Të bësh film përderisa bota digjet - Kosovo 2.0

Të bësh film përderisa bota digjet

Një vështrim brenda garës kombëtare të Dokufestit.

Nga Valmira Rashiti — 5/8/2025

Vitet e fundit njerëzimi ka përjetuar një pandemi globale, krizë klimatike në rritje dhe luftëra të vazhdueshme, secila duke u zhvilluar në kohë reale para syve tanë. Ndërsa viti 2025 po kalon, bota vazhdon të jetë dëshmitare e një gjenocidi, të cilin e ndjekim drejtpërdrejt nga ekranet e telefonave, duke i lënë shumë prej nesh të përballen me një pasiguri gjithnjë e më të madhe.

Në mes të një mbingarkese të tillë të dhimbjes, zemërimit dhe mpirjes, Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër, Dokufest, mbetet thellësisht politik dhe i lidhur me ankthet tona kolektive. Edhe këtë vit, ai na fton në Prizren, që për një javë të reflektojmë rreth rolit të artit, kinemasë dhe dokumentimit, në një kohë kur të shikuarit shihet si akt i pandashëm nga mosveprimi. Organizatorët theksojnë se “Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk” nuk është thjesht tema e këtij viti, por është një gjendje, të cilën po e jetojmë kolektivisht. Ky togfjalësh përmbledh vështirësinë në rritje për të menduar qartë mes vuajtjes së vazhdueshme.

Programi i këtij viti është kuruar me kujdes me shfaqje filmash dhe biseda që krijojnë hapësirë për rrëfim dhe solidaritet kolektiv, në përpjekje për t’i rezistuar mpirjes, boshllëkut dhe tërheqjes joshëse të shkëputjes.

K2.0 bisedoi me dhjetë regjisorë nga kategoria kombëtare për t’i shtjelluar pikëpamjet e tyre rreth kinemasë si mjet rezistence, duke i pyetur se çka do të thotë të bësh filma teksa bota është në flakë?

Endrit Qarolli, shkrimtar dhe regjisor kosovar.

Qarolli studioi për kinema në Londër, Mbretëri e Bashkuar, dhe jetoi atje për tri vite, para se të kthehej në Prishtinë, ku është i vendosur aktualisht. Ai do ta ketë premierën e filmit të tij të parë të shkurtër në edicionin e këtij viti të Dokufestit, me titull “Ndera”, që trajton fajin, strehimin dhe tensionin mes mikpritjes dhe hakmarrjes. Filmi përcjell një djalë të ri në arrati, pas një aksidenti tragjik, i cili strehohet nga një banor stoik i fshatit, i lidhur me kodin e rreptë të nderit të Kanunit.

Rreth filmit të tij:

Gjithmonë kam admiruar veprat e Ismail Kadaresë, por libri “Prilli i thyer” la gjurmën më të thella. Ky libër zgjoi kureshtjen time për shoqëritë e izoluara që udhëhiqen nga ligjet zakonore — diçka e rrënjosur në historinë tonë, por që shpesh keqkuptohet. Pashë potencial të madh dramatik dhe e dija se ky duhej të ishte rrëfimi i filmit tim të parë.

Teksa po e shkruaja skenarin, procesi u bë papritur personal. Ashtu si shumë artistë, shtrova pikëpyetjet dhe konfliktet e mia të brendshme, veçanërisht rreth rolit tim brenda shoqërisë tradicionale ku u rrita. Në vend të gjykimit, mundohesha t’i kuptoja personazhet bazuar në kontekstin e tyre historik dhe kulturor. Qëllimi im nuk ishte t’i dënoja, por të solidarizohesha me ta dhe ta shtjelloja faktin se si individët, shpesh të pafuqishëm, formësohen nga sistemet ku jetojnë.

Pamje filmi nga “Ndera”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

A besoj se jetojmë në një gjendje lakmie të pafundme? Po. Por a është lakmia specifike për kohën tonë? Aspak. Prandaj e vlerësoj fjalën “E pafundme”. Lakmia ka qenë gjithmonë pjesë e gjendjes njerëzore, e pandashme nga shoqëritë dhe tërheqjet tona individuale. Nuk i rezistoj lakmisë më shumë sesa dashurisë, xhelozisë apo trishtimit.

