Pikëpamje | Aktivizmi

Ne kemi vetëm njana-tjetrën

Nga - 27.03.2024

Kufizimi i së drejtës për protestë përmes policisë më 8 mars është përpjekje për shuarje të kritikës feministe. 

Në ditët e para të marsit, Kolektivi “MARSHOJMË S’FESTOJMË” kishte bërë publike thirrjen për marshin e 8 marsit — Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Organizatoret e marshit të përvitshëm, qysh prej vitit 2016, këtë vit, kishin vendosur të marshojnë për njana-tjetrën. 

Organizimi i sivjetëm po bëhej nën kërcënime të njëpasnjëshme ndaj mirëqenies tonë si gra. Pak ditë para 8 marsit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës po e cenonin autonominë e trupave tanë, duke kundërshtuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM), i njohur shpesh edhe si In-vitro Fertilization (IVF). Çka kundërshtonin ata më së shumti ishte neni 15 i projektligjit, i cili i njeh edhe gratë beqare mbi moshën 18-vjeçare si shfrytëzuese të së drejtës për FAM. 

“Kemi parë procese të tilla që kanë prishur familjen”, thoshte Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nëpër debate televizive e mediet mezi prisnin t’ia jepnin hapësirën për ta sensacionalizuar çështjen e për të shtuar polarizimin publik rreth saj. 

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës ndante fotografi nga takimi me kryetaren e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. Në njoftimin pas takimit thuhet se aty u diskutua për shqetësimin e Myftiut Naim Tërnava në lidhje me projektligjin për FAM, i cili sipas tij “kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”. Si për ironi, tutje thuhet se Balje e falënderoi Tërnavën për angazhimin e tij “për një mirëqenie të të gjithëve.”

Rreth së njëjtës kohë, Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani nga Dardan Krivaqa në vitin 2021, nën arsyetimin se, në gjykimin e shkallës së parë, kishte pasur “shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”. Ky është bërë arsyetim i dëgjuar tashmë prej gjykatave kur trajtojnë raste të femicidit në Kosovë — tregues i një sistemi të drejtësisë që nuk e trajton me seriozitet (pa)sigurinë e grave në Kosovë dhe minon qasjen e tyre në drejtësi. 

Në këtë gjendje të rënduar kolektive, marshit i paraprinë disa aksione. Të revoltuara me shfrytëzimin e trupave të grave si subjekte të dhunës dhe riprodhimit të rregulluar nga burrat, në fillim të marsit pikërisht për dhe me trupat e tyre, aktivistet protestuan.

Zyrtarë policorë në vend të rrethojave 

Në atë kontekst ku flitej për gratë, për mënyrat se si, kur dhe nën çfarë kushtesh atyre u lejohet të riprodhojnë, aktivisteve s’iu bëhej të prisnin datën 8 mars për të dënuar këtë gjuhë. Nuk u pritej vetëm 8 marsi, për ta bërë të dukshme prezencën e grave në një shoqëri që prej tyre kërkon të reduktohen përditë: në ambiente të punës, në shtëpi e në rrugët që i ecin. 

Kështu, më 28 shkurt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me një numër aktivistesh dhe aktivistësh, protestuan kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për ta kthyer rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në rigjykim.

Pastaj, më 29 shkurt u protestua tek Kuvendi i Kosovës, nën thirrjen: “Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”. Ndërkaq, për të dënuar nivelin e lartë të ngacmimeve seksuale që u kanosen grave përditë nëpër rrugë, më 6 mars, ato shkruan “Rrugët janë tonat”, në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.  

Në aksione, të organizuara ndaras a bashkërisht, aktivistet kërkuan drejtësi dhe siguri për vajzat e gratë. Kjo është bërë e domosdoshme sepse neve grave, na është bërë e qartë që shteti nuk e ka prioritet drejtësinë për ne e as sigurinë tonë. Ndonëse skajshmërisht të cenuara dhe të kërcënuara nga mënyra se si po formësoheshin diskutimet publike mbi trupat e grave — të gjallë e të vrarë — të gjitha aksionet e para 8 marsit ishin aksione simbolike, paqësore. 

Deklarata finale e marshit, që zakonisht lexohej në oborrin e qeverisë, këtë 8 mars u lexua jashtë tij.

Në mungesë të ndonjë distancimi, qoftë institucional apo shoqëror, nga gjuha e përdorur prej deputetëve e pa ndonjë përkushtim serioz për të na u bashkuar në përpjekjet tona për drejtësi, na u bë e qartë: Kemi vetëm njana-tjetrën.

