Është ende errët teksa zbres rrugës “Petrakija”, drejt Akademisë së Muzikës, i çorientuar dhe përhumbur në realitetin e mëngjesit të hershëm të Sarajevës. Kambana e katedrales, mu aty në qoshe, shënon orën gjashtë.
Kambana e fundit bëhet bashkë me tingullin bezdisës së një telefonate në Viber që ma shpon mendjen e përgjumur. Çka u bë tash? E hapi telefonin.
“Hej, ku je”?
Ajo tingëllon e zemëruar.
Shoh në telefon: 6:02. Dreq, katedrale. A është e mundur që Zoti të ketë fjetur edhe këtë mëngjes?
“Çka është problemi? Veç dy minuta u vonova”! i them, teksa filloj të zemërohem edhe vetë. “S’jemi në Zvicër”!
Atë çast e shoh poshtë — pikërisht te cepi i Štadler dhe Pehlivanuša, ku u patëm marrë vesh të takohemi, ulur para veturës së saj. Edhe ajo më dalloi mua. I lamë telefonat. “Hajde, ngutu”!, ma pret ajo.
Radës nuk i pëlqen kur i vonohen udhëtarët. Jo se s’ka durim. Kur puna i kërkon durim, ajo pret, qoftë nevoja edhe me orë të tëra. Ama jo sot. Rada ka orar shumë të ngjeshur. Në orën 6:05, pak më lart te Parkuša, e marrim një pako. Në Dobrinja, në 6:25, na pret një djalë i ri, i cili shkon për të punuar në një hotel në bregdetin shqiptar. Pastaj në orën 6:30, në lagjen “Mojmilo”, përballë Xhamisë “Mbret Fahd” — më e madhja në Sarajevë, dhuratë nga Arabia Saudite — e marrim një mjeke. Një grua e sjellshme, shpesh udhëton në këtë relacion. Dhe pastaj shkojmë drejt Pale, prej ku Ivana, një programere, udhëton për në Beograd për një takim pune dhe vizitë familjare.
Rada e di që nëse unë vonohem dy, tre apo pesë minuta, të gjithë të tjerëve do t’u duhet të presin të paktën aq minuta, apo ndoshta edhe më shumë, nëse na zë e kuqja në semafor. Dhe Rada e urren t’i lë udhëtarët e saj të presin. Ata që presin udhëtarët e saj dhe ata që nuk i presin udhëtarët, por pakot që Rada i bartë me vete, e të cilat zakonisht s’janë më pak të rëndësishme, edhe ata e urrejnë të presin. Mbi të gjitha, Rada dëshiron që ta arrijmë lumin “Drina” dhe ta kalojmë kufirin përpara se trafiku të përkeqësohet e kjo fillon rreth orës 8:30. Nëse dështojmë, të gjithë këtyre njerëzve do t’u duhet të presin shumë më gjatë.
“A po e sheh tash se ku qëndron problemi”? më pyet vrazhdë, pasi ma përmblodhi thellë situatën teksa ngasim poshtë rrugës së zbrazët “Tito” drejt “Marin Dvorit” me shpejtësi të dritës.
Turpërohem paksa.
“Por çka t’i bësh? Hajt se mbërrijmë”, thotë ajo. “Si je? Çka ka të re? Nënën si e ke”?
***
Prej kur filloi të merrte udhëtarë nga Sarajeva për në Beograd, 20 vjet më parë, Rada bën edhe një punë shtesë, por jo më pak të rëndësishme, funksionin e transportueses, duke punuar si pjesë e një rrjeti postar jozyrtar. Transporton gjithçka që dikush dëshiron ta dërgojë, për sa kohë që është e ligjshme dhe e nxë vetura. Dhe në shumicën e rasteve e nxë.
“Një herë një grua m’u afrua në Beograd, kishte blerë gjithçka që mund ta imagjinosh, thjesht hynte në dyqane dhe i mbushte qeset. Ma jep këtë, ma jep atë. Solli dy thasë të mëdhenj dhe pyeti, a ka mjaftueshëm vend në bagazh? Ia hedh një sy dhe sipër njërit prej thasëve rri e vendosur një kuti gjigante me kokoshka. Epo, atëherë zonjë, them me vete, a e keni me patjetër t’i dërgoni edhe kokoshkat? Edhe në Sarajevë ka kokoshka! Por çka t’i bësh, po ia dërgon nënës. Ia bëjmë një vend”!
