Në vitin 2005, një redaktor i Cornell University Press më kërkoi të shkruaja një recensë për dorëshkrimin e një libri të titulluar “Speaking Loudly and Carrying a Small Stick: Why the World Could not Transform Kosovo”, [shqip: Të flasësh me zë të lartë dhe ta mbash një thupër të vogël: Pse bota nuk ia doli ta transformonte Kosovën]. Më thanë se libri tashmë ishte pranuar për botim në Mbretërinë e Bashkuar. Cornell po shqyrtonte mundësinë për botim në tregun e Shteteve të Bashkuara.
Kur e pranova, dorëshkrimit i ishin hequr gjithkund emrat e autorëve. Pasi e lexova, u trondita nga përmbajtja. Ishte një thirrje e hapur për kthim në kolonializëm. Në fakt, dorëshkrimi ishte kritik ndaj njerëzve në organizata ndërkombëtare, të cilët vuanin nga “faji për abuzimet historike koloniale” dhe për këtë arsye ishin për së tepërmi tolerantë ndaj zakoneve vendore. Për mua, një premisë e tillë ishte e papranueshme moralisht dhe politikisht dhe këtë brengë ia shpreha redaktorit.
Pas disa korrespondencave tjera, vendosa ta shkruaj një recensë të gjatë kritike. Me gjithë kundërshtimet e mia të forta, libri u botua në vitin 2006, ndonëse me një titull tjetër: “Peace at Any Price: How the World Failed Kosovo”, [shqip: Paqe me çdo kusht: Si dështoi bota në Kosovë]. Redaktori e shpjegoi vendimin e tij duke u mbështetur në potencialin e librit në treg. Instinkti i tij doli të jetë i saktë: libri u shit mirë dhe u citua gjerësisht. U përkthye në shqip dhe u botua në Kosovë. Mori vlerësime pozitive nëpër revista akademike. Madje, njërit prej autorëve iu nda Urdhri i Perandorisë Britanike (OBE), për shërbimet në qeverisje në Libi, Afganistan dhe Kosovë. Autori tjetër vazhdoi punën e tij për ndërtimin e paqes, ndër të tjera, në Irak, Azerbajxhan, Pakistan dhe Ukrainë.
Kohët e fundit, teksa po kërkoja disa tekste tjera nëpër dosjet e mia në USB, krejt rastësisht e gjeta recensën që kisha shkruar. Më la shumë përshtypje fakti se sa pak gjëra kanë ndryshuar në marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës që nga viti 2005, pavarësisht shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Vështrimi kolonial, i cili pret që akterët vendorë t’u përshtaten paragjykimeve të tij dhe nuk lë hapësirë për manovrim në politikën vendore, vazhdon ta mbajë të njëjtin avaz. Kërkesa e kosovarëve/eve që t’u njihet sovraniteti i tyre, posaçërisht nga Serbia, ende shihet me dyshim. Edhe sot e kësaj dite, udhëheqësit politikë në Kosovë vazhdojnë të portretizohen si politikisht të papjekur, të paqëndrueshëm dhe të paarsyeshëm: të prirur për të bërë kërkesa maksimaliste, duke mos ditur vendin e tyre në tryezë.
Po e shpalos këtu recensën e plotë, me ndryshime të vogla redaktoriale. Unë e shoh hendekun midis leximit tim të librit dhe suksesit të tij botëror si një shënjues i kohës në të cilën po jetojmë. Është një paralajmërim, ndoshta, për të gjithë ata njerëz, aspiratat politike të të cilëve/ave, varen nga aktet e dashamirësisë së fuqive të mëdha: pavarësisht se çka arrini apo ku dështoni, historia juaj do të tregohet gjithmonë nga ata që flasin me zë më të lartë dhe mbajnë thupra të mëdha.
