“Kur përfundon një luftë? Kur disa politikanë nënshkruajnë një copë letre?”
Kjo pyetje retorike, që ma parashtroi punëtori social dhe aktivisti Diego Saccora përmes platformës Zoom, është pikërisht mënyra se si Saccora dhe bashkëpunëtorja shumë-vjeçare, Anna Clementi mendojnë dhe flasin. Një pyetje e shkurtër dhe e thjeshtë nga Clementi apo Saccora mund të të bëjë t’i mendosh sërish premisat dhe qëndrimet që mban, të cilat, ata, prej kohësh nuk i marrin si të mirëqena.
Prandaj, s’është befasi që Clementi dhe Saccora kanë shtruar pyetje në një ekspozitë të përqendruar në migrimin për në BE përgjatë Shtegut Ballkanik. Titulli i ekspozitës: “Panta Rei, Vite Migranti Lungo La Rotta Balcanica” apo “Panta Rei, jetët emigrante përgjatë shtegut ballkanik”, i referohet frazës që do të thotë “gjithçka rrjedh”, që i atribuohet filozofit të lashtë grek, Heraklitit. Fraza pasqyron edhe përqendrimin e ekspozitës në “rrjedhat” e udhëve të migrimit, edhe frymën e ekspozimit të kontingjentit të koncepteve statike të migrimit.
“Titulli,” shkruajnë Clementi dhe Saccora në katalogun e ekspozitës, vë theksin në “’rrjedhën e përhershme’ të jetës dhe të vetë fenomenit migrues: udhët, vendet e origjinës dhe destinacionet, metodat e udhëtimit, politikat kufitare ndryshojnë pa ia nda.
“Panta Rei” e pashë në “Centro Ernesto Balducci”, një qendër mikpritëse për emigrantët, e udhëhequr nga vullnetarë të krishterë në Udine të Italisë, një qytet afër kufirit të Italisë me Slloveninë. Nga pasqyrat tek varëset e rrobave, shumica e objekteve në ekspozitë shoqërohen me nga një copë letre që të ofron një pyetje, një mundësi për ta nxitur dhe thelluar mendimin tënd rreth migrimit.
Clementi dhe Saccora e kanë çuar ekspozitën “Panta Rei” nëpër vendndodhje të ndryshme në Itali, shpesh në shkolla, për të nxitur një diskutim më të thellë rreth migrimit te publiku italian. Përvojat e tyre si punëtorë socialë, studiues dhe punëtorë humanitarë në Siri, Palestinë, Itali, Greqi dhe Bosnjë e Hercegovinë ua bënë më të lehtë gjetjen e materialeve për ekspozitën.
Objektet në ekspozitë, disa të lëna dhe të tjera të dhuruara nga emigrantët që t’iu ruhen, u gjetën në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Ishujt Egje dhe përgjatë kufirit Itali-Slloveni. Clementi dhe Saccora mblodhën dëshmi gojore shoqëruese përmes intervistave me emigrantë në Shqipëri, Austri, Bullgari, Kroaci, Gjermani, Hungari, Iran, Maqedoni të Veriut, Rumani, Serbi dhe Turqi.
Ekspozita thekson se në fakt ekziston një lumë i vazhdueshëm, duke e vendosur Shtegun Ballkanik në rrëfimet më të gjera të migrimit, si dhe duke treguar po ashtu se asnjë rrëfim migrimi nuk ndodh dy herë.
Teksa përqendrimi në edukimin e audiencës vendore është njëri aspekt i ekspozitës, Clementi dhe Saccora vënë theksin gjithashtu në përpjekjen e tyre për të ofruar “një kujtim të së tashmes”, një arkiv të këtij momenti në historinë e migrimit. Deklarata e Heraklitit se nuk mund të shkelësh kurrë të njëjtin lumë dy herë, është metaforë që i përshtatet ekspozitës. Ekspozita thekson se në fakt ekziston një lumë i vazhdueshëm, duke e vendosur Shtegun Ballkanik në rrëfimet më të gjera të migrimit, si dhe duke treguar po ashtu se asnjë rrëfim migrimi nuk ndodh dy herë.