Këtë herë, Rada s’është e vetmja që po e bën këtë punë. Edhe çanta ime është plot me pako. Po e dërgoj një kuti cigaresh të markës “Drina” të Sarajevës për një shok dhe natën e kaluar ma dhanë një dosje me dokumente — për çka shërbejnë e kujt i takojnë, nuk e di, por është e rëndësishme që të mbërrijnë në Beograd sa më shpejt të jetë e mundur — si dhe një çantë plot me pluhur të çuditshëm me copa të mëdha dhe një strukturë të trashë. Burri që më dha çantën ma tha emrin e substancës, por s’e morra vesh se çka po thoshte. Pastaj e përsëriti. Prapë s’e morra vesh, por u bëra kinse e kuptova. Tani po mendoj a thua është e ligjshme. Shpresoj që po. M’u duk djalë i mirë. Personi që na kontaktoi për t’ia dorëzuar pakon gjithashtu u duk i mirë. Sidoqoftë, më mirë s’po ia përmend fare Radas. Nëse ka vend për kokoshkat, duhet të ketë vend edhe për pluhurin tim të çuditshëm.
***
Një kapërcim prej 300 kilometrash në distancë dhe disa muajsh në kohë, në një pasdite plot zhurmë pranvere në stacionin e autobusëve të Beogradit.
Me hapa të mëdhenj shkoj drejt sallës së sporteleve të biletave. Hapat e mi sa shkojnë e ngushtohen; korridori i ngushtë mes sporteleve dhe platformave të nisjes është i stërmbushur me udhëtarë, valixhe, britma, nxitim, shikime të hutuara, përqafime e puthje.
Mes rrëmujës, sytë më shkojnë te një orë e vjetër analoge në stacion. Akrepat e gjatë të bardhë tregojnë një pamje qetësuese: ora është 15:49. Sa më pëlqen kur mbërrij herët, qoftë veç një minutë më herët.
Po atë moment më bën telefoni. “Ku je”? Ai nuk tingëllon i zemëruar, por duket sikur ka ardhur para meje dhe në kohë. Filloj t’i them se isha unë ai që erdhi më herët, por pastaj i hedh një sy telefonit. Ora është 15:52. O Zot.
Takohemi në hyrje të platformës. S’njihemi mes vete, por e gjejmë njëri-tjetrin lehtësisht. Po mban një kuti të madhe me një sint brenda, një paketë që duhet t’ia dorëzoj një shoku të përbashkët.
E marr kutinë. “Atëherë kjo është”, dhe ndahemi. Jam postier në një mision të rëndësishëm dhe s’kam kohë për të humbur duke u sjellur mirë. Vrapoj për te sporteli dhe blej një biletë.
Jashtë, në platformën numër katër, autobusi për Prishtinë po mbushet.
***
“Punën” time si postier e fillova në vjeshtën e vitit 2020, kur për herë të parë fillova të udhëtoj mes Beogradit dhe Prishtinës aq shpesh sa njerëzit filluan ta vërenin dhe që njerëzit ta vërejnë, mjafton që të udhëtosh, epo, më shpesh se kurrë.
Dhe kështu një ditë, një shok, me të cilin kisha kohë pa u dëgjuar, por që disi e dinte për udhëtimet e mia të kohëve të fundit, më telefonoi. Një familje nga Prishtina ishte me pushime në Beograd dhe tash, vajza e tyre kishte harruar kukullën e saj. Derisa harta e motit e Radio Televizionit të Serbisë e shfaqë Prishtinën si pjesë të Serbisë, sa i përket shërbimit postar serb, ky qytet nuk ekziston, ashtu si vendet e tjera në Kosovë ku serbët nuk janë shumicë. Shërbimet private të dërgesave janë shumë të shtrenjta. E vetmja mënyrë që kukulla të arrinte në Prishtinë ishte që dikush ta merrte me vete.
A mund të ma bësh këtë nder? S’është urgjente. Por, në fakt është. Është kukulla e saj e preferuar.
Herën tjetër, kërkesa erdhi nga ana tjetër: Hej, a e kanë akoma atë pijen e Skenderbeg? Të lutem, a mund t’i paketosh dy për mua, më mungon njëmend! Pastaj, në Prishtinë: Nuk është e lehtë të gjesh film për kamera analoge dhe është një dyqan në Beograd, ku s’është i shtrenjtë. A m’i sjell disa? Disa muaj më vonë, në listën e detyrave të mia të përfunduara me sukses ishin pllakat e gramafonit të New Wave të Beogradit, një kilogram suxhuk i tharë, çelësat e banesës së dikujt dhe librat e Petrit Imamit për historinë e përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve (fatmirësisht, por për ironi, u shitën menjëherë në Beograd).
