Pikëpamje | Politika

Nga strategjitë utopike në politika të jashtme realiste

Nga - 22.02.2021

Prapambetja e diplomacisë kosovare s’është për t’u habitur, por tani duhet qasje e re.

Mbas 13 vitesh veprimtarie të Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e arsyeshme të analizojmë strategjitë diplomatike të përdorura gjatë këtyre viteve si dhe nëse një strategji e tillë e mirëformuar ka ekzistuar ndonjëherë. 

Bazuar në fuqinë e kufizuar ekonomike dhe ushtarake, shtetet e vogla si Kosova zakonisht përballen me vështirësi në arritjen e qëllimeve të tyre në negociatat ndërkombëtare. Për këtë arsye, strategjitë në politikën e jashtme janë thelbësore për arritjen e qëllimeve të dëshiruara nga shtetet. Në të 2000-tat, përveç Deklaratës së Pavarësisë është e vështirë të gjenden raste ku diplomacia e Kosovës ka pasur sukses. Por edhe në këtë rast, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol vendimtar.

Tashmë ekziston mes opinionit publik kosovar dhe politikëbërësve njëfarë konsensusi se është vështirë që historia e diplomacisë kosovare të konsiderohet një histori suksesi. Për ta kuptuar dhe shpjeguar më mirë qasjen e diplomacisë së Kosovës ndër vite, le ta analizojmë një ligjëratë që Enver Hoxhaj, ish-ministër i jashtëm i dy qeverive dhe ish-zëvendëskryeministër, dha në Universitetin e Dublinit në janar të vitit 2014, për strategjitë që diplomacia kosovare ka përdorur gjatë mandatit të tij të parë si ministër.

Ligjërata titullohet “Smart Power of Small States: Kosovo’s Approach to Foreign Affairs” (“Fuqia e mençur e shteteve të vogla: Qasja e Kosovës ndaj punëve të jashtme”).

Kur e lexova ligjëratën, u befasova që politika kosovare kishte ndërtuar një strategji bazuar mbi një koncept paraprakisht të teorizuar, në këtë rast nga studiuesi i politikës Joseph Nye. Sidoqoftë, u zhgënjeva nga paaftësia e ligjëruesit për të kuptuar se sa e pamundur është praktikisht për një vend si Kosova të përdorë fuqi të mençur si strategji në politikën e jashtme. Nuk është se Kosova nuk mund të përdorë fuqi të mençur në mënyrë efektive, por nuk mund ta përdorë fare pasi nuk e disponon atë. 

Sipas ligjëruesit, fuqia e mençur i Kosovës konsiston në disa elemente kryesore — mes tjerash ai përmend reformat e brendshme, normalizimin e raporteve me Serbinë dhe zgjidhjen e disa çështjeve ndërshtetërore në mënyrë paqësore. Në lidhje me këtë të fundit, ai madje thekson se ky model do të shërbente për zgjidhjen e problemeve tjera në rajon. 

Sa i përket normalizimit të raporteve me Serbinë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tash, shtatë vite pas asaj ligjërate, Kosova vazhdon të jetë larg ndonjë normalizimi raportesh me Serbinë. Statusquo-ja e tanishme nuk ka të bëjë aspak me ndonjë shkathtësi diplomatike të Kosovës, por rrjedh nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë në 1999 dhe nga roli organizues dhe mbikëqyrës i Bashkimit Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme në mes të dy vendeve. 

Në fund, si element të fuqisë së mençur Hoxhaj e konsideron përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe shndërrimin e Kosovës në vend tërheqës për investime të jashtme. Por se sa tërheqëse është Kosova për investuesit e huaj e tregon fakti që vetë diaspora e Kosovës heziton, madje refuzon të investojë në Kosovë. 

Çfarë i mungon Kosovës?   

Para se të flasim për fuqinë e butë, është e nevojshme të shpjegohet fillimisht koncepti i fuqisë, apo aftësisë për t’i shtyrë të tjerët të bëjnë atë që ti dëshiron. Ekzistojnë tri lloje të fuqisë të njohura në shkencë politike: fuqia e fortë (hard power), fuqia e butë (soft power), dhe fuqia e mençur (smart power). 

Te e para, forca ushtarake dhe financiare garantojnë se kushtet e vendosura ndaj vendeve apo institucioneve ndërkombëtare nuk janë fjalë në erë. E dyta buron nga rrezatimi prej shteteve i suksesit të gjithanshëm bazuar mbi një bashkësi unike vlerash, normash, institucionesh, stili jetese dhe mallrash. Ndërsa e treta, fuqia e mençur, është kombinim i dy të parave, asnjërën prej të cilave shteti i Kosovës nuk e ka.

Dihet shumë mirë që Kosova nuk i ka kapacitetet e nevojshme për t’u mbrojtur ushtarakisht, as nuk mund të diskutohet që të kërcënojë vendet e tjera për të arritur ndonjë rezultat që dëshiron nga negociatat ndërkombëtare. Fakti që vendi nuk mund të sigurojë siguri për veten e tij ka ulur fuqinë e tij negociuese në të gjitha negociatat që ka marrë pjesë. Kështu, në mungesë të njërës pjesë integrale të “strategjisë së mençur”, ajo që mbetet është fuqia e butë.

