Novela e titulluar “W” nga Igor Shtiks është triller politik me një subjekt të thjeshtë që mund të shkoqitet si një rrëfim për lëvizjen e majtë të shekullit të 20-të. Megjithatë, thënë më saktësisht, shumica e novelave të Shtiksit merren me periudhën rreth vitit të stuhishëm të 1968-tës, kur u mbajtën një sërë protestash të studentëve anekënd botës, dhe pasojat që ndoqën pas shtypjes së tyre.
Historia na mëson që shtrëngata e vitit 1968 ishte kulmi i idesë majtiste. Duket se ajo kurrë nuk u mëkëmb plotësisht në vijim.
Përmes krijimit të tri boshteve rrëfyese të ndërkëmbyeshme dhe të mbivendosura, Shtiks zë ngoje tri gjeneratat e revolucionarëve evropianë dhe anëtarëve të lëvizjeve komuniste (edhe të ligjshme, edhe të jashtëligjshme) për ta shfaqur rrëfimin rreth shkaqeve historike të gjendjes së paqejf të së majtës që vërejmë sot.
Kjo sigurisht që është pikëpamje e thjeshtëzuar e novelës, meqenëse është tekst që — pavarësisht kontekstit ideologjik — përpiqet t’i shqyrtojë lëvizjet dhe marrëdhëniet e majtistëve ndër vete, ngritjet dhe të metat me ndihmën e heronjve të njëmendtë.
Çdo gjë fillon në Paris, se s’kishte ku tjetër.
Igor Shtiks, uni i dytë i autorit, është një intelektual parisien që viziton Detin Adriatik pas 25 vjetësh. Ai mbërrin në atdheun e tij të atëhershëm të shkretuar për të marrë pjesë në leximin e testamentit të Valter Stiklerit, një luftëtari të ndjerë majtist që më vonë u bë konservator dhe kundërshtoi idenë majtiste. Siç ndodhi, Valteri zgjodhi Igorin në Paris. Igori është aktivist dhe teoricien i zëshëm i idesë së majtë, dhe Valteri deshi t’ia tregojë historinë e jetës së tij.
Hallka e tyre lidhëse është vendlindja — Sarajeva. Valteri flet për jetën e tij si jetim i rritur në jetimoren e qytetit. Megjithatë, disa vjet para se të takoheshin dhe të flisnin për historinë e tij, Igori merr lajmin se Valteri është vrarë. Më vonë, ai pranon një thirrje të papritur nga avokati i tij, i cili e fton Igorin dhe aktivisten majtiste Tesa Simon në leximin e testamentit që përmban emrat e tyre.
Jeta e Valterit si majtist i flaktë në rini dhe pastaj si konservator e fut lexuesin në një udhëtim trallisës nëpër Evropë.
Shtiks e sheh kthimin në vendlindje si çast që i jep gjallëri të kaluarës së shtetit të rrënuar Jugosllav, si dhe kujtimeve të fëmijërisë dhe të prindërve që i janë zhdukur gjatë luftës. Në anën tjetër, mbërritja në ishullin e Detit Adriatik (Shtiks nuk e përmend me emër por e quan vetëm ishull) dhe leximi i testamentit të Valterit do të jenë shkas për një sërë ngjarjesh që, siç u tha më herët, ishin fort të përhapura në shekullin e 20-të.
Testamenti bëhet shtysa kryesore e fabulës së novelës. Ai i drejton heronjtë në një varg udhëtimesh drithëruese dhe të rrezikshme, duke ua ndërthurur jetët në disa periudha historike.
Në boshtin e parë rrëfyes, heroi Igor Shtiks ia përcjell Tesës historinë e Valterit. Jeta e Valterit si majtist i flaktë në rini dhe pastaj si konservator e fut lexuesin në një udhëtim trallisës nëpër Evropë, plot me vepra majtiste, intriga, ashk, tradhti shoqërore dhe zhgënjime me idealin. Prej rinisë të hershme dhe shoqërisë me të riun Vladimir, i cili më vonë bëhet subjekt i një rrëfimi mitik revolucionar, deri te ekstaza e vitit 1968 dhe më vonë te përmbysja përfundimtare me braktisjen e “deluzioneve të rinisë”.
