Bursa | Të Drejtat e Minoriteteve

Jeta e padukshme e grave rome, ashkalie dhe egjiptiane në ‘periferi’

Nga - 10.12.2019

Nxjerrja e grave rome, ashkalie dhe egjiptiane nga skajet e shoqërisë.

Më 31 maj 2019, një grua rome ishte rrahur publikisht bazuar në pohime false online e të shpërndara në media se ajo ishte kidnapuese fëmijësh. Reagime shokuese kishte anembanë Kosovës.  

Një nga komentet më të sinqerta erdhi nga ambasadorja Vlora Çitaku e cila foli në profilin e saj në Facebook për shkollimin e saj gjatë fëmijërisë me anëtarë të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë. Ajo tregoi haptazi për trajtimin racist, që gjerësisht pranohet, të këtyre grupeve minoritare në shoqërinë kosovare. 

“E kam pasë në klasë Nurijen dhe Fitimin. Gjithmonë janë ulur në bankën e fundit, edhe pse mësuesja kërkonte t’i ulte me ne. Po ne, i tallnim. Nuk ua jepnim dorën. Nuk i preknim. Nuk luanim dhe nuk flisnim me ta. I tallnim. Një ditë kur Nurija u sëmur dhe nuk erdhi në shkollë për disa javë, mësuesja jonë mezi na mblodhi disa shokë të klasës që të shkojmë ta vizitojmë.

“E mbaj mend se sa shumë mundohej mësuesja jonë që të na bindte të rrimë dhe të lozim me ta. Besa, edhe na ndëshkonte kur na shihte që po i sulmojmë apo përqeshim. Nurija dhe Fitimi e ndërprenë shkollën, se ne u bëmë të padurueshëm. Sot fëmijët tanë po i rrahin në rrugë Nurijen, Fitimin dhe fëmijët e tyre”.   

Çitaku u bë ambasadore e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa për Nurijen dhe Fitimin, nxënës të së njëjtës klasë, largimi nga shkolla ishte hyrje njëdrejtimëshe në anonimitet. Mësuesja Mukadeze Ballata, tanimë e pensionuar, rikujton se gjithmonë është munduar t’i trajtojë me barazi të gjithë nxënësit në klasë, por nuk e di se çfarë ka ndodhur me Nurijen dhe Fitimin. 

Të dhënat tregojnë që ky rrëfim nuk është përjashtim i rregullit.

regjistrimin e popullsisë më 2011, vetëm 2,053 romë, ashkali dhe egjiptianë figuronin të punësuar zyrtarisht — kryesisht në bujqësi dhe industri përpunuese — prej të cilëve 360 ishin gra. Kalkuluar nga të dhënat e popullsisë në bazë të etnisë të atij viti, 12% e pjesëtarëve në moshë pune të këtyre komuniteteve ishin të punësuar zyrtarisht atë vit, më pak se gjysma e nivelit të punësimit kombëtar prej 24.5%. 

Nëse 50% e personave në moshë pune do të ishin gra, atëherë vetëm 4.2% e grave të komuniteteve do të kishin qenë në punë atë vit. Kjo është pothuajse një e treta e 11.5% të grave të punësuara në popullsinë e përgjithshme.

Përjashtimi nga rregulli

Sakibe Jashari aktualisht punon si konsulente në një projekt për përfshirjen e komuniteteve në nivelin lokal të qeverisjes, në Zyrën e Këshillit të Europës në Prishtinë, ku edhe jeton. Është antropologe e shkolluar në një nga shkollat më të mira botërore, London School of Economics (LSE), dhe ish bursiste e programit Chevening që financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Është pronare e një banese në kryeqytet. Kështu, si nga aspekti i të ardhurave ashtu edhe i statusit social të fituar me mund, bën pjesë në atë që mund të quhet “klasë e mesme” e Prishtinës.

Mirëpo 44 vjeçarja nuk është stereotipi që shoqëria kosovare e pret nga një grua rome e Kosovës. Gratë rome dhe të etnive tjera “periferike” të vendit, posaçërisht ashkalie dhe egjiptiane, kanë pasur dhe kanë shumë më tepër gjasa që të mos e mbarojnë as shkollën fillore dhe të mos dalin kurrë nga varfëria ekonomike. 

Si e theu Sakibja këtë rregull?

“Nuk kam qenë mjaftueshëm e bardhë për shqiptare dhe mjaftueshëm e zezë për rome”, thotë Sakibe Jashari, kur kujton rritjen dhe shkollimin në Kosovë. Foto: Uran Krasniqi.

Ajo u rrit në qytetin e Ferizajt, në lagjen e njohur si “Sallahane”, kryesisht e banuar nga komuniteti rom dhe ashkali. Kur ajo ishte fëmijë, babai i saj punonte në “Fabrikën e Tubave”, një ndërmarrje e madhe shoqërore dhe me emër të mirë, ndërsa nëna kujdesej për shtëpinë.  

