Pamjet nga Bosnja dhe Hercegovina “britmë” për reagim.
Është skenë që të shtin me vjellë: Në një video 30 sekondëshe të xhiruar me telefon, të paktën pesë persona shfaqen brenda kafazeve 2×2 metra, që duken më shumë si kolibe të qenve.
Mjafton ta shohësh një qen të mbajtur në një hapësirë të tillë që të trazohesh. Megjithatë, doli se ato kafaze janë në Bosnje dhe Hercegovinë, në fshatin Klobuk afër Trebinjes dhe sipas informatave që erdhën nga nisma për mbështetje të refugjatëve AreYouSyrious dhe raportimitnga shërbimi i Zërit të Amerikës në Bosnje, në to u mbajtën 11 njerëz më 22 prill. Gjashtë të rritur dhe pesë fëmijë.
Nëse me të vërtetë trazoheni kur e e mendoni që në Bosnje janë realizuar skenat e skenareve distopiane si “Children of Men”, ajo që ndodhi më pas do ju tmerrojë: Mediat lokale në mënyrë të shkujdesur e transmetuan lajmin, bashkë me reagimin ngaPolicia Kufitare Boshnjake që i operon kafazet në pikëkalimin kufitar Klobuk, gjegjësisht deklaratën e tyre që “gjithçka është sipas standardeve të BE-së” dhe mohimin e tyre se kishte trajtim jonjerëzor. Dhe ky ishte fundi i këtij lajmi.
“Objektet janë me klimë dhe ngrohje, nën mbikëqyrje me video, me kushte të pastra dhe dritë dielli. Emigrantët nuk ishin të mbyllur brenda”, deklaruan Policia Kufitare, dhe theksuan se ky është akomodim i përkohshëm ku emigrantët mbahen para se të kthehen në Mal të Zi.
Por nuk dëgjuam asnjë pyetje apo hulumtim serioz të fakteve rreth pretendimeve të aktivistëve dhe emigrantëve që këta të fundit madje nuk lejohen të kërkojnë azil në Bosnje, që është e drejtë e tyre që u garantohet nga ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare, të cilat Bosnja i ka nënshkruar.
Për shembull, Bosnja obligohet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, që thotë që secili fëmijë ka të drejtë për mbrojtje të përshtatshme dhe ndihmë humanitare; mbajtja e fëmiut, edhe nëse përkohësisht, në një kafaz për qenë, vështirë se është në përputhje me nevojat themelore njerëzore, ndërsa askush nuk shqetësohej për shëndetin psikologjik të fëmijëve dhe pasojat që mund t’i ketë madje edhe një qëndrim i përkohshëm në jetën dhe zhvillimin e tyre; është e qartë nga video se, për shembull, nuk ka askund libra apo lodra.
Askush nuk u lodh të mendojë, “E po edhe pse mbase emigrantët nuk janë të mbyllur në kafaze, edhe nëse në fakt mund të dalin prej tyre në korridorin që i lidh tre kafazët që shihen në video, prapëseprapë është një hapësirë e mbyllur që në tërësi s’është as 10 metra katrorë, e rrethuar me shufra”.
Nuk dëgjuam as cilët standarde të posaçme të BE-së ai autoritet më i lartë po thirreshin nga zyrtarët boshnjakë. Parimisht, askush nuk u shqetësua aspak nga fakti se në Bosnje dhe Hercegovinë, një shtet qytetarët e së cilit iu nënshtruan gjithë përvojës së tmerrshme ku një e treta e popullsisë u detyrua të kërkojë shpëtim jashtë vendit, të gjithë i shpërfillën pamjet e njerëzve — dhe fëmijëve në veçanti — në kafaze.
T’i analizojmë saktësisht standardet e lartpërmendura të BE-së: Sistemi i Përbashkët Evropian i Azilit(CEAS) e definon trajtimin e mirëfilltë të emigrantëve dhe refugjatëve nën direktivënqë i paraqet standardet për pritjen e aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare; ky dokument i posaçëm i përmbanë edhe rregullat e ndalimit.
Një shikim i shpejtë na tregon se pretendimet e Policisë Kufitare Boshnjake janë pa bazë.
Fillimisht, Direktiva i obligon zyrtarët t’i informojnë azilkërkuesit potencialë për të drejtën e tyre për të aplikuar për azil, në një gjuhë që ata e kuptojnë, e kjo menjëherë bie në kundërshtim me praktikën e kthimit të emigrantëve përtej kufirit në Mal të Zi.
