Të premten e 13 marsit 2020, një virus që dukej i largët e tingëllonte i panjohur erdhi në Kosovë. Sot, kur ka kaluar një vit prej konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, më se 1,600 njerëz kanë vdekur si pasojë e infektimit ndërsa numri i rasteve aktive kalon 10,000.
Në përballje të pandalur me virusin, punonjësit shëndetësorë mbase më shumë se gjithkush tjetër kanë përjetuar ndryshime në përditshmërinë e tyre, qoftë në vendet e punës apo në shtëpi, duke iu shtuar sfidat edhe ashtu të shumta të sistemit shëndetësor. Për më tepër, ata i kanë ndier për së afërmi pasojat e shpërfilljes së nevojave të tyre nga institucionet përgjegjëse dhe të lëshimeve në menaxhimin e pandemisë.
Përgjatë vitit pandemik kemi sjellë përvojat e disa prej më të cenueshmëve ndër ne: të moshuarit, pacientëve dhe shërbyesit shëndetësorë në front të punës gjatë një prej valëve më vrastare të përhapjes së virusit, si dhe të margjinalizuarit të cilëve iu shtua shtypja si pasojë e pandemisë — gratë, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, personat LGBTQ+, punëtorët pa kontrata pune e pa mbrojtje ligjore.
Tani, një vit pas, duke dashur të mësojmë si janë përballur me pandeminë punonjësit shëndetësorë, kemi biseduar me gjashtë prej tyre që jetojnë dhe praktikojnë profesionin nëpër komuna të ndryshme të vendit.
Saga e vaksinave
Derisa punonjësit shëndetësorë nëpër spitale po përpiqen deri në fund, në politikë ka ngecje kur bëhet fjalë për atë që do t'ua lehtësonte atyre përpjekjet — sigurimi i vaksinave.
Në janar 2021, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pati thënë: "Janë konkretizuar bisedat me [kompaninë farmaceutike] Pfizer për 535,000 vaksina, janë konkretizuar bisedat me Austrinë për 600,000 vaksina dhe me [iniciativën globale] Covax janë kryer të gjitha procedurat e aplikimit për 720,000 vaksina — presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt".
Në mars, Kosova mbetet një ndër shtetet e fundit në Evropë ku ende s'ka arritur as edhe një dozë e vetme vaksine.
Midis shpresës, lodhjes e punës së pareshtur, i kemi pyetur punonjësit shëndetësorë: Si i kanë përjetuar ndryshimet në punë për shkak të pandemisë, me çfarë lloj ngarkesash shtesë janë përballur, çfarë ndryshimesh kanë vërejtur në raport me pacientë e me kolegë, si u ka ndikuar e tërë kjo në jetën personale?
Më tej, si e shohin të ardhmen tani kur po hyjmë në vitin e dytë me pandemi? Çfarë presin nga ky vit dhe si u ndërlidhen aspektet personale të jetës me ato profesionale? Çfarë shqetësimesh kanë për punën e tyre dhe a shohin zgjidhje për problemet e qenësishme të sistemit në të cilin punojnë?
Ndër njerëzit me të cilët kemi biseduar ka edhe të tillë me dekada pune që kanë shërbyer në kohë të një krize më ndryshe se kjo e sotmja, edhe specializantë të rinj që për herë të parë mbajnë mbi shpatulla përgjegjësi të këtyre përmasave. Copëzat e përvojave të vitit që shkoi ata i shoqërojnë me anekdota personale që thukët i ilustrojnë disa nga dilemat dhe vështirësitë e tyre të përditshme.
Dr. Leonard Muja, pulmolog, Mitrovicë
Kur COVID-19 erdhi në Kosovë
Dita baksuz, e 13-ta. Më 13 mars kur është paraqitur rasti i parë është krijuar një panik jo vetëm te shoqëria në përgjithësi por edhe tek institucionet shëndetësore, në këtë rast edhe tek unë, sepse ballafaqoheshim me diçka me të cilën nuk ishim ballafaquar asnjëherë më parë.
