Në thelb

“Nuk jam pemë që të lëshoj rrënjë”

Shqiptarët nga Greqia, që po shpërngulen në Mbretërinë e Bashkuar, një fazë e re e migrimit shqiptar.

Ulur në një restorant që shërben souvlaki, po pres porosinë, teksa e çoj kohën në telefon. Restoranti, i cili mbart emrin e një qyteti të njohur grek, përcjellur nga fjala angleze “grill”, menaxhohet nga tre anëtarë të një familjeje; në kuzhinë gatuajnë nëna dhe babai, ndërsa djali shërben klientët. Monotonia ime ndërpritet nga një klient tjetër që hyn në restorant. Duket se e njeh familjen. Shkëmben disa fjalë në greqisht me djalin pranë arkës, bën porosinë dhe ulet në një tavolinë tjetër për ta pritur porosinë. Papritmas, dikush që nuk ma kapte syri, teshtin.
“Shëndet”, thotë klienti tjetër. Nga kuzhina, nëna, shkurtimisht dhe me një frymë, ia kthen “Ευχαριστώ!” — “Faleminderit!” në greqisht.

Ndërveprimi i mësipërm nuk ndodhi në Greqi, siç mund të sugjerojnë emri i restorantit, gatimet tradicionale apo gjuha që e përcolli bisedën, dëshmitar i së cilës Petros ishte para disa vitesh. Nuk ndodhi as në Shqipëri, siç mund të sugjerojë fjala “shëndet. Ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar — më saktësisht, në Londrën e veriut.

I gjithë ndërveprimi zgjati vetëm disa sekonda. Por shpërfaq diçka më të madhe: një histori migrimi që ka ndodhur në heshtje gjatë dekadës së fundit dhe kryesisht ka kaluar pa u vënë re. Është historia e mijëra shqiptarëve/eve, që fillimisht migruan në Greqi, ndërtuan jetët e tyre aty dhe pastaj, u shpërngulën sërish — këtë herë në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumë shqiptarë/e që kanë migruar përsëri nga Greqia, tani jetojnë dhe punojnë në hapësira shoqërore që shtrihen mes kufijve të diasporës shqipfolëse dhe asaj greqishtfolëse, si dhe shumicës britanike. Ata mbartin me vete një të kaluar shumë të ndryshme nga ajo e emigrantëve grekë etnikë në Mbretërinë e Bashkuar. Një e kaluar që karakterizohet nga margjinalizimi dhe racizmi, që për shumicën prej tyre ishte arsyeja kryesore për t’u shpërngulur sërish. Megjithatë, jeta e tyre dallon gjithashtu edhe nga ajo e shqiptarëve/eve që janë shpërngulur direkt në Mbretërinë e Bashkuar, pa kaluar fillimisht nëpër Greqi.

Ky artikull bazohet në një hulumtim të realizuar si pjesë e një projekti më të madh akademik, i cili shtjellon se si gjuha ka ndikuar në trajektoret migruese të emigrantëve/eve që u shpërngulën në Mbretërinë e Bashkuar dhe, në anën tjetër, se si gjuhët e tyre janë formësuar nga përvojat e fragmentuara dhe të ndryshueshme të migrimit. Ne u fokusuam në rastin e shqiptarëve/eve që janë rritur në Greqi gjatë viteve 1990, 2000 dhe 2010, dhe të cilët, më vonë, migruan në Britani. Mes viteve 2016 dhe 2020, ky grup u rrit ndjeshëm, duke u bërë pjesë e një vale më të gjerë migrimi nga Greqia e prekur nga kriza.

Ne realizuam grupe fokusi në gjuhën greke me 13 të rinj/eja të moshës 27–35 vjeçar/e, të gjithë/a pjesë e të ashtuquajturës gjenerata e dytë. Ata kanë lindur në Shqipëri, janë rritur në Greqi dhe aktualisht jetojnë në Mbretëri të Bashkuar. Të gjithë kanë të përfunduar arsimin e lartë dhe në kohën kur i zhvilluam intervistat në vitin 2022, ishin të punësuar në profesione me kualifikim të lartë.

