Me çka po garojnë partitë serbe?
Gjashtë parti politike serbe marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Një numër rekord prej gjashtë partish politike serbe do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Disa prej tyre janë të reja, disa kanë qenë të pranishme që disa vjet në skenën politike.
Një çështje kryesore që i bashkon pesë nga gjashtë partitë që garojnë këto zgjedhje është kundërshtimi i dominimit politik të Srpska Lista, SL, (Lista Serbe), e cila për vite me radhë ka qenë forca kryesore në përfaqësimin e serbëve të Kosovës. Që nga shfaqja e saj, në vitin 2013, SL ka fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare në komunat me shumcië serbe.
Në këtë fushatë zgjedhore shumica e partive avokojnë për një përfaqësim të pavarur nga qeveria e presidentit Aleksandar Vučić në Serbi dhe ajo e Kosovës, duke argumentuar se asnjëra nuk ka përfaqësuar mirëfilli interesat e qytetarëve serbë. Shumica e këtyre partive, në paraqitje të ndryshme në medie dhe fushata zgjedhore kanë thënë se SL ka monopolizuar jetën politike serbe në Kosovë, duke u dhënë përparësi interesave të Beogradit mbi nevojat e vërteta të serbëve vendas.
Ndonëse ato nuk kërkojnë shkëputje nga mbështetja e Serbisë, argumentojnë se Beogradi nuk i ka përfaqësuar siç duhet këto interesa, duke ndikuar përmes SL, në mungesën e pluralizmit politik tek komuniteti serb dhe zërave tjerë politikë për zgjidhjet e përshtatshme për serbët e Kosovës.
Partitë pjesëmarrëse
- Srpska Lista (Lista Serbe)
- Srpska Demokratija (Demokracia Serbe)
- Srpski Narodni Pokret (Lëvizja Popullore Serbe)
- Za Slobodu Pravdu i Opstanak (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë)
- Partija Kosovskih Srba (Partia e Serbëve të Kosovës)
- Građanska Inicijativa Narodna Pravda (Iniciativa Qytetare për Drejtësi Popullore).
Shumica e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e së diles e përshkruajnë SL si të korruptuar dhe të shkëputur nga problemet e përditshme të serbëve të Kosovës. Gjatë fushatës elektorale, në disa raste, kanë thënë se ky kontroll ka çuar në izolimin e mëtejshëm të serbëve të Kosovës dhe në mungesën e një përfaqësimi të mirëfilltë, duke ngushtuar hapësirën për diversitet politik.
Po ashtu, në paraqitjet dhe fushatat e tyre publike, partitë serbe theksojnë pakënaqësinë me qeverinë e Kosovës, veçanërisht në lidhje me rritjen e pranisë policore në veri. Ato theksojnë domosdoshmërinë e sigurimit të përfaqësimit serb brenda institucioneve. Megjithatë, propozimet dhe qëndrimet e paraqitura nga shumica e partive serbe për zgjedhjet e ardhshme shfaqin paqartësi në lidhje me njohjen e shtetësisë së Kosovës, dhe nëse kanë vizion afatgjatë për përfaqësim politik brenda institucioneve të Kosovës si republikë e pavarur.
Ndërsa, përfaqësues serbë të shoqërisë civile thonë që në këto zgjedhje peizazhi politik ka ndryshuar për qytetarët, veçanërisht pas tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022. Kjo mungesë dy-vjeçare, bashkë me kontekstin politik, ka çuar në aktualizimin dhe shfaqjen e figurave të reja politike.
Kriza politike buron prej një mosmarrëveshjeje të gjatë për targat e automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Në qershor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës mori dy vendime. Njëri vendim kërkoi që kushdo që hyn në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisej me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e Serbisë, procedurë që zbatohej për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011.
Tjetri vendim kërkoi që të gjitha automjetet me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës do të duhej të regjistroheshin me targa RKS të Kosovës. Zbatimi i këtij vendimi rriti tensionet, u ngritën barrikada në pikat kufitare me Serbinë, Jarninjë dhe Bërnjak.
Situata u përshkallëzua tutje veçanërisht pas suspendimit të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nenad Ðurić, pasi kishte refuzuar ta zbatonte vendimin. Si kundërpërgjigje, përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga institucionet publike të Kosovës, përfshirë policinë, gjykatat, komunat, ministritë. Kryetarët e komunave në veri — Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan — poste që mbaheshin nga përfaqësues të SL dhe ministri i komuniteteve dhe kthimit, Goran Rakić, dhanë dorëheqje po ashtu.