Rasti i parë në Kosovë ka qenë më të vërtetë, nëse mund të quhet kështu, një bombë për komunitetin shëndetësor. Ndoshta ndër sfidat ma të mëdha, jo për mua si specialist i mushkërive ose si pulmolog, por për të gjitha profilet shëndetësore sepse nuk dihej sistemimi i punëtorëve shëndetësorë — ku, çka do të punojnë?
Adaptimi me rutinën e re
Disi u përgatita psikologjikisht se po vjen një furtunë virale edhe në njëfarë mënyre u bëmë të gjithë profesionistët shëndetësorë tok. Në muajt e parë kemi qenë të ngarkuar me punë, ka filluar në mënyrë sistematike paraqitja e rasteve të para të panikut: “A mund të na shpjegoni doktor, çka është kjo sëmundje?”, “Qysh ka me kalu?”, “A kena me…?”
Kemi qenë të detyruar të jemi, në njëfarë mënyre, edhe psikologë shëndetësorë, jo vetëm pulmologë ose profesionistë shëndetësorë të sëmundjeve interne ose sëmundjeve të mushkërive ose sëmundjeve infektive. Jemi munduar ta luajmë rolin, detyrimisht.
Pulmologu Leonard Muja tregon se ka pasur ditë aq të zëna sa nuk ka mundur të shkojë fare në shtëpi te fëmijët dhe bashkëshortja. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Përjetimet vetjake
[Kur dyshoja se mund ta kem virusin] fëmijëve të mi jam munduar t’ua krijoj atë bindjen që po shkojnë te dajët se unë jam në punë, kam angazhime shtesë edhe “babi s’po mundet me ardhë shumë shpesh”. Por, interesant, vajza dhe djali gjithmonë e kanë ditë: “A babi e dimë tash se je tu i shëru pacientat me virus e për mos me u prekë edhe na, ti po na çon te dajtë”.
Jam munduar t’ua bëj fëmijëve si diçka që, sikur ndryshon koha — sot është koha më mirë, nesër më keq, por prapë pas një shiu del dielli. Jam munduar t’ua shpjegoj çka është sëmundja, si është virusi, a i prek njerëzit, çfarë moshash i prek [më rëndë]; jam munduar edhe ata t’i përgatis [të mbrohen] sepse nuk i kursen virusi veç pse unë i dua shumë.
Kur unë vetë jam infektuar, fëmijët tërë kohën më kanë pyetur, “Babi a ta mati saturimin?”, dhe “E paske t’ultë, çka me bo?”. Gjithmonë u kam thënë: “Kalon babi, po nuk kalojnë sendet meniherë, kadal-kadal përmirësohen”.
Prindërve nuk u kam treguar fare derisa jam shtrirë në spital. Jam munduar [të mbaj distancë dhe të mos i brengos me lajme], se baba e nana kanë sëmundje shoqëruese. Gjithmonë kam insistuar në atë që nëse ata do të kenë kontakt me mua, unë do të jem fajtori kryesor [nëse] ata do ta gjejnë vdekjen. Nuk kam qenë te prindërit një muaj, por kur kam shkuar ka qenë asi harmonie si me lindë për s’dyti.
Shërbimi ndaj pacientëve
E kemi ndier shpirtërisht vdekjen e pacientëve se edhe ne jemi njerëz, jemi prej mishit dhe gjakut. Kështu që shpeshherë jam prekë, por para familjarëve të tyre nuk kam lejuar të më tradhtojnë lotët.
Ka ndodhur shpesh që në njërin repart ka qenë e shtrirë gruaja, në tjetrin burri dhe njëri ka vdekur njëherë e tjetri ka vdekur disa ditë ma vonë. Ose njëri ka shpëtuar, tjetri ka vdekur. Pastaj, ajo ndjenja si t’i tregojmë kur ka dalë prej spitalit se çka ka ndodhur me burrin ose çka ka ndodhur me gruan, a ka shpëtuar, a është në shtëpi, a mund ta shohë, në cilin repart është. Po ka ndodh edhe që të dytë të kthehen në shtëpi, gazmorë e të hareshëm se kanë shpëtuar të dytë edhe u kemi thënë: “A po e shihni, ia hodhët të dytë virusit”.
