Në thelb | rajoni

“Sezoni është vdekje”

Nga - 04.11.2025

Rritja e turizmit në Shqipëri nën hijen e shkeljes së drejtave të punëtorëve.

Në mars të vitit 2024, Aleksa, 24-vjeçare nga Uganda, mbërriti në aeroportin e Rinasit, afër kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, bashkë me vëllezërit e saj, njëri 27 e tjetri 28-vjeçar. Për të tre udhëtarët nga Afrika lindore, Shqipëria kishte qenë vend i panjohur, deri kur kishin marrë vesh që mund të shkojnë atje për të punuar. 

Në Sarandë, ku nisën punën në një lokal plazhi, u përballën menjëherë me realitetin ndryshe nga ai që u ishte premtuar. “Na morën pasaportat sapo mbërritëm. Menduam se ndoshta kështu funksionon këtu”, tha Aleksa.

Për ta siguruar kontratën, atyre iu desh t’i grumbullonin rreth 2.000 euro secili. Agjencitë shqiptare, që bashkëpunojnë me ato në Afrikë, sigurojnë marrëveshjen mes punëtorit dhe vendit të punës, përfshirë edhe aplikimet për vizë. Shpenzimet e tjera, siç është bileta e udhëtimit, i paguajnë vet. Sipas kontratës, ajo do të duhej të punonte si kamariere tetë orë në ditë, por në realitet punonte mbi 14 orë, me vetëm dy ditë pushim gjatë gjithë sezonit dhe me një pagë prej 450 eurosh në muaj. 

Aleksa, emri i së cilës është ndryshuar për shkak të frikës që ekspozimi do t’i ndikojë në marrëdhënien e punës, e ka të pamundur të takohet personalisht, sepse, sipas saj, ajo është nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës. Telefoni i saj konfiskohet nga njëri prej punëdhënësve të lokalit, gjatë periudhës kur ajo është në punë. Për të, nuk është e lehtë që të flasë. Ajo frikësohet t’i denoncojë kushtet ku punon, frikësohet nga menaxheri që është gjithmonë i pranishëm dhe nga pronari për të cilin ajo thotë që punëtorët flasin se “ka shumë ndikim në qytet”. Derisa, më në fund, në një mbrëmje të vonë gjatë qershorit të vitit 2025, ajo ia doli të gjente pak hapësirë për të folur me videolidhje përmes telefonit. Në videolidhje, Aleksa duket qartazi se është në stres, vazhdimisht e frikësuar se pronarët e lokalit mund ta gjejnë duke biseduar.

Kushtet e jetesës janë po aq të vështira sa ato të punës. Aleksa thotë që fle në një dhomë të vogël, bashkë me vëllezërit dhe katër burra të tjerë, gjë që e bën të ndihet e pasigurt. Ushqimi është i pamjaftueshëm; “vetëm supë dhe bukë, çdo ditë”, tha ajo. Ndërsa lodhja është e vazhdueshme. “Duhet t’i gërryej pllakat, ta pastroj plazhin, të laj enët, të laj tualetet [… ] Kam uri gjithë kohës”, tha ajo në videolidhje.

Përvoja e saj është e ngjashme me atë të Aishës, 27-vjeçare, po ashtu nga Uganda, e cila mbërriti në Shqipëri në maj të këtij viti. Në aeroportin e Rinasit e priti një përfaqësues i agjencisë që e dërgoi drejt qytetit të Orikumit, ku e kishte lidhur kontratën e punës. Aty, ajo duhej të punonte në një hotel, tetë orë në ditë për 500 euro, por në realitet e çuan në një restorant ku punonte deri në 14 orë, pa asnjë ditë pushimi.

Si shumë punëtorë të huaj, edhe asaj ia morën pasaportën sapo mbërriti. “Nuk largohesha dot sepse më kishin marrë pasaportën, e mbanin ata [punëdhënësi]”, tha ajo.

