E pata dëgjuar njëherë një perëndimor duke iu referuar Kosovës si “periferia e periferisë së Europës”. Komenti u tha në një kontekst patronizues. Por gjithnjë e më shumë po e gjej veten duke e rikujtuar këtë togfjalësh, duke e parë si përshkrim të saktë të pozitës impotente të Kosovës në marrëdhëniet rajonale dhe botërore, ku qendrat dhe periferitë janë shënjues të distancës prej fuqisë.
Kur ndodh një tërmet, gjithmonë dëgjojmë tek flitet për një epiqendër dhe për zona të prekura. Njëlloj, në politikën botërore ka epiqendra të fuqisë të cilat, kur preken nga ngjarjet sizmike si komunizmi apo Trampi, i shkundin periferitë si Ballkani. Ndikimi këtu është shpeshherë më rrënues për shkak të themeleve tona më të dobëta institucionale.
Kufijtë dhe politikat e Ballkanit historikisht janë formësuar nga ndryshimet e tilla tektonike. “Big Bengu” ynë modern ishte rivaliteti perandorak që i detyroi osmanët të tërhiqen dhe që krijoi pjesën më të madhe të shteteve-kombe në rajon. Tërmeti i fundit ishte rënia e komunizmit. Kjo e solli kulmin e Pax Americana dhe paradigmën tonë të sotme liberale të bazuar në BE-në dhe NATO-n (me disa luftëra si intermezzo).
Çdo ndryshim i madh i raporteve të fuqisë në botë ka ndikuar shumë në rajonin tonë periferik, si ato dallgët e mëdha që i ripozicionojnë shtresat e rërës në plazh.
Ndikimin e tyre më të madh këto lloj ndryshimesh e kanë pasur në Kosovë – në “periferinë e periferisë”. E pafuqishme dhe e pazhvilluar, pa mundësi për t’ia imponuar vullnetin e vet rrjedhjes së ngjarjeve dhe pa ulëse në tavolinë si shtet i njohur plotësisht, trajektorja historike e Kosovës në mënyrë shumë më disproporcionale ka treguar varësi nga projektet hegjemonike dhe nga barazpesheshat e fuqive.
Kur u shpall pavarësia në vitin 2008, Kosova e zuri një prej trenave të fundit të unilateralizmit perendimor.
Kjo nuk do të thotë se dinamikat e brendshme nuk janë të rëndësishme. Shtetndërtimi dhe përpjekjet për zhvillim luajnë rol kyç për garantimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë te shteti. Gjatë përpjekjeve për pavarësi, qytetarët dhe elitat e Kosovës arritën ta imponojnë vullnetin e tyre subjektiv, kryesisht duke u dhënë fund status kuove. Për shembull, protestat masive të shqiptarëve në vitin 1981 dhe rritja e shpejtë e UÇK-së në vitin 1998 luajtën rol në ndryshimin e rrjedhjës së ngjarjeve.
Por siç na tregon historia e kurdëve, vullneti nuk është i mjaftueshëm për të arritur pozitë më të mirë në të drejtën ndërkombëtare – veçanërisht një ulëse në OKB – kur letrat gjeopolitike nuk janë në favorin tënd. Era duhet të jetë duke fryer në drejtimin e ecjes tënde.
Tani që Kosova po feston përvjetorin e dhjetë të pavarësisë, ende në kërkim të atij titulli të pronësisë nga OKB-ja, ajo mbetet shumë e varur nga zhvillimet botërore, dhe ende qëndron mbi terren të lëkundshëm. Kjo për shkak era që fryente në favor tonin është dobësuar.
Vlen të përmendet se Kosova arriti në pikën e sotme si rrjedhojë e disa rastësive të rralla. Në thelb, ne udhëtuam në majë të uraganit Pax Americana.
Ndërhyrja e NATO-s që e largoi Serbinë në vitin 1999 ndodhi në kohën kur perëndimi ishte në kulmin e fuqisë, dhe kur kishte llogari t’i arsyetonte sulmet ushtarake ndaj një shteti duke u thirrur në të drejtat e njeriut. Njësoj ndodhi edhe më vonë, me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kur Kosova e zuri njërin prej trenave të fundit të unilateralizmit perëndimor.