Të sfidosh njëtrajtshmërinë të kornizave kohore
Pyetja e Saccora se kur përfundon lufta njëmend erdhi gjersa po diskutonim numrin e madh të fushave të minuara, të mbetura nga luftërat e viteve të ’90-a në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, të cilat emigrantët përgjatë Shtegut Ballkanik detyrohen t’i përshkojnë. Një mur në ekspozitë përmban postera paralajmërues për mina, të vendosura nga organizata të ndryshme joqeveritare përgjatë rrugës, të mbledhura nga Saccora gjatë kohës së tij në Bosnjë e Hercegovinë. Aty është edhe një fotografi e shokut të Saccora, një emigrant nga Afganistani, të cilit, një shpërthim mine ia hodhi në ajër një pjesë të këmbës dhe i cili tani jeton në Gjermani.
Trashëgimitë e luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë e Hercegovinë, të tilla si fushat me mina, i formësojnë përvojat e njerëzve në lëvizje me vendin. Fotografia: David Chmielewski / K2.0
Fakti që ekspozita sfidon kornizat e njëtrajtshme dhe të fiksuara kohore, nuk e lejon asnjëherë vizitorin/en t’i marrë si të mirëqena datat që u janë vendosur ngjarjeve në mënyrë konvencionale. Për shembull, një rrëfim i drejtpërdrejtë rreth Shtegut Ballkanik, mund ta përshkruajë atë thjesht si të ishte një korridor humanitar, i hapur në vitin 2015, ku refugjatëve që iknin nga konflikti iu ofrua një kalim i lirë nga Greqia për në Evropën Perëndimore, derisa u mbyll në mars të vitit 2016.
Por historia e të emigruarit nëpër Ballkan, sipas mbamendjes së Clementi dhe Saccora, nuk nis papritur nga hiçi në vitin 2015 dhe nuk mbyllet në vitin 2016, siç mund të sugjerojë përqëndrimi i tepërt në të menduarit për Rrugën Ballkanike si moment specifik. Përtej korridorit të institucionalizuar, emigrimi ka mbetur fakt i jetës në Ballkan, si para korridorit ashtu edhe pas tij. Të kuptuarit e Shtegut Ballkanik si një udhë e vazhdueshme migrimi në Evropën Perëndimore sot kërkon ballafaqim me të kaluarën dhe të tashmen e ndërlikuar, e cila shtrihet përtej viteve 2015-2016, kuptim që e ofrojnë Clementi dhe Saccora me një kornizë kohore që e udhëzon shikuesin në ekspozitë.
Përvojat e jetëve pas konflikteve në Ballkan vazhdojnë t’i ndikojnë emigrantët e sotëm.
Korniza kohore nis me një prerje të një faqeje të një gazete të njohur italiane të vitit 1991, që mbulon luftën në Kroaci dhe shtrihet deri në ditët e sotme. Megjithatë, në frymën e gjithçkaje që rrjedh, Clementi dhe Saccora janë të kujdesshëm në ofrimin e hollësive të marrëdhënies mes migrimit nga Ballkani për në Evropën Perëndimore në vitet e ’90-a dhe migrimit nëpër Ballkan sot. Siç shpjegojnë ata, përvojat e jetëve pas luftërave dhe konflikteve në Ballkan vazhdojnë t’i ndikojnë emigrantët e sotëm, si në Bosnjë e Hercegovinë, ku studiuesit/et shpesh kanë theksuar paaftësinë e vendit për ta formuar një veprim koherent ndaj flukseve të emigrantëve për shkak të strukturës së ndarë të qeverisë.
Megjithatë, Clementi dhe Saccora i kritikojnë edhe ata që të dy momentet i shohin si ekuivalente, një gjykim të gabuar që ata e vërejnë te disa aktivistë/e të huaj/a, që kanë punuar me emigrantët në të dy periudhat. Njerëzit, politikat dhe pushteti i përfshirë sot dallojnë, një ndryshim i cili duhet të merret parasysh për t’u siguruar që koncepti i “emigrantit” të mos shkëputet nga konteksti historik përgjatë periudhave. Vitet e ’90-a janë pikënisje e përkohshme e një rrëfimi emigrues që mund të ketë nisur edhe më herët në një tregim tjetër; migrimi është fakt i vazhdueshëm i jetës, që do të thotë se çdo “pikënisje” e tij do të jetë, në rastin më të mirë, e përkohshme.