Sidoqoftë, në mënyrë që “W” të mos bëhet sall një prozë që përkujton pjesën drithëruese të asaj periudhe, Shtiks paraqet të tashmen me ndihmën e personazheve të Igorit dhe Tesës.
Të dytë janë pjesë e së majtës: prindërit e Tesës ishin revolucionarë dhe pjesë e grupit të Valterit dhe Vladimirit në Paris që kryenë sulme terroriste nëpër qytete të ndryshme të Evropës. Igori është profesor universiteti dhe shkrimtar i librave dhe polemikave për majtizmin. Duke e përdorur këtë bosht të dytë rrëfyes, autori shfaq dinamikën e lëvizjeve majtiste dhe veprimet gjatë periudhës së kapitalizmit neoliberal.
Novela na ndihmon t’i hetojmë të gjitha ngjarjet e njohura nga historia e vonë: prej rënies së Murit të Berlinit deri te kriza e fundit e madhe ekonomike.
Sidoqoftë, duke i lidhur Igorin me Tesën përmes testamentit të Valterit, Shtiks krijon hapësirën për shtjellimin e një rrëfimi dinamik të marrëdhënies së tyre që i çon drejt veprimeve që thuajse shpërthejnë prej vetë novelës. Lidhja dhe ndërlidhja e heronjve mbërrijnë kulmin në boshtin e tretë rrëfyes, kur merren me partizanin Valter Stikler. Ai që e shpëtoi Valterin — majtistin e shndërruar në konservator — si jetim, duke e lënë në jetimoren e Sarajevës.
Pjesa e dytë e testamentit, me të cilën Valteri i nxiti Igorin dhe Tesën, lidhet me udhëtimin në Sarajevë për ta gjetur burrin që e kishte shpëtuar Valterin. Kjo shënon kulmin e intrigave që paraqiten në novelën “W”, me ç’rast vijnë një sërë ndryshimesh paksa trallisëse; fillojnë veprimet, pasioni dhe aventurat, si dhe preken zhanret e spiunazhit dhe krimit, rrëfimet e detektivëve dhe episodat e llojllojshme që e bëjnë ritmin e “W” të duket stilistikisht i ngurtë dhe i lehtë për t’u lexuar.
Novela mund të kuptohet si aventurë ilustruese që të shpie nëpërmes agimit, mesditës dhe natës së lëvizjes majtiste dhe komunizmit në Evropë.
Në fund, pas një radhe pengesash — duke iu shmangur shërbimit sekret francez që përpiqet t’i kap Tesën dhe Igorin nëpër malet dhe shkrepat e Bosnjës (meqenëse Tesa dhe grupi i saj majtist shihen si rrezik) — dyshja mbërrin në Sarajevë. Pasi e gjejnë Valterin e moshuar në një shtëpi pleqsh, rrëfimi përmblidhet kur Shtiks, përmes gojës së revolucionarit të vjetër e të thyer, i zbulon copëzat e humbura të jetës së këtij njeriu që ka përdorur testamentin e vet për t’i lidhur protagonistët që të shkojnë në Sarajevë.
Në novelën “W”, Valteri i moshuar paraqet një pikëpamje të majtë që përfshin periudhën mes Revolucionit të Tetorit dhe periudhës së Gulagëve. Përmes kësaj vije të mendimit, autori i jep sfondit të tij romanesk një qark të qartë konceptual.
Igor Štiks. Foto: Jim Marshall.
Nëse vështrohet në këtë mënyrë, novela mund të kuptohet si aventurë ilustruese që të shpie nëpërmes agimit, mesditës dhe natës së lëvizjes majtiste dhe komunizmit në Evropë. Krahas një doze mjaft të madhe të aksionit, intrigës dhe adrenalinës, Shtiks po ashtu ofron drithërim e shumësi informatash për historinë e lëvizjes dhe ideologjisë majtiste.
Disi, “W” na kujton novelën “School for Delicate Lovers” (“Shkollë për Dashnorët Delikatë”) nga Svetlana Slapshak për shkak të organizimit kompozicional të tekstit dhe dinamikave të paraqitjes së ngjarjeve dhe boshteve themelore rrëfyese.