Bojkoti vazhdoi edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të prillit 2023 për t’i mbushur pozitat e kryetarëve të katër komunave. Me SL që nuk mori pjesë, vetëm 1,532 — apo pak mbi 3% — nga 45,095 votues të regjistruar votuan. Votuesit mund të zgjidhnin kryesisht midis kandidatëve nga partitë shqiptare. Prej 10 kandidatëve, vetëm një ishte serbe.
Zgjedhjet u çelën udhë edhe më shumë tensioneve. Në maj 2023, protestues serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut për të mos lejuar kryetarët e rinj të vazhdonin punën. Njëkohësisht, kishte thirrje të vazhdueshme nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shteteve të QUINT që kryetarët të punonin në hapësira alternative e jo në ndërtesat e komunave.
Këto tensione të sërishme kthyen vëmendjen te dialogu i pasuksesshëm midis Kosovës dhe Serbisë dhe te një marrëveshje që është bërë kryefjalë e diskutimeve rreth marrëdhënieve midis dy shteteve — Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe Plani i Zbatimit, që u arrit në Ohër, në vitin 2023.
Një prej obligimeve prej kësaj marrëveshjeje është përmbushja e nenit 7, ku Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat rreth krijimit të kushteve dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, sipas marrëveshjeve të mëparshme në dialog. Nëse ky vetëmenaxhim bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, i bie që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Një ngjarje tjetër në vitin 2023 i kulmoi tensionet. Në shtator 2023, një sulm i armatosur, i organizuar prej nënkryetarit të SL, Milan Radoičić, drejt Policisë së Kosovës (PK), përfundoi me fatalitet — aty u vra rreshteri i PK, Afrim Bunjaku. Kryeministri Kurti refuzoi të kthehej në dialog pa u sanksionuar Qeveria e Serbisë për rolin në sulmin në Banjskë, për çka bëri thirrje në takime e medie ndërkombëtare. Përkundër kësaj, BE nuk ndërmori ndonjë hap në këtë drejtim. Parlamenti Evropian kaloi një rezolutë që dënonte sulmin dhe etiketonte autorët e sulmit “terroristë”. Rezoluta gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga modeli i saj i përsëritur i përshkallëzimit.
Pastaj, viti 2024 nisi me një vendim tjetër që nxiti mospajtime. Më 1 shkurt 2024, hyri në fuqi një rregullore e re e Bankës Qendrore të Kosovës që e vendosi euron si valutën e vetme të vlefshme për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave në Kosovë. Mijëra qytetarë serbë të Kosovës pranojnë paga, pensione dhe asistencë financiare nga Qeveria e Serbisë në dinar. Njëkohësisht, dinari përdorej në vendbanimet me shumicë serbe edhe për të kryer pagesa. BE dhe ambasadorët e QUINT, nuk u pajtuan me këtë vendim; kërkuan me këmbëngulje një fazë tranzicioni para së rregullorja të zbatohej dhe kërkuan që kjo çështje të adresohej në dialog.
Ndonëse qeveria Kurti refuzoi për disa ditë që çështja e dinarit të bëhej pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, pasi e cilësoi rregulloren si çështje të brendshme e shtetit të Kosovës, çështja megjithatë u diskutua në kuadër të dialogut.
Pastaj, në korrik të vitit 2024, kryeministri Kurti tha se po synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, urë që de facto ndan pjesën jugore të Mitrovicës, me shumicë shqiptare me atë veriore, që banohet nga një shumicë serbe. Serbë të Kosovës protestuan kundër hapjes së urës duke thënë se siguria e tyre po “rrezikohej” dhe se ata janë “të sulmuar si popull”. Kurti s’u tërhoq, duke thënë se ky ishte hap drejt paqes.
Por, nuk pati paqe. Pak më vonë atë vit, në nëntor të vitit 2024, u sulmua kanali i Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, kanal prej nga furnizohen me ujë disa qytete të vendit. Shpërthimi, që sipas PK u shkaktua prej rreth 20 kilogramësh eksplozivë, gjerësisht në Kosovë u pa si një prej sulmeve më të rënda në infrastrukturën kritike që prej luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Kryeministri Kurti i akuzoi Radoičić dhe Qeverinë e Serbisë se qëndrojnë prapa sulmit, derisa Qeveria e Serbisë e mohoi këtë.
