Refik Sylejmani e di saktë numrin e shkallëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë dhe sa hapa i duhet t’i hedhë që nga hyrja e deri te sporteli ku përshkruhen insulinat. Me një kapelë në kokë dhe syzet tashmë të obligueshme për shkak të dobësimit të shikimit si pasojë e diabetit, Refiku çdo muaj shkon në QKMF dhe pret për ta marrë dëshminë e mjekut që vërteton se vuan nga diabeti, në mënyrë që ta marrë dozën mujore të insulinës. Libreza që mban në xhep dëshmon se Refiku është diagnostikuar me diabet tashmë mbi 10 vite.
“Njëherë e pi një kafe me shokët që takohemi çdo ditë këtu në qendër, e pastaj shkoj në QKMF”, tregon 67-vjeçari derisa flet për kohën që e kalon me pensionistët e tjerë në Qendrën Kulturore Sociale për të Moshuarit në lagjen “Tophane”, ndër lagjet më të vjetra të kryeqytetit, ku edhe jeton. Para luftës së fundit në Kosovë, Refiku kishte punuar si tregtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Pas vitit 2000, ai thotë se ka punuar si roje sigurie në Pishinën e Gërmisë. Por, para më shumë se 10 viteve, shëndeti i tij kishte filluar të përkeqësohej për shkak të diabetit.
Diabeti është sëmundje kronike dhe e pashërueshme, që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur trupi nuk e përdor siç duhet insulinën që prodhon. Si pasojë, pacientët me diabet kanë nevojë për kujdes dhe trajtim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Megjithatë, diagnoza 10-vjeçare nuk konsiderohet si dëshmi e mjaftueshme që Refiku t’i marrë insulinat e nevojshme pa kaluar nëpër procedurat e njëjta çdo muaj.
Rina Tafarshiku, endokrinologe në Qendrën Kliniike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (UP), thotë se diabeti nuk shërohet, mirëpo menaxhohet përmes trajtimit të përhershëm. Ajo shpjegon se kontrollet e rregullta te endokrinologu janë të domosdoshme, pasi menaxhimi i sëmundjes është i ndërlikuar dhe përfshin jo vetëm përshkrimin e terapisë së duhur, por edhe këshillimin lidhur me ushqyerjen dhe rëndësinë e aktivitetit fizik. Por, sipas saj edhe kur sëmundja është nën kontroll, pacientët me diabet duhet të kontrollohen çdo 3-6 muaj, dhe ndonjëherë një herë në vit.
Sipas Tafarshikut, kontrollet mujore burokratike, të domosdoshme për shkak të furnizimit me insulinë, për shumicën e pacientëve kthehen në një sfidë të madhe.
“Mosha e shtyrë dhe gjendja jo e mirë shëndetësore ua bëjnë të pamundur shumë pacientëve të shkojnë pa ndihmën e familjarëve. Në këto raste, mjekët duhet të kalkulojnë dhe të japin sasinë e insulinës që do t’u mjaftonte pacientëve për disa muaj”, tha ajo.
Njësoj shprehet edhe Refiku.
“Në vend të përkujdesjes, përballemi me një sistem që duket sikur e ka harruar se koha për ne është vetë ilaçi”, tha ai.

Refiku çdo muaj shkon në QKMF dhe pret për ta marrë dëshminë e mjekut që vërteton se vuan nga diabeti, në mënyrë që ta marrë dozën mujore të insulinës. Fotografia: Amir Vitija / K2.0
Në korridorin e ngushtë e të bardhë të objektit të QKMF, pothuajse gjithmonë ai takon njerëzit e njëjtë, shumë shpesh të rraskapitur nga sëmundja, por më shumë nga pritja në radhë të njëjta çdo muaj. Në radhë nuk ka fjalë, vetëm fytyra të përgjumura që ndajnë të njëjtin përjetim: jetesën me një sëmundje që kërkon disiplinë të hekurt përballë një sistemi të përhumbur në letra e nënshkrime.
Për t’i marrë barnat e listës esenciale, Refiku, si mijëra pacientë të tjerë me sëmundje tjera kronike fillimisht paraqitet në sportel, ku lajmërohet dhe shënohet në protokoll. Nga aty, të dhënat e tij futen në sistemin digjital, që sipas mjekëve shumë shpesh nuk punon dhe pacienti dërgohet për vizitë te mjeku. Pasi përfundon vizitën, duhet të kthehet sërish te sporteli. Nëse printeri punon, aty e pret raporti i vizitës i printuar. Me këtë letër në dorë, ai kthehet sërish te mjeku. Por mjeku rrallëherë është i lirë, zakonisht brenda ka një pacient tjetër. Për ta marrë vulën ose nënshkrimin e mjekut, Refiku detyrohet të hyjë, ta ndërpresë vizitën dhe, pa dashur, ta shkelë privatësinë e dikujt tjetër.
