Vetëfuqizimi i Enisa Eminovskës u shpreh më së miri me vendimin e saj për ta refuzuar një bursë universitare. Në vitin 2006, aktivistja maqedone kuptoi se e kishte fituar një bursë nga një fondacion ndërkombëtar derisa ishte duke studiuar Administrim Biznesi në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë. Ajo nuk aplikoi për bursë, nuk e kërkoi atë; ia dhanë meqë ishte studente rome në një universitet privat.
Ajo shkoi te zyrtari për financa dhe e mori kontaktin e donatorit, të cilin e telefonoi. “Pse ma dhatë bursën? Nuk e kërkova. Nuk më duhen këto para”, i tha ajo donatorit. Eminovska thotë se personi me të cilin bisedoi nuk e kuptonte pse po telefononte dikush për ta refuzuar një bursë.
“I thashë: ‘Nuk po e kupton si po më shfuqizon? Dua t’i fitoj vet paratë dhe të paguaj vet për t’u arsimuar. Nuk dua të arsimohem me një bursë për romët’”, mban mend t’i ketë thënë zyrtarit. “Ky është njëri prej shembujve që më kanë fuqizuar dhe më kanë bërë që unë vet ta udhëheq fuqizmin dhe rezistencën time. Por njerëzit mund të mos kenë mundësi për t’i rezistuar kësaj”.
Siç e refuzoi bursën e dedikuar për studentë romë, Eminovska është e përkushtuar të mos aplikojë për punë që lidhen specifikisht me komunitetin rom. Për të ka qenë shumë e rëndësishme të shkojë përtej identitetit rom, që të ndihet e fuqizuar.
Ndonëse ka qëndruar larg organizatave të cilat punojnë me komunitetin rom, ajo ishte e përfshirë në aktivizëm të pavarur dhe jofitimprurës për të drejtat e njeriut prej vitit 1999 deri në vitin 2011. Ajo e vetme i monitoroi dëbimet me forcë të familjeve të cilat jetojnë në kushte të rënda në Maqedoni, duke dokumentuar brutalitetin policor.
Ajo i theksoi problemet me të cilat përballen shumë refugjatë romë dhe ashkalinj nga Kosova, me fokus në të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe përdhunimit në kohë të luftës. Ajo gjithashtu ofroi shërbime të menaxhimit të rasteve për vajza që janë detyruar të martohen nën moshën 16-vjeçare, si dhe për foshnjat e tyre, duke ua lehtësuar qasjen në shëndetësi dhe programe të mbrojtjes sociale.
Ndonëse përgjatë viteve, Eminovska ka punuar me shumë programe dhe projekte si eksperte e gjinisë dhe e përfshirjes sociale, prej vitit 2011 deri vonë ajo ka punuar kryesisht në fushën e të drejtave të grave, me Komitetin Ndërkombëtar për Shpëtim në Greqi, Irak dhe Çeçeni.
Javën e kaluar ajo erdhi në Prishtinë për të marrë pjesë në Samitin Rajonal të Romëve që u organizua nga Civil Rights Defenders, duke e mbajtur një fjalim për Fuqizimin e Grave Rome. Gjatë Samitit, K2.0 bisedoi me Eminovskan për aktivizmin, integrimin kundrejt asimilimit dhe fuqizimin e grave rome.
Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.
K2.0: Çka e karakterizon një aktivist të mirë të të drejtave të njeriut?
Enisa Eminovska: Mendoj se fillimisht duhet të kesh shumë pasion për drejtësi. Ai pasion është fuqia më e madhe shtytëse për një aktivist. Por është edhe rrezik, veçanërisht nëse aktivistët individualë dhe të pavarur nuk kanë mbështetje. Mund të rraskapiten. Pasioni që nuk ruhet digjet derisa të shkatërrohet.
Aktivizmi im ishte krejtësisht i pavarur nga projektet, krejtësisht i pavarur nga rrogat dhe organizatat. Unë po bashkëpunoja me shumë organizata, po ulesha me ta në forume të ndryshme dhe po diskutoja për çështje të ndryshme me ta, duke bashkëpunuar për zhvillimin e një vizioni. Por jo si pjesë e institucionit, jo si pjesë e një organizate, dhe jo si pjesë e ndonjë projekti.
Ishte vendim që e mora me shumë vetëdije. Doja të isha e sigurtë që ato që i them dhe mënyra se si flas për gjëra nuk ndikohet nga diçka apo nga dikush tjetër, përveç nga perceptimi im dhe historia e njerëzve me të cilët po ndërveproja, me komunitetet.