Ndërsa qeveritë kontrollojnë politikën, kultura dhe vlerat janë të ngulitura në shoqërinë civile dhe kultivohen prej saj.

Disa nga përbërësit kryesorë të fuqisë së butë janë cilësia e jetesës, liria dhe mundësitë e mjaftueshme. Pastaj universitetet si Harvardi apo Oksfordi, brendet dhe mallrat si Coca-Cola apo Sony, një muzikë e njohur globalisht si tango, filmat e prodhuar nga Hollywood-i amerikan apo Bollywood-i indian, si dhe shpikjet e përparimet shkencore e teknologjike janë shumë të rëndësishme. Një mënyrë tjetër që vendet përdorin për të rritur fuqinë e butë është duke ndarë një pjesë të buxhetit për financimin e veprimtarive të ndryshme në vendet në zhvillim, model që ndiqet kryesisht nga vendet skandinave. 

Po ashtu, ajo që e bën të veçantë fuqinë e butë është se instrumentet e saj nuk janë plotësisht nën kontrollin e qeverisë. Ndërsa qeveritë kontrollojnë politikën, kultura dhe vlerat janë të ngulitura në shoqërinë civile dhe kultivohen prej saj.

Por Kosova nuk ka as fuqi të butë — një model unik rrezatues të kulturës, institucioneve shoqërore e politike, ligjeve dhe normave si dhe mënyrës se si sillet në arenën ndërkombëtare. Pastaj i mungon demokracia mirëfunksionuese, nivelet e ulëta të korrupsionit, sundimi i ligjit dhe një burokraci e trajnuar dhe e motivuar. 

Përkundrazi, Kosova vazhdimisht renditet ndër vendet më të korruptuara në botë, me një nivel të lartë të krimit të organizuar dhe një administratë publike të politizuar. Raporti vjetor i progresit i hartuar nga Komisioni Evropian ka kritikuar vazhdimisht Kosovën për mungesë të sundimit të ligjit. Kështu që është praktikisht e pamundur që Kosova të ruajë një imazh të respektuar dhe tërheqës për vendet e tjera përmes institucioneve të saj politike, sepse janë treguar kushtet e mjerueshme ku gjenden institucionet e saj.

Ky është konstatim dhe jo kritikë — prapambetja e Kosovës nuk mund t’i faturohet asnjë politikani të veçantë. Ajo është ndër të tjera rezultat i historisë së hidhur të vendit dhe  shtypjes së vuajtur gjatë shekujve të errët të pushtimit të huaj. Kësisoj, në vend që politikanët tanë të ëndërrojnë për politika të jashtme të pamundura, do të ishte mirë të përqendroheshim në ndërtimin e politikave të jashtme funksionale. 

Nëse dhe për aq kohë sa fuqia e mençur ka qenë strategjia kryesore e përdorur nga diplomacia e Kosovës, atëherë diplomacia e Kosovës ka funksionuar pa strategji. Në fund të ditës, duke pasur parasysh rezultatet e mjerueshme që ka marrë vendi në negociatat ndërkombëtare, kjo nuk është për t’u habitur.

Cilat janë dështimet diplomatike?

Dy dështimet kryesore të diplomacisë së Kosovës kanë të bëjnë me fuqinë e butë. 

Së pari, shteti kosovar ka dështuar në bindjen e komunitetit ndërkombëtar që institucionet e vendit kanë vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur dhe integruar komunitetet pakicë. Ndonëse gjendja e rendit publik gjatë 15 viteve të fundit në Kosovë ka qenë përgjithësisht e stabilizuar, jehona e protestave masive të vitit 2004 që sollën vendin në prag të rindezjes së konfliktit etnik i ka mbajtur disa akterë ndërkombëtarë skeptikë ndaj modelit kosovar të qeverisjes. Si rezultat i këtij dështimi, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ushtrojë presion mbi qeveritë e Kosovës për të krijuar asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Së dyti, diplomacia e Kosovës ka pasur një qëndrim përgjithësisht pasiv në adresimin e krimeve serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, Ministria e Punëve të Jashtme në qeveri të njëpasnjëshme është pozicionuar pasivisht në negociata. Shteti serb ka përfituar nga ky pasivitet dhe paaftësi e shtetit kosovar për të adresuar në mënyrë efektive krimet serbe në Kosovë. 

Nëpërmjet një propagande të koordinuar dhe fokusuar, qeveria e Serbisë ka krijuar një situatë në të cilën dikush që nuk ka informacion mbi historinë e Kosovës dhe Serbisë has vështirësi të kuptojë cilët ishin agresorët dhe cilët viktimat. Një pranim i pakontestuar i pozitës së shqiptarëve të Kosovës si viktima të Serbisë do të ndikonte drejtpërsëdrejti në krijimin e fuqisë së butë të Kosovës, ngjashmërisht me ndikimin që Holokausti ka pasur në ndërtimin e fuqisë së butë të Izraelit. Serbia ia ka dalë që, të paktën pjesërisht, ta neutralizojë këtë element.