"Jeta duhet të vazhdojë, me ose pa virusin."
Leonard Muja, pulmolog
Gjithmonë [bëjmë aq sa mundemi] që secili pacient që del prej këtu të mos ketë nevojë në mënyrë të vazhdueshme për oksigjenoterapi, që mos ta ketë bocën [e oksigjenit] shok të ngushtë. Ka raste, kur kemi pasur pacientë të shtrirë për dy deri në katër muaj me oksigjenoterapi dhe sot janë në shtëpi, e kemi vërejtë prej rrjeteve sociale që janë kthyer edhe në punë dhe themi: “O shihe ky qenka kthy në punë”, dhe ajo na bën krenarë.
E ardhmja
Sa do të arrijmë ta eliminojmë edhe një valë pa vaksinim mbetet të shihet, por e di një gjë: Kosova është larg vaksinimit.
Shpresa e vetme mbetet që drama e këtij virusi të përfundojë sa më shpejt. Një ditë, sa më parë. Përveç shpresës për vetëdijesim të popullatës që ndoshta do të na duhet të jetojmë gjatë me virusin, shpresoj të ketë edhe vaksinim të përgjithshëm të popullatës që të krijohen antitrupa e të mos kemi më problem. Mirëpo jeta duhet të vazhdojë, me ose pa virusin.
Gresa Geci – infermiere, Mitrovicë
Kur COVID-19 erdhi në Kosovë
Gjithçka që ishte pjesë rutinore e punës time në spital ndryshoi. Me të filluar pandemia kemi filluar të merremi shumë më shumë me rastet urgjente dhe jo me ato ambulantore me të cilat jemi marrë para pandemisë, pra puna ime rutinore në spital ka ndryshuar krejtësisht.
Kur është paraqitur virusi, nuk kemi mundur [të vazhdojmë punën] vetëm me rastet tona që ishim mësuar t’i kishim në repart, por detyroheshim që çdo dy javë të ndërrohemi nëpër reparte të ndryshme, sepse nevojitej të punonim si staf mbështetës meqë spitali nuk kishte staf të mjaftueshëm.
Adaptimi me rutinën e re
Në fillim e kam pasur pak vështirë kur na kanë ardhur rastet me COVID-19 që kanë pasur nevojë për t’i intubuar për shkak se ne nuk ishim të trajnuar për këto raste dhe më parë nuk kam pasur përvojë me rastet e intubimit. Pastaj i vështirë ka qenë edhe sistemimi i rasteve që kanë pasur nevojë për oksigjen dhe raste të tilla të ngjashme.
Një ditë të shtunë kur kam qenë e angazhuar për 12 orë rresht, kemi pasur një pacient të lidhur me aparaturën CIPAP [që ndihmon në frymëmarrje pacientët me mushkëritë e dëmtuara rëndë], të cilën nuk guxon t’ia largosh pacientit as edhe një sekondë. Në të njëjtën kohë kam pasur nën përkujdesje edhe 10 pacientë tjerë, ndërsa detyrohesha që çdo minutë t’i qëndroja pranë pacientit në fjalë pasi kishte shumë vështirësi në frymëmarrje.
Përjetimet vetjake
Që nga dhjetori jam e angazhuar në repartin e rasteve me COVID-19 dhe tash jemi në muajin mars. Nga familja vazhdimisht më kanë tërhequr vërejtjen se duhet të kujdesem, madje shpeshherë më kanë pyetur pse kam pranuar të angazhohem aty.
"Po është shumë e lodhshme që vetëm një infermier të përkujdeset për 10 pacientë me COVID-19 përnjëherë."
