Gjerë e gjatë | Bursa për Gazetari

Shpërfillja e më të vegjëlve të shoqërisë

Nga - 17.12.2020

Shumë fëmijëve në Kosovë nuk po u sigurohet e drejta në edukim parashkollor.

Shpresa Behluli tash e 17 vite punon si mami në repartin ku vijnë në jetë fëmijët në rajonin e Prizrenit. E në të njëjtën kohë, ajo po ashtu është vetë nënë e dy vajzave, 18 dhe katër vjeçe, për të cilat duhet kujdesur. 

Shpresa e lindi vajzën e dytë kur e madhja i mbushi 14 vjet. Ajo e shfrytëzoi pushimin njëvjeçar të lehonisë deri në fund. Edhe pse tre muajt e fundit nuk paguhen, ajo vazhdoi të kujdesej për foshnjën – Ligji i Punës duke përforcuar rolet tradicionale u jep të drejta të kufizuara baballarëve, me vetëm dy javë pushim të papaguar pas lindjes së fëmijës.

Kur ia festuan ditëlindjen e parë vajzës, Shpresa u kthye në punë, ndërsa bashkëshorti i saj punonte në sektorin privat dhe kishte vetëm të dielën pushim. Kujdesi për fëmijën e vogël u shndërrua në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur zgjidhje.

Fillimisht e punësuan një kujdestare, e cila do të qëndronte në shtëpi derisa ata të ktheheshin nga puna. Por shuma modeste prej 120 eurosh në muaj me të cilën e paguanin u bë ngarkesë për buxhetin familjar. Kjo e detyroi Shpresën të punonte në ndërrimin e natës në Spitalin e Prizrenit, në mënyrë që gjatë ditës të kujdesej për vajzën, ndërkaq kujdestaren e angazhonte vetëm njëherë në katër ditë dhe e paguante më pak. Bashkëshorti po ashtu nganjëherë punonte gjatë tërë fundjavës, në mënyrë që të hënën të mund të kujdesej vetë për vajzën.

“Krejt familja po bllokohet.”

Shpresa Behluli

Shpresa tregon se si për një kohë ajo e angazhoi edhe nënën e saj në rolin e kujdestares. Por kur nëna i vdiq në vitin 2018 nga një sëmundje e rëndë, alternativë i mbeti fqinja, e cila gjithashtu kishte një vajzë të vogël. Kështu Shpresa bëri marrëveshje me të që të kujdesej edhe për vajzën e saj.

Kjo rutinë u zgjati deri në mars të këtij viti, kur rastet e para me virusin COVID-19 u konfirmuan në Kosovë dhe i tërë vendi u ngujua. 

Kur u ndërpre procesi mësimor për shkak të pandemisë, për të voglën e shtëpisë kujdesej motra e saj e madhe, e në disa raste barra e kujdesit i binte edhe gjyshit 69-vjeçar. Por një zgjidhje afatgjatë mbetet e pamundur, derisa e gjithë familja duhet të koordinohet për t’u kujdesur për vajzën e vogël.

“Krejt familja po bllokohet. Janë mundësitë me shku në Gjermani me punu, por kursin e gjuhës gjermane nuk po mundem me ndjekë se nuk ka kush me u kujdesë [për vajzën]”, thotë Shpresa duke aluduar në kërkesën e shtetit gjeman për punonjës shëndetësorë. “Që katër vite e kam mendu këtë mundësi, bone mend e rri në vend”.

Larg llupës së shtetit

Organizimi i përditshmërisë për Shpresën dhe partnerin e saj, por edhe për anëtarët e tjerë të familjes, do të ishte më i lehtë nëse në Prizren do të kishte çerdhe publike.

Ajo thotë se nëse institucioni parashkollor publik do të ekzistonte në Prizren, pa asnjë hezitim do ta dërgonte vajzën aty që nga mosha njëvjeçare.

Komuna e Prizrenit, e dyta sipas popullsisë në Kosovë me rreth 180,000 banorë, është një nga komunat pa institucion parashkollor publik. Një çerdhe publike në këtë komunë ka ekzistuar vite më parë deri kur është dhënë me koncesion një operatori privat, ndërsa tjetra ka filluar të ndërtohet në maj të vitit 2018. Çerdhja e re me kapacitete për 160 fëmijë, ku pagesa mujore do të jetë 80 euro, e ka koston afro gjysmë milion euro sipas përgjigjes së Drejtorisë së Arsimit për K2.0.

Konkursi për pranimin e fëmijëve u hap në korrik të këtij viti, kur edhe Shpresa i dorëzoi dokumentet për regjistrimin e vajzës 4-vjeçare që për herë të parë pritet të bëhet pjesë e një institucioni të arsimit parashkollor.