Të flasësh me zë të lartë dhe ta mbash një thupër të vogël: Pse bota nuk ia doli transformonte Kosovën
Recensë për dorëshkrimi për Cornell University Press
2005
“Të flasësh me zë të lartë dhe ta mbash një thupër të vogël: Pse bota nuk ia doli ta transformonte Kosovën” është një dorëshkrim ambicioz. Përpiqet ta shpjegojë dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta “transformuar Kosovën — për herë të parë, me historinë e saj të gjatë dhe të karakterizuar me konflikte — në një shoqëri ku sundimi i ligjit zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët/et, pavarësisht pozitës apo përkatësisë së tyre etnike”.
Dorëshkrimi fillon me një rrëfim dramatik rreth trazirave të marsit të vitit 2004, që ndodhën pas mbytjes në Ibër të tre djemve shqiptarë. Djemtë u zhdukën në lumë, pasi hasën në një grup serbësh që jetonin në afërsi. Vdekjet e tyre shkaktuan dhunën më të ashpër në Kosovë, që prej kur Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) kishte marrë kontrollin: 19 persona (përfshirë shqiptarë dhe serbë) u vranë, mbi 1,000 u lënduan dhe rreth 800 shtëpi dhe 38 kisha, manastire dhe objekte të tjera fetare e kulturore u shkatërruan apo dëmtuan rëndë.
Sipas pikëpamjes së autorëve, trazirat vënë në pah dobësitë e misionit ndërkombëtar në Kosovë dhe se si “shpresat se bota do t’i mbante premtimet e saj për ta kthyer Kosovën në një shoqëri ku të gjithë anëtarët e saj do të mund të jetonin të sigurt dhe me dinjitet, ishin shkatërruar në vetëm 48 orë”. Sipas dorëshkrimit, mediet dhe politikanët shqiptarë fajësuan menjëherë serbët për fatin e djemve. Autorët i përshkruajnë trazirat si “dy ditë plaçkitjesh, zjarrvëniesh dhe vrasjesh” kur “mijëra shqiptarë të Kosovës u vërsulën nëpër gjithë territorin”.
Ndjenjat e tradhtisë, zhgënjimit dhe hidhërimit ndaj shqiptarëve, për shkak të mosmirënjohjes së ndaj ndërhyrjes ndërkombëtare, për të cilën bota kishte dhënë urdhër në emër të tyre, e karakterizon tekstin. Shumë punonjës/e që punojnë për organizatat ndërkombëtare i morën trazirat personalisht. Teksa po fliste për shqiptarët, një punonjës holandez pretendohet të ketë thënë: “Kemi punuar kaq shumë për ta — me të vërtetë shumë — veçanërisht ditëve të para. Dhe shihi se çka bëjnë ata!”
Portretizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve si përgjegjës për zhgënjimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj sjelljeve të tyre si viktima, është thellësisht shqetësues.
Gërshetimi midis zhgënjimit të autorëve ndaj shqiptarëve dhe gjoja-objektiviteti i tyre ndaj Kosovës të kujton një ese të Toni Morrison, “The Official Story: Dead Man Golfing”, [shqip: Historia zyrtare: Burri i vdekur duke luajtur golf], e cila trajton tensionet e parehatshme midis keqardhjes dhe racizmit. Morrison e ndërton esenë e saj rreth paraleleve mes procesit gjyqësor të OJ Simpson dhe përshkrimit të Henry Melville për skllevërit kryengritës në romanin “Benito Cereno”. Kjo është një histori në të cilën pikëpamja raciste e narratorit shpaloset gradualisht, teksa ai zbulon se skllevërit paqësorë dhe të nënshtruar në anije janë në fakt vrasës dhe rebelë të egër.
Por, siç thekson me të drejtë Morrison, është pikërisht kjo lëvizje, ky ndryshim në perceptim, që shfaq fotografinë e plotë të vështrimit racist. Teksa Cereno nuk i sheh më skllevërit si krijesa të thjeshta dhe fëmijërore, të cilët meritojnë ndihmë dhe simpati, por si përbindësha të dhunshëm të paarsyeshëm, bëhet e dukshme se të dy pozicionet ua mohojnë njësoj mundësinë për veprim strategjik dhe inteligjent atyre që shihen si më pak krijesa në krahasim me shpëtimtarin zemërgjerë.
Portretizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve si përgjegjës për zhgënjimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj sjelljeve të tyre si viktima, është thellësisht shqetësues. Ndoshta, dorëshkrimi do të kishte qenë më i besueshëm po të ishte shkruar në vetën e parë dhe nëse autorët do të ishin të gatshëm t’i adresonin burimet e pritshmërive të tyre të dështuara. Megjithatë, kështu siç është, mungesa e vetëdijes së tyre e fsheh atë që duhej të shpërfaqte — natyrën “e vërtetë” të shoqërisë kosovare — dhe nxjerr në pah atë që autorët njëmend donin të fshihnin — vetë perceptimet e tyre për botën.
Për këdo që din diçka për Kosovën, dorëshkrimi ofron fare pak përtej informacionit që është lehtësisht i qasshëm përmes rrjeteve të ndryshme informuese që mbulojnë Ballkanin. Për këdo që din pak, dorëshkrimi ofron një përshkrim politikisht të rrezikshëm të një toke kinse të mallkuar, të populluar me njerëz injorantë dhe të zjarrtë, që nuk mund të shpëtohen tjetërqysh— pos përmes ndonjë ushtrimi autoritar të pushtetit nga të jashtmit civilizues.
Imperializmi muskulor
Argumenti kryesor i autorëve duket të jetë se dështimi për ta transformuar Kosovën erdhi si rezultat i dështimit për t’i prezantuar vlerat perëndimore me forcë. Siç shkruajnë ata me shumë vetëbesim, “ishte një dështim klasik për ta vendosur pushtetin: ndërhyrja as nuk i detyroi dhe as nuk i bindi kosovarët të silleshin ashtu siç duhej”. Prandaj, mësimi thelbësor i librit është mjaft i thjeshtë — refuzimi i “perandorisë së butë” dhe një përqafim i imperializmit me muskuj:
“(…) shoqëritë e qëndrueshme nuk ndodhin hëpërhë, ato ndërtohen. Një ndërhyrje duhet të përgatitet për t’u ballafaquar me dhe për t’i mposhtur forcat që përfitojnë nga status quo dhe kështu luftojnë për ta ruajtur atë, ndonëse në vazhdën e konfliktit, këto forca do të jenë mjaft të forta. Ndërhyrja duhet ta imponojë vetveten dhe pastaj ta imponojë një nocion të ndryshimit progresiv, në mënyrë ideale një nocion që tashmë është aktiv, ose të paktën i fjetur, në vetë shoqërinë. Transformimi i një shoqërie të dhunshme, jofunksionale si ajo e Kosovës, në një shoqëri ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet, kërkon ekuivalentin politik të inxhinierëve luftarakë: njerëz të pajisur për të ndërtuar ura, nën zjarr”.
Dorëshkrimi duket se është ndërtuar mbi një kontradiktë të thellë. Autorët pohojnë se përgjegjësia përfundimtare për dështimin për ta transformuar Kosovën në një shoqëri që bazohet në rregullat perëndimore, i mveshet drejtpërdrejt bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht (keq)perceptimeve dhe (keq)kuptimeve të saj për situatën në Kosovë. Zgjidhja për Kosovën — dhe, rrjedhimisht, për vendet e tjera ku ka pasur ndërhyrje ushtarake dhe humanitare — varet nga një aplikim më i fortë i pushtetit nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga shtypja, të paktën e përkohshme, e demokracisë, me imponimin të pakompromis dhe të njëanshëm të shtetit të së drejtës. Në dorëshkrim, kontradikta maskohet prej përballjes së ashpër midis kulturës problematike politike të Kosovës, nga njëra anë, dhe normave dhe vlerave të qytetërimit perëndimor, në anën tjetër.