Gresa Geci, infermiere
Unë frikësohem të kontaktoj me familjen kur kthehem në shtëpi, andaj sapo kthehem prej punës i fus rrobat në makinë larëse dhe vetë futem në dush; vetëm pastaj qëndroj pranë familjarëve. Vazhdimisht jam frikësuar se mund t’ua barti të tjerëve pa dijeni, andaj edhe kam reduktuar kontaktet në maksimum.
Jam ndikuar dhe lodhur edhe në aspektin psikik. Një ditë në të cilën kam qenë shumë e ngarkuar emocionalisht ishte kur një pacient ndërroi jetë. Ndieva shumë keqardhje kur u detyruam t’ua kumtojmë lajmin e vdekjes familjarëve që prisnin jashtë, dhe kur u ktheva në shtëpi më qëndronte në mendje gjatë tërë kohës. Më ndodhi kështu ngase kjo ishte hera e parë që pashë një pacient të vdiste në këto katër vite sa punoj në spital.
Shërbimi ndaj pacientëve
Jo se nuk përkushtohem ndaj pacientëve në kushte normale, por tash jam përkushtuar edhe më shumë. Por, nuk po arrijmë që vetëm një infermier të përkujdeset për 10 pacientë me COVID-19 përnjëherë, po është shumë e lodhshme. Në rast se do ishim të paktën dy, do të ishte më e lehtë.
Në rast se do t’i kishim të gjitha kushtet në spital, ose për shembull nëse rastet që po detyrohemi t’i dërgojmë në Prishtinë do të mund t’i trajtonim në Mitrovicë, situata do të lehtësohej dukshëm. Shtimi i stafit, pajisja e spitalit me barnat e nevojshme, sofistikimi i mjeteve të punës do të na bënin punën më lehtë të menaxhueshme.
E ardhmja
Po besoj se ne personeli shëndetësor do të lirohemi nga bartja e mjeteve mbrojtëse shtesë pasi ta kryejmë vaksinimin, ndërsa si efekte më afatgjata i shoh mbajtjen e maskës dhe ndryshimin e sjelljeve shoqërore — si mbajtja e distancës — që do të na shoqërojnë për pak më gjatë. Shtimi i kujdesit në higjienë do të jetë diçka që do të duhet ta respektojmë gjatë gjithë kohës, të të mos futemi në ambiente ku ka numër të madh njerëzish dhe gjëra të ngjashme.
Diçka tjetër që mua do të më shoqërojë gjatë gjithë kohës është përkushtimi i shtuar ndaj pacientëve që do ta vazhdoj edhe kur pandemia të marrë fund.
Dr. Sevim Brina – pulmologe, Prizren
Kur COVID-19 erdhi në Kosovë
[Në fillim të pandemisë] nuk kishte asnjë ndryshim në orët e punës, por kishte një rritje të madhe në intensitetin e punës. Na duhej të gjenim kohë për veten, madje edhe për të ngrënë diçka. Kur ishim më të ngarkuar detyroheshim të hanim ushqim duke qëndruar në këmbë.
Para pandemisë kishim më së shumti njëzet pacientë gjatë pranimit deri në kohën e dorëzimit të orës së kujdestarisë. Tani ky numër është shumëfishuar. E si mund të gjendet kohë për pushim në këtë rutinë? S’mundet, sigurisht!
"Që nga fillimi i vitit 2020 nuk e kam marrë asnjë ditë pushim."
Sevim Brina, pulmologe
Njeriu është i adaptueshëm, por unë jam duke qëndruar njëzet e katër orë në këmbë dhe jam shumë e lodhur. Çdo ditë vdesin pacientët — jemi të lodhur mentalisht. “Çfarë ka ndodhur me ty?”, më pyet vëllai çdo ditë. Unë i them që jam nën efektin e COVID-19.
Adaptimi me rutinën e re
Unë jam punëtore shëndetësore, nuk shkoj askund. Ne e dimë që duhet të qëndrojmë larg vendeve të frekuentuara me njerëz. Nuk na lejohet të marrim leje nga puna, po ashtu nuk mund të shkojmë në pushime; që nga fillimi i vitit 2020 nuk e kam marrë asnjë ditë pushim.
