Në thelb | Feminizmi

Letërsi kundër patriarkatit

Nga - 17.05.2022

Gra shkrimtare, kritike dhe lexuese që luftojnë bashkë për emancipim.

Sonja Ražnatović është inxhiniere nga Podgorica. E punësuar në fushën e saj të studimeve, ka një punë të sigurt dhe familje, kafshë shtëpiake dhe shoqëri. E pëlqen muzikën dhe thotë se mjaftohet me gjërat e vogla, si dhe mundohet që secilën ditë ta shfrytëzojë sa më shumë që është e mundur. Ajo gjithashtu është autore e dy romaneve. Kushdo që e njeh do ta përshkruante si grua të suksesshme. Por Ražnatović thotë se të jesh grua dhe të jesh e suksesshme nuk është aq e lehtë në këtë rajon.

“Në këtë pjesë të botës, autoret gra duhet të punojnë dy herë më shumë dhe të jenë dy herë më të zellshme e të etura se homologët e tyre burra, në mënyrë që të lejohen t’i afrohen skenës letrare”, tha ajo. Ajo shtoi se edhe nëse arrijnë të krijojnë pak hapësirë, gratë përsëri ballafaqohen me pengesa që duhet t’i kapërcejnë përpara se puna e tyre të dalë në pah.

Shkrimtarja boshnjake Melida Travančić do të pajtohej me Ražnatović. “Gratë heqin në punë, heqin në shtëpi, heqin gjatë gjithë karrierës së tyre, heqin në botën e artit dhe duhet të mundohen tepër shumë që puna e tyre të dalë në pah dhe të pranohet. Dhe kush vendos për matësin e vlerës dhe në qoftë se një vepër është e mirë apo e keqe? Burrat!”.

Në një shoqëri ku çdo gjë që është “femërore” shpesh konsiderohet e parëndësishme dhe me më pak vlerë, margjinalizimi rëndohet edhe më shumë nga terma të ndryshëm si “shkrim femëror”, “shkrim vajzash” dhe “letërsi për gra”.

Pengesat dhe sfidat e shumta nuk e kanë penguar Sonja Ražnatović që ta ndjekë atë që do. Në shkurt të këtij viti, romani i saj i dytë, “Dalje: Rifillim” ia fitoi një vend në listën prej nëntë autorësh të vlerësuar me çmimin e sapokrijuar rajonal letrar “Štefica Cvek”. I lansuar nga Pobunjene čitateljke (në shq. “Lexuesit rebelë”), një kolektiv rajonal që i bashkon kritikët letrarë, çmimi Štefica Cvek nuk i kushtohet vetëm “librave të grave”, por letërsisë që angazhohet për feminizëm.

Rebelimi letrar

Kolektivi i “Lexuesit rebelë” krijoi çmimin Štefica Cvek në vitin 2021 si reagim ndaj faktit se, siç ka ndodhur shpesh që nga fillimi i çmimit NIN në vitin 1954, as edhe një grua e vetme nuk u nominua për listën e ngushtë të çmimit NIN të vitit 2020. I themeluar nga revista NIN me vendndodhje në Beograd, çmimin, autoret gra e fituan vetëm gjashtë herë në tërë historinë e tij të gjatë. Dubravka Ugrešić ishte gruaja e parë që mori çmimin për romanin “Štefica Cvek në nofullat e jetës”, por që erdhi tek në vitin 1988. Libri i Ugrešić doli për herë të parë në vitin 1981, kurse shfaqja televizive me të njëjtin emër u filmua tri vite më vonë.

Romani i dytë i Sonja Ražnatović, “Dalje: Rifillim”, fitoi çmimin e parë letrar feminist në Ballkan, i krijuar nga kolektivi Pobunjene čitateljke (në shq. Lexuesit rebelë). Fotografia: Boris Pejović

Romani, në të cilin shkrimtarja ironizon me patriarkatin dhe normat e tij, mbetet sot një shembull i mirënjohur i letërsisë feministe në rajon. “Lexueit rebelë” donin ta përdornin një qasje të ngjashme me çmimin e tyre, të cilin e themeluan me qëllim të promovimit të shkrimtareve gra si dhe krijuesve të tjerë që margjinalizohen brenda rajonit që flet gjuhën boshnjake-kroate-malazeze-serbe (BKMS). Shpresojnë që aktivitetet e tyre  shumë shpejt të shpërndahen në zonat ku flitet maqedonisht, shqip dhe sllovenisht.

