-
Time:
6:00 pm
Place:
Documentation Center Kosovo
Date:
08/10/2018
Flasim për të kaluarën, sot!
-
Kronikë dhe fotografi nga ngjarja
-
A janë adresuar krimet e së kaluarës?
Nga Fitim Salihu – 10.10.2018
K2.0 diskuton për drejtësinë tranzicionale në Kosovë dhe rajon.
Të hënën (8 tetor), tek Qendra e Dokumentimit Kosovë në Prishtinë, K2.0 e mbajti një diskutim të hapur dhe përfshirës në të cilin, si vazhdim i publikimit të monografisë tonë të fundit, “E Kaluara, Tani”, u fol për temën e drejtësisë tranzicionale.
Në panel ishin: Ardian Arifaj, këshilltar politik i Presidentit Hashim Thaçi; Sofija Todorović, Koordinatore e Programit për Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi; Linda Gusia, sociologe dhe pedagoge; Nidžara Ahmetašević, redaktore rajonale e K2.0; dhe Saranda Bogujevci, anëtare e Komitetit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione.
Diskutimi u nis nga moderatorja dhe kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci, e cila në fjalimin hyrës të saj tha se kjo temë i ngritë disa çështje të pazgjidhura dhe probleme të paadresuara që kanë ndikuar tek marrëdhëniet problematike ndërmjet shteteve dhe shoqërive në rajon.
“Kontributi në këtë drejtim është pjesë e përgjegjësive institucionale”, tha Luci. “Përderisa pasojat e luftës në rajon mbesin të pazgjidhura, ekzistojnë rrëfenja kontradiktore dhe polarizuese që nuk e ndihmojnë një të ardhme bashkëpunuese, veçanërisht për gjeneratat e reja”, shtoi ajo, duke cituar atë se si monografia e K2.0 kishte për synim të kontribuojë në debatin për këtë çështje.
Ardian Arifaj tha se themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP) është ndërmarrje komplekse, prandaj fillimisht është formuar vetëm Ekipi Përgatitor i KVP.-së Ekipi Përgatitor, që u themelua në maj, i ka 18 muaj për ta përfunduar themelimin e infrastrukturës teknike dhe ligjore për KVP dhe përbëhet nga 5 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 4 përfaqësues të institucioneve – 2 nga Zyra e Presidentit, 1 nga Qeveria dhe 1 nga Kuvendi.
“Kemi marrë mbështetje nga OSBE, por edhe nga disa ambasada në Prishtinë, si Ambasada e SHBA-së, e Zvicrës, e Norvegjisë etj.”, tha Arifaj, duke shtuar se KVP nuk do të merret me të drejtën për drejtësi, për shkak se organet e tjera si Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ) dhe Dhomat e Specializuara janë marrë me raste gjyqësore.
Ai gjithashtu deklaroi se KVP nuk do ta zëvendësonte strategjinë kombëtare për ballafaqim me të kaluarën, as nuk do ta adresonte pajtimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo lehtësonte dialogun ndërmjet dy vendeve. Në vend të kësaj, KVP do të fokusohet në pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. “KVP do të jetë një komision i pavarur, por që është nisur nga Presidenti dhe synimi i KVP është pajtimi i rrëfenjave kontradiktore”, tha Arifaj.
Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtare e Komitetit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazinë Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, tha se e ka të pamundur të flasë vetëm si deputete, apo si anëtare e Komitetit të lartpërmendur, pa e përmendur përvojën personale të saj. Në mars 1999, Škorpioni (Akrepët), njësi policore serbe e njohur për pjesëmarrjen në masakrën e Srebrenicës, e kreu një masakër ndaj popullatës civile shqiptare në qytetin e Podujevës.
“E humba një pjesë të madhe të familjes sime në këtë masakër”, tha Bogujevci para audiencës. “Prej 21 familjarëve, vetëm 5 prej nesh mbijetuam. Nga viktimat, të gjithë ishin fëmijë, përveç dy burrave. Unë isha në Angli për rehabilitim dhe pastaj si familje e ndoqëm drejtësinë. Personalisht kam dhënë dëshmi në dy gjykime në Beograd (fillimisht në vitin 2003), si dhe në gjykimin e Milošević-it në Hagë”.
Ajo e kundërshtoi vizionin e Arifajt për KVP-në, duke e quajtur pretendimin e tij se KVP duhet të performojë pajtim të brendshëm si fyerje për familjet e atyre që janë vrarë ose janë të zhdukur nga lufta në Kosovë. “Nuk kemi problem të brendshëm”, deklaroi Bogujevci. “Nuk kemi problem me komunitetin serb në Kosovë, konflikti ishte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia ka kryer krime në Kosovë si shtet”.
