Kosova e viteve të ‘90-a: një ekonomi e kohëve të errëta - Kosovo 2.0

Kosova e viteve të ‘90-a: një ekonomi e kohëve të errëta

Strukturat ekonomike të së kaluarës vazhdojnë ta formësojnë ekonominë e Kosovës.

Nga Edison Jakurti | 18 mars 2025

Nga këndvështrimi i sotëm, jeta në Kosovë gjatë viteve të ‘90-a mund të përshkruhet më së miri duke e përmbysur hyrjen mbresëlënëse të Charles Dickensit në “Rrëfenja e dy qyteteve”: “ishin kohët më të këqija, ishin kohët më të mira”. Brenda vetëm një 10-vjetëshi, kaluam nga humbja e maksimumit që na ishte dhënë në Jugosllavi — autonomisë; te më e pakta që çdo komb meriton — lirinë; dhe në fund, pavarësinë.

Shumëçka dihet për mënyrën se si nisi. Slobodan Milošević erdhi në pushtet si president i Serbisë në fund të viteve të ‘80-a, shfuqizon autonominë e Kosovës, të garantuar nga Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 dhe e nënshtron rajonin përmes shtypjes brutale. Shumëçka dihet edhe për mënyrën se si përfundoi. Serbia kryeu spastrim etnik duke burgosur, rrahur, përdhunuar dhe vrarë mijëra njerëz, për t’i dëbuar në fund 1 milion shqiptarë/e, shumica prej të cilëve u kthyen në shtëpitë e tyre pas çlirimit në qershor të vitit 1999.

Megjithatë, shumë më pak dihet për atë çka ndodhi përgjatë kësaj. Sidomos për mënyrën se si ekonomia e Kosovës arriti të mbijetojë gjatë kohëve të saj më të errëta.

Fëmijëria ime i përket kësaj epoke, e mbushur me rrëfime të qëndresës e mbijetesës. Fakti që kisha familjarë të burgosur politikisht në vitet e ‘80-a, nënkuptonte se duhej të kthehesha në kohë për t’i kuptuar rrënjët e problemeve tona në vitet e ‘90-a. Po ashtu, fakti që kisha të afërm të përndjekur politikisht, të cilët u detyruan të largohen drejt Evropës perëndimore, më bëri ta kuptoj rolin vendimtar të diasporës në mbijetesën ekonomike. Dhe, në fund, fakti që kisha familjarë, të cilët u përjashtuan nga puna gjatë spastrimit masiv të viteve 1989-1990, më bëri ta kuptoj shtrirjen dhe ndikimin e këtyre ngjarjeve historike.

Atëherë, këto ishin rrëfime personale. Por me kalimin e viteve kuptova se s’ishin vetëm të miat. Ishin rrëfimet tona, të përbashkëta me shumë nga bashkëmoshatarët e mi — fëmijët e viteve të ’90-a.

Në mesin e brezave më të moshuar, megjithatë, ekzistojnë qëndrime me më shumë nuancë për të kaluarën, veçanërisht për periudhën para viteve të ‘90-a. Teksa ka pak mospajtime rreth fakteve dhe ngjarjeve historike, ka më pak pajtueshmëri kur është fjala te perceptimet dhe matjet. Për disa, zhvillimi ekonomik i Kosovës në Jugosllavi, krahasuar me nivelin e saj fillestar, shihej si përparim i konsiderueshëm. Për të tjerë, përparimi nuk matej thjesht në bazë të pozitës së Kosovën në vetvete, por në bazë të krahasimit të saj me republikat e tjera brenda federatës.

Për të kuptuar plotësisht peizazhin ekonomik të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX, është qenësore të reflektojmë shkurtimisht mbi katër dekadat paraprake, veçanërisht rreth organizimit ekonomik të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nga viti 1945 e tutje. Këto vite lanë gjurmë të thella ekonomike, që e formësuan dhe vazhdojnë ta formësojnë ekonominë e Kosovës edhe sot.

Kosova në ish-Jugosllavi: një histori e pabarazisë së vazhdueshme

Krahasimi i standardeve të jetesës nën sisteme të ndryshme ekonomike është i pashmangshëm, veçanërisht për vendet që kanë kaluar nga njëri sistem në tjetrin. Në këtë aspekt, Kosova nuk përbën përjashtim. Kujtimet për jetën nën socializmin jugosllav janë të përziera: për disa, ishte periudhë stabiliteti, ndërsa për të tjerë, kohë e vështirësive ekonomike.

Në ekonomitë në tranzicion, nostalgjia për socializmin shpesh pasqyron premtimet e papërmbushura të kapitalizmit, i cili u paraqit si model që do ta kombinonte sigurinë sociale të socializmit, me liri të reja politike dhe ekonomike. Megjithatë, shumë vende mbetën të ngujuara në një “tranzicion” të stërzgjatur — me liri të kufizuara politike, mundësi ekonomike që nuk arritën të sillnin mirëqenie në masë të gjerë dhe rrjet sigurie sociale që po shpërbëhej me shpejtësi. Për shumë njerëz, kjo periudhë e stërzgjatur vetëm sa thelloi zhgënjimin, në vend që të sillte përfitimet e premtuara ekonomike.

Elitat e partisë gëzonin privilegje që i veçonin nga pjesa tjetër e shoqërisë, ndërsa rajone si Kosova mbeteshin të margjinalizuara, të vlerësuara kryesisht për burimet e tyre natyrore, e jo për potencialin e tyre për investim a zhvillim përmbajtësor.

Pavarësisht mangësive të socializmit, në përgjithësi prodhoi nivele më të ulëta të pabarazisë ekonomike, që reflektoheshin në shpërndarjen më të baraspeshuar të të ardhurave dhe pasurisë. Megjithatë, ky është konstatim i përgjithësuar. Sistemet socialiste, si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, ndryshonin ndjeshëm nga njëra-tjetra dhe dallimet mes pabarazisë brenda një vendi dhe mes vendeve e ndërlikojnë edhe më shumë peizazhin.

Edhe përbrenda sistemeve socialiste, disa grupe dhe rajone ishin “më të barabarta” se të tjerat. Elitat e partisë gëzonin privilegje që i veçonin nga pjesa tjetër e shoqërisë, ndërsa rajone si Kosova mbeteshin të margjinalizuara, të vlerësuara kryesisht për burimet e tyre natyrore, e jo për potencialin e tyre për investim a zhvillim përmbajtësor. Kjo pabarazi në shpërndarjen e burimeve tregon se si idealet socialiste të Jugosllavisë shpesh dështonin të prodhonin rezultate me të vërtetë të barabarta.