Në këtë aspekt, dorëshkrimi sjell në mendje “Clash of Civilizations” [shqip: Përplasja e Qytetërimeve] të Huntingtonit. Kosova vazhdimisht është përshkruar si kërcënim për botën perëndimore — si “zemra e errët e një vrime të zezë në mes të Evropës”, “e fëlliqur prej varfërisë, trazirave dhe kriminalitetit në zemër të Evropës”, ose si “një botë politike e varur dhe e mbushur me krime”. Shqiptarët, po ashtu, shihen si mbetje të pandrequra të një epoke të kaluar, zelotë të përçarë dhe nacionalistë, që jetojnë në një “tokë të varfër, malore dhe të bazuar në klane”, “të paaftë për ta hequr peshën e historisë së tyre të mundimshme që i ngreh teposhtë”.
Për autorët është e pamundur të përcaktojnë se çka është opinioni publik në Kosovë, sepse “atje nuk ka publik”. Ata pretendojnë se, marrë parasysh historinë e tyre, shqiptarët thjesht s’kanë pasur asnjë mundësi për ta fituar ndonjëherë ndonjë aftësi për të qeverisur e sidomos për të qeverisur në mënyrë demokratike; prandaj, kosovarët janë politikisht të papjekur dhe “nuk kanë përvojë në kompromise, që përcaktojnë politikën tjetërkundr”.
Por nëse trashëgimitë janë problematike dhe të pavdekshme, e ardhmja ofron edhe më pak shpresë. Në disa raste në dorëshkrim, autorët theksojnë se demografia e Kosovës komploton kundër të ardhmes më të mirë për të. “Largimi i më shumë se gjysmës së popullsisë serbe të Kosovës, përfshirë shumë nga më aktivët dhe më të talentuarit në fushën ekonomike”, e ka lënë Kosovën pothuajse tërësisht në duart e shqiptarëve, shumica e të cilëve, për mendimin e tyre, janë shumë të rinj dhe politikisht dhe të sfiduar ekonomikisht.
Standardet e qytetërimit dhe deluzionet e pavarësisë
Për dallim nga kosovarët, kultura politike e të cilëve, pra, në shumë mënyra dhe në shumë raste pretendohet se është dukshëm e papërputhshme me vlerat perëndimore, komuniteti ndërkombëtar përshkruhet si mbrojtësi i parimeve civilizuese të shekullit XIX, të cilat fatkeqësisht ishin braktisur “përmes procesit të dekolonizimit” kur “shoqëria ndërkombëtare u bë gjithëpërfshirëse pa dallime”.
Kështu, lëvdatat e autorëve kursehen për Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), Michael Steiner, udhëheqës i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Steiner zhvilloi standardet referuese, përmes së cilave mund të matej zhvillimi politik i Kosovës. Kjo kornizë i ngjante qartazi sistemit “Standardet e Qytetërimit” evropian, i zhvilluar nga fuqitë evropiane, pasi ata dëshironin ta kufizonin dhe rregullonin qasjen në Familjen Evropiane të Kombeve gjatë shekujve të zgjerimit, në vitet 1600 dhe 1700.
Për autorët, kërkesa e shqiptarëve për pavarësi është qëllim qesharak dhe i rrezikshëm.
Formula “Standardet para Statusit” e Steiner, me sukses vonoi diskutimet për statusin përfundimtar politik të Kosovës — gjë që UNMIK e kishte shprehimisht të ndaluar ta paragjykonte. Sipas vetë fjalëve të Steiner, standardet ishin një taktikë e qëllimshme ngecjeje — autorët e citojnë atë të ketë thënë: “Gjithmonë kam dashur të ruaj kontrollin mbi agjendën publike: t’u ofroj njerëzve disa probleme për t’i diskutuar, në mënyrë që ata të mos fillojnë e përqendrohen në çështjen e statusit”.
Dhe kështu arrijmë te thelbi i problemit — pavarësia e Kosovës. Për autorët, kërkesa e shqiptarëve për pavarësi është qëllim qesharak dhe i rrezikshëm, që ndoshta është një nga arsyet pse autorët nuk e trajtojnë atë si çështje në vete. Në fakt, edhe në seksionin e gjatë historik mbi historinë e Kosovës, autorët kalojnë nga demonstratat e vitit 1981, pa asnjë shpjegim pse protestuesit/et e rinj/reja kosovarë/e mund ta kenë dëshiruar një “Kosovë Republikë” në fillim të viteve të ’90-ta dhe themelimin e qeverisë paralele. Kështu, dorëshkrimi minimizon kërkesën historike të kosovarëve/eve për pavarësi dhe kundërshtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj Beogradit.
