Në thelb | Energjia

Reduktimet e energjisë: Çka, qysh e pse?

Nga - 11.01.2022

Përgjigja na kthen mbrapa në kohë.

Natën e Vitit të Ri, disa vendbanime në Kosovë e kaluan në terr. Me arsyetimin tashmë të zakonshëm se mbingarkesat nëpër trafo po shkaktojnë prishje, qytetarët që nga 22 dhjetori 2021 u përballën me reduktime të gjata të energjisë.

Në mes të thirrjeve nga Qeveria për kursim të energjisë që nga rënia e temperaturave më ardhjen e stinës së dimrit, Kompania për Distribuim të Energjisë (KEDS), tregoi se reduktimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë. 

Por, strategjia e reduktimeve dy orëshe të energjisë nuk u aplikua në të gjitha vendbanimet njësoj. Në disa lagje të kryeqytetit, javën e parë, u raportua se nuk kishte energji për më shumë se 14 orë dhe se kur vinte energjia, vinte vetëm në një linjë. Në vendbanimet rurale, reduktimet për më shumë se dy orë, vazhduan edhe në javët në vijim. 

KEDS e arsyetoi planin e reduktimeve me mbingarkesën e sistemit elektroenergjetik për shkak të rritjes së konsumit nga qytetarët, mungesës së prodhimit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pasi Njësia B2 e termocentralit “Kosova B” — termocentral i cili prodhon gjysmën e energjisë vjetore — doli jashtë funksionit më 14 dhjetor, dhe krizës botërore të energjisë me rritjen e çmimit të kësaj të fundit. Këto ditë, Zyra për Rregullatorin e Energjisë (ZRrE) po bën rishqyrtimin e jashtëzakonshëm e tarifave të energjisë, çka mund të çojë në shtrenjtimin e faturës mujore për 30-40%.

Kthimi i reduktimeve të energjisë ka nxitur debat të ashpër në mes të qeverisë dhe opozitës, ku të dyjat fajësojnë njëra-tjetrën për krizën energjetike. Ky debat është përcjellë nga një debat publik konfuz. Emërues të përbashkët të polemikës pozitë-opozitë dhe debatit publik mbeten mungesa e vendimeve proaktive nga ana e qeverisë aktuale dhe privatizimi i KEDS-it nga qeveritë paraprake. 

Në këtë artikull shpjegues, K2.0 zbërthen disa nga aspektet kyçe që e rrethojnë këtë krizë energjetike në Kosovë. 

Kriza e energjisë nuk erdhi befas

Që nga fillimi i vitit 2021, me lehtësimin e masave kufizuese kundër pandemisë COVID-19 dhe rritjes së kërkesës për konsum, u paralajmëruan kriza të niveleve të ndryshme anembanë botës. Në Kosovë, kriza e energjisë u shpërfaq si rezultat i bashkëveprimit të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm — brenda vendit prodhimi i paqëndrueshëm vendor i energjisë dhe rritja e kërkesës për konsum, ndërsa nga jashtë ndikoi rritja e çmimeve të energjisë në tregun global. 

Në këtë krizë u përfshinë të gjithë akterët e këtij sektori në Kosovë (dhe për ta kuptuar më shumë rolin e secilit akter, mund t’i referoheni shiritit anësor më poshtë). 

KEK, KEDS, KESCO, KOSTT, ZRRE: Kush, çka?

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) — kompani publike e Kosovës — e bën përpunimin e thëngjillit, përkatësisht prodhimin e rrymës me dy termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B", të cilat përbëhen prej disa njësive.

Kompania për Distribuim të Energjisë (KEDS) — kompani private — menaxhon rrjetin e distribuimit që përfshin distribuimit në voltazhe më të vogla për shpërndarjen e energjisë te konsumatorët. Në bazë të kërkesës së KEDS-it, KEK-u e shet tërë rrymën te KESCO.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) — nënkompani e KEDS — e ka për detyrë t’i furnizojë konsumatorët duke shfrytëzuar rrjetin e shpërndarjes së KEDS-it. KESCO bën edhe inkasimin, arkëtimin si dhe lidhjen e konsumatorëve të rinj në rrjet.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) — në pronësi publike — e ka pak a shumë detyrën e njëjtë si KEDS. Por, diferenca është se përderisa KEDS menaxhon rrjetin e distribuimit që përfshin distribuimin në voltazhe më të vogla për shpërndarjen e energjisë te konsumatorët; KOSTT bën transmetimin e energjisë në kablot me voltazha të mëdha në mes të qyteteve dhe rajoneve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin. Ajo përcakton çmimet çdo 1 prill të vitit përkatës.