Nëse them se Kosova ishte vendi më i pazhvilluar e Jugosllavisë, nuk tregoj diçka të re. Megjithatë, falë të dhënave nga “The Maddison Project Database” (Baza e të dhënave e projektit Maddison) — një nismë kërkimore e themeluar nga ekonomisti i ndjerë, Angus Maddison — mund ta analizojmë dhe ta masim shkallën e pabarazisë së të ardhurave mes ish-republikave jugosllave dhe Kosovës nga viti 1952 deri në 1990. Të dhënat për Jugosllavinë janë vlerësime të pabotuara, të siguruara për “The Maddison Project Database” në vitin 2011 nga Branko Milanović.

Gjersa kjo analizë nuk do t’i zgjidhë të gjitha këndvështrimet për epokën socialiste, ofron një qasje të bazuar në të dhëna, për ta kuptuar pozitën e pafavorshme të vazhdueshme ekonomike të Kosovës brenda Jugosllavisë. Kjo pabarazi historike vuri themelet për sfidat ekonomike me të cilat u përball Kosova në vitet e ‘90-a.

Fillime të pabarabarta

Ekonomia e Kosovës, në vitet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ishte tejet e pazhvilluar. Shekuj të gjatë nën pushtime nga perandori të ndryshme dhe një varg luftërash të përgjakshme lanë pak hapësirë për përparim. Në vitin 1948, rreth 81% e ekonomisë së Kosovës bazën e kishte në bujqësi, krahasuar me 67% në të gjithë Jugosllavinë. Popullsia e Kosovës, 69% e së cilës ishte shqiptare, përballej me sfida të vështira arsimore, ku vlerësohet se 78% e personave mbi 10 vjeç ishin analfabetë.

Ndonëse Kosova kishte nivelin më të ulët të të ardhurave në vitin 1952, rritja e saj kumulative e të ardhurave deri në vitin 1960 e kaloi vetëm atë të Malit të Zi; të gjitha republikat tjera përjetuan rritje më të mëdha. Një model i ngjashëm u shfaq edhe gjatë periudhës 1961-1970, ku të gjitha republikat, përveç Bosnjë e Hercegovinës, përjetuan rritje më të shpejtë të të ardhurave se Kosova.

Të dhënat më të hershme nga “Maddison Project Database”, që datojnë nga viti 1952, shpërfaqin se Kosova padyshim kishte nivelin më të ulët të të ardhurave në Jugosllavi — një fakt që, marrë parasysh historinë e saj, nuk përbën ndonjë befasi të madhe.

Si ekonomist, më duhet të pranoj se, ndonëse të ardhurat për kokë banori janë tregues që përdoret gjerësisht, ato nuk arrijnë t’i pasqyrojnë dimensionet e shumta të pabarazisë, e cila në Kosovë shtrihej përtej nivelit të të ardhurave, duke përfshirë dallimet në mundësi dhe cilësinë e përgjithshme të jetesës.

Sipas regjistrimit jugosllav të popullsisë, në vitin 1953, ndonëse vetëm një në katër banorë të Kosovës ishte serb ose malazez, ata zinin dy nga tri pozitat “administrative dhe udhëheqëse” dhe përbënin gjysmën e fuqisë punëtore në fabrika.

Jetëgjatësia dhe shkalla e vdekshmërisë në Kosovë ishin gjithashtu në përmasa të pabarabarta krahasuar me republikat e tjera jugosllave, duke e dëshmuar edhe më shumë hendekun e madh në nivelin e zhvillimit.

Megjithëse industrializimi ishte i nevojshëm, por i vonuar, në ekonominë kryesisht bujqësore të Kosovës, u deshën mbi 12 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore që Kosova të fillonte të merrte fonde federale për industrializim. Mospërputhja në kapacitetin industrial mes rajoneve të Jugosllavisë ishte e theksuar. Deri në vitin 1958, Sllovenia kishte gati 10 herë më shumë ndërmarrje industriale se Kosova — 464 krahasuar me vetëm 49.

Reforma bujqësore gjatë periudhës mes dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore ishte goditje e rëndë për ekonominë bujqësore, duke shkaktuar mungesa të mëdha ushqimore. Dhe, cila ishte përgjigja në kuptim të politikave e regjimit ndaj një popullsie kryesisht rurale, toka e së cilës po konfiskohej nga shteti, ndërsa industria e saj zhvillohej me një ritëm jashtëzakonisht të ngadaltë? Migrimi, veçanërisht migrimi masiv i shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, një proces i paraprirë nga inxhinieria demografike e autoriteteve jugosllave, të cilat i regjistronin shqiptarët si turq. Ndonëse mungojnë shifra zyrtare, vlerësohet se nga 1945 deri në 1966, rreth 100,000 shqiptarë migruan drejt Turqisë.

Jetëgjatësia dhe shkalla e vdekshmërisë

Jetëgjatësia në vitin 1954 i shpërfaq më tej këto pabarazi; teksa jetëgjatësia në Jugosllavi ishte rreth 57 vjet për burrat dhe 59 vjet për gratë, burrat në Kosovë jetonin mesatarisht tetë vjet më pak, ndërsa gratë 14 vjet më pak se ç’jetonin mesatarisht gratë në pjesën tjetër të Jugosllavisë.

Një tregues tjetër i cilësisë së jetës është shkalla e vdekshmërisë. Vdekshmëria infantile ishte gjithashtu ndjeshëm e lartë; në vitin 1955, ndërsa Jugosllavia pati rreth 113 vdekje infantile për 1,000 lindje, norma në Kosovë ishte afërsisht 51 vdekje më e lartë. Në të njëjtin vit, Kosova pati rreth 18 vdekje për 1,000 banorë, krahasuar me mesataren jugosllave prej 11.

Pika e kthesës në vitin 1968

Për Kosovën, viti 1968 shënoi moment të rëndësishëm historik, megjithëse me zhvillime të ndryshme nga ato në pjesën tjetër të Evropës. Kërkesat e shqiptarëve për republikë dhe universitet, së bashku me ndryshimin në qasje nga Josip Broz Tito, president i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nga 1953 deri në 1980, krijuan rrethana të reja. Edhe pse Kosovës nuk iu dha statusi i republikës, që do ta bënte atë subjekt të barabartë brenda Jugosllavisë, ndryshimet kushtetuese të vitit 1968, të pasuara nga Kushtetuta e vitit 1974, e ngritën Kosovën në statusin e një krahine autonome. Këto zhvillime sollën ndryshime të rëndësishme ligjore dhe politike, duke hapur rrugën për përparim.

