Kur Hajrush Kurtaj, ish-komandant brigade në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u ul në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Speciale në Hagë, pyetjet kryesore ndaj tij ishin për librin e tij, “Flakë e pashuar”, të botuar në vitin 2017.
Në këtë libër, të cilin Prokuroria e Specializuar e Hagës e shfrytëzoi në gjykimin ndaj katërshes së UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Kurtaj, ndër tjera, kishte paraqitur mënyrën e funksionimit të zonave e brigadave të UÇK.
“Është me zmadhime, zbukurime. Në çdo libër gjërat hijeshohen e ndryshohen”, tha ai, në shkurt të vitit 2024, kur u intervistua në Hagë.
Pas Kurtajt, me pyetje të ngjashme për një libër të tij u përball edhe Skënder Zhitia, ish-pjesëtar i UÇK-së në zonën e Llapit. Në sallën e seancave të gjykatës, Zhitia tha se libri i tij, që fliste për organizimin e UÇK-së në zonën e Llapit, ishte keqpërdorur.
“Avokatë, por edhe prokurorë, kanë shkoqitë fjalë dhe fjali nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, deklaroi Zhitia, në gusht 2024.
Kurtaj dhe Zhitia janë vetëm dy nga shumë dëshmitarët në këtë rast, të cilët janë pyetur e ballafaquar me prova të ndryshme lidhur me strukturën, hierarkinë dhe rregullimin e UÇK. Një pjesë e tyre janë pyetur për libra, që i kishin shkruar në të kaluarën, mbi bazën e të cilave, Prokuroria synon të ndërtojë rastin e vet.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku bën pjesë edhe Prokuroria e Specializuar — njohur gjerësisht si Gjykata Speciale — u miratuan nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2015. Kjo gjykatë u bë me qëllimin që t’i trajtojë pretendimet e ngritura në raportin “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshёm i organeve njerёzore nё Kosovё”, me autor Dick Martyn, ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Aty u ngritën një varg pretendimesh ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime të tjera, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. Ish-udhëheqësi i ekipit të hetimeve, Clint Williamson, në vitin 2014, tha se nuk kanë gjetur prova për trafikim organesh, por kanë dëshmi për krime të tjera të pretenduara. Kështu, krijimi i Speciales vazhdoi.
Synimi i Prokurorisë për ta dëshmuar, sipas tyre, hiearkinë e rregullt të UÇK-së, është për t’i prezantuar akuzat e saj se katërshja e UÇK-së, edhe nëse nuk ka qenë direkt e përfshirë në kryerjen e krimeve të ndryshme, me mosveprim, kanë kryer vepra që përfshijnë gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime të luftës në periudhën mars 1998 – shtator 1999.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u dorëzuan e më pas u dërguan në Hagë, në nëntor 2020, nën akuzat për krime të luftës e krime kundër njerëzimit si pjesë e asaj që Prokuroria e quan “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Qe katër vjet e gjysmë, ata mbahen në paraburgim në qendrën që ndodhet në distriktin Scheveningen të Hagës, në Holandë, pa mundësi për mbrojtje në liri. Gjithashtu, ata u mbajtën në paraburgim dy vjet e gjysmë pa nisur një proces gjyqësor, i cili filloi tek në prill të vitit 2023.
Derisa në nëntor 2025 bëhen pesë vjet prej kur katërshja u dorëzua dhe pastaj dërgua në Hagë, tashmë gjykimi ka hyrë në fazën e fundit. Prokuroria ka përfunduar me dëshmitarët — 125 sosh prej prillit 2023 — dhe ka dorëzuar të gjitha provat. Në proces, gjithsej 154 njerëz kanë marrë statusin e viktimës.