A do ta quanit aktivizmin tuaj si aktivizëm bazë?
Po, ashtu ishte, por edhe aktivizëm i pavarur. Këtë arrita ta bëja. Dhe them ‘arrita ta bëja’ sepse njëkohësisht isha e detyruar të fitoja para. Por po fitoja para si profesioniste, jo si aktiviste.
Toni juaj tingëllon si mjaft kritik ndaj shoqërisë civile dhe organizatave që punojnë me të drejtat e njeriut në rajon.
Nuk di për ta, në fakt. Prej vitit 2011 e kam lënë krejtësisht atë botë. Prej atëherë, nuk vëzhgoj, nuk i përcjell ngjarjet e përditshme. Po bëj vrojtime më të përgjithshme, të ndara në sekuenca. Nuk i njoh në fakt njerëzit dhe OJQ-të. Por në atë kohë, po, isha shumë kritike, dhe dëgjoj e shoh disa prej gjërave të njëjta. Nuk më duket se kam humbur shumë.
Cilat gjëra të njëjta i dëgjon dhe i sheh që nuk kanë ndryshuar, dhe që i kritikon?
Vazhdimisht e kritikoj faktin se i dëgjoj të gjithë duke thënë se gjërat nuk po ndryshojnë dhe se rezultatet nuk janë të kënaqshme, dhe të gjithë e kuptojnë se roli i komunitetit duhet të ndryshojë dhe duhet të bëhet shumë më proaktiv, por nuk e bën kush punën që krijon hapësirë në të cilat komunitetet mund ta udhëheqin vizionin për zhvillim. Edhe ky koncept i integrimit… tani jam në një pikë ku po e vë në dyshim tërë këtë koncept
Siç tha një pjesëmarrës sot, “nëse ke dëshirë të integrohesh, duhet të asimilohesh”. Është realiteti më i ashpër që e kam dëgjuar, por është i vërtetë. Pra sa i përket idesë së integrimit, mendoj se duhet ta hapim këtë diskutim me komunitetet, me lagjet dhe vendbanimet, dhe t’i pyesim çka mendojnë ata për integrimin të cilin e kanë parë për më shumë se një dekadë. A duan të vazhdojnë në atë mënyrë? Apo kanë ide të tjera për atë se si mund të duken jetët e tyre, si mund të kenë jetë më cilësore?
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Çka mendon për integrimin?
Nuk mendoj se duhet të flasim më për integrimin. Këtë po e them. Sepse integrimi vjen me një pritje shumë të qartë, ose është dëshmuar në të kaluarën se ne duhet të ndryshojmë – dhe ai ndryshim, integrimi për romët, erdhi në vend të asimilimit.
Në Maqedoni disa prej trendeve të cilat i kemi vrojtuar përgjatë viteve tregojnë se sa më shumë vite që një person i nënshtrohet arsimimit formal, aq më lart ngjitet në shkallët akademike, dhe aq më i shkëputur dhe i distancuar bëhet ndaj komunitetit rom. Shkon në të dy anët. Është marrëdhënie e ndërsjellë. Komuniteti nuk i sheh më si të vetët, por gjithashtu ata njerëz i ndryshojnë mënyrat se si ndërlidhen apo nuk ndërlidhen me atë komunitet.
Një pjesë e madhe e kësaj lidhet me atë se sa shumë shtypje kanë përvetësuar gjatë jetës, për shkak të kapaciteteve të tyre për të rezistuar, kapaciteteve individuale, të cilat janë shumë të nevojshme. Nuk është e lehtë ta rezistosh atë që të del rrugës.
Ju thatë se nuk dëshironi të fitoni para apo të merrni rrogë duke punuar në një organizatë që merret me të drejtat e romëve.
Nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Marrëdhëniet e mia me identitetin rom janë politizuar dhe janë ndikuar nga trendet, politikat dhe bisedat që i kam bërë gjatë atyre viteve [kur OJQ-të që merren me të drejtat e romëve filluan të zhvillohen dhe të mbështeten].
Por aspekti i parave… ishte shumë e qartë për mua për shkak se kështu e kisha mendjen të hapur dhe gojën të lirë për të folur për çështjet ashtu siç janë. Nuk doja të informohesha nga ato që dëshiron t’i dëgjojë donatori, apo kushdo që më ka punësuar për ta shkruar një raport.