Për shembull, para vitit 1970, vetëm një numër i vogël i shqiptarëve të Kosovës ndiqnin studimet universitare në kryeqytete të tjera jugosllave, si Beograd apo Zagreb. Një moment kyç për Kosovën ishte themelimi i Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, universiteti i parë në vend. Interesi për arsimin e lartë u rrit dukshëm dhe, mes viteve 1968 dhe 1978, përqindja e shqiptarëve të Kosovës në numrin total të studentëve në Kosovë u rrit nga 38% në 72%. Kjo rritje e konsiderueshme prodhoi fuqi punëtore të kualifikuar, e cila nuk përshtatej më me një ekonomi kryesisht bujqësore.

Për shumë prej tyre, arsimi i lartë u shndërrua më shumë në një mjet për ta shmangur etiketimin si i/e papunë ose për ta shtyrë emigrimin, sesa një rrugë drejt punësimit.

Megjithëse zhvillimi industrial filloi të përshpejtohej, pjesa më e madhe e investimeve u drejtua kah industritë nxjerrëse — kimikatet, mineralet, metalet dhe termocentralet — të cilat furnizonin me lëndë të parë dhe energji rajonet e tjera të Jugosllavisë. Kjo qasje e forcoi pozitën e Kosovës si periferi, e cila mbështeste qendrën ekonomike diku tjetër në federatë. Popullsia e Kosovës kishte shtimin më të shpejtë dhe fuqia punëtore industriale u zgjerua gjatë kësaj periudhe e prapëseprapë, nuk u hartuan politika industriale për ta adresuar ofertën në rritje të fuqisë punëtore.

Gjersa një numër gjithnjë e më i madh i të diplomuarve të kualifikuar nga Universiteti i Prishtinës hynin në tregun e punës, investimet me intensitet të lartë kapitali krijuan kërkesë më të madhe për makineri sesa për punëtorë. Për shumë prej tyre, arsimi i lartë u shndërrua më shumë në një mjet për ta shmangur etiketimin si i/e papunë ose për ta shtyrë emigrimin, sesa një rrugë drejt punësimit.

Pabarazitë etnike të vazhdueshme në punësim bënë që sistemi socialist i vetëqeverisjes në Kosovë t’i fuqizonte kryesisht punëtorët e disa kombeve të caktuara. Deri në vitin 1980, një në pesë serbë merrte pagë nga shteti, ndërsa vetëm një në 11 shqiptarë ishte pjesë e sektorit shtetëror. Si rezultat, shumë shqiptarë kërkuan mundësi më të mira ekonomike jashtë vendit, duke shkaktuar një tjetër valë migrimi, kësaj here kryesisht drejt Evropës perëndimore.

Ndonëse vitet e ‘60-a dhe ‘70-a shpesh konsiderohen si periudhë e zhvillimit të konsiderueshëm, rritja e të ardhurave për kokë banori në Kosovë tregon tjetërçka.

BPV për banor në Kosovë

Në mes viteve 1971 dhe 1980, të ardhurat për kokë banori në Kosovë u rritën vetëm për rreth 30% — më pak se çdo republikë tjetër e Jugosllavisë, e cila kishte një mesatare mbi 49%. Për krahasim, norma e rritjes më e ulët sipas radhës ishte 44% në Maqedoni, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 47%, Kroacia me 51%, Serbia me 52%, Sllovenia me 55% dhe Mal i Zi, me normën më të lartë prej 60%.

Bilanci i katër dekadave 

Në dekadën para luftërave të viteve të ‘90-a, tensionet politike dhe një krizë e rëndë ekonomike përfshiu Jugosllavinë, duke e goditur më së forti ekonominë tashmë të brishtë të Kosovës. Hiperinflacioni tkurri fuqinë blerëse në të gjithë Jugosllavinë, me normën mesatare vjetore që u rrit nga 36% në vitin 1981, në një shifër tronditëse prej 1,240% deri në vitin 1989. Nga 1981 deri në 1990, Kosova përjetoi rënien më të madhe të të ardhurave mesatare në krahasim me çdo republikë tjetër jugosllave, me një tkurrje prej 25% të të ardhurave për kokë banori. Për krahasim, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat pësuan rëniet më të mëdha pas Kosovës, përjetuan ulje prej rreth 14%, ndërsa mesatarja jugosllave ishte rreth 11%. Kjo shpërputhje nuk është befasuese, pasi ekonomitë më pak të zhvilluara zakonisht janë më pak të qëndrueshme gjatë recesioneve dhe krizave ekonomike.

Papunësia në Kosovë gjithashtu u rrit ndjeshëm, duke u ngritur nga rreth 40% në vitin 1981 në 60% në vitin 1988. Paralelisht me tensionet politike në rritje, të cilat kulmuan me revokimin e autonomisë së Kosovës nga Miloševići, në vitin 1989, peizazhi ekonomik i Kosovës gjatë viteve të ‘80-a u karakterizua nga rritje e shfrenuar e çmimeve, rritje e lartë e papunësisë dhe rënie e theksuar e të ardhurave.

Krizat e viteve të ‘80-a mbeten kujtime të freskëta për shumë njerëz. Megjithatë, si dekada e parë pas vdekjes së Titos, kjo periudhë shpesh shihet si e dallueshme nga epoka e tij. Edhe pse secila dekadë kishte zhvillimet e veta, nga një këndvështrim makrohistorik afatgjatë, dekadat pararendëse ishin larg të qenit të përkryera. Duke reflektuar për Jugosllavinë e Titos nga këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës, historiani Noel Malcolm shkruan:

Është e kuptueshme që, duke shikuar prapa nga një këndvështrim i favorshëm pas vitit 1989, shqiptarët e Kosovës mund t’i kujtojnë vitet e Titos me njëfarë nostalgjie të idealizuar. Megjithatë, një analizim më i plotë i politikave të Titos ndaj Kosovës duhet të jetë gjithashtu shumë më i hollësishëm. Disa nga masat e tij për respektimin e të drejtave të shqiptarëve ishin vetëm masa gjysmake; disa u zhvilluan vetëm si rezultat i presionit të rrethanave (përfshirë presionin nga kërkesat e paplotësuara të shqiptarëve); dhe disa u ndërmorën për arsye pragmatike që nuk kishin fare lidhje me nevojat e Kosovës (si, për shembull, dëshira për t’i zhvendosur kolonitë serbe drejt Vojvodinës).