Nëse flasim për korporatat dhe sistemet kapitaliste, atëherë po, duhet të rezistojmë, duke përdorur artin dhe çdo mjet tjetër që kemi në dispozicion. Megjithatë, është e çuditshme si i ndajmë këto entitete nga vetja, sikur të ishin përbindësha që lëvizin lirshëm. Por ato janë krijuar dhe udhëhiqen nga njerëzit, po aq sa ne.

Rreth gjuhës kinematografike:

Jam tejet i interesuar në heshtjen si formë kinematografike. Heshtja është torturë dhe lumturi; paqja e qetësisë dhe agonia e mosveprimit. Nuk është më pak politike se shprehja. Tani për tani, e përdor heshtjen si rezistencë, por do të kthehem sërish kur t’i gjej fjalët e duhura për ta shprehur atë që dua të them.

Shfaqja e dytë e “Nderës” do të mbahet më 5 gusht, në ora 18:30, në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Ermela Teli, filmbërëse shqiptare.

Teli ka lindur në Tiranë, Shqipëri dhe aktualisht jeton në Zvicër. Ajo nisi rrugëtimin artistik si protagoniste në “Tirana viti zero”, i cili pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në vitin 2001. Ndonëse e pasionuar pas filmit, mundësitë e kufizuara e çuan atë drejt studimeve për teatër, përpara se t’i përfundonte studimet master për regji të filmit dhe televizionit. Ajo po prezanton “Në Parajsën Socialiste nuk bie shi” në kategorinë kombëtare të Dokufestit këtë vit — një dokumentar që shtjellon si propaganda e epokës së diktaturës në Shqipëri përdorte artin për t’i formësuar besimet, marrëdhëniet dhe vetë-perceptimin.

Rreth filmit të saj:

“Në Parajsën Socialiste (Nuk Bie Shi)” lindi nga një nevojë e thellë për ta rishikuar dhe rivlerësuar trashëgiminë e propagandës në Shqipëri, jo vetëm si diçka publike dhe ideologjike, por si diçka që jetonte brenda shtëpive tona, fotografive familjare, veprimeve tona, heshtjeve tona. Nën diktaturë, njerëzit nuk mund t’i shprehnin mendimet apo ndjenjat lirshëm, dhe edhe pas rënies së komunizmit heshtja mbeti. Të flasësh për të kaluarën u bë tabu. Shumica preferonin ta harronin ose të vazhdonin të heshtnin. Kjo më frymëzoi të ndërtoj një narrativë hibride, duke përzier kujtimet personale dhe përvojën kolektive, sepse të dyja janë formësuar nga e njëjta gjuhë vizuale e propagandës që regjimi e rrënjosi thellë në shoqërinë shqiptare.

Pamje filmi nga “In Socialist Paradise (It Never Rains)”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

Shpesh ndihem se jemi të rrethuar nga një lloj presioni për të prodhuar, konsumuar dhe ecur para vazhdimisht. Kjo fsheh një boshllëk më të thellë, ku vëmendja, kujdesi dhe vetëreflektimi po zhduken ngadalë. Në këtë kuptim, “boshllëku mendor” nuk është mungesë informacioni; është mungesë e thellësisë. Njerëzit ende frikësohen të flasin, të gjykohen apo të humbasin vendin e tyre. Pra ky “boshllëk” nuk është bosh, është i mbushur me gjëra të pathëna.

Rreth gjuhës kinematografike:

Heshtja, në punën time, nuk është boshllëk por prezencë. Është hapësira ku qëndrojnë rrëfimet dhe ndjenjat e pashprehura. Duke qenë se u rrita në një vend ku heshtja ishte e imponuar, me vetëdije përdor gjuhën dhe heshtjen si mjete rezistence, për t’i rimarrë zërat e shtypur, për të zgjuar trauma në mënyrë të tërthortë dhe për të hapur hapësira për reflektim, jo për ta diktuar kuptimin.

“Në Parajsën Socialiste (Nuk Bie Shi)” do të shfaqet më 6 gusht, ora 20:30, në Dokukino Plato dhe më 7 gusht, ora 18:30 në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Durim Klaiqi, filmbërës kosovar.