Dhe kështu fillova ta vërej se pothuajse të gjitha shkëmbimet personale që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë — mes anëtarëve të ngushtë të familjes, kushërinjve dhe miqve, mes atyre që u larguan, atyre që ikën, atyre që qëndruan dhe atyre që mbetën diku në mes — varen nga tre autobusë që qarkullojnë ditë e natë ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe Prizrenit dhe nga grup i vogël i njerëzve që udhëtojnë me këta autobusë.
***
Gjersa shoferët me këmisha bardh si bora po ngarkojnë nxitimthi bagazhet, vëmendjen ma tërheq një grua e moshuar në të zeza, që qëndron afër meje me një çantë gjigante prej plastikës. S’arrij ta kuptoj se si e ka sjellë atë çantë deri këtu. Me durim pret në radhë. Më buzëqesh. Më duket se po i pëlqej. Fillojmë të flasim.
“Për ku në Kosovë”?
“Nuk do të udhëtoj, bir. Po i dërgoj ca gjëra familjes time”.
Filloj ta pyes se çka po u dërgon, por një shikim në çantën e madhe të prodhuar në Kinë i përgjigjet pyetjes sime. Është plot me ushqime të paketuara me kujdes nëpër kuti plastike akulloresh dhe kavanozë të mëdhenj qelqi. A janë sarma? Shoh po ashtu një kuti të vjetër plastike të një marke djathi prej Somborit, i mbështjellë me llastika të trashë në mënyrë që çfarëdo misteri që ruan brenda, mbase sallatë, të mos derdhet rrugës.
Motra e saj jeton me familje në Graçanicë. Nuk i ka vizituar që kur filloi korona. Po shpreson t’i vizitojë së shpejti, ndoshta muajin e ardhshëm, kur t’i ketë kryer disa kontrolle mjekësore.
“A i dërgon gjëra shpesh”?
“Jo dhe aq. Kanë ushqim, s’është se nuk kanë. Por u pëlqen kur gatuaj për ta. Së fundmi, mbesa ime pati ditëlindjen. Pra, brenda kam tortë! Është lehtë kështu, thjesht e vendosi në autobus. Përndryshe, do të ishte e pamundur”.
Ndalem dhe mendoj se si do të dukej në postë dërgimi i ushqimeve të gatuara. Fytyra hijerëndë e nëpunësit duke të të shikuar nga xhami. Çka ka në kuti? Një tortë me luleshtrydhe dhe sarma me brinjë të thata! Sa shpejt dëshironi të dorëzohet? Menjëherë, që të mos prishet, a e sheh sa vapë ka mbajtë këto ditë! Vlera e deklaruar? Nuk ka çmim!
***
Siç edhe e zbulova përmes disa udhëtimeve dhe dhjetëra bisedave me njerëz që dërgojnë dhe pranojnë gjëra në të gjithë Ballkanin, s’ka të bëjë e gjitha thjesht me ushqimin dhe prishjen e tij.
Xhaxhi Pera po kthehet në Lipjan; aty e ka pasur shtëpinë për më shumë se 60 vjet. Kishte shkuar për vizitë në Beograd. Jemi të ulur bashkë në autobus. Diku te sportelet e pagesës së rrugës në Bubanj Potok, po ia ofroj disa biskota “Plazma”. Për të ma kthyer, kur ndaluam për një pushim në një pikë karburanti diku afër Pojate, më dha një cigare. E pyes nëse dërgon apo pranon ndonjë gjë nga Serbia me postë. Me vendosmëri më thotë “jo”.
“S’iu dihet kurrë atyre! Para dy muajsh, djali im po kërkonte disa dokumente të veturës nga një shok i Kraljevës. Ende s’i kanë ardhur”.
Duket qartë që xhaxhi Pera nuk u beson institucioneve. Dhe kur gjykoj për nga numri i gjërave që udhëtojnë me autobus çdo ditë, s’është i vetmi.
Teksa qëndroj i ulur me shoferët në gjysmë-errësirën e një kafeneje buzë rrugës, me emrin e shumë-dëshiruar “Evropa”, po përpiqem ta marr vesh se çka po dërgojnë të gjithë. Shumica e udhëtarëve ulen jashtë teksa presin për shenjën e nisjes.