Tash, le t’i zbërthejmë disa nga këta faktorë që ndikuan në krizën energjetike në Kosovë një nga një. 

Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike dhe Termike për vitin 2021 publikuar nga ZRrE — dokument që planifikon konsumin dhe importin vjetor të energjisë në Kosovë — tregon se për vitin 2021 ishte planifikuar që prodhimi i tërë nacional i energjisë të jetë 5,297.2 GWh. Ndërkaq, konsumi i përgjithshëm për vitin përkatës u paraparë të ishte 6,433.9 GWh. Për ta sqaruar këtë sasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë tre muajve të vitit 2021 — korrik, gusht, shtator — ishin konsumuar 1,125.9 GWh që i bie afro 21% e të gjithë prodhimit vjetor. 

Kosova nuk prodhon mjaftueshëm për konsum të brendshëm, andaj ZRrE parashikon edhe nevojën e importit gjatë pikut — kohës kur përdoret më së shumti — dhe eksportimit të energjisë gjatë tarifës së ulët — e cila në Kosovë fillon nga ora 22:00, kur energjia përdoret më pak. 

Ndërkohë, sipas KEDS, konsumi i energjisë elektrike në ditët e para të nëntorit 2021 — me uljen e temperaturave — ishte më i lartë për mbi 21% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e konsumit në nëntor 2021 ka kontribuar që për këte muaj, KEDS të importonte energji në vlerë prej 10 milionë eurosh në krahasim me 2.3 milionë euro gjatë vitit paraprak.

Por, konsumi ishte rritur edhe para uljes së temperaturave. Sipas Bilancit të Energjisë të publikuar nga ASK, konsumi i energjisë për tremujorin e tretë të vitit 2021 — korrik, gusht, shtator — ishte rritur për rreth 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Sipas këtyre të dhënave, gjatë kësaj periudhe ishin shpenzuar vetëm rreth 25% më pak energji nga sa ishin konsumuar gjatë tre mujorit të parë 2021 – janar, shkurt, mars — kur temperaturat e ulëta rrisin më së shumti kërkesën gjatë një viti.

Andaj, meqë nuk ishte parashikuar shkalla e këtij konsumi dhe rënia e një blloku në Termocentralin B, KEK-u nuk mund të prodhonte më shumë dhe KEDS shpenzoi buxhetin e paraparë vjetor shumë më shpejt se ç’ishte planifikuar duke blerë energji nga jashtë me një çmim shumë më të lartë se vitin e kaluar për shkak të krizës energjetike globale që i kishte kapluar shumë vende të rajonit dhe botës. 

Kriza energjetike në vendet e rajonit

Vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpallën krizë energjetike që në muajin tetor, respektivisht nëntor 2021.

Politikat globale për arritjen e caqeve të dekarbonizimit, si dhe mungesa e prodhimit të gazit në Rusi dhe naftës nga vendet e OPEC — Organizata e Vendeve Eksportuesve të Naftës — për shkak të uljes së kërkesës gjatë pandemisë ka bërë që çmimet e energjisë të rriten pakrahasimisht me vitet e kaluara.

Gjatë muajit tetor 2021, KESCO i kishte kërkuar ZRrE-së t’i rrisë tarifat e energjisë elektrike të importuar për ta reflektuar krizën globale energjetike dhe rritjen e konsumit. Megjithatë, ZRrE atëkohë vendosi që deri në prill të vitit 2022, të mbesin tarifat aktuale. Si pasojë, në mes të dy opsioneve — rritjes së çmimit të faturave të energjisë ose reduktimeve të energjisë, KEDS-it i mbeti kjo e fundit. Por, ZRrE më 13 dhjetor njoftoi se ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar gjendjen e krijuar. Nëse kërkesa e KEDS-it aprovohet, faturat e energjisë mund të shtrenjtohen për 30-40%. 