Në vitet e ‘70-ta, krahasur me situatën e përgjithshme tani, kualifikimi shkollor krijonte lehtësi për punësim dhe puna e të shkolluarve paguhej. Sakibja thotë se të dy prindërit donin që ajo të shkollohej dhe fryma në shtëpi ishte se “arsimimi është shumë i rëndësishëm”. 

Kur Sakibja filloi mësimin në shkollën fillore “Tefik Çanga” të Ferizajt, të dy prindërit e zbatuan në praktikë qëllimin e tyre; ata u angazhuan fort që ajo të koncentrohej në mësim dhe në detyrat e shtëpisë. Kjo sjellje e tyre nuk ndërroi as kur, shkaku i zhvillimeve që ndodhën pas anulimit të statusit krahinë autonome të Kosovës më 1989 dhe krizës së thellë ekonomike, mijëra njerëz bojkotuan, u larguan ose humbën vendet e punës, përfshirë babain e Sakibes.

“Kam qenë në shkollë të mesme në atë kohë. Ishim tre fëmijë duke u shkolluar”, kujton ajo. “Nuk e di si kemi mbijetuar…por nuk e kemi ndërprerë shkollimin. Ka qenë [qëndrimi familjar] që patjetër duhet bërë — ke e s’ke, në shkollë duhet të shkosh”. 

Përveç gjendjes së vështirë ekonomike, prindërit e saj nuk kishin më shumë se tetë vjetë shkollë, dhe kështu nuk mund ta ndihmonin më shumë me detyrat e saj. Për Sakiben shkollimin e vështirësonte edhe paragjykimi në baza etnike, me të cilin shumë nga bashkëmoshatarët e saj nuk përballeshin. 

Ndonjëherë ajo i dëgjonte shoqet e saj të shkollës duke folur: “Thoshin ‘krejt në rregull, kjo është e bardhë e po vishet bukur, por nuk është shqiptare’”. 

Madje, ajo thotë se përballej me paragjykim të këtij lloji edhe brenda lagjes së saj. “Më thoshin se nuk jam mjaftueshëm e errët për nga ngjyra e lëkurës për të qenë rome … Nuk kam qenë mjaftueshëm e bardhë për shqiptare dhe mjaftueshëm e zezë për rome”, thotë ajo.

Përkundër sfidave ekonomike dhe paragjykimeve, Sakibja, megjithatë, nuk iu nda shkollës. 

“Kam besuar në arsim. Kam mësuar edhe në shkollë, por edhe jashtë shkollës. Definitivisht familja ka qenë shtytëse, por kjo është pak edhe në personalitetin e individit”, thotë ajo.

Që në moshë të re, Sakibja iu kushtua veçanërisht mësimit të anglishtes. “Jam munduar të mësoj anglisht me çfarë kam gjetur e kam pasur në dispozicion”, thotë ajo. 

Ky përkushtim i hapi rrugë për punë dhe karrierë. Në gusht të vitit 1999, atëherë në moshën 24 vjeçe, Sakibja u punësua në CARE International, një organizatë ndërkombëtare që merrej me ndihma emergjente humanitare dhe luftim të varfërisë. Sakibja punonte si lehtësuese e komunikimit në mes komuniteteve minoritare dhe organizatës.

“Ndërkombëtarët s’u morën me ngjyrën e lëkurës, por me kualitetet e Sakibes”, thotë ajo. 

Prej aty, Sakibja më vonë kaloi në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE) në Kosovë, pastaj e vazhdoi shkollimin jashtë vendit. Ajo vazhdoi karrierën në organizata tjera të ngjashme e prestigjioze me fokus në të drejtat e komuniteteve dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Por Sakibja është përjashtim i jashtëzakonshëm.

Minoritetet romë, ashkali dhe egjiptianë janë pak të punësuar në përgjithësi ndërsa të nënpunësuar në sektorin publik; të dhënat për gratë rome, ashkalie dhe egjiptiane mungojnë tërësisht.

Sipas Agjencisë së Statitistikave të Kosovës (ASK), përkatësisht raportit më të fundit nga Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2019, të publikuar në shtator, shkalla e punësimit të burrave është rritur ndjeshëm (në krahasim me 2011) në 45.9%. Ndërsa shkalla e punësimit të grave është rritur për vetëm rreth dy pika përqindjeje, në 13.7%. 

Por që nga regjistrimi i vitit 2011, mungojnë të dhënat zyrtare në lidhje me punësimin në nivel të komuniteteve dhe në nivel gjinor brenda komuniteteve. ASK-ja, në raportet e saj nga anketat e rregullta, raporton shkallën e përgjithshme të punësimit, punësimin e burrave e grave, por jo edhe shkallën e punësimit të këtyre kategorive në nivel etnik. 

