Në thelb | Politika

Studentët/et e Serbisë luftojnë për sundim të ligjit

Nga - 31.01.2025

Një tragjedi u çeli udhë protestave masaive.

Pas gati tre muajsh të protestave kundër korrupsionit në Serbi, kryeministri Miloš Vučević dha dorëheqje më 28 janar. Protestat — më të mëdhatë në Serbi që nga viti 2000, kur demonstratat masive rrëzuan regjimin e Slobodan Miloševićit — u nxitën nga shembja e çatisë së sapo riparuar të stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, që shkaktoi vdekjen e 15 personave.

Megjithatë, këto protesta vijnë në një kontekst më të gjerë të pakënaqësisë ndaj Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila ka konsoliduar kontrollin e saj në politikën serbe që nga ardhja në pushtet në vitin 2012. Në qendër të protestave të tanishme është zemërimi i madh ndaj korrupsionit.

Në ditët pas shembjes, studentët/et nga Novi Sadi filluan t‘i bllokonin fakultetet dhe të organizonin protesta, duke kërkuar që autoritetet të marrin përgjegjësi për shembjen dhe korrupsionin e përhapur, që ata/o e shohin si shkakun kryesor. Në protesta u shfaqën pankarta me togfjalësha si “Korrupsioni vret” dhe “I keni duart me gjak“. Përveç kësaj, u lansua fushata “Zastani Srbijo” — “Ndalo, Serbi” — në qytete të ndryshme të Serbisë. Më 15 nëntor 2024, fushata organizoi bllokime 15-minutëshe të trafikut në orën 11:52 të paradites, pikërisht në kohën kur ndodhi shembja e çatisë, në nderim të viktimave.

Rindërtimi i stacionit hekurudhor të Novi Sadit

Stacioni iu nënshtrua një rindërtimi të gjerë nga shtatori 2021 deri në korrik 2024, si pjesë e projektit të hekurudhës me shpejtësi të lartë mes Beogradit dhe Budapestit, i realizuar në kuadër të Nismës "Brezi dhe Rruga" (BRI) të Kinës. BRI është përpjekje e qeverisë kineze për të forcuar tregtinë dhe investimet përmes ndërtimit të rrjeteve të transportit dhe partneriteteve ekonomike në Afrikë, Azi dhe Evropë. Kritikët paralajmërojnë se kjo është një mjet për diplomaci bazuar në kredi-kurthe me kushte të pafavorshme.
Rindërtimi u porosit nga “Infrastruktura železnice Srbije” (Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë), një kompani publike që është pronare e stacionit hekurudhor. Punimet u kryen nga një konsorcium i dy kompanive kineze: China Railway International dhe China Communications Construction Company, të cilat më pas kontraktuan nënkontraktorë vendas. Nënkontraktori kryesor vendas ishte Starting, kompani që ka qenë e angazhuar edhe në projekte të tjera infrastrukturore të rëndësishme për qeverinë, si Beograd Waterfront.

Shembja në Novi Sad ndodhi në një kontekst më të gjerë problemesh me projektet infrastrukturore në Serbi, përfshirë akuza të vazhdueshme për korrupsion, shpërfillje dhe mungesë transparence. Kontrata mes institucioneve serbe dhe kompanive kineze nuk u bë publike, sipas kërkesës së vetë kompanive kineze. Disa ekspertë/e e përshkruan koston e rindërtimit të stacionit — 16 milionë euro — si potencialisht të fryrë. Deri tani, nuk janë ngritur akuza për korrupsion.

Konsorciumi i kompanive mbikëqyrëse për rindërtimin e hekurudhës Beograd-Budapest u udhëhoq nga Utiber, një kompani hungareze e lidhur me Lőrinc Mészáros, personi më i pasur në Hungari dhe aleat i ngushtë i kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Kompania përgjegjëse për mbikëqyrjen e punimeve në stacionin e Novi Sadit ishte Egis, kompani franceze.
Stacioni i riparuar pati dy ceremoni hapëse zyrtare. E para u mbajt në mars 2022, gjatë fushatave zgjedhore në Serbi dhe Hungari, kur Vučić dhe Orbán inauguruan segmentin e hekurudhës me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe Novi Sadit.