Nga ana tjetër, s’mund të themi se afati kohor njëmend “mbaron”, pasi Clementi dhe Saccora e vendosin vazhdimisht ekspozitën në vendndodhje të reja, secilën herë duke e përshtatur përmbajtjen.
Ndryshimet në realitetet në terren, të tilla si hyrja e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen për udhëtime ajrore dhe detare në vitin 2024, kërkojnë që në ekspozitë të bëhen përditësime të shpeshta. Fotografia: David Chmielewski / K2.0
Clementi tha se deri në momentin që ekspozita u hap në Udine, ata vazhdonin të shtypnin materiale të reja për afatin kohor, për t’i pasqyruar të dhënat dhe zhvillimet e reja në regjimet kufitare të vendeve evropiane. Ndonjëherë këto përditësime janë aq në zhvillim e sipër, saqë, s’mund të shtypen në kohë dhe si rezultat, shkruhen me stilolaps, një praktikë materiale që mishëron realitetin gjithmonë të ndryshueshëm të jetës përgjatë Shtegut Ballkanik.
Realitetet materiale të migrimit
Pas zbërthimit të kornizave kohore të emigrimit, ekspozita shkon përtej “Shtegut Ballkanik” drejt ballafaqimit me realitetet materiale. Pasi ta tejkalojë prezantimin e afatit kohor, vizitori/ja ndeshet shfaqje e pasaportave të vendosura me pyetjen “Sa kushton pasaporta jote?” Siç shpjegon Clementi, nxënësit/et italianë/e, që vijnë në ekspozitë në grupe shkollore, nuk i kanë menduar kurrë në mënyrë kritike dallimet në “fuqinë e pasaportës”, e lëre më se si këto dallime prodhojnë përvoja rrënjësisht të ndryshme kufitare në jetën e, ta zëmë, qytetarit mesatar italian kundrejt qytetarit mesatar të Afganistanit.
Ekspozita i nxitë shikuesit të reflektojnë se si përvojat e tyre kufitare janë formësuar nga pasaporta e tyre. Fotografia: David Chmielewski / K2.0
Gjersa vizitorët/et përshkojnë ekspozitën, menjëherë përballen me përfaqësime të jetëve të ndryshme që prodhojnë kufijtë përmes përmbledhjen e objekteve të përdorura nga njerëzit përgjatë rrugës. Pjesa më e madhe e ekspozitës përbëhet nga objekte — çanta shpine, jelekë shpëtimi, ilaçe dhe xhaketa — që Clementi dhe Saccora i kanë mbledhur përgjatë Shtegut Ballkanik, të cilat i kanë shoqëruar me komente dhe rrëfime nga vetë njerëzit që e kanë përshkruar atë udhë, për rolin që objektet mund të luajnë në udhëtimin e dikujt.
Clementi veçon një jelek shpëtimi, duke theksuar se si një grua tregoi për dallimin e madh mes dy kujtimeve të saj qenësore të përdorimit të jelekut të shpëtimit: një herë, për argëtim si fëmijë, hera tjetër, si e rritur, gjatë kalimit të rrezikshëm detar për në Greqi. Objekte të tilla simbolizojnë se si një kufi mund t’i transformojë objektet e përditshme të argëtimit, në mjete të një përpjekjeje të dëshpëruar për ta kapur një të ardhme tjetër.
Materialiteti i vrazhdë i objekteve tejkalon çdo ide të "emigrantit" ose "kufirit" me të cilin mund të kesh hyrë në ekspozitë fillimisht.
Këto objekte fizike mund të kenë ndikim të madh te vizitorët, duke thyer konceptet paraekzistuese rreth emigrimit. Clementi më tregoi për një vajzë italiane, e cila tha se, teksa ishte rritur duke dëgjuar rrëfime emigruese të babait të saj nga Bangladeshi, kurrë s’kishte besuar se sa të fuqishme ishin ato rrëfime. Vetëm fjalët s’mund ta kenë të njëjtin ndikim, si ta shohësh dhe ta prekësh një objekt të prekshëm. Materialiteti i vrazhdë i objekteve tejkalon çdo ide të “emigrantit” ose “kufirit” me të cilin mund të kesh hyrë në ekspozitë fillimisht. Ide të tilla papritmas e gjejnë veten krejtësisht të padenja për ta shpjeguar atë që është përballë teje.