Megjithatë, në fund të rastit të saj, Prokurorisë iu shfaqën disa probleme. Të paktën në një rast, bazuar në dokumentet publike të Gjykatës Speciale, Prokuroria humbi kontaktet me një dëshmitar, disa refuzuan të dëshmojnë e disa patën probleme shëndetësore. Para se ta përmbyllte rastin e saj, Prokuroria dorëzoi mijëra faqe materialesh e dokumentesh të ndryshme, në cilësinë e provave materiale. Në mesin e tyre janë edhe dokumente, që janë siguruar nga Serbia. Të njëjtat, autoritetet serbe, sipas Prokurorisë, i kishin konfiskuar në kohën e luftës nëpër bazat e UÇK. Provat ndërlidhen me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, funksionimin e zonave, raporte e vendime të nxjerra nga zona të caktuara për komunikimin me media në atë kohë, sigurimin e armëve, komunikatat e UÇK-së dhe dëshmi tjera.
Pranimin e provave nga Serbia, e kishin kritikuar në vazhdimësi avokatët e katërshes, duke theksuar se të njëjtat nuk kanë besueshmëri, pasi, sipas tyre, disa prova janë pa autor, pa vulë e pa nënshkrim.
Me gjithë këto, Prokuroria e ka përfunduar rastin e vet, duke iu hapur rrugë mbrojtjes së të akuzuarve dhe viktimave që tash t’i paraqesin rastet, provat e dëshmitarët e vet.
Tash topi te mbrojtja
Përfundimi i provave dhe dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ia ka hapur rrugën mbrojtjes së katërshes që të nisin përgatitjet për ta prezantuar rastin e tyre. Megjithatë, para se të paraqesin prova e dëshmitarë, mbrojtja e katërshes, pritet, sipas paralamërimit, të shfrytëzojnë një tjetër mundësi ligjore — një mocion për rrëzimin e disa ose të gjitha pikave të aktakuzës.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë argumentuar se Prokuroria ka dështuar ta vërtetojë rastin e saj, sidomos ndërlidhjen e të akuzuarve me veprat, të cilat iu vihen në barrë. Madje, avokati i Thaçit, Luka Mišetić, në prill të këtij viti, në një konferencë për media në Hagë, tha se ende nuk e kupton pse është akuzuar klienti i tij.
“Jemi të bindur për rezultatin për z.Thaçi dhe e vetmja gjë që ka mbetur tani është të kalojmë nëpër fazat tjera të procesit sa më shpejt dhe ta kemi aktgjykimin sa më parë të jetë e mundur”, tha Mišetić. “Klientët tanë janë mbajtur në paraburgim për një kohë jashtëzakonisht të gjatë”.
Megjithatë, mocioni bashkë me pritjen për vendim të gjyqtarëve, pritet të shkaktojë një tjetër zgjatje për procesin. Gjyqtarët kishin dhënë urdhër që mocioni të dorëzohet dy javë pas pranimit të provave të fundit të Prokurorisë. Meqë vendimi i fundit për pranimin e provave, ishte më 29 maj, pritet që avokatët të kenë kohë deri kah mesi i qershorit për ta dorëzuar mocionin. Pas dorëzimit të mocionit, Prokuroria do të ketë kohë 30 ditë për t’u përgjigjur. Pasi dy palët të dorëzojnë pretendimet e tyre, kohë pritet të marrë gjithashtu edhe vendimi i gjyqtarëve.
Si rezultat, edhe në këtë rast, avokatët do të jenë mes dy zjarresh: shpejtësia e procesit duke ditur se klientët e tyre janë për gati pesë vjet në paraburgim, e në anën tjetër, nevoja për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara procedurale, të cilat marrin kohë, si në rastin e një mocioni për rrëzimin të të gjitha, apo disa pikave të aktakuzës.
“Ne jemi të angazhuar për t’u siguruar që këto hapa të përfundojnë pa vonesa, në mënyrë që të mund të jepet aktgjykimi përfundimtar sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi në prill avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra.
Situata aktuale shtron tri rrugë drejt vazhdimit të gjykimit, të trija të varura nga vendimi i gjyqtarëve për moocionin që pritet të dorëzohet.