Aisha rrëfen se pasaportën që ia kishte mbajtur punëdhënësi i saj në  Orikum, ia doli ta merrte sërish vetëm pasi i ishte drejtuar policisë lokale, e cila sipas saj ndërhyri te punëdhënësi. Në qershor, ajo lëvizi për të punuar në një restorant tjetër në jug të vendit, pa e specifikuar qytetin në bisedë, dhe tha se kushtet janë më të mira se në vendin e mëparshëm të punës. Punëdhënësi i ri është me shtetësi kineze dhe, sipas saj, sjellja është më korrekte, ndonëse orari i gjatë i punës vazhdon të mbetet i njëjtë.

Rrëfimi i saj nuk është rast i izoluar. Përvoja të ngjashme ndajnë edhe dhjetëra punëtorë të tjerë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri viteve të fundit. Në mungesë të fuqisë punëtore vendore, bizneset shqiptare po mbështeten gjithnjë e më shumë tek punëtorët nga Afrika dhe Azia, të cilët shpesh përballen me shfrytëzim, frikë dhe izolim. Marrja e pasaportave, oraret e tejzgjatura dhe jetesa në kushte të rënda janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Aisha dhe Aleksa, me të cilat redaksia ra në kontakt përmes një grupi në Facebook, ku janë të anëtarësuar punëtorët e huaj nga Afrika, gjenden ende në Shqipëri. 

Rritja e turizmit nën hijen e shkeljes së drejtave të punëtorëve

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria është shndërruar në njërin nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë. Me një vijë bregdetare mbi 470 kilometra dhe çmime relativisht konkurruese në krahasim me vendet e tjera evropiane, vendi ka tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj nga Ballkani, Evropa Perëndimore dhe përtej. Qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka promovuar turizmin si një nga shtyllat kryesore për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit. 

Megjithatë, ky zhvillim i shpejtë nuk ka ardhur pa pasoja. Tregu vendor i punës nuk ka arritur ta ndjekë ritmin e kërkeses në rritje për shërbime. Shumë të rinj shqiptarë kanë emigruar jashtë vendit në kërkim të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të punës, duke krijuar mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore në vend. Kjo situatë është bërë veçanërisht e dukshme gjatë sezonit turistik dhe ka detyruar një numër gjithnjë e më të madh biznesesh në industrinë e shërbimeve të punësojnë punëtorë të huaj për t’i mbuluar boshllëqet.

Numri i të huajve që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri është në rritje të vazhdueshme. Sipas agjencisë shqiptare të statistikave, INSTAT, në fund të vitit 2024 u regjistruan 21.940 shtetas të huaj me leje qëndrimi, një rritje prej 2,2 % krahasuar me vitin 2023. Kjo prirje vazhdon edhe në vitin 2025: të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se deri në shtator kanë aplikuar për leje qëndrimi rreth 14.806 shtetas të huaj, prej të cilëve mbi 8.000 për arsye punësimi, ndërsa rreth 11.000 tashmë janë pajisur me leje. 

Për ta lehtësuar këtë fluks në rritje dhe për ta formalizuar procesin, legjislacioni i ri shqiptar ka propozuar procedura më të thjeshta për marrjen e vizave të punës, heqjen e detyrimit për garanci financiare si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për rekruitimin e fuqisë punëtore nga jashtë. Një nga këto marrëveshje, ajo me Filipinet, synon të sjellë deri në 40.000 punëtorë të kualifikuar në Shqipëri, për t’i plotësuar mungesat në sektorë kyç të ekonomisë.

Shqipëria është shndërruar në njërin nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Megjithatë, ky fenomen ka nxjerrë në pah probleme serioze në respektimin e të drejtave të punëtorëve, vecanërisht për të huajt që shpesh përballen me abuzime të rënda: konfiskim të pasaportave, kërcënime për deportim, diskriminim dhe trajtim të pabarabartë. Në mungesë të një sistemi efikas të inspektimit të punës, shumë prej këtyre praktikave mbeten të pandëshkuara.