Të dy autorët përdorin një bollëk të dhënash prej punës shkencore dhe universitare. Slapshak përdor antropologjinë lashtogreke, kurse Shtiks përdor informatat prej fushës së ideve majtiste. Në një mënyrë, kjo është thikë me dy teha kur kemi parasysh se — nëse autori është i pavëmendshëm — teksti romanesk mund të jetë çorientues nga vetë natyra informative nëse funksioni i tij për zhvillimin e narrativave është i paqartë.
Megjithatë, të dy autorët kanë pasur sukses në funksionalizimin e këtij bollëku të dhënash dhe ndërfutjen e mirëfilltë të tyre në fabulat e novelave. Por, novela e Shtiksit nuk mbetet në këtë nivel të kërshërisë.
Më saktësisht, në pjesën e parë krijohet një rrëfim për rininë dhe momentet fillestare të jetës së Valterit, i cili lidhet me shoqërinë që ndan me të riun Vladimir. Në një natë të dehur, ata bëhen vëllamë duke e vizatuar shkronjën “W” në një shkëmb të ishullit, si shenjë bashkimi dhe si betim që do të luftojnë për një botë më të mirë. Valteri e diskuton këtë me Igorin dhe Tesën në kampin rinor të ishullit ku Valteri dhe Vladimiri janë dërguar prej jetimores si fëmijë. Prandaj ndodhi edhe udhëtimi i tyre trallisës bashkë me veprimet revolucionare të Parisit në stuhinë e vitit 1968. Vitin vijues, ky shteg drithërues vazhdoi deri në pikën kur Valteri dhe Vladimiri bëhen kundërshtarë dhe armiq, pas plasaritjes së idesë së tyre.
Vladimiri vazhdon ta mbështesë një revolucion të përhershëm, kurse Valteri tërhiqet dhe bëhet kundërshtar i zëshëm ndaj ideve të majta. Në këtë çast të novelës, Shtiks paraqet disa informata që i zbulojnë Tesa dhe Igori, të cilat e ndryshojnë rrjedhën e novelës në shumë mënyra, si dhe e bëjnë konceptin më të ndërlikuar. Risia është se Vladimiri s’ka ekzistuar kurrë. Prej fillimit, sajimi i tij ishte pjesë e lojës së Valterit që e përdori për të qenë një hap para të gjithëve.
Kjo kthesë, dhe fakti që Valteri ishte ndarë më dysh në një moment — njëra me të majtën e tjetra me konservatoren — kanë bërë që novela ta ketë një përmbledhje më të sinqertë dhe serioze.
Pa dyshim, “W” është novelë tejet e baraspeshuar në kuptimin stilistik, e shkruar me një plan fort të përpiktë. Kështu, ajo rri krahas prozës më të vonë bashkëkohore evropiane.
Duke e shoqëruar Valterin, Shtiks bën një alegori interesante për pjesën e dytë të shekullit të 20-të. Personazhi i Valterit, antagonizmat dhe personaliteti i tij i dyfshishtë, si dhe konflikti mes ideve të një lufte të armatosur dhe qasjeve paqësore, pasqyrohen si pikat nevralgjike të lëvizjes majtiste. E gjithë bredhja, gazifikimi, tradhtia ndaj ideve dhe lëvizja drejt ekstremit të djathtë bashkë me ekstazën e mundësisë së një bote më të mirë dhe zhgënjimet pasuese e përbëjnë zemrën e së majtës evropiane, të cilën Shtiks e përshkruan përmes personazheve të novelës.
Në një nivel simbolik, ndarja e personazhit të Valterit ka një sfond më të thellë. Fakti që Valteri del të jetë krijues i të dy skenave — të majtës dhe të djathtës — na ofron pamjen e zvetënuar të një bote ku, si pjesë e neoliberalizmit të tregut, dallimet ideologjike dhe ideore shërbejnë vetëm si mbulesë e një njësie të vetme kapitaliste në dy anët politike.