“A po tenton ta marrësh vesh nëse po transportojmë drogë”? një djalë më pyet ashpër, gjersa ma ofron një copë pule, që sapo e nxori nga një foli e aluminit.
Ma ofroi mishin e pulës nga mirësjellja që njerëzit priten ta kenë. Pyetjen ma bëri nga mosbesimi i hapur. Një gazetar që shkruan për njerëzit që dërgojnë gjëra me autobus? Pse do ta bënte dikush një gjë të tillë? Dhe çka saktësisht do të thotë kjo — a po dërgojnë gjëra interesante? Çka mund të ketë interesante aty?
“Mos ke merak, s’jam polic”, po ia kthej. I nxjerr kartelën time të gazetarit. Afrimi fshin gishtat dhe ia hedh një shikim plot kureshtje. Në kokë më vjen mendimi se njerëzit në këtë kafene ndoshta kanë nxjerrë plot gjëra nga xhepat e tyre, por me siguri kjo është hera e parë që dikush e nxjerr kartelën nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve. Duket se pati njëfarë efekti tek ai.
“Çka po dërgojnë njerëzit? Epo, gjithçka. Dokumente më së shumti”, thotë Afrimi. “Dokumente për pensionet atje lart, në Beograd, për ata që kanë punuar në firma para luftës, për pasuri të paluajtshme, nëse dikush shet diçka në Kosovë. Barna. Po ashtu dërgojnë edhe para. Telefona, rroba. Gjithfarë sendesh”.
“A keni ndonjëherë telashe”? e pyes. Afrimi ma jep një shikim të mprehtë. Prapë mendon se jam polic.
Kolegu i tij Edin na bashkohet në bisedë: “Na ndodh ndonjëherë që njerëzit të mos vijnë t’i marrin gjërat e tyre. Ose kërkojnë nga ne t’i presim diku tjetër… Ku dreqin mund t’i presim”?
“Çfarë ndodh me ato gjëra”?
“I kthejmë tek agjencia dhe dërguesi shkon t’i marrë aty”.
“A ndodh ndonjëherë që askush mos t’i marrë ato”? e pyes, teksa e imagjinoj një dyqan magjik antik, me objekte të ndryshme të shpërndara përreth, sepse njerëzit kanë harruar për to me kalimin e viteve, secila ruan historinë e vet, histori të zakonshme dhe të pazakonta… Tash, kjo po që do të ishte diçka!
Afrimi ma ndërpret fantazinë me rreptësi. “Jo, kurrë. Vijnë gjithmonë. Hajde, të nisemi”.
***
Dërgimi i pakove me autobus apo taksi, me shofer, përmes miqve, të njohurve, është një nga shpikjet shoqërore më funksionale në Ballkan. Është po aq e shpejtë sa shpejtësia e një veture apo autobusi. Dhe në një vend ku lidhjet hekurudhore dhe ajrore janë shkatërruar apo thjesht janë anuluar, kjo është mënyra më e shpejtë për të dërguar ose pranuar gjëra.
Një person i caktuar — shofer, mik apo i njohur — përkujdeset për ta dorëzuar pakon. Është person që ose e njeh ose të paktën e ke takuar, dikush, të cilit ia ke shtrënguar dorën në një moment dhe me të cilin ke shkëmbyer disa fjalë. Të duket se në ato 30 apo 60 sekonda ke ndërtuar një nivel besimi që është shumë më i madh se sa mund ta kesh ndaj çdo punonjësi të shërbimit postar, të fshehur pas sportelit me fotografitë promovuese të furgonave të verdhë që gjithmonë arrijnë në kohë.
Kujt do t’i besoje më shumë, një kompanie me një slogan që garanton se dërgesa juaj do të dorëzohet në 48 orët e ardhshme dhe që ta ofron mundësinë për ta përcjellur dërgesën përmes një kodi të veçantë, apo një shoferi, i cili kur e pyesin “kur do arrijë, përafërsisht”? — e pyesin pak si me turp, që të mos duket sikur, zot mos e bë, po e nxiton sepse ka të drejtën të mbërrijë kur t’ia do qejfi — fillimisht të shikon nga distanca, thith cigaren dhe teksa nxjerr tymin, thotë: “varet nga ora e ngarkesës së trafikut, por jo para nëntëve”? Dhe kështu, gjithmonë ta jep një kohë që është shumë herët. Më mirë ti ta presësh autobusin, sesa i gjithë autobusi ty.
