Është e vështirë të vendosi se si të shkruaj për këtë temë. Ka shumë për të thënë për dhunën me armë në Serbi dhe në mbarë rajonin. E kam në kokë gjatë gjithë kohës, jo thjesht se është pjesë e punës sime, por edhe sepse armët janë pjesë e sistemit ku jam rritur; është realitet i përditshëm, ku shoqëria ka normalizuar posedimin dhe qasjen në armë. Dhe keqpërdorimi i armëve ngjallë gjithfarë ndjenjash, nga miratimi, te mosbesimi, pikëllimi, zemërimi apo edhe mungesa e ndonjë reagimi. Gjithçka varet.
Jam e sigurt se ky artikull do të dukej ndryshe po ta kisha shkruar disa muaj më parë, kurdo përpara datës 3 maj 2023. Nuk e di nëse — apo jo— dikush mund t’i japë ndonjë shpjegim racional të shtënave të fundit në një shkollë, nga një djalë 13-vjeçar.
Kjo s’ndodhi në Shtetet e Bashkuara. Sipas Washington Post, gjithsej 380 të shtëna në shkolla kanë ndodhur në ShBA që nga viti 1999. E dimë se kjo është ndodhi e zakonshme atje. Lexojmë rreth tyre rregullisht në lajme. Megjithatë, ngjarjet e fundit në Serbi treguan se njerëzit në Serbi, Ballkan dhe nëpër Evropën nuk kanë parashikuar të shtëna në një shkollë fillore. Ky fenomen i tmerrshëm shoqëror zakonisht thjesht është ndërlidhur me ShBA.
Një ditë pas vrasjes masive në shkollë, një tjetër ndodhi. Të shtëna nga vetura ndodhën në dy fshatra afër Mladenovac, Serbi, një 21-vjeçar vrau tetë njerëz dhe plagosi 14 të tjerë në Dubona dhe Malo Orašje. Nga të shtënat në shkollën fillore mbetën të vrarë gjithsej dhjetë njerëz (tetë vajza, një djalë dhe një roje), ndërsa gjashtë nxënës u plagosën.
Këto nuk ishin të shtënat e para masive në Serbi në vitet e fundit. Që nga viti 2002, ka pasur shtatë raste të tilla, pesë prej të cilave kanë të bëjnë me dhunën në familje ose dhunën nga partneri intim.
Duhet ta analizojmë se si erdhëm deri këtu. Duhet të flasim se ku i morën kryerësit armët, kush i mësoi t’i përdornin armët dhe nga u lindi kjo ide për t’i zgjidhur problemet e tyre duke shtënë mbi bashkëmoshatarët apo kalimtarët e rastit.
Duhet gjithashtu ta shqyrtojmë pse dhuna ndaj grave — duke përfshirë rastet e dhunës me armë ose kërcënimet e dhunës me armë — shpërfaqë përgjigjen e dobët institucionale. Këto dy çështje ndërlidhen mes veti. Ndryshojnë vetëm në reagimin e shoqërisë.
Kult(ura) i/e armëve në Ballkan
Ndonëse disa mund t’i referohen si “kulturë e armëve”, unë shoh një kult të armëve në të gjithë Ballkanin. Është fenomen që anashkalohet; të gjithë jemi mësuar me të. Mbajtja e një pushke M-48 ishte detyrë shkollore kur isha fëmijë. Këtë e bëmë në klasën e shtatë. Kam pasur provime praktike në montimin dhe çmontimin të armëve si dhe qitje me armë.
Njerëzit në Ballkan gjuajnë me armë për lloje të ndryshme arsyesh: dasma, lindje (ose më mirë, kur lind djalë, marrë parasysh se jemi shoqëri patriarkale), festa, ngjarje sportive dhe më shumë.
Brezat e njerëzve që janë rritur në këtë rajon e dinë se për çka e kam fjalën. Asokohe askujt nuk i pengonte fakti se nxënësit/et e shkollave po ekspozoheshin ndaj armëve të zjarrit. Dhe këto ishin detyra për të cilat notoheshim.
Pas shkollës së mesme, brezi im shkoi në luftë. Burrat, praktikisht ende djem, i dërgonin direkt nga bankat e shkollës në front. Vendi u shpërbë, duke lënë mijëra të vdekur si pasojë. Në fund, shumë burra u kthyen bashkë me armët që u përdorën gjatë viteve të ‘90-ta; disa u blenë, ndërsa disa të tjera u trashëguan. Ishim të rrethuar me armë zjarri. Ende jemi.