Shqiptaria si pjesë thelbësore dhe shpesh e shpërfillur e shoqërisë bashkëkohore greke

Kërkimi në të cilin bazohet ky tekst është kryesisht akademik, me pjesë të publikuara së fundmi në revistën “Language, Culture, and Society”. Megjithatë, ka ushqyer një përpjekje në rritje për t’i angazhuar me audienca më të gjera, përmes ngjarjeve publike dhe diskutimeve përtej hapësirës universitare. Në vitin 2023, me ngjarjen “Speak Alb! Një platformë kundër narrativeve shqiptarofobe”, synuam t’ua krijonim emigrantëve shqiptarë një hapësirë për t’i sfiduar përshkrimet negative që qarkullonin në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë. Ndërsa në vitin 2024, ngjarja “Shqiptarët në Greqi: Migrimi, Kujtesa dhe Arti” u përqendrua në theksimin e shqiptarizimit si pjesë thelbësore, por shpesh e anashkaluar, e shoqërisë greke bashkëkohore.

Profili i emigrantëve me të cilët folëm, të cilëve në këtë artikull i referohemi me pseudonime, përkon me atë që njihet gjerësisht si “ikja e trurit” nga Greqia, që nënkupton largimin me të madhe të profesionistëve/eve të kualifikuar/a nga Greqia, gjatë krizës financiare greke (2008–2018), në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit. Megjithatë, për dallim nga grekët etnikë që migruan në këtë periudhë, shumë shqiptarë/e të gjeneratës së dytë që u larguan nga Greqia, ishin rritur duke u ballafaquar me diskriminim sistematik, racizëm të përditshëm dhe pengesa të pafundme burokratike. Historitë e tyre e bëjnë më të ndërlikuar narrativën e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë greke, si dhe arsyet pse njerëzit u larguan nga Greqia gjatë dhe pas krizës financiare.

Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni i dytë më i kërkuar, pas Gjermanisë, për njerëzit që u larguan nga Greqia gjatë krizës financiare. Studiuesit, Manolis Pratsinakis dhe Anastasia Kafe, argumentojnë se numri i shtetasve grekë në Mbretërinë e Bashkuar u trefishua mes viteve 2001 dhe 2021, duke kaluar nga rreth 35,000 në mbi 100,000, madje, ka gjasa deri në 130,000. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Angli dhe Uells konfirmojnë rritje të ndjeshme — ndonëse deri diku më e ulët — gjatë kësaj periudhe dhe tregojnë se në vitin 2021, 15.61% e shtetasve grekë në Angli dhe Uells kishin lindur në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë që u shpërngulën për herë të dytë, zakonisht marrin pjesë në të gjitha aspektet e jetës së diasporës greke në Mbretërinë e Bashkuar. Ata priren t’i dërgojnë fëmijët në shkolla plotësuese greke për ta mësuar gjuhën greke, japin mësim në po ato shkolla, janë pjesë e organizatave kulturore greke dhe aktiviteteve kulturore e sportive greke. Shumë prej tyre janë gjithashtu të përfshirë në jetën politike të komuniteteve greqishtfolëse, përfshirë edhe në degë lokale të partive politike greke. Të tjerët punojnë ose menaxhojnë restorante greke dhe disa janë të punësuar në medie në gjuhën greke, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, si “Hellenic TV”.

Ilustrimi: Dina Hajrullahu / K2.0.

Çka nënkupton të jesh shqiptar/e nga Greqia që jeton në Britani?

Në këto aspekte të jetës së tyre, emigrantët shqiptarë të shpërngulur për herë të dytë, mbështeten në burimet gjuhësore, kulturore dhe shoqërore që kanë fituar dhe ndërtuar në Greqi: rrjedhshmërinë në gjuhën greke, njohurinë dhe familjarizimin me kulturën dhe mentalitetin grek, si dhe qasjen në rrjete shoqërore greqishtfolëse. Në të njëjtën kohë, janë të pranishëm në shumë aspekte të jetës së diasporës shqiptare, duke qenë pjesë e organizatave dhe kolektiveve shqiptare dhe duke frekuentuar hapësira me shqiptarë/e që kanë përvoja të ndryshme migrimi.

Zërat që sjellim në pah sfidojnë gjithashtu narrativat dominuese lidhur me migrimin shqiptar drejt Mbretërisë së Bashkuar, të cilat shpesh përqendrohen tek ardhjet e fundit nga Shqipëria. Personat me të cilët biseduam kishin ardhur në Britani me pasaporta të BE dhe me identitete që në mënyrë organike përbashkojnë elemente nga trajektoret e tyre të ndërlikuara të migrimit.

Si ndërvepron ky grup me identitetin, gjuhën dhe ndjesinë e përkatësisë në Mbretërinë e Bashkuar? Si jetojnë midis kulturave? Si ndikoi diskriminimi në Greqi në vendimin e tyre për t’u shpërngulur dhe si i ndërlidh, e në të njëjtën kohë i veçon, aftësia e tyre shumëgjuhëshe nga të tjerët në diasporë? Çka nënkupton të jesh shqiptar/e nga Greqia që jeton në Britani?

