Në thelb | Aktivizmi

Rikthimi i Kamzës

Nga - 29.12.2021

“ATA” trumbetojnë zërin e banorëve të shpërfillur të Kamzës.

Tetë vjet më parë, në maj të vitit 2014, në kafe “Jata”, iu zu filli një hovi për ndryshim në qytetin e Kamzës në Shqipëri. Një grup të rinjsh e të rejash, i morën gjërat në duart e tyre. Për ta aty ndodhi një ndërprerje, një zgjim dhe mbi të gjitha, një artikulim i kundërshtisë për atë që po i bëhej qytetit.

Ata thanë: “Është e pamundur me e vazhdu jetën kështu. E morëm situatën në dorë. Ne e dimë vetë çka duhet me u bo.” 

Në mbledhitë e kafes “Jata” që sot nuk gjendet më në Kamzë, ata shumë shpejt u morën në sy si të dëshpëruarit, të pashpresët. Atyre sytë nuk u shihnin gjë të mirë. Dhe ashtu ishte njëmend, qytetit i binin skiç. Nuk e donin qytetin e atëhershëm, por vetëm sepse, siç tregojnë, qyteti nuk i donte, ishte armiqësor me ta dhe me insistim e shpërfaqte këtë armiqësi sa herë që nuk u bënte vend në Pallatin e Kulturës, në bibliotekën e qytetit a në çfarëdo hapësire tjetër publike.

Në gjendje tensioni me vendin e tyre, ata qytetit i binin anash, e kapërcenin, pa e prekur, pa e ndierë. Nuk zinin vend në të, sepse u dukej se Kamza nuk u linte vend askund. Qytetin e  shihnin veç kur dilnin në agim dhe ktheheshin në mbrëmje. Për ta, ai ishte shndërruar në vendqëndrim, jo në vendbanim.

“Nihilistët”, siç i quanin të tjerët, e vuanin mungesën e qytetit, veten e përjetonin si realistët që gjërat i thërrisnin në emër. Që prej “Jatës” vendosën që të mos ecin më symbyllurazi nëpër qytet, por ta bënin atë të tyrin, të banorëve. 

Kështu, gati një dekadë më parë ata u bënë grupi “ATA”. 

Sot, pas plot 8 vitesh aktivizëm për kauza të shumta në qytetin e Kamzës, nga komuniteti, “ATA” mendojnë se përjetohen si një grup teatri, për disa si “mish i huaj”, për bashkinë, si armiq të përbetuar e për fëmijët, si përvoja e parë e teatrit. Në një varg identitetesh, pranimesh e refuzimesh, anëtarët e grupit duan të jenë hapësirë lirie, ku njerëzit “mund të projektojnë vizionin e ëndrrat. Ku ata mund të besojnë në atë vizion e ato ëndrra”.

Takimi i parë i anëtarëve që sot përbëjnë grupin “ATA” ndodhi në kafe “Jata” në Kamzë, Shqipëri, në maj të vitit 2014 pas një ftese nga ish-profesori i tyre i filozofisë dhe sociologjisë Alfred Halilaj dhe antropologu Nebi Bardhoshi. Fotografia nga arkivi i grupit “ATA”.

Mungesa e qytetit, ecja nëpër të në maje gishtash, i çoi tek njëri-tjetri Diana Malaj, Aurora Leka, Ronald Qema, Anila Balla, Mariana Syla e Irena Keçi, gjashtë prej shumë prej “Atyre”. Diana dhe Aurora janë me “ATA” që prej takimit të parë në “Jata”, ndërsa Ronaldi, Anila, Mariana e Irena i janë bashkuar grupit ndër vite. 

Dikur, si një grup i vogël me pak të rinj e të reja, të cilët i hanin në sy edhe prindërit e vet, “ATA” kujtojnë se si “mosbindjen civile” pikë së pari e filluan nëpër shtëpitë e tyre. Familjet dikur nuk u besonin. Sipas tyre, prindërit i kishin parë të gjitha dhe në pamundësi për t’i ndërruar gjërat tash e sa kohë, sikur ishin dorëzuar. Midis këtij dorëzimi me përshtypjen se “publikja është tashmë e shkatërrume”, siç thotë Diana, “ATA” duan të kthejnë shpresën dhe revoltën. 