Disi, për një numër jashtëzakonisht të lartë njerëzish në Ballkan, përgjigja e duhur është opsioni i dytë.
***
Pastaj, është edhe çështja e çmimeve.
Kur bën dërgesa me postë, ekzistojnë një sërë kriteresh. Pesha e objektit, vlera e tij, distanca dhe shpejtësia e dorëzimit. Uebfaqet dhe aplikacionet postare janë të mbushura me tabela dhe llogaritje të detajuara që ta mundësojnë ta vlerësosh çmimin deri në cent. Me ose pa kalkulator, shpesh çmimi është mjaft i lartë. Për shembull, për ta dërguar një pako gjysmë kilogrami nga Serbia në Bosnjë, pa faturë kthimi, transport të veçantë apo transport ajror, do t’ju kushtojë rreth 18 euro. Nëse dëshiron ta dërgosh atë paketë në Kosovë përmes postës DHL, çmimi është rreth 50 euro.
Por kur e dërgon në mënyrë jozyrtare, atëherë futesh në fushën e një rituali magjik ballkanik, i kufizuar nga rregulla të qarta brenda të cilave pothuajse kurrgjë s’është e qartë. Kur shoku apo dikush që e njeh ta merr pakon, po i ofrove para për shërbimin është sikur t’ia shash nënën. Një rregull i pashkruar ta kërkon ta ftosh atë që të ndihmoi për një gotë lëng apo kafe, por me modesti që të të mos bëjë të dukesh sikur nuk po e fton veç se të ndihmoi, por sepse njëmend dëshiron të pish një kafe me të.
Në të njëjtën kohë, është pothuajse e pritshme që të ta refuzojë pijen sepse asnjëri prej jush s’ka kohë e as dëshirë për të pirë diçka. Po të donit të pinit diçka bashkë, do të pinit, pa pasur nevojë për pako. Ndonëse pa atë pije, bëhesh borxhli ndaj atij që të ndihmoi. Të jesh i sigurt, po bëre diçka që e hidhëron këtë person, ai do t’u tregojë të tjerëve se si një herë është bërë i marrë e të ka ndihmuar kur ke pasur nevojë dhe tash, kështu po ia kthen të mirën!
Kur është fjala për shoferët e autobusëve, gjërat janë pak më ndryshe. Çdo ditë, ndonjëherë dy herë në ditë, transportojnë pako përtej kufijve, duke rrezikuar (megjithëse, shpesh e kontrollojnë se çka ka brenda; nëse iu duket e paligjshme, e rrezikshme ose lehtë e thyeshme, nuk do ta marrin sado para t’u ofrosh.) Me përpikmëri mbajnë shënime se çka po transportojnë dhe për kë dhe ku do t’i presin njerëzit. I shkruajnë emrat dhe numrat e telefonit, telefonojnë dërguesit nga stacionet me drita të zbehta buzë autostradave, teksa debatojnë me njerëz që vonohen apo thjesht kanë harruar të paraqiten për të marrë pakot e tyre.
Për t’i rënë shkurt, presin prej teje t’i paguash dhe mirë e kanë. Por transportimi i gjërave me autobus s’është aq standard, as kompanitë e autobusëve nuk e lejojnë zyrtarisht, kështu që zakonisht s’ka ndonjë listë zyrtare çmimesh. Varet nga çka po dërgon dhe ndonjëherë prej disponimit të shoferit, por disa paguajnë aq sa kushton bileta kthyese e autobusit, të tjerët gjysmën. Disa ta lejojnë ty të vendosësh në mënyrë të pavarur çmimin e shërbimit.
Dhe kështu arrijmë te rregulli i çmuar shoqëror i njohur si “Sa të kesh” (“Kol’ko daš”). Ashtu si çdo gjë tjetër në këtë rajon, rregulli nuk është çka pretendon të jetë. Në fakt, ti je i lirë ta vlerësosh në mënyrë të pavarur vlerën e shërbimit. Mirëpo, çka në të vërtetë po vlerëson është anën tjetër të transaksionit, domethënë, sa para nevojiten që personi tjetër të mos ndihet i ofenduar. Kjo është arsyeja pse shpeshherë paguani më shumë sesa vlen shërbimi.