Ballafaqimi me racizmin në kohë krizash

Migrimi masiv i shqiptarëve drejt Greqisë nisi në fillim të viteve të ’90-a, pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri dhe tranzicionit të papritur të vendit në ekonomi të tregut. Në fillim, shqiptarët/et që mbërritën në Greqi, u panë disi me simpati. Por pasi numri i tyre u shtua, filluan të shiheshin gjithnjë e më shumë si kërcënim shoqëror dhe kulturor. Diskursi publik dhe mbulimi medial shpejt ndërroi anë, duke i stigmatizuar shqiptarët/et si të dhunshëm/me, të pabesë/a dhe, në thelb, të ndryshëm/me — “një tjetër” i racializuar që nuk përkonte me identitetin kombëtar grek.

Deri në vitin 1997, nuk pati rrugë të qarta ligjore për ta fituar statusin e rregullt, që nënkupton se emigrantët/et nuk kishin qasje në kujdesin shëndetësor publik, shërbimet sociale apo mbrojtje ligjore në vendin e punës.

Stereotipet nuk përqendroheshin vetëm në përkatësinë etnike, por edhe në dallimet e perceptuara fizike, prejardhjen fetare dhe në emra. Si reagim, shumë shqiptarë/e përvetësuan strategji për ta shmangur profilizimin racor. Disa pretendonin ndërlidhje me minoritetin grek të Shqipërisë, status që u mundësonte më shumë pranim shoqëror dhe ua lehtësonte marrjen e lejeve të qëndrimit dhe përfitimeve tjera. Të tjerë filluan t’i përdornin emrat ortodoksë, zyrtarisht apo jo zyrtarisht, për ta shmangur racizmin e ashpër gjatë ndërveprimeve të përditshme.

Diskriminimi strukturor i forcoi më tej këto perceptime shoqërore. Shqiptarët shpesh futeshin në Greqi pa dokumente dhe kalonin vite duke punuar në ekonominë joformale. Deri në vitin 1997, nuk pati rrugë të qarta ligjore për ta fituar statusin e rregullt, që nënkupton se emigrantët nuk kishin qasje në kujdesin shëndetësor publik, shërbimet sociale apo mbrojtje ligjore në vendin e punës. Diskriminimi në banim ishte i zakonshëm, ku shqiptarët shpesh përjashtoheshin nga tregu i qirasë apo nga mundësia për të banuar në kushte cilësore.

Madje, edhe fëmijët e lindur ose të rritur në Greqi hasnin në vështirësi për të përfituar status ligjor ose shtetësi formale, pavarësisht se arsimoheshin në shkolla greke dhe rriteshin duke folur gjuhën greke. Jeta e përditshme karakterizohej me mikroagresione, përjashtim sistematik dhe, në disa raste, dhunë të hapur, ku disa nga emigrantët me të cilët folëm treguan se ishin sulmuar fizikisht, profilizuar nga policia ose fajësuar për krime, thjesht sepse ishin shqiptarë/e.

Në grupet e fokusit që realizuam, emigrantët shqiptarë treguan për përjashtimin shoqëror, racizmin dhe format e tjera të diskriminimit dhe dhunës, që kishin përjetuar vazhdimisht në Greqi, që nga ardhja e tyre e parë. Këto rrethana luajtën rol kyç në formësimin e dëshirave dhe vendimeve të tyre për t’u shpërngulur përsëri, këtë herë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Përpara se ta shqyrtojmë më hollësisht këtë aspekt, është e rëndësishme ta theksojmë një pikë kthese kryesore, e cila ishte ndërthurje e dy faktorëve: së pari, kriza financiare në Greqi dhe vështirësitë që solli për shoqërinë greke, veçanërisht rritjen e papunësisë; dhe së dyti, progresi që u bë pas vitit 2015 në pranimin e aplikimeve për shtetësi greke nga emigrantët e gjeneratës së dytë. Viti 2015 shënon hapjen e sërishme të procesit për përfitimin e shtetësisë greke për fëmijët e emigrantëve që kishin ndjekur arsimin fillor dhe të mesëm në Greqi.