Ndërkohë, Qeveria ka vazhduar me aksionet për t’i mbyllur institucionet paralele nëpër komuna të ndryshme. Për shembull, në janar të vitit 2025, në një operacion, Policia e Kosovës mbylli 10 komuna paralele, zyra të postës dhe zyra tatimore.
Tash për tash, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë pothuajse platforma e vetme e komunikimit midis dy qeverive. Pritet të shihet qasja e Peter Sørensen, diplomatit që zuri vendin e Miroslav Lajčák si përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy, edhe Lajčák, e edhe Josep Borrell, ish-përfaqësues i lartë i BE për punë të jashtme dhe politika të sigurisë janë kritikuar, qoftë nga Qeveria e Kosovës, qoftë nga vetë eurodeputetët për dialog të paefektshëm apo qasje të njëanshme në dialog. Edhe Borrell është zëvendësuar nga Kaja Kallas pas zgjedhjeve të fundit të Parlametit Evropian.
Gjatë një periudhe të gjatë bojkotesh politike, SL refuzoi të angazhohej me institucionet e Kosovës, duke bërë që serbët të humbnin ndikimin në sektorë kyç si gjyqësori, forcat e policisë dhe qeverisja komunale. Partitë opozitare tani synojnë të rikthejnë këtë ndikim.
Ky kontekst ku serbët e Kosovës shpeshherë kanë reaguar duke u ndier të pasigurt, të kërcënuar dhe të papërfaqësuar duket se ka mobilizuar disa parti politike për të marrë pjesë, me fraksione opozitare që përpiqen të mbushin boshllëkun e përfaqësimit politik.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, dhjetë vende parlamentare janë të rezervuara për komunitetin serb dhe votat e tyre janë thelbësore për miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe ndryshimeve kushtetuese. Sipas një studimi të vitit 2021, të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, KFOS, politika e serbëve të Kosovës është kufizuar nga varësia ekonomike nga Beogradi dhe, siç shkruhet në studim presioneve “të jashtme” për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve për artikulim politik, serbët e Kosovës kanë pasur vështirësi në vendosjen e tyre si lojtarë të rëndësishëm për shkak të rënies demografike, mungesës së burimeve njerëzore dhe humbjes së elitës akademike, thotë studimi.
Në këtë kontekst të stagnimit politik dhe pas një periudhe të gjatë të njëfarë monopolizimi të përfaqësimit politik nga SL, shoqëria civile serbe e sheh këtë shumësi të nismave që garojnë, si një mundësi për pluralizëm politik.
- Srpska Lista (SL)
Që nga themelimi i saj, SL ka mbajtur një pozicion të zëshëm në skenën politike të Kosovës, veçanërisht përbrenda komunitetit serb. Partia ka fituar në mënyrë të vazhdueshme dhe të pasfiduar të dhjetë vendet parlamentare të rezervuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës, duke forcuar ndikimin e saj si në qeverisjen lokale ashtu edhe në vendimmarrjen qendrore. Ajo ka luajtur një rol kyç në koalicionet qeveritare të Kosovës, duke siguruar pozita ministrore dhe duke ruajtur lidhje të ngushta me Beogradin.
Që nga fillimi, SL është përballur me akuza për frikësim të votuesve dhe presion politik. Kjo lëvizje, fillimisht e krijuar si një nismë qytetare dhe e shndërruar në parti në vitin 2017, u shfaq për herë të parë gjatë zgjedhjeve të para komunale në Kosovë në nëntor të vitit 2013. Në atë kohë, një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës, veçanërisht në veri, kundërshtonin integrimin në institucionet e vendit. Raportet monitoruese theksonin se gjatë këtyre zgjedhjeve kishte presione mbi votuesit, me pretendime se SL po punonte për të siguruar pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, ndërsa njëkohësisht ushtronte presion mbi votuesit për të mbështetur vetëm SL, si subjekt të vetëm politik.
SL u ngarkua me zbatimin e dispozitave e asaj që njihet si Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e cila përfshinte kryesisht mbylljen e institucioneve serbe dhe integrimin e punonjësve të tyre në strukturat administrative të Kosovës. Megjithatë, kritikët kanë akuzuar prej kohësh SL-në për monopolizimin e jetës politike serbe në Kosovë, duke mos përmirësuar jetën e komunitetit dhe duke siguruar votat përmes punësimeve klienteliste.
Nuk është e pazakontë që kandidatët ose partitë opozitare të bëhen pjesë e listave zgjedhore të SL. Një shembull ilustrues është rasti kur disa anëtarë të partisë Srbija, Demokratija, Pravda, GI SDP (Nisma Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi) që udhëhiqej nga Oliver Ivanović, iu bashkuan SL në zgjedhjet parlamentare në 2019, vetëm një vit pas vrasjes së Ivanovic më 16 janar 2018. Ivanonić konsiderohej kundërshtari më i madh politik i SL në veri.
