Mentorimi | Drejtësi

Rastet e Gjykatës që mund ta formësojnë të ardhmen

Nga - 24.12.2018

Viti 2018 në Gjykatën Kushtetuese

E themeluar në vitin 2009 rreth një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë dhe është autoriteti përfundimtar që interpreton dhe vërteton përputhshmërinë e ligjeve që miratohen nga Kuvendi me Kushtetutën, si një ndër boshtet kryesore të rregullimit juridik të vendit.

Që prej themelimit, Gjykata Kushtetuese është përballur me disa raste ligjore të ndërlikuara dhe ka marrë vendime të vështira, duke përfshirë ato për dy ish-Presidentët Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin, të cilët u detyruan të japin dorëheqje pasi Kushtetuesja gjeti që të dy kishin shkelur Kushtetutën në një pikë gjatë procesit të zgjedhjes apo ushtrimit të mandatit.

Në përgjithësi, viti 2018 nuk ka qenë i lehtë për gjykatën. Në muajin maj, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj u shoqërua me polemika të mëdha, pasi që dy nga gjyqtarët e nominuar u
kontestuan ashpër nga opozita dhe nga ekspertë të sistemit juridik.

Nominimi dhe zgjedhja e gjyqtarit serb Ladomir Laban, që u dekretua nga Presidenti për gjyqtar të Kushtetueses në muajin gusht, hasi në kritika të mëdha pasi që mediat raportuan që Laban në vitin 2012 ishte dënuar nga një gjykatë në Serbi për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë veprimtarisë kriminale për të cilën është raportuar që është në kërkim edhe nga Interpoli, pas arratisjes nga Serbia në Kosovë për t’iu shmangur arrestimit.

Procesi ndaj tij në Serbi kishte zgjatur pesë vite nën akuzat për shmangie tatimi e akcize në kuadër të veprimtarisë për një grup kriminal. Për nëntë vitet e ardhshme, Laban është i mandatuar të jetë në përbërjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Një tjetër gjyqtar që ishte nominuar dhe zgjedhur, përkundër kundërshtimeve, ishte edhe Safet Hoxha. Organizata të ndryshme të shoqërisë civile kanë thënë që Hoxha është i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kjo e cenon integritetin e Gjykatës më të lartë në sistemin juridik të Kosovës. Përveç telasheve me zgjedhjen e gjyqtarëve, Kushtetuesja pati shumë punë edhe me raste sfiduese që i kanë ardhur për shqyrtim këtë vit.

Një shoqatë kërkoi t’i njihet e drejta për të paditur një shtet tjetër për dëmet e shkaktuara gjatë luftës, një person dëshiron që t’i njihet e drejta për të ndërruar emrin dhe gjininë në dokumente, ndërkohë që edhe Presidenti dhe Kryeministri u përfshinë në disa raste.

Në këtë shkrim, K2.0 analizon katër raste specifike që u dërguan në këtë instancë për shqyrtim këtë vit. Këto raste përbëjnë sfida të rëndësishme për sistemin juridik të ri të Kosovës dhe vendimet për këto raste mund të vendosin precedentë juridik me implikime të gjëra në shumë aspekte shoqërore.

Të paditësh një shtet tjetër

Shoqata “Ngritja e Zërit” ka dërguar shumë ankesa në Gjykatën Kushtetuese, pas qindra ankesave të refuzuara nga gjykatat e niveleve të tjera. Foto nga Ngritja e Zërit.

Një ndër sfidat më të mëdha të gjyqtarëve të Kushtetueses është lënda që ka ardhur nga shoqata “Ngritja e Zërit” nga qyteti i Skenderajt, që është ankuar në Kushtetuese rreth vendimeve të disa gjykatave të shkallëve më të ulëta, duke përfshirë Gjykatat Themelore nga disa qytete të Kosovës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.

Që prej vitit 2008, “Ngritja e Zërit” kishte përpiluar më shumë se 800 kërkesëpadi ndaj shtetit të Serbisë për dëmet njerëzore dhe materiale të shkaktuara nga shteti i Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat i kishte deponuar në disa gjykata të shkallës themelore nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Megjithatë, gjykatat themelore i kishin hedhur poshtë ankesat si të pabazuara me arsyetimin që gjykatat e Kosovës nuk kanë juridiksion të ushtrojnë padi ndaj një shteti tjetër dhe që këtë mund ta bëjnë vetëm gjykatat e shtetit të akuzuar, në këtë rast Serbisë. Nga 850 padi të refuzuara si të pabaza nga gjykatat themelore, 450 sosh janë dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit ku gjithashtu kanë marrë të njëjtën përgjigje.