Sa i përket rasteve të mbajtjes së paligjshme të pasaportave, reagimi i institucioneve ka qenë i pamjaftueshëm. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), në një përgjigje për K2.0 tha se praktika të tilla, si mbajtja e pasaportës së punëtorëve nga punëdhënësi, janë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe tregues i mundshëm i shfrytëzimit apo trafikimit, megjithatë konfiskimi i dokumenteve nuk mund të provohet pa pasur një ankesë zyrtare, ndërsa në shumë raste policia nuk i ka regjistruar fare këto shkelje.

Ndërkohë, Policia e Shtetit tha për K2.0 se denoncimet mbeten të pakta. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë viteve 2024–2025 janë referuar në prokurori vetëm katër raste të tilla. 

Shifrat e ulëta të denoncimeve bien ndesh me realitetin në terren, ku raportimet mediale tregojnë për dhjetëra punëtorë të huaj, kryesisht nga Azia, që iu mbahen pasaportat si formë kontrolli dhe presioni nga punëdhënësit. Ky hendek mes realitetit dhe statistikave zyrtare shpërfaq mungesën e efektivitetit të mekanizmave të mbrojtjes dhe rrugëve të denoncimit. Në thelb, bëhet fjalë për njerëz që erdhën për të punuar, por përfunduan duke jetuar nën frikën dhe mëshirën e atyre që ua kanë marrë lirinë bashkë me pasaportën.

Gentjan Serjani nga organizata Drejtësi Sociale, që merret me të drejtat e punëtorëve të huaj në Shqipëri, thotë se punëtorët nga vendet e treta janë veçanërisht të rrezikuar. “Ata përballen me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të Kodit të Punës, shpesh punojnë më shumë, paguhen më pak dhe jetojnë në kushte të patolerueshme”, tha ai. Serjani thotë se problemi nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te mungesa e kontrollit dhe zbatimit të tyre. 

Ai i sheh qartë dy fytyrat e këtij shfrytëzimi: emigrantët që punësohen me kontrata të dyshimta dhe detyrohen të kryejnë punë përtej asaj që kanë nënshkruar dhe punëtorë vendas që shpesh punojnë pa kontrata fare.

Rritja e turizmit ka nxjerrë në pah probleme serioze në respektimin e të drejtave të punëtorëve. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Një sistem pune i brishtë edhe për vendasit

Shkelje serioze të të drejtave të punëtorëve, të ngjashme me ato që përballen shpesh punëtorët e huaj, mundësohen nga një sistem pune në Shqipëri që është tashmë i brishtë, i pabarabartë dhe shfrytëzues, i cili prej kohësh i ka vënë në vështirësi edhe punëtorët sezonalë vendas. Nga orari i gjatë i punës dhe kushtet e papërshtatshme të jetesës, te mungesa e kontratave dhe sigurimeve shëndetësore, punëtorët sezonalë në mbarë vendin – qoftë në Ksamil, Sarandë, Golem apo Shëngjin –përballen me shkelje të përhapura të të drejtave të punës. Puna joformale mbetet normë, duke i lënë shumë prej tyre pa mbrojtje ligjore dhe të ekspozuar ndaj vonesave në pagesa, orëve shtesë pa kompensim dhe kushteve të pasigurta, sidomos në profesione si kuzhina, pastrimi dhe ndërtimi.

Ndër ta janë edhe Valmira dhe Astriti, një çift në të pesëdhjetat, të cilët nuk deshën të identifikoheshin me emrat e tyre të vërtetë. Pjesën më të madhe të jetës së tyre, ata kanë punuar si punëtorë sezonalë buzë bregdeteve të ndryshme në Greqi e Shqipëri. Në katër vitet e fundit, ata janë kthyer për të jetuar në Shqipëri, kanë punuar së bashku në kuzhina restorantesh në qytezën e Golemit, afër Durrësit, si dhe në Ksamil, fshatin e mirënjohur turistik në Sarandë.

I lodhur nga vitet e emigrimit dhe puna sezonale, Astriti duket i dëshpëruar kur flet për kushtet e punës në Shqipëri. “Këtu as kushtet as pagesa, nuk të bëjnë krahët të punosh. Edhe e bëmë për katër vite, por këtë vit thamë nuk ia vlen”, tha ai. “Po marrim më pak, po të paktën të jemi në shtëpinë tonë”. 