Korniza e parë ligjore që ua mundësonte të drejtën për shtetësi këtyre fëmijëve, ishte shpallur antikushtetuese në vitin 2012 nga Gjykata e Lartë Greke, pas presionit nga qarqet konservatore greke. Ligji i vitit 2015 lejoi rishqyrtimin e aplikimeve të pezulluara të paraqitura para vitit 2012, si dhe dorëzimin e aplikimeve të reja për shtetësi, nëse plotësoheshin disa kritere, si dëshmia e viteve të qëndrimit të ligjshëm dhe të përhershëm në Greqi nga fëmijët dhe prindërit e tyre, si dhe regjistrimi i fëmijëve në institucionet arsimore greke.

Megjithatë, ligji i vitit 2015 nuk ua jepte automatikisht shtetësinë emigrantëve që plotësonin kriteret — thjesht e bënte të mundur përfitimin e saj. Shtetësia merret vetëm pasi dokumentacioni përkatës të dorëzohet dhe të vlerësohet nga zyra përkatëse pranë Ministrisë së Brendshme të Greqisë.

Për personat me të cilët folëm, mundësitë e kufizuara të punësimit në Greqi lidheshin ngushtë me atë që shpesh quhet “tavani prej xhami” — kufizime të padukshme, por shumë reale, që pengojnë avancimin profesional, veçanërisht për gratë dhe pakicat, pavarësisht kualifikimeve apo aftësive të tyre. Këto pengesa, të rrënjosura në paragjykime dhe stereotipe, ishin faktor kryesor në vendimin e shumë prej tyre për t’u shpërngulur përsëri.

“Kam qenë gjithmonë në stres në Greqi se si dhe a do të mund të gjeja punë në një fushë si ajo e transportit të mallrave, që secili e zgjedh pikërisht për të pasur më shumë mundësi punësimi. Nuk arrita të punësohesha për një vit të tërë, ndërkohë që shihja të tjerët, grekë, që po punësoheshin”, tha Neritani, i cili studioi për transport të mallrave në Greqi dhe tani punon në këtë fushë në Londër.

“Mentaliteti grek më lodhi në kuptimin që, në një punë, nëse je i/e mirë në diçka, nuk të lënë të ikësh lehtë. Të thonë ‘rri aty ku je’ dhe t’i presin krahët që të mos ecësh përpara”, tha Olta, duke reflektuar rreth arsyeve që e shtynë të migronte drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Pasi u krijuan kushtet e duhura, shumë pjesëmarrës/e në hulumtimin tonë nisën ta realizonin projektin e tyre emigrues. Njëri prej tyre ishte Arditi, i cili filloi të kërkonte bileta aeroplani për në Mbretëri të Bashkuar po atë ditë kur mësoi se, pas vitesh pritjeje, aplikimi i tij për shtetësi greke ishte miratuar më në fund. Dy muaj më vonë, në qershor të vitit 2016, u largua nga Greqia.

Mes Greqisë dhe Britanisë: Si diskriminimi i shtyu shqiptarët të shpërngulen?

Racizmi, si i përgjithshmi, ashtu edhe ai që shënjestron veçanërisht shqiptarët/et, është i përhapur gjerësisht në Greqi. Dy togfjalësha qartazi pasqyrojnë saktësisht narrativat mbizotëruese raciste: “Έλληνας γεννιέσαι, δεν γίνεσαι” — “Grek lind, nuk bëhesh” dhe “Δε θα γίνεις Έλληνας ποτέ, Αλβανέ!” — “O shqiptar, ti kurrë s’do të bëhesh grek!”

Këta togfjalësha pasqyrojnë besimin për superioritetin e lindur grek, që shihet jo vetëm si diçka e dëshirueshme, por edhe e paarritshme për të huajt. Togfjalëshat shpërfaqin gjithashtu një esencializëm të ngurtë etnik — një këndvështrim primitiv rreth etnicitetit, si diçka e pandryshueshme, që përcaktohet në lindje dhe që mund të trashëgohet vetëm përmes gjakut grek. Këto ide shpesh shndërrohen natyrshëm në ksenofobi dhe racizëm të hapur ndaj çdo kujt që “nuk ka lindur grek/e”.

Profilizimi racor ishte po ashtu praktikë e zakonshme, kryesisht ndaj burrave që kishin përvoja migruese. Zyrtarët policorë ndalonin burrat që i veçonin si jo-grekë, për t’ua verifikuar identitetin. Nëse emigrantët nuk kishin me vete pasaportat apo lejet e qëndrimit, dërgoheshin në stacionin më të afërt policor dhe mbaheshin aty deri sa familjarët t’ua sillnin dokumentet e nevojshme.