Njerëzit në Ballkan gjuajnë me armë për lloje të ndryshme arsyesh: dasma, lindje (ose më mirë, kur lind djalë, marrë parasysh se jemi shoqëri patriarkale), festa, ngjarje sportive dhe më shumë.
Në një episod të fundit të emisionit “Svadba iz mog kraja” [në shqip: “Dasmat në vendlindjen time”] në Radio Televizionin e Serbisë, shikuesve serbë iu shfaq një skenë e mysafirëve, të cilët gjuanin në drejtim të një molle të varur mbi shtëpi nga një degë e gjatë. Kjo skenë u portretizua jo si akt i rrezikshëm dhe i ndaluar, por si traditë e kahershme. E kemi një emër për këtë në serbisht: šenlučenje. Me prejardhje nga turqishtja, do të thotë “ta shprehësh gëzimin dhe kënaqësinë (ose mungesën e tyre) me anë të të shtënave në ajër”.
Disa vite më parë, SEESAC (Zyra Qendrore e Evropës Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta) nisi një fushatë me titull “Slavi srcem, ne oružjem” (“Festo me zemër, jo me armë”), që synonte ta rriste ndërgjegjësimin për rreziqet e të shtënave me armë gjatë ngjarjeve festive, të cilat mund të çonin në lëndime ose vdekje.
Kjo praktikë u shua kryesisht në Jugosllavinë socialiste. Megjithatë, në fillim të viteve të ’90-ta, trazirat sociale, konfliktet dhe gjithëprania e armëve e riktheu šenlučenje. U rritën gjithashtu vdekjet nga gjuajtjet aksidentale me armë zjarri.
SEESAC raportoi 125 raste të të shtënave në ngjarje festive në të gjithë Evropën Juglindore në vitin 2021, të cilat përbënin rritje nga viti i kaluar. Nga këto 125 raste, 84 kanë ndodhur gjatë festave familjare, ndërsa 77% e totalit kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje. Si rezultat i incidenteve të gjujtjes me armë në ngjarje festive dy burra u vranë, katër burra dhe tri gra u plagosën.
Pronësia e armëve
Nuk ka informacion zyrtar për numrin e armëve të zjarrit në pronësi të ligjshme në Serbi. Edhe pas vrasjeve masive të fundit, numri është vetëm objekt spekulimesh. Raportet e fundit në medie tregojnë se rreth 800,000 armë zjarri aktualisht janë të regjistruara dhe në pronësi të 570,000 individëve. Sipas studimeve të ndryshme, Serbia dhe vendet e tjera të rajonit janë lidere botërore në posedimin e armëve për person.
Në vitin 2017, me 37.8 armë zjarri për 100 banorë, Serbia u rendit e pesta në botë, menjëherë pas ShBA, Jemenit, Zvicrës dhe Finlandës. Për sa i përket pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u renditën në vendin 20 dhe 21, respektivisht.
Një studim më i fundit tregon se Serbia dhe Mali i Zi janë vendet me numrin e tretë më të lartë të armëve të zjarrit për person (pas ShBA dhe Jemenit), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë ndër 25 vendet e para. Në vitin 2018, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se mbi 920,000 armë të regjistruara aktualisht në vend përfaqëson një rënie në numër.
Një gjë që e dimë me siguri është se shumica e pronarëve të armëve janë burra.
Fakti që ne nuk kemi informacion të besueshëm mbi pronësinë e ligjshme të armëve në rajon, i ushqen edhe më tutje shqetësimet për zotërimin e paligjshëm të armëve, duke qenë se kjo dukuri është po ashtu e përhapur në të gjithë rajonin. Megjithatë, një gjë që e dimë me siguri është se shumica e pronarëve të armëve janë burra.
Një nga anketat e SEESAC tregoi se përqindjet e mëposhtme të totalit të armëve të zjarrit janë në pronësi të burrave: 98.9% në Shqipëri, 98.5% në Bosnjë e Hercegovinë, 99.4% në Mal të Zi, 99.9% në Kosovë, 99.5% në Maqedoninë e Veriut dhe 94.7% në Serbi. Zotërimi i armëve qartësisht është çështje e gjinorizuar.
Burrat gjithashtu shkaktojnë shumicën e incidenteve në ngjarje festive me armë zjarri. Ishin burrat ata që shkaktuan të shtënat në çdo incident të tillë të regjistruar në vitin 2020. Vitin tjetër, burrat gjuajtën me armë zjarri në 120 nga 133 rastet e të shtënave në ngjarjet festive, ndërsa gratë në katër raste. Ndërsa për nëntë rastet e mbetura, nuk ka të dhëna për gjininë e gjuajtësve. Ngjashëm, burrat janë përgjegjës për shumicën e incidenteve të tjera që përfshijnë armë zjarri. Dhuna ndaj grave është veçanërisht e rëndësishme në këtë aspekt.