Me bazë në Prishtinë, Klaiqi vjen nga një brez i formësuar nga tranzicioni i shpejtë, diçka që pasqyrohet në rrugëtimin e tij nga shkenca në dizajn, në video redaktim dhe në fund, në kinematografi eksperimentale. Ai garon këtë vit në kategorinë kombëtare me filmin “Hyjnesha në fron”, një shtjellim vizual që përzien arkiva, muzikë dhe rikonstruktime 3D për ta ndjekur historinë e humbjeve në Kosovë dhe për ta ringjallur kujtesën përmes mungesës.

Rreth filmit të tij:

Frymëzimi i parë që më çoi te “Hyjnesha në fron” ishte padyshim një ekspozitë e organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, në vitin 2020. Kjo ekspozitë u dedikohej artefakteve të Muzeut të Kosovës që nuk ishin kthyer, prej të cilave vetëm figura “Hyjnesha në fron” ishte kthyer, për shkak të rëndësisë së saj si simbol i qytetit të Prishtinës.

Bazohej në ndjenjën, se kjo figurë mund të kishte mbetur ende e mbyllur në ndonjë kuti, larg vendit ku u gjet, njësoj si 3.724 objekte të tjera muzeale që nuk janë kthyer. Filmi është mishërimi i asaj ndjesie. Një ditë po lexoja një artikull për Arkivin e Kosovës. Aty theksohej se tri vite më parë ishte ndërtuar një dhomë “supersekrete” me dyer sigurie dhe sisteme alarmi për të ruajtur dokumente të rëndësishme shtetërore. Megjithatë, artikulli thekson se tani në atë dhomë nuk ka sekrete, sepse dhoma është bosh. Ky deklarim më bëri të kuptoj se po përpiqesha të dokumentoja diçka që nuk ekziston më.

Pamje filmi nga“The Goddess of the Throne”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

Besoj se sot më shumë se kurrë, jemi të rrethuar nga lakmia e pafundme dhe boshllëqet mendore. Ka kaq shumë lakmi për kontroll dhe fitim, e maskuar në “të ardhmen më të mirë”. Shpesh ndihesh sikur është e pakuptimtë të krijosh, aq më tepër nëse nuk e ke gjetur gjuhën tënde krijuese. Megjithatë, arti vazhdon të prodhohet. Ai përfaqëson shpresën që krijimet tona artistike do të kenë ndikim te brezat e ardhshëm.

“Hyjnesha në fron” do të shfaqet më 5 gusht, në ora 18:30, në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Besim Ugzmajli, filmbërës kosovar.

Ugzmajli ka lindur në Ferizaj dhe ka studiuar për kinema në Prishtinë. Ai po garon në kategorinë kombëtare të këtij viti me filmin “Pesë stinët e fëmijërisë sime”, një udhëtim nostalgjik përmes kujtimeve të dhimbshme dhe të përzemërta të fëmijërisë. Filmi reflekton rreth një të kaluare të ndryshuar dhunshëm, ku kujtimet lëvizin lirshëm mes rrënojave të kohës.

Rreth filmit të tij:

Nuk e kam pasur në plan ta realizoja “Pesë stinët e fëmijërisë sime”. Fillova t’i xhiroja disa pamje afër shtëpisë sime, pranë lumit, i cili për herë të parë ishte krejtësisht i thatë. Ajo pamje më goditi fort; më ktheu në fëmijëri dhe më bëri të mendoj sa shumë ka ndryshuar gjithçka me kalimin e kohës. Kuptova që po koha po kalonte nxitimthi, pa vënë re se kujtimet kolektive janë thjesht kujtime, pa pasur më referenca reale. Procesi i xhirimit më mori nën kontroll dhe ndieva nevojën të kundërpërgjigjem, të hakmerrem për atë moment. Ajo përpjekje për ta kapur dhe kuptuar zgjati më shumë se pesë stinë.

Pamje filmi nga "Five Seasons of my Childhood”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:
Tema “Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk” është një pyetje mahnitëse estetike dhe morale që Dokufesti parashtron këtë vit. Duket se pasqyron një gjendje universale ku njerëzit gjithmonë duan më shumë, duke dhënë shumë pak në këmbim. Mendoj se një arsye është se shumica janë aq të dëshpëruar të mbledhin mjaftueshëm sa të kenë gjatë gjithë jetës, të kapluar nga një frikë “mendore” dhe ankth për të ardhmen. Lakmia duket sikur besim se do të jetojmë përgjithmonë, ndërsa boshllëku mendor shpërfaq një zbrazëti të madhe, që nuk ka asgjë në thelb.