Në mungesë të çerdhes publike në Prizren, Shpresa Behluli me vite detyrohet të gjejë zgjidhje të ndryshme për kujdesjen e vajzës së saj katër vjeçare gjatë kohës kur ajo dhe partneri janë në punë. Foto: Naser Fejza.

“Më kanë thënë që është pranu në çerdhe, por nuk e di kur fillojnë”, ka thënë ajo, e cila vazhdon të presë që çerdhja e parë publike në qytetin e saj të bëhet funksionale.

Ndërkohë, Kosova mbetet një ndër vendet e rajonit me përfshirjen më të ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor. Sipas një raporti të publikuar nga Koalicioni i 29 OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), vetëm 4.8% të fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor 0-4 vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Kjo shifër rritet në 90% për ata të moshës 5 deri në 6 vjeç, në atë që njihet si niveli parafillor. Sipas të dhënave të mbledhura nga KOMF, shkalla e përgjithshme e pjesëmarrjes në edukimin parashkollor dhe parafillor është 18.6%.  

“Shkaku kryesor për një pjesëmarrje kaq të ulët është kapaciteti i vogël absorbues i rrjetit të institucioneve parashkollore me kosto të përballueshme dhe vetëdijes së përgjithshme për format tradicionale të edukimit brenda familjes”, thuhet në raport.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) nuk ka të dhëna për numrin e fëmijëve 0-5 vjeç që nuk janë të përfshirë në arsimin parashkollor.

 

Edukimi parashkollor në numra

Në vitin shkollor 2019/2020, 4,164 fëmijë të grupmoshës 0-5 vjeç kanë qenë pjesë e arsimit parashkollor publik (2,206 djem dhe 1,958 vajza). Në të njëjtin vit, pjesë e institucioneve parashkollore private kanë qenë 5,229 fëmijë (2,718 djem dhe 2,511 vajza). Në nivel parafillor për fëmijët e moshës 5-6 vjeç, janë përfshirë 23,650 fëmijë.

Sipas të dhënave të MASh-it për katër vitet e fundit, për çdo vit mesatarisht kanë qenë të regjistruar 2,700 fëmijë të moshës 4 deri 5 vjeç.

Të njëjtat të dhëna tregojnë se për katër vitet e fundit, rreth 27,000 fëmijë kanë filluar klasën e parë në shkollë çdo vit.

Buxheti për arsimin parashkollor 0-5 vjeç nuk ka shënuar rritje të konsiderueshme për të investuar në këtë sektor. Për shembull, edhe pse nga viti 2017, kur ishte rreth 14 milionë euro, në 2019 u rrit në rreth 17 milionë euro, këtë vit sërish është zvogëluar në rreth 16 milionë.

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2020, nivelin e ulët arsimor në Kosovë – që shfaqet vazhdimisht në rezultatet e dobëta të PISA-s – e ka lidhur pikërisht me përfshirjen e ulët të fëmijëve në arsimin parashkollor. Ndarjen urbane-rurale, varfërinë ekstreme dhe mungesën e infrastrukturës, raporti i përmend si faktorë shtesë që mundësojnë një situatë të tillë.

Raporti thekson se buxheti i ndarë për arsimin parashkollor 0-5 vjeç nga viti 2017 deri në vitin 2020 nuk e ka kaluar shifrën prej 17 milionë eurosh. 

Mungesa e investimit financiar në arsim prej nivelit insitucional reflektohet edhe në legjislacionin e Kosovës; sipas ligjit, edukimi parashkollor nuk është i obligueshëm. 

Imrane Ramadani, zyrtare e arsimit parashkollor në MASh thotë se ndërrimi i shpeshtë i qeverive po e vonon Ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili do të rregullonte shumë hapësira në edukimin parashkollor. Foto: Erion Vllahiu.

Zyrtarja e arsimit parashkollor në MASh Imrane Ramadani thotë se edukimi parashkollor nuk mund të bëhet i detyrueshëm për të gjithë fëmijët për shkak të kostos së lartë për buxhetin e shtetit.

Se edukimi parashkollor nuk ka qenë prioritet e tregon më së miri numri i vogël i çerdheve publike.

Sipas të dhënave që K2.0 i ka marrë nga 32 prej 38 komunave të Kosovës, rezulton se në tërë vendin janë 52 çerdhe publike, 11 me bazë në komunitet dhe tri publiko-private. Ndërkaq sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Arsimit, janë edhe 159 çerdhe private të licencuara.