Vetëm pasi raporti është nënshkruar apo vulosur, mund të shkojë në barnatore, që është pak metra larg hyrjes në oborr të QKMF. Kjo barnatore është e vetmja në qytet ku qytetarët mund t’i marrin barnat e listës esenciale pasi ato nuk shiten në barnatore private, për shkak se nuk ekziston një databazë e unifikuar e barnatoreve në vend që do të mund të mbikëqyrej nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Edhe këtu Refiku pret radhën.
Në hapësirën e ngushtë prej vetëm 70 metrash katrorë të barnatores dy farmacistë i shërbejnë pacientët e shumtë që presin para tyre.
Refiku ndalet para një aparati të vendosur në korridorin e ngushtë, pranë derës së barnatores. E prek ekranin e pajisjes ku duhet të zgjedhë cilat ilaçe i nevojiten. Aparati lëshon një copëz letre, një numër që tregon i sati është në radhë. Pastaj, me numrin në dorë, ai pret. Nuk ka ku të ulet sepse aty ndodhet vetëm një ulëse për dy persona. Të tjerët që presin, ashtu si ai, rrinë në këmbë ose ulen nëpër shkallë, duke pritur numrin e tyre të thirret. Fytyrat që sheh aty janë pothuajse gjithmonë të njëjtat: të moshuar që vijnë me qeset me receta në dorë për t’i marrë ilaçet dhe të rinj që shpesh presin për prindërit e tyre ose edhe për veten.
Por as ky grumbull dëshmish nuk mjafton si historik i sëmundjes së Refikut.
Rreth 2.800 pacientë përballen çdo muaj me këtë mur burokracie që pengon qasjen e lehtë në kujdes shëndetësor, përcjellë nga letra, receta, protokolle, vula, pritje të gjata dhe nevoja absurde për ta dëshmuar sëmundjen vazhdimisht.
Por as ky grumbull dëshmish nuk mjafton si historik i sëmundjes së Refikut.
Nëse Refiku do të kërkonte një raport me të gjitha kontrollet e dhjetë viteve të fundit, stafit shëndetësor do t’i duhej të zbriste në bodrumet ku ruhen dosjet fizike për t’i gjetur kopjet e raporteve, meqë digjitalizimi çalon. Shumicën e herëve, janë vetë pacientët ata që ruajnë raportet mjekësore dhe detyrohen të shkojnë në vizita me një mal dokumentesh në dorë. Nëse Refiku do të dëshironte të kontrollohej te një specialist tjetër për ndonjë problem tjetër shëndetësor, qoftë publik apo privat, mjeku nuk do ta kishte idenë se ai vuan nga sëmundja e diabetit nëse vetë Refiku nuk do t’i tregonte.
Ndërkohë, në shumicën e sistemeve shëndetësore në rajon dhe në Evropë, mjafton një klikim për të parë të gjithë historikun e pacientit, sepse zbatohet parimi bazë “një pacient, një kartelë”. Në Kosovë, megjithatë, mungon një sistem i tillë digjital dhe i centralizuar, që do të ishte e qasshëm për të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. Kësisoj, sa herë që pacienti kontrollohet te një mjek i ri, procesi fillon nga e para: mbledhja e anamnezës dhe historikut familjar përsëritet në çdo vizitë, për secilin pacient.

Libreza që mban në xhep dëshmon se Refiku është diagnostikuar me diabet tashmë mbi 10 vite. Fotografia: Amir Vitija / K2.0
Një pacient, një kartelë
Teksa sistemi shëndetësor vazhdon të orvatetmes letrave e protokolleve, Kosova prej më shumë se një dekadë po përpiqet ta funksionalizojë një sistem informativ shëndetësor, i njohur shkurtimisht si SISH, reformë që do t’i kishte zgjidhur prej kohësh këto probleme. Po të funksional SISH, pacientët me diabet ose me sëmundje të tjera kronike do të kishin dosje të unifikuar mjekësore, që njihet ndryshe si kartelë digjitale mjekësore, ku do të përmblidhej i gjithë historiku i tyre shëndetësor: grupi i gjakut, diagnozat, terapitë, ndërhyrjet dhe historiku familjar.
