Pikëpamje | Politika

Ku jetojmë e ku votojmë

Nga - 07.11.2025

Dilema e votës time mes dy vendbanimeve.

Unë banoj e punoj në Prishtinë. Përdori autobusët e mbingarkuar të saj, pi ujin me mangan, marr frymë në ajrin e ndotur, shpenzoj në lokalet e gastronomisë e markete dhe paguaj qiranë çdo muaj. 

Pra, çdo ditë marr shërbime dhe i kontribuoj ekonomisë lokale të kryeqytetit. Por kur vjen dita për të votuar në zgjedhje lokale, hip në veturë dhe udhëtoj drejt Kamenicës për ta hedhur votën time. Ligjërisht jam ende banor i Kamenicës, atje ku paguaj tatimin në pronë dhe i kaloj shumicën e fundjavave me prindërit. Një realitet të ngjashëm e ndajnë edhe shumë persona tjerë që punojnë dhe banojnë në Prishtinë. 

Centralizimi i mundësive për një të ardhme më të mirë në kryeqytet dhe mungesa e investimeve në komunat e tjera kanë bërë që, në një vend me rreth 1.6 milion banorë, afërsisht një e treta e popullsisë të jetojë në Prishtinë. Migrimi i brendshëm, ku 16% e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në një komunë tjetër nga ajo e lindjes, i është shtuar migrimit të jashtëm, që ka bërë që popullsia e komunave të tjera të tkurret çdo vit. 

Ndryshe nga ky trend, sipas matjeve të Komunës së Prishtinës, popullsia e kryeqytetit është rritur ndjeshëm dhe sot llogaritet të jetë mbi 400.000 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 2011, Prishtina kishte 198.897 banorë, ndërsa rreth 13 vjet më vonë, regjistrimi i vitit 2024 evidentoi 227.466 banorë – vetëm 28.569 më shumë. Megjithatë, ky numër është larg realitetit, pasi çdo vit kryeqytetit i shtohen banorë të rinj: studentë që mbeten në kryeqytet pas përfundimit të studimeve për shkak të mundësive më të mira të punësimit, apo çifte të reja që për të njëjtat arsye zgjedhin Prishtinën si vendbanimin e tyre.

Kjo ka sjellë një bum ndërtimesh dhe një zgjerim të shpejtë vertikal të qytetit, ku kërkesa për strehim është kthyer në nxitësin kryesor të zhvillimit urban. Megjithatë, shumë prej këtyre ndërtimeve nuk plotësojnë kushtet bazike të jetesës urbane – si çerdhe, hapësira publike apo zona rekreative në çdo lagje – duke e bërë zgjerimin e qytetit më shumë pasojë të nevojës sesa rezultat të një planifikimi që synon cilësinë e jetës.

Megjithatë, këta banorë nuk përkthehen në votues meqë shumica ende figurojnë si banorë të komunave prej nga vijnë, ku edhe votojnë. Në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, të drejtë vote në kryeqytet patën vetëm 222.326 qytetarë, pothuajse gjysma e numrit të atyre që jetojnë realisht në të.

Pse nuk votoj në Prishtinë?

A është më e drejtë të vendos për të ardhmen e një vendi ku nuk jetoj më, apo për atë ku realisht ndërtoj jetën time? Kjo është një lloj dileme e ngjashme me debatin që zhvillohet çdo palë zgjedhjesh për votuesit e diasporës: pse duhet të votojnë në zgjedhje qendrore e lokale, kur nuk jetojnë në Kosovë shumicën e kohës? Edhe pse Kosova ka rreth 1.5 milion banorë rezidentë, në listën e votuesve figurojnë mbi dy milionë votues. Në zgjedhjet e fundit lokale u regjistruan edhe 44.000 votues nga diaspora.  