Rreth gjuhës kinematografike:

Ruaj admirim të thellë për kinematografinë. Është një mjet i fuqishëm, i aftë t’i prekë shqisat më të thella të qenieve njerëzore. Gjuha ime kinematografike ndërlidhet me faktin që gjërat e shëmtuara t’i bëjë të duken të bukura, diçka si pikturat e vjetra që përshkruajnë masakra dhe luftëra të përgjakshme nga e kaluara. Besoj se filmi reziston thjesht përmes ekzistencës së tij. Është një armë e fuqishme dhe ne vendosim se si ta përdorim këtë rezistencë, kundër kujt ta drejtojmë dhe për çfarë qëllimi.

“Pesë stinët e fëmijërisë sime” do të shfaqet më 5 gusht, ora 18:30 në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Robert Deçani, shkrimtar dhe regjisor gjerman-shqiptar.

Deçani ka studiuar për regji në Shkollën Ndërkombëtare të Filmit në Köln, Gjermani. Ai garon këtë vit në kategorinë kombëtare me “Ditëlindja e Benit”, një film rreth ndikimit të tensioneve etnike nga pikëpamja e një fëmije, një djaloshi nëntëvjeçar, pafajësia e të cilit lëkundet pasi e kupton se babai i tij është në shënjestër.

Rreth filmit të tij:

Dy apo tri vite më parë, babai, i cili jeton në Gjermani që nga viti 1992, pati një përplasje të pakëndshme me policinë. Mënyra se si u trajtua gjatë atij incidenti, ia kujtoi dhimbshëm atij se, pavarësisht se kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në Gjermani dhe kishte krijuar familje aty, ai ende shihej si emigrant. Kjo e bëri të ndihej i padëshiruar në një vend që tani e quan shtëpi.

Të isha dëshmitar i dhimbjes së tij më preku thellë. Duke qenë se vij nga një pozicion më të privilegjuar, një të ardhme që babai e ndërtoi për mua, nuk kam përjetuar kurrë personalisht atë lloj përjashtimi. Por ta shihja teksa i ndodhte atij, më riktheu kujtime nga fëmijëria, momente kur pashë babain tek diskriminohej. Këto përvoja më mbetën në mendje dhe më frymëzuan që më në fund ta realizoja filmin “Ditëlindja e Benit”.

Pamje filmi nga “Ben’s Birthday”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

Po jetojmë në kohë të vështira që karakterizohen nga një çnjerëzimi i pamasë. Në Perëndim, mizoria dhe përbuzja në rritje për njerëzimin po kthehen sërish, ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme, në norma. Kjo është tejet shqetësuese.

Besoj se artet duhet të marrin anë për vlerat njerëzore. Siç tha Joachim Trier në Kanë, “Ndjeshmëria tani është një lëvizje punk” dhe mendoj se ka të drejtë. Dua të jem pjesë e asaj lëvizjeje, që tregon rrëfime njerëzore dhe poetike përballë mosveprimit dhe çnjerëzimit.

Rreth gjuhës kinematografike:

Nuk jam i sigurt nëse kam zhvilluar plotësisht një gjuhë kinematografike. Përpiqem të tregoj rrëfime poetike, edhe nëse ia arrij apo jo, këtë duhet ta vendosin të tjerët. Më tërheqin personazhet dhe momentet që shpesh shpërfillen dhe përpiqem t’i zbuloj me kujdes dhe ndjeshmëri.

“Ditëlindja e Benit” do të shfaqet më 5 gusht, ora 20:30 në Dokukino Plato dhe më 6 gusht, ora 18:30 në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Zana Rodogoshi, regjisore kosovare.

Rodogoshi, e diplomuar në regji të filmit, e lindur në Gjakovë, karrierën e nisi si aktore. Ajo garon në kategorinë kombëtare të këtij viti me “Mos parko”, një film që shtjellon sensacionalizmin në rrjetet sociale, mungesën e ndjeshmërisë, tensionin e përditshëm dhe përplasjet në rrugë.