Rindërtimi atë kohë ishte larg përfundimit, kështu që u organizua ceremonia e dytë në korrik 2024. Në atë kohë, ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesić deklaroi se stacioni ishte "plotësisht funksional". Megjithatë, aktakuzat e mëvonshme zbuluan se punimet s’ishin përfunduar dhe se stacioni i rinovuar s’kishte as leje përdorimi.
Fillimisht, anëtarë/e të qeverisë dhe medie të afërta me SNS mohuan se ishte kryer ndonjë punë në çatinë e shembur, pastaj u përpoqën ta shpërndanin përgjegjësinë te ndërtuesit origjinalë të stacionit hekurudhor, i cili ishte ndërtuar në vitin 1964.

Shumë shpejt pas kësaj, shumë studentë/e të universiteteve anembanë Serbisë u bashkuan; sot, protestat janë shtuar në numër dhe janë zgjeruar nëpër qytete të Serbisë.

Teksa presidenti, Aleksandar Vučić, me sa duket shpresonte që mosbindja e studentëve/eve do të zbehej gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kjo nuk ndodhi.

Në përgjithësi, përgjigja e qeverisë ka qenë delegjitimimi i studentëve/eve dhe kërkesave të tyre, ndërsa sulmet e dhunshme ndaj protestuesve/eve kanë qenë të shpeshta. Njëri nga sulmet më të fundit, ku dy studentë/e në Novi Sad u sulmuan nga disa burra me shkop bejsbolli që dolën nga selia e SNS në qytet, çoi në dorëheqjen e Vučević.

Teksa presidenti, Aleksandar Vučić, me sa duket shpresonte që mosbindja e studentëve/eve do të zbehej gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kjo nuk ndodhi. Fermerë/e, aktorë/e dhe avokatë/e iu bashkuan protestave, ndërsa shumë shkolla fillore dhe të mesme njoftuan ndërprerjen e punës.

Njëra nga kërkesat e studentëve/eve, lista e plotë e të cilave u publikua në Instagram më 1 dhjetor 2024, është publikimi i të gjitha dokumenteve që lidhen me rindërtimin e stacionit të Novi Sadit dhe shembjen e çatisë. Marrë parasysh sulmet e shumta që kanë përjetuar protestuesit/et, lista përfshin gjithashtu identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që i sulmuan ata/o. Kërkesa të tjera përfshijnë lirimin e aktivistëve/eve të ndaluar dhe ndërprerjen e proceseve ligjore kundër tyre, si dhe rritjen e financimit për universitetet. Serbia shpenzon vetëm 0.7% të BPV së saj në arsimin e lartë, më së paku në Evropë.

Studentët/et protestues/e mohuan pretendimin e Vučić se plotësoi kërkesat e tyre. Pankarta në qendër shkruan “Kërkesat tona nuk janë përmbushur”. Fotografia: Gavrilo Andrić

Në dhjetor të vitit 2024, Vučić pretendoi se të gjitha kërkesat ishin plotësuar, duke shpresuar të përfitonte nga fakti që qeveria publikoi vetëm një pjesë të dokumenteve lidhura me rindërtimin, me kërkesën e tij. Megjithatë, studentët/et protestues/e këmbëngulin se dokumentacioni i publikuar në faqen e internetit të qeverisë dhe në Zyrën e Prokurorisë së Lartë Publike të Novi Sadit është i paplotë, shqetësim që u mbështet edhe nga disa ekspertë ligjorë dhe të tjerë.

Kjo është arsyeja pse protestat po vazhdojnë. Duket se ato kanë potencialin ta sjellin vendin në një ngërç, ashtu siç ndodhi më 24 janar. Atë ditë, rrugët e Beogradit ishin më të zbrazëta se normalisht. Shumë kafene, furra buke, restorante, librari dhe kinema u mbyllën si përgjigje ndaj thirrjes së studentëve për grevë një-ditore, e cila synonte të ushtronte presion te autoritetet për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

Stevan, një ekonomist 37-vjeçar nga Kruševaci, iu bashkua grevës dhe bllokadave më 24 janar. “Sot nuk shkova në punë, sot nuk bëra pazar”, tha ai. “Është më e pakta që mund të bëj për t’i mbështetur studentët/et. Qeveria duhet t’i përmbushë kërkesat, institucionet duhet të fillojnë ta bëjnë punën e tyre”.

Studentët/et protestues/e në Serbi organizuan një grevë të përgjithshme më 24 janar. Fotografia: Gavrilo Andrić

“Besoj se rruga është vendi i vetëm ku mund të luftoj për një shoqëri më të mirë”, tha Neda, 27-vjeçare nga Beogradi. Për të, alternativa tjetër është të largohet nga vendi. “Qeveria duhet të ndalojë së shpërfilluri kërkesat tona. S’jam më studente, por i mbështes plotësisht kërkesat e tyre”.