E para, nëse shtrohet mocioni për rrëzimin e të gjithë aktakuzës dhe ai pranohet, gjykimi merr fund; e dyta, nëse bëhet mocion për rrëzimin e disa pikave dhe ai pranohet, gjykimi do të ndryshojë radikalisht rrjedhën e tij: bien poshtë disa prej akuzave, zvogëlohet numri i dëshmitarëve e provave të mbrojtjes, e procesi shkurtohet. Në të kundërtën, nëse ky mocion rrëzohet dhe akuzat nuk hidhen poshtë, atëherë procesi zgjatet. Avokatët e katërshes dhe ai i viktimave prezantojnë rastet e tyre, përfshirë dëshmitarët dhe provat, gjë që merr kohë.
Në rast se mocioni për rrëzimin e akuzave refuzohet, mbrojtja e Thaçit ka bërë të ditur se synon t’i thërrasë deri në 10 dëshmitarë, numër i përafërt që do të kenë edhe ekipet tjera mbrojtëse. Ashtu siç ishte bërë e ditur para nisjes së gjykimit, si dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit ka të ngjarë të jenë figura të njohura ndërkombëtare, që kanë vepruar në Kosovë gjatë viteve 1998-2000.
Fjala është për Bernard Kouchner, përfaqësues i posaçëm i sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë; William Walker, shefi misionit të Organizatës për Siguri dhe dhe Bashkëpunim (OSBE) në Kosovë; Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s; Daan Everts, shef i zyrës së OSBE-së në Prishtinë dhe zyrtarë të tjerë. Ekipet tjera mbrojtëse nuk kishin zbuluar emra të dëshmitarëve, që mund të ftohen.
Gjykata Speciale në anën tjetër, gjatë gushtit, ka pushimet e verës. Pasi të përfundojnë të gjitha provat, palët për disa ditë do t’i thonë fjalët përfundimtare. Dhe prej momentit që gjykimi përfundon, gjyqtarët kanë kohë të paktën tre muaj për ta marrë një vendim.
Si rezultat, bazuar në kohën që kërkohet, në rast të rrëzimit të mocionit, procesi gjyqësor përafërsisht mund të përfundojë në pranverën e vitit 2026.
Deri atëherë, do të vazhdojë edhe paraburgimi.
Gati pesë vjet në paraburgim
Që nga fillimi i procesit, Gjykata Speciale po ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, për një varg arsyesh të ndërlidhura sidomos me rrezikun për ndikim te dëshmitarët e provat.
Paraburgimi është kritikuar jo pak si masë e pavend për gjykatat vendore në Kosovë. Në Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian për vitin 2024 dhe në atë të Freedom House, gjykatat vendore, ndër tjera, janë kritikuar për caktimin e shpeshtë të paraburgimit, në disa raste të cilësuara edhe të panevojshëm. Mirëpo, tash një situatë e ngjashme është kthyer në një çështje të diskutuar edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Tash e disa muaj, Trupi Gjykues ka konstatuar se për katërshen nuk ekziston rreziku i arratisjes. Anipse arratisja nuk mund të përjashtohet tërësisht, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, sipas vendimit, kanë dëshmuar se janë të gatshëm të përgjigjen para drejtësisë dhe nuk e kanë synim arratisjen.
Mirëpo, arsyeja, e cila në gati pesë vitet e fundit ka qenë kryesorja për vazhdimin e paraburgimit ndaj katërshes, ka qenë ndikimi në dëshmitarë dhe në prova. Sipas Prokurorisë, por edhe vendimeve nga gjyqtarët në çdo dy muaj për masën e paraburgimit, fuqia politike dhe përkrahja që kanë katër të akuzuarit në Kosovë, fakti se ata kanë informacione e dijeni për dëshmitarët dhe provat, paraqet rrezik për të pasur ndikimnë sigurinë e dëshmitarëve dhe dëmtim të procesit.
