Deri sa ecin nëpër rrugët e Beogradit apo sheshet publike të Nishit, pak banorë ndalen të shikojnë përtej linjes natyrale të syrit deri sa merren me punët e tyre të përditshme.
Po ta bënin, me gjasë nuk do t’i kushtonin shumë rëndësi shufrave të vogla metalike që dalin nga blloqet e apartamenteve të mëdha të epokës socialiste apo ndërtesave industriale që janë ndërtuar para disa dekadave. Të projektuara për t’i përçuar goditjet potenciale të vetëtimës në tokë, ato në përgjithësi janë larg syrit, larg mendjes.
Megjithatë, shumë prej këtyre copave të thjeshta të metalit, që instaloheshin përgjithësisht nëpër Jugosllavi, përmbajnë një bërthamë radioaktive që me gjasë është e rrezikshme.
Të instaluara në vitet e 60-a dhe 70-a, shufrat e vetëtimës me qendra radioaktive u menduan për të siguruar mbulim më të gjërë të ndërtesave që me gjasë janë të prekshme. Por në vitet e 80-a, ato filluan t’i zëvendësojnë me shufra elektrike në Jugosllavi dhe në botë – dhe me plot arsye. Ekspertët kanë përcaktuar se këto shufra të vetëtimës bëjnë me gjasë më shumë dëm se mirë, për shkak të rrezikut të ekspozimit të qytetarëve ndaj rrezatimit.
Serbia bëri amendamente në Ligjin për Mbrojtje nga Rrezatimi Jonizues dhe Siguri Bërthamore në vitin 2012. U parapa që të gjitha shufrat e mbetura bërthamore të hiqen deri në maj 2015. Megjithatë, fondet e pamjaftueshme bënë që qindra prej këtyre shufrave të mbesin aty ku janë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Serbe për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore – agjencia qeveritare që ka për detyrë t’i rregullojë dhe monitorojë aktivitetet bërthamore dhe të rrezatimit – 638 ndërtesa komerciale dhe të banimit në Serbi ende kanë shufra radioaktive të vetëtimës.
“Varësisht nga lokacioni, heqja e një shufre radioaktive të vetëtimës dhe instalimi i një shufrës së re kushton nga 2,500 deri në 3,000 euro”, thotë Sladan Velinov, drejtor i Agjencisë.
Përtej çështjes së heqjes së shufrave të mbetura është çështja e asgjësimit të tyre në mënyrën e duhur. Aktualisht, pas heqjes së tyre, shufrat radioaktive të vetëtimës magazinohen 12 kilometra nga qendra e Beogradit në pronën e Institutit të Shkencës Bërthamore Vinča, një institut multidisiplinar i hulumtimeve shkencore që është pjesë e Universitetit të Beogradit.
Një rrugë e betonit që kalon nëpërmjet drunjve të gjelbërt i lidh rreth dhjetë ndërtesa të kompleksit Vinča; më së largu janë disa depo të mëdha, që mbikëqyren nga personeli i sigurisë. Këto depo përmbajnë mbeturina radioaktive dhe bërthamore, të cilave njerëzve nuk u preferohet t’i qëndrojnë afër për shkak të rrezatimit (relativisht të ulët).
Përveç që i strehon shufrat radioaktive, ky lokacion është gjithashtu deponi për mbeturina tjera bërthamore, përfshirë këtu rezervat e radiumit që u spërkatën me beton në 1999 për shkak se përbënin një burim të mundshëm të rrezikut; një fuçi me predha dhe tokë të prekur nga uraniumi i varfëruar që u mblodhën gjatë bombardimit të NATO-s në Serbi; gjilpëra dhe tuba të radiumit që u përdorën për trajtim të kancerit të zverkut deri kur u etiketuan si të rrezikshme në vitet e 70-a; mbeturina nga mbyllja e reaktorit bërthamor të Serbisë (nga koha kur Jugosllavia bëri përpjekje për ta zhvilluar programin e saj bërthamor) në vitet e 80-a; dhe mbeturina tjera me përbërje të paqartë.
Depotë brenda Institutit Vinča përmbajnë mbeturina bërthamore, përbërja e disa prej të cilave është e panjohur. Foto: Arkiva private e Dr. Ilija Plećaš.
Në një përgjigje të shkruar për K2.0, Bojan Radak, zëvendës drejtor në Institutin Vinča, tha se masat e sigurisë dhe mbrojtjes në Institutin Vinča, ku gjinden depot, zbatohen “në kapacitet të plotë”.
Por para disa vitesh, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) e bëri një vlerësim se një nga problemet parësore në menaxhimin e sigurtë të këtyre mbeturinave ishte fakti se përbërja e disa prej tyre mbetej e panjohur. Prandaj IAEA erdhi në përfundim se Instituti Vinča nuk mund të jetë deponi e përhershme për mbeturina radioaktive, “por një stacion i përkohshëm nëpërmjet të cilit do të kalojnë mbeturinat”.