Por ekspertët e arsimit thonë se as në çerdhet publike e as në ato private nuk bëhen monitorime se si punohet dhe me çfarë programi. Kjo do të thotë se institucionet parashkollore mund të zbatojnë programe sipas dëshirës së tyre, gjë që vë në pikëpyetje cilësinë e edukimit parashkollor.

Udhëzimin Administrativ për vlerësimin e performancës i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ishte paraparë të bëhet vlerësimi i performancës së institucioneve parashkollore, i cili duhej të fillonte pasi të vendoseshin treguesit e performancës. Por tri vjet më vonë, sipas inspektoratit të arsimit, treguesit e performancës ende nuk janë vendosur.

“Për këtë shkak, deri më tani nuk është realizuar asnjë monitorim apo vlerësim i performancës së institucioneve edukative parashkollore”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit të MASh-it.

Edukimi parashkollor në Kosovë organizohet në dy ndarje të grupmoshave, prej 9 muaj deri në 3 vjeç, dhe prej 3 deri në 6 vjeç.

Sipas raportit të KEEN, grupmosha 0-3 vjeç ka qenë e përjashtuar pothuajse nga çdo proces i planifikimit të investimit në aspektin edukativ.

Por punonjësit arsimorë e kanë në dispozicion vetëm Kurrikulën e Edukimit Parashkollor ku janë të përfshirë fëmijët nga mosha 3-6 vjeç, e cila përdoret që nga viti 2006. Ndërsa për edukimin e hershëm të grupmoshës 0-3 vjeç nuk ka kurrikulë.

Për të mbuluar hapësirën e mungesës së politikave arsimore për moshën e hershme, në vitin 2011, MASh me mbështetje nga UNICEF ka hartuar standardet e zhvillimit dhe të mësuarit për fëmijërinë e hershme 0-6 vjeç.

Në institucionin parashkollor publik “Xixëllonjat” në Prishtinë janë të regjistruar 120 fëmijë dhe 36 prej tyre i përkasin grupmoshës 0-3 vjeç. Drejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Morina-Veseli, thotë se për shkak të mungesës së kurrikulës, edukatoret — të cilat burim të vetëm e kanë dokumentin e mësipërm për standardet — e kanë sfidë të vazhdueshme përgatitjen e planeve për zhvillim të aktiviteteve me fëmijët e kësaj grupmoshe.

“Në kuadër të aktiviteteve bëhen planet mujore ndaras prej grupmoshave të ndryshme prej grupit në grup me tema të ndryshme, që do të thotë se nuk ka shabllon të njëjtë për secilin aktivitet, por planifikohen bashkë dhe harmonizohen temat në bazë të stinëve”, thotë Mimoza Morina-Veseli. 

Sipas një raporti të Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN), grupmosha 0-3 vjeç ka qenë e përjashtuar pothuajse nga çdo proces i planifikimit të investimit në aspektin edukativ. Për më tepër, edukatorët që zhvillojnë aktivitete me fëmijët e kësaj grupmoshe shpeshherë nuk kanë shkollim adekuat.

Sipas të dhënave të publikuara nga MASh në vitin 2018, nga 212 edukatorë të grupmoshës 0-3 vjeç, 206 janë me edukim të mesëm, një me edukim të lartë dhe vetëm pesë me kualifikim universitar.

Por zyrtarja për arsimin parashkollor në MASh Imrane Ramadani thotë se të gjitha edukatoret në nivel vendi kanë ndjekur trajnime për të zbatuar dokumentin mbi “Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0-6 vjet”.

Megjithatë, kualifikimi i edukatoreve për këtë grupmoshë pritet të rritet sepse që nga viti 2014 Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ka filluar të regjistrojë studentë të cilët kualifikohen në një program universitar të veçantë për edukimin në fëmijërinë e hershme 0-3 vjeç.

Çerdhja ka rëndësi

Ndjekja e ulët e institucioneve parashkollore del të jetë edhe më e dëmshme kur konsiderohet rëndësia e madhe për zhvillimin e aftësive të fëmijëve, e theksuar nga njohësit e fushës së edukimit parashkollor dhe raportet e ndryshme ndërkombëtare.

Organizata e OKB-së për mbrojtjen dhe avokimin e të drejtave të fëmijëve UNICEF, e konsideron arsimin parashkollor si “themelin e rrugëtimit të një fëmije”.

“Mosarritja e arsimit cilësor në fëmijërinë e hershme kufizon të ardhmen e fëmijëve duke ua mohuar atyre mundësitë për të arritur potencialin e tyre të plotë”, thuhet në një publikim të UNICEF-it.