Të dhënat e përfshira te Strategjia për përfshirjen e komuniteteve romë dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 e Qeverisë së Kosovës sugjerojnë se dallimet në punësim mund të jenë thelluar që nga regjistrimi. Në dokument thuhet se në komunën e Obiliqit dhe të Fushë Kosovës shkalla e punësimit të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet 7% në krahasim me 40% të komunitetit shumicë shqiptar. Sipas një raporti të dhjetorit 2018 të Bankës Botërore, më 2017 punësimi i përgjithshëm i popullatës rome në Kosovë ishte 13% — 22% për burrat, 4% për gratë. 

Institucioneve të Kosovës u mungojnë të dhënat zyrtare të plota për punësimin e komuniteteve, madje edhe në sektorin publik. Që nga viti 2010, Qeveria e Kosovës përmes Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës ka përcaktuar që në shërbimin civil komunitetet jo-shumicë të përfaqësohen përmes kuotës minimale prej 10% në nivel qendror dhe proporcionalisht me përbërjen demografike në nivel komunal. 

Por numri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të punësuar në institucione publike është shumë i vogël, dhe duke marrë parasysh që këto komunitete përbëjnë mbi 2% të popullësisë, sipas regjistrimit më 2011, del se janë të nënpërfaqësuar ndjeshëm.

Sipas të dhënave të lëshuara për K2.0 nga Ministria e Administratës Publike (MAP), nga 12,314 të punësuar në 56 institucionet publike të nivelit qendror në Kosovë, vetëm 20 janë nga komunitetet të cilave ministria u referohet me akronimin “RAE”. Në nivelin komunal, 38 komunat e vendit kanë të punësuar vetëm 45 persona të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.

Bazuar në llogaritjet e Fondit të Kursimeve Pensionale, del se vetëm 0.08% e të punësuarve të sektorit publik janë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë.

Punësimi në sektorin publik i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve është i ulët në përgjithësi, aty ku ekzistojnë të dhëna. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit — ku punojnë gjithsej 28,000 mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme — 17 romë, ashkali dhe egjiptianë punojnë si mësimdhënës; bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, 2 pjesëtarë të këtyre komuniteteve punojnë në polici. Institucione tjera, si Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk kanë lëshuar të dhëna. 

Sipas Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), në të cilin i paguajnë kontributet pensionale të gjithë punonjësit e sektorit publik, më 2018 kanë figuruar gjithsej 95,476 të punësuar në institucionet e sektorit publik në Kosovë. Nëse numri i raportuar i të punësuarve nga komunitetet përpjestohet me ketë numër, del se vetëm 0.08% e të punësuarve në sektorin publik janë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. 

Ndërkaq, të dhënat për gjininë mungojnë plotësisht për sektorin publik. Për shembull, tabelat e të dhënave të të punësuarve në administratën shtetërore — si në atë qendrore si në atë komunale — duhet të tregojnë strukturat e kualifikimeve, etnike dhe gjinore në Kosovë, por teksa dy strukturat e para janë plotësuar, MAP nuk e ka plotësuar edhe të tretën. Mungesën e këtyre të dhënave e ka konfirmuar edhe Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Administratës Publike. 

Edi Gusia, drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, thotë se  të dhënat mungojnë përkundër faktit se edhe Ligji për Barazi Gjinore, përkatësisht neni 5.1, i obligon institucionet që t’i ndajnë në baza gjinore të punësuarit.

“Kjo mungesë dëmton hartimin e politikave efektive dhe adekuate”, thotë Gusia. “Dhe automatikisht…në mos-arritjen e objektivave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët në përgjithësi, dhe mos arritjen e barazisë gjinore në veçanti”. 

Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta, ajo thotë se prapëseprapë është e ditur që gratë minoritare janë ndër grupet më të papërfaqësuara në punësim. “E te grupet rome, ashkalie dhe egjiptiane, gratë janë edhe më të nënpërfaqësuara”, thotë ajo. 

Shumë pak gra arrijnë të ndjekin shkollimin e lartë 

Për t’u punësuar në shumicën e vendeve të punës, përfshirë në sektorin publik, qytetarëve të Kosovës zakonisht u duhet ta kenë të përfunduar së paku shkollimin e mesëm, ndërsa në disa raste u duhet edhe shkollimi bachelor dhe master ose trajnime speciale.

Më pak se 10% e vajzave rome, ashkalie dhe egjiptiane që mbarojnë filloren, e vazhdojnë shkollimin.

Por një numër i madh i fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë, në veçanti vajzat, nuk e kanë shansin as ta përfundojnë shkollën e mesme.