Nuk dua të fitoj para si rome. Nuk dua t’u vë çmim shërbimeve dhe aktivizmit tim. Dua të fitoj para në mënyra të tjera, jo duke punuar për një organizatë rome. Këtë kuptim e kanë fuqizimi dhe integrimi për mua – kur arrita ta përcaktoja atë se si e shihja rrugën time; kur garoj me moshatarët e mi nëpër botë, e jo me komunitetin rom në bazë të identitetit tim, meqë jam rome. Jam shumë më shumë se rome. Një pjesë e imja është rome, por jam shumë më shumë se thjesht rome.
Nuk ka ekspert të romëve. Mund të jesh ekspert i përfshirjes shoqërore. Mund të jesh ekspert i zhvillimit, i të drejtave të njeriut e çkado tjetër. Por nuk mund të jesh ekspert i romëve, i shqiptarëve, i maqedonëve.
Përfitimi si rom dhe profesionalizimi i identitetit si rom i ka ngatërruar marrëdhëniet e mia me romët për një kohë shumë të gjatë. Vazhdimisht detyrohesha të gjeja mënyra për t’i ruajtur marrëdhëniet e mia me komunitetin, sepse në një pikë ajo u bë shumë politike. U bë mundësi për ta ndërtuar një karierë, për të fituar para, dhe nuk e doja këtë. Zgjodha të mos e doja.
Integrimi për mua do të thotë se jam garuese, dhe jam eksperte në një fushë tematike. Jo eksperte e njerëzve. Nuk dua të jem eksperte e romëve. Nuk ka ekspert të romëve. Mund të jesh ekspert i përfshirjes shoqërore. Mund të jesh ekspert i zhvillimit, i të drejtave të njeriut e çkado tjetër. Por nuk mund të jesh ekspert i romëve, i shqiptarëve, i maqedonëve.
Më kanë quajtur kështu më parë. Sigurisht nëse e kërkon emrin tim në Google, diku shkruan se jam eksperte e romëve. Por këta emra e tituj na i kanë dhënë të tjerët, e nuk na kanë dhënë mundësi për të reflektuar e për të thënë, “prit, çka është kjo tash?” Disa njerëz përgjatë viteve janë munduar ta kthejnë vëmendjen drejt kësaj, se jeni duke shkuar në drejtimin e duhur.
Këto të gjitha janë tregues se ne jemi duke lëvizur në drejtimin e gabuar – me gjithë vizionin dhe idenë e asaj se si komuniteti rom duhet të integrohet në shoqërinë e përgjithshme. Unë kam zgjedhur dhe kam vendosur të mos kufizohem si profesioniste e romëve 24/7; të shkoj në konferenca dhe takime vetëm sepse jam rome, të kem mikrofon, të kem privilegje për të aplikuar për vende pune të caktuara për romë. Hapësira është shumë e vogël. Nuk është integrim ky.
Në Samit ju folët për anticiganizmin e përvetësuar. A e nxit anticiganizmi i përvetësuar një person rom të ketë vullnet për ta asimiluar kryesisht veten në komunitetin më të gjerë? Si do ta përcaktonit ju anticiganizmin e përvetësuar?
Si të gjitha format e tjera të racizmit të përvetësuar, të shtypjes së përvetësuar. Të gjithë kemi jetuar me të. Ne si gra kemi shtypje të përvetësuar, ne si romë po e përvetësojmë shtypjen. Ne po e përvetësojmë shtypjen në shumë nivele çdo ditë. Kjo ndodh kur fillon ta besosh dhe të sillesh në përputhje me imazhin të cilin e kanë krijuar të tjerët – shoqëria, komuniteti, familja, kushdo.
Kam parë dhe vazhdoj të shoh e të jem deshmitare e anticiganizmit të përvetësuar në komunitetin rom në përditshmërinë time, në vendlindjen time, në mesin e familjarëve të mi dhe veçanërisht në gjeneratën e re.
Gjeneratat e prindërve tanë i kishin mënyrat e veta të shpërfaqjes së shtypjes së përvetësuar. Tani ne si gjeneratë dhe gjeneratat që vijnë pas neve kanë mënyra të tjera, por prapëseprapë ndodh. E shoh se është shumë e gjallë dhe më frikëson më shumë se anticiganizmi që vjen prej institucioneve. Është armik ndryshe.
Unë besoj se ne duhet ta çlirojmë veten fillimisht nga shtypja, dhe duhet të shërohemi nga ajo traumë. Nuk do të jetë e lehtë t’i largojmë të gjitha këto, veçanërisht për faktin se nuk kemi histori të dokumentuar. Histori të dokumentuar prej kujt?