Emri rebel i kolektivit u frymëzua nga mënyra se si anëtarët duan që njerëzit të lexojnë “në kundërshtim me normat”, duke i kundërshtuar standardet dhe kornizat kulturore në të cilat u rritë shumica. Kështu rebelohen “Lexuesit rebelë” kundër qasjes së vendosur ndaj kritikës letrare dhe letërsisë, kundër seksizmit dhe nënçmimit të gruas, duke synuar krijimin e një shoqërie më të barabartë, “nëse jo një shoqëri plotësisht të barabartë”, siç thotë kolektivi.

Për Sonja Ražnatović, marrja e një çmimi me emrin e një romani ikonik është stimulim për punë të mëtejshme dhe simbol i luftës kundër margjinalizimit të shprehjes letrare të grave. Ajo dëshiron që në të ardhmen, zërave të grave t’u ofrohet më shumë hapësirë që ato të dëgjohen, shihen dhe lexohen.

“Burrat në komunitetet tona gjithmonë, dhe ende sot, kanë pasur pushtet absolut në të gjitha sferat e jetës”, tha Ražnatović. “Në hapësirën politike, media, fushën e kulturës dhe shtëpive botuese, në juritë e çmimeve… Të gjitha këto poste mbahen kryesisht nga burra, të lidhur në mënyrë simbiotike me burra të tjerë”.

“Ballkani siç është sot është një vend ku shumë më e lehtë mund të diskutosh për pozicionin e yjeve sesa të grave, të cilat në shumicën e rasteve gjykohen dhe vlerësohen nga burrat”

Melida Travančić, shkrimtare.

Kësisoj nuk mendon vetëm Ražnatović. “Një grua shkrimtare, kritike apo lexuese është një grua që mendon”, tha shkrimtarja boshnjake Melida Travančić, duke shtuar se shoqëria ku jetojmë gratë e zgjuara i konsideron si një kërcënim, sepse përpiqen të sjellin ndryshim.

“Dhe kjo është ajo çka shoqërisë përgjithësisht nuk i pëlqen. Sepse shoqëritë tona ballkanike po dështojnë të ecin përpara dhe nuk priren për ndryshim. Kanë mbetur në errësirë ​​për 30 vitet e fundit”, tha shkrimtarja. Ajo shtoi se Ballkani siç është sot është një vend ku “shumë më lehtë mund të diskutosh për pozicionin e yjeve sesa të grave, të cilat në shumicën e rasteve gjykohen dhe vlerësohen nga burrat”.

Dara Škuljić, anëtare e kolektivit “Lexuesit rebelë”, mendon se problemi qëndron te “një sistem që diskriminon grupe të ndryshme dhe poetikën. Është sistem që nuk le vend për mendim kritik apo dialog dhe nuk është i hapur, modern apo progresiv, gjë që reflektohet edhe në mënyrën se si jepen çmimet dhe titujt e ndryshëm”.

Një tjetër anëtar i kolektivit, Borisav Matić, thekson se një problem shtesë është përfaqësimi i grave në letërsi, “duke pasur parasysh që shpesh kemi modele seksiste dhe mizogjiniste, ne mbrojmë perspektivat feministe dhe avokojmë që librat të interpretohen nga këndvështrimi feminist”.

Që nga viti 2021, çmimi Štefica Cvek ndahet nga “Lexuesit rebelë” si shenjë rebelimi kundër patriarkatit në letërsi. Fotografia: “Lexuesit rebelë”.

Kolektivi sheh seksizëm dhe diskriminim jo vetëm në ceremonitë e ndarjes së çmimeve në të gjithë rajonin, por në të gjithë procesin duke filluar nga botimi, shkrimi i kritikave, përfaqësimi në media dhe gjithçka që ka të bëjë me vizibilitetin, përfshirë çmimet letrare. Anëtarët e kolektivit këto pretendime i bazojnë në rezultatet e monitorimit rajonal për gjashtë muaj në vitin 2019, të cilat treguan qartë se sa të margjinalizuara janë gratë në letërsi, si shkrimtare dhe kritike.

