Më herët gjatë muajit, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë nëpërmjet të cilës e akuzoi Serbinë për kryerje të gjenocidit kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës 1998-99. Zhurmë e madhe u bë edhe për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për t’i gjykuar krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Fokusi i diskursit publik është larguar disi nga ngjarjet e tilla për shkak të debatit rreth prezantimit dhe publikimit të fotografive që paraqisnin në mënyrë grafike përdhunimin gjatë kohës së luftës.
Por në rrjedhojën e kësaj situate mungonte krejtësisht një diskutim për domethënien e shpalljes së “gjenocidit”.
Për ta kuptuar më mirë, së pari duhet ta analizojmë terminologjinë, pasi që sa herë përmendet lufta në Kosovë, rrallëherë bëhen dallime ndërmjet terminologjisë së përdorur. Gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit shpeshherë të gjitha përdoren njëkohësisht, duke e zëvendësuar njëra tjetrën për ta diskutuar të njëjtën çështje.
E vërtetë është se ka shumë ngjashmëri ndërmjet luftës dhe gjenocidit, pasi që të dyja përfshijnë shkatërrimin dhe vdekjen; gjithashtu, të dyja përfshijnë dhunë të llojeve të ndryshme, rrënim socio-ekonomik, si dhe internim me forcë. Dhe lufta mund të përdoret si mjet për ta realizuar gjenocidin.
Por ka dallime të rëndësishme ndërmjet termeve, të cilat madje definohen në Statutin e Romës, traktatin e themeluar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lufta lidhet me një situatë të antagonizmit të armatosur, ndërsa gjenocidi ka një synim më të posaçëm për ta eliminuar një racë të caktuar. Pra dallimi kryesor ndërmjet tyre është te qëllimi i autorëve të krimit.
Dhe në përpjekje për ta dëshmuar gjenocidin, jetike është të dëshmohet qëllimi; Bosnja & Hercegovina dhe Kroacia e patën shumë të vështirë ta dëshmojnë këtë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Bosnja arriti të dëshmojë që Serbia kishte shkelur obligimin e saj për ta parandaluar gjenocidin sa i përket ngjarjeve në Srebrenicë në 1995, por Kroacia dështoi keq.
Kur kemi parasysh të dhënat empirike që i kanë në dispozicion Bosnja dhe Kroacia, Kosova nuk duhet ta merr për të sigurt që do të mund ta dëshmojë se është kryer gjenocid. Jo pa e themeluar një task forcë funksionale dhe pa punuar shumë drejt këtij qëllimi.
Larg sferës ligjore, brenda politikës së vendit, bisedat për ta paditur Serbinë për gjenocid kanë mbizotëruar për shumë vite — kryesisht për shkak të akuzave që i nisi Hashim Thaçi në vitin 2015.
Në atë kohë, Thaçi ishte zëvendës kryeministër i Kosovës, dhe vazhdimisht po pretendonte që rasti i Kosovës është relevant për GjND-në pasi i kishte vlerësuar “rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare”. Ai thoshte vazhdimisht që Kosova do të vazhdonte të kërkonte mënyra për të gjetur bazë ligjore për ta paditur Serbinë në GjND.
Katër vite kanë kaluar prej kur u bënë për herë të parë këto akuza, dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë aspekt. Nuk mund të themi që arsyeja për këtë ka të bëjë me pamundësinë e Kosovës për ta paditur Serbinë në GjND.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Serbia deklaroi se do të vazhdonte të ishte pjesë e Konventës kundër Gjenocidit. Pasi që Kosova ishte pjesë e Serbisë në atë kohë, do të thotë që Konventa kundër Gjenocidit e mbulonte Kosovën deri në vitin 2008, kur e shpalli pavarësinë.
Më pas, nëpërmjet Deklaratës së Pavarësisë, Kosova u përkushtua se do t’i ndërmerrte të gjitha obligimet për të cilat ishte e lidhur gjatë kohës kur ishte pjesë përbërëse e Serbisë. Pjesë e këtij përkushtimi ishin obligimet e ndërmarra nga Jugosllavia sa i përket Konventës kundër Gjenocidit. Kjo do të thotë se Kosova u bë pjesë e Konventës kundër Gjenocidit me anë të trashëgimisë, dhe thjesht duhet ti’a dërgojë një njoftim për këtë OKB-së.
Shumë dijetarë e profesionistë brenda vendit e kanë bërë këtë shumë të qartë, më së fundmi Robert Muharremi në këtë platformë.
Kjo jo vetëm që është e mundshme, por është domosdoshmëri në këtë moment.
Sigurisht do të ishte shumë më e dobishme se biseda aktuale për rezoluta dhe tribunale të reja që nuk zgjidhin absolutisht asgjë. Fjalimet politike që nuk na çojnë praktikisht askund.