Më ka shkuar ndërmend se një arsye për mungesën e vëmendjes serioze ndaj çështjes së “statusit”, mund të ketë qenë dëshira e autorëve për ta mbrojtur komunitetin ndërkombëtar nga kritikat se ky komunitet duhej të ishte i vetëdijshëm për qëllimet politike të shqiptarëve të Kosovës shumë vite para ndërhyrjes së NATO. E prapëseprapë, pavarësisht këtij lëshimi, autorët kanë vetëbesim për të argumentuar se, duke pasur parasysh se shqiptarët ka shumë të ngjarë të jenë të paaftë që t’i mbërrijnë standardet e Perëndimit, pavarësia e Kosovës do të përbënte një precedent shumë të rrezikshëm për separatistët tjetërkund, pasi ata do të trimëroheshin për të kërkuar pavarësinë për veten e tyre, pa e fituar atë në bazë të virtytit dhe përafrimit me parimet perëndimore.
Dhe jo vetëm kaq, duke u përpjekur ta zvogëlojnë rëndësinë e statusit politik, autorët thonë se ishte thjesht “një mit i përhapur [që] progresi në Kosovë ishte i pamundur, derisa të zgjidhej statusi i Kosovës”. Ata me lehtësi e anashkalojnë faktin se kosovarët/et nuk kishin kontroll mbi asnjërin nga institucionet kryesore — mbrojtjen, sigurinë, politikat ekonomike, punët e jashtme, policinë dhe çështjet e pakicave — të cilat, të gjitha rezervoheshin për zyrën e PSSP. Në vend të kësaj, ata pohojnë se shqiptarët gabuan kur besuan se Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes mund të bënin pak për t’i shëruar sëmundjet e territorit. Po ashtu, ata tallen me dëshirën e shqiptarëve për sovranitet, duke ofruar një shembull të “drejtorit të galerisë së artit (…) i cili u ankua se nuk mund të merrej me homologët e tij jashtë vendit, për shkak të statusit të pazgjidhur politik të Kosovës”.
Punonjësit/et e huaj, panelistët/et në “asambletë” e organizuara nga grupi punues i Standardeve, si një formë për ta shitur planin “Standardet para Statusit”, u mësuan kosovarëve se “shumë shoqëri jofunksionale janë politikisht sovrane, ndërsa disa shoqëri, statusi politik i të cilave është i pazgjidhur, sidomos ajo e Tajvanit, po lulëzojnë”. Në mënyrë të ngjashme, Michael Steiner i PSSP, udhëzoi parlamentarianët shqiptarë:
“Është e vërtetë e thjeshtë që sa më mirë ta menaxhoni autoritetin që tashmë e keni, aq më shumë autoritet do të vijë dhe ky është programi im, si dhe kjo është ajo që ne të gjithë duam ta arrijmë. […] Por unë do t’u lutesha që të mos shpërqendroheni nga detyrat urgjente që bien nën kompetencën tuaj. Dhe, ju lutem, edhe nëse nuk e shihni atë në këtë dhomë, mos harroni se ekziston një komunitet ndërkombëtar. Mos e antagonizoni komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen e të cilit po luftoj çdo ditë dhe mbështetjen e të cilit nuk është lehtë ta fitosh dhe ta mbash”.
Kështu, teksa shqiptarët vazhdonin të përpiqeshin për pavarësi nga Beogradi dhe për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, siç kishin bërë historikisht, autorët erdhën në përfundim se “rreziku më i madh për evoluimin e sovranitetit të Kosovës do të ishte që udhëheqësit e Kosovës të mos i lënë vetes hapësirë manovrimi, duke bërë kërkesa maksimaliste, të cilat komuniteti ndërkombëtar s’do të mund t’i pranonte kurrë”.