Më 11 tetor të vitit 2018, anëtarë të kësaj shoqate dorëzuan edhe një grumbull me dhjetëra dosje në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i kësaj shoqate, Jahir Bejta, thotë se gjykatat kosovare
kanë kompetencë të gjykojnë krimet në fjalë, pasi ato janë kryer në territorin e Kosovës.

Në bisedë me K2.0, Bejta thotë që beson se vendimet për të hedhur poshtë këto kërkesa kanë prapavijë politike, që sipas tij është absurde, pasi që qytetarët duhet të kenë të drejtë të padisin
Serbinë dhe të kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara gjatë luftës.

Shpresa e fundit për ta është Gjykata Kushtetuese, ku shoqata e tij ka kërkuar interpretim të vendimit të Gjykatës Supreme, konkretisht kushtetutshmërinë e vendimit të Supremes e cila
ka rrëzuar si të pabazë kërkesat e tyre për kompensim dëmesh nga shteti serb.

Raste të ngjashme ishin refuzuar nga Gjykata Kushtetuese në dy raste të mëparshme, por në tetor, Bejta iu drejtua sërish këtij institucioni për herë të tretë. Ai thotë se 60 kërkesa për revizion janë refuzuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka pranuar 32 nga këto kërkesa, të cilat i ka vlerësuar si të papranueshme për t’i trajtuar.

Baza ligjore me të cilën Gjykata i refuzon ankesat e tyre është në nenin 18.3 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ku thuhet: “Kur gjykata gjatë zhvillimit të procedurës konstaton se për zgjidhjen e kontestit nuk është kompetente gjykata e vendit, do të shpallet inkompetente, do t’i anulojë veprimet procedurale të kryera dhe do ta hedhë poshtë padinë”.

Florent Spahija, jurist në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë që, duke qenë se gjykata kosovare nuk ka juridiksion territorial apo lëndor në Serbi, Kosova do të duhej ta
Padiste Serbinë në instanca ndërkombëtare të drejtësisë dhe të kërkojë dëmshpërblim për viktimat dhe dëmet.

Por, Spahija shton që në këtë rast ekziston edhe një problem tjetër.

“Kosova në kohën e okupimit nga Serbia nuk ka pasur subjektivitet ndërkombëtar dhe së bashku me Serbinë kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Kjo është pjesa që e vështirëson punën e padisë së Kosovës në rafshin ndërkombëtar [kundër] shtetit të Serbisë”, thotë Spahija.

Përmirësimi i dokumenteve të identifikimit

Blert Morina kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që t’i japë të drejtë në kërkesën e tij për ndryshim të emrit dhe të gjinisë në dokumentet e identifikimit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Blert Morina është personi i parë transgjinor që ka bërë kërkesë për ndërrim të emrit dhe shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit në Kosovë, kërkesë që i ishte refuzuar nga Zyra e Regjistrit Civil në Gjakovë. Morinës i ishte caktuar gjinia femërore biologjike që pas lindjes, por ai identifikohet si mashkull, gjë që i shkakton probleme të shumta, sidomos në vende apo institucione ku i kërkohet të paraqesë dokumente zyrtare të identifikimit.

Përmes kësaj kërkese synonte që ta ndërronte emrin nga ‘Blerta’ në ‘Blert’ dhe shenjën për gjininë nga Femër (F) në Mashkull (M). Vendimi për refuzim të kërkesës u mor pasi që Komisioni brenda Agjencisë së Regjistrit Civil lëshoi një rekomandim negativ që e kundërshtonte kërkesën e Blertit.

Kërkesa e përfaqësueses ligjore të Blertit bazohet në Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe procedurat e ndërrimit dhe korrigjimit të emrit personal, Neni 6, pika 1.8 që thotë se “Personi mund ta ndërrojë emrin nëse emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri”, ndërsa Komisioni i Agjencisë së regjistrit Civil ka deklaruar se aplikimi i Morinës nuk i përmbush kriteret e Udhëzimit Administrativ.

