Në thelb | Turizëm

Distileria “Vidasus”: alkooli nga toka e Kosovës

Nga - 16.05.2023

Me erëza prej fushave të Nivokazit, Ax Alijaj krijon shijet e veçanta të alkoolit.

Dielli gati ishte në zenit mbi luginën e rrafshtë që e mban fshatin e Nivokazit, teksa në majën e malit të Shkelzenit bora ende mbante frontin e ftohtë. Rruga në të djathtë të magjistrales Gjakovë-Junik kalon mbi lumin “Erenik” e të çon në fshatin Nivokaz, ku radhiten shtëpitë, që kanë zënë vendin e kullave të dikurshme.

Kullat, dikur sinonimi i këtij fshati, kanë mbetur të pakta, aq sa mos të kthehesh “sythatë” nga atje. Dyert karakteristike, të vogla e të rrethuara me muret prej gurit, që kanë kulme në secilën anë, të çojnë tek kulla e e Alijajve.

Ali Alijaj, 47-vjeçar, i njohur si Ax Alijaj, kujton se kur ishte i vogël familja e tij ishte shumë-anëtarëshe, si shumica e familjeve që banonin në këto kulla. Kur ishte katër a pesë vjeç, kishte edhe 20 fëmijë tjerë moshatarë në familje. Të vegjël ishin, por krah pune u bëheshin baballarëve në fushat me drithëra, që rrethoheshin me kumbulla. Kjo bëhej që sorrat të josheshin nga kumbullat e të mos përfundonin në drithëra. Të korrat më pas u siguronin një dimër më të lehtë, pasi ai rajon di të ketë dimra të fortë. 

“Kur i kryjshim t’korrnet, e shtishim kollomoqin n’kosh, e organizojshim një darkë. Është bash ajo që quhet ‘Darka e Lamës’”, tregon Axi. “Thirreshin familja e gjerë e miqtë, merrej një dele që ishte e lënduar ose e vjetër që të piqej, teksa rakia e kumbullave, që kishin rënë në tokë piqej. Ata kazana na kanë humbë gjatë luftës…”, kthehet në kujtime ai, teksa thotë që ndoshta ishte rreth pesë vjeç kur kishte shijuar rakinë s’pari herë.

“Në odë kur vinin mysafirë, ne si fëmijë rrinim gati për shpuzore ose me çu diçka. Tash ndonjë mysafir të thërriste edhe ta jepke ndonjë copë mish, qyfte apo ndonjë turshi. Tash dikush tjetër ta jepke një gotë raki. E unë valla prej atëherë m’kujtohet kur e kam pi për herë të parë”, tregon Ax, që sot është një nga mjeshtërit më të njohur të alkoolit në Kosovë. 

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Kam punu edhe kuzhinier edhe më pëlqen shumë. Kam punuar në tregtim të erëzave ekzotike. Isha shumë merak. Kam punu shumë menu të pijeve e koktejeve për lokale të ndryshme. Tani kam fillu me punu në disteleri prej 2004-ës. U futa brenda taman. Njëherë duke punuar vetëm punë anash, më pas kadal-dale i shtina hunt”, tregon Axi.

Teksa gjithkund në distileritë e botës, fermentimi, distilimi, kombinimet, aromat e stazhionimi i kanë ekspertët e vet, Axi, që në dukje t’i çon ndërmend vikingët, nisi të bëhej ekspert i secilës fazë, deri kur nisi të mendojë të bëjë diçka vetë. Bleu një makinë të vjetër distilimi, që kishte licensë pune dhe nisi punën në Gjermani.

“Liker rumi ka qenë alkooli i parë që e kemi bërë me një kushëri timin, aty e kemi vënë veç miksin. Kurse me këtë destilator ma s’pari kam bërë xhin. Me këtë bëhen 200 deri 300 litra. I kallzojshim shoqërisë e rrethit që do të destilojmë, edhe i shitshim direkt në treg lokal”, rrëfente për vitin 2013 Alijaj, kur voli edhe fitimin e parë nga kjo punë.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Në qershor të vitit 2015, Axi u kthye në shtëpinë e tij në Nivokaz. Katër vjet më parë, në 2011, kur i kishte vdekur babai, familjarët e Axit morën rrugën për Gjermani. Shtëpia u kishte mbetur bosh. Oborri i shtëpisë i mbuluar me bari, që e priti Axin kur u kthye, u bë vendimtar për të. 

“Ish mbush oborri bar, pa u kujdes askush. Veç e kujtova çka ka hjekë baba me bo atë shtëpi. E pat ble në Gjakovë se ka pasë me u rrënu për rrugë, e e ka rrënu tulle pas tulle, e ka pru në Nivokaz edhe bashkë me nonen e ka ndërtu. U kujtova çka ka hjekë baba e nona, tash me pesë djem me mbet shtëpia shkret’, a ka ma gjynah”, tregon Axi.“[Mendova] Du m’u kthy me bo diçka”.