Vështrim kolonial
Me lavdërimin e tij të pandrequr për sundimin kolonial dhe standardet qytetëruese, portretizimin e popujve dhe kulturave të tjera si të papërshtatshme për demokracinë dhe pretendimet e vazhdueshme për papjekurinë politike të vendasve, dorëshkrimi shpesh lexohet si një regjistër udhëtimi kolonial i shekullit XIX.
Dhe me të vërtetë, dorëshkrimi fillon me një përshkrim të aeroportit në Vjenë, ku një grup i mbledhur paqeruajtësish kozmopolitan qëndron në kontrast me një grup shqiptarësh të Kosovës: “Të rinjtë, shpesh me modë të çuditshme, burra të moshës së mesme të veshur me kostume të errëta dhe shprehje fytyre edhe më të errëta dhe burra dhe gra të moshuara, me kapuçë dhe shamia, duke pritur nën ankth për të hipur në aeroplan për herë të dytë në jetën e tyre”. Hyrja vazhdon me një përshkrim të pamjes ajrore të Prishtinës, për të cilën “pika referuese më e dukshme nga ajri janë disa oxhakë që lëshojnë tym ngulfatës, që i përkasin një termocentrali të moçëm”. Dhe paragrafi përfundon me një mister mahnitës: “Duke parë nga lart këtë rajon që në masë të madhe është rural, është e vështirë të besohet se në prag të mijëvjeçarit ai kishte qenë përqendrimi i fiksuar i të gjithë 19 anëtarëve të aleancës më të madhe ushtarake që bota ka njohur ndonjëherë”.
Vendosja në anë skajshmërisht të kundërta e Kosovës të papjekur politikisht dhe Perëndimit të themeluar në mënyrë demokratike mjegullon arsyet për atë përqendrim të fiksuar. Pse, në fakt, “aleanca më e madhe ushtarake e njohur ndonjëherë” u brengos për një grup të burrave dhe grave të maleve, në periferi të Evropës? Ndarja e mprehtë civilizuese rrjedh nga supozimi se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare, ndërhyrja dhe mosndërhyrja, Evropa dhe Ballkani, janë popuj dhe rajone politike/gjeografike që dallojnë në hapësirë dhe kohë. Prandaj, mundësia që krizat në Kosovë të viteve 1998, 1999 ose 2004 mund të kenë qenë po ashtu të lidhura me (mos)veprimet politike dhe/ose ushtarake të të njëjtit komunitet ndërkombëtar në pjesë të tjera të po atij rajoni, nuk adresohet kurrë.
Nuk ka asnjë diskutim thelbësor për mundësinë që ishte ardhja e bashkësisë ndërkombëtare ajo që e lehtësoi segregimin e Kosovës dhe shkatërrimin e shoqërisë civile të krijuar në periudhën e qeverisjes paralele. Mendimi se UÇK mund të jetë mbështetur dhe legjitimuar nga aktet e bashkësisë ndërkombëtare dhe nga vetë ndërhyrja e NATO dhe jo vetëm nga veprimet e vetë UÇK brenda Kosovës, padyshim nuk u ka shkuar kurrë ndërmend autorëve. Njësoj edhe kur është fjala për mbështetjen perëndimore ndaj Slobodan Milošević nga viti 1995 deri në 1998, pavarësisht kundërshtimit në rritje në Serbi. Lista mund të vazhdojë.
Dhe kjo na kthen te Toni Morrison, Henry Melville dhe “Benito Cereno”. A është njëmend faji i kosovarëve që u perceptuan si viktima të nënshtrueshme të dhunës së serbëve? A është njëmend faji i kosovarëve që janë të ndarë, që vijnë në forma dhe mënyra të ndryshme fetare, që nuk janë të gjithë në të njëjtën linjë politike, që nuk janë një entitet etnik homogjen siç i kishte paramenduar perëndimi?