Anipse pothuajse asnjë nga ta nuk janë me origjinë nga Kamza, teksa disa nuk jetojnë aty, në Kamzë i sjell vullneti për ndryshim. Në grup, gjithsecili e gjithsecila sjellin përvoja të ndryshme, teksa një gjë e kanë të përbashkët, përjetimin e Kamzës si qytet të tyrin.

“Unë jam nga Kamza”

Kamza u bë bashki para 25 vjetësh. Gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, Kamza ishte kryesisht furnizuese bujqësore për Shqipërinë, e pandërtuar, kurse pas mbajtjes së zgjedhjeve të para pas rënies së regjimit, në 1992, nisi të bëhej bashkia që është sot.

Kamza ka gjithfarë shtëpish e godinash, pa një plan të qartë urbanistik. Është një katrahurë, thonë “ATA”, por në të nuk ka shtigje të mbyllura, sepse banorët e ndërtuan atë me mendimin për tjetrin, me solidaritetin për shtëpinë e radhës që do ngrihej në Kamëz, për komshinjtë e ri që do vinin.

“Qyteti është ndërtuar nga poshtë, gjithçka është ba prej fillimit dhe nga njerëzit, koncepti që të vjen [në mendje kur e sheh qytetin] është [se aty ka] anarki, por është shumë e bukur”, thotë Diana Malaj.  

Përkundër ndërtimit me zell e djersë të banorëve, Kamza është ende e bllokuar në tranzicionin e të bërit bashki tash e 30 vjet. Edhe banorët e Kamzës, tregojnë “ATA”, janë mbyllur në narrativë të ndërtuar e gdhendur kryesisht nga klasat politike “shkurtpamëse”, që, sipas tyre, nuk e deshën Kamzën e që e mbajtën atë në periferi të vëmendjese banorët e saj si qytetarë të shkallës së dytë. Këtë, sipas “ATA”, klasat politike e bënë duke reduktuar vazhdimisht publiken e duke i dhënë hov privates. Kështu, përpjekja e parë e “ATA” ishte të themelonin identitetin e tyre, njëherë si banorë e pastaj si aktivistë të Kamzës.

Si hap i parë ishte përbrendësimi i shprehjes “Unë jam nga Kamza” si pozicionim e pozicion politik. Ky pozicion politik për ata u qartësua sidomos kur pjesëtarët e grupit u përballën me qendrën, kryeqytetin e Shqipërisë. Pozicioni periferik që Kamzës i ishte dhënë për gjatë, kryesisht prej klasave politike të njëpasnjëshme — siç thonë vetë “ATA” — pasqyrohet edhe në stigmën ndaj banorëve të Kamzës.

“Ardhacakë, malokë, zaptues” janë veç disa prej damkave që u janë vënë atyre, e të cilat edhe gjashtë anëtarët e grupit i provuan vetë, sidomos në përballjen më të madhe me qendrën, kur shkuan për studime në fakultet. Prandaj, për ta, të thuash “Jam nga Kamza” është radikale. 

“E di që në qoftë se them [jam nga Kamza], kam me e prekë diku nervin edhe du me e thanë. Është e domosdoshme me u prekë nervi”, thotë Diana, teksa shpjegon se të qenit nga Kamza, për ta nuk ka të bëjë me vendin e origjinës, por me hapësirën ku manifestohet aktivizmi e tyre. Kjo hapësirë e ky aktivizëm e jo origjina, i përbashkon anëtarët e grupit, të cilët vetë vijnë prej vendeve tjera e prej historish të ndryshme.  

“Kultura nuk është luks”

Në vitin 2014, Aurora dhe Diana, që ishin në të njëzetat e tyre, vendosën t’ia shkundin pluhurin ndërtesës me xhama të kaltër që qëndron midis Kamzës, me pyetjen “Ku është dera e bibliotekës?” Shkuarja në bibliotekë kësisoji ishte filli i aktivizmit të “ATA”.

Biblioteka gjendej në atë ndërtesë me xhama të kaltër që ishte Pallati i Kulturës, i cili kishte gjithçka që i duhej për të qenë i tillë. Por, sipas “ATA”, për shkak të keqmenaxhimit të bibliotekës — kishte pak tituj dhe s’kishte përditësim — hapësira e saj shërbente për tubime zgjedhore e jo si hapësirë e dedikuar për lexues. 