Kjo është çështje kyçe pasi vendet evropiane si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë luajtur rol thelbësor në krijimin e shtetit të Kosovës. Edhe pasi Kosova deklaroi pavarësinë, këto vende kanë investuar shumë kohë dhe burime për të konsoliduar shtetësinë e vendit. Për t’i mbajtur ato në anën e Kosovës, duhet që opinioni publik në këto vende të jetë mirëfilli i informuar në lidhje me çështjen, dhe të ndajë mirë se cili shtet ishte (dhe vazhdon të mbetet) agresori dhe cili është viktima. 

Kosova ka rënë për nga rëndësia në sytë e aleatëve të saj.

Në kohën tonë, hendeqet botëkuptimore dhe politike mes brezave u kanë shkaktuar probleme shumë qeverive globale në lidhje me sjelljen e tyre në arenën ndërkombëtare. Njerëzit të cilët kanë lindur gjatë kohës që po zhvillohej lufta në Kosovë tani kanë të drejtë të votojnë, kështu që qeveritë e tyre duhet t’u justifikojë atyre faktin se pse po u përkushtojnë kohë, energji dhe fonde trajtimit të çështjes së Kosovës.

Paradoksalisht, ndërkohë që krimet serbe, të mirëdokumentuara ndërkombëtarisht kanë mbetur përgjithësisht të padënuara, Kosova u detyrua të formonte një gjykatë që do të gjykojë udhëheqësit e UÇK-së për krime të pandehura. Pavarësisht nëse udhëheqësit e UÇK-së do të deklarohen fajtorë ose të pafajshëm, imazhi i Kosovës ndërkombëtarisht është dëmtuar. Rezultatet mund të kishin qenë të tjera nëse diplomacia e Kosovës do të kishte pasur një strategji dhe nëse ajo strategji do të ishte krijimi i çfarëdo lloj fuqie — qoftë e fortë, e butë apo e mençur. 

Si të fitohet fuqia?

Kosova ka rënë për nga rëndësia në sytë e aleatëve të saj. Rrjedhimisht, politika kosovare duhet të reflektojë dhe të mos sillet sikur në kohën kur Kosova renditej lart për nga rëndësia ndërkombëtare. Kësisoj, udhëheqësit e shtetit duhet të fokusohen në dy pika kryesore: përkufizimin e interesave shtetërore dhe krijimin e partneriteteve apo aleancave të reja. 

Përkufizimi i interesave të shtetit është thelbësor për secilin vend, e posaçërisht për Kosovën që synon arritjen e interesave shtetërore përmes politikës së jashtme. Propozimi për shkëmbim territoresh me Serbinë nga akterë kryesorë të politikës, gatishmëria për t’iu bashkuar një zone ekonomike që i hap tregun Serbisë pa ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë e madje as pa kushtin e njohjes së shtetit, gatishmëria për nënshkrimin e një marrëveshjeje e cila jep territor për të përmbushur një nga kushtet e vendosura nga BE-ja për liberalizim të vizave — të gjitha këto lënë përshtypjen e një vendi që as vetë nuk e ka të qartë se ku qëndron e aq më pak se ku do të arrijë. 

Miqësi të reja, pa harruar ato të vjetrat, ofrojnë mundësi dhe horizonte të reja.

Pika tjetër është përgatitja për një botë post-amerikane dhe madje post-BE siç e njohim sot, në kushtet kur arena ndërkombëtare po bëhet gjithmonë e më shumëpolare dhe ku fuqia e Shteteve të Bashkuara dhe madje edhe ekzistenca e BE-së sillen vazhdimisht në pyetje. Ndërkohë që aleanca me ShBA-në dhe BE-në mbetet e rëndësisë kryesore, është koha që Kosova të kërkojë partneritete të reja ndërkombëtare në rajone të tilla si Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine. 

Krijimi dhe forcimi i partneriteteve me vendet tjera përveç atyre të BE-së dhe ShBA-së është trumpetuar në publik nga politikanë të ndryshëm e madje edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile si tradhti ndaj këtyre dy fuqive botërore. Por partneritetet me vende si Egjipti, Izraeli, Turqia, Korea, Japonia, Argjentina dhe Meksika, të gjtha aleate të ShBA-së, do ta shumëfishonin praninë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Rëndësia ekonomike, politike dhe ushtarake nuk janë të vetmet kritere të aleancave ndërkombëtare. Miqësia mes shteteve i ngjan miqësisë mes njerëzve: ato forcohen me kalimin e kohës dhe tejkalimin e interesave të atypëratyshme. Miqësi të reja, pa harruar ato të vjetrat, ofrojnë mundësi dhe horizonte të reja. Kështu, një politikë e jashtme shumëplanëshe dhe shumëpërmasore do të ofrojë jo vetëm veshë dashamirës për të dëgjuar versionin kosovar të historisë, por edhe më shumë aleatë të rinj dhe më pak keqkuptime të vjetra.    

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

  • 22 Feb 2021 - 17:45 | Hidajet Hoxha:

    Te lumte i nderuari Shkumbin, nje shkrim i radhitur ne forme perfekte me fakte reale.

KOMENTO