Në secilin nivel të sistemit shëndetësor, çdo profesionist i shëndetësisë, qoftë në sektorin publik apo privat, do të kishte qasje në të njëjtën dosje të pacientit, që do të ruhej në regjistrin elektronik shëndetësor të centralizuar në nivel kombëtar dhe do të ishte e rrjetëzuar ndërmjet institucioneve shëndetësore publike dhe private. Ky regjistër është një bazë të dhënash kombëtare ku ruhen në mënyrë të sigurt të gjitha informacionet mjekësore të qytetarëve në formë digjitale, duke mundësuar që një mjek në Prishtinë të ketë menjëherë qasje në rezultatet e analizave të një pacienti nga Prizreni, pa pasur nevojë për dokumente fizike.
Në këtë sistem do të përfshiheshin jo vetëm qendrat mjekësore, por edhe laboratorët, farmacitë dhe klinikat diagnostike, duke mundësuar që çdo ekzaminim, analizë apo terapi të regjistrohej automatikisht në dosjen unike të pacientit. Një regjistër i tillë do të mundësonte gjithashtu që informacioni për një pacient të kalonte lehtësisht nga niveli bazik i kujdesit shëndetësor, siç janë QKMF në secilin qytet, tek qendrat rajonale të nivelit dytësor, dhe më pas deri te QKUK, që përfaqëson nivelin tretësor të kujdesit shëndetësor.
Në masë të madhe, kjo do t’i eliminonte dosjet e raporteve mjekësore që rëndojnë sot pacientët, do të rriste ndjeshëm transparencën, pasi do të ishte e qartë se kush e ka trajtuar pacientin dhe cilat ndërhyrje janë kryer nga secili profesionist shëndetësor.
Për ta bërë SISH funksional, do të duhej së pari të funksiononte sistemi i recetave elektronike (në anglisht: “e-prescription”). Me to, pritja e Refikut çdo muaj në radhë për të marrë insulinën do t’i takonte të kaluarës. Receta elektronike është konceptuar si sistem digjital përmes të cilit mjeku do ta lëshonte recetën direkt në platformën kombëtare shëndetësore, në vend të një fletë fizike që duhet nënshkruar e vulosur. Në këtë mënyrë, barnatoret, qofshin publike apo private, do të kishin qasje të menjëhershme në të dhënat e pacientit dhe do të mund ta shpërndanin terapinë pa vonesa dhe pa burokraci.
Pa SISH funksional, sistemi shëndetësor në Kosovë operon si një rrjet i fragmentuar e i pakoordinuar, ku çdo hallkë vepron e shkëputur nga të tjerat.
Për ta bërë të mundur funksionimin e recetave elektronike, hapi tjetër do të ishte krijimi i një baze të dhënash digjitale që përfshin të gjitha barnatoret në vend. Një databazë e tillë, që lidh barnat publike dhe private me sistemin elektronik të recetave, do të mundësonte që pacientë si Refiku të mos vareshin vetëm nga një barnatore publike për të marrë insulinën falas. Barnat esenciale të financuara nga shteti do të ishin të disponueshme edhe në barnatoret private, duke ulur pritjet dhe lehtësuar ndjeshëm qasjen për pacientët kronikë.
Por, për ta arritur këtë nivel, sistemi shëndetësor në Kosovë është ende larg. Pa SISH funksional, sistemi shëndetësor në Kosovë operon si një rrjet i fragmentuar e i pakoordinuar, ku çdo hallkë vepron e shkëputur nga të tjerat. Sektori publik dhe privat funksionojnë të ndarë nga njëri-tjetri, pa një bazë të përbashkët të dhënash për shkëmbimin e informacionit mjekësor.
Brenda vetë sektorit publik, të dhënat nuk qarkullojnë as në mënyrë horizontale, ndërmjet departamenteve të një institucioni, e as vertikale, ndërmjet niveleve të ndryshme të kujdesit shëndetësor (primar, sekondar dhe terciar). Kështu, një mjek në QKMF nuk mund t’i shohë analizat laboratorike apo kontrollet që një pacient i ka kryer në spitalin rajonal, ndërsa spitali nuk ka qasje në historikun e trajtimeve të kryera në qendrat primare.