Arlinda Beka, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, thekson rëndësinë e madhe të ekzistimit të një programi cilësor meqenëse edukimi parashkollor në moshën e hershme “është baza e formimit të një fëmije në personalitet, në konceptet e para njohëse, socializim, zhvillim emocional dhe social”.

Arlinda Beka, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit thotë se edukimi parashkollor luan rol domethënës gjatë fëmijërisë së hershme. Foto: Dorentina Kastrati.

“Kjo për shkak të zhvillimit të tyre, sidomos të trurit që ka një hov shumë të madh të zhvillimit”, thotë ajo.

Beka gjithashtu thotë se Ministria e Arsimit duhet të krijojë bashkëpunim me mediat, për të promovuar edukimin parashkollor përmes programeve, spoteve e broshurave të ndryshme. 

Nafie Sylejmani, psikologe klinike dhe drejtoreshë e Kopshtit Ndërkombëtar privat “Prishtina”, thotë se pavarësimi dhe largimi nga prindërit konsiderohet si njëra ndër pjesët më të rëndësishme që fëmijët e mësojnë në moshë të hershme në çerdhe.

Ajo shpjegon se si pjesa motorike-fine është tepër e rëndësishme sidomos për grupmoshën 1-2 vjeç, për çka përdoren disa materiale të imëta për gishtat, të cilat u ndihmojnë fëmijëve për zhvillimin e përqendrimit dhe koordinimin sy-duar.

“Gjithashtu të mësuarit e kafshëve, njohja me figurat e reja dhe emërtimi i tyre ndodhin gjatë kësaj periudhe”, thotë ajo. “Tani na kanë ardhur disa fëmijë të moshës trevjeçare që nuk kanë qenë asnjëherë në çerdhe dhe nëse e krahasojmë fëmijën që i ka një vjet e pesë muaj me ata tre vjeç, shumë gjëra kanë dallim. Këtu e sheh se sa shumë rëndësi të madhe ka çerdhja”.

Ajo tregon se si aktivitetet e ndryshme, siç është ora e gatimit, çojnë deri te pavarësimi i fëmijës, dhe që ndarja me prindërit e socializimi me njerëzit e rinj janë shumë më të vështira për një fëmijë që shkon direkt në klasë të parë.

“Esencialja është mësimi i një lloj rutine, që fëmijët ta dinë në sa ora duhet të shkojnë në kopsht, në sa ora e kanë mëngjesin, në sa ora kanë për të fjetur, në sa ora duhet të zgjohen, e tjera”, thotë ajo.

Mangësitë e mosvijimit të çerdhes i ka vërejtur te vajza e saj e vogël edhe Shpresa Behluli.

Ajo tregon dallimin që sheh mes vajzës së madhe e cila kishte ndjekur edukimin parashkollor dhe të voglës e cila nuk është pjesë e këtij edukimi.

Shpresa thotë se kur vajza e madhe ishte në çerdhe para 17 viteve — kur qyteti kishte institucion parashkollor publik — nuk e ka pasur asnjë problem kur e ka dërguar në klasën e parë, sepse ka qenë e përgatitur.

Shpresa Behluli mendon se shkuarja në çerdhe do ta ndihmojë vajzën e saj katër vjeçare në komunikim dhe socializim me të tjerët. Foto: Naser Fejza.

“Vajza e vogël nuk din shumë vjersha, këngë, shkronja”, thotë ajo. “Unë po provoj ta mësoj, por e shoh që ajo nuk ka interesim dhe po e lë, sepse nuk janë shumë të kapshme pasi që nuk e sheh asnjë fëmijë tjetër. Tash po e shoh që po i duhet shoqëri, po i duhet me dikë të luajë”.

Për ta mbuluar boshllëkun e madh të mospjesëmarrjes në arsim parashkollor, zyrtarë dhe ekspertë të arsimit madje propozojnë që rolin e edukatorëve në çerdhe ta marrin vetë prindërit.

Imrane Ramadani nga MASh thotë se prindërit mund të shfrytëzojnë “Udhëzuesin praktik për prindër” si mbështetje për përforcimin e njohurive dhe shkathtësive të fëmijëve. 

Ai përmban shembuj praktikë të aktiviteteve me fëmijët, duke i ndarë ato në fusha të ndryshme të zhvillimit me modele të aktiviteteve të cilat pritet të realizohen nga prindërit në ambientin familjar.

Por përveç që ky udhëzues është shpërndarë nga MASh nëpër institucione parashkollore në Kosovë, ai nuk ekziston online, që do t’ua bënte prindërve më të lehtë qasjen.