Gjithsesi, prapë i bie më i lirë se shërbimi postar dhe pakrahasueshmërisht më argëtuese.
***
Kemi orar të ngjeshur, por Rada e lejon një pushim të shpejtë te pika e karburantit, sepse dikujt iu desh të shkojë në tualet. Shfrytëzoj rastin ta ndezi një cigare, apo më saktë, këtë desha ta bëj deri sa e kuptova se s’më kish mbetur asnjë. Fatmirësisht, kam një pako të madhe cigaresh “Drina” që kam për t’ia dorëzuar shokut tim nga Beogradi, Bojan. S’do t’i pengojë.
Termet “Drina” dhe “Sarajevë” luajnë rol të rëndësishëm në jetën e tij dhe jo veç për shkak të cigareve. Bojan i përket grupit të vogël të gazetarëve në Serbi, të cilët guximshëm dhe vazhdimisht kanë shkruar për krimet serbe të luftës në Bosnjën e viteve të ’90-ta. Çdo javë, në kutinë postare elektronike timen vijnë vegëza me artikuj që, kam frikë se pothuajse askush nuk i lexon.
Por Bojan nuk dorëzohet. Për momentin po punon në një dokumentar për “Rrethin e Beogradit”, një grup jo aq i vogël intelektualësh liberalë dhe aktivistësh të paqes, që u ngritën kundër regjimit, luftërave dhe krimeve të Milošević në fillim të viteve të ’90-ta. Tridhjetë vjet më vonë as edhe një jehonë e largët e zërit të tyre nuk ka mbetur në skenën politike serbe. Tash është thjesht një kujtim në mendjet e një rrethi të vogël njerëzish.
Teksa po ngasim nëpër Romanija, më duket sikur po udhëtojmë nëpër njërin nga tregimet e tij. Kalojmë nëpër natyrën e bukur të Bosnjës lindore dhe shohim tabela rrugore me disa nga toponimet më të tmerrshme prej luftës, vende për të cilat shumica në Serbi kanë dëgjuar vetëm nga dëshmitë e Hagës, si simbole të masakrave, përdhunimeve dhe spastrimit etnik. Këtu, pak para Sokolac, e kemi kthesën për në Rogatica. Udhëton pak më lart për të arritur në Han Pijesak, pastaj drejt Vlasenica, pastaj Milići dhe Zvornik dhe nëse udhëton për në jug nga Zvornik, do të arrish në Srebrenicë.
Rada, një refugjate serbe nga Sarajeva, e cila u largua nga qyteti në fillim të luftës, tani jeton në Pale, me një qëndrim të prerë rreth kësaj teme: “Kemi pasur fat. Askush nga familja ime e as unë nuk jemi lënduar nga askush dhe as nuk i kemi shkaktuar dëm askujt”. Po të ishte ndryshe, dyshoj se do të mund ta bënte punën e saj: “Kam shkuar në Sarajevë menjëherë pas luftës. S’kam asgjë për të fshehur”.
Arrijmë lumin “Drina”, më në fund.
“E kam pirë duhanin Yorks të Rovinj”, më tregon Bojan, “derisa u ndërprenë të gjitha lidhjet me Kroacinë në 1991, kështu që e ndërrova me Drina”.
Vendim i keq, Bojan, sepse as lidhjet me Bosnjën s’zgjatën shumë. Filloi të pinte përsëri atë lloj duhani në fillim të viteve 2000 në Sarajevë. Bojan e do Sarajevën; ndonjëherë thjesht shkon e zhduket atje dhe kthehet më i gjallë se kurrë.
Dhe pse dreqin po i sjell “Drina”, a s’ka në Beograd? Ndodhi që në mars të vitit 2022, Fabrika 140-vjeçare e Duhanit në Sarajevë, e ndodhur në një vend ku pothuajse një e treta e popullsisë së rritur janë duhanpirës të pasionuar, u mbyll. “Drina” të vjetra ka ende në stok dhe Bojan dëshiron t’i pijë për aq kohë sa do të ketë.
Pyes veten nëse mund ta themi të njëjtën për “Rrethin e Beogradit”. Ideja kundër luftës në Serbi ka dështuar dhe e kemi pirë duhanin rezervë prej vitesh. Por po pakësohen.