Në thelb, kriza e energjisë është e vetëshkaktuar nga akterët e përfshirë në këtë sektor. Ndonëse rënia e një blloku të termocentralit “Kosova B” e zvogëloi prodhimin vendor të energjisë, ajo prapë mund të blihej. Por, të gjithë refuzuan të paguajnë për të. 

Meqë ZRrE fillimisht refuzoi kërkesën e KEDS-it për t’i rritur çmimet e energjisë, kjo e fundit duke qenë kompani profitabile nuk do t’i përdorë mjetet vetanake për blerje të energjisë meqë shkon në humbje. Në anën tjetër, qytetarët janë vazhdimisht kundër rritjes së çmimeve të energjisë. Në fakt, për ta mbuluar mungesën e prodhimit vendor, me 18 dhjetor Qeveria, ndau 20 milionë euro për KEK-un, që po shfrytëzohet për ta subvencionuar importin e energjisë elektrike. Por, kjo s’është zgjidhje e qëndrueshme.

Si pasojë, mungesa e gatishmërisë për të siguruar për furnizim të pandërprerë me energji, çoi në reduktime të energjisë si mënyrë për kursim. 

Reduktimet e energjisë u lejuan edhe nga një vendim i Qeverisë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 26 dhjetor 2021, ku u shpall gjendje emergjente e energjisë për 60 ditë. Masat emergjente përbërëse të vendimit përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët.

Megjithëse KEDS tashmë ka hapur një platformë ku i fton qytetarët të informohen për reduktimet dy orëshe nëpër lagjet përkatëse, platforma nuk tregon gjithnjë oraret e sakta dhe rrjetet sociale kanë vërshuar nga ankesat e qytetarëve për reduktime edhe më të gjata. 

Për ta rritur kapacitetin prodhues, me 23 dhjetor KEK-u ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e njësisë B2 të dëmtuar të termocentralit “Kosova B”, e cila pritet të rikthehet në funksion më 20 janar. 

Debati famëkeq i privatizimit

Që në fillet e saj në vitet e ‘60-ta, KEK-u ishte e organizuar vertikalisht — pra, ishte përgjegjëse për prodhimin e energjisë, gjenerimin, furnizimin, shpërndarjen dhe inkasimin. 

Qysh në vitet e pasluftës kur menaxhohej nga UNMIK-u synohej shthurja e kompanive vertikale dhe krijimi i kompanive të pavarura që specializonin në një shërbim, duke synuar kështu edhe privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe funksionalizimin e tregut të lirë. Me nënshkrimin e disa memorandumeve, Kosova mori obligime ligjore të detyrueshme për shthurjen e ndërmarrjeve vertikale në sektorin e energjisë.

Në vitin 2005, nga KEK-u u nda Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili operon i pavarur nga KEK-u, megjithësë është në pronësi publike edhe sot. Në po të njëjtin vit, u miratua strategjia e parë e energjisë së Kosovës ku parashihej ristrukturimi dhe korporatizimi i KEK-ut si mënyrë për t’i luftuar problemet e KEK-ut ndër vite si humbjet e mëdha në rrjetin e distribucionit dhe arkëtimi i passukesshëm i energjisë së faturuar. 

Në vitin 2008, Qeveria e atëhershme — e përbërë prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) — mori vendim për themelimin e KEDS-it dhe privatizimin e tij. Ky proces përfundoi në vitin 2013, kur Konsorciumi turk Limak-Calik mori KEDS-in nën udhëheqje.

Kontrata mes kësaj të fundit dhe Qeverisë së atëhershme asnjëherë nuk u bë plotësisht publike. Nga pjesët e kontratës të cilat u publikuan, konsorcium kishte premtuar investime prej 300 milion euro në 15 vitet e ardhshme, garantimin e vendit të punës për tri vite pas privatizimit për punëtorët e KEDS dhe mosmbulimin e borxheve të vjetra të KEK që ishin grumbulluar nga inkasimi i pasuksesshëm. 