Premtime të zbrazëta
Problemi i parë me faktin që nëpërmjet rezolutës së Kuvendit të Kosovës është deklaruar që Serbia ka kryer gjenocid është se rezolutat nuk kanë efekt ligjor dhe prandaj kjo rezolutë mund të përdoret pak apo aspak në praktikë. Kjo na bën të mendojmë — pse po lodheni? A është ky një mekanizëm tjetër për t’u bërë kinse po kryejnë punë?
I dyti është se miratimi i rezolutës për gjenocid në mënyrë indirekte supozon se i kemi dokumentuar dhe adresuar në mënyrë të mirëfilltë të gjitha që kanë ndodhur gjatë luftës, dhe prandaj tani po kërkojmë përgjegjësi dhe dëmshpërblim nga një shtet që nuk na njeh — Serbia.
Praktikisht, për ta bërë një gjë të tillë, duhet të kemi fakte të konsoliduara që dëshmojnë çfarë ka noddhur dhe ku. Nuk është e mjaftueshme të nisim nga premisa “e dimë që kishte gjenocid në Kosovë… thjesht e dimë”, dhe përgjatë procesit t’i përmendim disa masakra që kanë ndodhur.
Pavarësisht dëshirës sime për të pohuar se kemi të dhëna të mjaftueshme për ta mbështetur një deklaratë të tillë, ne ende nuk kemi një ide të qartë për atë se sa i ka kushtuar e gjithë lufta Kosovës — si materialisht, ashtu edhe emocionalisht — e le më të dhëna që do të na ndihmonin ta dëshmojmë në mënyrë objektive qëllimin për të kryer gjenocid.
Por edhe po të supozojmë se i kemi këto të dhëna, përdorimi i tyre për ta miratuar një rezolutë që nuk mund ta përdorim praktikisht, në vend se ta paditim Serbinë në GjND, ka shumë pak apo aspak kuptim. Po ta padisim Serbinë në GjND, edhe nëse humbim, Kosova do ta vendoste një precedent ndërkombëtar duke e paditur një shtet që nuk e njeh atë.
Do të na ndihmonte edhe në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, për shkak se në këtë mënyrë do t’i konsolidonim zyrtarisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha të dhënat për luftën që janë në dispozicionin tonë.
Ka shumë të dhëna, për shkak se lufta që ndodhi ishte e tmerrshme dhe shkaktoi dëme serioze. Problemi është se nuk ka vullnet (apo zgjuarsi?) për ta miratuar një strategji operative që do të na ndihmonte me mbledhjen e këtyre të dhënave dhe bashkimin e tyre në një strukturë koherente.
Problemi i tretë me këtë rezolutë është te mënyra se si i amniston të gjitha qeveritë që nuk kanë bërë asgjë për ta vlerësuar apo adresuar dëmin e shkaktuar nga krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit.
Mes çështjeve tjera, kjo rezolutë parasheh miratimin e një ligji që ndalon mohimin e gjenocidit. Teorikisht, kjo tingëllon legjitime, por problemi me këtë ligj është rreziku që e sjellë për shkak të precedentit që e vendosë.
Në fund të fundit, deri sot nuk është dhënë asnjë vendim gjyqësor që dëshmon se është kryer gjenocid në Kosovë. E nuk ka as njohuri të dëshmuara dhe akademike që pretendojnë këtë. Sigurisht, ne kemi faj për këtë — por kështu është situata aktualisht.
Kjo nuk do të thotë se nuk kishte gjenocid në Kosovë. Thjesht, miratimi i një ligji që ndalon mohimin e diçkaje që nuk është dëshmuar në asnjë mënyrë e vendosë një precedent të rrezikshëm. Çka nëse në të ardhmen e afërt qeveria e kriminalizon ndonjë lloj lirie të shprehjes që i duket e dëmshme për qeverinë?
Në vend se të miratojmë rezoluta që i japin pika politike qeverisë, dhe i hutojnë qytetarët e i bëjnë të mendojnë që po bëhet diçka përmbajtësore, shumë më mirë do të ishte të fokusohemi një herë e përgjithmonë në dokumentimin e ngjarjeve. Vetëm kur t’i adresojmë dhe dokumentojmë ato mund të fillojmë të flasim për rrugët alternative të kërkimit jo vetëm të ndëshkimit, por edhe të dëmshpërblimit.
Përgatitja e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do t’i shtonte shumë më shumë vlerë rrëfenjës së luftës në Kosovë se çfarëdo rezolute e miratuar për arsye politike.
Mund të fillojmë ta zbatojmë këtë logjikë kur ta tejkalojmë interesin individual dhe kur të fillojmë ta vendosim në plan të parë interesin publik. Përndryshe, do të vazhdojmë të mbahemi peng nga rrethi vicioz i lojërave politike dhe kryerjes së “pseudo-punëve” që nuk përfundojnë kurrë.
I kemi kaluar 20 vite duke menduar për interesa individuale. A të fillojmë të mendojmë për njerëzit, për dallim nga këto vite? Të mendojmë për çfarë duan, për çfarë kanë nevojë dhe për çfarë është e domosdoshme… në vend se çfarë sjell fitim.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.