Nga botimi tek çmimet

Me vendndodhje në Berane të Malit të Zi, një grup tjetër njerëzish që veprojnë mbi parime dhe qëllime të ngjashme drejtojnë një festival të krijimtarisë letrare të grave i quajtur “I literatura ima žensko lice” (në shq.“Letërsia ka edhe fytyrë të gruas”).

 

 

I organizuar fillimisht në vitin 2020, festivali u nis nga aktivistja dhe shkrimtarja malazeze Rebeka Čilović, qëllimi i së cilës është promovimi i shkrimtareve gra.

“Me rebelim, por qëllimishëm, ne donim që letërsia cilësore që shkruhet nga gratë të festohet nën ombrellën e një festivali serioz që guximshëm do të thoshte se është festival i grave, por edhe feminist dhe që nuk është thjesht “sa për sy e faqe”, tha Čilović. Ajo shtoi se festivali synon “t’ua hapë sytë komuniteteve që janë të prangosur nga patriarkalizmi ndaj faktit se “letërsia e ka fytyrën e një gruaje” dhe se askush nuk ka të drejtë ta anashkalojë një vepër të jashtëzakonshme letrare vetëm sepse është krijuar nga gratë”.

“Letërsia ka edhe fytyrë gruaje” është festival që u mbajt për herë të parë në vitin 2020 në Berane. Edicioni i parë i tij ishte shprehje e kundërshtimit ndaj festivaleve që mbizotërohen nga burrat. Fotografia: “Letërsia ka edhe fytyrë gruaje”

I organizuar në mars të vitit 2020, edicioni i parë i festivalit u mbajt nën sloganin “Ato gra”, ndërsa slogani i edicionit të dytë — i mbajtur në nëntor 2021 — ishte “Unë”. Këto shprehje të njohura kishin për qëllim ta theksonin edhe më tej se si gratë shpesh përmenden në vetën e tretë dhe në letërsi lihen në margjina dhe se si ato, siç thuhet në uebfaqen e festivalit, “arrijnë gjëra të mëdha, por fushëveprimi i tyre është i kufizuar”.

“Festivali lindi nga rebelimi, sepse për një kohë të gjatë ne ndoqëm festivale që u bënin thirrje grave me idenë ‘hajde t’i ftojmë disa gra’. Dukej sikur gjithçka u kthye në formë pa asnjë substancë të vërtetë”, tha Čilović.

Megjithatë, ajo me çka gratë ballafaqohen duke jetuar në një shoqëri të tillë patriarkale, përvojat nëpër të cilat gratë kalojnë, i kthejnë ato në luftëtare që thyejnë stereotipe përmes letërsisë së tyre. Duke folur dhe shkruar për tema që i shqetësojnë në nivel personal, gratë ofrojnë përshkrime të gjendjes së përgjithshme të shoqërisë. Kur bëhet fjalë për letërsinë, Čilović është e vetëdijshme se shkrimtaret gra fillojnë nga një pozicion tjetër nga shkrimtarët burra, kështu që gratë që nga fillimi detyrohen ta pyesin veten sa kanë kohë të shkruajnë.

Sonja Ražnatović është ballafaquar me këtë problem, duke u përpjekur të gjente kohë për të shkruar në mes të punës së saj dhe të gjitha përgjegjësive të përditshme që po ia shteronin kohën dhe energjinë që mund ta kishte përdorur në mënyra më kreative.

“Një shkrimtar burrë nuk pyet kurrë nëse ka kohë apo jo”, tha Čilović. “Është mjeshtër, kurse gruas e vetmja gjë që i mbetet është të ëndërrojë. Brenda kësaj hapësire, një apo më shumë jetë kalojnë, duke ia zënë vendin letërsisë. Ky është realiteti ynë dhe duhet ta ndryshojmë atë”.

