Prodhuesja e vetme e energjisë elektrike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), punëson mbi 4,700 punëtorë, shumica e të cilëve kanë zgjedhur rrugën si vend për të kërkuar njohjen dhe respektimin e të drejtave të tyre. Arsyet që i kanë shtyrë ata të protestojnë janë nga mungesa e kontratës kolektive e deri tek ambienti i rëndë e rrezikshmëria e lartë në vendin e punës. Për shermbull, në 18 vitet e fundit, në vendin e punës kanë vdekur 42 punëtorë të KEK-ut, sipas të dhënave të Inspektoratit të Sigurisë në Punë që funksionon në kuadër të KEK-ut.
Numri i punëtorëve në KEK ka qenë më i lartë deri në vitin 2013, por me procesin e privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, afër 2,000 kanë kaluar nën menaxhim të shoqërisë aksionare KEDS. Tani KEK-u, që vazhdon të jetë nën pronësi të qeverisë, përveç ndryshimeve organizative dhe problemeve të vazhdueshme me sigurimin e energjisë elektrike, poashtu i ka dy sindikata. Njëra është Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës; ndërsa nga pakënaqësia me performancën e saj, në vitin 2015, rreth 2,000 punëtorë iu larguan duke formuar Sindikatën e Re të KEK-ut. Dhe është pikërisht kjo e fundit zëri i të cilës më së shpeshti dëgjohet në publik.
Brenda tre viteve të fundit, Sindikata e Re ka organizuar mbi dhjetë protesta. Kërkesat kanë përfshirë: respektimin e ligjit të punës e marrëveshjes kolektive, rritjen e sigurisë në vendin e punës, ofrimin e sigurimit shëndetësor, si dhe rritjen e pagave. Në vitin 2017 Sindikata e Re kërkoi rritjen e pagave për 100 euro në muaj për gjithë punëtorët. Atë vit askush nuk i morri parasysh dhe sindikalistët nuk i ndalën protestat pavarësisht premtimeve edhe nga ana e politikanëve. Edhe 2018-ta sindikalistët i gjeti në rrugë me kërkesat e vitit të mëparshëm.
K2.0 ka biseduar me anëtarin e saj, Nexhat Llumnicën rreth kushteve të punëtorëve të KEK-ut, vështirësitë që kanë ata, hapave që janë ndërmarrë deri më tash për mbrotjen e shëndetit të punëtorëve, për kërkesat e punëtorëve karshi menaxhmentit të KEK-ut dhe institucioneve të vendit, si dhe rolin e protestave dhe grevave.
Nexhat Llumnica. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
K2.0: Përgjatë vitit 2017, KEK-u u rezistoi protestave të punëtorëve për rritjen e pagave. Por në fillimin e këtij vitit që po lëmë pas, menaxhmenti u pajtua që secilit prej punëtorëve t’u rriste pagën me nga 100 euro — që ishte dhe kërkesa juaj. Cilat ishin rrethanat që ju bindën se duhet të kërkoni rritje pagash dhe të insistonit përgjatë një viti në këtë?
Nexhat Llumnica: Kërkesa për ngritje të pagës është për shkak të kushteve të punëtorëve, rrezikshmërisë [në vendin e punës], si dhe këtyre iu ka shtuar edhe tejkalimi i planit, vazhdimisht, i prodhimit si në [sa do nxjerret] thëngjill ashtu edhe në prodhimin e energjisë elektrike. Në përgjithësi, punëtorët e KEK-ut janë në gjendje të rëndë, u ekspozohen gazrave helmuese e rreziqeve të tjera; shumica e punëtorëve të KEK-ut nuk arrijnë ta shijojnë pensionin, kjo për shkak të sëmundjeve profesionale që i marrin në vendin e punës dhe kërkesa për rritje page ka ardhur natyrshëm.
Si u organizuat dhe nëpër çfarë etapa kaluat deri tek vendimi për rritjen e pagave?
