Akti i parë
Vučjak, vendi që përdorej si deponi e mbeturinave të qytetit Bihać. Në afërsi është kufiri kroat (2 kilometra), i rrethuar me fusha të minuara që kanë mbetur nga lufta. E hënë, 4 nëntor, rreth orës 2 të pasdites.
Një kolonë e gjatë dhe gjarpërore, plot njerëz që presin shujtën e parë të nxehtë. Para katër muajve, administrata e qytetit Bihać vendosi që Vučjak të bëhet vendi ku duhet të jetojnë refugjatët burra për të cilët nuk ka vend në kampe tjera. Kampi u improvizua në lokacionin e një deponie të vjetër të mbeturinave të qytetit, në afërsi të frontit të dikurshëm të fushëbetejës, rrethuar nga fusha të minuara.
Në Vučjak, gjithçka është e improvizuar, përfshirë jetët e atyre që detyrohen të banojnë aty nga policia dhe qeveria e Kantonit Una-Sana. Pothuajse çdo ditë, policia kryen bastisje dhe i sjell njerëzit me forcë në këtë zonë, duke i lënë aty të kujdesen për veten.
Të hënën, si çdo ditë tjetër, Kryqi i Kuq i Bosnjës dhe Hercegovinës sjell drekën, një nga dy shujtat e ditës. Një nga një, njerëzit i zënë vendet, duke pritur në rend me durim. Disa, kryesisht burra të rinj, përfshirë këtu disa të mitur, nuk kanë këpuca sepse i kanë humbur gjatë ndonjë përpjekjeje për ta kapërcyer kufirin, ose policia kroate i ka detyruar t’i heqin dhe i ka kthyer duke ecur në Bosnje dhe Hercegovinë.
Disa njerëz kanë vetëm rroba verore, maica dhe shorce. Disa të tjerë kanë veshur jakne tepër të mëdha që ua vështirësojnë lëvizjen. Ata që nuk kanë as pulovra ecin të mbështjellur me batanije të dhuruara ngjyra-ngjyra.
Në një moment, një polic i ri të cilit pak më parë i ka filluar ndërrimi tetë-orësh në Vučjak, fillon të ecë nëpër rendin me njerëz. Ndërsa është duke ecur me hapa të mëdhenj, vendosmërisht, pranë njerëzve të lodhur e të zbehur, ai i vesh disa dorëza të zeza. Papritmas, ndalet dhe i afrohet rëndom njërit prej njerëzve që po rrijnë të qetë në rresht, e kap për dore me ashpërsi, ia përkul pak gjunjët dhe e godet në fytyrë me grusht. Burri rënkon. Të tjerët heshtin.
“Shikoni, policia bum”, tha burri që u afrua te unë dhe dy gazetarë të huaj. Ne të tretë e shikojmë pa fjalë, të shokuar me atë që sapo kishte ndodhur para neve. Kolegu holandez e nxjerr kamerën dhe ia fotografon fytyrën burrit, madje ndoshta është djalë i ri. Kolegët më thonë se nuk është hera e parë që ka ndodhur diçka kësisoji.
Të tjerët që po presin në rend për ushqim i mbajnë kokat ulur, ndërsa polici pozicionohet afër rendit, me sa duket duke e kërkuar viktimën e re. Unë reagoj. E thërras selinë e policisë dhe e raportoj dhunën.
Pas raportimit tim, dy policë më afrohen, më izolojnë dhe përpiqen shumë të më frikësojnë. Edhe pse ua tregoj akreditimin tim si gazetare, ata më kërcënojnë dhe më bërtasin, duke më thënë se kjo është hera e fundit që do të shkel në Vučjak, dhe që do të më marrin në mbajtje.
Prapë se prapë, unë rri me ta dhe me 800 njerëz të tjerë në atë deponi mbeturinash deri në fund të ditës.
Akti i dytë (Prolog)
Parkingu i qendrës së përkohshme të pritjes, ish-fabrika Bira në Bihać. E hënë, 4 nëntor, rreth orës 1 të pasdites.