Rreth filmit të saj:

Skenarin për “Mos parko” e shkrova në vitin 2013. Në atë kohë, nuk u prodhua, pjesërisht sepse tema nuk ishte aq urgjente brenda kontekstit kinematografik vendor. Pas më shumë se një dekade, shqetësimet janë bërë më relevante.

Ashtu si në shumicën e veprave të mia, frymëzimi për këtë projekt erdhi nga jeta e përditshme dhe njerëzit përreth meje. “Mos parko” duket i zakonshëm në sipërfaqe, por zbulon një të vërtetë më të thellë: si zhurma e shoqërisë sonë është zëvendësuar nga heshtja dhe si vëmendja jonë është kthyer drejt një bote klikimesh, teksa problemet reale të njerëzve mbeten të pazgjidhura.

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

Temat e boshllëkut dhe pushtetit kanë qenë prej kohësh shqetësimet më të thella të njerëzimit, dhe një çështje qendrore për çdo artist që ndien përgjegjësi ndaj botës përreth. Etja për kontroll dhe fshirja e kuptimit nuk është diçka e re, por çka më shqetëson sot është mënyra se si këto forca shfaqen në jetën moderne. Më shqetëson më shumë turma në rritje e njerëzve që jetojnë përmes në një botë të mbingarkuar me informacion, por të uritur për kuptim; njerëz që flasin, por nuk kanë asgjë për të thënë; që shohin gjithçka, por nuk e shohin njëri-tjetrin.

Si artiste, ndiej si përgjegjësi, ashtu edhe dhimbje të thellë. Arti nuk është vetëm një formë shprehjeje; është reagim, reflektim dhe shpesh një thirrje për t’u zgjuar. Në botën e sotme, është më e vështirë se kurrë të gjesh një audiencë që ka vullnet për të të dëgjuar, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë së krijuari. Përkundrazi, më shtyn të gërmoj më thellë, të flas më qartë dhe të mos hesht përballë këtij boshllëku të heshtur që po na gëlltit ngadalë të gjithëve.

Rreth gjuhës kinematografike:

“Mos Parko” bazohet më shumë në dialog se disa nga veprat e mia të kaluara dhe qëllimisht përdora gjuhën e përditshme dhe jo standarde të rrugës për filmin. Në kinema, gjuha është gjithmonë një rrezik. Ka një vijë të hollë mes intensitetit emocional dhe rrëshqitjes në klishe.

Për mua, si gjuha, ashtu edhe heshtja në film janë forma të fuqishme rezistence. Ato nuk janë vetëm mjete komunikimi, por akte të ndërgjegjshme, që zbulojnë të vërteta emocionale, ekspozojnë heshtjen kolektive dhe përballen me çështjet që shoqëria shpesh zgjedh t’i shpërfillë.

“Mos parko” do të shfaqet më 6 gusht, ora 18:30, në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Pamje filmi nga "No Parking"

Anita Morina, shkrimtare, regjisore dhe producente kosovaro-kroate.

Morina ka përfunduar studimet master për Studime të Filmit në Cambridge, Mbretëri e Bashkuar dhe aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë. Ajo do ta ketë premierën e njërit prej filmave të saj të shkurtër, “SOS”, në edicionin e këtij viti të Dokufestit. “SOS” trajton izolimin, rutinën dhe kolapsin e identitetit. Filmi ndjek Drinin, i cili përballet me një krizë ekzistenciale pasi vendi i tij i punës zëvendësohet nga një makinë.

Rreth filmit të saj:

Për “SOS” u frymëzova nga një takim i shkurtër me një burrë në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës. Unë thjesht i kërkova udhëzime, por ai vazhdoi të më tregonte me krenari, me një buzëqeshje në fytyrë, se puna e tij ishte “ta shikonte trenin kur kalonte”. Ai moment më frymëzoi për të gjithë rrëfimin. Është e rrallë të takosh dikë që është aq i kënaqur me atë që bën. Teksa shumë prej nesh përpiqen ta gjejnë rrugën e tyre, disa njerëz duket se përcaktojnë lumturinë me kushtet e tyre, me aq sa kanë. Përmes këtij filmi, doja ta shtjelloja kalimin e kohës në një vend të largët, rolin e komunitetit në formësimin e individëve dhe familjeve dhe të reflektoja rreth dashurisë dhe trenave.

