Kush s’flet për kushtet e punës - Kosovo 2.0

Kush s’flet për kushtet e punës

Jemi ne që e mbajmë
ende këtë mekanizëm
të parregullt.

Historia e punës sime të parë (dhe të tanishme) mund të duket si në ajër pasi nuk mund ta tregoj as emrin tim, as vendin e punës e as elemente të tjera identifikuese. Kam drojë se dikush nga vendi im i punës mund ta lexojë dhe të më largojnë nga puna. Nuk kam asnjë lloj mbrojtje që do të më lejonte të shkruaj në emrin tim dhe sërish të vazhdoj të punoj në po atë vend pune. Por, kjo është pikërisht arsyeja se pse histori të tilla të punës kanë rëndësi. 

Në fillim të 20tave, para rreth një viti, aplikova për një vend pune brenda profesionit tim. Duke qenë studente, pos një praktike të shkurtër që kisha kryer, s’kisha pasur ndonjë përvojë tjetër pune. Pasi e kalova fazën e parë të kualifikimit, shkova në intervistë, e cila ishte intervista ime e parë për punë të rregullt. Institucioni nga i cili u intervistova ishte ndër më të njohurit në vend, andaj mendova se do të përfitoja prej përvojës aty. 

Pasi u pranova, më thanë se duhej të kaloja në fazën e praktikës muajin e parë, pra kompenzimi do të ishte më i vogël e gjithashtu kontratën nuk do të mund ta pranoja pa e kaluar këtë fazë. Sigurisht, u pajtova me udhëzimet duke e ditur se isha e re në këtë punë. 

Në këtë fazë, shumë gjëra nuk më janë treguar e shpjeguar. Më është dashur të bëj shumë gabime që t’i mësoj procedurat. Madje muajin e parë në raportin e orëve të punës për fund të muajit — llogaritja për rrogën mujore në bazë të orëve të mbajtura të punës — gabova në llogaritjen e orëve, e ia humba vetes një shumë të konsiderueshme parash. Nuk më përmirësoi kush.

Kur hyra tamam në punë pas praktikës, më është dashur ta kërkoj pesë herë kontratën e punës përmes komunikimit zyrtar, e edhe nja pesë tjera “si në hajgare”.

Kur menaxhmenti mësonte për gabimet e më qortonte pak, unë u shpjegoja se ato nuk do të kishin ndodhur po që se të gjitha procedurat do t’i kisha të shkruara në kontratë. Çdo javë përgjatë tre muajve vijues u kërkoja ta dija të paktën kohën kur do ta pranoja kontratën, gjithmonë me arsyetimin që kontrata do të ma qartësonte rolin tim në institucion në mënyrë që të performoj sa më mirë në punë. Kërkesat m’i anashkalonin gjithmonë në mënyrë diplomatike, duke më dhënë të drejtë për kërkesën mirëpo duke e larguar përgjegjësinë nga vetja. 

Më thoshin se janë shumë të zënë me punë, se ka shumë punëtorë të cilëve duhet t’u rregullohet kontrata, se ka shumë parregullsi për shkak të rrethanave që s’vareshin prej tyre, për shembull në atë kohë ishim ende nëpër pandeminë  COVID-19. Kështu shkuan tre muaj dhe në fillim të muajit të katërt e dërgova emailin e fundit duke u thënë se nëse nuk do ta pranoja kontratën, do t’u drejtohesha gazetarëve për këtë punë. 

Ndërkohë, më bëhej gjithnjë e qartë se çështja e pagës dhe kontratës nuk duhej të diskutohej me kolegë për shkak të konfidencialitetit. “Çka më duhet të flas me kolegë nëse jo për (pa)rregullsitë në punë?”, mendoja me vete. 

U çudita shumë kur pashë se nuk ia ndiente kujt për kontratë. Gati më bindën edhe mua që nuk na duhet gjë. Vetëm në rast se të duhet për aplikim për vizë, punëtori aty merr kontratë që i përfshin të gjitha detajet e punës. 

Një kolege më tregoi se kishte lexuar një herë kontratën e një kolegeje tjetër që e kishte kërkuar për vizë, dhe më tha se asgjë nuk përputhej mes asaj që shkruhej në kontratë dhe asaj që ne e bëjmë në të vërtetë. Në atë “pseudo-kontratë”, kolegia pretendonte se kishte lexuar rregulla për pushimet mjekësore dhe procedurat e kompenzimit të punës në rast të mungesave emergjente. Sidoqoftë, deri më sot, këto situata i kam parë të zgjidhen vetëm përmes improvizimeve dhe bashkëpunimeve mes kolegëve që ndajnë raporte shoqërore. 

Kur më në fund e mora kontratën para disa muajsh, doli se në atë kohë institucioni i ishte nënshtruar procesit të riakreditimit dhe drejtuesit e institucionit na kontaktuan personalisht të gjithë stafin për të na dhënë kontratën, të cilën duhej ta nënshkruanim “urgjentisht”. U ndieva shumë mirë. Mendova se kisha pasur një ndikim të mirë në institucion dhe se po flisja për të gjithë ata që kishin më shumë gjëra për të humbur në rast se do të flisnin. 

Por, kur e takova drejtoreshën u dëshpërova shumë. “Këqyr a ka ndonjë gabim”, më tha, “nëse ka nevojë për përmirësime i bëjmë”. Duke e shikuar përmbajtjen shpejt, fillova të numëroj, një, dy, tre, shtatë, njëmbëdhjetë gabime… dhe u dorëzova. Përpara kisha një copë letër që përveç që nuk do të kishte funksionuar as si një përshkrim i denjë i punës, kishte edhe gabime të pafalshme drejtshkrimore. Erdha në përfundimin që e vetmja gjë për të cilën ajo copë letër shërben është për ta dokumentuar dështimin e palëve të përfshira në funksionimin e atij institucioni — dhe në fund vetë shoqërisë që pranon të punojë në këso kushte pa provuar të ankohen. 

Sot, unë vazhdoj të punoj në atë vend pune, me një kontratë që i mungojnë elementet thelbësore të një kontrate. Më e keqja është që askush nuk flet për to, as vetë kolegët e mi. 

Dhe unë, nuk kam besim se problemet e kontratave do të zgjidhen përmes shkrimeve kësisoji, jo nëse një pjesë e shoqërisë gjithmonë do t’i pranojë kushtet që nuk janë të favorshme për askënd tjetër përveç punëdhënësit. Megjithatë, shpresoj të paktën që këto histori që ndahen me të tjerët që ta bëjnë shoqërinë të kuptojë që jemi ne që e mbajmë ende këtë mekanizëm të parregulltë në funksion. Jemi ne po ata që një ditë mund ta ndalim. 

Autor: Anononim

Ilustrimi: Arrita Katona/K2.0

Shënim i redaksisë: Identiteti i autores është i njohur për redaksinë.