Nxitja e “përplasjes epistemike”
Ekspozita me qëllim kuron këtë lloj momenti të ndërprerjes, ku hapësira për t’i menduar sërish konceptet paraekzistuese krijohet nga përplasja mes atyre koncepteve dhe realitetit të prekshëm me të cilin po përballeni. Në një rast, një copë e madhe letre i fton nxënësit/et të shkruajnë reflektime rreth asaj se për çka i përdorin telefonat e tyre, duke marrë përgjigje të frikshme, siç është loja “Clash Royale” në telefon.
Pasi i nxit nxënësit të mendojnë për konceptin e tyre rreth telefonave, ekspozita pastaj e thyen atë koncept në një efekt shkatërrues, përmes metaforës mjaft të qëlluar të një tabele të madhe telefonash të thyer, të përdorur më herët nga njerëzit përgjatë rrugës për aplikacione, të tilla si Google Maps për të përshkuar kufijtë.
Zyrtarët kufitarë janë raportuar se i shkatërrojnë telefonet dhe mjetet e tjera të incizimit gjatë kthimeve. Fotografia: David Chmielewski / K2.0
Saccora i mblodhi këta telefona të shkatërruar, si provë materiale që dokumentojnë brutalitetin e kthimeve të paligjshme të kryera nga patrullat kufitare përgjatë Shtegut Ballkanik. Ironikisht, këto objekte tani përdoren si, në njëfarë mënyre, për t’iu kundërvënë kthimeve, për t’iu kundërvënë monopoleve shtetërore mbi të vërtetën të karakterizuar nga kthimet, në të cilat shpesh shkatërrohen dëshmitë për identitetet të azilkërkuesve, si letërnjoftimet dhe dokumentet e tjera ligjore, si dhe pajisjet si telefonat që mund të përdoren për të incizuar brutalitetin e kthimit.
Siç shkruajnë gjeografët/et politikë/e, Thom Davies, Arshad Isakjee dhe Jelena Obradovic-Wochnik në analizën e tyre të kthimeve në kufirin Kroaci-Bosnjë e Hercegovinë, regjimi kufitar i BE mbështetet jo vetëm në dhunën fizike, por edhe atë që studiuesit postkolonialë e quajnë “dhunën epistemike”. Dhuna epistemike ndodh, për shembull, kur shtetet shkatërrojnë gjësendet që emigrantët mund t’i përdorin për ta mbështetur narrativën e tyre, siç janë dokumentet identifikuese.
Përveç kontrollimit fizik në kufi, ekziston “ruajtja [e] pretendimeve të së vërtetës, heshtja [e] zërave të padëshiruar dhe mbyllja [e] pikëpamjeve që ekspozojnë padrejtësinë e vetë kufirit”. Në këtë rrëfim, “Heshtja e kapacitetit të emigrantëve dhe refugjatëve për t’i dëshmuar vuajtjet e tyre dhe shtypja e pretendimeve të tyre rreth së vërtetës” bëhet “një funksion kyç i kufijve bashkëkohorë”, i manifestuar në shkatërrimin e pajisjeve si telefonat, të cilët mund të përdoren për të incizuar prova.
Në këtë kontekst, aktivistët mund ta fitojnë atë që Davies, Isakjee dhe Obradovic-Wochnik e quajnë “‘përplasje epistemike’, duke refuzuar ta heshtin dëshminë e të mbijetuarve të kthimit”. “Panta Rei” ekziston në këtë hapësirë të përplasjes epistemike, një hapësirë që përball vizitorët me rrëfimet përtej atyre të shtetit, përmes “dëshmisë” që ofrojnë objektet.
Fuqia për të emëruar
Krahas objekteve fizike, ekspozita u jep rëndësi të madhe dëshmive të njerëzve që kanë udhëtuar nëpër shteg. Këto dëshmi e shtyjnë shikuesin përtej çdo ligjërimi publik të kufizuar për emigrantët, drejt asaj që Saccora i quan “vetë-rrëfime”.