Të njëjtën ditë, pak më herët. Rreth 10 policë janë duke lëvizur në parking, duke iu afruar çdo personi për të cilin besojnë se mund të jetë refugjat — do të thotë kryesisht atyre me ngjyrë tjetër të lëkurës — dhe duke ia kërkuar letërnjoftimin me zë të ashpër. Ata që nuk kanë letërnjoftim i shtyjnë anash. Disa njerëz hyjnë në kamp, ndërsa të tjerët ndahen mënjanë pasi policia ua merr kartat e regjistrimit të lëshuara nga kampi.
Pastaj i detyrojnë të ulen cuc dhe të presin deri sa të vijë një kamion për t’i marrë — u thonë të hyjnë, dy nga dy. Disa policë kanë maska mjekësore në fytyrë dhe dorëza transparente plastike në duar.
Një burrë në pixhama është në mesin e atyre që po i marrin. Më vonë e kuptoj se kishte qenë duke qëndruar në karantinën e kampit Bira (prandaj ishte në pixhama), dhe se kishte dalë jashtë për ta takuar një mik. Ashtu në pixhama, policia e çojnë në Vučjak.
Derisa është duke ndodhur e gjithë kjo, prapa rrethojave të kampit Bira qëndrojnë punëtorët e disa organizatave ndërkombëtare të cilët e kanë për detyrë të kujdesen për refugjatët dhe emigrantët. Ata pijnë cigare, buzëqeshin, thuajse asgjë nuk është duke ndodhur në anën tjetër të rrethojave.
Zyrtarët e sigurisë dhe të organizatave të huaja të stacionuara në Bira dhe në katër kampe tjera në pjesët veriore të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë të paguar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet organizatave partnere, në këtë rast, Organizata Ndërkombëtare për Migrim (ONM), UNHCR, dhe Këshilli Danez për Refugjatë (DRC).
Më vonë, kur flasim me njerëzit të cilët i kanë çuar me autobus në deponinë e mbeturinave Vučjak, na thonë se kjo është jeta e përditshme për ta. Ata tregojnë si sigurimi privat brenda kampit Bira, apo në hyrje të tij, ndonjëherë edhe i kanë goditur me grushta. Na thonë se një natë para se ne të vinim në Bira, e kishin rrahur një djalë të ri. E shikova një video në telefonin e dikujt, ne të cilin shiheshin duar të mbuluara me gjak dhe fytyra e një djali të ri që duket se është i mitur.
Këto pretendime për dhunë janë publikuar para më shumë se një viti por deri tani shumë pak është bërë për t’i adresuar. Kur pyetet ONM-ja, një nga organizatat përgjegjëse për siguri, zakonisht përgjigjet se kanë marrë masa apo se policia lokale është informuar. Megjithatë, prokuroria në Bihać dhe policia nuk mundën ta konfirmojnë këtë, dhe thonë se nuk kanë pranuar raporte të dhunës në kampe.
Akti i tretë
Rruga kryesore në Bihać. Cilado ditë.
Policia, e ndonjëherë njësitet speciale me uniforma, maska dhe jelek kevlar, marshojnë nëpër qytet në kërkim të njerëzve me lëkurë të errët. Kur i gjejnë, ua kërkojnë dokumentet, që shpesh as nuk ua kontrollojnë. I grupojnë njerëzit, dy nga dy, i vendosin në rend, njërin pas tjetrit, i rrethojnë, dhe i detyrojnë të marshojnë nëpër qytet. Nëse ka automjet, i çojnë me të, por ndonjëherë i detyrojnë të ecin gati 10 kilometra deri në Vučjak, të shoqëruar nga policia.
Qytetarët e Bihaćit duhet të përballen me këtë dhunë çdo ditë. Duhet ta shohin dhe të heshtin. Mediat lokale shpeshherë janë të ftuara në këtë poshtërim publik të njerëzve në lëvizje, ndërsa videot shfaqen pastaj në Una-Sana Canton TV dhe në portalin e tyre, në transmetuesin publik, dhe shpërndahen në rrjete sociale.
Në njërën prej këtyre ditëve, pasi policia i kishte larguar njerëzit me forcë, kolegu im Ajdin Kamber u mundua t’i pyesë autoritetet se a janë duke i shkelur me vetëdije ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe konventat ndërkombëtare që i garantojnë të drejtat, përfshirë lirinë e lëvizjes, të njerëzve në lëvizje. Ai u nxor nga ndërtesa, i shoqëruar nga vetë kryeministri i Kantonit, i cili i tha: “Je i lirë të shkosh, shoku. Hajde tash, gëzuar!”