Në debatin shumëvjeçar të privatizimit të KEDS-it mbesin dy akuza të përgjitshme për procesin: KEDS u shit shumë më më lirë se vlera e tij përmes një procesi jotransparent dhe dy divizionet e KEK-ut, furnizimi dhe distribuimi, nuk duhej të shiteshin te i njëjti pronar.

Privatizimi i shërbimit të furnizimit dhe distribuimit u përcoll më kritikë të gjerë publike. 

Në janar të vitit 2013, pak muaj pasi konsorciumi Limak-Çalık e mori në udhëheqje KEK-un, faturat e qytetarëve u trefishuan. Kjo çoi në protesta të mëdha qytetare në Prishtinë që zgjatën prej fillimit të shkurtit deri në fund të prillit. Këto protesta fillimisht nisën për shkak të çmimeve të fryra të faturave, por më pas u orientuan kundër korrupsionit të pretenduar në KEK/KEDS. 

Pas presionit nga protestat, deputetët e legjislaturës së atëhershme aprovuan krijimin e një komiteti hetues për këtë çështje. Komiteti konkludoi se ishin bërë gabime në lexim dhe rrjedhimisht në faturim, për çka qytetarët do të kompensoheshin.

Ndërkohë, Instituti Riinvest në një analizë të publikuar në vitin 2015, kishte vlerësuar se procesi i privatizimit ishte jotransparent dhe kishte shpërfillur Kuvendin e Kosovës. Sipas tyre, roli i Kuvendit është kufizuar thjeshtë në aprovimin e vendimit të marrë nga Qeveria, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Privatizim. Madje, sipas tyre, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vetëm në parim privatizimin e KEDS-it por duke kushtëzuar këtë privatizim varësisht prej rezultateve të studimeve të fizibilitetit, e të cilat nuk ishin prezantuar asnjëherë. 

Në anën tjetër, megjithëse synimi i privatizimit të KEDS-it ishte shthurja e kompanive vertikale të së kaluarës — të cilat priren të jenë joefikase dhe joprofitabile — sektori i energjisë në Kosovë ende nuk është i liberalizuar, veçse ka krijuar një monopol të ri.

Në modelin liberal të synuar nga privatizimi, situata më e mirë është kur dikush zotëron infrastrukturën (tubacionet e gazit, kabllot) dhe dikush tjetër e përdor atë për t’i ofruar shërbimet (gaz, dritë). Zakonisht infrastruktura mbahet nga kompani publike, mikse ose private që ngarkojnë ofruesit e shërbimeve — të cilët gjithashtu mund të jenë publikë dhe privatë — për përdorimin e saj.

Kur funksionon kështu, garantohet një konkurrencë e shëndetshme. Sikur të shkonte kështu edhe me sektorin e energjisë në Kosovë, për shembull, secili mund të hap nesër një kompani të re furnizimi, të blejë rrymë nga KEK-u dhe t’ia shesë publikut, duke konkurruar me KESCO-n. Por në praktikë, megjithatë, kjo nuk mund të bëhet aq lehtë sepse disa prej linjave të energjisë janë të KEDS-it, i cili është në pronësi të grupit të njëjtë me KESCO-n, kështu që ka një konflikt të qartë interesash.

Përveç faktit se nuk prodhojnë energji elektrike, ata mund ta blejnë energjinë nga KEK-u me një çmim të paracaktuar nga ZRrE dhe pa u marrë me problemet e menaxhimit të termocentraleve. Përfundimisht, privatizimi i KEDS-it çoi në një kompani prapëseprapë të integruar vertikalisht.  

Pa(qëndrueshmëria) e energjisë në Kosovë

Në mungesë të një vizioni të qartë për të ardhmen e energjisë, furnizimi me energji është mbështetur në thëngjill meqë është më i liri dhe më i disponueshëm në Kosovë. Në rajon, Kosova radhitet e para në prodhimin e energjisë me bazë në thëngjill — afro 90% e prodhimit vjetor. Kjo ka mundësuar që qytetarët të paguajnë shumë më lirë për energji se pothuajse krejt vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. 

