Zina e pavarur “Lirindja”, u rikthye sërish duke na ftuar në një koleksion të tregimeve të shkurtëra dhe homazhe vizuele për shtypshkronjën e parë në Kosovë “Rilindjen”.
Duke pasuar edicionin e vitit 2015, në të cilën “Lirindja”, elaborojë konstruktet sociale të dallimeve gjinore, këtë vit edicioni i atribuohet historisë së shtypshkronjë që rriti gjeneratë pas gjenerate shkrimtarësh, e gazetarë shqiptarë.
Kontribues në këtë numër përmes një koleksioni tregimesh të shkurtëra dhe homazheve vizuele do të jenë: Genc Kadriu, Lura Limani, Ervina Halili, Shpëtim Selmani, Rina Krasniqi, Florian Kinzle, Ardian Vehbiu, Jeton Kulinxha, Arbër Selmani dhe Nancy Jasharaj.
Edicioni i katërt i Lirindjes do të promovohet të premtën nga ora 20:00 në Soma Bookstation në Prishtinë.
Më poshtë mund të gjeni shënimin hyrës të organizatorëve, që shpjegojnë konceptin e Lirindjes dhe edicionin për Rilindjen me fjalë të tyre.
Shënim
Tregimet e shkurtra munden me qenë fotografike – ato munden me përmbledhë me një skenë të vetme një histori të tërë. Ose munden me qenë hyrje në një ur-storie që ritregohet vazhdimisht në forma të ndryshme.
Ky koleksion i shkrimtarëve dhe tregimeve mund të quhet eklektik: shumë prej autorëve janë mjeshtër të zhanreve tjera (poezisë, romanit, tregimit fotografik, esesut) por në këtë ushtrim prozaik i zgjasin muskujt e tyre për të krijuar botëra hermetikisht të mbyllura, fabula të shkurtra që mbijetojnë për pak faqe.
Të gjithë këta shkrimtarë kanë gjetë strehë në një gjuhë të dytë dhe kjo e ndikon dukshëm mënyrën se si ata shkruajnë dhe për çka mendojnë.
Nuk ka ndonjë logjikë apo frymë të konsoliduar prapa përzgjedhjes sonë përpos faktit që këto rrëfime, ndonëse nuk përputhen medoemos, puçiten aty-këtu përmes gjuhës së përbashkët, në të gjitha shizofrenitë që i përbrendëson ajo për ata që kalërojnë në mes dy dialekteve.
Ky numër i Lirindjes është edhe një homazh vizuel për shtypshkronjën e parë në Kosovë, e cila u bë shtëpia e shkrimtarëve vendas dhe falë të cilës gjenerata e gjyshërve tanë mësoi të vlerësonte letërsinë në gjuhën amë. Përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, “Rilindja” botoi prej lektyrave shkollore për fëmijë, deri te kryeveprat botërore letrare. Që nga mbyllja e saj e dhunshme në vitet e 90-ta dhe adaptimi i ndërtesës së saj në një objekt qeveritar, “Rilindja” nuk është funksionalizuar më.
Kjo trashëgëmi rëndon në çfarëdo lloj rigjenerimi të letërsisë shqipe në Kosovë dhe ky numër i Lirindjes është vetëm një ftesë për të rinisë dialogun për shkrimin prozaik në mesin tonë – cilido qoftë ky rreth që e ndërtojmë kësijoj.
—
Lirindja
Fotot nga Lirindja.