Neni 8.3 përcakton saktësisht se emigrantët mund të mbahen përkohësisht me idenë që ata të kthehen në shtetin e tyre të origjinës vetëm nëse aplikimi i tyre për azil është refuzuar paraprakisht.
Sa i përket kushteve për mbajtjen e emigrantëve, video paraqet qartë se është duke u shkelur edhe, për shembull, Neni 10.2, që thotë se emigrantët duhet të kenë qasje në një hapësirë në ambient të hapur.
Standardet evropiane, që gjithmonë përdoren si justifikim i përshtatshëm nga autoritetet boshnjake, thonë se njerëzit, fëmijët në veçanti, nuk duhet të mbahen në kafaze.
Neni 11, që flet për mbajtjen e njerëzve të ndjeshëm, përfshirë këtu fëmijët, thotë se shëndeti mendor i aplikuesve të ndalur duhet të ketë rëndësi primare për autoritetet kombëtare, ndërsa ndalimi i fëmijëve është zgjidhje e fundit, dhe fëmijëve duhet t’u mundësohen aktivitete si lojëra dhe zbavitje në përputhje me grupmoshat e tyre. Gjithashtu thotë se familjet e mbajtura duhet të kenë privatësi adekuate.
Për ta përkthyer në zhargon që nuk është burokratik, standardet evropiane, që gjithmonë përdoren si justifikim i përshtatshëm nga autoritetet boshnjake — të cilat janë të vetëdijshme se shumë pak gazetarë i analizojnë dhe lexojnë ato — thonë se njerëzit, fëmijët në veçanti, nuk duhet të mbahen në kafaze; bëhet mjaft e qartë se këtu kemi një gënjeshtër me pasoja serioze për jetën dhe shëndetin e atyre që veçse janë viktima.
Gjithashtu nuk është e domosdoshme t’i lexojmë aktet e shumta ligjore: Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmiut veçse ka kërkuarnga shtetet anëtare të tij të “ndalohet krejtësisht dhe me shpejtësi ndalimi i fëmijëve në bazë të statusit të tyre si emigrantë”, duke patur parasysh se mbajtja e fëmijëve ekskluzivisht për shkak të faktit se janë emigrantë apo fëmijë përfaqëson ndalim arbitrar dhe është kundër parimit të veprimit në interesin më të mirë të fëmiut.
Më me gjasë, ato që Policia Kufitare Boshnjake i konsideron si “standarde të BE-së” mund të jenë ato që i kemi parë në vitet e fundit në Greqi apo Hungari: në të kaluarën, autoritetet hungareze pa turp i kanë vendosur të miturit në kafaze në zonën e tranzitit Roszke, e dëshmitarë për këtë ishin Human Rights Watch; kafaze të ngjashme dhe vende tjera të mbyllura kemi parë edhe në ishullin grek Lesbos.
Në të dy rastet — ndonëse pa dyshim të ndryshme nga njëra tjetra — këto praktika u pritën me reagime serioze nga publiku lokal dhe ndërkombëtar. Shembulli i Lesbos — ku aktivistët kanë arritur ta mbyllin me sukses të ashtuquajturin “Guantanamo i Egjeut”, një qendër të vjetër të ndalimit në zonën industriale Pagani, dhe gjithashtu e kanë themeluar fshatin e solidaritetit të quajtur Pikpa — tregoi se ndjeshmëria dhe ndihma, si alternativë për militarizimin e kufijve dhe sistemet e mbikëqyrjes, kontrollin dhe shtypjen, paraqesin një qasje shumë më të shëndoshë dhe dobiprurëse në afat të gjatë.
Në Bosnje, me sa duket jemi duke e përdorur Hungarinë si njësi matëse.
Është e qartë se duke i mbajtur njerëzit në kafaze, ne nuk jemi duke vepruar në përputhje me standardet evropiane.
Siç shkroiSenatori Irlandez Paul Gavan në nëntor të vitit të kaluar, në Hungari jemi dëshmitarë të racizmit të institucionalizuar dhe islamofobisë së mishëruar në partinë udhëheqëse Fidesz dhe liderin e saj, Victor Orban. Senatori Gavan dha dëshmi për veprimet e përbuzjes dhe urrejtjes së hapur, të shprehura nëpërmjet fjalëve të një deputetit të paemëruar hungarez i cili bëri hajgare duke përmendur “zgjidhjen përfundimtare”, duke i ngritur me mospërfillje fantazmat e Holokaustit dhe Gjermanisë Naziste.
Duke folur për rrethojat me gjemba që Hungaria i ngriti në kufirin e saj me Serbinë në vitet e fundit, Gavan kujtoi se Lajos Kosa, kryesuesi i Komisionit të Mbrojtjes të Parlamentit Hungarez, kishte deklaruar me krenari: “Nëse dikush ngjitet mbi rrethojën tonë, e lëmë qenin të merret me të”.