Sipas një raporti të organizatës Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE) dhe Agjencisë së Finlandës për Bashkëpunim Zhvillimor (Finland’s Development Cooperation), të shtatorit 2018, 70% e vajzave rome, ashkalie dhe egjiptase të regjistruara në shkollë, e braktisin atë. 40% e vajzave të intervistuara ishin deklaruar nuk mund ta përballonin financiarisht shkollimin. Raporti thotë se vetëm 7% e vajzave të këtyre komuniteteve arrijnë të shkollohen në universitet.

Nazan Safqi, udhëheqëse e Divizionit për Arsimin e Komuniteteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) konfirmon se trendi i braktisjes së shkollimit rritet në nivele më të larta shkollore. Të dhënat zyrtare të MASHT-it tregojnë se në vitin 2019, nga këto komunitete, 2,791 vajza kanë vijuar mësimin në shkollë fillore, ndërsa vetëm 241 në të mesme. Nëse ky është trendi i zakonshëm, atëherë del se më pak se 10% e vajzave rome, ashkalie dhe egjiptiane që mbarojnë filloren, e vazhdojnë shkollimin. MASHT, megjithatë, ka nënvizuar se këto të dhëna mund të mos jenë të plota për shkak se nxënësit nuk janë të obliguar ta deklarojnë etninë në shkollë. 

Sipas një hulumtimi të vitit 2017 në lidhje me zbatimin e strategjisë kosovare të përfshirjes, të financuar nga Bashkimi Europian dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, arritjet e ulëta arsimore pengojnë të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë për të gjetur punë. Të rinjtë e këtyre komuniteteve, sipas raportit, madje kanë vështirësi edhe në gjetjen e një vendi pune që kërkon pak ose aspak shkathtësi dhe kanë më shumë gjasa të jenë të papunë krahasuar me të rinjtë me arsim më të lartë. 

Raporti thotë se asnjëri nga të rinjtë e anketuar nuk e kishte përdorur internetin për të gjetur punë, ose për të bërë një vetëvlerësim të shkathtësive kundrejt atyre që kërkohen në tregun e punës dhe nuk dinte se si të aplikojë për punë. 

Qeveria e Kosovës, në dokumentin e strategjisë së përfshirjes, thotë se është e përkushtuar të punojë për shtimin e pjesëmarrjes në shkollim dhe kështu kapacitetit për punësim përmes një burse që do t’u shpërndahej deri 600 nxënësve të shkollave të mesme.

Isak Skenderi, drejtori i organizatës VORAE, thotë se që nga viti 2014, MASHT në partneritet me VORAE, Fondi i Arsimimit të Romëve (Roma Education Fund), Qendra për Arsim e Kosovës dhe organizata tjera, kanë ndarë rreth 500 bursa në shumë prej 300 eurove në vit. “Kjo parashihet t’i mbulojë shpenzimet e një familjeje për ta shkolluar një fëmijë në shkollën e mesme. Nuk është se mjafton mirëpo është një ndihmesë gjithsesi dhe u jep përparësi vajzave”, thotë ai. 

Dukagjin Pupovci, drejtori i organizatës joqeveritare Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se në vitin akademik 2018/19 janë ndarë 600 bursa, prej të cilave 200 janë financuar nga një koalicion i OJQ-ve i drejtuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. “Prej tyre, 316 përfituese kanë qenë vajza…vetëm një nga këto vajza që ka marrë bursë e ka braktisë shkollimin, që është një sukses i jashtëzakonshëm”, thotë ai.

Iniciativa tjera të ngjashme po implementohen nga organizatat e shoqërisë civile.

Eksperti i arsimit Pupovci tregon se Qendra për Arsim e Kosovës gjatë të njëjtit vit akademik ka mentoruar 115 nxënës të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në 10 shkolla të mesme. Sipas tij, nxënësit e mentoruar e përmirësuan suksesin në nxënie dhe ulën mungesat e paarsyeshme në shkollë.

Ai thotë se rritja e pjesëmarrjes së vajzave në shkollim ka efekte të drejtpërdrejta në zhvillimin e komuniteteve. 

“Gruaja e shkolluar nuk i lë fëmijët e vet pa shkollë, e as nuk i inkurajon vajzat e veta të martohen pa arritur moshën e pjekurisë. Kështu, emancipohet jo vetëm gruaja, por i gjithë komuniteti, duke u shkëputur gradualisht nga qarku magjik i varfërisë”, thotë Pupovci. “Tani kemi dhjetëra vajza dhe gra të komuniteteve që punojnë punë për të cilat kërkohen kualifikime të caktuara dhe ato janë model për vajzat e reja”.

Përveç ligjeve dhe strategjive të përmendura më lart, Kosova po ashtu ka edhe Ligjin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre si dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Por, një studim i Bankës Botërore  tërheq vërejtjen se në tërë Ballkanin Perëndimor, vazhdimësia e vakumit gjinor dhe etnik në praktikë “sugjeron se ekzistojnë kapacitete joadekuate për zbatim dhe detyrim [të zbatimit]”.