Pavarësisht faktit se depotë janë të menduara për kushte të përkohshme, disa nga mbeturinat në deponi kanë mbetur aty për gati 60 vjet, në duart e Ndërmarrjes Publike Serbe të Objekteve Bërthamore (JP NOS), që aktualisht është përgjegjëse për t’u kujdesur për to.
Kërkimi për një zgjidhje të përhershme
Prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, Instituti i Shkencës Bërthamore Vinča ka marrë mbeturina radioaktive dhe bërthamore prej vendeve të ndryshme të Ballkanit. Dr. Ilija Plećaš, anëtar i bordit të drejtorëve të JP NOS dhe ish-drejtor i Institutit Vinča, kujton një kohë kur fuçitë me mbeturina ishin të shpërndara në oborrin e Institutit Vinča.
“Ishin aty deri në 1982. Njerëzit ecnin nëpër atë zonë – ishte e tmerrshme”, thotë Plećaš, duke shtuar se zgjidhja e parë e përkohshme u prezantua në 1967 në formën e ‘Depo 1’, ku u magazinuan fuçitë. “depo 1 ishte në gjendje të keqe. Kjo, si dhe mbeturinat nga Depo 2 [ndërtuar më 1981] duhet të paketohen përsëri dhe të magazinohen në një vend të sigurtë”.
Foto nga viti 1982 që tregon fuçitë në të cilat u mbajtën mbeturinat bërthamore në Institutin Vinča. Hapësira dhe metoda e magazinimit kanë ndryshuar pak në 37 vitet që kanë kaluar prej atëherë. Foto: Arkiva private e Dr. Ilija Plećaš.
Sipas të dhënave që janë në dispozicion, mbeturinat që janë në këto dy depo u mblodhën në vitin 1948.
Plećaš beson se një zgjidhje e përhershme për magazinimin e mbeturinave radioaktive duhet ta përfshijë përzgjedhjen e një lokacioni të veçantë, në një distancë të sigurtë nga zonat e populluara, ku mbeturinat radioaktive dhe bërthamore që janë përpunuar më parë mund të magazinohen për një periudhë prej 300 deri në 500 vjet – koha që i nevojitet elementeve radioaktive për dekompozim.
Para magazinimit të përhershëm, mbeturinat duhet të përpunohen dhe paketohen përsëri në një fabrikë të përpunimit.
Në gjysmën e dytë të dhjetorit 2018, nëpërmjet një procedurës urgjente dhe pa debat publik, Serbia e miratoi Ligjin për Siguri Bërthamore dhe të Rrezatimit.
Sipas ligjit të vjetër të vitit 2009, Serbia ishte e obliguar ta zgjidhte çështjen e asgjësimit të mbeturinave radioaktive deri në shkurt 2019; ligji parashihte ndërtimin e një deponisë së përhershme, por kjo çështje nuk është prioritizuar nga ndonjë qeveri deri tani, edhe pse ekspertët kanë dhënë paralajmërime.
Ndërtimi i një deponisë së përhershme për mbeturina radioaktive as që përmendet në ligjin e ri.
Ekspertët besojnë se duke e miratuar ligjin e ri, Serbia e ka eliminuar mundësinë për një zgjidhje të përhershme për asgjësimin e mbeturinave radioaktive dhe bërthamore dhe tani me sa duket zgjidhja e mundshme është edhe më larg se që ishte para 10 vitesh.
Sladan Velinov thotë se e vetmja arsye për miratimin urgjent të ligjit të ri lidhet me afatet për zbatimin e reformave që janë caktuar nga BE-ja si pjesë e procesit të anëtarësimit të Serbisë.
Në vend se ta mundësojnë një zgjidhje të shpejtë për problemin, ekspertët janë të shqetësuar se duke miratuar ligjin e ri, Serbia i ka liberalizuar kushtet për importimin e materialeve me radioaktivitet natyral, si graniti, mermeri dhe fosfori.
Ligji i ri përmbanë nene që i rregullojnë kushtet për ndërtimin e impianteve bërthamore. Pra kjo ka hapur përsëri mundësinë për ndërtimin e impianteve bërthamore, diçka për të cilën në vitin 1974 Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë vendosi moratorium, të cilin e trashëgoi Serbia. Ky lloj zhvillimi me gjasë do ta rrisë nivelin e mbeturinave radioaktive.
Gjithashtu, ligji i ri parasheh mbështetje në procesin e heqjes së shufrave të mbetura radioaktive. Ligji i vjetër parashihte që shpenzimet për heqjen e shufrave të vetëtimës të mbulohen nga pronarët e ndërtesave, apo komuniteti i banorëve në ndërtesa të banimit. Ndërsa ligji i ri parasheh që kosto e heqjes së shufrave të vetëtimave të mbulohet nga buxhetet e qeverive lokale.