Në këtë realitet, pacientët janë bartësit të vetëm të dokumentacionit të tyre mjekësor, duke ruajtur dhe bartur raportet, recetat dhe analizat nga një institucion në tjetrin.
E njëjta ndarje strukturore vlen edhe për barnatoret, laboratorët dhe klinikat diagnostike, që operojnë të shkëputura nga njëra-tjetra dhe nga sistemi publik shëndetësor.
Në këtë realitet, pacientët janë bartësit të vetëm të dokumentacionit të tyre mjekësor, duke ruajtur dhe bartur raportet, recetat dhe analizat nga një institucion në tjetrin. Kjo situatë e çorganizuar e bën sistemin shëndetësor të ngadalshëm, burokratik dhe të paaftë në sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm, shmangien e përsëritjes së analizave, si dhe ndërtimit të një profili shëndetësor kombëtar. Sistemi shëndetësor vazhdon të funksionojë në mënyrë të fragmentuar e të pakoordinuar edhe pas një dekade përpjekjesh për ta vënë në operim SISH.
Në vitin 2011, MSH kishte nisur zbatimin e shtrirjes së SISH në tri faza. Dy fazat e para planifikohej të përfshinin pilotimin dhe zbatimin e sistemit në 30% të territorit të vendit, si dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014. Kurse faza e tretë përfshinte zbatimin e sistemit në gjithë territorin e vendit, objektiv që synohej të realizohej deri në vitin 2020.
Kur ka kaluar më shumë se një dekadë, SISH është i integruar copa-copa në nivelin e parë shëndetësor. Aktualisht, vetëm Sistemi Bazik i Informimit Shëndetësor (BHIS) funksionon në disa QKMF, duke u përdorur si forma më e thjeshtë dhe e kufizuar e SISH. Kështu, pjesa më e madhe e sistemit shëndetësor, sidomos niveli sekondar dhe terciar, vazhdojnë të punojnë në mënyrë manuale, pa një lidhje të integruar digjitale mes tyre.
Çka është BHIS?
Sistemi Bazik i Informimit Shëndetësor (BHIS) është platformë digjitale e bazuar në ueb që mbledhë dhe centralizon të dhënat kryesore të pacientëve, si regjistrimet, vizitat dhe të dhënat bazike shëndetësore, të cilat futen drejtpërdrejt nga stafi mjekësor në qendrat shëndetësore.
BHIS është aktualisht i implementuar në 29 Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në 40 Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF) dhe në 2 Ambulanca të Mjekësisë Familjare (AMF), si dhe pjesërisht në disa ambulanca specialistike të spitaleve të përgjithshme në Gjilan dhe në shtatë ambulanca specialistike të QKUK-së.
Megjithatë, përveç faktit që BHIS zbatohet vetëm pjesërisht, shpesh sistemi është jashtë funksionit, duke detyruar mjekët t’u kthehen metodave të vjetra si formave të shkruara.
Specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF në Prishtinë, Rashit Ismajli, punon në këtë qendër për më shumë se shtatë vjet. Ismajli tregon se ai dhe kolegët e kanë mirëpritur integrimin e SISH pas kohës së pandemisë së koronavirusit në vitin 2020. Mirëpo, nga një sistem që pritej t’ua lehtësonte punën, ai shpesh po ua bënë më të vështirë ekzaminimin e pacientëve.
“Mosfunksionimi i SISH e vështirëson ndjeshëm punën e përditshme të mjekëve në QKMF. Kur ky sistem nuk funksionon, detyrohemi të punojmë në mënyrë manuale, gjë që merr shumë kohë dhe rrit rrezikun për gabime ose përsëritje të ekzaminimeve të panevojshme”, tregon Ismajli. Sipas tij, kjo po ndikon që të humbet vazhdimësia e kujdesit dhe ngarkesa administrative për stafin po rritet ndjeshëm.
“Kur sistemi nuk është funksional, për çdo pacient duhet ta marrim anamnezën dhe historinë mjekësore nga e para, shpesh duke u mbështetur vetëm në kujtesën e pacientit ose dokumente të sjella në letër. Kjo është e lodhshme për mjekun dhe stresuese për pacientin, sepse vonon procesin e konsultës dhe mund të ndikojë në saktësinë e vlerësimit klinik”, tha Ismajli.

Specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF në Prishtinë, Rashit Ismajli thotë se kur sistemi digjital nuk funksionon, mjekët detyrohen të punojnë në mënyrë manuale, gjë që merr shumë kohë dhe rrit rrezikun për gabime ose përsëritje të ekzaminimeve të panevojshme. Fotografia: Amir Vitija / K2.0
Në rastet kronike si hipertensioni, diabeti apo hipotiroidizmi, mungesa e pasqyrës historike të rezultateve sipas Ismajlit, e bën shumë më të vështirë përcjelljen e përmirësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit dhe përshtatjen e terapisë.
Saranda Ramaj, gazetare, e cila prej vitesh ka mbuluar sektorin e shëndetësisë për gazetën “Koha Ditore”, përmend rastet e diabetikëve që çdo muaj duhet të paraqesin raporte të reja mjekësore për të marrë insulinë.
“Është absurde që një person me diabet duhet çdo muaj të ‘dëshmojë’ se ende e ka diabetin, vetëm sepse sistemi nuk e mban gjurmën klinike në mënyrë elektronike”, tha ajo, duke theksuar se situatë e ngjashme ndodh edhe me pacientët kardiovaskularë apo ata me kancer.
Besim Kodra, udhëheqës i i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK), thotë se mungesa e SISH krijon një zinxhir burokratik, ku pacienti shpesh duhet t’i vizitojë disa zyra dhe të paraqesë të njëjtat dokumente çdo herë.
“Më të prekur janë pacientët kronikë si diabetikët, ata me sëmundje kardiovaskulare, astmë, sëmundjet onkologjike, apo ata që kanë nevojë për terapi të vazhdueshme”, tha Kodra, duke shtuar se edhe pacientët me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në zona rurale, ku qasja në shërbime është më e vështirë, i vuajnë pasojat e mos digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore.
Situatë e ngjashme ishte edhe në Shqipëri, megjithatë ky vend arriti ta zgjidhë këtë problem përmes modernizimit të sistemit të recetave mjekësore. Pas më shumë se një dekade përdorimi të recetës elektronike, më 1 gusht 2025 u unifikua modeli i saj në gjithë sistemin publik dhe privat. Receta e re unike standardizon përshkrimin dhe shpërndarjen e barnave, duke lehtësuar punën e farmacistëve dhe rritur sigurinë e pacientëve, pasi përfshin diagnozën, emrin gjenerik të barit dhe të dhënat e terapisë.
Me modelin e ri, mjekët mund të lëshojnë receta që vlejnë deri në gjashtë muaj, për pacientët me terapi të qëndrueshme si ata me insulinë. Kjo ua kursen pacientëve vizitat mujore te mjeku dhe u mundëson të marrin barnat në çdo barnatore të licencuar, publike ose private.
Pse ngeci SISH?
Analiza e raporte të shumta ndër vite, përfshirë studime fizibiliteti tregojnë se SISH ka dështuar të zbatohet sipas planit të paraparë për shkak të një zinxhiri faktorësh që lidhen me mungesën e infrastrukturës adekuate, trajtimin jo të duhur të burimeve njerëzore, pasiguritë rreth të dhënave shëndetësore, financimin e pamjaftueshëm dhe udhëheqjen e dobët. Çdo përpjekje për zbatim ka ngecur në faza të kufizuara pilotimi, pa arritur ndonjëherë të shtrihet në nivel kombëtar.
Sipas Raportit të Auditorit Kombëtar dhe studimit të fizibilitetit për SISH, të kryer për Bankën Botërore (BB) në vitin 2023, problemet infrastrukturore kanë qenë një nga pengesat më të mëdha për zbatimin e SISH. Shumë qendra shëndetësore në vend nuk janë të pajisura me kompjuterë dhe pajisje teknologjike të nevojshme për mbështetjen e një sistemi të tillë. Edhe atje ku janë bërë përpjekje për instalimin e tyre, rrjeti i internetit shpesh është i dobët, jo i qëndrueshëm dhe i papërshtatshëm për funksionimin e një sistemi gjithëpërfshirës.
Për më tepër, aty ku është instaluar pjesërisht, mungesa e stafit të trajnuar ka bërë që sistemi të mos funksionojë në praktikë. Trajnimet e ofruara në të kaluarën kanë qenë kryesisht sipërfaqësore, kanë zgjatur vetëm disa ditë, duke mos arritur që punonjësit shëndetësor t’i përvetësojnë aftësitë e nevojshme për zbatimin e këtij sistemi. Kjo ka rezultuar në situata ku stafi, pavarësisht se ka marrë trajnim, nuk ka pasur njohuritë bazë për t’i përdorur funksionet kryesore të programit.
