Irfan Beširević është goxha i zënë këto ditë. “Po e mbikëqyr një shfaqje teatrale të shkruar nga producenti dhe regjisori i ndjerë slloven Franci Slak“, tha ai, për një shfaqje amatore që shënon “30-vjetorin e incidentit”. Beširević është një njeri modest, por thellësisht këmbëngulës. Prapa tij qëndrojnë vite të gjata privimi dhe stigmatizimi, por edhe një luftë e zhurmshme dhe këmbëngulëse.
Si slloven 64-vjeçar me origjinë boshnjake, Beširević ishte një nga rreth 26,000 personat me adresa të përhershme në Slloveni, që u fshinë nga regjistri i banorëve në vitin 1992. Pothuajse të gjithë kishin lidhje me pjesë të Jugosllavisë, jashtë Sllovenisë.
“Për shumë vite, këta njerëz mendonin se po bënin një luftë individuale, duke mos e ditur se kishte mijëra njerëz që ishin në të njëjtin pozicion”, tha Nataša Posel, drejtorja e Amnesty International në Slloveni.
Ndonëse ky akt i fshirjes është shpallur i paligjshëm dhe antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese sllovene, qeveria sllovene ka bërë pak për ta kompensuar dëmin që u ka shkaktuar mijëra njerëzve.
Dokumente të shkatërruara
Në qershor të vitit 1991, teksa dukej se Jugosllavia po shpërbëhej, Sllovenia ishte republika e parë që shpalli pavarësinë duke filluar formimin e qeverisë së saj.
Gjatë kohës së Jugosllavisë, qytetarët e saj mund të lëviznin lirshëm në mes republikave dhe kishin mundësi qëndrimi të përhershëm në të gjitha republikat. Pastaj në vitin 1991, autoritetet e sapo pavarësuara të Sllovenisë u dhanë një periudhë gjashtë-mujore qytetarëve jugosllavë me prejardhje jo sllovene që banonin në Slloveni për të aplikuar për lejeqëndrim në shtetin e ri.
Por pak njerëz kishin njohuri për këtë kërkesë dhe edhe ata që e dinin shpesh nuk ishin në dijeni për pasojat në rast të mos-aplikimit. Si rezultat, serbët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët dhe qytetarë të tjerë me origjinë nga një vend tjetër në Jugosllavi, jashtë Sllovenisë, që mund të kenë qenë duke jetuar në Slloveni për dekada apo edhe mund të kenë lindur atje, u përjashtuan.
Më 26 shkurt 1992, administrata sllovene i fshiu, pa paralajmërim dhe pa mundësi ankimimi, emrat e të gjithëve në regjistrin me vendbanimit të përhershëm, që nuk ishin regjistruar brenda periudhës gjashtë-mujore, ku përfshiheshin 5360 fëmijë.
Për më tepër, zyrtarët e lartë të qeverisë së parë sllovene, nën drejtimin e partisë së djathtë nacionaliste Demos dhe nën mbikëqyrjen e kryeministrit Lojze Peterle, ministrit të Brendshëm Igor Bavčar dhe sekretarit të shtetit Slavko Debelak, udhëzuan punonjësit administrativë që të fillonin t’i shkatërronin dokumentet personale të qytetarëve si Beširević. “Erdha në njësinë e Lubjanës dhe në tavolinë ata thjesht bënë [një vrimë në] letërnjoftim. Në fakt, aty u bëra qytetar pa dokumente”, kujton Beširević.
Ai u trondit. Nuk arriti të aplikojë brenda periudhës gjashtë-mujore sepse ishte në spital pas një aksidenti të rëndë. Në atë moment, mbeti pa shtetësi, duke humbur të drejtat për kujdes mjekësor, udhëtim apo edhe të drejtat për hapjen e një llogarie bankare. Dhjetë vitet e ardhshme, kur edhe më në fund mori nënshtetësinë, do t’i jetonte nën frikën e dëbimit.
Një ekspozitë publike tregon historitë e atyre që u fshinë në Lubjanë, Slloveni. Foto: Katja Lihtenvalner.
Rasti i atyre që u fshinë siç ju referohen, konsiderohet si një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në historinë sllovene, ndonëse nuk ka prekur të gjithë të huajt në mënyrë të barabartë.
“Të huajt nga vende të tjera si Italia, Austria apo të tjera mund të ruajnë lehtësisht vendbanimin e tyre, por jo edhe ata nga vendet jugosllave”, tha Posel. Instituti Slloven i Paqes i referohet këtij akti administrativ të fshirjes si një “rast i diskriminimit të hapur” në bazë të përkatësisë etnike.
