Pashë një film të titulluar “Oslo” para ca ditësh. Filmi nuk ka ndonjë vlerë artistike, kutërbon me stëraktrim dhe ka boshllëqe të dukshme në skenar. Megjithatë, ma mori vëmendjen si pak të filma tjerë kohëve të fundit. Historia zhvillohet rreth një çifti shumë ambicioz norvegjez që ndërmjetëson negociatat midis Izraelit dhe Organizatës Çlirimtare Palestineze, duke çuar në arritjen e Marrëveshjeve të Paqes të Oslos në vitin 1990.
Përveç dëshmisë magjepsëse të diplomacisë prapa skenës, më erdhi ideja, ose e kuptova, pasi pashë këtë film se po jetojmë në një realitet po aq dramatik dhe të filmueshëm. Mendova, ndoshta një ditë HBO ose Netflix mund të prodhojnë një seri rreth dialogut të Brukselit bazuar në kujtimet e disa diplomatëve të vjetër në pension të BE-së, të cilët, të pushtuar nga faji i ri me afrimin e vdekjes, vendosën t’i zbulojnë të gjitha lojërat e luajtura para syve tanë, por pas shpinë sonë.
Dhe nëse mendoni për këtë, saga e dialogut të Brukselit është një finesë potenciale thesiane, e ngjashme me ato shfaqjet e Hollivudit të prodhimit të lartë. Edhe ne kemi dramë, tension, kthesa të herëpashershme të intrigës, komplote dhe tradhti. Rrëfimi i ka pothuajse të gjitha elementet teorike të dramës së mirë.
Dialogu ynë në Bruksel i ka të gjitha elementet e dramës së mirë, të përcaktuara nga Aristoteli.
Aristoteli thotë në “Poetikën” e tij, një nga shtjellimet më të hershme të teorisë dramatike të ruajtura, se çdo dramë e mirë duhet t’i ketë gjashtë elemente: fabulën, personazhet, mendimin, diksionin, spektaklin dhe muzikën. Të gjitha rrëfimet e mëdha të treguara gjatë historisë i plotësojnë këto kritere, ashtu si edhe dialogu ynë në Bruksel.
Fabula ekziston. Një zënkë historike mes dy kombeve e ndërlikuar nga interesat e fuqive të mëdha.
Personazhet janë të shumtë. Prologu kishte sulltanë, carë, kalorës, rebelë dhe heronj të zakonshëm. Më vonë pamë presidentë dhe ministra, reformistë dhe konservatorë. Megjithatë, për aktin e përfundimtar, rastësia solli së bashku dy nga aktorët më të mirë të mundshëm, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vučić. Këta dy protagonistë kanë të gjitha tiparet thelbësore të personazheve teatrale. Ata luftojnë me njëri-tjetrin dhe me veten e tyre, reagojnë tej mase, kanë dilema morale, reagojnë tej mase, kanë një besim në madhështinë personale dhe a e përmenda reagimin e tepërt?
Mendimi, ose tema qendrore, është klasik: ndjekja e një marrëveshjeje historike midis dy grupeve të papajtueshme pas shekujsh lufte. Epike.
Diksioni, ose gjuha e përdorur, është pompoze, e mbushur me paqartësi (konstruktive), mjegull patriotike dhe momente të rralla, por të paharrueshme sinqeriteti. Ekzistojnë gjithashtu fraza të njohura që mund ta telkalojnë shfaqjen dhe të bëhen pjesë e zhargonit të përditshëm, ashtu si “Hasta la vista, baby”. Për shembull, e famshmja e Lajçakut, “marrëveshja do të arrihet deri në fund të vitit” lehtë mund të bëhet një eufemizëm i ri për zvarritjen e vazhdueshme, si “Do t’ia filloj dietës në fund të vitit” është më mirë sesa të thuash të hënën tjetër.
Pastaj ka spektakël. Ne pamë shembullin kryesor më 15 qershor 2021, një takim historik ballë për ballë në Bruksel me vëmendje të pashembullt mediatike dhe një plan prej katër pikash që doli prej asgjëkundi. Me të vërtetë, një kombinim i kthesave që janë të denja për punën më të mirë të David Fincher dhe gallatat e çmendura të Wes Anderson.