Kur biblioteka funksionon në nivel burokratik –– kishte specialist biblioteke që paguhej për këtë punë –– por jo përmbajtësor, thotë Aurora, akti i të shkuarit në bibliotekë është rebelim. 

Përkundër refuzimit ose mbase, pikërisht për shkak të refuzimit që u bëhej apriori, Aurora dhe Diana, në fillimet e grupit në vitin 2014, vazhdonin të shkonin në bibliotekë. “T’i pyesje ku është dera e bibliotekës? Çmendeshin. ‘Kush je ti që kërkon gjëra?’”, tregon Aurora, kur përshkruan shkuarjen në bibliotekë, duke shtuar se nuk kishte nevojë për tjetër aksion — ky ishte vetë aksioni.

Në kërkim të transformimit të Pallatit të Kulturës nga një godinë që tubon mbledhitë partiake në Pallat të Kulturës, grupi “ATA”, që po konsolidohej, filloi të lobojë me Ministrinë e Arsimit për të marrë libra që më pas i çonin në bibliotekë. Duke çuar libra, thirrja e tyre ishte e qartë: “Hapni dhe na lini të shftytëzojmë bibliotekën”! 

Godina e Pallati i Kulturës në Kamzë shfrytëzohet për “Kanalizim-Ujësjellës”, kafe dhe zyra. Grupi “ATA” kundërshtojnë shfrytëzimin e Pallatit të Kulturës për qëllime që nuk kanë të bëjnë me kulturë. Fotografia nga Ronald Qema.

Teksa kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu u thoshte “kam rrugë pa shtruar”, këta thoshin “neve nuk na duhen veç ujë e drita. Nuk jemi qenie bazike. Kultura nuk është luks”. Me aktivitetin e tyre, “ATA” vendosën “të zëvendësojnë shtetin”, siç e përmbledh Aurora përpjekjen e tyre. Përmes këtij zëvendësimi, ajo tregon se nuk përpiqeshin ta rehatonin shtetin dhe t’ia heqnin barrën që ky i fundit duhet të barte, por t’i tregonin se si bëhen gjërat e mbi të gjitha, t’ia shtonin presionin për t’i bërë ato.

Bartja e këtyre qëndrimeve dhe manifestimi i tyre në Kamzën e bënë të pashpërfillshme praninë e grupit “ATA” në Kamëz. 

Më pas, grupi “ATA”, në vitin 2015, zgjodhën të vendosin tutje praninë e tyre përmes shfaqjes së parë teatrale “Fytyra e Librit”. Pas avokimit për hapje të bibliotekës së qytetit për lexues, ky akt ky që shënoi një prej paraqitjeve të tyre të para publike si grup solid. 

Meqë derën e bibliotekës në Pallat të Kulturës nuk ua hapën, ata vendosën t’ia çelin dyert një tjetër biblioteke. Me biletat e shitura nga shfaqja “Fytyra e Librit”, “ATA” blenë libra për Gjimnazin “Sulejman Elezi” në fshatin e Kamzës, Zall-Mner. Përpos që e pajisën me libra, ata e lyen, i vunë rafte dhe e bënë bibliotekën të shfrytëzueshme për lexuesit. 

“Bënim shfaqje teatri, ne i kërkonim të na vinin në dispozicion skenën”, tregon Aurora. “Ne hapëm qendrën tonë, ndërkohë që kishte një qendër jofunksionale në qytet, ne hapëm bibliotekën tonë, ndërkohë që duhej të kishim bibliotekën e qytetit, ne hapëm gazetën e qytetit, ndërkohë që qyteti s’kishte media”.

Kështu vijoi aktivizmi i tyre, i cili, sipas Dianës  “do duhej me qenë jo vetëm përbamje, do duhej me i parapri proces krijues, i cili kulmon në njifarë përballje, të ketë kritikë që jep mesazh të qartë, e ndërkohë të linte gjurmë”. 

Më pas vijuan me shfaqje tjera, derisa ua ndaluan shfrytëzimin e Pallatit të Kulturës. “Na kanë lënë për pak me e shfrytëzu Pallatin e Kulturës, derisa gjuha jonë u bë radikale”, shton Aurora. 

Njëra prej shfaqjeve që nuk u lejua ishte “Propozimi” i Anton Chekhov — për shkak të gjuhës radikale — nën regjinë e Anila Ballës. Kjo ishte shfaqja që e takoi Anila Ballën me grupin “Ata”. 