Një nga figurat kryesore të SL, ish-nënkryetari Milan Radoičić, u bë i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Ivanović. Prokuroria Speciale në gusht të vitit 2020 ka lëshuar urdhër arrest për Radoičić, kurse në shkurt të vitit 2021, ky urdhër arrest u tërhoq “për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, sipas aktvendimit. Radoičić, një nga figurat më me ndikim midis serbëve të Kosovës, u identifikua gjithashtu si organizatori kryesor i sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjska.
Që prej bojkotit masiv të institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e SL janë shfaqur në Kuvendin e Kosovës vetëm kur ka qenë e nevojshme për të ruajtur mandatet e tyre, afërsisht çdo gjashtë muaj.
Në dhjetor 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës fillimisht nuk e certifikoi partinë për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, duke cituar retorikën e saj nacionaliste dhe lidhjet e me Serbinë. Megjithatë, partia apeloi me sukses dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e përmbysi vendimin, duke e lejuar SL të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërkohë, akuzat për intimidim dhe frikësim të kundërshtarëve politikë që e kanë shoqëruar vazhdimisht rrugëtimin e SL, duket se po vazhdojnë edhe këtë herë. Për shembull, Partia e Serbëve të Kosovës në një deklaratë për medie tha se një delegat i SL, Marko Arsić, sulmoi stendën e tyre në Graçanicë, duke shkatërruar materialet e tyre promovuese. Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës.
Ndërkohë, edhe SL pretendon se është vënë në shënjestër të sulmeve. Anëtari i partisë, Milan Kostić, ka deklaruar se gomat e makinës së tij private u shpuan midis datave 1 dhe 2 shkurt, një incident që SL e konsideron si një përpjekje për frikësim para zgjedhjeve.
SL ka nisur fushatën zgjedhore për vitin 2025 në Ranillug, në jug të lumit Ibër, ku kryetari i partisë, Zlatan Elek, theksoi përkushtimin për të bashkuar komunitetin serb në të dy anët e Ibrit. Edhe pse partia nuk ka publikuar një program online, retorika e saj përqendrohet në bashkimin e komunitetit serb kundër autoriteteve të Kosovës, me mbështetjen e Serbisë, për të “hequr kryetarët e rremë dhe bashkëpunëtorët e Kurtit”.
Si pjesë e fushatës, SL po viziton familjet dhe institucionet që kanë përfituar nga mbështetja e shtetit serb, duke deklaruar se roli i saj, me ndihmën e Serbisë janë jetik në sigurimin e mbijetesës së serbëve të Kosovës. Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë në numër sa më të madh në zgjedhjet e ardhshme dhe ka shprehur mbështetje të plotë për SL.
- Za Slobodu Pravdu i Opstanak
Nenad Rašić, një nga politikanët më të njohur serbë në Kosovë, udhëheq partinë politike Za Slobody Pravdu i Opstanak, ZLPO, (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë), e vetmja parti serbe që është pjesë e qeverisë aktuale të Kosovës. Rašić e nisi fushatën e tij nga Malet e Sharrit, përpara hotelit “Narcis” në Shtërpcë.
Në një video të realizuar aty, ai shpjegon se kjo vendndodhje u zgjodh në mënyrë simbolike për të theksuar pasuritë e neglizhuara dhe për të kritikuar keqmenaxhimin prej dy dekadash, duke iu referuar SL.
Udhëtimi politik i Rašić filloi në vitin 2006, kur ai bashkëthemeloi Samostalna Liberalna Stranka, SLS (Partia e Pavarur Liberale), e cila ishte partia kryesore serbe në Kuvendin e Kosovës deri në shfaqjen e SL. Në janar 2008, ai u emërua ministër i punës dhe mirëqenies sociale në qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, një rol që e mbajti deri në vitin 2014. Në vitin 2013, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, ai nuk ishte më pjesë e SLS dhe më pas, në mars 2014, themeloi Progresivna Demokratska Stranka, PDS (Partia Demokratike Progresive).
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, PDS siguroi 0.82% të votave, duke i siguruar Rašić një vend në Kuvendin e Kosovës. Më vonë, ai iu bashkua grupit parlamentar të Listës Serbe, nga e cila më pas u distancua. Si udhëheqës i PDS-së, ai krijoi një nismë që më vonë u shndërrua në partinë politike “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. Kjo nismë mori pjesë në zgjedhjet e vitit 2021, por nuk arriti të sigurojë asnjë mandat.
