Pikëpamje | Serbia

Fasada Potemkin e sundimit të Vučić

Nga - 23.09.2021

Zgjimi parazgjedhor i nacionalizmit serb.

Këtë shtator, për herë të parë, viti shkollor në Serbi filloi me intonimin e detyrueshëm të himnit kombëtar. Një natë para fillimit të shkollës, fasadat e një numri ndërtesash e institucionesh publike në Novi Sad u ngjyrosën me ngjyrat e flamurit kombëtar. Ngjyrosja, që mbulon dhjetëra metra fasadë, nëse flasim për nga aspekti ligjor, është formë e vandalizmit, por pavarësisht rasteve të shumta të akteve të tilla, policia në mënyrë misterioze dështoi t’i identifikojë autorët.  

Në të njëjtën kohë, Beogradi po punon që të barazohet me Shkupin për sa i përket estetikës së monumenteve kushtuar sundimtarëve mesjetarë dhe figurave të tjera historike. Parlamenti i Serbisë gjithashtu, në një proces të përshpejtuar, ka miratuar, një Ligj për Mbrojtjen e Gjuhës Serbe dhe Shkrimit në [alfabet] Cirilik, i cili ka zgjeruar dukshëm rrethin e institucioneve që detyrohen të përdorin alfabetin cirilik. Tani, krahas institucioneve shtetërore, ky rregull vlen edhe për subjektet ekonomike që financohen kryesisht me fonde publike dhe logot e ngjarjeve kulturore që mbahen me fonde publike duhet të jenë gjithashtu në cirilike, pavarësisht se gjuha serbe funksionon mjaft mirë si në alfabetin latin ashtu edhe në atë cirilik.

Dita e përparimit në Frontin Sallonik në Luftën e Parë Botërore, 15 shtatori, së fundmi u shpall festë e re shtetërore, Dita e Unitetit Serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar. Ministri i Punëve të Jashtme në Serbi, Nikola Selaković i ka ftuar serbët të vendosin flamujt e Serbisë “kudo që ata jetojnë”.

A jemi duke e parë një “zgjim” të madh kombëtar të Serbisë?

“Bota serbe”

Pyetja ka kuptim: në pjesën e Evropës me një tepricë kronike të historisë dhe një deficit gjeografik, “zgjimet kombëtare” shpesh kanë tiparin e papërshtatshëm të ndikojnë negativisht në jetën dhe pronën e atyre që nuk u përkasin atyre identiteteve. Për këtë arsye, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin krijoi shumë reagime shqetësimi e zemërimi në të gjithë rajonin kur filloi ta promovonte idenë e sapokrijuar të “botës serbe”, të cilën ai e sheh si një “zonë politike dhe shtetërore” të përbashkuar.

Reagimet nga i gjithë rajoni, në këtë ide, kanë identifikuar një riprodhim  të nocioneve të “Serbisë së Madhe“, duke e parë këtë si “një eufemizëm për politikën e vjetër pushtuese-etnike-ideologjike”. Figurat publike në Serbi që e interpretuan termin favorshëm, ndryshe nga Vulin, kanë ngecur kryesisht brenda kornizave të kulturës, fesë, gjuhës dhe identitetit, por të tjerët janë të prirur që kritikat ndaj këtij termi t’i etiketojnë si shoviniste apo si tradhëti ndaj vendit. 

Por, çfarë mendojnë qytetarët e Serbisë për këtë fryrje të vetëdijes kombëtare?

Dhe ja pra, Aleksandar Vučić, i cili pretendon se kurrë nuk e ka përdorur këtë term të ri, bëri një gjë të ngjashme, kur i sulmoi kritikët e Vulinit, duke thënë se njerëz të tillë “me lehtësi i etiketojnë serbët si fashistë dhe të gjithë të tjerët si miq”.

Por, çfarë mendojnë qytetarët e Serbisë për këtë fryrje të vetëdijes kombëtare?

Si gjithmonë, kur flasim për kombe të tëra, duhet t’i dallojmë proceset spontane nga projektet politike. Një shikim krejt i thjeshtë në listën nga paragrafi i parë na çon në përfundimin se pas gjithçkaje qëndron aparati shtetëror dhe qeveria e tanishme. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që këto vendime nuk kanë mbështetje të madhe publike.

Megjithatë, qytetarët në Serbi nuk po e hapin rrugën apo nuk po drejtojnë asnjë proces ― ata mund të zgjedhin vetëm nëse duan të marrin pjesë në teatrin që na është përcjellë në formë piktoreske nga Aleksandar Šapić, anëtar i Këshillit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS).

“Ne jemi dëshmitarë të lindjes së një Serbie të re, ushtarakisht më të fortë, ekonomikisht të qëndrueshme, të pozicionuar me mençuri në çështjet gjeopolitike”, tha Šapić, “dhe në të njëjtën kohë të zgjuar, në rrafsh kombëtar e identitar, me themeluesin dhe krijuesin e kësaj Serbie moderne dhe ideologun e parë të saj, Aleksandar Vučić”.