Ditën kur duhej të vinte në Kamzë, Anila e thërret Dianën dhe i thotë: “Më ka rënë të fikët”.

Për Dianën, që kishte pritur e përcjellur disa regjisorë, ky ishte lajm i keq, pasiqë mendimi i parë që i shkoi në mendje ishte “ja, edhe një po na refuzon”. Midis vështirësive të përballjes me një qytet jofunksional, grupi “ATA” e kishte zor të mbahej, me një hapësirë të vogël në një bodrum të vjetër e pa një regjisor për t’ua vënë në skenë shfaqjet. Në pamundësi për t’i paguar, regjisorët vinin e shkonin duke e vështirësuar procesin e krijimit të shfaqjeve, që asokohe ishin një prej mediumeve të vetme përmes të cilit flisnin “ATA”. 

Por, Anila nuk e kishte kthyer udhën. Ishte ndalur në një stacion autobusësh, afër “Atyre” për ta rimarrë veten. “Shkova vrap për ta marrë”, tregon Diana, teksa shpërfaq entuziuazmin që më në fund, dukej se grupi do të bëhej me regjisore.

Përkundër asaj që i ndodhi, udhën për në Kamzë, Anila e përshkruan si rrugëtim drejt një përvoje kuptimplotë, sidomos kur e kujton punën e saj të mëparshme si mësimdhënëse teatri në një shkollë ndërkombëtare, ku ajo ndihej si emigrante. 

Anila me të bashkuarit në grup, e bëri shfaqjen “Propozimi”, që trajton fenomenin e mblesërisë. Shfaqja u luajt në qendrën e grupit në vitin 2017, pasi nuk u lejua të ngjitej në skenën e Pallatit të Kulturës. Këtu, grupit i ishte bashkuar edhe Mariana, e cila është sidomos aktive në çështjet mjedisore. Më pas, në 2018, u refuzua edhe “Vdekja aksidentale e një anarkisti” e Dario Fo, e cila më pas u luajt në një skenë të improvizuar në qytetin e Kamzës.

Shfaqja “Propozimi” ishte shfaqja e parë në të cilën punoi regjisorja aktuale e grupit “ATA”, Anila Balla. Shfaqja u luajt në qendrën e grupit “ATA”, pasi e njëjta nuk u lejua të ngjitej në Pallatin e Kulturës. Fotografia nga Ervin Leka.

Kjo e fundit ishte shfaqja që e lidhi me grupin “ATA”, Ronald Qemën. Ronaldi, për shkak të punës së rëndë në fasoneri qysh në moshën 16-vjeçare, ku lyente këpucët dhe i lidhte ato, nuk kishte mundur të qëndrojë pranë grupit në 2017, kur kishte bërë audicione për shfaqjen “Propozimi”. 

Ronaldi tash merret kryesisht me gazetën e tyre Nyja, — të cilën e hapën tri vjet më parë — përmes së cilës duan ta “vetëm ta trumbetojnë zërin e banorëve të  Kamzës, sepse banorët e Kamzës zërin e kanë”. 

Bashkë me Ronaldin —  në 2019 — ishte bashkuar edhe Irena, që përveç punëve të tjera, është kryesisht e angazhuar me teatrin.

Pasi nuk iu lejua ta shfaqin në Pallat të Kulturës, “ATA” shfaqjen “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, nga Dario Fo e bënë në një skenë të improvizuar në Kamzë. Fotografia nga Valentina Bonizzi.

Parti e re, avaz i vjetër

Një vaki e re ndodh në Pallatin e Kulturës, në vitin 2019. Xhamat e kaltër të kësaj godine u faqosën me mbishkrimin “Ujësjellës Kanalizime”. Partia Socialiste kishte marrë pushtetin në zgjedhjet lokale të qershorit 2019. 

Derisa Partia Demokratike gjatë qeverisjes së gjatë në Kamëz e popullonte Pallatin e Kulturës me tubime elektorale, Partia Socialiste që kishte ardhur me tog-fjalëshin për “të përbashkëtën”, e ndau Pallatin e Kulturës në hapësira që u shërbenin qëllimeve tjera e jo atij të të bërit kulturë. Një pjesë të Pallatit e dhanë për një kafiteri, që sa shkon e zmadhohet, një për Ujësjellësin e Kanalizimin, një për zyra, një për banka e as edhe një për kulturë.