Në dhjetor 2022, pas dorëheqjes së Rakić dhe bojkotit të institucioneve të Kosovës nga SL, Kryeministri Albin Kurti emëroi Rašićin si Ministër për Komunitete dhe Kthim, një vendim që u prit me shumë kritika nga përfaqësuesit politikë serbë. Lista Serbe e cilësoi këtë lëvizje si antikushtetuese, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vučić, e quajti përçmueshëm Rašićin “llumi më i keq serb”. Pakënaqësia për faktin që ai është pjesë e kabinetit qeveritar vazhdon të shprehet edhe tani nga kundërshtarët e tij politikë.
Për shembull, gjatë një vizite në Leposaviq, anëtarë të partisë SD protestuan kundër tij, duke pretenduar se ai refuzoi të mbështeste rivendosjen e flamurit serb në ndërtesën komunale. Përveç kësaj, SD paraqiti një kallëzim penale kundër partisë së Rašićit,duke i akuzuar ata për blerje votash, një pretendim që Rašić dhe partia e tij e kanë mohuar.
Në programin e tyre, ZLPO thekson vlerat evropiane, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Objektivat kryesore të tyre përfshijnë reformën e sistemit politik, luftën kundër korrupsionit, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e efikasitetit energjetik.
Partia avokon për rritjen e përgjegjshmërisë politike, përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, reformën e administratës publike dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale. Po ashtu partia thekson rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, veçanërisht përmes zhvillimit të mikro-ndërmarrjeve dhe bujqësisë, duke shfrytëzuar përvojat evropiane dhe fondet e zhvillimit rajonal.
Në lidhje me efikasitetin energjetik, partia avokon për planifikim strategjik në sektorin e energjisë, duke përfshirë gazifikimin dhe zhvillimin e infrastrukturës për transportin e naftës dhe gazit nga burime të reja furnizimi.
Partia thekson vlerat evropiane si një garanci për stabilitet, duke synuar integrimin e Kosovës në BE përmes përafrimit me standardet dhe vlerat evropiane, respektimin e diversitetit dhe promovimin e bashkëjetesës midis të gjitha komuniteteve etnike.
ZLPO gjithashtu vendos një theks të fortë në politikat sociale, duke synuar të sigurojë të drejtat e qytetarëve për kujdes shëndetësor, arsim dhe kujdes social, me vëmendje të veçantë për komunitetet jo-shumicë.
Rašić ka shprehur pritshmëri për përpjekje të intensifikuara pas zgjedhjeve për të arritur rezultate më konkrete në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Ai po ashtu, në raste të ndryshme ka përmendur rëndësinë e përfaqësimit serb në polici dhe gjyqësor.
- Srpska Demokratija – SD
Aleksandar Arsenijević, lideri i Srpska Demokratija, SD (Demokracia Serbe) është një aktivist i njohur për të drejtat e serbëve të Kosovës, i angazhuar shpesh në protesta kundër politikave të qeverisë së Kosovës në veri. Ai themeloi iniciativën qytetare Srpski Opstanak, SO, (Mbijetesa Serbe) në vitin 2021, e cila u shndërrua në partinë politike SD në dhjetor 2023.
Ai ka qenë aktivisht i përfshirë në protesta kundër pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës dhe forcave speciale në veri. Aktivizmi i tij ka çuar në disa arrestime, shpesh për akte simbolike, si fishkëllima në shenjë proteste kundër autoriteteve lokale dhe qendrore, veçanërisht ndaj administratës së kryeministrit Albin Kurti.
Në muajt e fundit, Arsenijević është arrestuar disa herë për fishkëllimat e tij, nën arsyetimin e prishjes së rendit publik. Arrestimi i tij gjatë vizitës së Kurtit në Mitrovicën e Veriut më 10 shtator, dhe pastaj edhe mbajtja e tij në paraburgim, u dënua nga organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, që theksuan se ai po protestonte në mënyrë paqësore. Prandaj, jo rastësisht, një nga zotimet kryesore të partisë, sipas programit zgjedhor, është mbrotja e drejtave të serbëve për liri të shprehjes, protestë dhe lëvizje të lirë. Kështu, SD planifikon të publikojë raporte gjashtë-mujore mbi situatën e serbëve në Kosovë, duke përfshirë çështje të sigurisë, ekonomisë dhe kushteve sociale.