Në praktikë, shumë institucione kanë mbajtur sistem të dyfishtë, duke ruajtur të dhënat si në formë fizike, ashtu edhe në atë digjitale.
Një tjetër problem madhor ka qenë mungesa e një kornize të qartë për mbrojtjen e të dhënave shëndetësore. Raporti i Auditorit Kombëtar ka treguar se sistemi, në fazat kur është pilotuar, nuk ka pasur mekanizma të qëndrueshëm sigurie dhe ka lejuar qasje të paautorizuar në të dhënat e pacientëve. Kjo ka krijuar pasiguri si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë etik, duke ndikuar drejtpërdrejt në mosbesimin e qytetarëve dhe profesionistëve të shëndetësisë.
Në praktikë, shumë institucione kanë mbajtur sistem të dyfishtë, duke ruajtur të dhënat si në formë fizike, ashtu edhe në atë digjitale. Mirëpo këto dy forma shpesh nuk përputheshin me njëra-tjetrën, duke krijuar huti dhe paqartësi në menaxhimin e informacionit shëndetësor.
Përveç pengesave infrastrukturore dhe mungesës së burimeve njerëzore, studimi i fizibilitetit i BB thekson se zbatimi i SISH është penguar kryesisht nga mungesa e qeverisjes së qartë institucionale dhe kornizës ligjore për digjitalizimin e shëndetësisë. Raporti vë në pah se Kosova nuk ka ende një autoritet të centralizuar për “e-Health” që të udhëheqë, monitorojë dhe standardizojë zbatimin e sistemeve të informacionit shëndetësor. Si pasojë, projektet janë zhvilluar në mënyrë të fragmentuar nga agjenci të ndryshme, shpesh pa koordinim mes MSH, Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe institucioneve shëndetësore. Kjo ka krijuar një vakum institucional, ku asnjë organ nuk ka përgjegjësi të plotë për zbatimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Mungesa e SISH prekë më së shumti pacientët kronikë si diabetikët, ata me sëmundje kardiovaskulare, astmë, sëmundjet onkologjike, apo ata që kanë nevojë për terapi të vazhdueshme. Fotografia: Amir Vitija / K2.0
Ndërkohë, një raport i fondacionit Konrad Adenauer Stiftung (KAS) për SISH, thekson edhe financimin e kufizuar dhe të paqëndrueshëm që përbën një arsye tjetër kryesore pse SISH nuk është realizuar. Sistemi shëndetësor në Kosovë, që funksionon me një buxhet shumë më të ulët se vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian (BE), nuk ka pasur mundësi të bëjë investime të konsiderueshme në teknologji dhe infrastrukturë digjitale. Kështu, projektet për digjitalizimin e shëndetësisë shpesh janë varur nga donatorët ndërkombëtarë apo kreditë.
Bazuar në studimin e fizibilitetit, MSH ka zhvilluar një plan strategjik për SISH deri në vitin 2030. Ndërkohë, sipas Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë (SSSH) 2024–2030, SISH konsiderohet si një reformë kyçe që do të garantojë modernizimin e sektorit publik shëndetësor. Dokumenti parashikon një kosto totale prej 54 milionë eurosh, të shpërndara në disa vite dhe të mbështetura nga buxheti i shtetit dhe kreditë e BB, ndërsa për fazën e parë tashmë janë siguruar 12 milionë euro. Qeveria ka vendosur një sërë objektivash dhe treguesish, me premtimin që deri në vitin 2030 sistemi do të jetë i integruar dhe funksional në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Ndërsa dokumentet flasin për digjitalizim të plotë deri në vitin 2030, fakti që sot vetëm 20% e sistemeve bazike janë zhvilluar, tregon se SISH është ende shumë larg nga të qenit një realitet, duke e kthyer mungesën e tij në një barrë për pacientët, që bartin dosjet e tyre derë më derë.
Megjithatë, realiteti aktual është shumë larg këtyre synimeve. Vetë strategjia pranon se përqindja e zhvillimit të sistemeve bazike mjekësore është vetëm 20%. Kjo nënkupton se sistemi është ende në fazë fillestare, edhe pse ka më shumë se një dekadë që figuron si objektiv strategjik. Ambiciet e strategjisë janë që deri në vitin 2027 ky nivel të arrijë në 60% dhe deri në vitin 2030 në 95%. Ndërkaq, për strukturën digjitale në shëndetësi, e cila sipas strategjisë është 60% funksionale, synohet integrimi i plotë deri në vitin 2030. Edhe këtu, mungesa e një baze të qëndrueshme financiare dhe teknike, si dhe kapacitetet e pamjaftueshme menaxheriale, e bëjnë rrugën drejt këtij synimi tejet të pasigurt.
