Atelieja e Arianitit është e mbushur me pula, në forma e ngjyra të ndryshme. Qysh prej fëmijërisë, ai kishte pasur lidhje të afërt me kafshët, sidomos me pulat dhe gjelat. Ai e kujton se si në të kaluarën, i ka mbledh pulat nga fqinjët, i ka rritë dhe është përkujdes për to.
“I kam pas sefte këtu 4-5 pula, ja nisa mi pikturu, dy ditë i kam majtë këtu në mahallë, janë knaqë njerëzit”, tha ai. “Qysh rrishin pulat sa mirë knej, u sillshin veç kah dera e ateliesë. Njana pulë ka hi në fijokë edhe veç kur e pashë, kish bo vo. Janë kanë pula të bardha, tepër mirë rrishin, veç mi pa”.
Secila nga atelietë duket sikur i kontribuon krijimit të një mikrokozmosi urban, ku treten kufijtë mes punës, miqësisë dhe jetës sociale. Por lagjes i janë shtuar edhe hapësira të tjera, të cilat përveç artit, ndërthurin rrëfimtarinë, kauzën edhe përvojën njerëzore, në aktivitetet që organizohen në këto hapësira.
Ulpiana e hapësirave sociale
Kafet e Prishtinës, në plot raste kanë shërbyer edhe si hapësira për organizim të diskutimeve dhe ngjarjeve kulturore apo sociale. Kjo, sepse hapësirat sociale, edhe pse nuk janë koncept i ri, janë të pakta në numër. Ka qenë pikërisht lagjja “Ulpiana”, që e ka mirëpritur hapjen e një qendre të tillë, në vitin 2018, në rrugën ku tash gjendet komuniteti i artistave.
Kjo ishte “Sabota”, një qendër anarko-sindikaliste, e hapur nga një grup i të rinjve që synonin të organizoheshin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. “Sabota” funksionoi me këtë qëllim për rreth dy vite, por edhe pas mbylljes së saj, duket se rruga “Egnatia”, pos aspektit artistik dhe estetik që e përmbush si lagje e artistëve, është e destinuar për të mirëpritur hapjen e hapësirave tjera alternative sociale, që ua mundësojnë njerëzve aktivizmin përmes socializmit.
Në fillim të shkurtit të këtij viti, Artrit Bytyçi, artist i pavarur dhe ligjërues i artit, vendosi të marrë një hapësirë në “Ulpianë”, në mënyrë që të mund ta vazhdojë misionin pothuajse pesëvjeçar të laboratorit të rrëfimit, të njohur ndryshe si “StoryLab”.
“StoryLab” është një nismë ndërdisiplinore me bazë në Prishtinë, që vepron në fushën e artit, shkrimit, teknologjisë, dizajnit dhe edukimit. Synimi i saj kryesor është të hulumtojë dhe të zhvillojë forma të reja – por edhe tradicionale – të rrëfimit, përmes praktikës, eksperimentimit, kërkimit dhe edukimit.
Hey Jacob, thanks for the message. Yes, the article will very soon get published in English too! Stay tuned, and thanks for reading our articles :) Agnesa, Kosovo2.0
Will this article be published in English? I studied Albanian in Kamenica and followed Arianit’s art from there to Ulpian and it would be great if this article reached a wider audience! A do të publikohet ky artikull edhe në anglisht? Kam studiuar shqipen në Kamenicë dhe kam ndjekur artin e Arianit deri te Ulpiani, dhe do të ishte shumë mirë nëse ky artikull do të arrinte te një audiencë më e gjerë në Kosovë dhe më gjerë.