Këto janë disa prej arsyeve që këtë verë, pas shumë vitesh, ata kanë vendosur që të mos bëjnë punë sezonale, por kanë zgjedhur të qëndrojnë në Berat. Megjithatë, as puna në Berat nuk ofron kushte për një jetë më të mirë.

“Kemi punuar nga ora 10:00 e mëngjesit, kur nisnin përgatitjet për drekën, e deri në 11:00 të natës, ndonjëherë deri në 12:00, pa pushim, gjithë ditën dhe pa asnjë ditë pushim”, tha Valmira. “Edhe këtu, me 12 orë punë, një ditë pushim në javë, nuk bën dot asgjë. Me zor takojmë fëmijët, jemi të lidhur këtu gjithë ditën”.

Të dy e kanë brengë pensionin për shkak se ata vazhdojnë të punojnë pa kontrata, duke u paguar me para në dorë dhe duke mos marrë asnjë pagesë për sigurimet pensionale apo shëndetësore. I vetmi përfitim nga puna në Berat është që të paktën mund të jetojnë në shtëpinë e tyre, krahasuar me dhomat e vogla ku detyrohen të flenë punëtorët sezonalë. Zakonisht, për shkak se janë çift, pronarët e restoranteve ku punonin në Shqipëri u ofronin atyre një dhomë të veçantë për të fjetur, por jo edhe për kolegët e tyre. 

Nga orari i gjatë i punës dhe kushtet e papërshtatshme të jetesës, te mungesa e kontratave dhe sigurimeve shëndetësore, punëtorët sezonalë në mbarë vendin përballen me shkelje të përhapura të të drejtave të punës. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Në dhoma të vogla, me deri në gjashtë krevate, apo në kontejnerë të improvizuar, punëtorët sezonalë kalojnë muaj të tërë duke punuar 10 deri në 12 orë çdo ditë, pa pushim, pa siguri dhe pa mundësi rikuperimi fizik apo psikologjik. 

Për Gentjana Hasallën, përfaqësuese e Qendrës për të Drejta në Punë (CRLA), turizmi në Shqipëri është kthyer në një industri që po rritet mbi themelet e shfrytëzimit. Edhe pse është një nga sektorët më fitimprurës, ai mbetet një ndër më informalët. Mbi 68% e punëtorëve sezonalë që Qendra për të Drejtat në Punë ka anketuar në jug të vendit, kanë pohuar se punojnë pa kontratë. Vetëm një në katër punëtorë ka sigurime shoqërore.

“Lista është e gjatë. Nga mungesa e kontratave e deri te orët e stërzgjatura pa kompensim. Shumë punëtorë punojnë 10 deri në 12 orë në ditë, pa ditë pushimi, pa pagesë për orët shtesë dhe shpesh në kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme”, tha Hasalla. 

Një përvojë të ngjashme e kishte pasur Jurgeni, një 21-vjeçar, i cili nga Bulqiza u shpërngul të punonte në Tiranë, ku punon në sektorin e shërbimeve, ndërsa gjatë sezonit të verës zhvendoset me punë në jug të Shqipërisë. Këtë verë, ai punoi në kuzhinën e një restoranti në Sarandë, nga ora 12:00 deri në mesnatë.

“Pagesa nuk është e keqe, por kushtet janë si gjithandej, s’ka ventilim, vapë, pak staf në kuzhinë. Unë jam te tigani, është shumë i lodhshëm, 12 orë në këmbë”, tha ai gjatë një bisede këtë verë, duke shtuar që pagën e merr “në dorë”, pa kontratë pune dhe pa asnjë pagesë për asnjë lloj sigurimesh. 

Verën e kaluar, Jurgeni kishte shkuar për të punuar në një hotel në Dhërmi, ku thotë se është përballur me kushte shumë më të këqija të punës.