E njëjta gjendje vlen për sistemet mbështetëse, të cilat janë zhvilluar vetëm në 20% të tyre. Strategjia parashikon arritjen e 70% deri në vitin 2027 dhe 100% deri në vitin 2030.
Në thelb, strategjia paraqet një plan ambicioz, por që bie ndesh me realitetin e zymtë: mungesën e infrastrukturës, trajnime të pamjaftueshme të stafit, mangësi serioze në sigurinë dhe menaxhimin e të dhënave dhe një histori të përsëritur dështimesh për të zbatuar strategjitë e mëparshme. Ndërsa dokumentet flasin për digjitalizim të plotë deri në vitin 2030, fakti që sot vetëm 20% e sistemeve bazike janë zhvilluar, tregon se SISH është ende shumë larg nga të qenit një realitet, duke e kthyer mungesën e tij në një barrë për pacientët, që bartin dosjet e tyre derë më derë.
Mungesa e një profili shëndetësor në nivel kombëtar
Mungesa e SISH jo vetëm që e rëndon gjendjen e pacientëve, por e ndërlikon ndjeshëm edhe punën e mjekëve dhe e bën pothuajse të pamundur planifikimin strategjik të bazuar në dëshmi në nivel kombëtar.
Kjo situatë jo vetëm që ngadalëson procesin e kujdesit mjekësor, por pengon edhe krijimin e një pasqyre të plotë të gjendjes shëndetësore të popullsisë, duke e lënë sistemin shëndetësor pa të dhëna të sakta për sëmundjet, nevojat terapeutike dhe burimet njerëzore.
Sipas Bujar Vitisë, gazetar i sektorit të shëndetësisë dhe themelues i portalit “Shneta”, pa SISH, nuk mund të ketë të dhëna të sakta për sëmundjet, gjë që pengon çdo përpjekje për trajtime më të mira shëndetësore, planifikim të shërbimeve dhe mbrojtje të shëndetit publik.
“Nuk kemi të dhëna të sakta se sa pacientë vuajnë nga sëmundje të caktuara, sa shërohen dhe sa vdesin”, tha ai, duke shtuar se i gjithë sistemi shëndetësor është i prekur nga mungesa e SISH.
Sipas një raporti të vitit 2022 të Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) për vitin 2022, i cili trajton mbledhjen dhe raportimin e të dhënave shëndetësore në Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte vlerësuar se të dhënat nga sektori i shëndetësisë janë të pjesshme, të pasakta ose raportohen me vonesë. Po ashtu, mungesa e raportimit nga sektori privat thellon boshllëqet statistikore, duke e bërë të pamundur për ASK të ofrojë një pasqyrë të plotë të treguesve shëndetësorë të vendit. Kjo situatë tregon se, përderisa SISH nuk funksionalizohet në të gjitha nivelet shëndetësore, Kosova do të vazhdojë të mbështetet në të dhëna të fragmentuara dhe të papërditësuara, duke e penguar ndërtimin e një profili real dhe të besueshëm të shëndetit publik.
Të dhënat mblidhen në dokumente Excel ose në letër, më pas pastrohen manualisht dhe futen përsëri në Excel për përgatitjen e raporteve statistikore.
Qendra për Statistika Shëndetësore, që funksionon brenda Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), është përgjegjëse për mbledhjen e të dhënave nga të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor – primar, sekondar dhe terciar – përfshirë edhe në sektorin privat. Sipas studimit të BB për fizibilitetin e SISH, të gjitha proceset statistikore në sistemin shëndetësor realizohen ende në formë manuale.
Studimi përshkruan se të dhënat mblidhen në dokumente Excel ose në letër, më pas pastrohen manualisht dhe futen përsëri në Excel për përgatitjen e raporteve statistikore. Ky proces është i ngadalshëm, merr shumë kohë dhe burime njerëzore, ndërsa mungesa e stafit bën që raportet të mos përfundojnë në kohë reale. Si rezultat, Kosova nuk arrin të gjenerojë të dhëna shëndetësore të përditësuara dhe të sakta.
Sipas këtij studimi, krijimi i një profili kombëtar shëndetësor do të bëhet i mundur vetëm nëse të gjitha sistemet ekzistuese të të dhënave shëndetësore lidhen në një platformë të vetme kombëtare si SISH.