Së fundi, ka muzikë… muzika është… e gjeta! Ky është elementi që mungon. Dua të them, të gjitha rrëfimet e mëdha kanë muzikë brenda, këngë që ndihmojnë audiencën ta lexojë kontekstin themelor, emocionet dhe të vërtetën e fshehur. Pra, pse dialogut t’i Brukselit mungojë një kolonë zanore?
Kështu që, ja ku është, kolona zanore e dialogut të Brukselit, këngët që bëjnë dy dhe dy bashkë dhe na ndihmojnë të shohim të vërtetën pas maskaradës politike.
1.“Ndihmë” nga The Beatles
♫ Ndihmë! Kam nevojë për dikë ♫
Qorrsokak. Në tri dekadat e fundit, ndoshta dhe më gjatë, duket se çështjet për të cilat serbët dhe shqiptarët mund të pajtohen janë të pakta. Për hir të Zotit, ne as mund të pajtohemi për identitetin e viktimave pa marrë parasysh kombësinë, përkatësinë etnike dhe fenë. Në vend të kësaj, ne kemi tonat dhe ata të tyret kur bëhet fjalë për gratë dhe fëmijët e pafajshëm të vrarë. Për tonat kemi ndjeshmëri dhe dhimbje, të tyret i mohojmë ose i arsyetojmë.
Të presësh nga ne të arrijmë vetë në zgjidhje reciprokisht të pranueshme nuk është gjë tjetër veçse sofistikë.
Është e mahnitshme sesi jemi në gjendje ta shohim të njëjtën ngjarje krejtësisht ndryshe. Pra, të presësh nga ne, duke jetuar në këto dy realitete të ndara me dy mendësi të papajtueshme, të arrijmë vetë në zgjidhje reciprokisht të pranueshme nuk është gjë tjetër veçse sofistikë.
Mantra e Brukselit, “ne vetëm lehtësojmë” nuk do të zgjasë për shumë gjatë. Ne kemi nevojë për ndërmjetësim, por jo për llojin e ndërmjetësimit përtac që kemi parë. Përfundimi do të kërkojë përfshirjen aktive të ndërmjetësve me zgjidhje të para-zhvilluara, ndëshkim dhe shpërblim. Sado e trishtueshme të tingëllojë, dikush tjetër do të duhet ta bëjë zgjidhjen arbitrare për ne. Në fund, kështu mund të jetë më së miri.
2.“Fundi i botës siç e njohim ne’’ nga R.E.M
♫ Një turne, një turne, një turne gënjeshtrash,
Më ofroni zgjidhje, më ofroni alternativa dhe unë refuzoj ♫
Grindja e përhershme. Kanë kaluar më shumë se tri dekada që kur bota filloi të interesohej aktivisht në mosmarrëveshjen tonë. Në atë kohë çështja u pa në një kontekst më të madh, më të rëndësishëm. Shembja e Jugosllavisë, rënia e komunizmit, ringjallja e NATO-s përmes ndërhyrjes humanitare. Por që nga ajo kohë kanë kaluar dekada.
Bota ka ndryshuar, sfidat e saj kanë evoluar. Në ditët e sotme, vëmendja e udhëheqësve globalë është e zënë nga privatësia digjitale, shoqëria e post të vërtetës, kërcënimet globale për shëndetin, njohuria si dhe përparimet dhe sfidat teknologjike. Për ta, konflikti ynë është një kujtim i së kaluarës, një përgjegjësi e bezdisshme, një grindje e mjerueshme e fiseve të Ballkanit.
Kosova ka nevojë për këtë marrëveshje shumë më tepër sesa Serbia.
Me një ndryshim të tillë të perceptimit vjen ndryshimi i qëndrimit. Demokracitë më të mëdha perëndimore duket se kanë një qasje më neutrale ndaj çështjes, duke i parë si shqiptarët ashtu edhe serbët njësoj nxitës, duke ndarë përgjegjësitë. Rrjedhimisht, barra e koncesionit shpërndahet në mënyrë të barabartë, duke e targetuar Prishtinën më shumë se në të kaluarën. Me fjalë të tjera, kompromisi është loja e re në vend.