Bllokimet e trafikut kanë qenë dukuri e rregullt në Beograd dhe në mbarë Serbinë gjatë muajve të fundit. Fotografia: Gavrilo Andrić

Sfondi i tragjedisë në Novi Sad

Kur u publikuan fotografitë dhe videot e para nga shembja e çatisë, pa pasur informacione se sa persona kishin mbetur nën rrënoja, mediet pro-qeveritare raportuan njëzëri se çatia nuk ishte pjesë e riparimit që ndodhi së fundmi. Për shumë njerëz, këto raportime ishin shenjat e para se autoritetet po përpiqeshin t’i iknin përgjegjësisë.

Ky problem ishte raportuar, por asnjë autoritet përgjegjës s’kishte ndërmarrë veprime.

Në ditët pasuese, raportimet e medieve e konfirmuan se si çatia, ashtu edhe stacioni hekurudhor ishin riparuar së fundmi, duke shtuar dyshimet përgjegjësia binte tek shpërfillja dhe korrupsioni. Investigimet e vazhdueshme nga mediet e pavarura zbuluan gjithnjë e më shumë prova që tregonin se katastrofa mund të ishte parandaluar. U zbulua se një ditë para shembjes së çatisë, Instituti i Transportit CIP kishte fotografuar dëmtimet e saj. Ky problem ishte raportuar, por asnjë autoritet përgjegjës s’kishte ndërmarrë veprime. Raportime të mëtejshme zbuluan se çatia që u shemb peshonte 23.11 ton më shumë sesa masa e lejuar.

Që nga momentet e para pas shembjes së çatisë, protestuesit/et kanë argumentuar se shpërfillja dhe korrupsioni ishin fajtorë. Fotografia: Gavrilo Andrić

Kësisoj dukej se përcaktimi i atyre që do të mbaheshin publikisht përgjegjës dhe për çfarë, do të varej nga përllogaritjet politike të Vučić dhe përpjekjet e tij për ta zvogëluar dëmin ndaj qeverisë, sesa për t’u siguruar që ata që ishin njëmend përgjegjës të përballeshin me pasojat.

Megjithatë, presioni i shtuar publik detyroi ministrin e Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesić, të jepte dorëheqjen më 4 nëntor 2024. Në dy javët që pasuan, nuk pati dorëheqje të tjera dhe as arrestime. Më në fund, më 20 nëntor 2024, Tomislav Momirović, paraardhësi i Vesićit, dha dorëheqje nga posti që mbante si ministër i tregtisë.

Që nga ardhja në pushtet e SNS së Vučić në vitin 2012, partia ka konsoliduar kontrollin mbi mediet dhe sistemin politik serb.

Të nesërmen, Vesić dhe disa zyrtarë të tjerë të nivelit më të ulët — por jo Momirović — u arrestuan nën dyshimin për kryerjen e veprës penale kundër sigurisë publike. Arrestimi i Vesić ishte i pari i një ish-ministri të qeverisë SNS, megjithatë, ai u lirua nga paraburgimi me urdhër të Gjykatës së Lartë të Novi Sadit më 27 nëntor 2024.

Që nga ardhja në pushtet e SNS së Vučić në vitin 2012, partia ka konsoliduar kontrollin mbi mediet dhe sistemin politik serb, shpesh përmes zgjedhjeve të përcjellura me parregullsi dhe keqpërdorim të pushtetit shtetëror. Është bërë gjithnjë e më e vështirë të ndahen shteti, interesat e bizneseve private dhe SNS nga njëra-tjetra. Kjo nënkupton se protestat bazohen në vite të tëra pakënaqësie publike për kapjen në rritje të shtetit dhe korrupsionin e përgjithshëm.

Protesta në rritje kundrejt armiqësisë institucionale

Gjatë tre muajve të fundit, institucionet shtetërore kanë reaguar ndaj protestave me përzierje të pasivitetit — duke vonuar publikimin e plotë të të gjithë dokumentacionit përkatës — dhe armiqësisë — duke kritikuar protestuesit/et dhe duke mbyllur sytë para sulmeve fizike ndaj tyre. Kryetarja e Kuvendit Kombëtar, Ana Brnabić, njëra nga kritiket më të ashpra të protestuesve/eve, u shpreh se protestat përbëjnë një lloj ngacmimi për qytetarët/et dhe pretendoi se “nuk është demokraci kur 20 apo 50 veta bllokojnë një shesh dhe gjithë qytetin, por përkundrazi dhunë dhe bullizëm”. Megjithatë, reagimi i autoriteteve shkoi përtej dënimit përmes gjuhës.