Diskriminim që në pranim

Pagesat për regjistrim të fëmijëve në institucione të arsimit parashkollor përcaktohen nga komunat, rrjedhimisht çmimet nuk janë të njëjta. Për shembull në Junik dhe Dragash është pa pagesë, kurse në komunat e tjera çmimi mujor shkon nga 15 euro në Rahovec, deri në 100 euro në Prishtinë.

Por jo të gjithë fëmijët mund të regjistrohen në çerdhet publike. Nga të dhënat që K2.0 ka marrë nga 32 komuna, në vitin shkollor 2019/2020 mbi 985 fëmijë janë refuzuar për shkak të kapaciteteve të limituara në çerdhet publike. Vetëm në Prishtinë, në tetë institucionet parashkollore publike janë refuzuar 372 kërkesa për regjistrim të fëmijëve.

“Duke u bazuar në informatat e dhëna nga ju, IAP ka hapur hetimet ex-officio lidhur me këtë çështje.”

Institucioni i Avokatit të Popullit

Nëntë komuna të Kosovës kanë vendosur që ballafaqimin me kapacitetet e limituara në institucionet e tyre parashkollore ta bëjnë përmes një kriteri diskriminues. 

“Të dy prindërit duhet të jenë në marrëdhënie pune”, është një nga kushtet për regjistrim të fëmijëve në çerdhet e këtyre komunave: Malishevë, Fushë Kosovë, Istog, Rahovec, Skënderaj, Viti, Vushtrri, Kaçanik dhe Ferizaj.

Bashkim Bytyçi, zyrtar për arsim në Komunën e Ferizajt, thotë se kjo është rregullore e brendshme e çerdhes dhe se arsyeshmëria e këtij kriteri është se prindërit për kohën sa janë në vend të punës të mos preokupohen për kujdestarinë e fëmijëve. Mirëpo ky kriter i shtuar nga këto komuna nuk figuron në Udhëzimin Administrativ për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore, sipas të cilit kanë të drejtë të aplikojnë fëmijët që i takojnë komunës, bashkësisë lokale/lagjeve të të njëjtit lokacion me çerdhen ose aplikojnë në çerdhen më të afërt.

Avokati Artan Qerkini thotë se tejkalimi i kritereve të Udhëzimit Administrativ nga nëntë komunat e Kosovës është i kundërligjshëm, dhe shkel të drejtat e fëmijëve të përcaktuara me Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, e cila është e përfshirë në ligjet e Kosovës përmes Kushtetutës. Sipas Konventës shteti duhet të mbrojë secilin fëmijë nga çfarëdo forme diskriminimi, përfshirë qasjen në arsim.

Lidhur me vendosjen e këtij kriteri nga nëntë komuna, K2.0 ka kërkuar interpretim ligjor edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP). 

“Duke u bazuar në informatat e dhëna nga ju, me 15 tetor 2020, IAP ka hapur hetimet ex-officio lidhur me këtë çështje dhe pas zhvillimit të hetimeve do të veprojë në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor”, thuhet në përgjigjen e IAP-së.

Por vendndodhja e çerdheve dhe mungesa e infrastrukturës po përjashton edhe fëmijët, prindërit e të cilëve janë në punë. Kjo ndodh në veçanti në zonat rurale, meqenëse shumica e çerdheve publike janë të ndërtuara në qytete.

Nga të dhënat që K2.0 ka marrë nga 32 komuna, rezulton se vetëm 15 çerdhe janë të ndërtuara në fshatra. Në anën tjetër komunat nuk u sigurojnë transport fëmijëve që jetojnë në fshatra për t’i dërguar në çerdhe.

Për shkak se nuk ka çerdhe në fshatin e tyre, e as në fshatrat përreth, Adile Zeqiri nuk po mund ta dërgojë djalin trevjeçar në çerdhe. Ajo jeton bashkë me bashkëshortin dhe prindërit e tij në fshatin Livoç i Poshtëm, rreth pesë kilometra nga qyteti i Gjilanit.

Adile Zeqiri dhe partneri i saj, si shumica e prindërve në zonat rurale, nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në edukim parashkollor, sepse shumica e fshatrave janë pa çerdhe. Foto: Gentian Syla.

Zeqiri punon si mësimdhënëse në shkollën fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, ndërsa bashkëshorti i saj punon në një bankë po në këtë qytet. Ajo thotë se orari i punës ua pamundëson ta dërgojnë djalin në çerdhe.

“Për shkak të rrugës që është dashur t’i çojmë dhe të shkojmë t’i marrim ka qenë problem”, thotë ajo.

