Pasi kishte punuar për 12 vjet si shërbyese civile në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), Sanija* mendoi se ishte koha për ngritje në detyrë. Ajo vendosi të aplikonte për t’u bërë anëtare e bordit — trupit më të lartë vendimmarrës të institucionit.
Anëtarët e bordit — gjithsej shtatë — përzgjedhen nga Kuvendi i Kosovës prej listës së ngushtë të kandidatëve më të mirë, të hartuar nga një komision parlamentar. Sipas faqes së KPMShCK-së në internet, ky është “një proces i hapur dhe transparent i rekrutimit”.
Sanija mendonte se ky proces do të ecte në mënyrë relativisht të shtruar. Ajo ka mbaruar studimet master në juridik nga Universiteti i Prishtinës dhe ka përvojë të mjaftueshme prej kohës si e punësuar në KPMShCK, ku mban një pozitë të lartë.
Krahas komisionit të përbërë nga deputetë të Kuvendit, Ambasada Britanike ishte gjithashtu pjesë e procesit të rekrutimit, duke ofruar një vlerësim të pavarur të kandidatëve në kuadër të një marrëveshjeje për të ndihmuar në emërimin e “udhëheqësve të fuqishëm, të pavarur dhe profesionalë të institucioneve dhe organeve publike”.
Përmes një Memorandumi të Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike në korrik të vitit 2020, Ambasada u zotua të angazhojë një kompani — të njohur si “partneri implementues” — e cila ofroi nga një listë të ngushtë me kandidatët më të mirë për pozitat e larta në disa institucione publike. Nga ana e vet, Kuvendi i Kosovës u zotua të përzgjedhë kandidatët e renditur më së larti nga lista e ngushtë.
Në vlerësimin e bërë nga partneri implementues britanik, Sanija u radhit lart, në pesë pozitat e para. Sipas memorandumit, kjo nënkuptonte se Sanijes është dashur t’i ofrohej pozita në bord.
Por më 8 tetor, në ditën kur duhej të merrej vendimi në seancën parlamentare, Sanija u habit kur nuk e dëgjoi emrin e saj në mesin e kandidatëve; lista e ngushtë e kandidatëve më të mirë të përzgjedhur nga partneri implementues i Ambasadës Britanike nuk ishte marrë parasysh.
“Te britanikët kam qëndru mirë me pikët kurse te vendorët nuk kam pasur kurrëfarë njoftimi se sa pikë i kam arritë dhe ku jam [ranguar], derisa e kam pa në Kuvendin e Kosovës që votimi ka fillu dhe nuk është përmend emri jem”, thotë ajo.
Në fund, Kuvendi vendosi për pesë anëtarët e bordit, një nga të cilët, sipas britanikëve, nuk i plotësoi as kriteret minimale për emërim. Dy kandidatë të tjerë të emëruar nuk ishin në pesëshen e parë të përzgjedhur nga britanikët.
Sanija thotë se vendimi përfundimtar nuk ishte fare i bazuar në merita. Ajo beson se arsyeja e vetme pse nuk arriti ta fitojë pozitën ishte sepse nuk kishte mbështetje politike, pasi një numër i kandidatëve të suksesshëm ishin të lidhur me parti politike.
“Nuk ka një shpjegim se pse nuk jam zgjedhë”, thotë ajo. “Kish me qenë më e lehtë nëse kish pasë një arsyetim, si përshembull, të tjerët kanë qenë më të mirë apo se në intervistë nuk kam dhanë përgjigje të mira, ose nëse nuk isha vlerësu nga asnjëra palë, as britanikët as vendorët.
Histori e vjetër
Rasti me KPMShCK-në nuk është i vetmi ku vlerësimi i bërë nga partneri implementues i Ambasadës Britanike u injorua nga Kuvendi i tanishëm. Një raport i publikuar këtë muaj nga Instituti GAP gjeti se rekomandimet u injoruan edhe në procesin e emërimit të komisionerit për Agjencinë për Informin dhe Privatësi.
Partneri implementues i Ambasadës Britanike kishte rekomanduar dy kandidatë të përshtatshëm për atë pozitë, por në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 14 gusht asnjë nga kandidatët nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për t’u emëruar komisioner.
“Para kësaj seance, Ambasada Britanike i kishte dërguar një letër Kuvendit për t’ia përkujtuar zotimin e memorandumit të bashkëpunimit, megjithatë deputetët nuk e morën parasysh”, thuhet në raportin e GAP-it.
