Të shtënat masive në Serbi në maj të vitit 2023 — njëra në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd dhe tjetra në fshatrat Dubona dhe Malo Orašje — rezultuan në vrasjen e 19 personave dhe zemëruan qytetarë/e të panumërt/a serbë/e. Kjo ndikoi që disa njohës/e të çështjeve të parashikonin ndryshim në politikën serbe dhe zhvillimin e një blloku të ri politik që kundërshtonte presidentin serb Aleksandar Vučić.
Për ndryshimet që mund të ndodhnin janë shfaqur shenja qysh herët. Më 7 maj të vitit 2023, Ministri i Arsimit, Branko Ružić dha dorëheqje. Para se ta bënte këtë, ua la fajin internetit, videolojërave dhe “vlerave perëndimore” për të shtënat në shkollë. Të nesërmen, qytetarë e qytetare, grupe joformale, organizata të shoqërisë civile dhe parti opozitare marshuan në Beograd, në një protestë të heshtur pikëllimi, që u shndërrua në zemërim me qeverinë e Vučić.
Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Brnabić fajësoi shërbimet e huaja të inteligjencës për protestat, ndërsa Vučić i përshkroi ato si një “revolucion i ngjyrosur” i mundshëm. Megjithatë, demonstratat vazhduan dhe u bënë të njohura si protestat “Serbia kundër dhunës”.
Organizatorët e protestës kishin shtatë kërkesa, duke filluar nga një seancë e jashtëzakonshme e Asamblesë Kombëtare për situatën e sigurisë deri te shkarkimi i Aleksandar Vulin, drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, deri te ndalimi i transmetimit të përmbajtjeve të dhunshme dhe programeve reality.
Megjithatë, pavarësisht mobilizimit popullor dhe potencialit për ndryshim politik, shpresat për ta mposhtur Vučić në zgjedhje nuk u bënë realitet, si rezultat i një kombinimi të zgjedhjeve të dobëta strategjike nga udhëheqësit/et politikë/e të opozitës dhe manipulimeve zgjedhore.
Komisioni Hetimor, i shfuqizuar
Pas disa javësh protesta, 193 nga 250 deputetë të Asamblesë Kombëtare të Serbisë votuan për formimin e një Komiteti Hetimor për hetimin e dy rasteve të të shtënave masive. Kjo erdhi si kërkesë e opozitës në kuvend.
Një seancë e dytë do të mbahej gjashtë ditë më vonë, por para se kjo të ndodhte, komisioni u shfuqizua pa procedurë të rregullt ligjore. Kjo erdhi me kërkesën të prindërve të fëmijëve të vrarë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, të cilët kishin frikë se seanca e komitetit mund ta rrezikonte hetimin zyrtar.
Prindërit shqetësoheshin se komiteti “mund ta kërcënonte zhvillimin e mëtutjeshëm të papenguar të hetimit dhe procedimit penal të prokurorit, sepse faktet dhe provat me rëndësi për zhvillimin ligjor të seancave mund të bëheshin publike përpara gjykimit”, sipas një letre nga përfaqësuesi i tyre.
Me shfuqizimin e Komitetit Hetimor, temat e politikave të sigurisë publike dhe dhunës institucionale u larguan nga diskutimi në dhomën më të lartë legjislative të Serbisë. Organizatorët/et e protestës “Serbia kundër dhunës” e panë këtë si tregues se qeveria e Vučić po “fshihej mbrapa dhimbjes” së familjeve të fëmijëve të vrarë “për ta shmangur rrezikun që qeveria të dilte dukshëm përgjegjëse për shpërthimin e dhunës në shoqëri, përmes punës së atij organi parlamentar”.
Fakti që familjet e fëmijëve të vrarë dëshironin që prokuroria të mbetej organi kryesor hetimor e organizatorët e protestës kritikonin shfuqizimin e Komitetit Hetimor, vë në pah degradimin e sundimit të ligjit dhe mosbesimin institucional të rrënjosur thellë e të pranishëm në Serbi.
Aleksandar Olenik, avokat që përfaqëson familjet e të vrarëve në shkollën Ribnikar tha se vrasjet tregojnë “se sistemi nën sundimin e SNS [Partisë Progresive Serbe, partia në pushtet e Vučić] është i kalbur dhe joefektiv”, duke shtuar se “të gjithë kanë faj”.
Një mundësi e humbur
Pakënaqësia publike që buroi nga të shtënat e muajit maj i ofroi opozitës politike së Vučić një mundësi për ta përkthyer pakënaqësinë e përhapur me drejtimin e vendit në pasoja politike. Megjithatë, nuk ia dolën ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Njëra nga arsyet për këtë ishte mungesa e dialogut konstruktiv mes udhëheqësve politikë të opozitës dhe publikut. Në vend që të angazhoheshin në një bisedë me masat protestuese, udhëheqësit politikë u angazhuan në komunikim të njëanshëm me protestuesit. Ky dështim për t’u konsultuar me publikun e gjerë kufizoi fuqinë elektorale të protestave.
Derisa protestat fillimisht u kritikuan nga kampi qeverisës i Vučić, ato shpejt morën kritika nga të tjerët që i konsideruan ato si pamjaftueshëm transformuese dhe pa një platformë domethënëse politike. Kritikat tjera ndaj protestës theksuan mungesën e një strukture revolucionare të organizimit politik apo dështimin për mobilizimin e punëtorëve/eve, komunitetin akademik dhe grupe të tjera të interesit.
