Kufizimet e reja të lëvizjes në Kosovë kanë hyrë në fuqi të mërkurën (më 15 prill), por te qytetarët kishte hutim në lidhje me to.
Masat u prezantuan pas rritjes së madhe të numrit të rasteve të reja të COVID-19 në Kosovë gjatë fundjavës. Megjithatë, në informatat zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, disa gjëra nuk përputheshin, dhe zyrtarët e komunikimit në Ministri janë ballafaquar me vështirësi gjatë përpjekjeve për t’i dhënë qartësimet e kërkuara prej gazetarëve, pasi që edhe ata vetë nuk i kanë kuptuar plotësisht masat e reja.
Të hënën (më 13 prill) Ministria e Shëndetësisë i vendosi disa kufizime në lëvizje për të cilat tha se do të hynin në fuqi të mërkurën (më 15 prill) prej orës 17:00; gjithashtu vendosi kufizime të reja për përdorimin e automjeteve, për të cilat tha se do të hynin në fuqi prej 14 prillit.
Megjithatë, “shablloni” i vendimit që u publikua më pas nga Ministria e Shëndetësisë (në orët e vona të së martës) tregoi se të gjitha kufizimet do të hynin në fuqi më 15 prill prej orës 6:00.
Të mërkurën pasdite, Ministria i publikoi vendimet individuale dhe të nënshkruara për secilën komunë në Kosovë. Ato janë të bazuara në “shabllonin” e publikuar më herët, dhe i zbatojnë formalisht masat e reja.
Një nga ndryshimet më të mëdha që janë sjellë nga masat e reja ka qenë prezantimi i orareve në të cilat banorët mund të dalin prej shtëpive për të kryer detyrat e nevojshme, si blerjen e ushqimit dhe të medikamenteve.
Ndonëse edhe më parë kishte pasur orar që i lejonte qytetarët të dilnin jashtë shtëpive të tyre (prej orës 06:00 deri në 17:00, me disa dallime në komunat e karantinuara), sistemi i ri përcakton intervale prej një ore e gjysmë duke filluar në 7:00 dhe mbaruar në 22:30.
Në shumicën e rasteve, intervali kohor gjatë së cilit një individ i lejohet lëvizja në ambient të jashtëm caktohet nga shifra e parafundit e “numrit personal” të tij apo saj, i cili gjendet në letërnjoftim. Megjithatë, grafikat që u publikuan fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë për t’i shpjeguar këto masa iu referuan “numrit të letërnjoftimit”, i cili dallon prej numrit personal.
Grafikat e reja u publikuan më vonë për ta qartësuar këtë çështje.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë është munduar ta qartësojë se si do të mund t’i kryejnë funksionet thelbësore njerëzit të cilëve u janë caktuar intervalet kohore në mbrëmje, kur shumë dyqane dhe banka janë të mbyllura.
Të martën mbrëma, Ministria e publikoi një “shabllon” të vendimit të plotë të saj me anekse, njëri prej të cilëve njofton se intervalet e caktuara kohore do të ndryshojnë çdo tri ose katër ditë; një uebfaqe e re, Kurmedal.com, i mundëson banorët ta shkruajnë shifrën e parafundit të numrit personal për ta marrë vesh se kur u lejohet të dalin nga shtëpia në atë ditë.
Anekset e vendimit të Ministrisë i listojnë edhe operacionet dhe aktivitetet ekonomike që janë të liruara nga kufizimet e reja, pasi që në informatat që u publikuan fillimisht më 13 prill mungonin disa hollësi të veçanta.
Megjithatë, ndonëse informatat fillestare që u ndanë nga Ministria e Shëndetësisë ishin publikuar në të dy gjuhët zyrtare të Kosovës — shqip dhe serbisht — dhe në anglisht, janë shprehur shqetësime se informatat më të hollësishme janë publikuar vetëm në gjuhën shqipe.
OJQ Aktiv, një organizatë e Mitrovicës së Veriut që synon rritjen e angazhimit domethënës të komunitetit serb në Kosovë, thotë se anëtarët e komunitetit serb nuk janë njoftuar për rregullat e reja, dhe se kjo paraqet një shkelje të së drejtës për përdorimin zyrtar të gjuhës serbe dhe të së drejtës për barazi të qytetarëve para ligjit.
Organizata i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të sigurohet që çfarëdo vendimi për masa të reja në lidhje me lëvizjen të përkthehet edhe në gjuhën serbe.
“Në mungesë të përkthimit të vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë në gjuhën serbe, pjesëtarët e komunitetit serb rrezikohen nga dënimet për shkelje të masave për të cilat nuk janë njoftuar”, ka thënë OJQ Aktiv nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Policia e Kosovës duhet ta pezullojë zbatimin e masave ndëshkuese në raste të shkeljes së rregullave të reja deri sa të përkthehen vendimet në gjuhën serbe, si gjuhë zyrtare e barabartë në Kosovë”.
Qartësimet vlefshmërinë masat për institucionet ndërkombëtare u dhanë në një prej anekseve të vendimeve — që ishte po ashtu vetëm në gjuhën shqipe — pasi këto hollësi munguan në informatat që u publikuan fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë.
Institucionet ndërkombëtare që janë të regjistruara në Ministrinë e Punëve të Jashtme si “jorezidente” janë të liruara nga sistemi i intervaleve kohore dhe stafit të huaj i lejohet lëvizja e lirë brenda dhe ndërmjet komunave të karantinuara në të gjitha kohët.
Informatat e tjera të dhëna nga vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë përfshijnë specifikimin se individëve u lejohet të dalin jashtë vetë për ushtrime fizike gjatë intervaleve të caktuara kohore.
Ata që jetojnë më larg se 2 kilometra nga shitorja, barnatorja, shërbimi për pagesa apo nga banka më e afërt, mund ta përdorin automjetin për të shkuar deri në këto pika.
Gjithashtu, individëve u lejohet të dalin nga shtëpia jashtë intervalit të caktuar kohor për të marrë pjesë në varrime të anëtarëve të afërt të familjes.
K2.0 e kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar qartësime për kufizimet e reja, por nuk mori përgjigje para kohës së publikimit.K
Më shumë hollësi për kufizimet e reja mund t’i gjeni në një artikull të publikuar më herët nga K2.0, këtu.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.