Nuk kam kohë të ndjek zhvillimet shkencore në botë — për shembull, nuk mund të ulem dhe të shikoj se çfarë po ndodh në Gjermani. Ne nuk po mundemi të interesohemi për shkencën sepse punojmë si punëtorë fizikë, pa u ndalur.
Përjetimet vetjake
Kjo pandemi më ka ndikuar shumë psiqikisht: nuk mund të dëgjoj asnjë zhurmë, nuk dua të shikoj televizionin. Sinqerisht, nuk dua të ulem ose të flas me askënd; këto aktivitete po më duken shumë të mërzitshme.
Unë kurrë nuk i kam bërë këto gjëra më parë — nuk dua të përzihem me turmat, nuk dua të flas me njerëzit. Shumica e njerëzve përreth meje janë punëtorë shëndetësorë dhe me të gjithë e kemi të njëjtën bisedë. Jam bërë njeri asocial.
Nëse e shikojmë nga pikëpamja psikologjike, këto sjellje nuk janë normale. Pas përfundimit të pandemisë ne duhet të marrim mbështetje nga psikologët. Do të gjej një psikolog të mirë dhe do të shkoj.
Sipas pulmologes Sevim Brina, Kosova do të duhej të kishte një spital vetëm për të sëmurët nga COVID-19. Foto: Suer Celina / K2.0.
Shërbimi ndaj pacientëve
Anembanë botës ka spitale për të sëmurët nga COVID-19, por te ne brenda një viti nuk kemi pasur një të tillë. Unë mund të punoj për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në [një spital të tillë] sado që është e nevojshme, por pastaj të kthehem dhe të kujdesem për pacientët e mi.
Ne nuk e dimë se ku janë pacientët tanë me kancer dhe me tuberkuloz; kemi mungesë të organizimit të punës. Ndonjëherë zemërohem për veten që e kam zgjedhur këtë drejtim.
E ardhmja
Nëse i ndjekim rregullat, atëherë situata do të jetë shumë më e menaxhueshme. Fatkeqësisht, rregulli i distancës nuk respektohet aspak. Sa më vetëdijshëm të veprojë populli ynë, aq më e lehtë do të jetë barra jonë. Por, mendoj se do të ndryshojnë, njerëzit do të fillojnë të ndjekin rregullat dhe të jenë të kujdesshëm. Nëse e keni vërejtur tani njerëzit nuk takohen duke shtrënguar duart si më parë, por takohen me grushta. Kjo është një gjë shumë e mirë, pse mos të mbetet kështu?
Dr. Qefsere Luzha Mehmeti – stomatologe, Mitrovicë
Kur COVID-19 erdhi në Kosovë
Në fillet e para më ka shkaktuar stres ngase ballafaqoheshim me një sëmundje të panjohur dhe me një virus i cili di të jetë edhe vdekjeprurës.
Së pari detyrohesh të mendosh për veten dhe njëkohësisht për pacientin që është përballë teje. Siç dihet, si dentist ke të bësh me vendin prej ku vjen infeksioni — gojën, fytin e hundën — pasi ke kontakt shumë të afërt me pacientin, as 30 centimetra distancë.
Nganjëherë na duhet të afrohemi më shumë, sidomos kur pacientit duhet t’ia nxjerrësh dhëmbin, dhe atëherë infeksioni është edhe më afër. Në rast se ka nevojë të drenohet dhëmbi, makina gjatë punës mund të spërkatë me ujë dhe spërkalat mund të depërtojnë edhe në sy, fytyrë dhe gjithkah.
Ne kemi qenë të obliguar t’i mbajmë maskat dhe mburojën plastike, të cilat kanë qenë me të vërtetë shumë të vështira për t’u mbajtur, [sidomos para verës kur] temperaturat vinin duke u rritur.
Stomatologen Qefsere Luzha Mehmeti e mban nën presion të vazhdueshëm përkujdesja për mospërhapje të virusit. Foto: Urall Boshnjaku / K2.0.