Ajo gjithashtu shprehi pakënaqësinë e saj me pretendimet për dëmshpërblime, duke theksuar se nuk mund të ketë dëmshpërblime pa vendime gjyqësore. Bogujevci pastaj i kritikoi institucionet e Kosovës që kanë dështuar t’i dokumentojnë krimet e luftës (proces ky që është kryer prej OJQ-ve të ndryshme), si dhe foli për mungesën e përfaqësimit të tyre në takime rajonale që kanë të bëjnë me drejtësinë tranzicionale.
Nidžara Ahmetašević, redaktore rajonale e K2.0, shpjegoi se si situata rreth kësaj çështjeje në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) është më komplekse se në Kosovë, ku politikat vendore ndërlikohen nga ekzistenca e tri niveleve të qeverisë, tri presidentëve dhe tri rrëfenjave të ndryshme brenda një shteti.
“Politikanët duan ta manipulojnë dhimbjen dhe të kaluarën”, tha Ahmetašević. “Sa herë mundohet dikush t’i largojë këta politikanë, ata e përmendin Srebrenicën dhe e fusin në lojë letrën e viktimizimit. Këtë e pamë në zgjedhjet që u mbajtën dje [e diel, 7 tetor], ku fitoi një politikan që ende i mohon krimet e luftës dhe ata po pasurohen gjithnjë më shumë, dhe po fitojnë pushtet të pafund duke e përdorur të kaluarën”.
Ajo shprehi bindjen e saj se përgjigja duhet të vijë prej njerëzve që e gjejnë një mënyrë për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe dhimbjen e tyre që e bën të pamundur që ata të manipulohen prej të tjerëve. Mes tjerash, Ahmetašević i kritikoi disa pjesë të shoqërisë civile, që drejtohen vetëm nga donacionet. Ajo nguli këmbë se ky problem duhet të zgjidhet nga shoqëria civile, që fillimisht duhet të kuptohet si koncept, e pastaj të ndërtohet.
Duke folur për atë se si u ballafaqua BeH me të kaluarën, ajo shpjegoi se gratë dhe shoqëria ende po luftojnë për të vërtetën madje edhe për çështje si dhuna seksuale. “Me ligj, ka kompensim, por dëmshpërblime ende jo. Sistemi patriarkal është një tjetër problem, për shkak se ende ka shumë stigmatizim që parandalon bisedën e lirë për këtë temë”, tha Ahmetašević, duke shtuar se në BeH deri më tani janë zhvilluar 120 gjykime – në nivel lokal dhe ndërkombëtar – në të cilët të pandehurit janë gjykuar për dhunë seksuale gjatë luftës.
Sociologia Linda Gusia e kritikoi shumë KVP-në e Kosovës, duke thënë se nëpërmjet këtij Komisioni, President Thaçi po synon ta kapë të vërtetën. “E çuditshme është që presidenti po e pushton këtë territor dhe po tregon se cila është e vërteta unike”, tha ajo. “Në Kosovë, e vetmja rrëfenjë e luftës është ajo që tregon se si luftuam, si u bëmë heronj, por lufta ka plot rrëfenja jodominante. [Nëse ajo rrëfenjë bëhet dominante], zërat e viktimave të ndryshme do të heshten”.
Mes tjerash, Gusia shpjegoi gjithashtu se në dy vitet e fundit në Kosovë kemi mbajtur më shumë diskutime për të mbijetuarit e dhunës seksuale, pas presionit nga OJQ-të e grave, por edhe me ndihmën e ish-Presidentes Atifete Jahjaga. Prej marsit, 570 gra kanë dorëzuar kërkesa për kompensim, por ajo e kritikon praktikën e dhënies së pensioneve si kompensim për mungesën e drejtësisë.
Sofija Todorović nga YIHR Serbia e ceku nevojën që njerëzit përtej kufijve të njihen me njëri tjetrin dhe ngriti shqetësimin e saj për atë se si rinisë së sotme i mungon kurioziteti për t’u njoftuar me njëri tjetrin, veçanërisht kur e krahasojmë me gjeneratën e prindërve tanë.
Ajo e theksoi gjithashtu përkushtimin e organizatës së saj për t’i larguar nga institucionet aktuale ata që janë përfshirë në krime në të kaluarën. “Shteti serb ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur në të kaluarën, dhe YIHR është e përkushtuar që njerëzit e dënuar për krime të luftës të mos jenë pjesë të institucioneve, sepse ne besojmë se zgjedhja e tyre në institucione është mesazh i keq për tërë rajonin”, tha ajo.
Todorović shpjegoi se YIHR ka qenë e kudjesshme që secila prej degëve të saj të veprojë sipas kontekstit dhe mendësisë së shteteve përkatëse, por ngul këmbë se pa qasje rajonale, veprimet janë të pakuptimta.
“Është shumë e rëndësishme ta njohim njëri tjetrin nëpërmjet programeve si Programi për Shkëmbim Rajonal. E vështirë është ta thyejmë atë që e kanë mësuar fëmijët në shkolla për rrëfenjën e luftës, por jemi duke punuar për t’ua shpjeguar se kishte luftë, dhe për t’ua shpjeguar krimet që janë kryer”, tha ajo, duke e mbyllur diskutimin me shpresë që “do të vijë një ditë kur, si serbe, nuk do të kem turp të vij këtu e të jem në mesin e 20 shqiptarëve”.
