Protesta e 8 marsit në Prishtinë në foto.
Nga Majlinda Hoxha - 08.03.2019Sot, gra dhe burra të Kosovës dolën në rrugët kryesore të kryeqytetit për ta shënuar edhe njëherë Ditën Ndërkombëtare të Gruas duke kërkuar barazi shoqërore dhe gjinore.
Nën moton e njëjtë “MARShojmë S’festojmë” që u përdor në aktivitetet e viteve të kaluara, u organizua marshimi që është bërë tani tradicional nga kolektivi feminist me emër të njëjtë. Këtë vit u quajt “Ka ardhë koha” dhe bëri thirrje për të drejta ekonomike dhe të merren masa për ta luftuar varfërinë dhe hendekun gjinor në tregun e punës. Organizatorët gjithashtu theksuan nevojën për luftimin e shtypjes të shkatuar nga stereotipet gjinore, si dhe çështjen e punës së papaguar.
Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, para se të niseshin për të marshuar nëpër qytet, me qëllimin për të përhapur mesazhin te komunitetet vendore dhe ndërkombëtare se kolektivi nuk do të dorëzohet nga hasja e vështirësive dhe do të vazhdojë të luftojë për një shoqëri të barabartë.
Në një atmosferë energjike, u dëgjuan kërkesat për kontrata pune, sigurime shëndetësore, leje prindërore për baballarët si dhe mundësi të barabarta, krahas deklaratave që e kundërshtojnë patriarkinë, diskriminimin dhe homofobinë.
“Ka ardh koha me trajtu çështjen e barazisë gjinore si primare, jo si diçka për t'cilën ka kohë”. Valmira Rashiti
“Në Kosovë gratë, sidomos të minoriteteve, vazhdojnë t'keqtrajtohen nga burrat. Duhet t’themi: Mjaft!” Avni Mustafa
"Kjo është protestë e grave dhe shpesh harrojmë që ka gra edhe lezbike, transgratë dhe gra biseksuale që ndoshta diskriminohen dyfish më shumë. Unë sot kam dalë edhe për to".
- Lendi Mustafa, protestues
"Kërkesa ime është që qikat dhe bashkëmoshataret e mia mos me përjetu dhunë, mos me përjetu diskriminim; me i’u njoftë kontributi i grave të cilat kanë dhënë shumë deri tash edhe me u trajtu si qenie të barabarta në shoqninë tonë".
- Valmira Rashiti, protestuese
"MARSHI nuk përfundon këtu. Ne do të vazhdojmë, me PROTESTË dhe REZISTENCË politike ndaj padrejtësive patriarkale dhe shoqërore. Për gratë dhe të gjithë që ndihen të shtypur nga stereotipet gjinore, ne do të dalim të MARShojmë".
- MARShojmë S’festojmë
“Është me rëndësi që dalja në protesta për çfarëdo kauze me qenë gjithëpërfshirëse”. Lendi Mustafa
“Besoj që çdokush duhet me qenë feminist nëse e dojmë një shoqëri më të mirë, botë më të mirë”. Krenare Loxhaj
Raportim shtesë nga Dafina Halili dhe Iliriana Banjska.