Ajo vraponte rrugëve të ngushta të Prizrenit me ndjekësit e saj vetëm disa hapa prapa. Ajo lëvizte nga hija në hije dhe vazhdimisht ndërronte drejtimin, por ata gjithmonë arrinin t’i afroheshin.
E kishin ndjekur për një kohë aq të gjatë saqë tanimë asgjë nuk do t’ua ndërronte mendjen për të hequr dorë. Kanë investuar tepër shumë kohë dhe përpjekje për të arritur “pastrimin total”, dhe personi që ndiqnin ishte pengesa e fundit që i parandalonte për krijimi e një mënyre komunikimi krejtësisht të pastër e të qartë.
Gjuha e Pastër Universale [GjPU] kishte qenë ëndërr për një kohë aq të gjatë dhe tani dukej aq afër realizimit. Krejt çfarë duhej të bënin ishte ta eliminonin këtë “papastërtinë” e fundit që ndiqnin.
Diku gjatë rrugës ajo e bëri një kthesë të gabuar dhe tani ishte përballë një muri të lartë pasqyror. Cubat e GjPU tani i ngadalësuan hapat dhe filluan ta rrethojnë atë. Ata kishin plotësisht të drejtë për të qenë kaq arrogantë dhe të sigurt[ në vete. Po të mundohej të kërcente në murin pasqyror me shpresën për t’i shfrytëzuar fuqitë reflektuese të tij për t’u arratisur, ata do të ishin poaq të shpejtë dhe do ta zinin.
Por ndërsa Agjent Mëkatari dhe Agjent Besimtari i afroheshin më buzëqeshje të shtrembër triumfale, ata u zunë në befasi kur ajo mori hez dhe vrapoi dhe kërceu drejt murit me një kënd aq të pazakontë. Në vend se të reflektohej, ajo u refraktua, u përthye, duke kaluar nga mediumi gjuhësor i anglishtes në atë të shqipes.
Kur doli në anën tjetër, vendosi dorën e saj mbi sipërfaqen gjysëm të tejdukshme, i ndjeu dridhjet e cubave të GjPU-së, që shkelmonin dhe godisnin anës tjetër të murit të xhamit.
“Baska bir linguistic medium duhem m’e gjetë, i to što prije”. Asaj i duhej të gjente shpejtë një sipërfaqe tjetër që ndante mediumet gjuhësore. Kjo ishte mënyra e vetme për t’i mbuluar gjurmët e saj. “Nëse vazhdoj të sorollatem”, mendoi ajo, “do të më gjejnë shumë shpejtë”.
Dhe ajo kishte të drejtë. Ajo përsëri dëgjoi bërtima dhe trazira në Gjuhën e Pastër Univerzale. GjPU premtonte qartësi totale dhe absolute në të folur. Nuk do të kishte më kuptime të dyfishta. Nuk do të kishte më fjalë të huaja. Nuk do të kishte më përzierje të kohëve e racave. Të frymëzuar nga ligjërimet e Platonit, të gjithë artistët dhe poetët u shfarosën dhe shoqëria u çlirua nga gënjeshtrat poetike që kishin qenë përgjegjëse për aq shumë huti dhe vuajtje. Gjithçka ishte pastruar tani. Gjithçka ishte e qartë. Çdo fjalë, një e “vërtetë”.
Duke vrapuar, ajo u ballafaqua me një mur tjetër pasqyrorë, dhe kërceu përsëri me një kënd tjetër të pazakontë. Por i rrëshqiti pak këmba dhe përplasja shkaktoi një çarje në sipërfaqen e murit pasqyrorë. Ajo tani e gjeti veten të shkapërderdhur nëpër një medium gjuhësor që ishte i ndarë në mes serbishtes, kroatishtes, boshnjakishtes dhe malazishtes… Por kjo nuk paraqiste ndonjë problem për cubat e GjPU-së — gjuha e tyre ishte universale.
“Što ćemo sad?”, tha ajo, por nuk kishte luksin e të humbte kohë duke reflektuar për temën. Ende ishin duke e ndjekur dhe koha po ikte. “I gotta keep moving, yada hersey do t’marri fund”.
Ndërsa vrapoi për kërcimin e saj të fundit, ajo rrëshqiti në një medium gjuhësor ku flitej dialekti i Prizrenit. Narës iu duk se do të ishte e sigurtë këtu një kohë dhe kështu eci në drejtim të Lumit. “Shumë mirë do ishte sikur t’i zhysja këmbët në ujë të ftohtë”, mendoi ajo.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.