Së pari, nga viti 1952 deri në 1990, Kosova pati rritjen më të ulët të të ardhurave për kokë banori krahasuar me çdo republikë tjetër të Jugosllavisë. Së dyti, edhe gjatë periudhës që konsiderohet si më e begata për Kosovën (1971-1980), rritja e të ardhurave për kokë banori mbeti më e ulëta në federatë. Dhe e fundit, gjatë krizës së rëndë ekonomike që u parapriu luftërave të viteve ‘90-a, Kosova pësoi rënien më të madhe të të ardhurave në të gjithë Jugosllavinë. Në fakt, rënia e të ardhurave në Kosovë ishte pothuajse dyfish më e madhe se ajo e Maqedonisë, e cila kishte rënien e dytë më të madhe. Si rezultat, në fillim të viteve të ‘90-a, të ardhurat për kokë banori në republikat e tjera ishin nga tre deri në tetë herë më të larta se në Kosovë, duke treguar shkallë të theksuara të pabarazisë mes vendeve të federatës.

Tronditja e parë për ekonominë: Dëbimi masiv i punëtorëve/eve

Siç e pamë, deri në fund të viteve të ‘80-a, Kosova ishte rajoni më i pazhvilluar dhe më i brishtë i Jugosllavisë. Menjëherë pasi Milošević erdhi në pushtet, në mars të vitit 1989, autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974 u shfuqizua, duke hapur rrugën për aneksimin nga Serbia. Deri në korrik 1990, Kuvendi i Serbisë kishte krijuar kornizën ligjore për marrjen nën kontroll të ndërmarrjeve në Kosovë dhe dëbimin e punëtorëve/eve shqiptarë/e, duke i dhënë kështu goditje të rëndë ekonomisë së Kosovës.

12 ndërmarrje publike, të cilat praktikisht përbënin të gjitha ndërmarrjet strategjike qendrore dhe rajonale, u vunë nën kontrollin serb dhe 238 ndërmarrje shoqërore u shkrinë me ato në Serbi dhe Vojvodinë. Përveç marrjes nën kontroll të ndërmarrjeve, pati edhe forma të plaçkitjes së makinerive dhe zhvendosje të pajisjeve në fabrika në Serbi. Deri në fund të vitit 1990, 146,025 nga 164,210 punëtorë/e shqiptarë/e ishin pushuar nga vendet e tyre të punës. Me fjalë të tjera, pothuajse 9 nga 10 punëtorë/e shqiptarë/e në administratën civile, shërbimet publike dhe ndërmarrje të ndryshme u pushuan nga puna në mënyrë të atypëratyshme nga regjimi i Miloševićit.

Disa prej tyre jo vetëm që humbën vendin e punës, por edhe strehimin, pasi u dëbuan nga banesat që u siguroheshin nga vendet e tyre të punës. Kjo ishte me të vërtetë shkatërruese, pasi në Jugosllavi strehimi shpesh lidhej ngushtë me punësimin, pasi ndërmarrjet u siguronin punëtorëve/eve banesa si pjesë e përfitimeve në punë. Kur i humbnin vendet e punës, dëbimi nga këto banesa të ofruara nga punëdhënësit pasonte menjëherë, duke lënë shumë familje në situata tejet të pasigurta.

Asetet e Kosovës u shitën pa humbur kohë, përmes procesit që shpesh përshkruhet si "terapia e shokut" dhe margjinalizimi socio-politik i shqiptarëve të Kosovës e bëri pothuajse të pamundur për ta blerjen e banesave apo pronave të tjera shtetërore.

Kriza ekonomike e viteve të ‘80-a kërkonte reforma të thella strukturore, të cilat u ndikuan kryesisht nga institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Si në shumë vende të tjera socialiste, këto ligje synonin tranzicionin nga një model socialist në një ekonomi të orientuar drejt tregut, duke e vendosur privatizimin si gurthemel të reformave. Privatizimi filloi të aplikohej më seriozisht në vitin 1989, nën “Ligjet Marković”, të emëruar sipas Ante Marković, kryeministrit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Megjithatë, shfuqizimi i autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, bëri që shqiptarët/et e Kosovës të përjashtoheshin nga pjesëmarrja në këto reforma. Me kalimin e Kosovës nën kontroll të Serbisë, procesi i privatizimit në rajon u karakterizua nga një diskriminim i shprehur. Asetet e Kosovës filluan të shiteshin shitën pa humbur kohë, përmes procesit që shpesh përshkruhet si “terapia e shokut” dhe margjinalizimi socio-politik i shqiptarëve të Kosovës e bëri pothuajse të pamundur për ta blerjen e banesave apo pronave të tjera shtetërore.

Shkarkimi masiv i punëtorëve/eve preku të gjithë sektorët: shëndetësinë, arsimin, industrinë, mediet dhe përtej. Mjekët dhe punonjësit shëndetësorë u hoqën nga spitalet, rreth 6,000 mësimdhënës u pushuan nga puna për shkak të protestave, ndërsa të tjerët u shkarkuan sepse refuzuan ta zbatonin planprogramin e imponuar nga Serbia.

Minatorët e Trepçës ishin ndër të parët që kundërshtuan veprimet e Miloševićit, ndërsa gazetarët/et e gazetës ditore në shqip “Rilindja”, të cilët raportuan për këto greva, u pushuan shpejt nga puna. Menjëherë, autoritetet serbe morën nën kontroll Radiotelevizionin e Prishtinës, duke dëbuar shumicën e personelit shqiptar. Duke filluar nga viti akademik 1991-92, studentëve/eve dhe profesorëve/eve shqiptarë/e iu ndalua hyrja në mjediset e Universitetit të Prishtinës.

Përkrah shtypjes politike, që ushtrohej përmes forcës policore dhe ushtarake, dëbimi i gati 90% të shqiptarëve/eve nga vendet e punës shënoi tronditjen e parë ekonomike të viteve të ‘90-a në Kosovë. Ky dëbim masiv nga vendet e punës shkaktoi valë të madhe papunësie, duke çuar dhjetëra-mijëra njerëz drejt varfërisë dhe pasigurisë ekonomike.

Sanksione të dyfishta, hiperinflacion dhe rritje e varfërisë

Teksa pakënaqësia në republikat jugosllave rritej, shpërbërja e Jugosllavisë në fund të viteve të ‘80-a ishte e pashmangshme. Luftërat që pasuan në vitet e ‘90-a çuan në sanksione të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ndaj Serbisë, të cilat patën ndikim edhe në Kosovë. Si rezultat, shqiptarët/et në Kosovë u përballën me sanksione të dyfishta: ato të regjimit të Miloševićit dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Serbisë.