Diskutimi u mbyll me plot pyetje nga audienca. Shumë kritika iu drejtuan Arifajt, këshilltarit të Presidentit. U shtruan pyetje në lidhje me pasigurinë për përbërjen e Ekipit Përgatitor të KVP-së dhe tërheqjes së President Thaçit nga planet e shpallura të tij për ta paditur shtetin serb për gjenocid.
Arifaj nguli këmbë se Ekipi Përgatitor i KVP-së u zgjodh nga shoqëria civile, e cila u ftua me email, megjithatë, ai nuk e shpjegoi qartë se kujt iu dërguan këto shkrime, të gjithë përfaqësuesve të shoqërisë civile, apo vetëm disa prej tyre. Në lidhje me padinë, Arifaj fillimisht pretendoi se Kosova do ta padiste Serbinë, por më vonë insistoi se nuk duhet ta keqinterpretojnë dhe se nuk tha që Kosova do ta padisë Serbinë.K
Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.
-
Rreth kësaj bisede
-
Nëse ecni në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, do të vëreni gjurmë këmbësh të shtruara në rrugë. Çdonjëra prej tyre ka të shkruar pyetjen ‘Ku janë 1.648?’ duke kërkuar vendndodhjen e atyre që ende janë të zhdukur pas luftës në Kosovë, çdo person një anëtar i dashur i familjes. Ndonëse drejtësia tranzicionale duket si një koncept abstrakt, ajo shkon përtej sallave të gjykatave dhe atyre të konferencave. Ne e përjetojmë atë – ose mungesën e saj – çdo ditë.
Edhepse gati 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe një çerek shekulli që nga luftërat në Bosnjë dhe Kroaci, ende ka tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën e që nuk janë adresuar.
Nuk janë vetëm çështjet për personat e pagjetur, por edhe kujtime të politizuara të së kaluarës, institucione dhe udhëheqës me histori të njollosur,marrëdhënie të tensionuara mes vendeve të rajonit dhe një proces dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që duket se ka bërë pak për ‘normalizimin’ e marrëdhënieve. Të gjitha këto çështje, janë faktorë të qëndrueshëm që sfidojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe po parandalojnë pajtimin mes shteteve të dala nga Jugosllavia.
Si vazhdimësi e publikimit të monografisë më të fundit, “E kaluara, tani”, bashkohuni me ne për një diskutim të hapur dhe pjesëmarrës sesi drejtësia tranzicionale ka formësuar realitetet e sotme. Kur kaq shumë qytetarë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin kanë përjetuar traumë shtypje apo shpërngulje, si mund të trajtohet e kaluara në një mënyrë që i shërben drejtësisë?
Çfarë kanë bërë institucionet për të adresuar çështjet e personave të pagjetur? A janë duke bërë mjaft institucionet për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës? A do të arrijnë ndonjëherë përpjekjet aktuale të pajtimit të japin rezultat? Si po ndikojnë çështjet e pazgjidhura mes vendeve të rajonit në jetën e qytetarëve?
Bashkohuni të hënën më 8 tetor, në orën 18:00 në Documentation Centre Kosovo (në Bibliotekën Hivzi Sulejmani, Prishtinë), për një diskutim të hapur dhe përfshirës, ku do t’i trajtojmë të gjitha këto pyetje dhe më shumë. Për ta nisur diskutimin kemi ftuar:
- Ardian Arifaj – Konsulent Politik i Presidentit Hashim Thaçi
- Sofija Todorović – Koordinatore e Programit të YIHR të Serbisë
- Linda Gusia – Sociologe
- Nidžara Ahmetašević – Redaktore rajonale e K2.0
- Saranda Bogujevci – Anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione
Diskutimi do të moderohet nga Besa Luci, kryeredaktore e K2.0.K
Do të ketë përkthim në gjuhën shqipe/serbe/angleze.
Kjo bisedë u realizua me mbështetjen financiare të Austrian Development Agency – ADA dhe atë të National Endowment for Democracy – NED.
-
Shikojeni këtë edicion tani
-
LIVE: Sot në orën 18:00 në Qendrën e Dokumentimit, Kosovë (në Bibliotekën Hivzi Sulejmani, Prishtinë), ju mirëpresim për diskutim rreth asaj se si drejtësia tranzicionale ka formësuar realitetet e sotme në Kosovë dhe rajon, dhe se si mund të trajtohet e kaluara ashtu që t'i shërbejë edhe drejtësisë? Ky diskutim është vazhdimësi e publikimit të monografisë tonë më të fundit, "E kaluara, tani”.
Posted by KOSOVO 2.0 on Monday, October 8, 2018
-
Rreth folësve/eve
-
Time:
6:00 pm
Place:
Documentation Center Kosovo
Date:
08/10/2018