Pa dyshim, “W” është novelë tejet e baraspeshuar në kuptimin stilistik, e shkruar me një plan fort të përpiktë. Kështu, ajo rri krahas prozës më të vonë bashkëkohore evropiane.
Në nivelin e ideimit, mund të themi se autori është guximtar sepse shkruan letërsi që e sheh botën prej pozitave majtiste dhe marksiste. Por, kjo nuk do të thotë se autori po u thur lëvdata këtyre ideve, përndryshe do të ishte propagandë.
Novela “W” tregon që Shtiks i cek çështjet e lidhura me të majtën me vetëdije të plotë për paqartësitë dhe gabimet e saj. Me karakterin e ndarë të Valterit, kjo psikozë e ideve majtiste mbërrin kulmin.
Megjithatë, problemi i kësaj novele lidhet me boshtin e dytë rrëfyes, i cili ka të bëjë me Igorin dhe Tesën.
Është plotësisht e qartë që Shtiks deshi t’i përfshijë tri gjenerata protagonistësh që ta mbajnë pishtarin revolucionar. Në këtë mënyrë, ai mund t’i tregonte baticat dhe zbaticat në një bosht, dhe të dëshmonte që ishte e rëndësishme për të që të krijojë një kornizë për rrëfimin. Prandaj, ky duket të jetë i ekzekutuar jo edhe aq mirë. Mbi të gjitha, është i stërmbushur me skena aksioni, ndjekje me vetura, pasione e spiunazhe që u ngjajnë filmave të Hollivudit, gjë që kanë sjellë motivime të vendosura në mënyrë naive në disa pjesë të novelës.
Është e qartë që autori ka dashur të qëndrojë krahas me tempon e shkrimit. Sidoqoftë, duket se kjo solli diçka jofunksionale dhe deri diku të tepërt, të cilat kishin mundur të zëvendësoheshin me zgjidhje më origjinale që nuk do ta lëndonin njëtrajtësinë e novelës.
Një shqetësim tjetër për boshtin e rrëfimit është që Tesa dhe Igori shpeshherë duken të jenë kopje identike të Valterit dhe shoqëruesit e tij prej kohës së rinisë revolucionare parisiene. Konfliktet e tyre, hapat, vendimet dhe mënyra se si ndizet pasioni mes tyre shfaqet si përsëritje jokreative e diçkaje që tashmë e dimë. Ose, me fjalë të tjera, ndërtim me shabllon i personazheve plastike pa karakterizim më të thellë.
Duke i paraqitur këto episoda, ndoshta Shtiks është përpjekur ta shfaqte natyrën cinike të vrullit revolucionar përmes Tesës dhe Igorit, por po ashtu ka demonstruar përsëritjen e gabimeve dhe keqperceptimeve majtiste të së kaluarës. Nëse është kështu, atëherë vendimi i autorit për t’i ndërtuar karakteret në këtë mënyrë mund të arsyetohet. Sidoqoftë, nëse s’e marrim parasysh këtë, çfarë mungon është një mishërim më i bindshëm i ideve majtiste të sotme, sidomos përmes personazheve të dy heronjve. Kjo do të mund të shpjegohej më tej në pjesën e përmbledhjes, e cila është shtruar në një mënyrë mbresëlënëse; një lloj shmangieje e brezave, një përpjekje për ta gjetur ndonjë mësim në të kaluarën që të mos përsëriten gabimet e njëjta.
Nuk jam i sigurt nëse autori Shtiks ka mundur të gjejë përgjigje të përshtatshme për karakterin Shtiks sa i përket gabimeve të majtizmit që i njohim përmes rrëfimit të Valterit, në mënyrë që ky hero ta shohë një të ardhme më të qartë. Është e kuptueshme që novela nuk është diskutim teoretik, prandaj nuk është e nevojshme që të ofrohet ndonjë përgjigje e saktë e çfarëdo lloji.
Sidoqoftë, duket se gabimet dhe deluzionet mbesin të njëjta, dhe se romanca e dalldisur e ideve mbetet e njëjtë, kurse aktorët ndryshojnë. Nëse kjo ka qenë ideja e autorit, atëherë demonstrohet mjaft mirë në fund të novelës.
Imazhi i ballinës nga Fraktura.