Përveç paraburgimit si masë ekstreme, të akuzuarit në këtë rast kanë masa të ashpra edhe në Qendrën e Paraburgimit. Tash e më shumë se një vit, atyre u janë kufizuar vizitat e telefonatat. Thaçi, Veseli e Selimi kanë vetëm nga pesë vizita në muaj, të cilat monitorohen gjatë gjithë kohës me pjesëtarë të sigurimit e përkthyes, dhe të njëjtat, nuk mund të zgjasin më shumë se 40 minuta. Të treve u janë kufizuar edhe video-lidhjet, deri në pesë brenda muajit.
Këto kufizime kishin ardhur si rezultat i monitorimeve që kishte bërë Prokuroria e Hagës në Qendrën e Paraburgimit, me ç’rast, sipas tyre kishte dyshime për tentim të dhënies së informacioneve konfidenciale për vizitorë.
Si rezultat, ndaj Thaçit ka një tjetër aktakuzë për pengim të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Në aktakuzën e njëjtë janë edhe Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi. Për pengim të drejtësisë, në vitin 2022, ishin dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, lidhur me publikimin e disa dosjeve në vitin 2020. Fajësinë për vepra të ngjashme të administrimit të drejtësisë e pranuan tre ish-pjesëtarë të UÇK-së, Haxhi Shala, Ismet Bahtijari e Sabit Januzi, duke u dënuar gjithashtu nga Gjykata Speciale.
Megjithatë, tash situata ka ndryshuar. Me përfundimin e provave, por edhe të dëshmitarëve të Prokurorisë, edhe ky arsyetim nuk mund të shihet si i vlefshëm, pasi Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe nuk ka mundësi për dëmtim të procesit.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Gjykata ka refuzuar kërkesën për lirim nga paraburgimi për Veselin, Selimin e Krasniqin. Të tre kishin kërkuar në fillim të prillit që, të paktën, klientët e tyre të lirohen në arrest shtëpiak.
Për këtë, disa ditë pas kërkesës nga avokatët, kishte dërguar një letër-garancë edhe Policia e Kosovës (PK), në të cilën kishte shprehur se ka kapacitet për të zbatuar të gjitha kërkesat që dalin nga Dhomat e Specializuara për çështjen e arrestit shtëpiak. Megjithatë, kërkesa është refuzuar, dhe garancia e PK nuk u mor parasysh. Si rezultat, katër krerët e UÇK-së mbeten në paraburgim.
Në dokumentet që ishin bërë publike në faqen e Dhomave të Specializuara, Prokuroria kishte pasur dilema ndaj PK në dy fusha: e para ndërlidhet me kapacitetet e PK për zbulimin e mesazheve të koduara, dhe e dyta, me mungesën e informacioneve që mund të ketë PK lidhur me informacionet që janë konfidenciale në rastin e krerëve të UÇK-së. Megjithatë, hollësitë për këto dy kundërshtime të Prokurorisë së Hagës ndaj garancës së PK, nuk janë publike, pasi konsiderohen konfidenciale.
Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, paraburgimi është një masë e fundit, që caktohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Kjo masë duhet të justifikohet me arsye konkrete, përndryshe konsiderohet shkelje e nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton lirinë dhe sigurinë personale. Sipas vendimeve nga kjo Gjykatë, përveç arratisjes e ndikimit në dëshmitarë, arsye mund të jetë edhe përsëritja e veprës penale apo kryerja e veprave të tjera, që gjithashtu në këtë rast është pothuajse i pamundur të ndodhë.
Megjithatë, derisa çështja e paraburgimit do të vazhdojë të shqyrtohet çdo dy muaj nga gjyqtarët e Speciales, rrjedha e ngjarjeve pas dorëzimit të mocionit nga mbrojtja, si dhe vendimi gjytarëve për të, do të jetë përcaktues për kohëzgjatjen dhe rrjedhën e gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Imazhi i ballinës: Pamje nga Gjykata Speciale / K2.0