Për këtë arsye as tri vajzat e saj nuk kanë qenë të përfshira në edukimin parashkollor. Tani ato vijojnë shkollimin fillor në shkollën e fshatit.

Në kohën kur prindërit Zeqiri janë në punë, për trevjeçarin kujdesen gjyshja dhe gjyshi.  

“Ne i kemi ofruar lojëra nga më të ndryshmet që mos ta ndiejë mungesën e shokëve, por ai prapë e ndien mungesën e tyre. Përmes lojërave të ndryshme ai i imagjinon ata”, tregon ajo.

Si mësimdhënëse vetë, ajo konfirmon domosdoshmërinë që edukimi parashkollor të bëhet obligativ dhe gjithëpërfshirës. 

Të përjashtuar dhe të lënë mbrapa 

Izet Gërguri është baba i katër fëmijëve dhe jeton në lagjen 28 në Fushë Kosovë. Asnjë nga fëmijët e tij nuk ka shkuar në çerdhe. Djali i madh është 19 vjeç, dy vajzat 7 dhe 5 vjeçe, kurse djali i vogël 1 vjeç e gjysmë.

Për shkak të pamundësive financiare, as që ka menduar t’i regjistrojë fëmijët në çerdhe, ndonëse thotë se e kupton rëndësinë e edukimit parashkollor.

Zyret e organizatës The Ideas Partnership në Fushë Kosovë funksionojnë edhe si qendër për arsimin parashkollor pa pagesë për fëmijët 3-6 vjeç. Foto: Erion Vllahiu.

Gërguri është i vetmi në familje që punon kohë pas kohe. Përveç parave që i fiton nga puna fizike, ai i merr edhe 120 euro ndihmë sociale.

“A me iu ble fëmijëve ushqim, me i veshë, me i mbathë, apo me ua pagu çerdhen — ka me i shky ato 120 euro”, thotë Gërguri. “Fëmijët kanë vullnet … por kur nuk ki mundësi si prind me i shkollu është vdekje për së gjalli”.

Vjeshta është stina kur ai arrin të marrë më shumë para nga puna që e bën kryesisht në treg duke bartur perime, ndërsa gjatë dimrit nëse arrin t’i fitojë 30 euro në javë thotë se është i kënaqur.

Ai nuk kishte informacione se familjet që janë pjesë e skemës sociale janë të liruara nga pagesa në çerdhet publike.

Në çerdhet publike në Fushë Kosovë nuk ka të regjistruar asnjë fëmijë të këtyre komuniteteve të grupmoshës 0-5 vjeç.

Sipas Udhëzimit Administrativ për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore në Kosovë, të liruar nga pagesa janë fëmijët e familjeve me asistencë sociale, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore, fëmijët e nënave vetëmbajtëse, fëmijët që jetojnë me një prind dhe fëmijët e veteranëve të luftës. Por, sipas një raporti të publikuar nga KOMF, grupet e margjinalizuara edhe pse janë të liruar nga pagesa, shumë shpesh nuk përfshihen për shkak të kufizimit të numrit të fëmijëve që mund të pranohen në çerdhet publike. 

Për Gërgurin, të qenët ashkali do të thotë që mundësitë e barabarta nga shteti janë edhe më vështirë për t’u siguruar. Në komunën e Fushë Kosovës, ku ai jeton, janë mbi 4,000 banorë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Por sipas të dhënave të publikuara në Statistikat e arsimit në Kosovë 2019/2020, në çerdhet publike të kësaj komune nuk ka qenë i regjistruar asnjë fëmijë i këtyre komuniteteve të grupmoshës 0-5 vjeç.

Duke marrë parasysh këtë situatë, organizata The Ideas Partnership — në kuadër të ndihmës që tash e nëntë vite u ofron komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë — ka hapur qendrën për arsimin parashkollor pa pagesë për fëmijët 3-6 vjeç. 

Pjesë e kësaj qendre në Fushë Kosovë janë rreth 200 fëmijë, ndërsa 60 prej tyre marrin pjesë në disa aktivitete të edukimit parashkollor 3-5 vjeç. Njëra prej tyre është edhe vajza pesëvjeçare e Izet Gërgurit.

Koordinatori i programeve në organizatë, Hysni Hasani, thotë se aktivitetet në këtë qendër mbahen me dy ndërrime nga dy orë në ditë.

Hysni Hasani është një nga punonjësit e The Ideas Partnership që përpiqen ta ndihmojnë qasjen në arsim për komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Foto: Erion Vllahiu.

Ai thotë se aty fëmijët luajnë, vizatojnë, por edhe mësohen si të adaptohen, si të rrinë bashkë dhe të krijojnë raporte shoqërore në mënyrë që ta kenë më të lehtë fillimin e klasës së parë.