Në komuna të vogla si Kamenica, ku në zgjedhjet lokale të tetorit votuan më pak se 15.000 qytetarë, çdo votë ka peshë më të madhe sesa në qytete të mëdha si Prishtina. Matematikisht, vota ime “vlen” më shumë aty, sepse ndikimi i çdo votuesi në rezultatin përfundimtar është më i madh në një trup elektoral të vogël. Por në të njëjtën kohë, qëllimi i votës nuk është thjesht pesha numerike që mbart, por ndikimi real që mund të ketë në jetën e përditshme. Edhe pse nuk jetoj më në Kamenicë, e njoh më mirë kontekstin politik atje, njerëzit që kandidojnë dhe mundësitë reale të asaj që mund të arrihet, gjë që, për mua, e arsyeton e bën vendimin për të votuar atje.

Megjithatë, ky hendek mes vendbanimit real dhe vendbanimit ligjor nuk është vetëm çështje përfaqësimi politik, por edhe çështje financiare që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve publike. 

Buxheti komunal në Kosovë përcaktohet përmes një formule të miratuar nga Ministria e Financave (MF), që kombinon grantet qendrore me të hyrat vetanake të komunave. Grantet ndahen në të përgjithshme dhe të kushtëzuara: të parat u mundësojnë komunave të planifikojnë sipas prioriteteve të tyre, ndërsa të dytat caktohen për fusha si arsimi, shëndetësia e shërbimet sociale. 

Çka ndodh kur, njësoj si unë, edhe 200.000 banorë të Prishtinës zgjedhin të mbesin të regjistruar dhe të votojnë në komunat që vizitojnë vetëm fundjavave?

Formula bazohet kryesisht në numrin e popullsisë së regjistruar, numrin e nxënësve dhe pacientëve, përbërjen etnike dhe madhësinë territoriale. Në parim, komunat ku numri i banorëve është në rënie, si Kamenica, humbin mjetet financiare, ndërsa ato që kanë rritje të numrit të banorëve, si Prishtina, marrin buxhet shtesë. 

Çka ndodh kur, njësoj si unë, edhe 200.000 banorë të Prishtinës zgjedhin të mbesin të regjistruar dhe të votojnë në komunat që vizitojnë vetëm fundjavave? Fakti që shumë qytetarë figurojnë ende si banorë të komunave të vogla ku nuk jetojnë më, e ruan artificialisht numrin e lartë të popullsisë së regjistruar atje, dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen e buxhetit komunal. Por ky përfitim figuron vetëm në letër, sepse mjetet financiare ndahen për banorë që nuk jetojnë më aty, ndërsa shërbimet publike planifikohen për njerëzit që realisht jetojnë në atë komunë, duke krijuar një pabarazi të dyfishtë.

Ky boshllëk midis “banimit ligjor” dhe “banimit real” e bën sistemin e financimit lokal joefikas dhe të padrejtë për të dy palët.

Në vitin 2024, kur u krye regjistrimi i popullsisë në Kosovë, kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, tha se mungesa e të dhënave të sakta për numrin e banorëve në kryeqytet, e gjymton edhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët:

“Ne marrim numra prej nivelit qendror që të mund të punësojmë administratorë dhe shërbyes civilë, të cilët do të mund t’u shërbejnë qytetarëve. Ne marrim leje për të punësuar një numër të caktuar në relacion me numrin e banorëve rezidentë të kryeqytetit. Mirëpo, sikur sot, për shembull që Prishtina i ka të regjistruar 189 mijë banorë, kështu si e dimë ne në bazë të metrave të rrymës dhe të ujit, numri i qytetarëve të cilët jetojnë në kryeqytet janë mbi 400 mijë banorë e kjo është edhe në bazë të matjeve që i ka bërë edhe Banka Botërore. Pra, është dyfishi i qytetarëve që u shërbejmë me gjysmën e stafit që e kemi për momentin”, kishte thënë Rama në prill të viti 2024.

Kjo mospërputhje bën që vendimmarrja lokale të ndikohet nga votues që nuk i përjetojnë drejtpërdrejt pasojat e politikave lokale. Kështu, asambletë komunale dhe kryetarët e komunave shpesh marrin vendime që prekin banorë të cilët nuk kanë pasur mundësi reale të ndikojnë në to, ndërsa një pjesë e atyre që jetojnë përditë në qytete si Prishtina, por votojnë diku tjetër, mbeten të paintegruar në jetën politike të qytetit ku e kalojnë pjesën më të madhe të kohës. 