Në pjesën e pasaportave, për shembull, Clementi thekson se si reklamat e agjencive evropiane të udhëtimeve për vendet “ekzotike” në Lindjen e Mesme dallojnë nga videot e postuara në rrjetet sociale nga njerëz nga të njëjtat vende përgjatë shtegut. Në një subkulturë të internetit që duket se po lulëzon, emigrantët publikojnë arratisjet e tyre duke kaluar kufijtë, të kompletuara me llojin e zhargonit të internetit dhe përdorimit të emoji, që mund t’i shohësh në një faqe sarkastike në Instagram. Emigrantët publikojnë pamje duke u ngjitur mbi gardhe kufitare, duke udhëtuar të kapur poshtë kamionëve dhe ofrojnë udhëzime të Google Maps për pikat ideale të kalimit. Ky është një lloj kthimi, një mënyrë për t’u thënë autoriteteve “‘Vafsh në djall, ia dola!”, sipas vlerësimit të Saccora.
Ekspozita shfaq postime të rrjeteve sociale nga njerëz në lëvizje, festime të fitoreve të vogla teksa kalojnë kufijtë dhe këshilla për kalimin e kufijve të caktuar. Fotografia: David Chmielewski / K2.0
“Emigranti” nuk shfaqet këtu vetëm si figurë për të cilin duhet pasur mëshirë ose si figurë për t’u fotografuar i trishtuar për hir të fletushkave për mbledhjen e fondeve nga disa organizata joqeveritare. Në vend të kësaj, shikuesi/ja e ka në dorë të përballet me faktin se njerëzit janë, në fakt, njerëz: qenie njerëzore me të drejta të plota, krenare për të bëmat e tyre, jo karikatura të hiperbolizuara, me motive jashtë çfarëdo game të ngushtë arsyesh, që mund të konsiderohen humanitare dhe për këtë arsye legjitime.
Clementi thotë se ky ishte njëri nga qëllimet e ekspozitës. Ishte e rëndësishme për të dhe Saccora që të mos e veçonin kategorinë e emigrantëve ekonomikë, të mos vepronin sikur ata që i plotësojnë kriteret për mëshirë për t’iu përshtatur imazhit publik të një “refugjati” të brishtë, janë të vetmit njerëz që e përshkojnë shtegun.
“Varësisht prej vendit ku mbërrin dhe ku largohet, njeriu bëhet refugjat, emigrant, ‘ikje truri’, azilkërkues, student, punëtor”.
Në tekstin e ekspozitës, Clementi dhe Saccora theksojnë se mënyra se si etiketohen emigrantët është fenomen dukshëm politik, i formësuar nga pushteti. “Pjesa hegjemonike e botës,” shkruajnë ata, “përcakton mundësitë e lëvizjes së njerëzve dhe të kategorive të ndryshme nominale, dhe trajtimeve që vijnë si rezultat, që rrjedhin prej tyre: varësisht prej vendit ku mbërrin dhe ku largohet, njeriu bëhet refugjat, emigrant, ‘ikje truri’, azilkërkues, student, punëtor”.
Diskursi rreth migrimit, i formësuar nga pushteti, përplaset me realitetin e jetës njerëzore, për të cilën Clementi dhe Saccora theksojnë se “kushdo mund ta quajë veten emigrant”, për motive që nisin nga arratisja prej luftës, kërkimi i një pune ose “ndjekja e dashurisë” dhe “thjesht kërkimi i një jete më të mirë, [ose] ndoshta thjesht [një] tjetër [jetë]”.
Nëse ekspozita mund të na çojë përtej “Shtegut Ballkanik” si konstrukt diskursiv, atëherë ne e gjejmë veten duke lëvizur përtej konceptimit fillestar të Shtegut Ballkanik në vitet 2015-16 si një “korridor humanitar”. Korridori humanitar ishte rrugë ligjore për emigrantët përmes Ballkanit, drejt Evropës Qendrore, i deklaruar në kulmin e migrimit nga Siria, në verën e vitit 2015. Por, siç argumentoi kolektivi aktivist “Moving Europe” në 2016, gjersa korridori ofronte siguri për disa emigrantë, ai gjithashtu i nënshtroi ata duke rritur kontrollin shtetëror dhe “bëri që njerëzit të trajtohen si mallra, me kontrolle të ashpra se kush mund të hyjë dhe kush jo”.