Nga të dhënat që K2.0 ka marrë nga 32 komuna të Kosovës për vitin shkollor 2019/2020, rezulton se 403 fëmijë të komuniteteve jo-shumicë, boshnjakë, ashkali, serbë dhe të tjerë (siç u referohet MASh), janë pjesë e arsimit parashkollor 0-5 vjeç në çerdhet publike.

Sipas këtyre të dhënave, nga komuna e Skënderajt, Ranillugut, Kamenicës dhe Gjilanit, 356 fëmijë të komunitetit serb janë pjesë e institucioneve të arsimit parashkollor 0-5 vjeç. Në këto komuna ka institucione parashkollore të dedikuara për këtë komunitet jo-shumicë.

Por në disa komuna me shumicë shqiptare, fshatrat që banohen kryesisht nga komuniteti serb nuk kanë çerdhe dhe për këtë arsye ata nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në edukimin parashkollor.

Ndër ta janë edhe Miloš dhe Danila Denić nga fshati Ponesh i Komunës së Gjilanit. Ata kanë dy fëmijë: djalin katër vjeç e gjysmë dhe vajzën dy vjeç e gjysmë.

“Çerdhe nuk ka, por ka parashkollor”, thotë Miloš. “Por ka mungesë të fëmijëve. Në parashkollore është vetëm një fëmijë”.

As fëmijët e Miloš dhe Danila Denić nuk kanë qasje në edukim parashkollor, në mugesë të një çerdheje në fshatin e tyre, në komunën e Gjilanit. Foto: Gentian Syla.

Danila thotë se po të kishte çerdhe në fshatin Ponesh, ajo do t’i regjistronte fëmijët në mënyrë që të kishte mundësi të punonte. Duke qenë të dytë të papunë, mezi ia dalin deri në fund të muajit. Për të nuk do të ishte problem edhe nëse çerdhja do të ndërtohej në pjesën e fshatit ku jetojnë shqiptarët.

“Nuk është me rëndësi se çfarë çerdhe është. Ne jemi fshat multietnik dhe ia kalojmë mirë ”, thotë ajo.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, fshati Ponesh ka 967 banorë. Danila thotë se në këtë fshat janë vetëm 15 fëmijë që ndjekin mësimin nga klasa e parë deri në të tetën.

Institucione parashkollore për fëmijët 0-4 vjeç nuk ka as në fshatrat përreth Poneshit ku prindërit Denić do të mund t’i dërgonin fëmijët, ndërsa në fshatrat e afërm Shillovë dhe Koretishtë ofrohet vetëm edukim parafillor për fëmijët 5-6.

“Duhet të ndash gjysmën e ditës për t’i dërguar dhe për t’i marrë”, thotë Danila.

Çerdhet që mungojnë 

Derisa disa komuna refuzojnë fëmijë në institucionet e tyre parashkollore, në disa të tjera nuk ka asnjë çerdhe publike funksionale. 

Komunat e Hanit të Elezit, Mamushës, Kllokotit, Shtërpcës, Parteshit dhe Novobërdës nuk kanë as çerdhe publike, e për më keq, të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se nuk kanë as private.

Edhe pse fëmijët e fshatrave të Dragashit mund të regjistrohen pa pagesë, aktualisht aty shkojnë vetëm 17 fëmijë.

Në shifrat e komunave që nuk kanë çerdhe publike nuk janë përfshirë pesë komuna me shumicë serbe — Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Graçanica. Edhe përkundër insistimit të K2.0, këto komuna nuk kanë ofruar asnjë informacion gjatë realizimit të këtij hulumtimi.

Komuna e Hanit të Elezit me rreth 9,500 banorë ka filluar ndërtimin e çerdhes publike në vitin 2017. Drejtoria e Arsimit e Komunës i ka thënë K2.0 se ndërtimi i objektit në vlerë 144,970 euro dhe me kapacitet për 60 fëmijë ka përfunduar në vitin 2018, por kërkesën për funksionalizimin e këtij institucioni parashkollor komuna e ka bërë në shtator të këtij viti. Drejtori i Arsimit Menduh Vlashi thotë se tashmë është hapur konkursi për pranimin e stafit dhe se puna pritet të fillojë së shpejti.