Armët dhe dhuna ndaj grave
Dihet gjerësisht se gratë janë viktimat kryesore të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore dhe se autorët janë kryesisht burra. Kur bëhet fjalë për raportimin në medie, dhuna ndaj grave shpesh është subjekt i sensacionalizmit. Rastet specifike priren të quhen “tragjedi familjare” dhe viktimat fajësohen po aq sa edhe kryerësit.
Sipas një ankete të OSBE mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave në Ballkanin Perëndimor, 70% e grave kanë përjetuar një formë dhune, përndjekjeje ose ngacmimi seksual, që nga mosha 15-vjeçare. Po ashtu, 23% e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe/apo dhunë seksuale nga partneri intim, ndërkohë që 18% e kanë përjetuar atë nga dikush tjetër.
Pak studime rajonale kanë shqyrtuar lidhjen mes dhunës me armë dhe dhunës ndaj grave, megjithëse organizatat e grave tani po përpiqen suksesshëm për ta sjellë këtë temë në diskursin publik.
Një studim i UNDP tregon se dhuna në familje në Serbi është pjesë e dinamikës më të gjerë të normave gjinore dhe se ajo kryhet kryesisht nga burrat dhe si cak i ka gratë. Gjithashtu, sipas UNDP, një numër i madh i rasteve të femicidit nuk u parandaluan për shkak se reagimi institucional ishte i vonuar dhe joefikas.
Studimi i UNDP tregon po ashtu se dhuna me armë është gjithashtu e gjinorizuar. Teksa burrat përbëjnë shumicën e kryerësve dhe viktimave të vrasjeve me armë zjarri, gratë vriten, lëndohen dhe/ose kërcënohen me armë zjarri shumë më shpesh në kontekstin e dhunës në familje dhe dhunës nga partneri intim.
Hulumtimet tregojnë se burrat i kryejnë këto krime 32 herë më shpesh se gratë, të cilat vriten pesë herë më shpesh se burrat në kontekstin e dhunës në familje.
Në Serbi, nuk ka të dhëna të sakta për praninë e dhunës në familje ose përdorimin e armëve si mjet frikësimi ose shkaktimi i dëmit vdekjeprurës. Megjithatë, disponueshmëria e gjerë e armëve përbën kërcënim të madh kur bëhet fjalë për dhunën ndaj grave dhe është njëri nga treguesit e rrezikut të lartë të femicidit.
Kjo mbështetet nga fakti se gati një e treta e totalit e rasteve të femicidit në Serbi janë kryer me armë zjarri. Hulumtimet tregojnë se burrat i kryejnë këto krime 32 herë më shpesh se gratë, të cilat vriten pesë herë më shpesh se burrat në kontekstin e dhunës në familje.
Femicid dhe armë
Kur armët janë të pranishme në një familje, çdo dhunë në familje ka shumë më shumë gjasa të rezultojë në vdekje. Mes janarit dhe mesit të majit të vitit 2023, në Serbi janë kryer 17 raste të femicidit. Pesë prej tyre janë kryer me armë zjarri.
Anketa rajonale e SEESAC e vitit 2019 — e para që grumbulloi të dhëna mbi shkallën e rasteve të femicidit të lidhura me dhunën në familje — tregon se forma më e zakonshme e femicidit në Evropën Juglindore kryhet nga një anëtar i familjes: 61% e të gjitha viktimave u vranë nga një anëtar i familjes. Në rastet e vrasjeve me viktima meshkuj, vetëm 12.4% janë vrarë nga një i afërm.
Gratë gjithashtu vriten nga partnerët e tyre intim në shkallë alarmante. Në anketë, 38.6% e viktimave femra të vrasjeve janë vrarë nga partnerët e tyre. Për viktimat meshkuj shkalla ishte vetëm 1.2%.
Midis 2019 dhe 2021, siç thekson SEESAC, vendet e Evropës Juglindore regjistruan gjithsej 101 vrasje, që lidheshin me armë në kontekstin e dhunës në familje — më shumë se në çdo kontekst tjetër. Më shumë njerëz u vranë në kontekstin e dhunës në familje sesa në kontekstin penal ose rasteve tjera dhe të shtënave të papërcaktuara. Në këtë periudhë janë vrarë 83 gra, 64 prej të cilave kanë vdekur nga armët e zjarrit.