Ndërkohë, ekonomia vetëmenaxhuese e Jugosllavisë kishte përjetuar krizë që nga fillimi i viteve të ‘80-a, me hiperinflacionin si një nga pasojat më të mëdha. Shpërthimi i luftërave në Kroaci (1991) dhe Bosnjë e Hercegovinë (1992) e përkeqësoi situatën, duke shkaktuar rënie të theksuar të prodhimit dhe rikthimin e hiperinflacionit në shkallë ekstreme, në vitin 1992. Në përpjekje për ta ndaluar kolapsin ekonomik, regjimi i Miloševićit u mbështet në shtypjen masive të parasë, veprim që vetëm sa e përkeqësoi inflacionin.

Shkalla e ashpërsisë së hiperinflacionit në fillim të viteve ‘90-a përshkruhet qartazi në këtë fragment:

Hiperinflacioni jugosllav i viteve 1992-1994 ishte historikisht i veçantë dhe i rëndësishëm për shkak të shkallës ekstreme që arriti dhe kohëzgjatjes së tij. Në janar 1994, në kulmin e tij, norma mujore e inflacionit arriti në 313 milionë për qind, duke u bërë kështu norma e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë, pas hiperinflacionit hungarez të viteve 1945-1946. Po ashtu, hiperinflacioni jugosllav zgjati 24 muaj, duke u renditur si i dyti më i gjati në histori, pas hiperinflacionit rus të viteve të ‘20-a, i cili zgjati 26 muaj (Cagan, 1956). Gjatë këtyre 24 muajve, mes shkurtit 1992 dhe janarit 1994, niveli i çmimeve u rrit për një faktor prej 3.6 × 10²², i dyti vetëm pas hiperinflacionit ekstrem hungarez (3.8 × 10²⁷), por shumë më i lartë se çdo tjetër: 10¹¹ në Kinë pas Luftës së Dytë Botërore, 10¹⁰ në Gjermani në vitet e ‘20-a, etj. (Cagan, 1987).

Një tjetër goditje e rëndë ekonomike gjatë kësaj periudhe ishte konfiskimi i kursimeve personale. Në vitin 1990, banka kryesore në Kosovë, ”Bank Kos”, u shua, duke çuar në sekuestrimin e rreth 98 milionë dollarëve në formë depozitash valutore të huaja të 66,000 individëve. Kjo shumë e konsiderueshme u mor në mënyrë të menjëhershme nën kontroll të “Jugobanka” në Beograd, duke i privuar mijëra kosovarë/e nga kursimet e tyre të fituara me djersë.

Një shprehje e zakonshme që e dëgjojmë edhe sot kur takojmë dikë pas një kohe të gjatë, është "Ke hup si faksi!", që i referohet një detergjenti për pastrim, i cili u bë i njohur për mungesën e madhe në stoqe për shkak të sanksioneve.

Për shumicën, këto kursime nuk ishin thjesht aty për sigurië financiare, por edhe burim jetik për t’i përballuar vështirësitë ekonomike të kohës. Humbja e këtyre fondeve e përkeqësoi edhe më shumë situatën tashmë të rënduar të shqiptarëve/eve të Kosovës, të cilët veç ishin dëbuar nga vendet e punës dhe përzënë nga shtëpitë e tyre, duke i lënë pa punësim, strehim dhe stabilitet financiar. Ky akt i qëllimshëm i përjashtimit ekonomik e margjinalizoi edhe më shumë popullsinë shqiptare, duke thelluar varfërinë dhe shtuar sfidat e mbijetesës, nën politikat shtypëse të regjimit serb.

E kombinuar me shtypjen politike, humbjen masive të vendeve të punës, hiperinflacionin e shfrenuar dhe ndikimin e sanksioneve, të cilat krijuan mungesa të theksuara të mallrave bazike, kjo situatë e zhyti Kosovën në mjerim të thellë ekonomik. Ta zëmë, një shprehje e zakonshme që e dëgjojmë edhe sot kur takojmë dikë pas një kohe të gjatë, është “Ke hup si faksi!”, që i referohet një detergjenti për pastrim, i cili u bë i njohur për mungesën e madhe në stoqe për shkak të sanksioneve.

Varfëria u përkeqësua pasi një numër gjithnjë e më i madh i familjeve ranë nën nivelin e mbijetesës. Shoqata humanitare “Nëna Terezë”, ndër të parat të themeluara për ta zbutur varfërinë dhe vështirësitë socio-ekonomike në fillim të viteve të ‘90-a, duke marrë si referencë madhësinë mesatare të familjes përbërë nga 6.5 personash, raportoi se numri i familjeve që merrnin ndihmë bazike ushqimore u rrit me mbi 32% brenda vetëm dy vitesh — nga 43,320 në vitin 1992 në 57,353 deri në vitin 1994. Ky përshkallëzim nënkuptonte se numri i individëve që jetonin në kushte të varfërisë ekstreme u rrit nga rreth 282,000 në vitin 1992 në 373,000 deri në vitin 1994.

Deri në vitin 1994, kjo krizë kishte bërë që një në pesë shqiptarë/e në Kosovë të varej nga ndihma humanitare. Përpos kësaj, shumica dërrmuese e popullsisë mbeti pa sigurime shoqërore, duke i përjashtuar automatikisht nga shërbimet shëndetësore shtetërore. Ky privim e thelloi edhe më tej përpjekjen për mbijetesë për qindra-mijëra familje, duke nxjerrë në pah ndikimin e rëndë socio-ekonomik të kësaj periudhe.

Ngritja e institucioneve të reja dhe lindja e sipërmarrjeve kapitaliste

Dëbimi i shqiptarëve nga institucionet jugosllave dhe ndryshimet drastike politike në Evropë pas rënies së Murit të Berlinit dhe kolapsit të socializmit në bllokun sovjetik, i hapën rrugën pluralizmit politik në Kosovë. Si përgjigje ndaj aparteidit të imponuar nga regjimi serb, më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli kushtetutën e re, në përpjekje për ta kundërshtuar regjimin shtypës që po vendosej. Ndonëse autoritetet serbe e shpallën të paligjshëm Kuvendin, ky i fundit ia doli ta formonte një qeveri në hije, e cila funksionoi në ekzil dhe u udhëhoq nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, i cili në vitin 1992 u zgjodh president i Kosovës.

Shpirti ndërmarrëss u bë një tipar përcaktues i asaj periudhe, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e komunitetit për t’u përshtatur përballë vështirësive.