Mbretëria e Bashkuar ka ofruar ndihmë në proceset rekrutuese për pozita të larta brenda institucioneve publike që prej vitit 2016. Sidoqoftë, sipas Ambasadës Britanike, rezultatet e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës kanë qenë të përziera.
Nga 85 procese rekrutuese të parapara për t’u mbështetur deri në mars të vitit 2020, më pak se gjysma përfunduan në një mënyrë që u vlerësua si e kënaqshme.
Të dhënat zyrtare të siguruara nga Ambasada tregojnë se prej mesit të vitit 2016 deri në mars të këtij viti, 48 procese rekrutuese janë përmbyllur me mbështetjen britanike. Në 14 prej tyre, institucionet nuk përmbushën zotimin e tyre për përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar të propozuar nga vlerësuesit e pavarur.
Në 20 raste të tjera partnerët implementues britanikë nuk ishin përfshirë fare në procesin rekrutues ashtu siç ishin pajtuar.
Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i ÇOHU — një OJQ kundër korrupsionit që më herët ka monitoruar rekrutimet për pozita të larta në administratë publike — thotë se arsyeja për mosrespektimin e plotë të memorandumeve ndërmjet institucioneve lokale e kombëtare dhe Ambasadës Britanike është mungesa e vullnetit politik të partive për të hequr dorë nga emërimet politike në pozita të larta të rëndësishme. Monitorimi i institucioneve publike në vazhdimësi ka shpërfaqur praktikën e partive politike për futjen e njerëzve të tyre në ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura.
“Emërimi i militantëve partiakë apo njerëzve nga partitë politike në këto pozita është ende i pranishëm dhe në shumicën e herave njerëzit e emëruar nuk janë kompetentë në fushën ku përzgjedhen”, thotë Demhasaj.
Në veçanti, një rast i fundit ka nxitur reagime të drejtpërdrejta nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Gjatë vitit 2019, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së në Kosovë u tërhoqën nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) — një agjenci e krijuar për krahasimin e dokumenteve kadastrale me ato të mbajtura në Serbi — pas emërimit të drejtorit, të cilin vlerësuesit e pavarur në procesin rekrutues e kishin konsideruar si jo të përshtatshëm për pozitën.
Ambasadori britanik në atë kohë, Ruairí O’Connell, më vonë e përshkroi udhëheqësin e ri, Naser Shalën, si “i pakualifikuar dhe jokompetent”, duke theksuar se u emërua në pozitë “vetëm në saje të lidhjeve të tij me deputetë, nga koha kur ishte në UÇK”.
Florije Kika aplikoi për pozitën e drejtores duke qenë ushtruese e detyrës në atë pozitë për pesë vite. Ajo kishte punuar në Agjenci prej vitit 2009 dhe besonte se përvoja e saj e bënte kandidaten më të përshtatshme për pozitën. “Aplikova sepse mendova se kisha krijuar përvojë të mjaftueshme për ta udhëhequr institucionin”, thotë ajo.
Florije Kika u vlerësua në mënyrë të pavarur si kandidatja e vetme e kualifikuar për pozitën e drejtores së AKKVP-së, por nuk u përzgjodh pasi Kuvendi mbështeti një kandidat të vlerësuar si “i papërshtatshëm”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Pas intervistave, partneri implementues i Ambasadës Britanike vlerësoi se Kika ishte e vetmja kandidate e cila përmbushi kriteret e emërimit. Megjithatë, komisioni vendor e shtoi Naser Shalën — për të cilin u raportua gjerësisht se ka lidhje me politikanët që ishin atëherë në qeveri — në listën e vet të ngushtë.
Kika thotë se ndërsa e dinte rezultatin e vlerësimit të bërë nga britanikët — i cili publikohet online brenda 48 orëve — nuk kishte informata se cilët kandidatë ishin përzgjedhur përfundimisht nga komisioni vendor.
“Nuk e pamë listën deri kur u dorëzua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion”, thotë ajo. “Si kandidatë, nuk kishim informata zyrtare, përveç informatave të marra në rrugë jozyrtare”.
Në fund, përkundër faktit se ishte kandidatja e vetme e rekomanduar, Kika mori votat e vetëm 22 deputetëve, ndërsa Shala, i cili ishte vlerësuar si i papërshtatshëm për emërim, mori 50 vota.