Hulumtimi tregon se mënyra më e mundshme që një grua të bëhet viktimë e femicidit është nga partneri i tyre intim ose ish-partneri i armatosur me armë. Gjatë kësaj periudhe, 47 nga 64 gra të vrara me armë zjarri në këtë rajon janë vrarë nga partnerët e tyre intimë ose ish-partnerët. Në të njëjtën periudhë, dy burra u vranë nga partneret ose ish-partneret.
Nga të gjitha rastet e dhunës në familje dhe nga partneri intim me armë zjarri, 98% janë kryer nga burrat, si dhe 85% janë kryer me armë të paligjshme.
Kur flasim për rastet e femicidit me armë, duhet ta theksojmë faktin se femicidi shpesh pasohet nga vetëvrasjet e dorasit. Midis 2017 dhe 2020, gati 80% e burrave që kryen femicid, ose kryen vetëvrasje ose tentuan vetëvrasje menjëherë pas aktit.
Raporti i fundit i UNDP Serbi tregon se shumica e rasteve të vrasjeve-vetëvrasje me viktima femra ndodhin brenda marrëdhënieve intime dhe shpesh vrasja kryhet në publik.
Disa nga faktorët më të rëndësishëm që kontribuojnë në rritjen e rrezikut të vetëvrasjeve pas femicidit është qasja në armë zjarri, përfshirë punët ose shprehitë që përfshijnë armë. Në shumë raste të femicidit, partneri mashkull shfaq xhelozi dhe sjellje kontrolluese dhe partnerja femër mund të jetë larguarsë fundmi nga marrëdhënia ose po planifikon ndarje. Në prag të vrasjes, shumë gra janë përndjekur nga partnerët e tyre ose ballafaquar me telefonata të pandërprera. Në shumë raste, ka pasur histori dhune në marrëdhënie, përfshirë kërcënime për vrasje ose vetëvrasje.
Një çështje e rëndësishme në Serbi dhe në mbarë rajonin është se informatat mbi rastet e femicidit dhe dhunën që lidhet me armë ndaj grave nuk janë lehtësisht të qasshme dhe të dhëna e hollësishme mbi këtë çështje përtej kufijve nuk mblidhen. Gjatë viteve, ka pasur përpjekje për ta përpiluar këtë raport informatash nga organizatat rajonale të grave.
Pamja e hartës ndërvepruese në internet e qasshme në femplatz.org.
Një nismë e re është krijuar nga shoqata qytetare e grave me seli në Pančevo, “FemPlatz”. Harta e tyre ndërvepruese në internet përmban informacion mbi rastet e femicideve në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, që datojnë që nga viti 2020. Përshkrimet e rasteve specifike të femicideve përfshijnë të gjitha hollësitë përkatëse të marra nga raportet e medieve, duke përfshirë nëse janë përdorur armë zjarri dhe nëse vrasësi ka kryer apo tentuar vetëvrasje.
Organizata planifikon të zgjerojë mjetin për të përfshirë të dhëna për vendet e tjera në të gjithë rajonin.
Si reagon sistemi i drejtësisë?
Një raport i vitit 2021 tregon mënyrës se si sistemi gjyqësor serb e trajton dhunën në familje dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit. Në 28 çështjet e përfunduara gjyqësore të shqyrtuara në raport, kryerësit ishin burraj, gjysma e të cilëve nuk kishin precedent të kaluar penal. Njëri nga këta persona ishte dënuar më parë për keqpërdorim të armëve, ndërsa tre të tjerë ishin të punësuar nga organizata ose institucione që ofrojnë qasje në armë.
Edhe pse motivet e krimeve nuk ishin përcaktuar nga gjykatat, motivet ishin të qarta në pesë prej këtyre rasteve. Tre raste janë motivuar nga xhelozia, një nga “refuzimi i divorcit” dhe një nga lakmia.
Gati gjysma e rasteve të shqyrtuara në raport përfshinin një pistoletë, por përdorimin edhe të disa armëve të tjera, përfshirë bomba ose granata dore, armë automatike dhe armë zjarri të fshehura ose shurdhuese (të cilat nuk janë të autorizuara për publikun).
Shumë nga këto vendime gjyqësore nuk përmbajnë asnjë informacion për leje të armës, ndërsa thuhet se 11 doras nuk kanë poseduar diçka të tillë. Kur bëhet fjalë për dënimet e shqiptuara për dhunën në familje, ku dorasi ka kërcënuar me përdorim ose ka përdorur armë zjarri, janë shumë të ulëta, marrë parasysh kërcënimin e përgjithshëm ndaj shoqërisë.