3.”Nuk mund të marrësh gjithmonë atë që dëshiron” nga The Rolling Stones
♫ Por nëse provon ndonjëherë, epo, thjesht e kupton
se merr atë që të duhet ♫
Kompromisi. Shumë njerëz mund të mos pajtohen, por qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të BE-së ndaj Kosovës gjithmonë ka anuar drejt interesave të shqiptarëve të Kosovës. Po, ashtu është, e thashë. Herë haptazi, herë fshehurazi, por në thelb gjithmonë në favor të interesave të shqiptarëve të Kosovës, edhe pse ndonjëherë ata nuk ishin në gjendje ta shihnin këtë.
Pra, si ka mundësi që tani ka një kërkesë në rritje nga Prishtina për të bërë lëshime? Çfarë ka ndryshuar? Përgjigja është e thjeshtë. Kosova ka nevojë për këtë marrëveshje shumë më tepër sesa Serbia.
Deri tani, Kosova i ka arritur të gjitha njohjet e mundshme që nuk kërkojnë pëlqimin e Serbisë. Përparimet e mëtejshme në integrimin ndërkombëtar kërkojnë një lloj pëlqimi nga Serbia. Kjo jo sepse Serbia është bërë më me ndikim ose më e respektuar, por për shkak të parimeve që funksionojnë në favor të saj.
Të shprehura qartë në Marrëveshjet e Helsinkit të vitit 1975 dhe futur në fuqi përmes disa rezolutave të OKB-së, këto parime pohojnë se vendet e njohura ndërkombëtarisht e kanë fjalën e fundit për çështjet që prekin sovranitetin e tyre.
Edhe pse argumenti në rastin e Kosovës mund të duket i mërzitshëm, këto parime vlejnë për të ashtuquajturat pesë vendet mos-njohëse brenda BE-së dhe shumë anëtarë të tjerë të OKB-së. Meqenëse përballen me sfida të ngjashme të brendshme, ato nuk duan të heqin dorë nga ky parim.
Përparimi i mëtutjeshëm drejt integrimit ndërkombëtar, sado blasfemik që mund të tingëllojë për disa lexues, është i kufizuar nga një lloj pëlqimi nga Serbia. Kjo i jep asaj përparësi mjaft të fortë për ta bërë pikëpamjen e saj të rëndësishme dhe për të siguruar vend në tryezën e diskutimeve të mëtejshme. Kjo është diçka që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë kuptuar. Andaj edhe kompromisi.
4.”Do të përfundojë me lot” nga Deacon Blue
♫ Dhe shumicën e rasteve e dimë
Që do të përfundojë me lot ♫
Përfundimi. Në këtë situatë, pasi u kuptua se rezultati i dialogut prekë interesat thelbësore të Serbisë, loja ndryshoi. Sapo kjo u bë e dukshme, doli një kakofoni zërash për ta bërë të ditur pakujdesshëm vizionin e tyre për rezultatin. Vazhduan me këtë duke përdorur një mjet që u lejonte të lansonin çfarëdo ideje që u shkonte në mendje pa pasur asnjë përgjegjësi për të, një letër e panënshkruar [non-paper].
Paraqitën skenarë të ndryshëm, secili i ndryshëm në qasjen e tij. Prishtina favorizon njohjen e ndërsjellë, e cila është një eufemizëm për nënshtrimin e plotë të Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja e shohin një vetëqeverisje funksionale për serbët brenda Kosovës së pavarur si kompromis të mjaftueshëm. Serbia dhe presidenti i saj duken të përkushtuar ndaj idesë së shkëmbimit territorial.
Këto vizione fillimisht duken të ndryshme dhe të papajtueshme. Megjithatë, secila nga këto tri qasje kryesore çon në të njëjtin rezultat; njohjen e Kosovës nga Serbia, zyrtarisht ose jozyrtarisht, por në një mënyrë dhe në një masë që mundëson integrimin e mëtejshëm të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Edhe opsioni i preferuar i Presidentit Vučić, përcaktimi etnik, e parashikon këtë rezultat.
Kjo do të thotë se, nëse lexojmë mes rreshtash, ai po thotë, “Jam gati ta njoh, por çfarë përfitoj unë?” A mund të jetë një hyrje e përshpejtuar e Serbisë në BE? BE-ja thotë jo. Po shkëmbimi territorial? Gjermania thotë jo. Pra, në plejadën e tanishme të opsioneve, e ardhmja e gati 10 milionë njerëzve është reduktuar në një sfidë: si të gjindet diçka që Vučić mund ta quajë fitore dhe Kurti mund ta pranojë.