Qeveria në ekzil e LDK e inicioi Fondin e 3%, që u bënte thirrje shqiptarëve/eve, veçanërisht atyre që punonin jashtë vendit, të kontribuonin me 3% ose më shumë nga pagat e tyre. Ky fond financoi kryesisht institucionet paralele të Kosovës, duke mbështetur arsimin, shëndetësinë dhe nevojat bazike për shtresat më të varfra të komunitetit. Edhe pse kishte pushtet të kufizuar në hartimin e politikave, ky fond shpërfaqte përpjekjet për mobilizimin e burimeve për popullsinë shqiptare të Kosovës nën kushte ekstreme.

Teksa sistemi paralel i ka meritat për mbajtjen në funksion të shërbimeve qenësore, veçanërisht arsimit dhe shëndetësisë, atij i mungonin politikat ekonomike të nevojshme për ta përballuar rritjen alarmante të papunësisë dhe varfërisë, pas dëbimit masiv të punëtorëve/eve shqiptarë/e në Kosovë.

Njëra nga nismat që synonte t’i adresonte këto çështje ishte themelimi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në vitin 1990. Duke vepruar si organizatë ombrellë, BSPK koordinonte sindikatat dhe organizonte protesta për t’i kundërshtuar “masat emergjente” shtypëse të Serbisë, të cilat përfshinin shfuqizimin e autonomisë, dëbimin masiv të punëtorëve/eve shqiptarë/e, shtypjen e të drejtave politike dhe civile, marrjen nën kontroll të burimeve kryesore ekonomike, rritjen e pranisë policore dhe ushtarake, si dhe kufizimet kulturore dhe arsimore që shënjestronin identitetin shqiptar. Megjithatë, kjo bashkësi sindikatash kishte mundësi të siguronte mbështetje ekonomike për punëtorët/et e dëbuar, shumica e të cilëve ishin të rinj; në vitin 1991, rreth 58% e popullsisë së Kosovës ishte nën moshën 25-vjeçare. Kështu, shqiptarët/et e Kosovës përballeshin me dy rrugë kryesore: migrimin ose sipërmarrjen.

Me mundësi të kufizuara, shumë shqiptarë/e të Kosovës kërkuan punë jashtë vendit, sidomos në Evropën perëndimore, ndërsa të tjerë iu kthyen sipërmarrjeve, duke krijuar biznese të vogla ose duke u angazhuar në tregti joformale në tregjet vendase. Ky shpirt ndërmarrëss u bë një tipar përcaktues i asaj periudhe, duke dëshmuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e komunitetit për t’u përshtatur përballë vështirësive.

Ndërmarrësia u përqendrua kryesisht te bizneset e vogla familjare, përfshirë kompani tregtare, agjenci udhëtimesh, restorante dhe disa aktivitete të vogla prodhuese. Këto nisma, të nxitura më shumë nga nevoja për mbijetesë sesa nga dëshira për fitim, nxorën në pah aftësinë për t’u gjendur, që buroi nga domosdoshmëria gjatë njërës prej periudhave më sfiduese për Kosovën. Këto ngjarje përshkruhen thukët në fragmentin e mëposhtëm:

Menjëherë u regjistruan disa qindra taksi, komba, kamionë dhe mini-busë, të cilët morën përsipër linjat urbane dhe ndër-urbane (dyfishi i kësaj shifre filloi të operonte pa regjistrim). Një proces i ngjashëm ndodhi me mijëra shitore të vogla dhe rrjete furnizimi me mallra, ku shpërndarja e mallrave u privatizua plotësisht. Agjencitë turistike u shumuan me shpejtësi, pasi një familje mund të mbijetonte vetëm nga tarifat e administrimit të biletave. Po ashtu, u hapën shumë shpejt edhe kafene, restorante dhe biznese të tjera. Shumë nëpunës civilë zbuluan talentet e tyre të fshehura për sipërmarrje dhe nuk ishin pishman që humbën vendet e punës, që u sillnin vetëm 100 dollarë në muaj, kur e kuptuan se mund ta fitonin trefishin e kësaj shifre dhe të nxirrnin fitime të konsiderueshme.

Përveç ballafaqimit me një sërë sfidash të imponuara nga autoritetet serbe — kontrolle të paligjshme, marrje në pyetje dhe konfiskime — mjedisi ekonomik për bizneset e sapokrijuara shqiptare ishte jashtëzakonisht i pafavorshëm. Disa sfida strukturore kontribuuan në këtë peizazh të zymtë.

Së pari, nuk kishte pothuajse asnjë institucion publik të qasshëm për t’i mbështetur këto biznese. Financimi ishte po aq i vështirë, pasi bankat kontrolloheshin plotësisht nga regjimi serb, duke kufizuar qasjen në kredi. Së dyti, shqiptarët u përballën me pengesa të mëdha në privatizimin e aseteve nga ndërmarrjet shoqërore, gjë që kufizoi mundësinë e tyre për t’i themeluar ose zgjeruar bizneset. Ashtu si në rastet e tjera të krizave post-socialiste, edhe në ish-republikat jugosllave ky proces u shoqërua me shumë mundësi për korrupsion dhe përvetësim të aseteve, ku individë apo kompani me lidhje politike përfituan nga procesi i privatizimit, duke blerë asete që kishin vlerë të lartë, me çmime shumë më të ulëta se tregu, duke thelluar kështu pabarazitë ekonomike. Së treti, papunësia dhe hiperinflacioni kishin ulur ndjeshëm kërkesën, duke krijuar pengesa të mëtejshme për zhvillimin e bizneseve.

Hiperinflacioni gjithashtu çoi në një zhvlerësim të shpejtë të dinarit, valutës zyrtare të Jugosllavisë, duke e bërë atë të paqëndrueshëm për kursime ose transaksione. Ekonomia formale, e rënduar nga çmimet e kontrolluara nga shteti dhe rregullat kufizuese, u përball me vështirësi në përshtatjen ndaj devalvimit, ndërsa burokracia e centralizuar vetëm sa përkeqësoi joefikasitetin. Shumë biznese, në pamundësi për të siguruar burime apo për të prodhuar mallra me kosto të përballueshme, iu drejtuan gjithnjë e më shumë burimeve joformale. Si rezultat, tregjet e paautorizuara dhe të zeza lulëzuan, duke zhvendosur aktivitetin ekonomik jashtë sektorit formal.

Shqiptarët e Kosovës u prekën veçanërisht nga zhvlerësimi i dinarit, duke i detyruar të kalonin transaksionet e tyre në valuta më të qëndrueshme, kryesisht markën gjermane (Deutsche Mark).