Krahas kërkimit për mundësi më të mira pune, migrimi i dyfishtë drejt Mbretërisë së Bashkuar erdhi po ashtu si mënyrë për të shpëtuar nga diskriminimi dhe ksenofobia që kishin përjetuar në Greqi.

Për Arditin, kjo ishte përvojë tejet poshtëruese, pasi e barazonte atë me persona që kishin kryer krime të rënda. “Më kanë tërhequr zvarrë deri në stacion edhe pse nuk kisha asgjë të paligjshme me vete, për asgjë, thjesht sepse jam shqiptar”, tha ai. “Më mbanin në stacion për dy, tre, katër orë, dhe në varësi të zonës së Athinës ku ndodhesha në atë moment, babait tim i duhej të vinte ta ma sillte pasaportën, që të më lironin pas pesë orësh, sikur të kisha vjedhur, vrarë apo bërë diçka të keqe”.

Disa thanë se nuk kishin përjetuar racizëm në Greqi, ose të paktën në mënyrë të kufizuar dhe besonin se këto përvoja i përkisnin një pakice emigrantësh shqiptarë. Arbëri dhe Arditi, të cilët kishin përjetuar sjellje raciste, e fajësuan edhe veten, duke sugjeruar se ndoshta kjo sjellje vinte për shkak të “karakterit të tyre të vështirë”. Krahas kërkimit për mundësi më të mira pune, migrimi i dyfishtë drejt Mbretërisë së Bashkuar erdhi po ashtu si mënyrë për të shpëtuar nga diskriminimi dhe ksenofobia që kishin përjetuar në Greqi.

Një fillim i ri në Mbretërinë e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar shpesh përshkruhej si e kundërta e Greqisë. Personat me të cilët folëm thanë se nuk ishin ballafaquar me diskriminim në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishin qenë cak i sjelljeve raciste, duke e përshkruar veten si “të huaj mes të huajsh”.

Ata që u shpërngulën nga Greqia pas vitit 2010 — përfshirë shqiptarë/e, grekë/e dhe të tjerë/a — kanë prirje të jenë më të shpërndarë nëpër Londër, për dallim nga valët më të hershme të migrimit, të cilat ndonjëherë çonin në formimin e lagjeve me përbërje të caktuar etnike. Megjithatë, shumë prej tyre ende jetojnë në pjesë të Londrës së veriut, veçanërisht në lagjet “Haringey”, “Barnet” dhe “Enfield”. Kjo zonë aktualisht është shtëpia e një numri të konsiderueshëm njerëzish që kanë migruar drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Duke folur rreth shprehjes “të huaj në mesin e të huajve”, Vasi krahasoi përvojat e tij me punonjësit e shërbimeve publike në të dyja vendet, duke theksuar se nuk kishte përjetuar trajtimit ksenofob në Mbretëri të Bashkuar — diçka që ai apo prindërit e tij e kishin përjetuar rregullisht në Greqi për shkak të etnisë së tyre, shpesh duke u nxitur nga pasaportat shqiptare apo emrat e dallueshëm shqiptarë.

“Mënyra se si trajtohesh nga punonjësit në shërbimet publike, nga organizatat shtetërore, përgjithësisht nga shteti, është krejtësisht ndryshe nga mënyra si na trajtonin në Greqi”, tha Vasi. “Jo vetëm si shqiptarë — për shembull, prindërit tanë — por edhe neve, që mezi vëreheshim se jemi shqiptarë/e, në bazë të pamjes apo gjuhës, duke qenë se flasim shumë mirë greqisht. Por sapo mësonin, për shembull, emrat tanë, që tregonin prejardhje shqiptare, menjëherë vërehej trajtimi ndryshe”.

Teksa shumica e të intervistuarve/ave u pajtuan se racizmi dhe ksenofobia nuk ishin të shprehura aq shumë në Mbretërinë e Bashkuar, disa e sfiduan këtë mendim të përgjithshëm. Arbëri argumentoi se racizmi në Britani fshihet prapa humorit — për dallim nga Greqia, ku është “më i ashpër, më i drejtpërdrejtë, më i pranishëm”. Iliri u pajtua me këtë mendim dhe ia kujtoi grupit se emigrantët shqiptarë, që ishin shpërngulur drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndodheshin në një pozitë relativisht të privilegjuar: kishin fituar shtetësi nga një vend anëtar i BE, çka ua mundësoi të lëviznin dhe të vendoseshin lirshëm brenda BE.