Një komponent i rëndësishëm i programit është kthimi i serbëve të zhvendosur si pasojë e luftës në Kosovë, një çështje e pazgjidhur që nga periudha e pasluftës. Në vitin 1999, mbi 200,000 serbë u larguan nga Kosova drejt Serbisë, por vetëm disa mijëra janë kthyer që atëherë. Partia planifikon të ushtrojë presion mbi Ministrinë për Komunitete dhe Kthim për të miratuar një qasje të re ndaj kthimit, përfshirë raporte tremujore mbi progresin.
Në skenën ndërkombëtare, SD parasheh të lobojë te te BE që të mbikëqyrë politikat e Kosovës për kthimin dhe t’i integrojë ato në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Partia gjithashtu kërkon nga Beogradi të krijojë programe mbështetëse për të kthyerit, të cilat do të mbikëqyren nga një komision i pavarur i përbërë nga organizata jo-qeveritare serbe në Kosovë, medie, akademikë dhe përfaqësues politikë nga të dyja anët.
Një pjesë e rëndësishme e programit është mbrojtja dhe promovimi i gjuhës dhe kulturës serbe në Kosovë. Programi thekson se serbët janë një faktor politik në Kosovë, jo një pakicë, dhe kërkon njohje më të madhe të të drejtave të tyre kulturore.
Në këtë kuadër, partia planifikon të organizojë konferenca në Prishtinë mbi sfidat e integrimit të serbëve, si dhe takime mes përfaqësuesve të shoqërisë civile nga veriu dhe jugu i Kosovës. Një kërkesë simbolike është njohja zyrtare e Ditës së Flamurit Serb, me një festë vjetore në Prishtinë ku të paraqiten flamujt e të gjitha komuniteteve. Partia argumenton se masa të tilla do të ishin një test për sinqeritetin e Kosovës në përpjekjet për pajtim ndërmjet komuniteteve.
Ndërsa partia e sheh të domosdoshme bashkëpunimin me Beogradin, ajo këmbëngul që ky bashkëpunim të jetë ekskluzivisht teknik dhe jo politik. SD thekson se serbët në Kosovë duhet të mbajnë lidhje të forta financiare, kulturore dhe infrastrukturore me Serbinë, pavarësisht se cila parti politike është në pushtet në Beograd.
Ndoshta objektivi më ambicioz i partisë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili do të shërbente si një mekanizëm për autonominë e serbëve në Kosovë, zgjidhje për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë, dhe një kornizë ligjore për vetëqeverisjen kulturore, ekonomike dhe territoriale.
Nëse qeveria e Kosovës refuzon krijimin e Asociacionit, SD thotë se do të kërkojë mbështetje nga SHBA për shpalljen e njëanshme të tij. Partia argumenton se nëse Kosova mundi të shpallte pavarësinë në mënyrë të njëanshme, atëherë edhe serbët mund të formojnë Asociacionin në mënyrë të pavarur.
- Srpski Narodni Pokret (SNP)
Srpski Nardoni Pokret, SNP (Lëvizja Popullore Serbe) është një parti e re politike serbe, e krijuar në mes të tensioneve politike në veri të Kosovës gjatë viteve të fundit. E themeluar në Zubin Potok, në fund të vitit 2023, partia e pozicionon veten si një alternativë ndaj strukturave ekzistuese politike, duke kërkuar rikthimin e përfaqësimit tek qytetarët serbë dhe duke kritikuar si autoritetet kosovare ashtu edhe ato serbe për mënyrën se si trajtojnë komunitetin serb në Kosovë.
Liderët e partisë, Milija Biševac dhe Branimir Stojanović, kanë qenë të zëshëm për përfaqësimin e drejtpërdrejtë të serbëve në Kosovë, duke kundërshtuar dominimin e vendimeve nga Serbia dhe Kosova.
“Ne nuk do të pranojmë më një sistem ku populli ynë duhet të ndjekë verbërisht urdhrat politikë. Populli ynë nuk mund të qeveriset më pa pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë”, tha Stojanović gjatë një konference për shtyp përpara RTS në Beograd, duke kritikuar televizionin shtetëror serb për favorizimin e SL dhe për mungesën e mbulimit të zgjedhjeve në Kosovë.
Ai gjithashtu tha “udhëheqësit shqiptarë të Kosovës nuk mund të mbështeten më në faktin se negociatat do të zhvillohen ekskluzivisht me përfaqësues si Milan Radoičić dhe Nenad Rašić”.
