“Gjinia ndodhet gjithmonë në dhuratën e tjetrit”.
Edhe në mënyrë banale kam nevojë që tjetri të më thërrasë “ajo”.
-McKenzie Wark (2019)
“Gjinia ndodhet gjithmonë në dhuratën e tjetrit”.
Edhe në mënyrë banale kam nevojë që tjetri të më thërrasë “ajo”.
-McKenzie Wark (2019)
Nëntori i vitit 1995 ishte një muaj i rëndësishëm në historinë e rajonit post-jugosllav: gjatë tri javëve të para të tij, Alija Izetbegović, Franjo Tuđman dhe Slobodan Milloshević, u takuan në një bazë ushtarake në Dayton, Ohio, të ngarkuarme detyrën për t’i dhënë fund Luftës së Bosnjës. Pas një varg përpjekjesh të pasuksesshme, tre liderët në konflikt, më në fund arritën një marrëveshje që solli paqe në Bosnjë dhe Hercegovinë me koston e ndarjes së saj dhe vendosjen e përkatësisë etnike si parim kryesor i jetës politike.
Vetëm pak ditë përpara këtij rezultati të shumëkërkuar, ndonëse të kontestuar, Tribunali Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Krime në ish-Jugosllavi ngriti akuzë ndaj liderëve serbë të Bosnjës, Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, për një sërë krimesh lufte, përfshirë gjenocidin. Në të njëjtën kohë, kryeministri kroat Hrvoje Šarinić dhe përfaqësuesi serb Milan Milanović, në mbikëqyrje të ambasadorit të ShBA, Peter Galbraith dhe ndërmjetësuesit të OKB-së Thorvald Stoltenberg, nënshkruan një dokument që u dha fund operacioneve të armatosura në Kroaci, duke i hapur rrugë zonave të kontrolluara nga serbët të integrohen në sistemin ligjor kroat të sapo themeluar.
Sado e pazakontë të duket, jeta e përditshme në Serbinë veriore, teksa rritesha në një qytet të vogël në kufi të konflikteve të armatosura, vazhdoi të zhvillohej në mes të ndryshimeve të tilla politike tektonike. Në një atmosferë që karakterizohej nga dhuna, u krijua një pamje rendi që e kthente të pakuptueshmen në diçka të vërtetë. Gjersa hapësira jonë i nënshtrohej një sërë formacionesh shtetërore, rregullat e pashkruara të komunitetit tonë, kohë pas kohe, lironin kontrollin e tyre, duke ua lejuar të margjinalizuarve të shfaqeshin përmes çarjeve të komunitetit shoqëror drejt një dukshmërie të papritur.
Kështu, në nëntor të vitit 1995, si kundëpërgjigjje ndaj “politikës së lartë” maskuliniste që me dekada na shtyu drejt shkatërrimit, shikuesit e televizionit serb u ballafaquan me një takim jo fort të zakonshëm — në mos për të parën herë — me dy trans gra. Vjeran Miladinović Merlinka dhe Nenad Milenković Sanela u ftuan nga gazetarja e Novi Sad-it, Tatjana Vojtehovski të tregojnë për punën e tyre si prostituta në rrugët e Beogradit.
Dukshëm e tensionuar rreth emisionit të saj që transmetohej drejtpërdrejtë, Vojtehovski u fut në aspektet më private të jetës së të ftuarave. Ndërhyrjeve të tilla sulmuese, të cilat përfshinin gjithçka, prej organeve gjenitale dhe ndryshimeve e zërit, deri te operacionet, nivelet e hormoneve dhe praktikat seksuale, Merlinka dhe Sanela iu përgjigjën me sinqeritet të palëkundur. Ndonëse dallonin në mënyrën se si flisnin për gjininë dhe seksualitetin e tyre, ato goditën pikën më të rëndësishme të hipokrizisë borgjeze, ndoshta duke menduar se sinqeriteti i tyre skandaloz ishte “arma e tyre” më e fuqishme.