Ndërsa në skajin jugor të vendit, në Dragash, është një çerdhe me bazë në komunitet. Ky objekt është ndërtuar nga komuna dhe çerdhja është hapur në bashkëpunim me UNICEF-in. Edhe pse fëmijët e fshatrave të Dragashit mund të regjistrohen pa pagesë, aktualisht aty shkojnë vetëm 17 fëmijë.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Vloran Cenaj, thotë se arsyeja kryesore pse ka numër të vogël të fëmijëve që shkojnë në këtë çerdhe është largësia mes vendbanimeve. Ai thotë se kjo komunë i ka 36 vendbanime dhe nuk kanë mundësi të ofrojnë çerdhe për secilin vendbanim. Po ashtu pozita gjeografike e fshatrave, që shtrihen deri në pjesën më të lartë të maleve të Sharrit, e vështirëson dhe më shumë rrugëtimin e fëmijëve në një zonë me infrastrukturë të ashpër rrugore.

Vloran Cenaj, Drejtor i Arsimit në Komunën e Dragashit, thotë se çerdhja e ndërtuar në qendër të Dragashit nuk mundet as për së afërmi t’i mbulojë fëmijët e fshatrave të komunës për shkak të distancës mes tyre dhe pozitës sfiduese gjeografike. Foto: Erion Vllahiu.

“Është shumë e vështirë që gjatë periudhës së dimrit një fëmijë të udhëtojë nga Restelica në Dragash”, thotë Cenaj.

Por kërkesa dhe nevoja për numër më të madh të çerdheve nuk është e izoluar vetëm në viset rurale e malore. Në fakt, nga 23 komunat që iu përgjigjën pyetjes së K2.0 në pyetjen se a e mbulojnë kërkesën për çerdhe publike, asnjë nuk u përgjigj se e plotëson numrin e nevojshëm. Nga përgjigjet që K2.0 ka marrë, vetëm në këto 23 komuna rezulton se ka nevojë edhe për së paku 84 çerdhe të tjera publike në mënyrë që të plotësohen kërkesat e fëmijëve që duan të jenë pjesë e arsimit parashkollor.

Të dhënat e mbledhura nga K2.0 nga komunat përkatëse.

Për shembull, në Komunën e Prishtinës aktualisht operojnë tetë institucione publike dhe tetë me bazë në komunitet, ku janë të përfshirë afërsisht 2,500 fëmijë, ose vetëm 18% e fëmijëve të vegjël kryeqytetit.

 Ilustrim tjetër i një qyteti me popullsi të dendur është Komuna e Ferizajt me 100,000 banorë, ku është vetëm një çerdhe publike, ndërsa në këtë komunë thonë se kanë nevojë edhe për shtatë të tjera.

Hana Zylfiu-Haziri nga organizata joqeveritare Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) thotë se ndërtimi i çerdheve ka kosto të lartë dhe se duhet gjetur alternativa tjera për përfshirjen më të madhe të fëmijëve në arsimin parashkollor 0-5 vjeç.

Hana Zylfiu-Haziri nga KEC thotë se Pallati i Rinisë në qendër të Prishtinës është hapësirë e përshtatshme për të organizuar edukimin parashkollor. Foto: Erion Vllahiu.

Ajo thotë se një nga mundësitë është të bëhet shfrytëzimi i hapësirave ekzistuese që janë të përshtatshme të shërbejnë si objekte parashkollore.

“Për shembull, me pak investim në Pallatin e Rinisë mund të rregullohen dy-tri klasë për çerdhe”, thotë ajo. “Ndoshta Prishtina është qytet pak më i ngarkuar, por qytetet më të vogla kanë hapësira që mund t’i shndërrojnë në institucione parashkollore”.

Lidhur me këto alternativa, Imrane Ramadani thotë se Ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë ndonjë gjë, pasi që është duke hartuar ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe të gjitha këto çështje do t’i rregullojë ky ligj.

“Kemi punuar shumë për të arritur deri te përfundimi i ligjit”, thotë Ramadani. “Por ka ndikuar ndërrimi i shpeshtë i Qeverisë. Kur ndërrohet Qeveria, grupi punues bie nga detyra dhe ndërrohet me një të ri”.

Nëse konsiderohet jetëshkurtësia e qeverive viteve të fundit, dobitë që mund të rezultojnë nga ligji për edukimin për fëmijërinë e hershme duken ende larg, ngjashëm siç duket larg gatishmëria e nivelit qendror dhe komunal të sigurojnë qasshmëri për çdo fëmijë në arsim parashkollor. E ndërsa vitet e e hershme të arsimit janë kyçe për krijimin e një baze të fortë për zhvillimin e fëmijëve, përshtatjen e tyre brenda klasës më vonë dhe progresin e mëtutjeshëm në jetë, atyre që në fillim po iu ndalen këto mundësi bashkë me të drejtën për qasje dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.K

Foto kryesore: Naser Fejza.

Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.