Për njana-tjetrën u organizua edhe marshi i 8 marsit. Ditë para marshit, aktivistet dërguan në Polici njoftimin, bashkë me rrugën që do ta përshkonte marshi. Aty theksohej me të kuqe ndalesa e fundit — qeveria. 

Megjithatë, kur marshi arriti te qeveria, marshueset e marshuesit u pritën me një kordon policor, që më pas u bë i dyfishtë — me pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Deklarata finale e marshit, që zakonisht lexohej në oborrin e ndërtesës së qeverisë, këtë 8 mars u lexua jashtë tij. 

Qeveria Kurti, që para katër vitesh kishte hequr rrethojat nëpër disa institucione publike në emër të afrimit të qytetarëve me institucionet, nuk i lejoi aktivistet/ët të afroheshin. Përkundër një të kaluare si një lëvizje që është formësuar kryesisht prej protestës e aksioneve publike, duket se pas marrjes së pushtetit, qeverisë po i pengon protesta feministe. 

Në këto rrethana, reduktimi i hapësirës publike përmes policisë lexohet si përpjekje për kontrollim të kritikës. Nga një lëvizje që i shihte rrugët si kanal për të artikuluar revoltën në një qeveri që revoltën do ta kontrollojë duke penguar qasjen në rrugë — çka ndodhi me qasjen e qeverisë Kurti dhe çka do të thotë kjo qasje për aktivizmin shoqëror?  

“Rrugët janë tonat” 

Ngjarjet paraprake, të organizuara para marshit, nuk flasin për ndonjë tregues se aktivistet do të përdornin dhunë në marsh. Po ashtu, marshi i 8 marsit nuk është ngjarje e re — ai ndodh tash e gati dhjetë vjet.

Çka po rrezikon të bëhet po ashtu e zakonshme është edhe përpjekja për kontrollim të protestës. Kështu, kontrolli policor që u lëshua kundrejt aktivistëve e aktivisteve në marshin e 8 marsit, pos që ishte i pajustifikuar e i pajustifikueshëm, ngërthente në vete një mesazh: revolta feministe nuk është e mirëseardhur.  

Janë bërë disa precedentë tashmë të përdorimit të Policisë për gjobitje të aktivisteve feministe apo arrestim të tyre, duke synuar kështu së pari disiplinimin e tyre publik dhe reduktimin e vullnetit të tyre për protestë.

Por aktivistet feministe janë qenie të vetëdijshme politike. Ato kanë mësuar t’i njohin mekanizmat e mjetet, të cilat i përdorë shteti kundër tyre. I kanë mësuar sepse me to përballen përditë. Njohja e këtyre mekanizmave u është bërë kusht për mbijetesë. Dhe ato dinë se si t’i shfrytëzojnë këta mekanizma për t’i kundërshtuar përpjekjet për reduktim të hapësirave publike, të cilat janë shpesh zgjatim i revoltës së tyre. 

Ato e dinë se kufizimi i tubimit nuk mund të ndodhë dosido dhe nuk mund të lejohet të ndodhë dosido. Ligji për Tubime Publike thekson se kufizimet e tubimeve duhet të jenë të ligjshme, proporcionale dhe të domosdoshme, për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare apo mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimet po ashtu duhet të jenë të kohshme — më së voni 48 orë para kohës së mbajtjes së tubimit publik e jo kur tubimi është duke ndodhur.

Me kontrollin policor, qeveria e përdori metodën më klasike të nxitjes së urrejtjes dhe dhunës — qeveria tentoi t’i tëhuajsojë aktivistet feministe.

Cilën prej këtyre e rrezikon leximi i një fjalimi para objektit të qeverisë? Ku është shpjegimi për mungesën e proporcionalitetit të kontrollit policor, që rezultoi në përplasje fizike midis grave që donin të ushtronin të drejtën e tyre në protestë dhe policisë që donte ta pengonte atë? 

Në mungesë të një shpjegimi nga autoritetet që kufizuan të drejtën për protestë, kjo duket si masë paralajmëruese e sanksioneve kundrejt kritikës dhe opinionit të kundërt, me theks, kundrejt kritikës së grave. 

Me kontrollin policor, qeveria e përdori metodën më klasike të nxitjes së urrejtjes dhe dhunës — tentoi t’i tëhuajsojë aktivistet feministe. Tëhuajsimi u përdor si metodë për të arsyetuar përpjekjen për disiplinim dhe për ta relativizuar kauzën. 

Duke llogaritur bindshëm në masën e njerëzve që e mbështetin, kjo qeveri është duke u angazhuar që protestave dhe aktivizmit feminist t’i vë damka të angazhimit me agjenda të caktuara politike, duke e reduktuar e duke u përpjekur ta vë në dyshim agjencinë e organizimit dhe solidarizimit të grave. Kjo, si dënim për kritikën.