“Këta vijnë me slloganin e madh që janë parti socialiste; pra, që qëndrojnë për hapësirën publike, për të përbashkëtën; e këta janë edhe më neoliberalë, më kapitalistë se të djathtit”, thotë Diana.  

Atëbotë, paralelisht me ndarjen që po i bëhej Pallatit të Kulturës në Kamëz, në Tiranë lajmet për mundësinë e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar kishte nxjerrë në rrugë aktivistë që për më shumë se dy vjet protestuan kundër. Qeveria e Edi Ramës synonte ta rrënonte, me arsyetimin se në vend të tij, do ndërtohej godinë e re. Godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar e shembën në orët e hershme të mëngjesit më 17 maj 2020.

Grupi “ATA” iu bashkuan rezistencës së aktivistëve me shfaqjen e Eugène Ionesco “The Bald Soprano” (shq. “Këngëtarja Tullace”). 

Me shfaqjen “Këngëtarja tullace”, në dhjetor 2019 grupi “ATA” iu bashkuan përpjekjeve të aktivistëve për ta mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë nga shembja. Fotografia nga Aurora Leka.

Kjo shfaqje i takonte teatrit të absurdit — stil teatral — ku ndër tjera, në ekran shfaqeshin lajme nga ngjarjet kryesore që ndodhnin në Shqipëri, përfshirë protestat e studentëve, gjendjen e minatorëve, kushtet e punës për gratë në fasoneri dhe një grup njerëzish, që Anila i quan “mikroborgjezët shqiptarë’, të cilëve nuk u bënin përshtypje ato lajme dhe këtë e manifestonin duke ndërruar kanalet vazhdimisht e duke thënë “tjetra”. 

“Ne jemi duke e jetuar absurdin. I bie ta marrësh teatrin e absurdit ta vendosësh në absurd”, thotë regjisorja Anila Balla, teksa tregon se shfaqjet gjithnjë i përpunon me qëllimin që ato të ndërveprojnë me kontekstin në të cilën vendosen, pra të jenë politike. “Edhe kur shfaqjet nuk kanë kuptim politik, ne ua gjejmë atë”.

Një ditë më pas, më 29 dhjetor 2019, “Këngëtarja Tullace” kthehet në Pallatin tashmë të ndarë të Kamzës. Shfaqja fillon me: “Zonja dhe Zotërinj, mirëmbrëma. Mirëseerdhët në Pallatin e Kulturës, Ujësjellës-Kanalizimeve Kamëz. Ju lutemi, fikni celularët dhe mbyllni rubinetat sepse shqetësoni jo vetëm aktorët në skenë, por edhe veten tuaj. Ju urojmë shikim të këndshëm.”  

Për “ATA”, ky çast e këndelli partinë në pushtet dhe i tregoi se kritikën e kishin me sistemin e jo me parti të caktuar dhe se kjo kritikë do vazhdonte për aq sa të ketë nevojë e për aq sa ky sistem të riprodhohej. 

“Ne i ftonim rregullisht bashkiakët – qejfi ynë ishte që shfaqjet t’i tregojmë para tyre”, tregon Diana.

Pranë banorëve të Kamzës

Gjatë gushtit 2020, kur pandemia COVID-19 po e thellonte edhe më fort ndarjen midis publikes dhe privates në Kamëz, “ATA” e çuan teatrin në rrugë, në fshatin Valias. 

Shfaqja “Vidh një çikë më pak” e Dario Fo, ishte përshtatur ashtu që të pasqyronte realitetin me të cilin po përballeshin banorët e Valiasit. Atyre po u rrezikoheshin shtëpitë nga rrënimi, pas një vendimi që shpalli Valiasin, zonë të re për zhvillim, me ç’rast banesat e vjetra do të shembeshin, për t’u zëvendësuar me banesa të reja kolektive. Ky proces u përcoll me pasiguri për banorët se çfarë do të ndodh më shtëpitë e tyre. Shfaqja që nisi të luhej në Valias u ndërpre nga disa banorë për arsye ende të paqarta. 

Kjo ndërprerje i shërbeu grupit për të rimenduar veten e qasjen e tyre.“Banorët janë të ashpër, sepse e kanë jetën e ashpër”, thotë Diana. 

Në rrëmujën që u krijua në Valias, regjisores Anila, aty dikush i kish thënë “Kështu janë këta”. E këtë pranim të fatalitetit, “ATA” e refuzojnë.