A është njëmend faji i shqiptarëve që janë akterë politikë njësoj siç janë britanikët, gjermanët apo italianët dhe se betejat politike vazhdojnë të zhvillohen mes tyre, pavarësisht se janë “çliruar” nga NATO? Si përfundim, a është njëmend faji i shqiptarëve që pas pesë vjetësh që iu mohua qoftë edhe diskutimi për çështjen më urgjente politike për ta — pavarësinë e tyre — do t’u ktheheshin trazirave? Nëse bashkësia ndërkombëtare është kaq superiore ndaj kosovarëve, pse në të njëjtën kohë është kaq injorante, kaq naive, kaq e paditur në vlerësimin e saj për shqiptarët e Kosovës?
Sqarim dhe mendime përmbyllëse
Deri tani, lexuesit/et mund të mendojnë se kjo recensë është shkruar nga ndonjë simpatizuese e madhee shqiptarëve ose një liberale e përbetuar injorante nga ShBA. Asnjëra s’është e bërtetë. Vetë historia ime bart njollën e kontradiktave që përcaktuan pozicionin e Kosovës brenda Jugosllavisë.
Gjyshja ime serbe u lëndua rëndë në një aksident të organizuar në Kosovë, në fillim të viteve 1960, në një ekskursion shkollor në një autobus të mbushur me fëmijë, kur një grup burrash shqiptarë ia prenë udhën dhe shoferi i autobusit ra në greminë. Kam jetuar në Beograd gjatë viteve të ’80-ta, duke qenë dëshmitare e ringjalljes së nacionalizmit serb, por gjithashtu kam njohur shumë serbë që ishin larguar nga Kosova duke thënë se kanë përjetuar ngacmime nga shqiptarët. Disa nga shokët e shoqet e mia — të arsimuar, “kozmopolitanë”, anti-Milošević — ende u referohen shqiptarëve si “Šiptari”. Ata u gëzuan pas protestave të marsit 2004, sepse trazirat “më në fund ia dëshmuan Perëndimit se si ishin shqiptarët në të vërtetë”.
Në të njëjtën kohë, mësova për shtypjen dhe diskriminimin në Jugosllavi duke parë se çka ndodhi me shqiptarët pas demonstratave të vitit 1981. Si një gazetare e re në një radiostacion të Sarajevës, pashë redaktorët e mi tek larguan nga puna të gjithë personelin e një programi javor për studentët shqiptarë, sepse, meqenëse redaktorët nuk flisnin shqip, kishin frikë nga transmetimi i tyre. Fqinjët e mi shqiptarë u vunë nën vëzhgimin e policisë dhe djali i tyre u zhduk në burgjet jugosllave. Shoqëria ime ndaloi së ngrëni brumëra nëpër lokalet shqiptare, pasi u përhapën thashetheme se ato ishin helmuese. Një vajzë shqiptare në shkollën time u përdhunua në grup pasi u shpall “kurvë shiptare”.
Kam besim të pakët në lëvizjet separatiste apo për vetëvendosje, por kam jetuar si një person pa shteti. E di se çka do të thotë të jetosh në një entitet, statusi politik i të cilit nuk është zgjidhur.
Nuk më duken absurde pretendimet e drejtorit të galerisë së artit, të cilat u trajtuan si tallje. Është e pamundur të sigurohet arti për ekspozita në entitetet pa shteti. Pyes veten nëse autorët e kanë konsideruar ndonjëherë se sa e ndërlikuar është për kosovarët të udhëtojnë përtej kufijve të Kosovës? Sa e lehtë apo e vështirë është për ta të udhëtojnë, ndërkohë që ende varen nga autoritetet serbe për pasaportat e tyre? Sa e lehtë apo e vështirë është për ta që të marrin viza me pasaportat e tyre të lëshuara nga UNMIK? Dhe çka ndodh — siç ishte rasti me një mik timin në Londër — nëse e humbasin atë pasaportë të UNMIK në ndonjë metropol evropian? Kujt mund t’i drejtohen kosovarët/et për t’u ndihmuar dhe cila organizatë jashtë Kosovës mund të lëshojë një dokument për ta zëvendësuar të humburin.
