, aktiviste dhe drag queen, ka zbukuruar skenat me performanca që reflektojnë thellë brenda komunitetit LGBTQ+. Prania e tyre magjepsëse jo vetëm që argëton, por gjithashtu inkurajon dhe frymëzon të pranishmit queer, si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.
Si dhe Diva merr vëmendje si aktiviste, mbretëreshë drag dhe artiste e grimit. Me mbi 14,000 ndjekës në Instagram, ajo sfidon normat shoqërore me plot vetëbesim.
Këta individë, ndër tjerë, me guximin e tyre i kanë lënë gjurmët e tyre në historinë queer në Kosovë, duke hapur rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të larmishme.
Historia queer na mëson se dukshmëria ka rëndësi. Nga Harvey Milk te Ellen DeGeneres te Sir Elton John tek sensacioni më i fundit i Kosovës, Edona James, dalja hapur e të cilëve jo vetëm që ka çliruar individë, por edhe ka ndezur lëvizje që riformësojnë peizazhin tonë kulturor.
Ne duhet të këmbëngulim në luftën tonë për atë që meritojmë në shoqërinë tonë që shpesh na nënvlerëson dhe pakëson, dhe që përfshin të drejta të barabarta.
Rrëfimi i papërfunduar i historisë queer dhe rrugëtimi drejt pranimit vazhdon. Me çdo hap para, i afrohemi një bote ku dashuria triumfon përballë diskriminimit dhe paragjykimin. Duhet të këmbëngulim në përpjekjen tonë për atë që e meritojmë në shoqërinë tonë, e cila shpesh na nënvlerëson dhe ulë, dhe kjo përfshin përpjekjen edhe për të drejta të barabarta. Vërtet, le ta imagjinojmë një të ardhme ku historia queer jo vetëm që njihet, por festohet, nderohet dhe vlerësohet nga epokat që do të vijnë.
Imazh i ballinës: Fotografia nga CEL
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.