Protestuesit kanë shkruar pankarta me mesazhe të ndryshme kreative dhe emocionale. Në këtë pankartë shkruhet: “Sulm ndaj studentëve/ve = sulm ndaj së ardhmes”. Fotografia: Gavrilo Andrić

Anëtarët/et e SNS dhe individë të lidhur me regjimin u fotografuan dhe u incizuan duke u përplasur fizikisht me protestuesit/et paqësorë te bllokadat. Njëra nga këto përleshje, në të cilën u lënduan studentë/e nga Fakulteti i Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit, ndodhi më 22 nëntor 2024.

Policia dështoi t’i mbrojë studentët/et dhe sulmuesit nuk u ndoqën penalisht, gjë që e shtyu fakultetin të hynte në grevë. Brenda disa ditësh, mbi 60 fakultete në katër universitete shtetërore u bllokuan.

Që atëherë, mbi 3,500 njerëz të akademisë në Serbi kanë shprehur mbështetjen e tyre për bllokadat studentore. Në një peticion, ata/o dënuan përpjekjet e autoriteteve për t‘i frikësuar studentët/et, duke publikuar informatat e tyre private, duke përhapur dezinformata për ta në mediet pro-qeveritare dhe duke dërguar policë e agjentë të inteligjencës në shtëpitë e tyre dhe të prindërve të tyre.

Mbështetja për studentët/et protestues/e shtrihej përtej universitetit; një protestë e organizuar nga studentët/et më 22 dhjetor 2024 mblodhi 100,000 njerëz. Protestat pasuese ndodhën në prag të Vitit të Ri. Ndërsa nga Sheshi i Republikës në Beograd jehonte muzika popullore, mijëra studentë/e dhe qytetarë/e, vetëm disa qindra metra larg, mbajtën 15 minuta heshtje për të nderuar viktimat e tragjedisë në Novi Sad. Studentët/et i dërguan mesazh të qartë autoriteteve: “S‘ka Vit të Ri, na keni ende borxh për të vjetrin”.

Në prag të Vitit të Ri, studentët/et protestues/e varën një pankartë mbi një mbikalim të autostradës, duke ua kujtuar autoriteteve se ende u kishin borxh prej vitit të shkuar. Fotografia: Gavrilo Andrić

Bllokimet e trafikut janë kthyer tashmë në një dukuri të përditshme në Beograd. Më 16 janar, një studente 20 vjeçe i drejtësisë, që po merrte pjesë në bllokim, u godit qëllimshëm nga një veturë. Teksa policia e ndaloi sulmuesin, i cili u akuzua për tentim vrasje, studentët/et organizuan një tubim masiv para Zyrës së Prokurorisë Publike në Beograd atë pasdite, duke deklaruar: “S’do të na shtypni”.

Më 16 janar u zhvillua një tjetër protestë, kjo para ndërtesës së transmetuesit publik Radio Televizioni i Serbisë (RTS), ku, sipas Arkivit të Tubimeve Publike, u mblodhën rreth 50,000 njerëz. Studentët/et sërish përsëritën kërkesat e tyre dhe shprehën zhgënjimin për mbulimin medial të njëanshëm të kauzës së tyre nga RTS. Pavarësisht muajve të protestave, asnjë përfaqësues/e studentor që angazhohej në bllokimet dhe demonstratat nuk është ftuar të marrë pjesë në asnjë emision të RTS.

Kur u pyet se pse protestat po marrin mbështetje kaq të gjerë nga qytetarët, politologu Aleksandar Ivković e lidhi këtë me faktin se, sipas sondazheve të opinionit publik dhe rezultateve zgjedhore, të paktën një e treta e qytetarëve të Serbisë kanë qenë të pakënaqur me situatën politike dhe qeverinë për vite me radhë.

Kjo pakënaqësi, thotë Ivković, “nuk ka pasur kanal të duhur për dy arsye: qeveria ka kufizuar funksionimin e institucioneve demokratike, si zgjedhjet, parlamentin dhe mediat e lira, dhe opozita politike është e fragmentuar dhe organizativisht e dobët”. Ai shtoi se tragjedia e Novi Sadit e ka rritur ndjenjën e pakënaqësisë, “dhe studentët/et u ofruan qytetarëve/eve një kanal për ta shprehur atë pakënaqësi duke mbështetur kërkesat e tyre”.