Njëri nga autorët e raportit vlerësues për zbatimin e strategjisë qeveritare të përfshirjes, eksperti i arsimit Jusuf Thaçi, thotë se “asnjëra nga qeveritë e deritanishme në Kosovë nuk kanë punuar mjaftueshëm për fuqizimin e komuniteteve [romë, ashkali dhe egjiptianë]”.  

Për shembull, strategjia parasheh edhe mundësinë që vendet e punës që hapen në sektorin publik të targetojnë këto komunitete, mirëpo MAP nuk ka dhënë dëshmi që kjo masë është implementuar dhe as përse nuk ka ndodhur kjo.

Një herë Sakibja ishte takuar me një zëvendës ministër të arsimit për të folur lidhur me mësimin në kontejnerë të nxënësve romë, ashkali dhe egjiptianë në fshatin Plemetin, Obiliq. “Ai më tha ‘magjuptë nuk janë të interesuar të shkollohen’”.

Gjithashtu, strategjia qeveritare parasheh aktivitete për rritjen e punësimit, duke përfshirë modifikimin dhe forcimin e efektivitetit të masave aktive të punësimit në tregun e punës, që jepen si shërbime nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kjo ministri veçse ka thënë se këtë vit, 60 ashkalinj, 38 egjiptianë dhe 26 romë kanë marrë pjesë në masat aktive.

Por Sakibe Jashari nuk është e bindur që institucionet e Kosovës po bëjnë çfarë munden për përmirësimin e kushteve për arsimim dhe punësim. 

“Gjatë punës time, më ka rënë të dëgjoj mendimet e zyrtarëve kosovarë…”, thotë ajo. Për shembull, tregon ajo, një herë kishte shkuar të takonte një zëvendësministër të arsimit gjersa punonte për Ambasadën e Zvicrës për të folur në lidhje me mësimin në kontejnerë të nxënësve romë, ashkali dhe egjiptianë në fshatin Plemetin të Obiliqit. “Ai më tha ‘magjuptë nuk janë të interesuar të shkollohen’”. 

Sakibja tregon se shpesh ka dëgjuar shprehje të tilla denigruese dhe paragjykuese nga zyrtarët shtetërorë, dhe thotë se megjithëse në familjen e saj etnia nuk ka qenë temë e rëndësishme, ajo është ballafaquar me racizëm gjatë gjithë jetës. 

Vetëpunësimi nuk duket alternativë e qëndrueshme

Mirjeta Qehaja nga Gjakova bën pjesë në shtatë përqindëshin e vajzave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, që ia kanë dalë të përfundojnë shkollimin universitar. 

Mirjeta, tani 25 vjeçe, është e diplomuara e parë me përkatësi etnike egjiptiane në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ku ende janë të ekspozuara pikturat e saj. 

Por, rrugëtimi i saj deri këtu, si i Sakibe Jasharit, nuk ishte aspak i lehtë. 

Gjatë shkollimit të hershëm, atë e kishte munduar paragjykimi etnik. Duke u ballafaquar në mënyrën e saj, me vite ishte përpjekur ta mbante të fshehur përkatësinë etnike derisa kushërira e saj u deklarua si egjiptiane. Atëherë njerëzit e kuptuan se edhe ajo ishte nga i njëjti komunitet.

“Kur në shkollë e kanë kuptuar që jam egjiptiane më kanë thënë: ‘a edhe ti je magjupe a’? Në atë kohë përgjigja ime ka qenë ‘JO unë nuk jam’”, rrëfen Mirjeta. “Thjesht nuk kam dashtë të paragjykohem”.

Mirjeta Qehaja kujton qasjen dhe gjuhën diskriminuese të arsimtarëve, si njëherë kur njëri i kishte thënë shoqes së saj “bonu ma e bardhë”. Foto: Uran Krasniqi.

Mirjeta tregon se përkatësia e saj dhe perceptimet për të e kishin munduar deri në klasën e dhjetë kur kishte marrë pjesë në një shkollë verore, të organizuar në Durrës të Shqipërisë në vitin 2012. 

“Me tregu drejt, kam vendosur të shkoj vetëm për shkak të detit”, thotë ajo. “Por, më pas e kam parë që njerëzit që janë aty të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë janë të mençur edhe të ngritur. Në krahasim me ta, e ndieja vetën shumë të dobët…aty kam filluar të krenohem me veten dhe etninë time”.

Shkolla ishte organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe kishte zgjatur shtatë ditë. Shkolla përbëhej prej ligjëratave për shtetin, partitë politike, zgjedhjet, drejtësinë, etj.,  dhe hapësirave të shpeshta kohore për rrëfime dhe lojëra. 

Nora Bajrami nga Lëvizja FOL, e cila ishte një nga trajneret e shkollës verore, thotë se Mirjeta i kujtohet si person me talent (që kishte pikturuar edhe gjatë shkollës), mirëpo gjithashtu edhe si “shumë e ndrojtur dhe me pak vetëbesim”. 