Kemi pasur protesta prej 1 majit të vitit 2017 me këtë kërkesë. Menjëherë pas formimit të qeverisë [shtator 2017] kemi marrë premtimin nga kryeministri [Ramush Haradinaj] e kryeparlamentari [Kadri Veseli] se do të rriten pagat, por kjo nuk ndodhi. Në nëntor [2017] kemi protestuar përsëri për zbatimin e kontratës kolektive dhe rritjen e pagave ku përsëri kryeministri, gojarisht, na ka thënë se prej 1 janarit [2018] do t’i merrni pagat me rritje. Kjo nuk doli të jetë e vërtetë. Me 2 shkurt të këtij viti, ish-drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka, tha se bordi nuk ka vendosur për rritje [të pagave].
"Është e metë e madhe në përgjithësi, se asnjëhere nuk realizohen kërkesat e punëtorëve pa u bërë presion i madh".
Na u imponua që të organizojmë prapë protestë dhe planifikuam edhe të hyjmë në grevë. Më 8 shkurt kemi protestuar gjithë punëtorët para drejtorisë së KEK-ut, si dhe qeverisë së Kosovës. Rezultoi se presioni ynë e shtyu bordin të mbajë mbledhje urgjente të nesërmen. Ata vendosën që të rriten pagat, por nuk pati vendim të shkruar, ndërsa ne e kërkonim të shkruar. Pas tre dite na e dërguan vendimin e shkruar por mungonin sqarime se sa do rritet paga, kur do rritet dhe detaje tjera.
Ne prapë rezistuam dhe vendosëm që prej 16 shkurtit të hymë në grevë të përgjithshme. Por, me 14 shkurt na erdhi vendimi [nga bordi i KEK-ut] se prej marsit pagat do rriten në mënyrë lineare nga 100 euro për gjithë punëtorët. Më 14 shkurt na ka ardhur më shkresë që pagat e KEK-ut do të rriten prej pagës së marsit nga 100 euro në mënyre lineare për të gjithë punëtorët. Ne e pamë të arsyeshme që të presim deri në mars dhe të mos futemi në grevë. Pagat e marsit dolën me rritje të cilat punëtorët vazhojnë t’i marrin ashtu.
A po i bie se vetëm kur punëtorët insistojnë me protesta e kërcënojnë me greva i’a arrisin qëllimeve të tyre. Dhe duke parë se KEK-u pasi rriti pagat thoshte se kjo nuk cënon buxhetin dhe nuk rritë çmimin e energjisë për konsumatorët, apo i bie se punëdhënësit, qoftë publik apo privat, nuk rrisin pagat e punëtorëve edhe pse mund të kenë mundësi ta bëjnë atë?
Është e metë e madhe si e menaxhmentit të KEK-ut, e të gjithë menaxhenteve të tjera, apo edhe pronarëve të kompanive në përgjithësi, se asnjëhere nuk realizojnë kërkesat e punëtorëve pa u bërë presion i madh. Është bërë e natyrshme, është modë që gjithherë me protesta të kërkohet përmirësim i kushteteve të punëtorëve. KEK-u ka buxhetin e vet dhe mundësitë për t’i ngritur pagat por ata nuk e bënë.
Sa është paga mesatare e punëtorëve të KEK-ut sot?
Pas rritjes së pagave dhe kostos së stazhit të punës, paga mesatare e punëtorëve është diku mbi 680 euro. Pagë që është mbi mesataren në nivel vendit, ama që punëtorët e KEK-ut meritojnë edhe më të lartë se kaq. Kjo sepse kushtet në vendin e punës janë të tilla, ku rrezikshmëria që ekziston dhe specifikat tjera, bëjnë që kjo pagë të mos jetë e mjaftueshme. Punëtorët e KEK-ut nuk duan lëmoshë por [shpagim] për mundin që japin për prodhimin e energjisë elektrike në vend. Shtoja këtu se mesatare e jetëgjatësisë së punëtorëve — sipas llogaritjeve tona — është mes 57 e 58 vjet.
Por, tash është një praktikë e mirë ku punëtorët po kanë mundësi të zgjedhin për të shkuar në pension më herët dhe të marrin 24 paga të plota. Kjo do iu jep mundësi atyre që të mos përballen me punën e vështirë [deri në moshën e pensionimit] si dhe po krijohen kushte për ripërtritje të stafit të punëtorëve. Të gjithë punëtorët mbi 60 vjet mund të zgjedhin të largohen nga puna dhe të marrin 24 paga të plota.
