Gjatë viteve të ’60-a dhe ’70-a, minier e Trepçës u bë fuqia ekonomike e Kosovës. Ajo reflektoi po ashtu pabarazi në strukturën ekonomikedhe pozitën e Kosovës në Jugosllavinë socialiste. Serbët kishin një numër joproporcional të pozitave administrative, teksa shqiptarët ishin dukshëm të nënpërfaqësuar në fuqinë punëtore të pozitave të larta udhëheqëse. Nga kjo situatë lindi motoja “Trepça punon, Beogradi ndërton”.
Gjatë gjithë viteve të ’70-a, numri i shqiptarëve në pozita më të larta në strukturat lokale politike dhe ekonomike në mbarë Kosovën u rrit, pjesërisht falë reformës kushtetuese dhe krijimit të Universitetit të Prishtinës. Kjo nuk pengoi që miniera e Trepçës të shndërrohet në një vend ku e ardhmja e Kosovës do të kontestohej.
Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 e njohu Kosovën si Krahinë Autonome Socialiste, por nga fundi i viteve të ’80-a, regjimi i Slobodan Milošević u përpoq ta tërhiqte këtë autonomi. Më 20 shkurt 1989, 1200 minatorë shqiptarë të Kosovës filluan grevën urie nën tokë, duke protestuar kundër tërheqjes së propozuar të autonomisë së Kosovës dhe duke kërkuar që të respektohen të drejtat e tyre sipas kushtetutës së vitit 1974. Aktivistët/et të shqetësuar/a për konsolidimin në rritje të autoritetit të Beogradit në pjesë të tjera të vendit, mbajtën kuvende në mbështetje të minatorëve në grevë.
Trepça kishte mbuluar shpenzimet e saj operative përmes kredive të lira bankare, ashtu si edhe shumë subjekte tjera të mëdha ekonomike në Jugosllavi. Megjithatë, kjo mori fund në vitet e ’80-a. Grevat patën ndikim rëndues shkatërrues në peizazhin tashmë sfidues ekonomik, pasi shumë grevistë u arrestuan, u pushuan nga puna ose të dyja bashkë. Minatorë të tjerë shqiptarë u larguan në shenjë solidariteti. Nga viti 1989 deri në vitin 1991, punësimi në Trepçë u tkurr për 57%.
Pabarazia e vazhdueshme mes etnive në pozicionet udhëheqëse dhe të punës nënkuptonte që largimi i kaq shumë punëtorëve shqiptarë rezultoi në mungesë masive të punëtorëve dhe mbingarkesë të personelit administrativ. Minatorë të huaj u kontraktuan të vinin nga Bullgaria, Republika Çeke dhe Polonia, si edhe refugjatët nga Krajina, në Kroaci. Gjatë kësaj periudhe u rritën edhe shqetësimet mjedisore; sasia e plumbit në ajër përfundimisht shkoi në 125 herë më shumë se sasia që konsiderohej e pranueshme nga Bashkimi Evropian.
Shpërthimi i luftës ndërpreu aktivitetet minerare për herë të parë. Periudha e pasluftës nuk ka çuar në integrimin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në vendndodhjet e minierave, ku ata vazhdojnë të punojnë të ndarë.