Pas kësaj, Axi filloi t’i frekuentonte Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin, Pejën e qytetet tjera. Shihte se çka pinin njerëzit, sa pinin, a dëshironin diçka më ndryshe apo shkonin në klasike. 

Pas shumë udhëtimeve Kosovë-Gjermani, ai nisi testet për pijet e para, pasi asnjë nga vodkat apo xhinët nuk prodhohej në Kosovë, të gjitha importoheshin. Gjatë viteve 2017-2019, Axin e përcollën shumë netë pa gjumë, teste pa fund, kthim në pikën zero për të arritur në katër pije të distilerisë tashmë të emëruar “Vidasus” sipas perëndisë së pyjeve dhe natyrës te ilirët, që paraqitej si gjysmë dhi e gjysmë njeri. 

Xhinin e vet e emëroi “Dukagjin”, vodkën “Vodkulla”, likerin e erëzave “Dashni me Brina” dhe likerin me lajthi e lulevjollcë “Zanë”.

“Lugu jonë vjen kah liqeni Komonit e Fierëzës, që e bijnë klimën e Adriatikut. Ka vegjetacion fantastik e erëza që rriten vetëm këtu. Vija e mbledhsha. Pata mbetë nëpër male”, tregon Axi. 

18 herë fluturoi për t’i ardhë në krye dizajnit e brendimit të pijeve, të cilat sot njihen për dizajn të veçantë e emra shqiptarë.

“Ujkun e kam dashtë gjithsesi brenda Dukagjinit”, tregon Axi për dizajnin e xhinit “Dukagjin”.

Dizajnet
Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Pijet që vijnë veç prej produkteve vendore

Duke parë se toka e vendlindjes së tij kishte gjithçka që i duhej për t’i prodhuar pijet e tij, ai e bëri parim që t’i përdorte vetëm produktet vendore. Në vitin 2019, pasi kishte krijuar shijet e katër pijeve, pa ndonjë partner, krijoi distilerinë tek shtëpia në Nivokaz, regjistroi kompaninë dhe nisi punën.

“E kemi pasë do rrush amerikan në shtëpi. Ma s’pari e kam pjekë atë raki. Ende e kam buren e drunit të mbushur me atë”, bën me dorë kah ajo bure, e cila atë ditë mbushi tri teke të një rakie, që kishte marrë ngjyrën e drurit. Pas një viti, në 2020, Axi filloi distilimin e katër pijeve që tashmë ishin porositur nga disa lokale. Por ndodhi ajo që askush nuk e priste.

“Sasinë që e kisha mbushë ishte e shitur. Paketimi u vonua dhe prisnim vetëm t’i sistemonim shishet në paketa. Ato më kanë ardhë më 19 mars 2020. I bëj gati unë për shpërndarje. Kur me 21 mars 2020, mbyllet Kosova nga pandemia [COVID-19]. Mbeten shishet e mbushura në kutia”, i hapi krahët teksa fliste Axi, sikur po ndodhte edhe njëherë ngjarja e njëjtë.

Megjithatë, u ngushëllua se Kosova nuk ishte i vetmi vend që u mbyll dhe më pas u qetësua disi kur filloi shitja përmes porosive drejt në shtëpitë e klientëve. Disa herë iu desh që t’i ndërronte kontraktorët e shpërndarjes e në fund edhe këtë u desh ta bënte vetë.

Shpërndarja e pijeve i solli edhe kontakte tjera. Një grua nga Drenoci i Rahovecit, Brikena Gashi, iu lajmërua pasi ishte magjepsur nga likeri “Dashnia me brina”. Ajo i tregoi për vreshtat e vjetra të familjes, që s’po i punonte më kush. Kështu, Aliu nuk vonoi dhe i mori edhe ato vreshta për ta krijuar pijen tjetër, “Syrrushin” të cilën e administrojnë bashkë me Brikenën. Kjo është një raki rrushi me tri shije. Përveç rakisë së pastër, “Syrrushi” ka dy shije tjera. Një me shegë brenda dhe një tjetër që ka ndejtur në bure druri, duke marrë ngjyrë e që quhet “I pleqnumi”, ngaqë “pleqnimi” në traditën shqiptare është kur një punë tjerret gjatë. Krahas këtyre pijeve janë edhe dy shije të veçanta –– likeri i arrave, që quhet “Andrra” dhe rakia e mollës me emrin “Loçka”.

Fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.

Kishte krijuar edhe shije tjera, që kërkoheshin nga të tjerët, sikur porosia e një artisti ndërkombëtar, që t’i bënte “Vodkullën e zezë”. Axi e krijoi këtë shije me një bimë, që e kishte mbledhur në fusha. 

“Unë kam krijuar një rrjet të mbledhësve të bimëve, boronicave, gështenjave e të tjerave. Ua blej me çmim më të lartë se deri tash që ua kanë blerë tregtarët”, thotë Axi. “Nëse i thajnë në diell si duhet, ua blej edhe më shtrenjtë. Përveç këtyre në këto anë, edhe nga Tropoja vijnë e m’i sjellin”, tregon ai, pasi prodhimi vetëm me produkte vendore dhe të mbledhura nga fshatarët vazhdon të jetë esenciale për të.