Administrata Bush vendosi se “u bë boll” dhe Europa ishte mjaftueshëm e bashkuar për ta ndjekur argumentin sui generis i cili e parandaloi kthimin e rastit të Kosovës në precedent. Mendohej se anëtarësimi në OKB do të ishte një proces i thjeshtë i bindjes së Serbisë dhe Rusisë për ta pranuar realitetin.
Dhjetë vjet më vonë, është e qartë se kjo strategji u bazua në dy baste të mëdha të cilat nuk u materializuan.
Basti i parë ishte se nuk do të ketë tërmet në marrëdhëniet ndërkombëtare – gjegjësisht, bindja se perëndimi do të vazhdonte të ishte i gjithëfuqishëm në orientimin e zhvillimeve rajonale. Anëtarësimi në BE shihej si shkopi magjik që do ta demokratizonte rajonin dhe do ta shuante nacionalizmin, duke ia fituar kështu zemrën dhe ndryshuar mendjen Serbisë.
Për sa kohë që epiqendra ishte e qëndrueshme, strategjia funksionoi. Dialogu për normalizim, i ndërmjetësuar nga BE-ja, i ndihmoi Kosovës sa i përket integrimit të strukturave paralele serbe dhe konsolidimit të pranisë së saj ndërkombëtare në disa mekanizma, duke përfshirë këtu marrëdhënien formale kontraktuale me BE-në në formë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ne jetojmë në një lloj epoke joliberale që i bënë këta burra të fuqishëm edhe më epshor.
Por pikërisht kur Kosova pritej të hynte në etapën e fundit të maratonës, plasi tërmeti. Kriza e Eurozonës, kriza e refugjatëve, Ukraina, Brexit-i, rritja në numër e regjimeve jo-liberale, pasiguria që shkaktoi Amerika nën drejtimin e Trampit.
Plotfuqia dhe joshja e BE-së papritmas u zëvendësuan nga dyshimi i saj paralizues në vetvete dhe një humba e vëmendjes për periferinë. Forcat revizioniste si Rusia dhe peshkaqenët e vjetër nacionalistë e nuhatën erën e gjakut.
Argumenti që sot dëgjohet më së shpeshti në mesin e nacionalistëve serbë është se Serbia nuk duhet të dorëzohet përballë kërkesave të BE-së sepse “konteksti ndërkombëtar po ndryshon në favorin tonë”. Situata nisi të përkeqësohej për Kosovën prej momentit kur për Vuçiqin u bë strategji e mundshme dhe më efektive që ta luante kartën ruse kundër BE-së, duke i zvarritur punët dhe duke pritur për një pozitë më të mirë të bisedimeve.
Frustrimet në mesin e shqiptarëve të Kosovës burojnë nga pritjet e parealizuara dhe nga mungesa e rezultateve. Ne i negociuam dhe i pranuam kushtet e Marrëveshjes së Ahtisaarit duke menduar se ajo do ishte një kompromis. Tani shumëkush pyet se përse Kosova duhet t’u përmbahet krejtësisht kushteve të kontratës nëse perëndimi nuk i përmbushë plotësisht premtimet e veta.
Basti i dytë i madh i perëndimit ishte supozimi se burrat e fuqishëm me kredenciale nacionaliste ishin të vetmit aktorë të aftë për ta shtyrë përpara agjendën e BE-së. Demokratizimi dhe sundimi i ligjit gjithsesi u menduan si prioritete për rajonin, por u vendosën në radhë të dytë pas pajtimit etnik dhe sigurisë.
Liderët tanë u zgjodhën në mënyrë demokratike, kështu që nuk kishte zgjedhje tjetër. Por mënyra se si ata u përqafuan – sidomos afera e vërtetë e dashurisë me Vuçiqin – e legjitimoi kontrollin e tyre ndaj institucioneve dhe mundësoi që dialogu të monopolizohej si vegël politike.
Dhjetë vjet më vonë, kjo qasje e ka lënë Kosovën e Serbinë jo vetëm pa marrëveshje përfundimtare, por edhe në gjendje të brishtë demokratike. Strategjia e re për zgjerim e Komisionit të BE-së, e cila i përshkruan shtetet e Ballkanit si të karakterizuara nga kapje të shtetit dhe të lidhura me krimin e organizuar, ngan si një raport i eksperimentit mjekësor që liston efeket anësore.