Aktivitetet e paligjshme, megjithëse kishin ekzistuar edhe më herët, u shtuan gjatë viteve të ‘90-a, pasi hiperinflacioni, luftërat dhe sanksionet e ushqyen ekonominë e tregut të zi në Serbi. Rrjetet kriminale serbe dominuan tregtinë e mallrave të kontrabanduara dhe këmbimin valutor, me udhëheqës bandash dhe huliganë futbolli që kontrollonin importet e tregut të zi dhe konvertimin e valutës. Shqiptarët e Kosovës u prekën veçanërisht nga zhvlerësimi i dinarit, duke i detyruar të kalonin transaksionet e tyre në valuta më të qëndrueshme, kryesisht markën gjermane (Deutsche Mark). Kjo krijoi rrugë të re ndërmarrësie: operimin si shitës ambulantë në tregjet e zeza të këmbimit valutor.

Pavarësisht këtyre vështirësive, numri i bizneseve shqiptare u rrit ndjeshëm. Midis viteve 1987 dhe 1995, numri i ndërmarrjeve të vogla në pronësi të shqiptarëve u rrit me mbi 969% — nga 1,733 në 18,534. Megjithatë, vetëm rreth një e treta e tyre ishte plotësisht funksionale, duke punësuar afërsisht 20,000 punëtorë/e. Këto biznese, të kufizuara kryesisht në piceri, pika karburanti dhe markete të vogla, mbështeteshin kryesisht në punën familjare, duke ofruar shumë pak mundësi punësimi për pjesëtarë jashtë familjes. Në vitin 1997, rreth 65% e popullsisë në moshë pune konsiderohej “‘ekonomikisht joaktive’ — ose thjesht ‘e papunë’, siç e përshkruanin ekspertët vendas”.

Mungesa e një politike ekonomike kombëtare u reflektua në mënyra të ndryshme. Mospërputhjet në informacione ishin veçanërisht të shprehura, pasi Kosova nuk kishte institucione që të mund ta koordinonin në mënyrë efektive shpërndarjen e burimeve. Për shembull, Kosova ishte në gjendje të prodhonte 75% të grurit që i nevojitej, por për shkak të shpërndarjes së paorganizuar, i duhet të importonte më shumë se gjysmën e tij nga Serbia, duke i kushtuar vendit 60 milionë marka gjermane. Ndërkohë që prodhonte më shumë qumësht sesa konsumonte, gati një e treta e qumështit të konsumuar importohej, pasi 22 fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë u përvetësuan nga një kompani me seli në Beograd.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, mungesa e alternativave të qëndrueshme dhe kufizimet e ashpra, të vendosura nga regjimi, çuan në një ekonomi të diktuar më shumë nga nevoja sesa në një bojkot të qëllimshëm.

Teksa institucionet paralele ia dolën t’u rezistonin masave shtypëse të regjimit, ekonomia e Kosovës funksionoi kryesisht sipas modelit të laissez-faire — një model i mbijetesës dhe jo i vetëvendosjes ekonomike. Kjo qasje e diktuar nga nevoja për mbijetesë dallon nga strategjitë ekonomike, që janë ndjekur historikisht nga popullatat e kolonizuara, të cilat kanë synuar ta sfidojnë kontrollin e kolonizatorëve mbi ekonominë e tyre.

Në një varg rastesh, rezistenca ekonomike ka luajtur rol kyç në përpjekjet e grupeve të shtypura për ta kundërshtuar shfrytëzimin kolonial dhe sistemik. Për shembull, gjatë Revolucionit Haitian (1791-1804), afrikanët e skllavëruar shkatërruan ekonominë koloniale franceze të plantacioneve, duke dëmtuar plantacionet e sheqerit, të cilat ishin shtylla kryesore e pasurisë koloniale dhe duke adoptuar sisteme të vetëqëndrueshme të bujqësisë. Kjo shkëputje ekonomike kontribuoi që Haiti të bëhej republika e parë e pavarur me shumicë zezake dhe kombi i parë modern që çrrënjosi skllavërinë.

Në Indi, Lëvizja Swadeshi, në fillim të shekullit XX, iu kundërpërgjigj dominimit ekonomik britanik dhe ndarjes së Bengalit, duke promovuar bojkotin e mallrave britanike, sidomos të tekstilit, dhe duke ringjallur industritë vendore, si prodhimin e khadit (pambukut të tjerrur). Kjo strategji dëmtoi interesat ekonomike britanike dhe forcoi ndjenjën e nacionalizmit indian. Më vonë, në vitin 1930, Mahatma Gandhi udhëhoqi Marshin e Kripës, një akt i fuqishëm ekonomik që kundërshtonte taksat koloniale për kripën, të vendosura me forcë nga britanikët. Duke marshuar deri në det dhe duke prodhuar kripë në mënyrë të pavarur, Gandhi dhe ndjekësit e tij sfiduan monopolin kolonial, duke frymëzuar pjesëmarrje masive në aktet e rezistencës dhe duke shtyrë përpara lëvizjen për pavarësi.

Ngjashëm, gjatë periudhës së aparteidit në Afrikën e Jugut (1948 – vitet e ‘90-a), afrikanët jugorë të zinj kundërshtuan përjashtimin ekonomik dhe shtypjen politike përmes fushatave të bojkotit ndaj bizneseve në pronësi të të bardhëve, krijimit të kooperativave dhe bashkëpunimit me aleatë ndërkombëtarë, të cilët vendosën sanksione dhe bojkotuan bizneset e lidhura me regjimin e aparteidit. Ky presion i kombinuar i brendshëm dhe i jashtëm e dobësoi ndjeshëm regjimin e aparteidit, duke çuar kështu në shkatërrimin e tij. Së bashku, këto raste theksojnë ndikimin e fuqishëm të rezistencës ekonomike në sfidimin e shfrytëzimit të vazhdueshëm dhe nxitjen e lëvizjeve çlirimtare.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, mungesa e alternativave të qëndrueshme dhe kufizimet e ashpra, të vendosura nga regjimi, çuan në një ekonomi të diktuar më shumë nga nevoja sesa në një bojkot të qëllimshëm. Përqendrimi ishte kryesisht te mbijetesa e atypëratyshme dhe jo te rezistenca e organizuar kundër sistemeve ekonomike të shtypësit.