Nëpërmjet angazhimit të vazhdueshëm me rrëfimet që shkojnë përtej narrativave urryese kundër migrantëve apo thirrjeve humanitare emocionale, fillon ta kuptosh se si, siç identifikon studiuesi William Walters në hulumtimet e tij lidhur me “kufirin humanitar”, vetë strukturimi i një kauze si humanitare, mund ta përforcojë logjikën kufitare dhe dhunën epistemike.
Në rastin e korridorit humanitar, për shembull, ekzistonte një politikë e vazhdueshme ndaj atyre që konsideroheshin të denjë për t’u ndihmuar dhe të cilëve ua besonin pretendimet e nevojës, të zbatuara nga infrastruktura materiale e kufirit. Siç përshkroi Moving Europe, “shtetet filluan të ndaheshin mes refugjatëve “të vërtetë” — sirianë, irakianë dhe afganë — dhe pjesës tjetër”, një proces “i përdorur për ta legjitimuar ndërtimin e rrethojave dhe militarizimin e mëtejshëm të korridorit”. Kjo u bë përmes “një procesi segregimi, duke u bazuar në një bazë shumë kundërthënëse, përmes përkthyesve dhe profilizimit racor”.
Në një vijë me tejkalimin e humanizmit-izmave të lehta, e vendosur në fund të ekspozitës, Clementi më thotë se ajo dhe Saccora donin t’i shmangnin ushtrimet e cekëta të ndjeshmërisë “imagjino se je refugjat” që përçojnë shumë pedagogji rreth migrimit në Evropën Perëndimore. Në vend që ta ndërtojnë një baraspeshë të rreme mes tyre dhe emigrantëve, vizitorët sfidohen ta vënë në dyshim vetë konceptin e tyre për veten: Nëse e mendoj veten si “qytetar”, ligjërisht pjesë e grupit të një shteti të caktuar, çfarë dhune mund të jetë duke iu bërë ai identitet atyre që konsiderohen të ardhur? Nëse e imagjinoj veten të jem drejtpërdrejt “njerëzor”, si duhet të përballem me procesin politik jo të drejtpërdrejtë me të cilin njerëzit konsiderohen njerëz dhe çnjerëzohen?
Ky dyshim në vete simbolizohet në ekspozitë me dy pasqyra, një në hyrje dhe një në fund. Pasqyra e parë shfaqet me një copë letër që e pyet shikuesin “Kush jam unë?” ndërsa pasqyra tjetër është e thyer poshtë një flamuri të BE dhe pyet “Kush isha unë?” Saccora thotë se kjo është një pyetje që BE duhet t’ia bëjë vetes. Por pasqyra e fundit gjithashtu ofron diçka për shikuesin si individ, një moment për ta vlerësuar se si ndjenja jote për veten mund të ketë ndryshuar ose mund të jetë sfiduar përmes të menduarit për migrimin.
Saccora thotë se ne mund ta kuptojmë një fakt jetik, një fakt të demonstruar në vetë aftësinë për të shkuar përtej narrativave zyrtare të jetës përgjatë Shtegut Ballkanik: "Një Evropë tjetër tashmë është këtu".
Pikërisht këtu të lë ekspozita atëherë, i/e copëtuar, por me ndjenjën se ka mundësi në këtë thyerje, mundësi që qëndron përtej imagjinatës së kufizuar të imponuar nga kufijtë. Afër pasqyrës “Kush isha unë?” është një përmbledhje posterash dhe materialesh nga fushatat kundër kufijve dhe për të drejtat e njeriut në të gjithë Evropën, një shfaqje praktike ndërgjuhësore dhe transnacionale e vizioneve të reja të solidaritetit. Nga kjo hapësirë e vënies në dyshim të diskursit publik për identitetin evropian, Saccora thotë se ne mund ta kuptojmë një fakt jetik, një fakt të demonstruar në vetë aftësinë për të shkuar përtej narrativave zyrtare të jetës përgjatë Shtegut Ballkanik: “Një Evropë tjetër tashmë është këtu”.
Imazhi i ballinës: David Chmielewski / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.