Problemi tani “pas tërmetit” është se BE-ja me sa duket e ka humbur kontrollin dhe ndikimin e saj mbi burrat e fuqishëm për t’i shtyrë përpara agjendat përkatëse të Kosovës dhe rajonit. Sepse tani ne jetojmë në një lloj epoke joliberale që ua zgjon më shumë epshin burrave të fuqishëm.
E paqartë është nëse Perendimi mund të unifikohet e ta mbledh fuqinë e nevojshme për t’i dhënë fund asaj që e nisi në vitin 2008. Por duhet ta bëjë, urgjent.
Këmbënguljet e BE-së për sundimin e ligjit bien ndesh me interesat e elitave të konsoliduara. Karrotat e procesit të anëtarësimit janë shumë afatgjate për të ndikuar në sjelljet e tyre të menjëhershme. Në këtë kontekst, regjimet autoritare si ato të Rusisë dhe Turqisë ofrohen si partnere tërheqëse. Dhe ato mund ta shfrytëzojnë lehtësisht këtë boshllëk, duke u bërë faktorë vendimtarë në riprojektimin e arkitekturës politike dhe të sigurisë në rajon.
Ndërkohë që konteksti i jashtëm është përkeqësuar, brenda Kosovës gjërat nuk janë edhe krejt zymtë. Nëse i analizojmë dhjetë vitet e fundit, Kosova ka pasur mjaft arritje dhe ka arritur të tregohet e qëndrueshme përballë shumë sfidave të mëdha.
Kosova e ka konsoliduar aparatin shtetëror, ka kaluar nëpër disa transferime demokratike të pushtetit dhe ka ndërtuar themele (megjithëse të brishta) për rritje ekonomike. Tensionet e përditshme etnike janë ulur shumë, ndërsa dhuna ndëretnike ka qenë pothuajse joekzistente. Shoqëria civile dhe mediat janë ndër më energjiket në rajon. Përfundi dështimit të dukshëm të elitës, gjallon një dinamizëm i madh shoqëror.
Por “periferia e periferisë” ka nevojë për një shtytje të fortë përfundimtare nga epiqendra që të mund të ketë sukses në procesin e shtetndërtimit.
Mungesa e anëtarësimit në OKB krijon ndjenjë të pasigurisë, frikë për konflikte të reja, si dhe u jep legjitimitet aspiratave panshqiptare. Procesi i pafund i negociatave po e zvarrit demokratizimin dhe zhvillimin në Kosovë dhe Serbi, si dhe po u jep shpëtim elitave aktuale duke u mundësuar që të mbesin relevante dhe të merren në artin e sabotazhit.
Nuk është e qartë nëse perëndimi do të arrijë të bashkohet dhe ta mbledhë fuqinë e nevojshme për t’i dhënë fund punës të cilën e nisi në vitin 2008. Por këtë duhet ta bëjë sa më shpejt.
Perëndimi ka kaluar një dekadë të tërë duke e joshur dhe – si rrjedhojë e kësaj – duke e marrë Serbinë me të mirë. Me këtë qasje ka shkaktuar shumë plasaritje të tjera në rajon. Prandaj herët a vonë perëndimi duhet ta detyrojë Serbinë dhe t’u japë fund të gjitha iluzioneve për Kosovën – për të mirën edhe të Serbisë demokratike.
Fati i Kosovës nuk duhet të mbahet peng i skizmës së brendshme të Serbisë. Brukseli dhe kryeqytetet e BE-së duhet ta ndjekin linjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cili tha se Serbia “nuk mund të ulej më në dy karrige, veçanërisht kur ato janë shumë larg njëra-tjetrës”.
Me t’u zgjidhur çështja e statusit, vëmendja do të kthehej te kushtëzimet e BE-së për fusha kyçe si sundimi i ligjit. Stabilokratët do të bëheshin të panevojshëm dhe BE-ja do të bëhej më në fund aleat i natyrshëm i një brezi të ri politik me mendësi më demokratike. Brez i cili mund ta bëjë pajtimin e sinqertë dhe ta ndërtojë një Ballkan njëmend europian.
Periferia duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta, por era nga epiqendra duhet të fryjë në drejtimin e duhur.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X