Ata që u fshinë duhej të riaplikonin për qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, por për ta bërë këtë u duhej një dokument identiteti nga vendi ku ishin regjistruar në regjistrin lokal gjatë periudhës jugosllave, që shpesh nënkuptonte nevojën për dokumente administrative nga zona aktive të luftës. Praktikisht, kjo nënkuptonte se ata mbetën pa të drejta civile, të bllokuar në një Slloveni që deri vonë ishte vendbanimi i tyre i ligjshëm, por nga i cili tani mund të dëboheshin në çdo moment.
“Për vite me radhë, kemi bërë thirrje për një hetim të pavarur për ta zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, tha Posel, duke shpjeguar se si njerëzit u shtynë në një qoshe, të izoluar dhe të frikësuar. Sipas saj, askush nuk e di se sa persona janë dëbuar dhe shifrat e përmendura nga zyrtarët janë të dyshimta. Shumë u dëbuan, ose iu refuzua rihyrja ose thjesht kanë jetuar në heshtje pa dokumente, për dekada me radhë.
“Shumë prej tyre për vite me radhë nuk u tregonin as miqve të tyre më të ngushtë se nuk kishin dokumente personale”, tha ajo.
Njëherë pa shtetësi, pastaj pa strehë
Historitë e mijëra njerëzve të fshirë u zbuluan në fillim të vitit 2000 pasi shumë prej tyre ishin dëbuar tashmë për në vendet e ish-Jugosllavisë ose ishin shtyrë drejt një lufte të vështirë administrative për ta rifituar leje qëndrimin në Slloveni. “Përpos tjerash, më kanë kërkuar një dokument të aktiviteteve jo-kriminale në Bosnjë, anipse unë nuk kam jetuar kurrë atje”, tha Beširević, dikur qytetar pa shtetësi.
Duke qenë i privuar nga të drejtat ligjore, Beširević u shty drejt varfërinë, mbeti i pastrehë dhe u sëmur rëndë.
“Shtetësia nuk ishte problem për shumicën prej nesh. Ne vetëm kemi dashur qëndrim të përhershëm dhe të gjitha të drejtat që vijnë me të, që të vazhdonim t’i rrisim familjet tona, të punonim dhe jetonim si më parë”, tha ai.
Ndonëse flet rrjedhshëm gjuhën sllovene — gjuhën e tij të parë — Beširević ishte i detyruar ta kalonte një test të gjuhës sllovene. Punëtorët që i zbatonin këta urdhëra është në gjendje t’i falë, por “politikanët nuk do t’i falim kurrë”, tha ai.
Beširević mori shtetësinë e tij në vitin 2003, por stigma shoqërore që i vinte në shenjë njerëzit që u fshinë nuk u ndal. Sidomos pas vitit 2000, kur çështja mori më shumë vëmendje publike, u rritën fyerjet dhe sharjet, herë pas here të drejtuara nga elitat politike.
“Në shumë raste jam quajtur një čefur i fshirë”, tha Beširević, duke iu referuar një termi nënçmues që përdoret në Slloveni për njerëzit që vijnë nga pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.
Në të njëjtën kohë, qytetarët që u fshinë filluan të mobilizoheshin dhe të flisnin hapur për gjendjen e tyre.
Në vitin 2004 u mbajt një referendum në të cilin qytetarët u pyetën nëse shteti duhet t’ua kthejë të drejtat civile njerëzve që u fshinë. Shumica votuan kundër. Gjykata Kushtetuese përfundimisht hodhi poshtë rezultatet e referendumit në vitin 2010.
“Fushata mediale dhe politike kundër qytetarëve që u fshinë ishte jashtëzakonisht e dëmshme, ata u akuzuan si armiq të shtetit”, tha Posel.
Të ngecur në një ankth administrativ, shumë nga njerëzit që u fshinë i humbën ato që do të duhej të ishin vitet më të mira të jetës së tyre.
Ata që u fshinë përjetuan kushte të vështira ekonomike për vite me radhë në Slloveninë e sapo ndërtuar dhe gjithnjë e më të begatë. Në disa familje të personave që u fshinë, fëmijëve, duke qenë të vetmit anëtarë të familjes me status ligjor, iu desh të punonin për ta ndihmuar familjen të mbijetonte.
Beširević tani jeton me 320 euro në muaj, që është jashtëzakonisht pak për standardet sllovene. Për shkak të shëndetit të dobët, nuk është në gjendje të punojë. Jeton në një banesë me cimerë dhe shpreson që pensioni i tij të vijë së shpejti.
“Shpresoj që për një vit të mund të bëhem pensionist, por nuk kam shpresa se kompensimi im financiar do të jetë shumë më i lartë nga ai që marr sot”, tha ai.