“Ajo çfarë ne kemi bërë me këtë shkollë, nuk ka qenë vetëm t’i mësojmë për parimet bazë të shtetit dhe së drejtës, por edhe të ndërtojmë dhe rrisim vetëbesimin e tyre në pjesën sociale”, tregon Bajrami. “Po më vjen mirë që paska pasur efekt pozitiv në Mirjetën, sepse ndonjëherë edhe nuk jemi të vetëdijshëm për efektin që mundemi me lanë te njerëzit”.

Sociologu Albert Mecini thotë se arsyet që shtyjnë individin të fshehë ose mbrojë identitetin shpesh ndërlidhen me ambientin social ku jeton. 

“Zakonisht tendenca e individit për fshehjen e karakteristikave të prejardhjes racore, kulturës, bagazhit social ndodh nga frika se mos ato mund t’i shkaktojnë problem në jetën sociale, pastaj në shkollim dhe punësim”, thotë ai. “Ky botëkuptim krijohet nga presioni i vazhdueshëm në nivel psikologjik, që vjen si rezultat i stigmatizimit social të komunitetit të tij brenda atij ambienti”.

Në raportin e vlerësimit të strategjisë qeveritare të përfshirjes, të referuar edhe më lart, thuhet se fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë jo rrallë përballen me diskriminim në shkolla nga bashkëmoshatarët, madje edhe nga mësimdhënësit e tyre. 

Isak Skenderi, i cili për disa vjet me radhë ka udhëhequr organizatën VORAE duke u përpjekur të avokojë për të drejta të barabarta të komuniteteve, thotë se diskriminimi etnik mbetet prezent në Kosovë. 

“Njerëzit ende nuk janë gati të sillen njëjtë ndaj të gjithëve pavarësisht kush janë”, thotë ai. “Edhe vetë më ndodh ta ndjej diskriminimin…shkon shembull te mjeku dhe e vëren se askush nuk kujdeset për ty e nuk të pyesin pse je aty, e vëren që ngjyra jote e lëkurës po luan rol”.

Megjithëse fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë përballen me diskriminim në shkolla, ata dhe prindërit e tyre hezitojnë të flasin haptas duke u frikësuar nga pasojat e mundshme në rast të raportimit.

Pas përvojës së saj në shkollën verore, Mirjeta filloi të vlerësojë gjithçka që kishte përçmuar më parë te vetja. Kjo e ndihmoi të përballej më lehtë me diskriminimin social gjatë shkollës së mesme në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Madje ajo tregon se ka ndodhur që edhe arsimtarët të flasin me gjuhë stigmatizuese. Ajo kujton se njëri i kishte thënë shoqes së saj “bonu ma e bardhë”. Mësimdhënësi i përmendur nga Mirjeta e ka mohuar këtë për K2.0.

Por anekdota të ngjashme janë të përhapura te njerëzit e familjarizuar me sistemin arsimor të Kosovës. 

Megjithëse fëmijët e komuniteteve romë, ashkali, dhe egjiptianë përballen me diskriminim në shkolla nga bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit, ata dhe prindërit e tyre hezitojnë të flasin haptas për këtë dukuri. Në raportin vlerësues të vitit 2017 thuhet se ata zbrapsen duke u frikësuar nga pasojat e mundshme në rast të raportimit.

Shoqja e Mirjetës e la shkollën, mirëpo Mirjeta vazhdoi me studimet universitare. Ndonëse është në mesin e shumë pak vajzave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë me shkollim të lartë, ajo vazhdon të përballet me sfidën për sigurimin e jetesës gjersa i vazhdon studimet e nivelit master.

Ajo ka zgjedhur vetëpunësimin, duke pikturuar me pagesë për këdo që interesohet.

Gjatë intervistës me K2.0, ajo ishte duke e pikturuar një portret të porositur bazuar në fotografinë origjinale. Pagesa e rënë dakord ishte 150 euro. “Është portret me ngjyra, përndryshe [çmimi do të ishte] 50 ose 100 euro”, thotë ajo. 

Edhe familja e saj në Gjakovë, që herë pas here e mbështet financiarisht, jeton përmes vetëpunësimit.

Megjithatë, për Mirjetën dhe shumë artistë tjerë kosovarë, ky lloj i vetëpunësimit është i paqëndrueshëm. Madje i gjithë tregu i vetëpunësimit nuk ka shënuar ndonjë rritje të ndjeshme që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Sipas të dhënave të FKPK-së, 27,753 persona kishin deklaruar kursime pensionale si të vetëpunësuar më 2008, ndërsa një dekadë më vonë numri i tyre ishte 29,055, ose rreth 9% e të gjithë të punësuarve në vend. Sipas të dhënave të njëjta, të hyrat e të vetëpunësuarve janë 25% më të vogla se të atyre të punësuar në entitete më të mëdha të punës.