Përfaqësuesja ligjore e Blertit, Rina Kika, ka thënë për K2.0 në maj se “mungesa e një udhëzimi specifik administrativ nuk është arsye për refuzim të kërkesës për ndryshim të gjinisë në dokumente të identifikimit” pasi që sipas saj, i njëjti Udhëzim Administrativ që përdoret për ndryshimin e emrave mjafton edhe për ndryshimin e shenjës identifikuese të gjinisë. Ajo e bazon këtë qëndrim në konventat ndërkombëtare si Deklarata Universale për të drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më 30 korrik, lënda është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Avokati i Popullit po e mbështetë këtë kërkesë në cilësinë e mikut të Gjykatës (amicus curiae), duke mbështetur të drejtën e Morinës për të çuar kërkesën direkt në Gjykatën Kushtetuese pa shkuar fillimisht në nivele më
të ulëta të gjykatave, për shkak që dërgimi i rastit përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës – ku rastet shpesh vonohen me vite të tëra – nuk konsiderohet masë efektive dhe mund t’ia zgjaste problemet dhe vuajtjet Morinës.

Vendimi pozitiv nga Gjykata për Morinën do t’u hapte rrugën ligjore edhe të tjerëve për të paraqitur kërkesa të ngjashme në institucione.

Kryeministri Ramush Haradinaj mori vendim që t’i rrisë pagat për vete dhe për kabinetin e tij qeveritar, vendim që e miratoi Gjykata Kushtetuese. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Rritja e rrogave nga Kryeministri

Në dhjetor të vitit 2017, Kryeministri Ramush Haradinaj mori vendim që të rrisë pagat e zyrtarëve të qeverisë, duke përfshirë Kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe ministrave.
Me këtë vendim, Haradinaj ia rriti pagën vetes nga 1,443 në 2,950 euro në muaj, kurse pagat e zëvendëskryeministrave u rritën nga 1,356 në 2,500 euro në muaj.

Vendimi shkaktoi pakënaqësi të mëdha dhe protesta, por Haradinaj e arsyetoi atë duke thënë që nuk ka kuptim që shefi i qeverisë ta ketë pagën 1,300 euro pasi që ka përgjegjësi të madhe
politike.

Vendimi i Kryeministrit hasi në rezistencë edhe nga partneri qeveritar, PDK-ja, ministrat e së cilës thanë që nuk do ta marrin pagën me rritje, ndërkohë që një grup i qytetarëve ironizuan me deklaratën e kryeministrit për nevojën për kravata dhe rroba të tjera, duke i sjellë gjatë një proteste një numër të madh kravatash para ndërtesës së Qeverisë në qendër të Prishtinës.

Agjencia Kundër Korrupsionit e shpalli të paligjshëm këtë vendim, por Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit, i dha të drejtë qeverisë duke thënë që vendimi nuk bie
ndesh me nenet e pretenduara të Kushtetutës dhe që parashtruesit e kërkesës nuk kishin paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet e tyre se vendimi ka shkelur dispozitat kushtetuese.

Mirëpo, vendimi për rritje pagash për shumë zëra kritikë përbën dëmtim të integritetit të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Kjo pasi që rritja e pagave përfshiu
automatikisht edhe punëtorët e sistemit gjyqësor, pasi sipas ligjeve në fuqi, pagat e ekzekutivit dhe të gjyqësorit duhet të jenë të nivelizuara.

Vendimi i Qeverisë dhe miratimi nga Kushtetuesja bëri që gjyqtarët dhe prokurorët më të paguar të marrin menjëherë rritje pagash nga 1,400 në rreth 3,000 euro, kurse pagat e gjyqtarëve të
Kushtetueses mund të shkojnë deri në 4 mijë euro, varësisht nga shtesat e tjera.

Në kohën kur u mor vendimi, paneli i gjyqtarëve përbëhej nga Arta Rama-Hajrizi, Ivan Cukalovic, Altay Suroy, Snezhana Botusharova, Selvete Gërxhaliu, Gresa Caka-Nimani, Almiro Rodrigues dhe Bekim Sejdiu. Vetëm Rodrigues dhe Caka-Nimani votuan kundër vendimit për
rritje të pagave. Pas ndërrimit të përbërjes së gjyqtarëve – që për herë të parë në historinë e saj ka vetëm gjyqtarë kosovarë në përbërje – vetëm katër nga tetë gjyqtarët që vendosën për pagat kanë mbetur në Kushtetuese.

Rreze Hoxha, eksperte ligjore në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë për K2.0 që me këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka dështuar të mbrojë rolin e saj primar të mbrojtjes
dhe interpretimit të Kushtetutës si dhe ka legjitimuar politikën e qeverisë ku vendimet merren nga një zyrë apo nga një person i vetëm pa asnjë konsideratë për llogaridhënie në raport me praktikën kushtetuese.