Protestat anembanë Serbisë kanë bashkuar njerëz nga breza të ndryshëm. Fotografia: Gavrilo Andrić

Si përgjigje ndaj protestave, makineria mediale e regjimit nisi fushatë të pamëshirshme në mediet tabloidiste, ku zyrtarë/e të lartë/a të qeverisë akuzonin çdo ditë studentët/et. Akuzat e zakonshme kundër tyre përfshijnë pretendime se ata mbështeten nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shërbimet inteligjente kroate, se financohen nga jashtë dhe synojnë të destabilizojnë vendin ose të nxisin luftë apo revolucion me ngjyra. Brnabić gjithashtu i ka akuzuar studentët/et se synojnë ta shkëpusin Vojvodinën nga Serbia, ku ndodhet Novi Sadi.

Revolucionet me ngjyra

Termi revolucion me ngjyrë i referohet lëvizjeve publike, kryesisht në vendet post-komuniste, ku protesta masive dhe demonstrata synojnë të sjellin ndryshime në regjimin qeverisës dhe të krijojnë një sistem me legjitimitet publik. Ky term fillimisht u përdor për të përshkruar tri revolucione në vendet post-sovjetike: Revolucionin e Trëndafilave në Gjeorgji (2003), Revolucioni i Portokalltë në Ukrainë (2004) dhe Revolucioni i Tulipanëve në Kirgistan (2005). Regjimet që i frikësohen protestave masive shpesh i përdorin narrativat për revolucione me ngjyrë për të mohuar ose minimizuar shkaqet e vërteta të protestave dhe për t’i fajësuar vendet perëndimore se po i organizojnë ato. Kjo është përdorur edhe gjatë protestave aktuale të "Serbia kundër dhunës". Zyrtarët/et i kanë përshkruar këto protesta si përpjekje për ta marrë pushtetin me mbështetje të jashtme, pavarësisht që nuk ka asnjë provë që mbështet këtë pretendim, ashtu siç po ndodh edhe tani.

Gjersa shtynin para këto narrativa, mediet pro-qeveritare madje kanë publikuar dokumente personale të studentëve/eve, duke shkelur mbrojtjen e të dhënave personale të garantuar në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Studentët/et u përgjigjën në mënyrë kreative. Në fillim të vitit 2025, ata/o organizuan protesta në qytete më të vogla të Serbisë nën sloganin “Studentët/et po kthehen në shtëpi”. Njëri nga qëllimet e këtyre protestave në brendësi të Serbisë ishte t’u tregonin bashkëqytetarëve dhe fqinjëve të tyre — të cilët shpesh u ekspozohen vetëm medieve që zhvillojnë fushata shpifëse kundër tyre — se ata s’janë mercenarë të huaj dhe s’kanë për qëllim ta dëmtojnë vendin.

Studentët/et janë përpjekur t’i kundërshtojnë narrativat se janë mercenarë të huaj duke e zgjeruar protestën jashtë qyteteve të mëdha si Beogradi dhe Novi Sadi. Në Valjevo, studentët/et ngritën pankartën ku shkruhej: “Fëmijët mes nesh dinë gjithçka. Për drejtësi, paqe dhe ëndrra të reja”. Fotografia: Gavrilo Andrić

Ivković beson se që nga tragjedia në Novi Sad, prioriteti kryesor i qeverisë ka qenë ruajtja e mbështetjes nga votuesit/et e saj ekzistues/e. Ai thotë se kjo është bërë përmes dy strategjive të ndryshme.

“Nga njëra anë, qeveria është përpjekur t’i provokojë demonstruesit për t’i portretizuar reagimet e tyre si të dhunshme dhe kështu t’i diskreditojë. Nga ana tjetër, ka nisur një fushatë për t’i sigurur mbështetësit e saj se qeveria mbetet e qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, se presidenti Vučić personalisht gëzon ende mbështetje të konsiderueshme”, tha Ivković.

Flamuri serb është njëri nga simbolet që lejohet nga organizatorët e protestës. Fotografia: Gavrilo Andrić.

Ivković thotë se strategjia e parë dështoi. Ishte pikërisht kjo përpjekje për provokim të dhunshëm që çoi në bllokimin e fakulteteve, ndërsa strategjia e dytë ka më shumë gjasa të jetë efektive, por vetëm mes mbështetësve ekzistues të qeverisë.

Çka tutje?