Ne nuk u besojmë burimeve, dhe kjo na lë me shumë pikëpyetje për të kaluarën tonë. Duhet ta pranojmë se ndoshta nuk do t’i kemi të gjitha përgjigjet ose ndoshta nuk do të jemi kurrë të lumtur me ato që i shkruajtën të tjerët për ne.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Histori e padokumentuar prej kohës kur romët u larguan nga India?
Nuk e kam fjalën për një histori aq të largët. Më kujtohet verën që shkoi dhe përgjatë viteve se sa vështirë e kisha të mbledhja informacione në Maqedoni për numrin e romëve të internuar në kampe të përqëndrimit.
A kishim këso gjërash në Maqedoni apo jo? A mund ta konfirmojë dikush me siguri? Dimë se kishte kampe të përqëndrimit në Serbi, në Kroaci, në kufirin që ndan Kroacinë dhe Bosnjën. Po për Maqedoni? Çfarë përvoje jetësore kishin romët atje?
Vazhdojmë të mos themi shumë për veten. Është një prej sfidave më të mëdha me të cilat duhet të përballemi për ta zhvilluar një bisedë të sinqertë me komunitetet tona. Duhet të hapemi dhe t’u tregojmë të tjerëve kush jemi.
Kjo duhet të shoqërohet me një synim të vetëndarjes si strategji e mbijetesës, mekanizma të përballimit, të cilat i përdorën komunitetet gjatë kohës në kontekste të ndryshme – ideja se duke qëndruar në periferi, në margjina, duke qenë i padukshëm, u shmangesh problemeve.
Duhet ta arrijmë përsëri atë marrëveshje shoqërore me shoqëritë tona. Ne nuk jemi këtu për të qenë në periferi. Unë nuk jam mysafir në shtetin tim. Jam pjesë e kësaj shoqërie, dhe kjo shoqëri duhet të transformohet dhe t’i përcaktojë përsëri standardet të cilat më përfshijnë mua, të cilat i marrin parasysh edhe mendimet e mija.
Ju thoni se romët e përforcojnë margjinalizimin e tyre duke qëndruar në margjina. Por çfarë roli kanë institucionet? A shihni progres dhe vendosmëri në përpjekjet institucionale për t’i larguar qytetarët romë nga periferia?
Mendoj se dikur kishte vendosmëri dhe gatishmëri, por mendoj se diçka shkoi shumë gabimisht. Mendoj se qeveritë treguan gatishmëri për të punuar për këtë çështje, por përsëri ai trendi i përfshirjes së çështjes së romëve në agjendën politike nuk erdhi nga komunitetet. Erdhi prej donatorëve dhe shoqërisë civile, e ato kanë shumë pak lidhje me komunitetet bazë. Kështu të palidhur kanë mbetur edhe gjatë viteve që kanë punuar me këtë çështje.
Ato nuk janë të lidhura me komunitetet. Nuk janë përfaqësuesit themelorë të komuniteteve, veçanërisht nëse komunitetet nuk përfshihen në biseda për hartimin e projekteve dhe vizionit.
Në atë mënyrë u krijua një trend në rajon… kësisoji qeveritë treguan vendosmëri dhe gatishmëri. Por mendoj se në atë kohë, mënyra si u përfytyrua integrimi dhe mënyra si u zbatua dhe u përsërit në gjithë rajonin si model nuk ishte si e menduam ose si e dëshiruam.
Projektet dhe politikat e integrimit u zbatuan përmes “Dekadës së Përfshirjes së Romëve’, e pastaj e gjithë ajo periudhë nuk e transformoi sistemin. Po krijon njësi të vogla të ndara brenda publikut dhe institucioneve, të cilat punojnë dhe pranojnë klientë romë të cilët kërkojnë shërbime të caktuara.
Është edhe rasti i ndërmjetësuesve romë të shëndetësisë. Ata nuk e realizuan vizionin e transformimit të sistemit nga brenda, që sistemi të ishte i gatshëm të pranojë pacientë romë me staf rom dhe të tjerë.
Pse na duhen këto njësi të vogla të romëve brenda institucioneve, të cilat merren vetëm me çështjen e romëve? Nuk e kishim ndërmend këtë.
Ajo që ndodhi, të paktën në Maqedoni, është se saherë që paraqitet një rom në një institucion të caktuar, atij ose asaj i kërkohet të shkojë të flasë me ndërmjetësuesin rom të shëndetësisë, nëse ka një të tillë. Pra ndërmjetësuesit romë janë aty vetëm për të punuar me pacientë romë dhe për të ofruar shërbime për romë. Nuk e përfytyruam integrimin në këtë mënyrë. Nuk e dëshiruam këtë.