Punëtorët e KEK-ut përballen me rrezikshmëri të lartë në vendin e punës, posaçërisht për nga aspekti shëndetësor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
A ndodh shpesh kjo? A po praktikohet nga punëtorët?
Ende nuk ka të dhëna, punëtoret janë ende duke aplikuar dhe kanë kohë deri me 19 janar [2019]. Kjo është një mundësi e mirë që të marrin pagën 100 përqind dhe të shkojnë për rehabilitim të shëndetit.
Kur jemi te shëndeti e dimë që keni pasur probleme më sigurime shëndetësore. Si është momentalisht gjendja me sigurimet shëndetësore për punëtorët e KEK-ut?
Punëtorët kanë një sigurim shëndetësor, ku KEK-u paguan nga 24.80 euro [në muaj]. Por, fillimisht punëtorët duhet vet të paguajnë nga xhepi i vet [shpenzimet mjekësore] dhe më pas me faktura i kthehen [paratë] prej kompanisë së sigurimit. Gjithmonë kemi kërkesa nga punëtorët që kjo të ndryshojë pasi që [trajtimi] i sëmundjeve të rënda të punëtorëve të KEK-ut kushton shtrenjtë dhe ata nuk po mund t’i sigurojnë mjetet. Për këtë, në shumë raste në mënyre humanitare si punëtorë mbledhemi së bashku dhe i paguajmë barna kolegëve tanë deri sa t’ua kthen [paratë] sigurimi.
Çka është bërë deri më tani për sigurinë në vendin e punës, duke marrë parasysh ambientin e rëndë të punës në KEK?
Ne e kemi edhe ligjin për siguri në punë dhe ligji i punës që përcakton në detaje se cilat veprime duhet ndërmarrë. Rrezikshmëria në vendin e punës nuk mund të eliminohet plotësisht për punëtorët e KEK-ut — sepse natyra e punës është e tillë — por disa pika të këtyre ligjeve nuk respektohen prej KEK-ut. Çdo punëtorë, vendi i punës i të cilit është me rrezikshmëri duhet t’i ketë 30 ditë pushim mjekësor për dallim nga punëtorët e tjerë [që iu takojnë 20 ditë pushim mjekësor], si dhe të iu paguhet [pushimi mjekësor] 100 përqind. Shumica e vendeve të punës në KEK janë të tillë por prej kompanisë kjo [pushimi mjekësor për 30 ditë] nuk respektohet. Gjithashtu, pagesa për pushimin mjekësor, në përgjithësi, paguhet vetëm 40 përqind. Ne kemi pasur takime edhe disa herë më menaxhmentin e KEK-ut dhe kemi kërkuar që pushimin mjekësor prej 20 ditëve të paguhet 100 përqind, si dhe të mos ketë vonesa në pagesat e tyre.
"Ka nevojë për më tepër punëtorë dhe shpresojmë se do të hapen edhe konkurse tjera për vende pune. Në të kundërtën ne do të insistojmë që kjo të realizohet, qoftë edhe me protesta".
Cilat janë rreziqet që kërcënojnë më shpesh punëtorët e KEK-ut?
Shkaqet më të shpeshta janë lodhja e punëtoreve, lartësia, sëmundjet profesionale e rreziqe tjera. Ka raste kur edhe vet punëtorët nuk i përmbahen rregullave të sigurisë, si mos bartja e mjeteve të sigurisë. Nuk ekzistojnë mekanizma adekuat — edhe pse ekziston inspektorati në kuadër të KEK-ut — por ata nuk janë [në numër] mjaftueshëm për të vepruar. Sipas ligjit të punës duhet të jenë për çdo të 50-in punëtorë nga një person që kujdeset për sigurinë në vendin e punës, por në KEK kjo nuk është kështu. Pra nuk ka kapacitete për ta menaxhuar situatën.