Programi i publikuar i SNP thekson se partia është formuar si përgjigje ndaj tensioneve në zonat me shumicë serbe, me qëllimin për të ruajtur kulturën dhe trashëgiminë kombëtare serbe. SNP e pozicionon veten si një parti që mbron interesat kombëtare serbe nga perspektiva e atyre që jetojnë në Kosovë, në kundërshtim me ata që marrin vendime nga jashtë, duke iu referuar autoriteteve kosovare dhe atyre serbe. Politikat e tyre të propozuara, ndonëse nuk kanë sqarim se si do të bëhen, kanë të bëjnë kryesisht me përmirësimin e jetës së përditshme të serbëve të Kosovës.
SNP denoncon mungesën e lirisë politike dhe kritikon sistemin aktual, duke argumentuar se opsionet politike për serbët në Kosovë nuk kanë adresuar problemet reale të përditshme të komunitetit serb. Partia kritikon SL, duke e akuzuar për monopolizim të pushtetit politik, privimin e komunitetit serb nga e drejta e përfaqësimit të vërtetë, dhe për nepotizëm dhe korrupsion.
Një nga misionet kryesore të SNP është lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, veçanërisht në komunat dhe institucionet publike. SNP argumenton se, nën udhëheqjen e SL zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe kultura kanë pësuar rënie të ndjeshme. Partia vë në dukje se problemet infrastrukturore në sektorin e shëndetësisë janë rezultat i punësimeve klienteliste dhe nepotizmit. Për këtë, ata propozojnë: përzgjedhje transparente në punësimet publike, përmirësim të infrastrukturës shëndetësore, dhe krijimin e qendrave të reja shëndetësore.
Po ashtu SNP thekson se pasiguria ligjore është një shqetësim i madh për serbët në Kosovë, të cilët përballen me mungesën e qasjes në avokatë për shkak të kostove të larta, mungesën e respektimit të gjuhës serbe në institucionet publike, dhe pjesëmarrje të ulët të serbëve në sistemin gjyqësor. Si zgjidhje, SNP propozon krijimin e “Pravna Klinika” (Klinika Ligjore), e cila do të ofronte shërbime falas për qytetarët në nevojë për ndihmë ligjore.
Ne fund SNP e sheh mungesën e angazhimit të të rinjve/rejave në politikë si një problem kryesor. Partia propozon inkurajimin e të rinjve/rejave për të studiuar shkenca politike dhe sociale, krijimin e shkollave profesionale më cilësore dhe forcimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës.
- Partia Kosovskih Srba (PKS)
Partia Kosovskih Srba, PKS (Partia e Serbëve të Kosovës) është një subjekt politik i themeluar në maj të vitit 2017. Megjithëse PKS ka një histori më të vonshme politike, lideri i saj, Aleksandar Jablanović, është një figurë aktive në skenën politike të serbëve në Kosovë për shumë vite. Roli i tij më i njohur politik ishte si themelues dhe kryetar i parë i SL. Në 2014, SL u bë pjesë e qeverisë së Kosovës, dhe Jablanović u emërua ministër për komunitetet dhe kthimin në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, ai qëndroi në këtë post vetëm për dy muaj, pasi u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.
Shkarkimi i tij erdhi pas një incidenti gjatë natës së Krishtlindjes Ortodokse në vitin 2015, kur Jabllanović i quajti “egërsira” protestuesit shqiptarë që kishin bllokuar të zhvendosurit serbë nga vizita në një kishë në Gjakovë. Deklarata e tij shkaktoi reagime të ashpra dhe protesta masive në Kosovë, duke çuar në largimin e tij nga qeveria.
Pas shkarkimit të tij nga qeveria e Kosovës, Jablanović u emërua sekretar shtetëror në Ministrinë për Punë, Punësim, Çështje të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë. Megjithatë, edhe ky post përfundoi në polemika, kur vëllai i tij u arrestua për trafikim droge, ndërsa përdorte një automjet zyrtar të ministrisë. Pas këtij ngjarjeje, Jablanović dha dorëheqje, duke marrë përgjegjësinë e plotë për lejimin e vëllait të tij të përdorte makinën qeveritare.
Gjatë fushatave zgjedhore, PKS është përqendruar kryesisht në kritikimin e Listës Serbe, të cilën e akuzon për vënien e interesave personale mbi interesat e serbëve në Kosovë. Retorika e partisë bazohet kryesisht në sulme ndaj Listës Serbe, pa ndonjë platforme konkrete politike.