E njëjta vlen edhe për arsimin. Qeveria po jep para publike për bursa për nxënës dhe për studentë romë. Ata marrin pejsë së bashku me Fondin Rom të Arsimit. Por njësiti që e zbaton këtë skemë të bursave është njësit i përbërë nga stafi krejtësisht rom, në një zyrë, e cila nuk është departamenti i bursave për të gjithë studentët në Maqedoni. Njësiti gjindet brenda një qendre për avansim të gjuhëve të minoriteteve – departament krejt tjetër! Janë të ndarë brenda institucioneve.
Njëjtë edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale. Ata e kanë një departament për zbatimin e strategjisë për romë në Maqedoni. Pse na duhen këto njësi të vogla të romëve brenda institucioneve, të cilat merren vetëm me çështjen e romëve? Nuk e kishim ndërmend këtë.
Çështja e kuotës mund të diskutohet në mënyra të ndryshme. Për shembull, ajo e rrit numrin e romëve të cilët marrin pjesë në arsim të lartë, diçka që është vështirë e arritshme për shumëkënd si rrjedhojë e situatës së vështirë socio-ekonomike.
Mendimi im për kuotën është se mund të shërbejë vetëm si masë e përkohshme, për ta arritur nivelin e të tjerëve. Nëse i lë aty përherë, nuk ke tregues të cilët e masin suksesin. Nuk dua t’i shoh këto kuota dhe ulëse të rezervuara pas 10 vjetësh. Por tashmë i kam parë për gati 20 [vjet]. Pra barazia nuk do të ndodhë sepse do të jetë e kufizuar në një numër të romëve të cilët mund të përfshihen në shkolla, në universitete, të gjejnë disa vende pune në administratë publike. Kaq. Ka kufi për këtë.
U ftuat në Samitin e Romëve për të folur për fuqizimin e grave rome. Kjo çështje është ngritur shpeshherë në rajon përgjatë viteve, meqë vëmendja u kthye nga të drejtat e minoriteteve pas krijimit të shteteve të reja që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Çfarë kuptimi ka fuqizimi i grave për ju?
Fuqizimi i grave rome ka pasur shumë kuptime përgjatë viteve. Kemi parë projekte në të cilat fuqizimi kishte kuptimin e një vizioni për t’i bërë gratë rome të afta për të luftuar për të drejtat e tyre, për të dorëzuar ankesa dhe për të përdorur mekanizma dhe instrumente ligjore në shtete të ndryshme.
Për shumëkënd ai e kishte kuptimin e fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë së grave për të fituar të hyra. Pra kishte projekte për mikro-financimin e bizneseve të vogla apo trajnime për zhvillimin e bizneseve të reja dhe të vogla. Për të tjerë e kishte kuptimin e pjesëmarrjes politike të grave rome, për përfshirjen e grave në zgjedhjet lokale dhe anëtarësimin e tyre në kuvende komunale. Pra, ka pasur shumë kuptime.
Dhe sot?
Sot nuk e di ku jemi. Nuk dëgjoj shumë për mënyrën se si punojnë organizatat e grave rome, dhe nuk po dëgjoj shumë për grupe të reja dhe ato rinore që po dalin e po thonë diçka. Hapësirat janë pak a shumë të kufizuara për gratë rome në ditët e sotme. Mendoj se nuk ka shumë programe dhe donatorë që mbështesin punën e grave rome në rajon kohëve të fundit. Këtë përshtypje e kam.
Mendoni se aktivistët e të drejtave të njeriut nuk janë të përkushtuar ndaj të drejtave të grave rome?
Jo vetëm aktivistët, por edhe organizatat – organizatat rome dhe të tjera të cilat u përkushtohen të drejtave të njeriut dhe drejtësisë shoqërore dhe punojnë me komunitetin rom. Edhe ato zgjedhin për cilat çështje të flasin e për cilat jo. Sa u përket grave rome, dhe deri diku edhe fëmijëve, ato ngurrojnë të flasin për disa prej formave të dhunës që ushtrohen kundër tyre dhe fëmijëve në komunitete – çështje të cilën duhet ta trajtojmë.
Duhet të kërkojmë llogari nga qeveritë dhe t’i mbrojmë të drejtat e grave dhe të fëmijëve brenda komunitetit. Pra, kësaj çështjeje i janë shmangur përgjatë viteve. Kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë, dhe e shoh ende.