Pas protestave të verës në dhjetëra komunitete lokale, në fillim të shtatorit, një pjesë e opozitës së bashkuar bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në të gjithë Serbinë dhe për zgjedhje lokale në Beograd.
Vučić u pajtua për zgjedhje të reja parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd, ndërsa shpalli zgjedhje lokale edhe në provincën e Vojvodinës. Derisa popullariteti i Vučić kishte pësuar në kryeqytetin serb, tërheqja e fushatës elektorale jashtë Beogradit nënkuptonte se opozita e përqendruar në Beograd, mund të mbetej në hije.
Manipulim zgjedhor
Më 1 nëntor të vitit 2023, zgjedhjet për 65 nga 174 njësitë e vetëqeverisjes lokale u caktuan zyrtarisht për 17 dhjetor dhe Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë u shpërnda. Opozita shpresoi ta konsolidonte votën kundër Vučić në një bllok të vetëm, duke arritur një marrëveshje për të kandiduar së bashku në një listë të vetme zgjedhore.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të shpallura nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë treguan një fitore vendimtare të listës zgjedhore të Vučić, “Aleksandar Vučić – Serbia nuk duhet të ndalet”, e cila mori pothuajse 47% të votave. Ndërkaq, lista elektorale “Serbia kundër dhunës”, mori vetëm rreth 24% të votave.
Megjithatë, zgjedhjet u përcollën me parregullsi të shumta. Vëzhguesit nga Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) regjistruan rreth 700 vizita të zyrtarëve të lartë shtetërorë në komunitetet lokale, kryesisht ato ku mbahen zgjedhjet lokale.
Këta vëzhgues dërguan mbi 50 raporte, kryesisht në Organin Rregullativ për Medie Elektronike dhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Raportet theksuan raste të keqpërdorimit të burimeve publike, fushata zyrtare, aktivitete të paligjshme të partive, fushata negative dhe gjuhë të urrejtjes.
Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) theksoi se “fushata u karakterizua nga polarizim i fuqishëm, retorikë agresive, diskreditim i personaliteteve, dhunë verbale dhe gjuhë nxitëse”.
ODIHR shtoi gjithashtu se Organi Rregullativ Mbikëqyrës për Mediet Elektronike (REM) pati një qasje pasive sa i përket rregullimit të sjelljes së medieve gjatë fushatës. Kjo mund të vërehet duke llogaritur mbulimin medial që patën kandidatët e ndryshëm: CRTA llogariti se Vučić pati 14,500 sekonda — pak më shumë se katër orë — më shumë mbulim në programet televizive kombëtare sesa të gjithë përfaqësuesit e opozitës së bashku.
Vučić llogariti në lëvizjen e votuesve nga komunat ku nuk mbaheshin zgjedhjet lokale në komunat ku ishin planifikuar zgjedhjet. Manipulime me regjistrin e votuesve janë vërejtur edhe në rastin e votuesve nga Bosnjë e Hercegovina, të cilët u regjistruan në masë të madhe në të njëjtat adresa në Serbi.
Në një rast të tillë, një punonjësi në Zyrën e Regjistrimit të një qyteti afër kufirit me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbisë, eprorët e tij ia dhanë 67 karta identiteti të personave nga entiteti i Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, me kërkesën për ta ndryshuar vendbanimin e përhershëm të të gjithë atyre.
Raporti i CRTA thekson se më 21 shtator 2023, 67 persona nga Republika Srpska ishin regjistruar në regjistrin e votuesve të Serbisë me adresa të përhershme në komunën e Surčin. Raporti më pas shton se vendbanimet e përkohshme për ata/o votues/e janë regjistruar më 23 nëntor 2023 në qytetin origjinal të punonjësve, që nënkuptonte se këta 67 persona nga Bosnjë e Hercegovina janë regjistruar disa herë në juridiksione të ndryshme në Serbi.
Përfundimisht, një rezolutë e miratuar nga Parlamenti Evropian theksoi se kishte “mangësi të shumta procedurale” në zgjedhjet e 17 dhjetorit 2023 në Serbi dhe anëtarët e Parlamentit Evropian kërkuan një hetim të pavarur për parregullsitë në zgjedhje.
Ku gaboi opozita?
Menjëherë pasi thirrja për zgjedhje u prezantua si plan i opozitës, kërkesat e tjera të protestuesve u shpërfillën. Me caktimin e datës së zgjedhjeve, këto kërkesa do të bëheshin plane konkrete vetëm nëse opozita do ta fitonte shumicën e votave në zgjedhje. Kështu, lista “Serbia kundër dhunës” humbi mundësinë për t’i përdorur këto kërkesa konkrete të protestave si bazë për krijimin e një politike të sigurisë publike.
Politika e sigurisë publike nuk u gjet askund. Munguan gjithashtu politikat që shprehnin mënyra dhe zgjidhje për problemet që shkaktuan pakënaqësi dhe trazira në politikën e gjerë.
Kështu, opozita humbi mundësinë për ta dëgjuar publikun dhe për ta zhvilluar një platformë politike dhe politika që synojnë shpërfaqjen e dhunës institucionale të përjetësuar nga qeveria e Vučić. Në vend të kësaj, ajo u përqendrua në promovimin e udhëheqësve të saj politikë, në vend që të avokonte për listën e plotë të kërkesave që buruan pas të shtënave të majit të vitit 2023. Supozimi se ruajtja e nivelit të status quo të pakënaqësisë publike do të mjaftonte për të fituar rezultoi i gabuar.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.