Besoj se ne, si artistë, duhet të këmbëngulim se akti i rrëfimit, dëgjimit dhe tubimit ende ka rëndësi. Kur të mendosh bëhet e pavlefshme, duhet të përpiqemi të ndiejmë më shumë. “SOS” është një thirrje për ndihmë, një rikujtim i nevojës për të ndierë.

Pamje filmi nga "SOS"

Rreth gjuhës kinematografike:

Gjuha ime kinematografike është e rrënjosur në minimalizëm, intimitet dhe vëzhgimin e papërpunuar të jetës. Nuk përdor kamera të sofistikuara apo ngjyra ndriçuese tërheqëse. Zakonisht xhiroj sa më natyrshëm që të mundem. Më pëlqejnë fjalët, poezia, kam shumë admirim për skenat dialoguese të ndërlidhura bukur në film, prandaj zakonisht shkruaj edhe unë në atë mënyrë.

Për mua, gjuha në film ka një peshë antropologjike. Gjuha e rrugës, dialekti dhe rrënjët e fjalëve bartin histori, gjeografi dhe identitet, të gjitha të domosdoshme në rrëfimin e historive. Kinemaja, në këtë mënyrë, është një mjet rezistence kundër fshirjes.

“SOS” do të shfaqet më 6 gusht, ora 18:30 në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Hanis Bagashov, regjisor nga Maqedonia e Veriut.

Bagashov ka studiuar për regji të filmit në Akademinë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit (NATFA) në Sofje, Bullgari. Puna e tij shtjellon shtresat e ndërlikuara të identitetit dhe kulturës. Bagashov garon këtë vit në kategorinë kombëtare me “Lepuri ka vdekur”, një portret i mprehtë dhe humoristik i një filmbërëseje të re që baraspeshon jetën personale teksa krijon filmin e saj të parë.

Rreth filmit të tij:
“Lepuri ka vdekur” është në fakt një film që e kam punuar si punim diplome. Desha ta bëj një film për një filmbërëse të re që ballafaqohet me veten, duke prekur elementët e paqarta që fillojnë t’i shfaqen gjatë këtij procesi.

Pamje filmi nga"The Rabbit is Dead"

Rreth gjuhës kinematografike:
Përdora shumë fjalë për këtë film, të paktën nga pikëpamja ime. Nuk ka dialog; në vend të tij, filmi përbëhet nga monologjet dhe narracioni. Narratorja është një personazh fiktiv nga projekti filmik i Evës (personazhit kryesor) dhe shpesh flet drejtpërdrejt me shikuesin. Pra, akti mund të qëndrojë në këtë përpjekje për të luajtur. Dhe ndoshta në atë tonin e përgjithshëm të butë. Sa i përket gjuhës sime kinematografike, duhet të vazhdoj të bëj filma…

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:
Ka fotografi të njerëzve në Gaza të mbledhur për të bërë iftar gjatë muajit të ramazanit, ulur bashkë në një tryezë, të rrethuar nga rrënojat. Kjo tregon për forcën, besimin dhe dashurinë e tyre ndaj njëri-tjetrit. Po ndodh një shkatërrim i shpejtë dhe dërrmues i njerëzimit në botë. Mendoj se çka është më e rëndësishme për ne sesa arti, është të bëhemi njerëz me të kujdesshëm dhe vërtet modest.

“Lepuri ka vdekur” do të shfaqet më 6 gusht, ora 18:30 në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

Doreida Xhogu, artiste vizuale shqiptare.

Xhogu, e lindur në Selenicë, Shqipëri, ka studiuar për skulpturë në Athinë, Greqi. Puna e saj është shfaqur në institucione të mëdha në të gjithë Greqinë. Në vitin 2024, ajo realizoi filmin e saj të parë të shkurtër, “Mama Klorin”, me të cilin konkurron në kategorinë kombëtare të këtij viti. Filmi portretizon historinë e Doreidës, artiste vizuale dhe vajzë emigrantësh, teksa xhiron veten dhe kolegët e saj si mirëmbajtëse në Greqi.

Rreth filmit saj:

“Mama Klorin” përqendrohet në punën e padukshme të grave emigrante që punojnë si pastruese; nëna nga vende të ndryshme, secila duke bartur forcën dhe historinë e vet. Gjatë dy viteve të fundit, po e bëjë sërish punën si pastruese, paralelisht me artin tim. Besoj se ky kthim i mishëruar –– fizik, mendor dhe shoqëror –– ishte qenësor për realizimin e filmit.