“Duke e blerë një produkt tonin, qoftë rakinë, qoftë turshitë, qoftë qumshtin e djathin, ti i ndihmon një zinxhiri të gjerë të njerëzve që punojnë direkt e indirekt”, thotë Axi.

Në rrugicat e Nivokazit, rrallëkush kalonte pa e përshëndetur. Dy-tri fjalë, pak hajgare dhe vazhdonin. Një tufë delesh na rrethoi teksa ecnim dhe Axi ia vuri syrin një dashi që ta blente, ngaqë shishes së pijes “Dashni me Brina” i rrijnë brinat origjinale bukur anash.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“E blej më shumë për me ia marrë brinat. Qe tre desh po ia blej për këtë arsye”, thoshte teksa qeshte.

Rritja e kërkesës dhe rrjedhimisht prodhimit e shtyu Axin të zgjeronte hapësirën vitin e kaluar. Një objekt të menduar për sallë dasmash në Nivokaz e shndërroi në distileri. Këndi i destilimit, këndi i bureve me pije ishte bashkë me raftin e mbushur me erëzat e shumta që i duhen. Veç për likerin “Dashni me brina” ai i përdor 101 erëza të mbledhura vetë.

Teksa distilatorin e parë me të cilin e ka nisur punën e ka “pensionuar” dhe e ka të vendosur në hyrje të distilirisë, të tjerët i janë prodhuar me porosi. Flaka më nuk e prek kazanin. Uji i ngrohtë që ndikon edhe në cilësi i nxeh kazanët e rinj, teksa gypin që del nga ta, e ka me disa nivele që e largojnë ujin dhe e nxjerrin “lëngun e shenjtë”. Duke i përshtatur vetë të gjitha këto, ai ka krijuar edhe një sistem të monitorimit elektronik për të përcjellë temperaturën, që rritet brenda kazanit.

Fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.

“Është krejt çështje përkushtimi… çështje pune me dashni. Unë kujdesna që pija me dalë më e mira e mundshmja prej fillimit e deri në fund”, tregon Axi. “Pije sa t’dush secilën prej qetyne shisheve, e nëse të dhem kryt, hajde thema shishen për kry”.

Teksa tregon se përdorimi i mbetjeve të frutave pas distilimit për prodhim të mëtejshëm të pijeve është i dëmshëm, Axi i përdorë mbetjet për lehrim të vreshtave. Plot fshatarë që vuajnë nga reuma vijnë dhe marrin alkoolin e fortë që nuk pihet për të lyer trupin me të.

Sot, pijet e tij mbërrijnë në Gjermani, Zvicër e vende tjera evropiane. 

Që prej 2022, ai bashkë me Brikena Gashin kanë një dyqan në Prizren, ku turistët e shumtë shërbehen me pijet e tij, teksa po bëhet gati ta hapë një dyqan edhe në Tiranë këtë vit. 

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Sytë përpara kah agroturizmi

Nivokazi, si pothuajse shumica e fshatrave të asaj ane, ishte shumë i qetë. Shumica e të rinjve kanë zgjedhur migrimin dhe kjo vërehej nga të paktit që endeshin në ato rrugë. Këtë qetësi e prishnin delet, lopët e pulat, që vëreheshin cep më cep. Ato kullosin në livadhet shumë pjellore, ku rriten pemët e perimet organike. Natyra e shëndetshme e Nivokazit i ka vendosur një angazhim të ri Axit: ta kthejë Nivokazin në agroturizëm.

“Çfarë ushqime kemi këtu, s’mundesh me u ngi. Gratë tona bojnë flija, pite, përpeq e laknur, që kurrë kurrkund s’mundesh me i kërku. Bylmeti e perimet janë krejt bio. Pse mos me i shfrytëzu krejt këto prej kësaj toke pjellore edhe me ju ndihmu katunarve t’mi?”, thotë ai, teksa tregon që një kullë të vjetër gati 100-vjeçare e ka marrë tashmë për shndërruar në vend turistik ku mund të shërbehet ushqim tradicional.

Duke pasur Tropojën afër, shumë turistë e shohin në hartë digjitale këtë distileri dhe ndalen për të blerë e për t’i shijuar pijet. Mirëpo, sipas Axit, me një projekt të tillë agroturizmi do të mund t’ua zgjaste kohën e qëndrimit turistëve dhe do të mund të sillte edhe të tjerë.

Axi po bën gati t’i sjellë në treg edhe dy shije të reja dhe me kaq, thotë, se do ta përfundojë.

I rrethuar me pije gjithandej, Ali Alijaj ose Ax Alijaj, merr dy shishe në dorë për t’ia dhuruar ekipit tonë.

“Është traditë me e përcjellë mysafirin kështu. Mos më kundërshtoni”, tha prerazi, teksa na përcolli tek dyert e drurit dhe ktheu kurrizin për t’iu kthyer punës.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0