Që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, e deri më 10 tetor, kur më në fund u konstituua Kuvendi, u thirrën gjithsej 60 seanca. Seanca më e shkurtër zgjati 1 minutë dhe më e gjata 106 minuta, ndërsa pjesa më e madhe e seancave ishin të shkurtra, zakonisht vetëm 2 deri në 5 minuta, varësisht nga ritmi i rinumërimit të votave për, kundër dhe abstenimeve.
Një pjesë e seancave u harxhua në përpjekje për të miratuar raportin e Komisionit për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve (KVKM), një hap që do të duhej të ishte krejt teknik.
Rreth 50 seanca tjera ndoqën të njëjtin skenar: LVV propozonte ish-ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, ndërsa PDK, LDK, AAK, Nisma Social Demokratike dhe Lista Serbe votonin kundër ose abstenonin.
Pas një ndërprerjeje në mbajtjen e seancave për shkak të vendimit të GjK, LVV në gusht e provoi sërish kandidimin e Haxhiut, e cila sërish nuk i mori votat e mjaftueshme. Ky skenar u përsërit nga 15 prilli deri më 20 gusht, me Haxhiun si kandidatja e vetme e propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit.
Duke qenë se vendimi i Kushtetueses kufizoi kandidimin e një personi vetëm tre herë, LVV kaloi më pas te disa kandidatë të tjerë nga radhët e saj, deri më 26 gusht, kur deputeti Dimal Basha mori votat e mjaftueshme me mbështetjen e PDK, megjithëse kjo e fundit nuk e kishte votuar në tentativën e parë.
E kur u mendua që më në fund u zgjidh ngërçi dhe pjesa tjetër do të ishte thjesht procedurale me zgjedhjen e nënkryetarëve, doli një pengesë tjetër, ajo e zgjedhjes së nënkryetarit nga grupi joshumicë serb.
Partitë shqiptare pajtoheshin vetëm për një gjë: nënkryetari nuk duhej të ishte nga Lista Serbe. Për LVV, kandidati duhej të ishte Nenad Rasić; për partitë e tjera, nuk duhej të ishte askush. Protokolli për zgjedhjen e nënkryetarit u ndërrua nga Basha, diçka që Lista Serbe e kundërshtoi, duke dërguar ankesë në GjK.
Kështu prej 26 gusht deri me 10 shtator, Kuvendi i ngjau një lotarie ku tërhiqeshin emrat e deputetëve serbë, nuk votoheshin, tërhiqeshin prapë për të dytën e të tretën herë, dhe prapë nuk votoheshin deri kur Rasić siguroi mbështetjen e deputetëve të LDK dhe Kuvendi u konstituua përfundimisht me 10 shtator për t’i hapur udhë presidentës së vendit, Vjosa Osmani ta mandatojë LVV për ta hedhur kabinetin qeveritar për votim.