Të njëjtën javë, kur të dytë qëndruam në Bihać dhe pamë çfarë po ndodhte, Përfaqësuesi Special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë kishte ardhur për ta dhënë një tjetër donacion prej 11 kamionësh për policinë lokale. Me sa duket funksioni kryesor i tyre do të jetë transportimi i njerëzve për në Vučjak.
Ky është vetëm njëri nga seria e donacioneve që janë bërë për policinë që nga qershori i vitit 2018, kur BE-ja filloi të marrë pjesë zyrtarisht në mbështetjen e Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u ballafaquar me numrin e shtuar të refugjatëve dhe emigrantëve në territorin e saj.
Prej atëherë, Bosnja dhe Hercegovina ka pranuar rreth 36 milion euro nga Brukseli në formë të donacioneve. Këto para kryesisht janë shpenzuar nëpërmjet partnerëve të zgjedhur, përfshirë ONM, UNHCR, UNICEF dhe DRC.
Ata duhet të kujdesen për strehimin, shëndetin dhe nevojat tjera bazike të këtyre njerëzve në lëvizje. Megjithatë, mënyra e shpenzimit të parave nuk është transparente, dhe prej asaj që po e shohin njerëzit, një pjesë e madhe e tyre po përdoret për t’i forcuar kufijtë dhe forcat policore në vend. Ky pretendim është mohuar në mënyrë eksplicite nga BE-ja, e cila thotë se 94% të fondeve të saj janë dhënë drejtpërdrejt për përkujdesje ndaj emigrantëve; ndërkohë, ONM-ja, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e buxhetit të ndarë për Bosnjën, e vendos këtë shifër në 75%.
Jo larg Bihaćit është Velika Kladuša, një nga pikat më të rëndësishme të kalimit nga Bosnja në BE. Shumica e njerëzve në lëvizje në këto anë detyrohen të jetojnë në vendbanime joformale, si ndërtesa të braktisura — rreth 600 janë në kampin Miral, i cili u hap vjeshtën e kaluar në ish-fabrikën e PVC-së.
Në Miral, njerëzit flejnë në shtretër të hekurit të ndrydhur krah njëri-tjetrit. Ndonjëherë disa njerëz duhet ta përdorin një shtrat të vetëm. Gjithçka rreth tyre është e hirtë dhe e zymtë. Atmosfera nuk ta sjell në mend një vend ku dikush mund të presë të jetë i mbrojtur. Nuk ka fare privatësi. Reagimi zyrtar është që kushtet në kampe janë në përputhje me “standardet ndërkombëtare”.
Ashtu si punëtorët e organizatave të huaja të pozicionuar para kampit Bira, BE-ja e ka vëzhguar një krizë të vërtetë humanitare në Bosnje dhe Hercegovinë në muajt e fundit. Në të njëjtën mënyrë, ata janë dëshmitarë të dhunës në kufijtë e tyre – në Greqi, Bullgari, Rumani, Hungari dhe Kroaci. Ata mund t’i dënojnë kushtet në kampe në Bosnje, por nën vëzhgimin e tyre, dhuna po bëhet normalitet i ri në Evropë.
Gratë, fëmijët dhe burrat që mundohen të shkojnë në shtetet perëndimore bien viktima të dehumanizimit në çdo mënyrë të mundshme. Nga izolimi në kampe që u ngjajnë kampeve të përqendrimit, deri te rrahjet brutale që i pësojnë kur bëjnë përpjekje ta kalojnë kufirin dhe te mohimi i të drejtës për t’u qasur në sistemin e azilit.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, një nga shtetet më të varfëra në Evropë, që e ndan me BE-në kufirin 1,000 kilometra të gjatë, ky poshtërim prezantohet në formën më brutale, si polici i acaruar i cili i vesh dorëzat e zeza dhe duke ecur pranë njerëzve që janë duke pritur për ushqim, kërkon ndokënd për ta grushtuar.