Të ardhurit e tjerë të ri në Mbretërinë e Bashkuar, si refugjatët dhe azilkërkuesit, nuk e kishin të njëjtin privilegj dhe shpesh ballafaqoheshin me trajtim shumë më armiqësor nga autoritetet britanike. Megjithatë, që nga Brexit-i, kjo dinamikë ka ndryshuar. Ndërprerja e lëvizjes së lirë e ka bërë më të vështirë për qytetarët/et e BE, përfshirë ata/o nga Greqia, të migrojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe migrimi nga BE në përgjithësi, ka rënë. Në të njëjtën kohë, migrimi nga vendet jashtë BE është rritur.

Të bësh jetë shumëgjuhëshe

Njëri nga rezultatet e trajektoreve emigruese, që kanë ndjekur personat me të cilët folëm, ishte ekspozimi dhe rrjedhshmëria në disa gjuhë. Të gjithë personat që intervistuam flisnin të paktën tri gjuhë: shqip, greqisht dhe anglisht. Përbrenda kësaj, kishte dallime në mënyrën se si emigrantët me shpërngulje të dyfishtë i përdornin këto tri gjuhë dhe si e përjetonin të folurit e shumë gjuhëve në kontekste publike dhe familjare.

Megjithatë, për shumicën ishte greqishtja gjuha të cilën e zotëronin më mirë. Arbëri dhe Ermali, në veçanti, iu referuan greqishtes si “gjuha e tyre amtare”. Ermali theksoi gjithashtu se edhe kur flet gjuhët e tjera, përfshirë shqipen, e flet me theks grek. “E konsideroj greqishten gjuhë amtare në kuptimin që, kur flas gjuhë të tjera, kam theks grek. Shqipen e flas rrjedhshëm edhe pse theksi vërehet”, tha ai.

Të folurit e gjuhës shqipe ishte pjesë kryesore e ndjenjës së identitetit shqiptar për pjesëmarrësit/et. Arbëri e përshkroi shqipen si “gjuhën tjetër amtare” dhe shprehu keqardhje për rënien e aftësive të tij gjuhësore në këtë gjuhë. Në masë të madhe, aftësitë e shumë emigrantëve në gjuhën shqipe, sidomos në shkrim dhe lexim, mbështeteshin nga gjuha angleze, për shkak të alfabetit të përbashkët latin. Pavarësisht dallimeve në mundësitë për edukim formal në gjuhën shqipe, shumica e pjesëmarrësve/eve pranuan se greqishten e zotëronin më mirë se shqipen. Ky çekuilibër shpesh shkaktonte zhgënjim dhe stres.

Sinani, për shembull, theksoi se, kur flet shqip, ndien se mund ta shprehë vetëm 70% të asaj që mendon. Albana shtoi se kur flet shqip me gjyshërit e saj, stresohet, nga frika se mos gabon dhe ndihet në siklet.

Disa nga pjesëmarrësit/et theksuan rënie në aftësitë e tyre në gjuhën greke, pas shpërnguljes drejt Mbretërisë së Bashkuar. Arbëri përmendi se kishte vështirësi të shprehej në greqisht, pasi kishte kaluar disa vite në universitete anglishtfolëse.

Mentori, ngjashëm si Arbëri, ka vërejtur ndikimin që anglishtja ka pasur në shqipen dhe greqishten e tij. “Shpeshherë e gjejë veten duke e harruar si shqipen, ashtu edhe greqishten, në disa raste. Për shembull, kur mundohem të them diçka, më duhet ta përdor një fjalë në anglisht, sepse nuk më kujtohet menjëherë fjala në shqip apo greqisht”, tha ai.

Gjuha angleze ishte gjithashtu gjuha e punësimit. Për këta emigrantë që kishin bërë shpërngulje të dyfishtë, zotërimi i mirë i anglishtes ishte çelësi për të pasur qasje në një sërë mundësish profesionale në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, disa besonin se anglishtja kryesisht akademike, të cilën e kishin mësuar në Greqi, nuk i kishte përgatitur për nevojat e komunikimit të përditshëm, sidomos në fillim pasi kishin ardhur në Mbretërinë e Bashkuar.

“E kisha certifikatën e zotërimit të gjuhës në nivelin ‘Proficiency’ [e barasvlershme me nivelin C2] dhe mendoja: ‘E di anglishten, jam i sigurt që kur të shkoj atje, do të jetë gjithçka në rregull, do të flas si anglez, si vendas’. Dhe më kujtohet dita e parë kur hipa në autobus, për të shkuar në universitet dhe shoferi ma kërkoi çmimin e biletës, dy paund. Nuk e kuptova asgjë”, tha Redoni.