Mirëpo, aktivistet nuk mund t’i thurrin lavde qeverisë sepse janë shpeshherë të zëna duke kryer punët, që qeveria dhe institucionet përkatëse nuk po i kryejnë.  

Aktivistet feministe dhe organizatat për të drejtat e grave, janë duke u siguruar mbijetesën grave dhe vajzave në Kosovë. Ato janë kontakti i parë i tyre kur ato përjetojnë dhunë fizike, seksuale, psikologjike dhe ekonomike. 

Janë gratë, jashtë qeverisë, ato të cilat po japin shërbime sociale nëpër strehimore, që përballen me rrezikun e mbylljes çdo fillimvit sepse qeveria nuk po arrin të krijojë një linjë të qëndrueshme buxhetore për to. Në të njëjtën kohë, qeveria po arrin të buxhetojë për “sigurinë kombëtare”, duke i ndarë buxhet si asnjëherë më parë Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, në të menduarit e qeverisë, siguria e grave nuk është urgjencë kombëtare.  

Në këto rrethana, aktivistet feministe prapëseprapë dalin në rrugë, duke kërkuar drejtësi për njëra-tjetrën. 

Por ky lloj aktivizmi që nuk i shkon për shtati hegjemonisë mbizotëruese të mendimit brendapartiak, nuk i përshtatet qeverisë Kurti. Votuesve të kësaj qeverie, përmes kufizimit policor, sikur iu tha, “shikoni ato, gratë histerike, tek çirren pa nevojë, duke na trazuar prioritetet dhe agjendën tonë kombëtare”. Dhe sigurisht, për këta votues, ky tjetërsim ishte stimul i mjaftueshëm për sulme. Aktivistet feministe u bombarduan me mesazhe të urrejtjes, virtualisht dhe fizikisht. Burra që uronin dhe përgëzonin qeverinë Kurti për kontrollin policor më 8 mars, duke sugjeruar madje që “ma zi duhet me ua ba”. 

Prandaj, çdo aktivitet i kësaj qeverie për 8 mars, që proklamonte përkushtim ndaj barazisë gjinore bëhet i pavlerë.

Qeveria i shkoi për shtati tërësisht masës që do të na mbajë të bindura e të shtypura — që nuk e do rezistencën e grave në rrugë sepse kjo rezistencë ua bën të vështirë t’i ngujojnë ato brenda mureve të shtëpisë, nën kontroll të përhershëm.

Më 8 mars, qeveria aktuale u dha hov tutje atyre që, në çdo lajm rreth dhunës ndaj grave, lëshohen kundrejt nesh me komente ndër më çnjerëzoret. Qeveria siguroi votues, të cilët mbështesin dhunën ndaj grave, në hapësira publike e private, zëshëm, pa rezerva. 

Prandaj, çdo aktivitet i kësaj qeverie për 8 mars, që proklamonte përkushtim ndaj barazisë gjinore bëhet i pavlerë. 

Përkushtimi do të ketë kuptim kur policia që u angazhua në numër për kufizimin e tubimit tonë, të jetë e përkushtuar për t’i mbrojtur gratë kur atyre u kërcënohet mirëqenia nëpër hapësirat publike, që janë bërë strumbullarë ngacmuesish e dhunuesish seksualë të vajzave e grave. Policia, që na shtyu më 8 mars, duhet të jenë duke i dëgjuar rrëfimet e grave, që raportojnë dhunën, kanë urdhër mbrojtjeje e përfundojnë të vrara; të grave, që përdhunohen në sy të policisë. Policia le të punojë për ta kthyer besimin e atyre që përballë dhunuesve të tyre, lihen të vetme. 

Gratë, jo ndërtesa e qeverisë, kanë nevojë për mbrojtjen e policisë.

Derisa qeveria e policia ta kuptojnë këtë, aktivistet feministe do të qëndrojnë të alarmuara për shkallën e lartë shoqërore të pranueshmërisë ndaj dhunës me bazë gjinore, që më 8 mars u ndihmua edhe nga qeveria. 

Neve grave nuk na është lënë tjetër rrugëdalje, pos të qëndrojmë bashkë për të stimuluar së pari imagjinimin e një realiteti të ri për gratë dhe vajzat, pa dhunë e shtypje, sado e vështirë tingëllon kjo nën lajmet e përditshme aktuale. Ama vetëm përmes imagjinimit të një realiteti të tillë, mund të punojmë tutje drejt ndërrimit të tij. Për njana-tjetrën. 

Imazhi i ballinës: Aulonë Kadriu / K2.0 

Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave, të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. 

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.