Të ngecur në një ankth administrativ, shumë nga njerëzit që u fshinë i humbën ato që do të duhej të ishin vitet më të mira të jetës së tyre.
Sara Pistotnik, një studiuese në terren për Institutin Slloven të Paqes, theksoi në një artikull të fundit se qëllimi i politikave evropiane të migracionit, përfshirë ato të Sllovenisë, shpesh nuk ishte dëbimi, por kërcënimi i dëbimit, strategji që i shtynte individët të jetonin me frikë dhe nën presion të vazhdueshëm psikologjik.
“Tridhjetë vjet pas themelimit të tij, aparati administrativ i sistemit të shtetësisë sllovene është ende duke funksionuar ngjashëm, por po i përshtatet grupeve të reja të joshtetasve që dëshirojnë të jetojnë në Slloveni, ndonëse për arsye të ndryshme konsiderohen si jo të mikpritur ose të padëshiruar”, shkruan Pistotnik.
Koha për kërkimfalje
Edhe pse paligjshmëria e aktit të fshirjes është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë ashtu edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dëmi që iu shkaktua jetëve të këtyre njerëzve nuk është riparuar asnjëherë.
Vendi filloi ta trajtojë çështjen e kompensimit pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2012 vendosi se autoritetet sllovene nuk kishin zbatuar obligimet e tyre ligjore ndaj atyre që u fshinë. Shteti miratoi një skemë kompensimi në fund të vitit 2013, ku parashikohej që për çdo muaj të fshirjes, atyre që u prekën do t’u paguhej një shumë prej 50 euro.
Teksa një numër zyrtarësh të nivelit të lartë qeveritar u kanë kërkuar falje atyre që u fshinë, një falje zyrtare shtetërore nuk ndodhi deri 30 vjet pas ngjarjes, më 25 shkurt 2022.
Presidenti Borut Pahor lexoi deklaratën para një turme: “Të dashur ju që u fshitë, ju lutem pranoni kërkimfaljen time të sinqertë në emrin tim dhe në emër të shtetit, për aktin antikushtetues të fshirjes nga regjistri i vendbanimit të përhershëm, për shkeljen e të drejtave tuaja të njeriut dhe për të gjitha padrejtësitë dhe vuajtjet që ky akt u ka shkaktuar juve dhe familjeve tuaja”.
Beširević, i cili u ftua në Pallatin Presidencial për këtë ngjarje së bashku me disa të tjerë, shprehu kënaqësinë e tij për lëvizjen e Pahorit, duke e përshkruar atë si një “fitore morale për ata që u fshinë”.
Sipas Posel, ky paragraf është përmendja e vetme në tërë programin shkollor për një prej shkeljeve më të mëdha të të drejtave të njeriut të kryera nga shteti slloven. Foto: Katja Lihtenvalner.
Së bashku me shfaqjen teatrale të mbikëqyrur nga Beširević me rastin e përvjetorit, Amnesty International organizoi ekspozita fotografike që iu kushtuan atyre që u fshinë, teksa një libër i ri ka ardhur së fundmi nëpër raftet e librarive me titull “Këtu jam. Historitë që nuk duam t’i dëgjojmë”, duke shfaqur historitë e dy qytetarëve që u fshinë.
“Kam ndjesinë se zëri i atyre që u fshinë ka vdekur. Pas tërë këtyre vitesh mundime, kur ata që u fshinë korrën shumë fitore, vitet e fundit ka pasur një lloj heshtjeje që duhet thyer urgjentisht”, tha Andraž Rožman, një nga bashkautorët e librit.
Posel pajtohet se çështja kryesisht është harruar. Ajo tregon si dëshmi një paragraf të shkurtër në librin shkollor të klasës së shtatë, si përmendja e vetme e çështjes në tërë planprogramin arsimor slloven.
Teksa çështja fitoi vëmendje të gjerë të mediave vendore në 30-vjetorin e fshirjes, aktivistët që mbrojnë ata që u fshinë thonë se lufta e tyre nuk ka përfunduar.
“Tema e atyre që u fshinë duhet të përfshihet në tekste. Ne duam që nxënësit të mësojnë për këtë temë”, tha Beširević.
Pas intervistës sonë, Irfan Beširević e mbërtheu ngadalë pallton, tha kaloni mirë dhe mori biçikletën e tij të kuqe. Lëvizjet e tij janë të ngadalta, trupi i tij është lodhur. Jeta e Beširević do të kishte qenë shumë më ndryshe nëse do të kishte vepruar në ato gjashtë muaj të vitit 1991, kur të tjerët vendosën për fatin e tij dhe e shpallën atë qytetar të fshirë.
Imazhi i ballinës: Katja Lihtenvalner.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.
Pse kjo klauzolë?