Kritika e krahut të djathtë

Pa dashje, panegjirika idhujtare e Šapić përmbledh të gjithë kuptimin e manisë të tanishme kombëtare për madhështi. Fasada Potemkin e sundimit të Vučić është rritur deri në atë pikë sa që nuk përfshin më vetëm kohën e sotme dhe shtetin  që ai e qeverisë në mënyrë autokratike, por gjithashtu shtrihet në të gjithë serbët dhe gjithë historinë.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një ego të stërmbushur ose me rrënjë politikisht radikale. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen vitin e ardhshëm dhe arsyeja pse nacionalizmi ― dhe jo, të themi, përparimi i supozuar ekonomik ― është bërë platforma qendrore me të cilën Vučić synon të mundë opozitën, është mjaft prozaike.  

Pas gati 10 vitesh qeverisje të SNS, kanë mbetur vetëm copëza prej alternativave të mëparshme qytetare dhe (të paktën, mendohet) liberale, pjesërisht falë pamundësisë së tyre për të reformuar gradat e tyre dhe për të pranuar gabimet e mëparshme dhe pjesërisht sepse SNS kontrollon pothuajse të gjithë aparatin dhe median shtetërore. Mbeten vetëm partitë opozitare që kritikojnë Vučić nga e djathta, nuk ka asnjë që vjen nga pozicione liberale apo të majta.

Për shumicën e politikanëve nacionalizmi është vendosur si ushqimi i vetëm në menu. Është bërë pjesë e dekorit politik lokal, pa të cilin, ata janë të mallkuar deri në margjinalitet. Kosova ka qenë prej kohësh një temë që nuk mund të diskutohet jashtë dogmës së pranuar përgjithësisht, derisa kriza aktuale politike në Mali të Zi trajtohet përmes lentëve bardh e zi të “serbëve kundër Milo Đukanović” dhe çdo lloj qasje me nuancë përballet me reagime negative nga të gjitha drejtimet.  

Në të njëjtën kohë, temat ekonomike siç është balancimi i buxhetit kalojnë pa u vënë re, duke nënkuptuar se çështjet me ndikim të përditshëm në standardin e jetesës së qytetarëve janë të një rëndësie dytësore si për klasën politike ashtu edhe për vetë qytetarët, të cilët kryesisht po e trajtojnë politikën si një garë popullariteti për udhëheqësit, duke lënë mënjanë faktin se procesi politik mund të ndikohet përtej zgjedhjeve.

Aleksandar Vučić e ndërtoi tërë karrierën e tij mbi narrativën shoviniste të "ne kundrejt atyre" dhe "ne jemi më të mirët". Do të jetë e vështirë ta mposhtësh mbi këto baza.

Partitë opozitare, si Dveri i ekstremit të djathtë i udhëhequr nga Boshko Obradović dhe Partia e Popullit, parti populiste e udhëhequr nga Vuk Jeremić, mbështeten kështu më haptaz në nacionalizëm sesa SNS, duke vënë theksin te temat si revizionizmi historik, ksenofobia dhe te e pashmangshmja, mos heqja dorë nga Kosova.

Për ironi të fatit, Vučić, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe shoviniste, që kurrë nuk u reformua njëmend dhe për gjatë, krahu i djathtë i Vojislav Šešelj― luftëtar i dënuar në Hagë për krime kundër njerëzimit ― sot përballet me akuza se ai nuk është mjaftueshëm nacionalist sepse ai negocion me Prishtinën për linjat kufitare dhe takohet me Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë të shteteve anëtare të NATO-s.

Por, Aleksandar Vučić e ndërtoi tërë karrierën e tij mbi narrativën shoviniste të “ne kundrejt atyre” dhe “ne jemi më të mirët”. Do të jetë e vështirë ta mposhtësh mbi këto baza, veçanërisht me burimet që ai i ka në dispozicion aktualisht.

Nacionalizmi është një mjet politik jashtëzakonisht efikas sepse natyrshëm gjeneron armiq të jashtëm dhe të brendshëm, qofshin ata realë apo imagjinarë. Dhe aty ku ka armiq, ka gjithmonë homogjenizim kombëtar, më së shpeshti rreth një udhëheqësi të fuqishëm. Në mënyrë ideale, dikush që po “ndërton Serbinë moderne”, e zbukuron atë me flamuj dhe armë, ofron një “botë serbe” të tërë përmes kolegëve të tij dhe gjatë rrugës përdor tabloidet për të lënë të kuptohet se armiqtë dridhen kur dëgjojnë këtë shprehje.

A njihni një person të tillë?

Me siguri që po.

Imazhi i ballinës: Qendra për shtyp e Presidentit të Republikës së Serbisë.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

KOMENTO