Në këtë kontekst, komunat shpesh udhëhiqen nga platforma politike të cilave u japin votë njerëz që nuk jetojnë aty dhe nuk mund t’i mbajnë përgjegjës për premtimet dhe veprimet e tyre, çka dobëson llogaridhënien dhe prish lidhjen mes qytetarit dhe pushtetit lokal, duke larguar demokracinë nga përditshmëria e njerëzve.

Arsyeja vs. përkatësia

Për ta korrigjuar këtë sistem në dobi të komunave, ku buxheti dhe qeveria lokale u përgjigjen nevojave të banorëve, nevojiten ndryshime në disa nivele.

Së pari, Kosova duhet të hapë një debat serioz rreth mënyrës se si ndahen grantet komunale. Nëse buxhetet lokale vazhdojnë të bazohen vetëm në numrin e banorëve të regjistruar, e jo në numrin real të atyre që jetojnë në një komunë, shpërndarja e burimeve publike do të mbetet e pabarabartë. Një mekanizëm që kombinon të dhënat e regjistrimit me të dhëna reale të banimit, që mblidhen përmes shërbimeve publike apo institucioneve të tjera, do të ishte një hap drejt barazisë fiskale ndërmjet komunave.

Së dyti, institucionet duhet të zbatojnë Ligjin për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin, i cili obligon qytetarët që për çdo ndryshim vendbanimi, brenda ose jashtë vendit, t’i njoftojnë institucionet përgjegjëse. Zbatimi i këtij ligji do ta bënte më të lehtë identifikimin e lëvizjes së popullsisë. 

A duhet të votojmë aty ku ndihemi të lidhur emocionalisht apo aty ku jetojmë çdo ditë dhe përballemi me pasojat e vendimeve lokale?

Së treti, kjo çështje lidhet edhe me identitetin politik lokal. A duhet të votojmë aty ku ndihemi të lidhur emocionalisht apo aty ku jetojmë çdo ditë dhe përballemi me pasojat e vendimeve lokale? Asnjë përgjigje nuk është e thjeshtë, por shtrimi i kësaj pyetjeje është i domosdoshëm për një demokraci që funksionon në përputhje me realitetin shoqëror. Ky debat duhet t’i përfshijë qytetarët, partitë politike, shoqërinë civile dhe institucionet publike. Vetëm kështu mund të krijohet një sistem votimi dhe financimi lokal që i përgjigjet dinamikave të reja demografike në vend.

Megjithatë, nëse duam që demokracia lokale të jetë përfaqësuese dhe funksionale, sistemi duhet të pasqyrojë realitetin, jo vetëm lidhjen emocionale. Duhet të ndërtojmë një kornizë që ruan barazinë financiare, duke mos i ndëshkuar me shkurtim buxhetor komunat që po pësojnë rënie demografike, por as i mban artificialisht gjallë në dëm të atyre që po rriten. Ky është një vendim që kërkon vullnet politik, por edhe një debat të mirëfilltë për mënyrën si duam të jetojmë dhe të qeverisemi.

Por kjo është edhe një pyetje për shoqërinë: a duam të vazhdojmë të jetojmë në një sistem që nuk pasqyron realitetin demografik, apo duam të ndërmarrim hapa për ta bërë demokracinë lokale më të drejtë dhe më përfaqësuese?

Në teori e di që vota ime do të kishte më shumë kuptim në Prishtinë, aty ku jetoj çdo ditë dhe përballem me pasojat e politikave lokale. Por kur vjen dita e zgjedhjeve, ajo ende kthehet në Kamenicë, si dëshmi se arsyeja e logjika shpesh ndeshen me ndjenjën e përkatësisë. Që kjo dilemë të mos mbetet personale, por të adresohet në mënyrë sistemike, nevojitet një debat i gjerë publik për përgjegjësinë qytetare dhe një rishikim i kornizës ligjore që e përafron votën me vendbanimin real.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona-Atdhe Mulla/K2.0

 Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

KOMENTO