Mirjeta — e cila ëndërron ta hapë atelienë e saj në të ardhmen — që nga shtatori i këtij viti ka filluar të punojë në një projekt të organizatës joqeveritare kosovare Roma Versitas, që financohet nga Roma Education Fund dhe DG-Near. Në punën e saj artistike, megjithatë, Mirjetën vazhdon ta preokupojë gjendja e grupeve të diskriminuara. 

Ajo thotë se titulli i ekspozitës së saj personale është “Holokausti”, duke iu referuar vrasjeve sistematike, kryesisht të hebrenjve, por edhe të disa grupeve tjera minoritare nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Krahas hebrenjve, romët po ashtu ishin veçanërisht të targetuar nga Nazistët, temë për të cilën K2.0 ka shkruar edhe më parë. 

Në vitet e fundit në Europë diskursi publik kundër komunitetit rom në veçanti, ka nxitur debate dhe studime në lidhje me diskriminimin sistematik ndaj tij. Mirjeta e ka vizituar kampin më famëkeq të përqëndrimit në Auschwitz dhe beson se “problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë paraqesin një holokaust modern”. 

Riprodhimi i varfërisë

38 kilometra larg Mirjeta Qehajës jeton 20 vjeçarja Ramize Maliqi. 

Ramizja jeton në Ferizaj me nënën e saj Spasenën, babain, dy motra e dy vëllezër dhe nusen e vëllait. Ajo nuk del shumë nga shtëpia njëdhomëshe që kur e braktisi shkollimin ende pa e përfunduar tetëvjeçaren, për të ofruar përkrahje esenciale në shtëpi.

Ramizja thotë se përditshmëria e saj lidhet kryesisht me punët e shtëpisë dhe serialet televizive. 

“Fshij, kujdesna për anëtarët e familjes edhe e baj bukën”, thotë ajo. “Zakonisht këqyri televizor, qëto serialet që lujnë e kanihere edhe lajmet. Shpesh shkoj e blej harxhin me motrën”, thotë ajo.

Që të dyja, Spasena dhe Ramize Maliqi janë detyruar ta braktisin shkollimin fillor. E ëma në mënyrë që të përkujdeset për fëmijët, ndërsa e bija që t’i ndihmojë asaj me punë rreth shtëpisë. Foto: Uran Krasniqi.

Sipas hulumtimit të shtatorit 2018 nga VORAE dhe Agjencia e Finlandës për Bashkëpunim Zhvillimor, 34% e vajzave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë e braktisin shkollën për shkak të punëve në shtëpi. 

Studimi i këtij viti i Bankës Botërore gjithashtu thotë se gratë rome në Kosovë, veçanërisht ato të papunësuara, bëjnë gati dyfishin e punëve në shtëpi krahasuar me burrat. Sipas të njëjtit studim, kjo është arsyeja e dytë kryesore, pas mungesës së fondeve, e dhënë nga familjet rome në Kosovë për mos dërgimin e fëmijëve të tyre në çerdhe. 

Teutë Rrusta, aktiviste e Partisë Social Demokrate (PSD) dhe sociologe, thotë se kur vajzat nuk punojnë me pagesë, ato mbeten të varura ekonomikisht dhe e ndjejnë barrën patriarkale.

“Te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, varfëria në të cilën jetojnë reflekton shumëfish më shumë mbi jetën e gruas”, thotë Rrusta.

Aktivistja e Vetëvendosjes, Funda Demiri, e cila ka studiuar Punë Sociale dhe Shëndetësore në Finlandë, është asambleiste në komunën Vantaa në Helsinki. Ajo rekomandon dy masa qeveritare për të ndryshuar situatën.

“Kosova ka nevojë për një sistem që u siguron prindërve kujdes për fëmijët e tyre. Kjo do t’i mbante gratë jashtë shtëpisë sepse ka kush kujdeset për fëmijët. Situata tipike në Kosovë është kjo: burri shkon në punë, e gruaja rri në shtëpi dhe kujdeset për fëmijët”, thotë ajo. “Do të ishte po ashtu e rëndësishme për të dy prindërit që të kenë ‘pushimin prindëror’ dhe të marrin pjesë në rritjen e fëmijëve dhe kështu askush nuk mbetet jashtë shoqërisë”.

Në këtë linjë, Banka Botërore, në një studim tjetër të botuar më 2019, rekomandon ndër të tjera se sigurimi i kujdesit të fëmijëve romë në çerdhe në Ballkan do ta rriste edhe pjesëmarrjen e grave në shkolla, edhe pjesëmarrjen e tyre të mundshme në tregun e punës. Banka e nënvizon mungesën e çerdheve si problem që duhet adresuar, dhe rekomandon incentiva të ndryshme si racionet e ushqimit, transportin pa pagesë, mësuesit nga komuniteti, etj., për të nxitur më shumë regjistrimin e fëmijëve në çerdhe. 