“Na mbanin në katin e parë të hotelit, shumë punëtorë në një dhomë, me shumë lagështi. Punoja më shumë orë se sa kishim rënë dakord”, tha ai, duke shtuar që ka parë edhe kushte më të rënda nga përvojat e shokëve të tij. “Flenë nga 10 veta në një dhomë, sikur unë vitin e kaluar në Dhërmi. Në sezon kështu janë të gjithë, nuk ka më mirë”.

Ferdez Onuzi, nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH), një organizatë që trajton çështjen e të drejtave në punë, e përshkruan realitetin e punëtorëve sezonalë si një formë të skllavërisë moderne. 

“Punëtorët sezonalë ekzistojnë vetëm gjatë sezonit dhe zhduken bashkë me të”, tha ai. Onuzi thotë se mungesa e të dhënave zyrtare, paaftësia e inspektoratit të punës për të ushtruar kontrolle efektive dhe mungesa e mbrojtjes ligjore për punëtorët sezonalë e bën situatën edhe më të paqartë dhe të rrezikshme. Politikat publike, siç është Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive 2023–2030, i përmendin punëtorët sezonalë vetëm si mungesë fuqie punëtore apo kualifikimi, por askund nuk trajtohet realiteti i kushteve ku ata punojnë dhe jetojnë. 

“Punëtorët sezonalë ekzistojnë vetëm gjatë sezonit dhe zhduken bashkë me të”, thotë Ferdez Onuzi. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Në një përgjigje për K2.0, sa i përket gjendjes me inspektimet, Inspektorati tha se gjatë vitit 2024, janë kryer 1.371 inspektime në sektorin e tregtisë, hoteleve, bareve dhe restoranteve, ku janë kontrolluar gjithsej 15.865 punëmarrës. Nga ta, 4.860 punëmarrës rezultuan me pagë minimale, 799 ishin të punësuar informalë, 798 u futën në skemën e sigurimeve me masë urgjente dhe 1.226 u konstatuan pa kontratë pune. Megjithatë, sipas ekspertëve dhe aktivistëve të të drejtave në punë, në realitet, numri është më i madh.

Në mungesë të një marrëdhënie formale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, punëtorët nuk kanë asnjë rrugë ligjore për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Kjo i lë ata nën mëshirën e plotë të punëdhënësve. 

Kita, që nuk deshi ta përdorte emrin e vërtetë, është një tjetër punëtore që ka tentuar të negociojë për drejtat e saj. Ajo ka 10 vite që punon gjatë sezonit veror në bregdetin e Shëngjinit në role të ndryshme, nga kuzhina në pastrim, ndonëse e lodhur nga puna me orar të zgjatur dhe pa u paguar mjaftueshëm. Këtë vit, ajo nuk ka pranuar të punojë me orë të gjata gjatë sezonit, që shkojnë deri në 14 orë, por ka kërkuar të punojë vetëm tetë orë, duke i kushtuar me ulje page në 470 euro. Edhe ajo e ndan shqetësimin e njëjtë me Astitin dhe Valbonën rreth mungesës së sigurimeve shoqërore dhe sidomos frikën për pensionin e ulët që do ta marrë pasi të pensionohet.

“Asnjë lloj sigurimi nuk marrim”, tha ajo. Tek puna e parë isha e pasiguruar, por me shumë përpjekje, duke e kërku, pata arritur të sigurohem, kurse tani këtu ku jam këtë vit punoj në të zezë”, tha ajo. “Jemi në gjendje shumë të keqe, gjithçka i kemi me shpirt e me dhëmbë që themi ne”.

Puna sezonale përbën njërën prej periudhave më të vështira për punëtorët e sektorit të turizmit në Shqipëri.

“Kur bën një punë sezonale, ‘ti e fik trurin’, pra bën paqe me veten që për ato muaj vetëm do punosh dhe nuk do të kesh një jetë tënden”, tha Valmira. “Ti ato muaj nuk jeton më, e ke plazhin aty poshtë, e sheh me sy dhe nuk e prek dot”.

“Sezoni është vdekje”.

 

Imazhi i ballines: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.