“Unë nuk flas vetëm në njërën gjuhë, siç thanë edhe të tjerët. Është përzierje e shqipes me greqishten. Askush nga të dyja anët, nuk na kupton kur flasim”, tha ai.

Emigrantët që ishin shpërngulur dy herë, e përdornin si shqipen, ashtu edhe greqishten për qëllime të ndryshme, veçanërisht për të komunikuar me anëtarët e rrjeteve të tyre shoqërore në Shqipëri, Greqi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Teksa shqipja mbetej e pranishme në jetën e përditshme, shumica e pjesëmarrësve thanë se preferonin greqishten për këto ndërveprime. Shqipja përdorej me raste të caktuara, për shembull, si kod i fshehtë, kur donin ta ruanin privatësinë e bisedës nga të tjerët. Shumë prej tyre thanë se e përzienin shqipen dhe greqishten në ndërveprimet me personat e tjerë që flisnin shumë gjuhë dhe shpesh i përgjigjeshin prindërve në gjuhën greke, edhe kur ata u drejtoheshin në shqip. Pas shpërnguljes së dytë, anglishtja është shtuar në bagazhin e tyre shumëgjuhësh.

Iliri theksoi se është pikërisht kjo mënyrë e të folurit që i dallon shqiptarët e Greqisë, si nga shqiptarët e Shqipërisë, ashtu edhe nga grekët e Greqisë, shpesh deri në atë pikë sa të bëhen të pakuptueshëm për të dyja grupet. “Unë nuk flas vetëm në njërën gjuhë, siç thanë edhe të tjerët. Është përzierje e shqipes me greqishten. Askush nga të dyja anët, nuk na kupton kur flasim”, tha ai.

Ilustrimi: Dina Hajrullahu / K2.0.

Lidhjet shoqërore dhe përkatësia në Mbretërinë e Bashkuar

Emigrantët/et shqiptarë/e, që janë shpërngulur sërish, këtë herë drejt Mbretërisë së Bashkuar, jetojnë në periferi të hapësirave të banuara nga grupe të tjera emigrantësh nga Shqipëria dhe Greqia — grupe që shpesh përshkruhen si “prototipike” në aspektin etnik, gjuhësor dhe kulturor. Në njërën anë janë shqiptarët që kanë migruar drejtpërdrejt nga Shqipëria, pa pasur përvoja të mëparshme migrimi. Në anën tjetër janë emigrantët/et me origjinë greke që kanë ardhur nga Greqia.

Pjesëmarrësit/et në fokus grup shprehën ndjesinë e një lidhjeje me të dyja grupet, të rrënjosur në elemente të përbashkëta të identitetit të tyre, siç është gjuha, referencat kulturore dhe origjina. Kjo origjinë mund të kuptohet ose si etnike, ose si gjeografike, në rastin e Shqipërisë, ose si përvojë e përbashkët migrimi, në rastin e Greqisë. Xixa foli për lidhjet e saj me folës të greqishtes dhe shqipes. “Automatikisht kur dëgjoj tek flitet greqisht apo shqip, menjëherë do të flas greqisht, menjëherë do të flas shqip. ‘Si je?’ ‘Nga je?’ Është ndjenjë e mrekullueshme të ndihesh se je me njerëzit e tu”, tha ajo.

Megjithatë, pjesëmarrësit/et në përgjithësi u pajtuan se krijimi i marrëdhënieve të afërta me shqiptarët/et nga Shqipëria ose me grekët nga Greqia ishte sfiduese. Sidomos në rastin e shqiptarëve nga Shqipëria, ku shumë prej tyre u ndienë se kushtet e ndryshme në të cilat këto dy grupe kishin migruar drejt Mbretërisë së Bashkuar, kishin krijuar një lloj hierarkie mes tyre.

Shqiptarët që kishin ardhur përmes Greqisë, e patën mundësinë të vendoseshin dhe të qaseshin në tregun e punës në Mbretërinë e Bashkuar pa kufizime, duke përfituar nga të drejtat e lëvizjes brenda BE, që mbetën në fuqi deri në janar 2020. Ndërkohë, shqiptarët që kishin ardhur drejtpërdrejt nga Shqipëria ishin ballafaquar me rrugëtim shumë më të vështirë, të gjatë, të kushtueshëm dhe të pasigurt, duke kaluar nëpër politikat e ashpra dhe shpesh armiqësore të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. Këto pabarazi shpesh ushqenin ndjenja acarimi dhe padrejtësie, të cilat, sipas pjesëmarrësve/eve tanë/ona, herë pas here shfaqeshin në formën e sjelljeve diskriminuese verbale të drejtuara ndaj shqiptarëve nga Greqia.