Po ashtu, Banka rekomandon masa të ndryshme në politikën e punësimit si pushimi prindëror për nënën dhe babain dhe incentiva tjera për të rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Sipas të njëjtit raport të Bankës Botërore, mbi 40% e familjeve rome në Kosovë nuk kanë ushqim të sigurt. Qeveria e Kosovës ndërkaq, sikur me të dhënat e punësimit, ka pak të dhëna zyrtare edhe për gjendjen e varfërisë brenda komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Shënimet e fundit zyrtare kur është raportuar varfëria në nivel të etnive janë të vitit 2003-2004, dhe atëherë varfëria në konsum brenda komuniteteve jo-shqiptare dhe jo-serbe ishte 51.7%. 

Familja e Ramizes është zyrtarisht familje e varfër. Ata nuk mund ta sigurojnë ushqimin dhe marrin ndihmë sociale që jepet nga Qendra për Punë Sociale (QPS) në Ferizaj.

E ëma e Ramizes, Spasena, thotë se në vitin 2005 kishte punuar shkurtimisht si pastruese në një kafene të qytetit në Ferizaj. Por ajo ishte detyruar ta linte punën, si e bija shkollën.

“Nuk kishte kush tjetër të kujdesej për fëmijët”, thotë Spasena.

Ramize Maliqi shpesh i ndihmon nënës së saj në punë, si p.sh. duke mirëmbajtur shtëpitë e të tjerëve në Ferizaj. Foto: Uran Krasniqi.

Përcjellja e statusit shoqëror dhe varfërisë nga gjenerata në gjeneratë, si te familja Maliqi, nuk është e izoluar. Sociologu Albert Mecini thotë se faktorët ekonomikë dhe socialë janë determinuesit kryesorë. 

“Në një shoqëri dhe vend ku gjendja ekonomike e përgjithshme nuk është e mirë,  ka pak mobilitet social, gjë që i bën të vështira ndryshimet pozitive”, thotë ai.

Varfëria i detyron njerëzit të bëjnë punë të vështira dhe të paqëndrueshme. Spasena dhe Ramizja nganjëherë ftohen nga amvisëritë e lagjes për t’ua bërë punët e shtëpisë me pagesë. 

“I marrim nganjëherë 30, nganjëherë 40 euro”, thotë Ramizja. 

Babai i saj dhe vëllezërit gërmojnë dhe mbledhin mbeturina për riciklim nga kontejnerët e qytetit. 

Ky është burim i zakonshëm i të ardhurave për shumë romë, ashkali dhe egjiptianë, të cilët janë të përjashtuar nga tregu formal i punës. Në fshatin Plemetin të Obiliqit, Burbuqe Syla dhe vajzat e saj — shumica e të cilave e kanë braktisur shkollimin — detyrohen të mbledhin mbeturina të riciklueshme në Prishtinë për ta mbajtur familjen e tyre të madhe me 11 fëmijë.  

Nëna ashkalie futet në kontejnerin e mbeturinave në kryeqytet dhe përzgjedh me kujdes gjërat që mund t’i shesë. 

“Senet [e mbledhura] i shes në pazar”, thotë Burbuqja. “15 centë kushton killa e shisheve, 4 centë e letrave, 70 centë e kanaçeve. Kanihere i boj dy ditë me e mush një thes me kanaçe e duhet me lyp shumë për me i gjetë për pak pare”.

Janë të hyra të vogla, në kushte të vështira, por Burbuqja nuk ka shumë zgjidhje. “Kur je untë, je untë”, thotë ajo. K

Redaktuar nga Artan Mustafa.
Redaktim shtesë: Besa Luci dhe Tringë Sokoli.

Foto kryesore: Uran Krasniqi.

Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.

 

  • 30 Dec 2019 - 06:25 | Roberti:

    Përshëndetje. Kam një pyetje që do mendoni që ashtë e quditshme por në realitet nuk ashtë. A keni statistika se sa përqind të shqiptarëve katolikë janë të punësuar në Kosovë? Sepse i bjen si pyetje provokuese por ashtë pyetje reale jo provokuese. Hyp se të vrava zbrit se të vrava. Këtu jemi ne shqiptarët katolikë. Jam shqiptarë kosovar den baba den dhe jam gjak i Gjergj Kastriotit dhe krenar përjetësisht. Por ka më shumicë shqiptarë andej e këndej kufirit që e mohojnë gjakun që e kanë në venat e tyre të Gjergjit hyjnor. Nuk kam asgjë kundër asnjë feje as kombi tjetër por duhet ta pranojmë realitetin se katolikët shqiptarë në Kosovë trajtohen si pakicë, kjo ashtë e vërteta.

KOMENTO