Përjetimet vetjake
U bllokova tërësisht dhe i ndërpreva kontaktet me rrethin e gjerë dhe farefisin, mirëpo nga familja kuptohet s’kisha ku të shkoja dhe duhej të kthehesha në shtëpi te ta. Mirëpo, gjithmonë para kontaktit me ta pastrohem totalisht. Nuk i kam përqafuar as fëmijët kur kam hyrë në shtëpi, siç bëja zakonisht para pandemisë.
Vetë fakti që ka qenë dhe ende është i pranishëm virusi më mban të ngarkuar psiqkisht. Mirëpo, me kohë jam mësuar me faktin se duhet ballafaquar me virusin dhe e kam qetësuar veten duke besuar se nëse u përmbahem rregullave, pastërtisë e distancës, dhe nëse nuk e largoj maskën, atëherë gjithçka do të jetë në rregull.
E ardhmja
Besoj se mbajtja e maskave do të jetë një nga ndryshimet me të cilat duhet të adaptohemi për një kohë pak më të gjatë, deri në vaksinimin e të paktën 70% të popullatës, ndërsa raportet me shoqërinë, pra afërsia me njerëzit do të normalizohet, qysh veçse ka filluar.
Ardhja më e shpejtë e vaksinave do të na e lehtësonte punën në masë të madhe, andaj shpresoj që vaksinat të vijnë sa më shpejt.
Mahir Krasniç – infermier, Prizren
Përjetimet vetjake
Mendoj se situata përkeqësohet atëherë kur dëgjojmë në televizion çdo folës që flet për COVID-19. Ajo që shohim në lajme ka efekt negativ dhe mund të krijojë frikë. Psikologët duhet të ofrojnë mbështetje falas për publikun.
"Ne mundohemi të bëjmë më të mirën, por fatkeqësisht ndonjëherë nuk marrim rezultatet e pritura."
Mahir Krasniç, infermier
Bashkëshortja ime është kolege me mua, prandaj ne nuk mund të shkojmë askund. Edhe pse jemi shumë të kujdesshëm, prapë se prapë kemi frikë të shkojmë diku e të takohemi me dikë. Kujdesemi të mos dalim shumë jashtë, të bëjmë diçka më shumë në një mjedis familjar, si për shembull të shikojmë ndonjë film motivues. Përpiqemi të shfrytëzojmë kohën, kur moti është i mirë të shkojmë diku larg qytetit dhe të qëndrojmë larg turmës së madhe.
Shërbimi ndaj pacientëve
Kur një pacient është i sëmurë nga COVID-19, ai ose ajo ka nevojë për rehabilitim për një kohë të gjatë. Duhet të rehabilitohet në aspektin psikologjik, fizik dhe shëndetësor. Ne kujdesemi për pacientët tanë, por për fat të keq, ndonjëherë dikush vdes. Nuk është e njëjtë me atë që njerëzit shikojnë nga jashtë, “ka vdekur pacienti dhe gjithçka ka mbaruar” — natyrisht se ne prekemi nga këto raste.
Është një fjalë popullore që e thonë në Prizren: “Nuk mund të dilni nga lëkura”. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën, por fatkeqësisht ndonjëherë nuk marrim rezultatet e pritura.
E ardhmja
Kur njerëzit fillojnë të vaksinohen një nga një — të moshuarit, ata me imunitet të dobët, dhe të tjerët — shkalla e transmetimit të virusit do të zvogëlohet. Vaksinimi duhet t’i bëhet edhe grupeve të rrezikut, përkatësisht punonjësve shëndetësorë, policisë dhe ushtrisë, sepse në këto grupe nëse infektohet një person nga virusi kjo mund të ndikojë në përhapjen e virusit në mënyrë të shpejtë.
Infermieri Mahir Krasniç beson se situata do të lehtësohet pas vaksinimit të grupeve të rrezikut. Foto: Suer Celina / K2.0.