Foto Majlinda Hoxha / K2.0.
Martesat e hershme janë ende pengesë shqetësuese për shumë gra të reja rome, duke mos i lejuar ato t’i gëzojnë shumë prej të drejtave të tyre, të paktën në Kosovë. E kam përshtypjen se shoqëria kryesisht e sheh këtë si aspekt kulturor dhe tradicional të komunitetit rom. Por edhe institucionet e bëjnë këtë, dhe duke e parë si fenomen kulturor, ato e justifikojnë mosveprimin e tyre në lidhje me këtë çështje. Ka pasë raste kur vetë aktivistët romë komentonin për këtë çështje si diçka që i përket rreptësisht komunitetit…
Për këtë racizëm të përvetësuar e kam fjalën. Ne u besojmë sendeve që i thonë të tjerët për ne, sepse nuk kemi njohuri dhe nuk dimë si të flasim për këto gjëra. Martesat e hershme dhe të fëmijëve nuk e kanë origjinën në komunitetin rom.
Njerëzit në këtë rajon kanë kujtesë shumë të shkurtër, por kjo ishte praktikë në gjithë Ballkanin para pak kohe. Jo para një shekulli, por para gjysmë shekulli. Qesharake është por realiteti është se nuk është çështje e kulturës së romëve, por pasojë e sistemit patriarkal. Nuk ka mënyrë tjetër për të folur për këtë.
A duhet të trajtohet në mënyrë më të rreptë ky sistem patriarkal brenda komunitetit rom?
Jo vetëm brenda komuniteteve, por edhe brenda institucioneve. Nuk është e thënë që, që për shkak se nuk ndodh me shumicën e popullsisë në vend, institucionet të mos kenë njohuri apo të mos kenë një drejtim për ta ndjekur sa i përket zbatimit të ligjit, gjegjësisht mbrojtjes së të drejtave të grave dhe të fëmijëve.
Ju ishit të përfshirë në shumë organizata, si në Greqi, Çeçeni dhe Irak, ku punuat për çështje të grave. A shihni modele të ngjashme që ndikojnë te pabarazia e thellë?
Çdokund. Vetëm se ka mënyra të ndryshme të manifestimit në kohë të ndryshme, ose të paktën sa jam unë aty, në atë kontekst të caktuar dhe në atë kohë të caktuar në atë shtet. Por krejt lidhet me logjikën elementare të marrëdhënieve të pabarabarta të pushtetit, atë se si anëtarët meshkuj të shoqërisë i përdorin dhe i shpërdorojnë privilegjet e tyre.
Në këtë rajon u bënë trend bisedat për një shoqëri përfshirëse dhe jodiskriminuese. Por a duhet të flasim edhe për racizëm? Sepse kjo ka munguar në debate publike dhe mediale.
Vazhdimisht, Gjatë gjithë kohës. Të gjithë duhet të flasin me veten kohë pas kohe. Dikush tha sot: ‘a ndiheni ndonjëherë sikur keni fuqi ta diskriminoni tjetrin?’ Ne e kemi këtë fuqi. Por mënyra se si lidhemi me këtë fuqi kur e fitojmë atë nuk është shumë më ndryshe.
Përshtypja ime është se, për shembull, në Maqedoni deri në një pikë romët e shohin veten si eprorë ndaj egjiptianëve. Ata ndihen më të fuqishëm sepse përbëjnë një përqindje më të lartë të popullsisë dhe janë më të dukshëm në politikë, dhe kësisoji i kanë shtyrë disa prej pragjeve më larg se të tjerët.
E njëjta gjë ndodhi me shqiptarët. Ata po mundoheshin t’u shpjegonin të tjerëve, shumicës, se sa e rëndësishme është të thyhet monopoli i funksionimit në shtet – ‘jo vetëm një kulturë, jo vetëm një komb, ka shumë të tjerë përreth’. Por kur e morën pushtetin, filluan të sillen si shumicë.
Kur romët ndihen më të mëdhenj se të tjerët, edhe ata i bashkohen asaj ane, e ashtu ndodh edhe brenda komunitetit. Mënyra se si i trajtojnë personat LGBT, dhe ndonjëherë edhe gratë. Pra, gjithçka lidhet me shpërdorimin e fuqisë dhe dinamikat e pabarabarta të pushtetit.
Kjo intervistë u zhvillua në gjuhën angleze. Ajo është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Real dhe e vertet