Është e qartë se duke i mbajtur njerëzit në kafaze, ne nuk jemi duke vepruar në përputhje me standardet evropiane — në vend të kësaj, thjesht modelët tonë kanë qëlluar të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. E përshtatshme është të themi se “gjithçka është në përputhje me ligjin”, sepse nëse ata mund të shpëtojnë kështu, nëse flasim realisht, edhe ne mundemi.
Nuk është as indiferenca jonë e zakonshme për standarde, ku minimumi është normalja. Është thjesht që po marrim shembull nga njerëzit e gabuar.
Megjithatë, ajo që dhemb më së shumti është mungesa totale e interesit dhe ndjeshmërisë nga ana e publikut boshnjak.
Një rast nga qershori i vitit 2018, këtë herë në një shtet tjetër — presidenti i së cilit është i fiksuar pas ndërtimit të mureve — në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është mjaft ilustrues. Kur u bë publike se për shkak të nismës së President Donald Trump kishte kampe të emigrantëve ku autoritetet e SHBA-së po i merrnin fëmijët nga prindërit e tyre dhe po i mbanin ne kafaze, ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut theksuan se mbajtja e atyre fëmijëve në kafaze mund të përfaqësojë një veprim të torturës.
Nuk ishin vetëm ekspertët që kundërshtuan: Banorët e katundit të vogël të Tornillos në Teksas, afër kufirit meksikan, folën haptas kundër një kampit “të pështirë dhe të turpshëm” për fëmijët e emigrantëve në fshatin e tyre. Banorët e Tornillos nuk kishin motive tjera për këtë reagim përveç humanitetit të çiltër: Tornillo as nuk është destinacion turistik, as nuk është ekonomikisht relevant në ndonjë mënyrë. Ata që jetojnë në Tornillo thjesht ishin të neveritur nga idea që jetojnë pranë një kampi ku dikush vendosi se fëmijët duhet të mbahen në kafaze.
Ndonëse duhet t’i shmangemi idealizimit të kësaj — sigurisht kishte prej atyre që menduan se fëmijët në kamp “nuk e kanë aq keq” — prapëseprapë shumica u ngritën, ndërsa pamjet e fëmijëve në kafaze nga pjesët tjera të SHBA-së shkaktuan një reagim të zemëruar publik që ende nuk po qetësohet.
Vështirë është ta pranojmë se, pavarësisht përvojës tonë kolektive, secila qelizë në trupin tonë nuk është duke bërtitur e tmerruar nga mendimi se një fëmijë po trajtohet si qen i rrugës.
Megjithatë, publiku boshnjak veçse ka harruar për pamjet trazuese të qenieve njerëzore në kafaze. Një pjesë e kësaj mund të kuptohet si mungesë e përgjithshme e fokusit nga shoqëria boshnjake, vëmendja e së cilës veçse është tërhequr në dy anë nga eskalimi i fundit i retorikës nacionaliste nga lidershipi i Republika Srpska, dhe shfaqja gjithnjë më e madhe e forcave ushtarake.
Kjo mungesë e ndjeshmërisë u mundësua më tej nga fakti se mungon hapësira mediale që i paraqet emigrantët dhe refugjatët si një kategori që ka nevojë për ndihmën tonë dhe si njerëz të cilët meritojnë trajtim shumë më të mirë se të etiketohen vazhdimisht si rrezik për sigurinë apo burim i mundshëm i krimit, dhunës dhe gjërave tjera.
Pavarësisht gjithë kësaj, vështirë është të kuptojmë se si është e mundur të mbesim ambivalentë ndaj faktit se pesë fëmijë mund ta kalojnë natën në një kafaz këtu, në mesin tonë. Vështirë është ta pranojmë se në Bosnje, në vitin 2019, pavarësisht përvojës tonë kolektive, secila qelizë në trupin tonë nuk është duke bërtitur e tmerruar nga mendimi se një fëmijë — pesë janë në tërësi në atë video — po trajtohet si qen i rrugës.
Po trajtohet prej gjithë neve, sigurisht — përgjegjësia në këtë rast është e ndarë dhe kolektive, sepse autoritetet boshnjake janë duke e bërë në emrin tonë dhe në emër të sigurisë sonë. Supozohet se gjithçka është në përputhje me ligjin, por kryesisht për shkak se mund ta bëjnë pa pasoja; sepse veprimet e tyre kurrë nuk do të hetohen nga askush.