Në shfaqjen që po u jepet përpara syve në qytetin e Kamzës, njerëzit e “ATA” thonë që nuk do të jenë thjesht spektatorë.

Në gusht të vitit 2020, grupi “ATA” e vendosën para publikut në fshatin Valias shfaqjen “Vidh një çikë më pak” nga Dario Fo. Shfaqja u ndërpre nga disa të pranishëm. Fotografia nga Lorin Terezi.

Për të qenë pranë banorëve të Kamzës, tash e tri vjet, grupi “ATA” kanë filluar të ofrojnë ndihmë ligjore falas për ta. Këto përpjekje fillimisht u sendërtuan sidomos në betejën për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Lura-Dejës në Zall-Gjoçaj, fshat në Mat. Në vështirësi për të gjetur ndihmë ligjore, “banorët na u dorëzuan për t’u ofruar ndihmën tonë”, thotë Aurora. 

Ata u ndihmuan banorëve të Zall-Gjoçaj në përpjekjen për t’i shfuqizuar aktet nënligjore përmes të cilave është lejuar ndërtimi i hidrocentralit brenda parkut kombëtar nga kompania “Seka Hydropower” dhe për ta ndaluar prodhimin e energjisë nga kjo e fundit. 

Në nëntor të vitit 2021, Gjykata Administrative e Apelit vendosi ta mbajë në fuqi vendimin për heqje të licensës. Kjo u dha pak ajër banorëve. Këta të fundit, bashkë me “ATA”, sidoqoftë do të mbesin syhapur ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shkatërruar burimet natyrore prej të cilave mbahen banorët.

Banorët e Zall-Gjoçaj, bashkë me aktivistë për më shumë se dy vjet protestuan kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe lejimit të prodhimit të energjisë nga këta të fundit. Fotografia nga Aurora Leka.

Krah për krah banorëve të Kamzës “ATA” ishin edhe kur kah pylli “Plepat e Brukës” në Laknas sillej një kompani që për pak sa nuk e ndërtoi një fermë e thertore. Banorët sërish, me përballje fizike penguan fillimin e ndërtimeve nga “Bioprodukt” Sh.p.k.  

Midis tensionit, me kompaninë që shkonte në Laknas për të nisur punimet, e rezistencën e banorëve — përmes një “sigurimi të padisë”, me ndihmën ligjore nga “ATA”; në nëntor të vitit 2021, kompania “Bioprodukt” nuk mund të fillojë punimet në Laknas derisa të përfundojë procesi gjyqësor rreth çështjes, për shkak të dëmeve të pakthyeshme që thertorja ka mundësi t’i shkaktojë pyllit. 

“Megjithatë ne banorët duhet të jemi të kujdesshëm ndaj veprimtarisë së pushtetit vendor” e mbyllë Aurora rrëfimin për Laknasin.

Banorët e Laknasit kundërshtuan ndërtimin e thertores dhe fermës nga kompania “Bioprodukt” te pylli “Plepat e Brukës”. Fotografia nga Diana Malaj.

Në 2021, “ATA” konsoliduan këtë aspekt të aktivizmit të tyre përmes Qendrës Kujri. Aurora e Diana , të dyja të shkolluara për drejtësi, bashkë me të tjerët do të vazhdojnë t’u gjenden në ndihmë banorëve të Kamzës për çështje që lidhen me drejtësinë, me përqendrim në çështjet mjedisore. 

“Një ditë, puna jonë do të flasë për ne”, thotë Aurora kur nis e flet për të ardhmen e grupit.

Për ta, udha përpara është e pandashme prej gjithsecilës përballje që e patën derisa erdhën këtu ku janë. 

“Grupi duhet të ekzistojë edhe pa ne. Ky do të kishte qenë përplotësimi. Grupi i jepet qytetit dhe qyteti e mban atë përjetësisht”, thotë Diana. “Ajo që ndodh këtu do duhet me qenë e vërtetë, siç ka qenë deri tash”.

Të udhëhequr prej vullnetit për t’u rifreskuar vazhdimisht, “ATA” janë të vendosur ta rigjejnë veten, duke u përpjekur që, siç artikulojnë ata, përfundimisht, Kamzën ta bëjnë qytet të banorëve të vet. 

Imazhi i Ballinës: Atdhe Mulla/K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.