Ajo intervistë e pazakontë, e para dhe e vetmja me Merlinka dhe Sanela, të cilës do t’i kthehesha herë pas here në vitet pasuese, më përballi me ndërlikimet e panjohura deri atëherë të diversitetit gjinor. Tashmë isha mësuar me pamëshirshmërinë me të cilën ngacmuesit në shkollë tentonin që disa nga shokët e mi t’i vendosnin në linjë me normat e fiksuara gjinore. Dhe tashmë kisha njëfarë përvoje me çmimin që duhet ta paguash nëse nuk i përmbahesh kanunit maskulin në rrethana të tilla ushtarake plot me burra kinse të fuqishëm. Megjithatë, asnjëherë më parë s’e pata rastin ta shoh se si trupat që ndriçohen nga dritat e studiove televizive mund t’i sfidojnë skenarët e paracaktuar gjinorë dhe se si kjo praktikë mbresëlënëse madje mund të artikulohet në një formë të vendosur dhe përfshirëse.
Thjesht me praninë e tyre, Merlinka dhe Sanela, të cilat në fillim të atij viti luajtën personazhin e vetes në filmin novator të Želimir Žilnik “Marble Ass”, ofruan një festim të të ndryshmes në një kohë kur homogjenizimi etnik po e zhveshte politikën nga çfarëdo përmbajtje kuptimplotë. Ato, jo vetëm që na njoftuan për së afër me një jete rrënjësisht të ndryshme, por na mundësuan një zhytje në “botët trans”, të cilat ishin atëherë — dhe edhe sot — të zhytura në rrezik dhe pasiguri.
Teksa e çliruan energjinë magjepsëse të atyre që mund t’ia dalin ta thonë të vërtetën sepse kanë shumë pak për të humbur, ato u bënë moment historik në historitë e brishta të lëvizjeve tona. Merlinka, krenare dhe Sanela, pak më e turpshme, qëndruan në ballë të njërit prej fillimeve të linjave të mundimshme, por të qëndrueshme të çlirimit, që përshkojnë kohën tonë për t’iu bashkuar fijeve tjera të emancipimit për një të ardhme më të mirë, më queer, transgjinore.
Për mua dhe shumë të tjerë, ai emision ishte pikë e papritur e hyrjes në universin e dallimeve gjinore, një emision që ishte më i ndërlikuar, më i pasur dhe herë pas here shumë më i ngatërruar sesa ndasitë tona të atëhershme të vetëkuptueshme në djem dhe vajza. Gjersa e shihja, zor se mund ta imagjinoja se në më shumë se dy dekada pas, do t’i bashkoja forcat me dy shokë trans për ta krijuar një vëllim për jetët trans, aktivizmin dhe kulturën në rajonin tonë të trazuar.
Me këtë libër, kemi tentuar t’i ndajmë shenjat emancipuese të epokës socialiste nga premtimet e saj të papërmbushura, duke e vështruar hapësirën jugosllave përmes prizmit queer-trans. Gjatë këtij rileximi, shteti ynë, që u fshi, ringjallet nga shumë prej atyre që u fshinë. Kështu ai merr ngarkesë të re politike dhe legjitimohet si një projekt politik mbi themele të reja. Riartikulime të tilla queer sfidojnë heshtjen që mbështjellin trajektoret gjinore socialiste, në mënyrë që praktikat gjinore të panënshtruara të së kaluarës të fillojnë të jetojnë jetë të reja. Kjo jo vetëm që na lidh me fijet më përparimtare të çlirimit gjinor dhe seksual jashtë-nacional, por gjithashtu na shtynë të mendojmë dhe të veprojmë drejt krijimit të aleancave transformuese në të tashmen.
Libri, Transgjinor në hapësirën post-jugosllave: Jetët, Aktivizimi, Kultura, redaktuar nga Bojan Bilić, Iwo Nord dhe Aleksa Milanović, u botua nga Policy Press/Bristol University Press në shtator të vitit 2022.
Imazhi i ballinës: K2.0.