***
Ka kaluar koha kur pika kufitare në Merdare ishte vend ku prisje të ndodhnin probleme, qoftë si serb në pikën e kontrollit të Kosovës, qoftë si shqiptar në atë të Serbisë. Megjithatë, teksa i afrohemi Kuršumlija, autobusi disi qetësohet dhe atmosfera bëhet më e errët dhe më e tensionuar. Një ndjenjë e keqe pritshmërie të kaplon. Ndoshta pamjet e shkreta përreth nesh i kontribuojnë kësaj. Fusha të thata, rrugë të zbrazta, shtëpi bosh. Dhe një rrugë krejtësisht e zbrazët, që duket se të çon në fund të botës.
Aty-këtu, në tabelat përgjatë rrugës sheh toponime shqiptare: Kastrat, Ljuša. Aty afër ndodhet edhe fshati Arbanaška. Por ka kohë që aty s’ka shqiptarë. Në një kodër afër Degrmen, dy kilometra larg Merdares, rrinë të vendosura rrënojat e errëta të kishës së Beć, e cila u ndërtua duke filluar nga viti 1912 me paratë e emigrantëve serbë të ardhur nga Sandžak, Mali i Zi dhe Zubin Potok që erdhën për tokat e shqiptarëve dhe turqve të ikur në Kosovë pas luftës serbo-osmane të vitit 1876. Si shkak i varfërisë pas Luftës së Parë Botërore, puna në kishë u shty për ndonjë kohë më të mirë që nuk erdhi kurrë. Edhe këtu s’kanë mbetur shumë serbë; rruga e shkatërruar për në Kosovën mitike të çon nëpër njërën nga komunat më të varfra në Serbi.
Nëpër autobus jehon thirrja në serbisht dhe shqip: “Bëni gati letërnjoftimet”! Si rezultat i mosnjohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, për shtetasit kosovarë dhe serbë, këtu pasaportat nuk vlejnë. I pari hyn polici serb. Në heshtje, mbledh letërnjoftimet tona dhe kujdesshëm i rendit në pëllëmbën e tij dhe më pas del jashtë. Pas kontrollit, shoferi na i kthen letërnjoftimet, për t’i mbajtur vetëm për një minutë, pasi tash hyn polici kosovar. E gjithë procedura përsëritet.
Krejt papritur, del një problem. Nëpunësi i doganës zgjat kokën për në pjesën e pasme të bagazhit. Debaton me shoferin dhe i tregon diçka. Udhëtarët e anës së djathtë të autobusit shohin nga ai dhe udhëtarët e anës së majtë shohin qëllimshëm nga të djathtit sepse s’mund ta shohin doganierin. A gjeti diçka? A do të na lë të kalojmë? Frikat e groposura thellë shpërfaqen. Papritur, e dimë se gjithçka është e mundur.
Shoferi bën me kokë. Edhe doganieri bën me kokë. Duket se nuk dëshiron të merret me këtë gjë. Mbyll derën e bagazhit. U ndieva se të gjithë mund të merrnim frymë përsëri.
Hyjmë në Kosovë. Tani fillojmë e shohim shenja të vendbanimeve me toponime serbe, por pa serb.
***
Beograd, maj i vonë.
Lula më përshëndet në oborrin e brendshëm të një vile të vjetër në qendër të qytetit. Rruga e stërmbushur me një turmë tepër të madhe të mesditës. Në oborrin plot me lule delikate të kuqe dhe të verdha, mbretëron heshtje e plotë.
Lula është si vila, në shumë mënyra: elegante, e trishtuar dhe e kthyer nga brenda. “Hiç s’kam dalë qe një kohë të gjatë”, më thotë ajo. “S’është më qyteti im”.
Letra dhe çanta iu dorëzuan me kujdes dhe në kohë. Vendos të mos e pyes për përmbajtjen e zarfit. Supozoj se ekziston një arsye se pse ai ishte i mbyllur. Por nuk duroj dot pa e pyetur për qesen me pluhurin misterioz.
“Tarhana”, buzëqesh Lula. “Përzierje supe. Halla ime Ešrefa nga Travnik ma përgatit dhe ma dërgon përmes nipit tim. E përgatisin më ndryshe në Serbi. Edhe ky është i mirë, por mua më pëlqen i saj. Në Serbi zakonisht i thonë ‘tarana’, pasi s’u pëlqen ajo ‘h’ e adoptuar nga turqishtja. Ashtu si në Bosnjë filluan ta fusin edhe aty ku nuk përket”.