Lidhjet që bashkojnë

Qëndresa e popullsisë së Kosovës gjatë viteve të ‘90-a, pavarësisht rrethanave shtypëse, u mbështet me të madhe në solidaritetin përbrenda familjeve dhe komuniteteve shqiptare. Me pothuajse 90% të shqiptarëve të pushuar nga vendet e punës, mbijetesa u bë e mundur falë mbështetjes bujare nga anëtarët e familjes, si brenda Kosovës, ashtu edhe jashtë saj. Ky solidaritet nuk ishte thjesht fenomen shoqëror, por edhe mbështetje financiare e domosdoshme, ku diaspora luajti rol kyç.

Regjimi jugosllav, prej kohësh i kishte inkurajuar shqiptarët e Kosovës që të emigronin dhe, gjatë fillimit të viteve të ‘90-a, numri i kosovarëve që largoheshin nga rajoni u rrit, teksa situata po përkeqësohej. Valë masive emigrimi ndodhën veçanërisht në fillim të viteve të ‘90-a, kur gjendja politike po përkeqësohej me ritme të shpejta. Rreth 100,000 shqiptarë shpërfillën thirrjen për t’iu bashkuar ushtrisë jugosllave, kështu që shumë prej tyre iu desh të largoheshin nga vendi, kryesisht drejt Evropës perëndimore.

Emigrimi nga Kosova

Mes viteve 1992 dhe 1993, numri i emigrantëve nga Kosova në vendet e Evropës perëndimore u rrit gati 70% — nga 217,000 në vitin 1992 në 368,000 në vitin 1993. Gjithashtu, deri në vitin 1993, rreth 25,000 e tyre u vendosën në Shqipëri.

Megjithëse kishin lënë Kosovën, lidhja e tyre me vendlindjen mbeti e fortë. Ata kontribuuan ndjeshëm përmes remitencave, të cilat mbështetën familjet e tyre në vend. Këto remitenca jo vetëm që siguruan mbijetesën e familjeve, por gjithashtu financuan institucionet përmes Fondit të 3% dhe ndihmuan në financimin e përpjekjeve për luftë përmes fondeve emergjente, si nisma “Vendlindja thërret”, e themeluar qysh në vitin 1993.

Nga një këndvështrim ekonomik, përllogaritja e ndihmës së diasporës është veçanërisht interesante. Megjithëse të dhënat e sakta mbi remitancat mungojnë, mund ta vlerësojmë ndikimin e tyre në ekonominë e Kosovës duke analizuar diferencën mes Bruto Produktit Vendor (BPV) dhe të Ardhurave Kombëtare Bruto (AKB).

Vizualizimet e mëposhtme e shpjegojnë këtë më në hollësi:

Nga viti 1990 deri në 1999, Kosova kishte hendekun më të madh midis AKB dhe BVP krahasuar me çdo ish-republikë jugosllave. Duke pasur parasysh dy çështje — së pari, që këto nuk janë matje të drejtpërdrejta të remitencave dhe, së dyti, që po përdorim vlerësime të përafërta të BPV dhe AKB nga OKB — këto përllogaritje duhet të interpretohen më shumë për intuitën sesa saktësinë. Megjithatë, ndonëse nuk mund të themi sigurt se cila pjesë e kësaj diference i atribuohet remitencave, marrë parasysh rrethanat ekonomike të përshkruara më herët dhe rrëfimet personale si dëshmi nga ajo periudhë, këto vlerësime sugjerojnë fuqishëm se diaspora shqiptare luajti rol qenësor në financimin e ekonomisë së mbijetesës së Kosovës gjatë periudhës më të errët të saj.

Vlerësimi i humbjeve ekonomike të Kosovës

Vështirësitë e viteve të ‘90-a e kthyen prapa progresin ekonomik të Kosovës për dekada, me ndikimin e tyre që vazhdoi të ndihej edhe pas fillimit të shekullit të ri. Edhe pse çlirimi, në qershor të vitit 1999, solli shpresë dhe mundësi të reja, humbjet ekonomike të Kosovës gjatë viteve të ‘90-a ishin unike, pasi nuk buronin vetëm nga sfidat e zakonshme të tranzicionit nga socializmi në një ekonomi tregu, por edhe nga politikat shtypëse të aparteidit, të imponuara nga Serbia, të cilat gjymtuan ekonominë dhe shoqërinë.

Për ta vlerësuar koston totale ekonomike të kësaj periudhe, do ta përllogaris hendekun e prodhimit duke krijuar një skenar hipotetik, ku ekonomia e Kosovës do të kishte mbetur e ngecur në nivelin e vitit 1990. Me fjalë të tjera, supozojmë rritje ekonomike zero nga viti 1990 e tutje dhe më pas llogarisim diferencën vjetore midis këtij skenari dhe BPV reale.

Vështirësitë politike dhe ekonomike me të cilat u përball Kosova gjatë viteve të ‘90-a janë rrëfime që meritojnë të kujtohen — jo për të nxitur urrejtje apo hakmarrje, por si plagë e një lufte të gjatë, e cila në fund çoi në çlirimin e vendit. Këto kujtime janë dëshmi e qëndrueshmërisë, një rikujtim i rrugës së vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë — pa të cilat asnjë arritje ekonomike nuk do të kishte ndonjë vlerë.

 

Imazhi i ballinës: Creative Commons.


Kthehu prapa te Monografia.

Bibliografia:

Blaku, R. (1996). Hintergrunde der Auswanderung von Albanern aus Kosova in die westeuropaischen Staaten: Moglichkeiten der Wiedereinbiirgerung in der Heimat. Vienna.

Bolt, J., & van Zanden, J. L. (2014). “The Maddison Project: collaborative research on historical national accounts.” The Economic History Review, 67(3), 627-651.

Clark, H. (2000). Civil Resistance in Kosovo. London: Pluto Press.

Héthy, L. (2000). “Employment and workers’ protection in Kosovo.” SEER: Journal for Labour and Social Affairs in Eastern Europe, 3(2), 9-24.

Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History. New York: New York University Press.

Petrović, P., Bogetić, Ž., & Vujošević, Z. (1999). “The Yugoslav Hyperinflation of 1992-1994: Causes, Dynamics, and Money Supply Process.” Journal of Comparative Economics, 27(2), 335-353.

Rocha, R. D. (1992). “Inflation and stabilization in Yugoslavia.” Contemporary Economic Policy, 10(4), 21-38.

United Nations. (2024). National Accounts – Analysis of Main Aggregates (AMA). Retrieved from The National Accounts Section of the United Nations Statistics Division: https://unstats.un.org/unsd/snaama/Index

Vickers, M. (1998). Between Serb and Albanian: A History of Kosovo. New York: Columbia University Press.

Woodward, S. L. (1995). Balkan Tragedy: Chaos and Dissolution after the Cold War. Washington D.C.: The Brookings Institution.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.