Dr. Lum Muhaxhiri – specializant i emergjencës, Gjakovë
Kur COVID-19 erdhi në Kosovë
Në fillim ishte ndjenja si me qenë gjendje lufte, jo nga një armik njerëzor por nga një armik mikroskopik — një luftë më e frikshme, për shkak se ti atë armik nuk e sheh. Mirëpo vetëm e di që është, edhe është duke sulmuar. Eh, kjo ka qenë pak e frikshme dhe në të njëjtën kohë ndjenjë jo e këndshme, njëfarë zymtësie.
Duke marrë parasysh që ka qenë një problematikë e re, ka qenë vërtet vështirë për shkak se nuk është ditur shumë në lidhje të. Nuk dihej trajtimi, nuk dihej ecuria e sëmundjes dhe ka pasur shumë pikëpyetje.
Adaptimi me rutinën e re
[Mbase edhe për faktin se] jam mjek i ri, ka qenë edhe një motiv më shumë për punë, pavarësisht që ka qenë fluks i madh — e kam pasur një entuziazëm që nuk mund ta përshkruaj. Fatmirësisht kam pasur energji dhe nuk e kam kursyer veten aspak. Në shumë raste e kam filluar punën në orën 8 dhe deri në mbrëmje, në 9, 10 ose eventualisht 11 ka zgjatur orari, por nuk kam ndier edhe shumë lodhje. Ka qenë një entuziazëm shumë i madh për punë, duke marrë parasysh që populli vërtet ka pasur nevojë për trajtim dhe kujdesje.
[Pandemia] e ka ndërprerë aktivitetin tim rutinor të daljes për kafe, ose të shëtitjes. Ka qenë njëfarë izolimi për mua, mirëpo fatmirësisht ia kam dalë — ia kam dalë disi. Për fat, unë merrem pak me muzikë, me piano, dhe e kam gjetur në njëfarë forme ngushëllimin për ta tejkaluar atë gjendje stresuese.
Përjetimet vetjake
Ka qenë pak e vështirë sepse fillimisht kemi pasë jashtëzakonisht frikë. Jo veç ne si staf shëndetësor, por edhe në përgjithësi në popull ka qenë një frikë shumë e shprehur. Dhe ka qenë vështirë të jesh pjesë e sistemit shëndetësor, pra në punë, në spital, ku ke kontakt të vazhdueshëm me COVID-19.
"Qëllimi i profesionit të mjekut është t'i shërbejë popullit, andaj ne çdoherë do të jemi në shërbim të tyre."
Lum Muhaxhiri, specializant i emergjencës
Domethënë ke pasur kontakt të drejtpërdrejtë e në mbrëmje je dashur të shkosh në shtëpi te familjarët edhe ka qenë rrezik shumë i madh për ta. Jam munduar krejt kohën të rri në distancë, dhe ndonëse mua më ka rënë sëmundja, fatmirësisht kam qëndruar në dhomë i izoluar dhe deri tash familjarët e mi nuk janë infektuar me COVID-19.
Shërbimi ndaj pacientëve
Qëllimi i profesionit të mjekut është t’i shërbejë popullit, andaj sido që të jetë situata, si për t’mirë si për t’keq, ne çdoherë do të jemi në shërbim të tyre. Dhe primarja është që populli ta marrë trajtimin e duhur dhe ne ta kemi qasjen e duhur ndaj popullit. Kjo është e rëndësishme – kur japim shërbimin nga aspekti shëndetësor, kjo është gjithçka. Tjerat vijnë ngadalë-ngadalë.
E ardhmja
Fatmirësisht, pasi ka dalë vaksina, edhe kjo pandemi do të vihet nën kontroll. Do të jetë më në kontroll se sa ka qenë para vaksines dhe gradualisht do të vazhdojë gjithë ecuria e punës të normalizohet. Është çështje kohe deri sa të gjithë njerëzit të kenë qasje në vaksinë, [dhe pastaj do të fillojë] të përmirësohet gjendja dukshëm.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.