Tri organizata në Serbi janë të autorizuara për t’i hequr shufrat e vetëtimës – dy janë pjesë e Institutit të Shkencës Bërthamore Vinča, dhe e treta është organizatë private. Në gjysmën e dytë të nëntorit 2018, Velinov lajmëroi ndarjen e 11.5 milion dinarëve serbë (rreth 97,000 euro) nga bxuheti i Agjencisë Serbe për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore për heqjen e shufrave radioaktive të vetëtimës.
“Presim të ngritet efikasiteti i heqjes së shufrave të vetëtimës, veçanërisht në ndërtesa të banimit”, thotë Velinov, duke theksuar se Agjencia është e ndjeshme ndaj situatës dhe se ka për synim t’u ndihmojë qytetarëve ta përshpejtojnë këtë proces. “Me fondet e ridrejtuara nga buxheti jonë mund të heqen 35-40 shufra të vetëtimës [nga 638 të mbetura]”.
Aksidente dhe pasoja
Nga vitet e 50-a deri në fillim të 70-ve, Instituti Vinča e kishte një reaktor bërthamor operacional për qëllime të hulumtimeve shkencore, deri sa bota shqetësohej e ankohej për faktin se Jugosllavia po zhvillonte një program bërthamor.
Në 1958, reaktori pësoi nga një mosfunksionim, dhe disa fizikantë jugosllavë pësuan nga ekspozimi ndaj rrezatimit – si rrjedhojë e kësaj, ata u bënë njerëzit e parë në botë që iu nënshtruan transplantit të palcës së eshtrave. Reaktori u mbyll në praktikë në 1984, por tek në vitin 2002, qeveria e asaj kohe e morri vendimin formal për çmontimin e tij.
Karburanti radioaktiv që përdorej për punën e tij u magazinua në katër basene në Institutin Vinča. Por në 2010, karburanti rrjedhi nga katër basenet në të cilat po mbahej.
“Konteineri që e mbante karburantin pësoi nga korrozioni”, thotë Dr. Uranija Kozmidis, e cila ishte sekretare shtetërore e Ministrisë së Shkencës në 2007-08 dhe sot është profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Teknike në Novi Sad.
Pas aksidentit, u përcaktua se nuk kishte mjete të përshtatshme për ta magazinuar karburantin në Serbi dhe kështu u transportua më vonë gjatë vitit në Ndërmarrjen Nukleare “Majak” të Rusisë, afër Chelyabinsk, në Malet Urale. Para se u bë i mundur transportimi i karburantit në Rusi, fillimisht u bë ripërpunimi urgjent i mbeturinave. Në këtë pikë u themelua një impiant i përkohshëm për përpunim të mbeturinave në një nga objektet e Institutit Vinča.
Kozmidis thotë se uji, një shtresë mbrojtëse për karburantin që e absorboi radioaktivitetin gjatë “rrjedhjes”, nuk u pastrua kurrë nga baseni.
Ajo tha se në një proces standard, mbeturinat e përpunuara radioaktive dhe bërthamore mbahen në një depo të sigurtë për një periudhë 2-3 vjet për monitorim, para se të groposen në fund në një deponi të përhershme.
Pjesa e brendshme e depove në të cilat magazinohen mbeturinat bërthamore. Foto: Arkiva private e Dr. Ilija Plećaš.
“Plani për përpunimin është lidhja kyçe në një varg ngjarjesh që do të çonin deri te një zgjidhje e përhershme dhe e sigurtë”, thotë Kozmidis, e cila shton se ekzistuan planet për ndërtimin e një impiantit të përpunimit dhe një deponisë së përhershme, por ato nuk u zbatuan plotësisht.
Kozmidis ishte sekretare shtetërore gjatë kohës së qeverisë së Vojislav Koštunica-s. Si pjesë e Ministrisë së atëhershme të Shkencës u themelua një komision në 2007 që kishte për qëllim ta gjente një zgjidhje për çështjen e asgjësimit të përhershëm të mbeturinave bërthamore dhe radioaktive. Për shkak të kushteve të pakënaqshme në deponë e vjetër, Komisioni e prioritizoi ndërtimin e një deposë së re.
“Gjatë mandatit tim u ndërtua Depo 3, në përputhje me standarde evropiane. Kjo depo është shumë e sigurtë”, thotë Kozmidis. Fuçitë me mbeturina të papërpunuara tani janë të magazinuara në Deponë 3 që është ndërtuar e fundit dhe është e vetmja depo të cilën ekspertët e konsiderojnë se është në gjendje të mirë. Por prapëseprapë, Kozmidis e vë në dyshim magazinimin e mbeturinave të tilla pa zgjidhje të përhershme. “Përparësia e vetme e Deposë 3 është që ajo është në gjendje të mirë, dhe prandaj është paksa më e sigurtë se dy të tjerat”, ceku ajo.