Kika, e cila tanimë është larguar nga AKKVP-ja dhe udhëheq një department në Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit, thotë se ndërsa individët mund të përfitojnë nga mbështetja personale politike, kjo praktikë shkon në dëm të institucioneve të suksesshme.
“Në shumicën e rasteve, njerëzit e emëruar në këto pozita përmes politikës janë më të suksesshëm sepse mbështetja është më e madhe — afërsia me politikanët i ndihmon t’i shtyjnë gjërat përpara”, thotë ajo. “Në anën tjetër, nëse do të bëhej një vlerësim, mendoj se rezultatet nuk do të ishin të njëjta sepse mbështetja politike nuk është e mjaftueshme për arritjen e rezultateve më të mira [për insitucionin]”.
Ndihma e rrezikuar
Ndërsa Ambasada Britanike ka memorandume të bashkëpunimit për të ndihmuar proceset e rekrutimit të udhëhequra nga institucione të ndryshme të nivelit lokal e qendror, roli i Kuvendit të Kosovës në veçanti ka qenë cak i kritikave.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), që prej vitit 2018 ka monitoruar proceset e rekrutimit të ndihmuara nga Ambasada Britanike. Në periudhën ndërmjet qershorit 2018 dhe marsit 2019, vetëm një nga gjashtë proceset e rekrutimit të monitoruara — në të cilat Kuvendi mori vendimin përfundimtar të përzgjedhjes — u përmbyll në përputhje të plotë me marrëveshjen përkatëse me britanikët.
“Monitorimi ka zbuluar se në konkursin për zgjedhjen e Drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe atë për bordin e ZRrE-së, Kuvendi ka zgjedhur kandidatët që nuk i kanë plotësuar kushtet për emërim”, thuhet në raportin monitorues të BIRN-it për vitin 2019. “Kurse përzgjedhja e kryesuesit dhe një anëtari të bordit të AKP-së ishte zhvilluar tinëz Ambasadës Britanike”.
Ardian Nrecaj, zyrtar i komunikimit në Ambasadën Britanike, thotë se Kuvendi në veçanti ka qenë i ndërlidhur me rezultatet e pakënaqshme të vërejtura në kuadër të projektit për ofrimin e ndihmës gjatë rekrutimit. Për këtë arsye, tani Kuvendi rrezikon të humbasë ndihmën profesionale nga projekti që sipas Mbretërisë së Bashkuar ka investuar 1.8 milion funta (afër 2 milionë euro) gjatë katër viteve të kaluara.
“Bashkëpunimi është duke vazhduar, mirëpo Ambasada Britanike është duke e rishikuar angazhimin me Kuvendin”, tha Ndrecaj për K2.0. “Ambasadori Britanik i ka dërguar letra secilit grup parlamentar për të kuptuar nëse ka vullnet politik dhe interesim nga ana e tyre që ky projekt të vazhdojë t’i ndihmojë deputetët (Kuvendin) të bëjnë rekrutime meritore”.
Arton Demhasaj nga ÇOHU thotë se emërimet politike vazhdojnë t’i dëmtojnë institucionet e Kosovës, përkundër mbështetjes nga Ambasada Britanike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Demhasaj nga ÇOHU thotë se do të kishte pasoja në rast se Ambasada Britanike vendos të tërhiqet nga marrëveshja dhe ta ndërpresë ndihmën në proceset rekrutuese për Kuvendin.
“Raportet vjetore të BE-së për Kosovën në vazhdimësi ngrisin si shqetësim faktin se administrata publike është e politizuar dhe nëse Ambasada tërhiqet nga projekti do të ketë politizim edhe më të madh të institucioneve të pavarura, me më shumë njerëz me lidhje politike të rekrutuar”, thotë Demhasaj.
Ndërkohë, teksa mbështetja e pavarur në procesin rekrutues nuk e ndihmoi Florije Kikën të merrte pozitën të cilën mendon se e meriton, ajo ende e konsideron ndihmën e britanikëve si të dobishme.
“Mendoj se [përfshirja e Ambasadës Britanike] është e duhur, sepse njerëzit po e kuptojnë kush është i përshtatshëm për këto pozita dhe kush në të vërtetë po emërohet”, thotë ajo. “Ata që duan, e marrin mesazhin”.K
*Emri Sanije është pseudonim. Personi ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të shqetësimit për perspektivat e karrierës.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e tij i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.