Studimi nënvizon gjithashtu mungesën e standardeve të përbashkëta dhe ndërveprimit mes sistemeve si pengesa strukturore që e kanë penguar ndërtimin e një sistemi të unifikuar. Për këtë arsye, të dhënat shëndetësore nuk mund të shkëmbehen në mënyrë automatike ndërmjet spitaleve, laboratorëve, qendrave të mjekësisë familjare dhe barnatoreve publike. Studimi rekomandon krijimin e një mekanizmi kombëtar të shkëmbimit të të dhënave (në anglisht: Health Information Exchange – HIE) dhe miratimin e një kuadri ligjor për mbrojtjen, standardizimin dhe përdorimin e sigurt të të dhënave shëndetësore, si parakusht për zbatim të qëndrueshëm të SISH.
Modulet që duhet të integrohen për krijimin e mekanizmit kombëtar të shkëmbimit të të dhënave
-
(Sistemi Bazik i Informimit Shëndetësor) përdoret në kujdesin primar për regjistrimin e pacientëve dhe vizitave;
-
(Sistemi i Menaxhimit Spitalor) mbledh të dhëna klinike, administrative dhe financiare në spitale;
-
(Sistemi i Informimit Laboratorik) gjurmon analizat laboratorike dhe rezultatet e tyre; dhe RIS (Sistemi i Informimit Radiologjik), që ruan dhe shpërndan imazherinë mjekësore si skanerë, rreze X apo rezonanca magnetike.
-
(Sistemi i Informimit Radiologjik), që ruan dhe shpërndan imazherinë mjekësore si skanerë, rreze X apo rezonanca magnetike.
Kur këto sisteme të ndërlidhen, përmes një mekanizmi kombëtar të shkëmbimit të të dhënave, të dhënat e pacientëve do të qarkullojnë pa problem ndërmjet institucioneve shëndetësore, duke mundësuar krijimin e një pamjeje të plotë të shëndetit të popullsisë në Kosovë.
Përmes këtij sistemi, MSH do të kishte qasje në të dhëna të standardizuara e të përditësuara për të gjitha institucionet publike e private, çka do të mundësonte ndërtimin e profilit shëndetësor të vendit. Ky profil do të pasqyronte në kohë reale përhapjen e sëmundjeve, shkallën e vaksinimit, përdorimin e barnave, vdekshmërinë dhe indikatorët e tjerë shëndetësorë që ndihmojnë në hartimin e politikave të bazuara në prova.
SISH do ta shndërronte kështu mbledhjen e të dhënave nga një proces të fragmentuar e manual në një sistem të avancuar, analitik dhe gjithëpërfshirës.
Por, sipas këtij studimi, aktualisht në Kosovë funksional është vetëm BHIS, ndërsa sistemet e tjera kryesore: HMIS, LIS dhe RIS/PACS, mungojnë ose janë ende në fazë planifikimi.
Ndonëse edhe në vetë Strategjia Sektoriale të Shëndetësisë prezantohen të dhëna mbi treguesit demografikë, gjendjen shëndetësore të popullatës dhe funksionimin e sistemit shëndetësor, megjithatë nuk ofrohet një pasqyrë e plotë dhe e saktë të profilit shëndetësor në Kosovë, pikërisht për shkak të mungesës së funksionalizimit të SISH. Në raport thuhet se kufizimet në mbledhjen dhe saktësinë e të dhënave, së bashku me raportimin e fragmentuar nga institucionet publike dhe mungesën e raportimit nga një pjesë e institucioneve private, e bëjnë të pamundur ofrimin e një pamje të besueshme dhe se të dhënat e paraqitura “duhet të trajtohen me kujdes” pasi nuk reflektojnë realitetin e plotë.
Kjo tregon se pa SISH, edhe dokumenti më i rëndësishëm strategjik në sektorin e shëndetësisë nuk arrin t’a përmbushë një nga funksionet e tij themelore: përshkrimin dhe analizimin e gjendjes reale shëndetësore të popullatës. Me fjalë të tjera, strategjia synon të udhëheqë zhvillimin e shëndetësisë, por njëkohësisht pranon se i mungon mjeti kryesor për të vlerësuar realitetin mbi të cilin bazohet ky planifikim.
Redaktore përgjegjëse: Gentiana Paçarizi
Imazhi i ballinës: Taulant Qenaj / K2.0