Por, dy termocentralet kryesore, “Kosova A” dhe “Kosova B”, janë ndërtuar para më shumë se 40 vitesh — çka e tejkalon jetëgjatësinë e rekomanduar të një termocentrali. Njësitë e termocentralit “Kosova A” u ndërtuan gjatë viteve 1962 deri 1975, ndërkaq ato të “Kosova B” brenda 1983 dhe 1984. Dy njësi të termocentralit “Kosova A” janë jashtë funksionit dhe çdo vit bëhen riparime në secilën njësi të dy termocentraleve. 

Në vitin 2004, Qeveria e atëhershme e Kosovës, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave, ishte zotuar se termocentralin “Kosova A” do ta mbyllte deri në vitin 2017, meqë ky i fundit llogaritet si ndotësi më i madh i ambientit në Evropë. Për këtë qëllim, planifikoi ndërtimin e një termocentrali të ri që do ta zëvendësonte atë.

Kosova A dhe B mbesin të vetmit prodhues substancialë të energjisë të cilët mund të pësojnë dëmtime të paparashikuara.

Në vitin 2005, kur u draftua Strategjia e parë e Energjisë (2005-2015), Qeveria e atëhershme e Kosovës, kishte propozuar ndërtimin e termocentralit “Kosova C” — më pas i referuar si “Kosova e Re”. 12 vjet më pas, në fund të vitit 2017, Qeveria e Kosovës nënshkroi kontratën me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e këtij termocentrali në vlerë prej 1.3 miliardë euro, i cili do të vihej në funksion në vitin 2023.

Megjithatë, në vitin 2018, u bë e ditur që Banka Botërore nuk do ta përkrahë këtë projekt meqë bazohej në thëngjill. Kjo ishte edhe arsyeja e shumë kundërshtuesve nga shoqëria civile, të cilët kategorikisht ishin kundër ndërtimit të një termocentralit me bazë thëngjillin. 

Në mars të vitit 2020, kompania Countour Global u tërhoq nga ky projekt duke etiketuar ndryshimet politike si arsye. Kompania po ashtu tha se nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen dhe se ky do të kishte qenë i fundit. 

Kështu që, termocentralet “Kosova A” dhe “B” mbesin të vetmit prodhues substancialë të energjisë në Kosovë, të cilët mund të pësojnë dëmtime të paparashikuara. Në anën tjetër, paqëndrueshmëria e sektorit të energjisë shkaktohet edhe nga mungesa e diversitetit në burimet e energjisë në Kosovë. 

Ndërkohë që bota po i kthehet burimeve të ripërtërishme të energjisë duke synuar uljen e emetimit të karbonit, për vitin 2021 ZRrE parashikoi vetëm 222,4 GWh — apo rreth 4.1% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike — të prodhuar nga burimet nga era, panelet diellore dhe hidrocentralet; ndërkaq liqeni i Ujmanit, i cili do të përbënte dallim substancial në fuqinë prodhuese të energjisë, gjendet në një kontest pronësie me Serbinë.

Një projekt që do t’i diversifikonte burimet e energjisë ishte edhe ai i përfolur rishtazi i ndërtimit të rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Si rezultat, rrjeti do t’i jepte Kosovës mundësinë për ta përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen. Ky projekt parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (KBIF).

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes dhe shumë efektiv, por shumë më i shtrenjtë se thëngjilli. Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, sipas qeverisë, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro. Por, qeveria tha se ndërtimi i këtij projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm, kështu që vendosi të mos e çonte përpara. 

Krizën e shkaktuar nga mungesa e vizionit të qeverive të njëpasnjëshme për sektorin e energjisë këtë herë do ta paguajnë qytetarët. Ky vit mund t’i gjejë ata me një kosto shtesë në buxhetin e tyre mujor meqë pas rishqyrtimit të tarifave nga ZRrE — që po vazhdon në janar — faturat e energjisë mund të jenë mbi 30-40% më të larta.

Në qoftë se furnizimi bazohet kryesisht vetëm në termocentralet A dhe B, të cilat po vjetrohen dita-ditës dhe qëndrueshmëria e sektorit varet nga importi, i cili varet nga lëvizshmëria e energjisë në tregun global, kriza të tilla si këtë dimër do të përsëriten edhe viteve në vazhdim.K

Raportim shtesë nga Francisco Garcia.


Imazhi i ballinës: Ferdi Limani/K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.