Kur je grua dhe gazetare që mbulon çfarëdo teme më të zorshme se kopjimi i informatave prej internetit, pret të hasësh herë pas here në reagime të pafavorshme prej të intervistuarve dhe lexuesve. Nëse zhytesh në çështje që nuk miratohen gjerësisht, sikur statusi i njerëzve të shpërngulur, duhet të përgatitesh të bëhesh cak e të fyhesh edhe para se të dalësh për të raportuar.
Nuk mund të themi që kjo sjellje është e natyrshme apo e qytetëruar, por është mjaft e shpeshtë te njerëzit e Ballkanit.
Megjithëkëtë, nëse je gazetare dhe poston fotografi prej skenës së lajmit në profilin tënd në Facebook, ku shihesh me dy emigrantë, nuk pret që të marrësh kërcënime ndaj jetës. Por ato prapëseprapë vijnë.
Nga fundi i javës së kaluar, unë u kërcënova me prerje koke prej një burri të panjohur. Ai kërcënoi se do të na hiqte kokat mua, të shpërngulurve dhe “të gjithë moralizuesve,” siç u thoshte atyre që tregonin madje një çikë mirëkuptimi për refugjatët dhe emigrantët.
Shkaku i kësaj ishte një foto që kisha shkrepur në kampin Lipa afër Bihaqit. Kërcënimet i mora seriozisht, sidomos pasi mësova që personi që kishte bërë kërcënimet, një burrë, jetonte në qytetin tim. Kjo më shtyu të kërkoj ndihmë prej atyre që kanë për detyrë të sigurojnë se unë dhe qytetarët e tjerë janë të sigurt — policia.
Pavarësisht nga krejt përvojat negative që kam pasur me policinë, dhe krahas herave të shumta që janë munduar të më pengojnë gjatë kryerjes së punës, unë isha e bindur se sundimi i ligjit do të jetë në anën time këtë herë. Është puna e tyre, apo jo? T’i mbrojnë qytetarët nga ngacmimtarët? Sepse, pikësëpari, mbrojtja e qytetarëve është arsyeja pse janë ku janë?
Sa e gabuar që dola…
Pasi ia shpjegova policit kujdestar pse kisha ardhur dhe ia dhashë një kopje të shtypur të kërcënimit — të cilën as që u lodh ta shihte — ai me mërzi më tha: “kaq është”?
Vetëm një kërcënim me jetë dhe vetëm një “do t’ua heq kokat” ndaj meje, të shpërngulurve dhe grupeve humanitare. S’është punë e madhe!
Pasi e thirri inspektorin përgjegjës, zyrtari më tha që të kthehem pas dy ditësh (ishte e premte) për ta raportuar rastin. Pra, duke theksuar se fakti që jetonim në të njëjtin qytet nuk kishte kurrëfarë rëndësie.
Ndoshta kërcënimet me jetë nuk raportohen gjatë fundjavëve sepse mendohet që ngacmimtarët bëjnë pushim nga aktivitetet e zakonshme?
Në raste sikur ky kupton se je plotësisht e vetmuar dhe e pambrojtur, se ata që duhet të të mbrojnë para së gjithash nuk ua ndin fare për fatin tënd. Këto çaste, si dhe ky ndërgjegjësm, janë tmerruese.
Kjo lloj situate të shtyn të kuptosh se duhet ta mbrosh vetveten. Në rastin tim, duke bërë aq zhurmë sa ishte e mundur.
Lajmi për kërcënimet, përfshirë emrin dhe fotografinë e ngacmimtarit, u botuan në uebsajtin tonë eTrafika; u ndërtua një sistem i tërë mbështetës për mua në kohë shumë të shpejtë.
Informatat u raportuan nga kolegët tanë të mediave të tjera dhe më pas, njerëz të njohur dhe të panjohur zgjatën krahët për të na ofruar mbrojtje, ngushëllim, mbështetje dhe këshilla. Disa prej tyre madje ofruan t’i bëjnë ca llafe me policinë për “ta shtyrë” rastin përpara sadopak.
Pasi erdhi propozimi i parë i tillë, mendova që njerëzit thjesht kishin dalë nga pista. Ata merakoseshin dhe donin të ndihmonin në çfarëdo mënyrë. Sidoqoftë, më vonë erdhi një ofertë tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër… e kjo më bëri të mendoj: Me të vërtetë funksionojnë kështu punët? A të duhet ndërhyrja e dikujt tjetër vetëm që ta sigurosh veshin e një polici? E nëse është vërtet kështu, a thua se çfarë nevojitet për të bërë akuzë?
S’pranoj, edhe nëse sistemi funksionon kështu. Nuk pajtohem me këto rregulla!
Atë mbrëmje, kërcënuesi më kontaktoi sërish, me fyerje të reja dhe duke e theksuar kërcënimin e vjetër. Ai madje ma dha numrin e tij të telefonit që t’ia përcjell policisë, në mënyrë që ai t’ua thotë policëve gjërat e njëjta që m’i kishte thënë mua.
Zhurma e bërë nga mediat dhe lexuesit e tyre në fund e detyruan policinë të marrë masa dhe burri u arrestua. Sidoqoftë, me të dhënë deklaratën ai u lirua.
Në mëngjes më thirrën në stacionin e policisë për ta dhënë deklaratën time, ku m’u treguan të drejtat dhe përgjegjësitë. Pra, i gjithë sistemi tash funksiononte.
Pas një dite plot frikë, stres, zhgënjim dhe trysni publike, sistemi tekefundit vendosi të punonte gjatë fundjavës. S’mund ta heq nga kryet mendimin se krejt kjo kishte ndodhur për shkak se jam gazetare.
Në njërën anë, kjo është e shkëlqyeshme sepse njerëzit u ngritën për një punëtore të thjeshtë të medias dhe sigurinë e saj. Në anën tjetër, çfarë sikur nuk do të isha kjo që jam? Çfarë nëse do të isha një gazetashitëse, një pastruese që punon në supermarket apo një grua me çrregullime mendore? A do të vinte ndonjëherë e hëna?
Çdo herë kur përballesh me ndonjë problem në terren, pa marrë parasysh nëse është sjellje e papërshtatshme ose kërcënim, reagimi yt është shumë i rëndësishëm. Madje mund të them që i tërë komuniteti i gazetarëve varet nga kjo.
Nëse ngurron, ti e fuqizon sulmuesin, i cili sigurisht do ta marrë si sinjal të qartë që “rishkollimi” i gazetarëve është plotësisht në rregull. Ndoshta do të mund ta zbutësh situatën e tanishme, por do të shkaktosh probleme për kolegët e koleget e tua në të ardhmen. Punët ndërlikohen veçanërisht nëse mban trajnim redaktorial për njerëz që aspirojnë të bëhen gazetarë. Për këta të rinj, ti je shembullore dhe duhet të jesh model i mirë.
Së voni, një koleg më pyeti nëse planifikoj të shkruaj për statusin e njerëzve të shpërngulur pas kësaj.
A kam ndonjë mundësi tjetër?
Imazhi i ballinës nga Vanja Stokić.