Java e kaluar është shfaqur si pikë kthese, megjithëse ende s’është e qartë se çfarë drejtimi do të marrin protestat dhe çfarë ndryshimesh të mëtejshme mund të pasojnë. Pas një bllokade 24-orëshe të kryqëzimit më të ngarkuar rrugor të Beogradit më 28 janar, Vučić njoftoi se do të pranohen të gjitha kërkesat e studentëve/eve dhe bëri thirrje për ulje të tensioneve mes protestave në rritje në mbarë vendin.

Disa orë më vonë, dy studentë/e në Novi Sad u sulmuan nga burra me shkopinj bejsbolli, që dolën nga selia e SNS në qytet. Pas këtij sulmi, Vučević njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Në një fjalim para këtij njoftimi, Vučević dënoi polarizimin dhe kritikoi protestuesit/et dhe opozitën për rritjen e tensioneve gjatë muajve të fundit.

Opozita e fragmentuar dhe e ndarë politike në Serbi s’ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta kanalizuar dhe artikuluar politikisht pakënaqësinë publike.

Dorëheqja e Vučevićit nënkupton që tani Qeveria e Serbisë është me mandat në detyrë. Ende mbetet e paqartë nëse do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare apo nëse Kuvendi Kombëtar do ta përcaktojë një kryeministër/e të ri/e.

Opozita e fragmentuar dhe e ndarë politike në Serbi s’ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta kanalizuar dhe artikuluar politikisht pakënaqësinë publike. Mungesa e veprimit nga opozita bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti që studentët/et protestues janë distancuar publikisht nga partitë opozitare dhe organizatat joqeveritare, duke deklaruar se lufta e tyre është për ndryshime sistemike, sundim të ligjit dhe drejtësi dhe jo për përfitime politike.

Disa parti opozitare kanë kërkuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që partia në pushtet SNS e sheh si përpjekje të opozitës për ta marrë pushtetin pa zgjedhje.

Një sondazh i kryer mes 20 dhe 28 dhjetorit nga Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) tregon se mbi 60% e popullsisë mbështet protestat dhe bllokadat studentore. Sondazhi, i publikuar më 15 janar, thekson gjithashtu se 44% e popullsisë ka besim tek studentët/et, ndërsa 27% ka besim te presidenti.

Gjatë kësaj kohe, Vučić i bëri thirrje opozitës ta iniciojë “referendum këshillues” për largimin e tij. “Nëse vendimi është që më shumë se 50% e njerëzve nuk më duan si president”, tha Vučić, ai do të jepte dorëheqje atë ditë. Ai ka përmendur një referendum të tillë edhe në vitet e kaluara, por Kushtetuta e Serbisë nuk e parashikon largimin e presidentit përmes referendumit.

“Edhe gjyshja ka ardhur të mësojë diçka”. Edhe pse protestat janë organizuar nga studentët/et, jo të gjithë protestuesit/et janë studentë/e. Fotografia: Gavrilo Andrić.

Në adresimet e tij të përditshme drejtuar kombit, Vučić përmend herë pas here mundësinë e zgjedhjeve. Nuk do të ishte hera e parë që mbajtja e zgjedhjeve të shërbente si strategjia e tij për ta shtensionuar një krizë, marrë parasysh rezultatin e parashikueshëm.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme, të mbajtura në dhjetor të viti 2023, erdhën gjithashtu si përgjigje ndaj një krize: gjuajtjeve masive me armë në Beograd dhe Mladenovac. Ato zgjedhje shpërfaqën probleme të kahershme lidhur me kushtet zgjedhore, që vunë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve lokale në Beograd.

Është e vështirë të parashikohet sa gjatë mund t‘i vazhdojnë studentët/et bllokadat, a do të vazhdojnë protestat e grupeve të tjera si mësimdhënësit/ve, fermerët/eve dhe avokatët/eve dhe nëse kryengritja kundër qeverisë do të fitojë vrull apo do të zbehet.

Pavarësisht rezultatit të protestave, ato dëshmojnë se të rinjtë/rejat në Serbi nuk janë apolitikë/e dhe se ata/o mund të luftojnë për një shoqëri më të mirë. Të rinjtë/rejat përballen me një zgjedhje të thjeshtë: të marrin pjesë në luftën për një vend më të mirë, apo të largohen. Ata dhe ato kanë zgjedhur të luftojnë.

 

Imazhi i ballinës: Gavrilo Andrić

Want to support our journalism? Become a member of HIVE or consider making a donation. Learn more here.