Presidenti Hashim Thaçi sfidoi Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për sqarim të Nenit 18 të Kushtetutës që rregullon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Nënshkrimi i Presidentit

Në një kohë kur tema e bisedimeve me Serbinë dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje që përfshin kufijtë është shumë e diskutuar, Zyra e Presidentit të Kosovës dërgoi një pyetje në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim dhe interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës, saktësisht pjesës që ka të bëjë me procedurën e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat përfshihen në Pikën 1 dhe 2.

Në Pikën 1 të këtij neni thuhet që Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave ratifikon të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështje politike dhe ushtarake, ndërsa në Pikën 2 thuhet që të gjitha marrëveshjet tjera ndërkombëtare jashtë atyre që parashihen në Pikën 1 ratifikohen pas aprovimit nga Presidenti.

Çështjen që e dërgoi në gjykatë, Presidenti e ka ndërlidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e ri të EULEX-it, duke kërkuar sqarim nëse kjo marrëveshje kërkon miratimin e 80 deputetëve të Kuvendit, apo mund të miratohej përmes shkëmbimit
të letrave nga Presidenti, pasi që mandati bazë ishte miratuar nga deputetët më herët.

Kërkesa e tij përmban dy pika përmes të cilave po kërkohet sqarim:

Pika 1 – A duhet te ratifikohet në cilësinë e marrëveshjes ndërkombëtare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat (2/3) të të gjithë deputetëve (në pajtim me nenin 18.1 të kushtetutës) apo

Pika 2 – A duhet të konsiderohet e ratifikuar pas nënshkrimit të presidentit (në pajtim me nenin 18.2 të Kushtetutës) për shkak të ndërrimit të rolit dhe mandatit ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), pasi që tani e tutje do të ketë rol kryesisht këshilldhënës dhe monitorues.

Kjo kërkesë është parë me dyshim nga shoqëria civile dhe disa deputetë të cilët e kanë lidhur kërkesën e Presidentit Thaçi me negociatat e supozuara me Serbinë për shkëmbim të territoreve dhe me idenë që Presidenti dëshiron të shmangë krejtësisht Kuvendin nga vendimmarrja në raport me procesin e dialogut me Serbinë.

Më 28 shtator, deputeti Korab Sejdiu ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një kundërshtim ndaj kërkesës së Presidentit për interpretim të nenit 18 të Kushtetutës.

Ai specifikisht ka kërkuar që të mos shpërfillet neni 113 i Kushtetutës.

Pika e dytë dhe e tretë e Nenit 113 (që i referohet Juridiksionit dhe Palëve të Autorizuara) liston rastet kur Kuvendi, Presidenti, Qeveria apo Avokati i Popullit mund të ngrenë çështje në
Gjykatën Kushtetuese, siç janë përputhshmëria e ligjeve me Kushtetutën apo përputhshmëria
e amendamenteve të Kushtetutës me marrëveshjet ndërkombëtare. Bazuar në këto
pika, Sejdiu ka argumentuar që çështja e ngritur nga Presidenti nuk përbën rast shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Duke marrë parasysh se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të re, por për një letërkëmbim, i cili është i lidhur me një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi, atëherë çështja e
ngritur nga parashtruesi i kërkesës nuk përbën fare objekt shqyrtimi”, thuhet mes tjerash në kundërshtimin e deputetit Sejdiu.

Megjithatë, Spahija nga KDI mendon që Presidenti ka të drejtën legjitime për të kërkuar formalisht sqarime nga Gjykata Kushtetuese në rastet ku ai e sheh të përshtatshme. Në këtë çështje specifike, ai mendon që mandati i EULEX-it duhet të aprovohet nga Kuvendi ashtu si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare.

K2.0 ka pyetur Gjykatën Kushtetuese për të gjitha rastet e lartpërmendura, specifikisht për kohën kur Gjykata pritet të dalë me verdikt apo interpretim për këto çështje.

Veton Dula nga Zyra për Informim ka thënë që kërkesat janë në fazën e shqyrtimit nga paneli i gjyqtarëve dhe për to nuk ka afat të caktuar për të nxjerrë vendim, por ka thënë që gjykata do të
marrë vendim në afat të arsyeshëm kohor.

Sido që të jetë, Gjykata Kushtetuese gjendet para vendimeve të vështira për raste që mund të shkruajnë historinë e sistemit juridik të Kosovës dhe mund të trasojnë rrugën edhe për
raste të tjera të ngjashme.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.