Sonja Ražnatović beson se gratë shkruajnë për detajet, për dallim nga burrat, të cilët shkruajnë për epoka, luftëra, fe dhe "tema të mëdha" të ngjashme.

Travančić thekson se gratë në të gjithë rajonin kanë filluar të shkruajnë gjithnjë e më shumë për diskriminimin, si dhe seksualitetin. “Erotika, njohja e trupit, është temë mbizotëruese apo diskutime të sëmundjeve që ndryshojnë trupin e një gruaje. Tabutë po thyhen dhe kufijtë po shtyhen. Ka vepra që eksplorojnë mëmësinë, abortin dhe homoseksualitetin, por sot shkruhet edhe për dhunën ndaj grave. Shumë tema të rëndësishme po trajtohen”, tha Travančić.

Ražnatović mendon se zërat e grave në letërsi dallohen nga zërat e burrave. Ndërsa burrat duket se kanë prirje drejt “temave të mëdha”, epokave, luftërave apo fesë, ajo mendon se gratë shkëlqejnë në nxjerrjen në pah të detajeve, “copëzave të vogla” të jetës dhe me më pak ego. Ky eksplorim i përvojës femërore shpesh përfundon duke u lexuar si diçka që u intereson vetëm grave, ndaj këto vepra nuk trajtohen mjaftueshëm me mendje të hapur.

“Nga ana tjetër, nëse tema është përvoja e burrave, atëherë kjo disi është përvoja universale e njerëzimit, jo veç e burrave apo e burrave nga Ballkani e kështu me radhë. Ajo që kemi në vend të kësaj janë përvojat dhe vlerat universale për të gjithë universin”, tha Matić. “Kjo ua largon privilegjin si shkrimtareve, ashtu edhe lexueseve, sepse ato kurrë nuk e kanë mundësinë të lexojnë për përvojën e tyre, por duhet të pajtohen me tregimet klishe burrërore që lexojnë”.

Aktivizmi dhe letërsia

Rebeka Čilović beson se është e nevojshme të punohet drejt ndryshimit në çdo kohë dhe e sheh letërsinë si një nga motorët kryesorë të ndryshimit. “Nëse letërsia nuk then stereotipet, nëse qëllimi i saj nuk është t’ju prekë dhe t’ju shtyjë që të veproni, atëherë nuk ka vlerë”, tha ajo, duke shtuar se beson se lidhjet midis shkrimtareve dhe aktivizmit të grave janë të pathyeshme.

“Idetë janë gjithçka që ka letërsia. Janë baza për formimin e lëvizjeve të grave dhe organizimin e forumeve, kështu që letërsia na mëson se si t’i ndryshojmë bindjet tona dhe të kërkojmë ndjekës si pjesë e këtij ndryshimi”, tha Čilović. “Në 10 deri në 20 vjet, vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta do të jemi në gjendje të flasim për një ndryshim konkret të bërë nga një valë e këtyre ideve emergjente. Deri atëherë, nuk duhet të presim të kalojë koha në të cilën jetojmë”.

Melida Travančić po ashtu beson se letërsia ekziston për ta ndryshuar botën brenda nesh si individë dhe se shkrimtarët përpiqen t’i inkurajojnë lexuesit të mendojnë për ndryshimet.

“Në ato raste, ne si shkrimtarë jemi të suksesshëm sepse e ndryshojmë apo ndërrojmë botëkuptimin e dikujt, pavarësisht nëse është vetëm një person. Pra, në këtë kuptim, sot mund të flasim për fuqinë e letërsisë”, tha ajo.

Hapat e parë për “Lexuesit rebelë” dhe “Letërsia ka edhe fytyrë gruaje” janë t’i japin fund hamendjes së vazhdueshme drejtuar letërsisë dhe kritikës feministe dhe të “fillojmë t’i dëgjojmë, kuptojmë dhe të hapim biseda”, tha Dara Šljukić. Ajo i rikthehet shpesh personazhit letrar Štefica Cvek, e cila për mbi 40 vjet ka qenë simbol jo vetëm i rebelimit dhe ironisë ndaj modeleve të rrënjosura të sjelljes, por edhe i lirisë dhe vullnetit individual.

Imazhi i ballinës: Boris Pejović.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?