A mund të jetë kjo një kërkesë për t’u realizuar në të ardhmen?
Ne e kemi bërë kërkesën tek drejtori menaxhues i tanishëm dhe ai ka premtuar se do tentojë të realizojë një divizion për siguri dhe mbrojtje në punë. Kjo do të rrisë kapacitetet e departamentit aktual sepse është e pamundur të menaxhohen 4,000 punëtorë me 30 të tjerë [inspektorë].
Jeni deklaruar se edhe në divizionet e tjera ka mungesë të punëtorëve. A mund ta elaboroni më tej këtë?
387 punëtorë do të pensionohen gjatë këtyre dy viteve [2019 dhe 2020] dhe kjo e çon numrin e përgjithshëm në 800 punëtorë që i mungojnë KEK.-ut. Tashmë është dhënë autorizimi nga menaxhmenti për të hapur një konkurs për 100 vende të reja të punës — kjo është një tendencë për të riorganizuar KEK-un. Por ka nevojë për më tepër punëtorë dhe shpresojmë se do të hapen edhe konkurse tjera për vende pune. Në të kundërtën ne do të insistojmë që kjo të realizohet, qoftë edhe me protesta, kjo sepse mund të rrezikohet prodhimi [i energjisë] e rrezikohemi edhe ne si punëtorë.
Si po mbulohet ky boshllëk i punëtorëve?
Vështirësitë janë të mëdha, ka punëtorë që i kryen dy ose tri lloje të punës brenda KEK-ut. Kjo edhe falë vullnetit të punëtorëve dhe motivimit që kanë marrë ata prej ngritjes së pagës. Gjithashtu është edhe konkurenca dhe papunësia e madhe që po i shtyn njerëzit të punojnë në këto kushte. Së fundmi, për 100 vende të punës në KEK kanë aplikuar mijëra persona dhe kjo tregon nevojën për punë dhe presionin që punëtorët [e KEK-ut] kanë për të mbajtur vendin e tyre të punës. Kjo gjendje [e papunësisë] po bën të mundur ndrydhjen e punëtorëve dhe mos respektimin e të drejtave të tyre.
Në bazë të asaj që thatë deri tani, a po i bie se KEK-u s’po respekton disa prej pikave të ligjeve të punës?
Jo në përputhshmëri të plotë, veç përmenda disa nga pikat që nuk i zbaton KEK-u. Kjo mund të vijë prej mos dijes, por me rëndësi ato nuk po zbatohen.
A po iu kushton punëtorëve kjo ‘‘mos dije’’ e menaxhmentit ?
Kjo i ka kushtuar menaxhmentit shpeshherë sepse punëtorët në disa raste kanë dorëzuar edhe padi ndaj KEK-ut. Në shumë raste i kanë fituar ato raste dhe kjo i ka kushtuar KEK-ut me pagesa të pagave, kamatave e avokatëve. Ka raste kur punëtorët janë larguar padrejtëisht nga puna dhe më pas [pas vendimeve gjyqësore] janë kthyer dhe i kanë marr pagat e kamatën dhe kjo është humbje për KEK-un dhe keqmenaxhim. Në anën tjetër, kemi punën jashtë orarit të punës e cila nuk paguhet por u imponohet punëtorëve të marrin ditë pushimi për ato orë shtesë pune.
Në bazë të asaj që thatë, punëtorët e KEK-ut përballem me disa vështirësi dhe vazhdimisht kanë kërkesa që gjendja e tyre të përmirësohet. Cilët do jenë hapat tuaj në të ardhmen që kërkesat e punëtorëve të merren parasysh?
Bazuar në të kaluaren, besojmë se do vazhdojmë të kemi protesta [të punëtorëve të KEK-ut]. Tashmë, KEK-ut iu kanë ndërruar disa udhëheqës — jo vetëm drejtori menaxhues — dhe në rast se edhe këta vazhdojnë të jenë si ata të mëparshmit ne do të imponohemi me protesta. Në rast se plotësohen kërkesat për respektimin e kontratës kolektive nuk jemi të çmendur të protestojmë, por nëse ndodhë e kundërta ne do dalim në protesta.K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.