Çfarëdo që të ndodhë, jeta do të vazhdojë, do të ketë serbë dhe shqiptarë në Kosovë, do të ketë kërkesa për një jetë më të mirë, do të ketë kërkesa për llogaridhënie. Në çfarëdo mënyre që prodhuesit e kësaj sage të vendosin ta përfundojnë shfaqjen, mendoj se do na duhet t’i përshtatemi.
5.” Zgjohuni” nga Arcade Fire
♫ Fëmijë, zgjohuni
Pranojeni gabimin tuaj
Përpara se të ta kthejnë shpresën në pluhur ♫
E vërteta. Për ta përfunduar, ka diçka që dua ta përmend në këtë pjesë. Është ai rreshti i vjetër që liderët tanë politikë na e kanë thënë se si nuk po përparojmë drejt BE-së për shkak të “palës tjetër” (serbëve apo shqiptarëve, varet prej perspektivës).
E vërteta është se BE-ja nuk na do sepse kemi dështuar të zhvillojmë shoqëri të denja.
Mbyllja e çështjeve të pazgjidhura me Kosovën dhe përfundimi i dialogut të Brukselit është me të vërtetë një arritje e rëndësishme e këtij procesi. Sidoqoftë, ajo që qëllimisht udhëheqësit politikë shtrembërojnë është fakti se këto janë vetëm një pikë në detin e parimeve dhe vlerave që duhet t’i përqafojmë para se të kualifikohemi për t’u bërë pjesë e asaj që është bashkimi më progresiv i njerëzve në historinë e njerëzimit, Bashkimi Evropian.
E vërteta është se BE-ja nuk na do sepse kemi dështuar të zhvillojmë shoqëri të denja. Sepse e konsiderojmë politikën si rrugë të shpejtë për t’u pasuruar. I konsiderojmë të afërmit në gjykatat lokale si rrugë e shkurtë për drejtësi, anëtarësinë në parti rrugë të shkurtë për punësim, miqtë në spital si rrugë e shkurtë për kujdes shëndetësor.
Ne jemi një shoqëri rrugë-shkurtër ku rregullat dhe ligjet janë pengesa për t’u kapërcyer, jo gardhe për t’u drejtuar, shoqëri që kërkojnë vazhdimisht rrugën më të lehtë sesa atë të duhurën. Kjo është arsyeja pse lejojmë blerjen e votave, korrupsionin, nepotizmin, gjuhën e urrejtjes, paaftësinë e nëpunësve tanë publikë, një arsim që mund të blihet, etj.
Kjo është arsyeja pse u besojmë politikanëve kur thonë se nëse nuk do të ishte për palën tjetër (serbët apo shqiptarët), tashmë do të ishim në BE. Kjo është gënjeshtër. E vërteta është se BE-ja nuk na do ashtu siç jemi tani. Dhe kjo nuk është padrejtësi, ata thjesht nuk duan të lejojnë një rrugë tjetër të shkurtër.
6.Kënga kryesore
Së fundi, kënga kryesore për dialogun e Brukselit. Nuk mund të jetë tjetër veçse “Rrugës për askund” nga Talking Heads [Koka që flasin]. Dilema këtu është nëse titulli i këngës thotë më shumë sesa emri i grupit. Në çdo raport nga Brukseli ne gjejmë vetëm koka që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse flasin. Ata na thonë,
♫ Jemi rrugës për askund
Ejani brenda ♫
Imazhi i ballines: Arrita Katona / K2.0.
Ky blog është shkruar për Nismën e Re Sociale në kuadër të serisë së tyre të opinioneve dhe është botuar në K2.0 sipas marrëveshjes.
Seria e opinioneve është pjesë e një projekti nga Balkan Trust for Democracy e German Marshall Fund të ShBA-së dhe USAID-it. Këndvështrimet e shprehura në këtë seri opinionesh nuk përfaqësojnë doemos ato të Balkan Trust for Democracy, të German Marshall Fund të ShBA-së (BTD), të Agjencisë së ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose të Qeverisë së ShBA-së.