As kërcënimet me përdorim dhe as përdorimi i armëve të zjarrit në këto krime nuk ndikuan në dënime. Që do të thotë se, askush nuk mori dënimin maksimal — shumica e dorasve u dënuan me një vit burg, madje edhe më pak se kaq.
Është e nevojshme ta citojmë plotësisht njërin nga rastet studimore nga raporti:
“Pas seancës së divorcit, kryerësi e ka kërcënuar palën e dëmtuar, e cila ishte në gjendje frike pasi ai i kishte thënë se nuk do ta lejonte ta divorcohej dhe se më parë do ta vriste sesa ta pranonte divorcin. Duke pasur parasysh të gjitha këto, pala e dëmtuar u largua nga qyteti, shkoi në shtëpinë e të afërmve të saj dhe kryerësi e gjeti vendndodhjen e saj në të njëjtën ditë, duke mbajtur një pistoletë “Rhöner SM-100” (6.35×15 mm).
Sapo ka parë kryerësin jashtë, e dëmtuara ka filluar të vrapojë. Ai e ndoqi atë, duke i drejtuar armën dhe duke bërtitur: "Do të të vras!" Prindërit, xhaxhai dhe vëllai i të dëmtuarës kanë arritur ta kapin atë duke i marrë armën; policia mbërriti menjëherë më pas. Është konstatuar se kryerësi nuk dispononte leje për armë zjarri dhe se ishte në lirim me kusht pasi kishte shkelur masën e sigurisë kundër ndaj tij, lidhur me dhunën në familje.
Kryerësi u dënua me gjashtë muaj burg, por dënimi do të ekzekutohet në banesën e tij si arrest shtëpiak i monitoruar në mënyrë elektronike. Edhe pse në aktgjykim përmendet se kryerësi ka kryer dhunë tash e një kohë ndaj të dëmtuarës, duke qenë gjithashtu i dënuar për mosrespektim të masave të sigurisë lidhur me dhunën në familje, gjykata theksoi se kryerësi ishte pronar i një kompanie private dhe se ai nuk jetonte më me të dëmtuaren, andaj vendoset që dënimin ta vuajë në arrest shtëpiak. Kjo është bërë që të mos i cenohej jetesa dhe kompania”.
Kontrolli i armëve
Rregulloret për kontrollin e armëve janë përmirësuar në të gjithë rajonin vitet e fundit, ndërsa një numër studimesh janë kryer mbi aspektet gjinore të dhunës me armë. Më konkretisht, ndërlidhja mes armëve të zjarrit dhe dhunës ndaj grave tashmë është ndërtuar me vendosmëri, teksa SEESAC ka udhëhequr këto përpjekje. Mes 2012 dhe 2016, SEESAC raportoi se 37.4% e rasteve të dhunës në familje që përfshinin armë rezultuan në vdekje.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar rregullore mjaft të qarta dhe respektimi është kryesisht i kënaqshme. Megjithatë, siç ndodh me çdo rregullore tjetër, ka ende vend për përmirësim.
Pas dy vrasjeve masive në Serbi që shkaktuan bujë në të gjithë rajonin, filloi një fushatë e dorëzimit të armëve të zjarrit nën sloganin “Predaj oružje” (“Dorëzo armët”). Brenda kësaj fushate, njerëzit kanë mundësi t’i dorëzojnë armët e tyre pa pasoja — pavarësisht nëse armët janë në pronësi të ligjshme apo të paligjshme. Sipas shifrave zyrtare, deri në fund të majit u dorëzuan 36,265 armë zjarri, 9,943 mina tokësore dhe armë të tjera shpërthyese dhe 1,817,190 fishekë.
Kjo është një nga fushatat më të suksesshme të çarmatimit të nisura ndonjëherë në Serbi. Është mirë që numri i armëve të zjarrit po zvogëlohet, veçanërisht duke pasur parasysh që numri i saktë i armëve në pronësi private nuk dihet.
Megjithatë, shumë pyetje mbesin. Pse tek tani? Pse vrasjet masive të mëparshme nuk shkaktuan përgjigje të tilla? Ne gjithashtu duhet të shqyrtojmë pse reagimi institucional dhe shoqëror ndaj rasteve të femicidit — përfshirë ato të kryera me armë zjarri — është i ulët. Gjersa pyes veten për të gjitha këto, e dëgjoj radion time duke luajtur një këngë të njohur me tekstin e mëposhtëm: “Ia bleva vetes një unazë/Edhe një pushkë të bukur gjithashtu,/ Por vetëm njëra nga këto/ është për ty.”
Imazhi i ballinës: Nëpërmjet CC.