Në mars 2008, më pak se një vit pas formimit të qeverisë së dytë të tij (maj 2007), Koštunica dha dorëheqje dhe kërkoi shpërbërjen e Kuvendit, duke thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si rrjedhojë e dëmit kolateral të trazirave politike dhe pastaj transferit të domenit të shkencës dhe zhvillimeve teknologjike tek Ministria e Arsimit, Komisioni u shpërbë. Ende nuk është themeluar një komision i ri.
Temë që nuk diskutohet
Ndonëse projekti ndërtimor për impiantin e përpunimit u zhvillua pjesërisht në 2008, ai nuk u përfundua. Sot nuk përdoret impianti i përkohshëm i përpunimit, në të cilin “rrjedhi” karburanti i ripaketuar në 2010. Drejtori Velinov shpjegon se objekti nuk është funksional për shkak se nuk posedon lejet e domosdoshme, e as leje ndërtimi.
Kozmidis thotë se edhe Depo Zero – uraniumi i spërkatur me beton për arsye sigurie gjatë bombardimeve nga NATO në 1999 – duhet të pastrohet, por shton se radiumi nën shtresën e betonit nuk është duke emetuar radioaktivitet aktualisht. “Asgjë tjetër nuk dihet për këtë”, thotë ajo. “Askush nuk flet për këtë, e s’do të flasë as unë”.
Ajo shton se mbeturinat radioaktive nuk janë 100 përqind të parashikueshme. “Fakti se aktualisht nuk ka emetime të radioaktivitetit nuk do të thotë që nuk do të ketë dikur”, thekson Kozmidis. “Prandaj është e domosdoshme të ripaketohen gjithë këto mbeturina dhe të magazinohen përherë”.
Dr. Ilija Plećaš nga JP NOS gjithashtu ngul këmbë se ndërtimi i një deponisë së përhershme është thelbësore për parandalimin e aksidenteve të mundshme apo “keqpërdorimit të mundshëm të mbeturinave radioaktive”, si dhe për hir të sigurisë së përgjithshme. Në 2018, ai e botoi një libër të titulluar “Mbeturinat Radioaktive: Çfarë Të Bëjmë Me To”, në përpjekje për ta kthyer vëmendjen e qeverisë tek kjo çështje.
Plećaš thekson se autoritetet tani kryesisht janë të painteresuara për ta zgjidhur këtë çështje, për të cilën thotë se “mund të mos jetë urgjente, por është shumë e rëndësishme”.
“Vinča duhet të jetë një institut shkencor serioz, e jo të shndërrohet në varrezë”, thotë ai. “Askund në botë nuk është shkenca disa qindra metra larg një varreze”.
Kozmidis thekson se nuk ka vend për panikë, por thekson që sa më shpejtë që është e mundur duhet të ndërmerren veprime që çojnë deri te magazinimi i përhershëm i mbeturinave radioaktive dhe bërthamore. “Mbeturinat radioaktive dalin jashtë kontrolli nëse nuk mbrohen si duhet dhe mund të bëhen burim i panikut”, thekson ajo.
Sladan Velinov pajtohet me këtë: “Nevojitet një deponi dhe shpresoj se do të ndërtohet në 20 vitet e ardhshme”, thotë ai.
Ekspertët paralajmërojnë se është e domosdoshme të gjindet një zgjidhje e sigurtë për asgjësimin e mbeturinave radioaktive që aktualisht janë të magazinuara në Vinča. Arkiva private e Dr. Ilija Plećaš.Dr. Bojan Radak nga Instituti Vinča beson se Vinča dhe JP NOS kanë një numër të mjaftueshëm të ekspertëve që mund ta organizojnë ndërtimin e “ndonjë lloj deponie për materiale radioaktive edhe në shtete tjera nëse është e domosdoshme”.
Megjithatë, nuk kemi parë shenja të ndonjë nisme të tillë. “E kam pritur këtë tash e 20 vjet”, thotë Dr. Ilija Plećaš. “Kam folur me 13 ministra dhe të gjithë më kanë thënë: ‘Kjo është e rëndësishme, por mos ta bëjmë gjatë mandatit tim’”.
Me situatën aktuale, mbeturinat e papërpunuara radioaktive dhe bërthamore do të mbahen në depot e Institutit Vinča, në afërsi të kryeqytetit serb, gjer në një lajmërim të ri. Për më tepër, do të vazhdojë transportimi i mbeturinave në Vinča, që mbetet i vetmi vend me kushte deri diku të sigurta për magazinimin e mbeturinave ekzistuese.K
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.