Lula ka shumë për të thënë për pakot që dërgohen mes Beogradit dhe Sarajevës. E lindur në Sarajevë, ajo jeton në Beograd që nga fundi i viteve të ’60-ta. Është një person që, menjëherë pas fillimit të rrethimit të Sarajevës, mblodhi dhe dërgoi ndihma humanitare në qytetin nën rrethim. U përpoq që çdo dërgesë të arrinte aty për ku ishte menduar. Dhe ajo luftoi për mijëra prej tyre, dërgesa dhe njerëz. “Kur i shoh kutitë prej kartoni sot, më përzihet barku”.
E lashë në tarracën e vilës së vjetër, duke vëzhguar me kujdes lulet, teksa qetësisht kujton një kohë kur rezistenca ende ekzistonte.
***
Po rrimë ulur në restorantin “Kraljevo”, jo shumë larg një parkingu të madh në rrugën “Sarajevska” në Beograd, ku Rada zakonisht i merr dhe i lë udhëtarët. Ku tjetër?
Gjithë ditën e kalon në veturë dhe është shumë e lodhur, por gjen kohë për të biseduar. Më tregon se si kohëve të fundit po i bie të fikët. Ditë më parë, mezi hipi në veturë, por s’u dorëzua. Ajo transportoi udhëtarët dhe pakot e saj. Po merr terapi të rregullt tani dhe duket se po përmirësohet.
Është ditë e nxehtë. Porositim drekë të lehtë, supa dhe sallatë lakre. Taverna është e zbrazët dhe kamarierit s’i rrihet, ndaj bën shaka të papërshtatshme. Rada i shpërfill në mënyrë simpatike.
“Gjithsesi, e kam një histori për ty”, më thotë ajo:
“Në Sarajevë është një grua, Mirsada. Ka pasur bashkëshort dhe një djalë. Djali saj e kishte një shok, Marko, i cili nuk kishte prindër. I pëlqente asaj shumë. Dhe, nejse, Marko… Deri atëherë askujt nuk i interesonte se çfarë emra kishin njerëzit. Njerëzit normalë s’interesohen për emrat. Por atëherë filloi lufta. U mendua se çfarë të bënte me të. Mirsada e fshehu Markon në shtëpinë e saj që të mos e vrisnin. Më pat thënë: ‘Rada, e kam mbajtur në frigorifer. Fëmija im shkoi në fushë të betejës dhe Marko ishte në frigorifer’”.
“E mbajti të fshehur derisa gjeti një person, dikë të cilit mund t’i besonte, që ta dërgonte në territorin e Republikës Srpska dhe më pas në Beograd”.
“Dhe kështu, kalon një kohë dhe Marko bëhet burrë shumë i suksesshëm. Krijon familje, hap biznes dhe gjithçka i shkon si është më së miri. Dhe Mirsadas, i vdes bashkëshorti, mbetet me djalin e saj. Dhe nuk i di detajet si, por disi bien në kontakt me Marko. Paramendoje, pas gjithë këtyre viteve…”
“Pastaj”, Rada ndalet, “pastaj i vdes edhe djali, Mirsada mbetet e vetme dhe Marko bëhet drita e vetme në jetën e saj”.
“Që atëherë, prej kur punoj, ai ende vazhdon t’i dërgojë gjësende. Qese fasulesh, speca, arra, kajmak, mjaltë. Sigurohet që t’i dërgojë ca para, 50 ose 100 euro, por gjithmonë me disa ushqime”.
“Kështu, e pyeta atë një herë — Marko, o djali im, ia blen tërë këtë ushqim dhe asaj i duhet të dalë, ta marr dhe ta çojë përsëri në banesën e saj — a s’është më e lehtë për ty t’ia dërgosh vetëm paratë që ajo të mund t’i blejë vetë?
“Ma kthen, “Rada, kam provuar, por gëzohet kur e merr atë kutinë e kajmakut dhe thotë — shih se çka më ka dërguar Marko i dashur”!
Dhe aty e kuptova. Nuk udhëtojnë gjërat, por njerëzit. Dhe vetëm atëherë kur njerëzit nuk mund të udhëtojnë, dërgojnë gjëra. Edhe atëherë, në fakt, nuk udhëtojnë gjërat — udhëtojnë ndjenjat e njerëzve.
Shënim i redaksisë: Me kërkesë të të intervistuarve, disa nga emrat në tekst janë ndryshuar.
Imazhi i Ballinës: Dina Hajrullahu dhe Arrita Katona / K2.0.
Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?