Dhe pyes veten nëse autorët janë të vetëdijshëm se sa prej këtyre shqiptarëve jo-kozmopolitë të supozuar, siç i përshkruajnë ata në hyrje, u detyruan të kalonin natën në zonën e tranzitit të aeroportit të Vjenës — siç më ka rënë edhe mua në disa raste, bashkë me shqiptarët, me romët dhe me refugjatët e tjerë ballkanikë — sepse diçka s’ishte në rregull me vizat apo dokumentet tona të udhëtimit? Sa shpesh i kanë marrë parasysh ato pak lukse të jetës që i posedojnë — jo vetëm rroga, makinat e shtrenjta apo pozitat pushtetare, por dokumentet themelore – falë mbrojtjeve ligjore të ofruara nga një shtet sovran mbrapa tyre?
Nëse autorët do ta kishin shkruar këtë dorëshkrim në vetën e parë, do t’u duhej të përballeshin me shumë nga supozimet e pasfiduara — por problematike — të dorëshkrimit të tyre. Do t’u duhej t’i shihnin edhe si të vetat dështimet që ia atribuojnë komunitetit ndërkombëtar.
Ky është me të vërtetë një libër rreth botëkuptimit të autorëve e jo rreth kësaj toke në periferi, me të cilën ata supozohet se preokupohen.
Pse, për shembull, autorëve u duket njohuria dhe ekspertiza e tyre aq me vlerë sa të besojnë se Kosova do të rrëshqiste në një botë mashtruese politike nëse këshillat e tyre nuk do të merreshin parasysh? Çka mendojnë se do të humbej po të mos kishte ndodhur ndërhyrja e NATO? Ndërhyrja ndodhi për shpëtimin e kosovarëve apo për shpëtimin e diçkaje tjetër? Ndoshta imazhin që Perëndimi ka për veten? Dhe a janë këto — ndërhyrja, UNMIK, ky dorëshkrim – për shqiptarët, për serbët, apo për Kosovën, apo janë për Perëndimin dhe pikëpamjen e tyre për veten dhe rolin e tyre në botë?
Pasi e kam lexuar dorëshkrimin, do të argumentoja se — dhe mendoj se autorët do të pajtoheshin nëse do t’u përgjigjeshin sinqerisht pyetjeve të tilla — ky është me të vërtetë një libër rreth botëkuptimit të autorëve e jo rreth kësaj toke në periferi, me të cilën ata supozohet se preokupohen. Dhe njohuritë përbrenda këtyre botëkuptime nuk janë gjithmonë aq të mira.
Ma kujton edhe një tekst tjetër të mrekullueshëm për praktikat përfaqësuese koloniale — libri i Stephen Greenblatt, “Marvelous Possessions” [shqip: Pronësi të mrekullueshme]. “Kultura e tyre”, shkroi Greenblatt për pushtuesit evropianë kur ata hasën në Botën e Re, “karakterizohej nga një besim i jashtëzakonshëm se ajo ishte qendrore, nga një organizatë politike e bazuar në praktika të komandës dhe nënshtrimit, nga një gatishmëri për të përdorur dhunë shtrënguese ndaj të dyve, edhe të huajve e edhe bashkëvendasve, si dhe nga një ideologji fetare që sillet rreth përfaqësimit pafundësisht të përhapur të një perëndie dashurie të torturuar dhe të vrarë”. Ndoshta për këtë arsye, vizionet e pushtuesve për Botën e Re dhe për vendasit — njësoj si pikëpamjet që na jepen në këtë dorëshkrim — nuk ishin asnjëherë më shumë se “reprezentime imagjinare të sigurisë autoritative përballë injorancës spektakolare”.
Sinqerisht dëshiroj dhe shpresoj që autorët ta kuptojnë që e them këtë pa të keq, që t’i shtrojnë vetes disa pyetje të vështira përpara se të vazhdojnë me botimin e këtij dorëshkrimi.
Përkthimet e titujve janë bërë nga K2.0 për ta ndihmuar lexuesin/en dhe si të tilla, nuk janë përkthime zyrtare.