“Motoja jonë është se jemi në tokën tonë. Kundër Serbisë janë ata që këtu në Kosovë bëjnë politikë, e cila dëmton popullin serb”, tha Jablanović në tubimin e parë gjatë fushatës elektorale në Graçanicë. “Ajo që mendojmë ndryshe në një moment të caktuar nga njerëzit në Beograd që janë në pushtet, nuk do të thotë që jemi kundër Serbisë”.
Ai shtoi se Lista Serbe i hapi dyert “Kurtit dhe Policisë së Kosovës” dhe se veprimi i tyre për të lëshuar institucionet ka bërë shumë dëm për qytetarët serbë.
- Građanska Inicijativa Narodna Pravda (NP)
Në një tubim para-zgjedhor në Zubin Potok, udhëheqësi i Narodna Pravda, NP, (Drejtësi Popullore), Radoica Radomirović tha se do të angazhohet për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve, duke theksuar zhvillimin ekonomik si prioritet, ndërsa gjithashtu kërkoi rikthimin e serbëve në pozitat kyçe në polici dhe gjyqësor.
“Qëllimi ynë i parë dhe kryesor është rikthimi i policëve, veçanërisht atyre që u detyruan të largohen nga puna, si dhe rikthimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha Radomirović.
Radomirović kritikoi emërimet aktuale në Policinë e Kosovës, duke theksuar se është “e papranueshme që një shqiptar të jetë komandant i stacionit policor në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë apo Zubin Potok”. Ai shtoi se kjo nuk është një çështje diskriminimi etnik, por respektimi i Marrëveshjes së Brukselit, e cila, sipas tij, përcakton që komandantët në zonat me shumicë serbe duhet të jenë serbë. Megjithatë, GI Narodna Pravda theksoi gjithashtu dëshirën për marrëdhënie konstruktive si me Serbinë, ashtu edhe me Kosovën.
“Ne duam marrëdhënie të mira me Beogradin dhe Prishtinën. Duam të jemi një urë pajtimi mes tyre”, tha Radomirović.
Duke e përforcuar këtë qëndrim, kandidati për deputet i partisë, Grozdan Biševac, pranoi realitetin e dyfishtë të serbëve në Kosovë: “Ne jemi serbë dhe, natyrisht, shikojmë nga Beogradi — ku tjetër do të shikonim? Por ne jetojmë në Kosovë dhe duhet të respektojmë ligjin dhe të kemi marrëdhënie të mira me Prishtinën”.
Radomirović ka shërbyer si zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, prej majit të vitit 2023 nën drejtimin e Nenad Rašić, ministrit për komunitete dhe kthim. Në shtator 2024, Rašić e shkarkoi Radomirovićin nga detyra. Rašić, sipas raportimeve të Kossev, e akuzoi atë për bashkëpunim me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA). Megjithatë, Radomirović i ka mohuar këto akuza dhe, përkundrazi, ka akuzuar Rašićin për neglizhencë ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës, duke theksuar pabarazi financiare në shpërndarjen e burimeve nga Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit.
NP u themelua në shtator 2013 në Leposaviq, pak para zgjedhjeve të para lokale në veriun e Kosovës. Ajo siguroi një vend në asamblenë komunale, por nuk arriti të fitojë përfaqësim në zgjedhjet e vitit 2017. Lideri i partisë, Nenad Radosavljević, ka qenë një figurë aktive në skenën politike të Kosovës për më shumë se dy dekada. Ai shërbeu si kryetar Leposaviqit (2000-2001) dhe ishte anëtar i Koalicionit për Kthim në Kuvendin e Kosovës në vitin 2001.
Në vitin 2017, ish-kryetari i partisë Radosavljević, paraqiti një program politik, i cili u ripublikua në rrjetet e tij sociale para fushatës zgjedhore në fund të vitit 2024, duke u fokusuar në ekonomi, zhvillimin e infrastrukturës, arsimin dhe kulturë.
Në këtë program më të vjetër, NP ka propozuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në një “entitet special” me asamblenë e vet të pavarur për të qeverisur çështjet lokale. Kjo do t’u jepte komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës një shkallë më të lartë autonomie, duke i distancuar ato nga institucionet qendrore të Kosovës në Prishtinë.
Programi gjithashtu parashikon një strukturë të unifikuar të sigurisë të udhëhequr nga serbët në veriun e Kosovës. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto pozicione mbeten të pandryshuara apo se si e sheh partia krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Raportim shtesë nga Aulonë Kadriu.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.