Brenda këtij konteksti dhe me kujtimet e racizmit dhe diskriminimit që përjetuan në Greqi, që kishin lënë gjurmë të përhershme në identitetet e tyre, shumë pjesëmarrës/e thanë se ishte jo vetëm më e lehtë, por edhe më e preferueshme të krijonin lidhje shoqërore të ngushta me shqiptarë/e të tjerë që kishin migruar nga Greqia. Ajo që i bashkonte ishin përvojat e përbashkëta të jetës, trajektoret paralele të migrimit dhe kushtet tjera shoqërore që i kishin formësuar.

Gjuha, referencat kulturore dhe origjina e përbashkët janë tregues të rëndësishëm të identitetit, por nuk mjaftojnë vetëm ato për të mbajtur marrëdhënie shoqërore të ngushta.

“Rrethi im shoqëror nuk janë më as grekë e as shqiptarë. S’kam shoqëri, sepse nuk mund ta ndaj me ta atë që kam kaluar. E gjithë shoqëria ime, jemi shqiptarë-grekë, siç i quajmë, që do të thotë jemi shqiptarë të rritur në Greqi”, tha Ermali. “Kemi pothuajse të njëjtin mentalitet, të njëjtat përvoja”.

Gjuha, referencat kulturore dhe origjina e përbashkët janë tregues të rëndësishëm të identitetit, por nuk mjaftojnë vetëm ato për të mbajtur marrëdhënie shoqërore të ngushta, sidomos kur mungojnë elemente të tjera që krijojnë ndjesinë e afërsisë. Duket se ngjashmëritë dhe dallimet në përvojat e migrimit luajnë rol shumë më vendimtar. Kjo pasqyrohet edhe në afërsinë e kufizuar të marrëdhënieve me anëtarët/et e grupeve të tjera etnike në Britani.

Shumica prej atyre me të cilët folëm, e shohin veten si shqiptarë-grekë apo përmes pikëpamjes  së identiteteve të dyfishta, duke i konsideruar këto si mënyrën më të mirë për t’i shpjeguar forcat shoqërore që i kanë formësuar ata/o dhe përvojat e tyre. Këto identitete të dyfishta etnike sfidojnë konceptimet e njëtrajtshme të etnisë, si diçka e pandryshueshme, e vetme apo me përmbajtje biologjike. Ekzistenca e këtyre individëve tregon se identitetet etnike janë në të vërtetë të ndryshueshme, të shumëfishta dhe produkt i proceseve të formësimit shoqëror.

Megjithatë, ne nuk kemi aspak për qëllim ta bëjmë një përgjithësim se këto identitete të dyfishta vlejnë ose duhet të vlejnë për të gjithë ata/o me origjinë shqiptare të rritur/a në Greqi. Një pretendim i tillë do të ishte, në rastin më të mirë, tejet i thjeshtuar dhe do ta shpërfillte kontekstin socio-historik dhe politik që i ka formësuar këto identitete. Shpërfillja e këtyre konteksteve, nënkupton romantizimin e këtyre identiteteve dhe anashkalimin e ksenofobisë dhe proceseve asimiluese që i kanë krijuar ato.

Emigrantët/et me të cilët folëm tregojnë se ksenofobia dhe racizmi janë pjesë qenësore e përvojës emigruese dhe mund të jenë shtysa të fuqishme, që vënë në lëvizje projekte të reja migrimi. Rrëfimet që përbëjnë këtë tekst, shpërfaqin gjithashtu se njerëzit që kanë përjetuar migrimin, ka gjasa të vazhdojnë të shpërngulen, duke ndjekur atë që është më e mira për ta dhe familjet e tyre, kurdo që të shfaqet mundësia.

Ata sfidojnë konceptet e ngurta të përkatësisë, duke treguar se kufijtë, si fizikë ashtu edhe simbolikë, ekzistojnë për t’u kapërcyer. “Motoja ime jetësore është ‘aty ku e kam kapelën, aty është shtëpia ime’”, na tha Olta. “Vetëm se ndodhem këtu për momentin, nuk nënkupton se do të ngelem këtu përgjithmonë. Nuk jam pemë që të lëshoj rrënjë”.

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.