Herën e parë që punova në hotelin “Amalia” në Skopelos, me nënën time dhe gra të tjera shqiptare, isha shumë e re për ta kuptuar peshën e plotë të punës. Megjithatë, mbaj mend lodhjen, heshtjen, shikimet. Më kujtohen përpjekjen e tyre për të duruar, për t’u ndierë pjesë, për ta ruajtur dinjitetin. Ashtu të lodhura, gjenin arsye për të qeshur, për të kënduar dhe për të jetuar. Në “Mama Klorin” përpiqem t’i lejoj zërat e grave emigrante të dëgjohen. Përmes narrativave të tyre, mësojmë prejardhjen e tyre, pse u larguan, çka prisnin të gjenin në vendin e tyre të ri dhe çka gjetën në të vërtetë.

Pamje filmi nga "Mama Klorin"

On greed and mental void:

I believe that the greed and spiritual emptiness we witness today are not new; they’ve always existed, though their forms change over time. To me, life and society are like a volcano: full of energy and constant motion. There are periods of calm, where peace seems to prevail, but beneath the surface, tension builds. Eventually, it erupts through crises, upheavals and transformation. These moments bring political, social and psychological shifts.

As a person and as an artist, I am deeply affected by this unrest. Like everyone, I try to survive in a world that keeps shifting. But I also feel a responsibility to speak, through my work, about injustice and the many voices that remain unheard.

“Mama Klorin” is screening on Aug. 6, 20:30 at Dokukino Plato, and 7 August, 18:30 at Shtëpia e Kulturës (salla e vogël).

Alban Muja, artist dhe regjisor kosovar.

Muja jeton mes Berlinit në Gjermani dhe Prishtinës. Vepra e tij shtjellon transformimin e vazhdueshëm të rajonit përmes temave historike dhe socio-politike. Ai garon këtë vit në kategorinë kombëtare me filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti”, një film që mishëron reflektimin personal dhe rikrijimin për ta rrëfyer historinë e babait të tij, piktorit Skender Muja dhe rrëmbimit të tij gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Rreth filmit të tij:

Filmi im përputhet me temën e këtij viti të Dokufestit, duke buruar nga një moment ku lakmia njerëzore — e manifestuar si luftë, shtypje dhe çnjerëzim — krijon një boshllëk të thellë moral dhe mendor. Kampi i përqendrimit ku babai im u mbajt, reduktoi jetën në thjesht mbijetesë, me urinë që u përdor si armë. Megjithatë, në atë boshllëk, akti i thjeshtë i vizatimit u bë formë rezistence. Portreti i komandantit që ai vizatoi nuk ishte thjesht një imazh; ishte një fije e brishtë njerëzimi e shtrirë nëpërmjet një linje dhune. Filmi i kushton vëmendje shkatërrimit që shkakton lakmia, teksa shpërfaq edhe qëndrueshmërinë e qetë që mbijeton brenda saj.

Pamje filmi nga “I Believe the Portrait Saved Me”

Rreth lakmisë dhe boshllëkut mendor:

“Mua besoj më shpëtoi portreti” dokumenton traumën personale dhe kolektive, por unë nuk doja që filmi të ekzistonte thjesht si dëshmi e vuajtjes. Duke treguar se si një copë shkumësi dhe një vizatim mund ta shpëtojnë një jetë, filmi sfidon vetëkënaqësinë. Na kujton se mbijetesa shpesh varet jo vetëm nga durimi, por edhe nga aktet e kreativitetit dhe lidhjes që duken të pamundura nën shtypje. Në një kohë kur bota është në flakë nga luftëra të reja dhe dëbime me forcë, është urgjente të rrëfejmë histori që zgjojnë ndërgjegjen — histori që pëshpërisin: edhe në zbrazëtirat më të errëta, shpirti i njeriut mund të krijojë.

Rreth gjuhës kinematografike:

Heshtja është qenësore në filmin tim. Për vite e kam mbajtur këtë histori në heshtje, i pasigurt se si ta rrëfej pa e reduktuar peshën e saj. Në film, zëri i babait tim është i vetmi që dëgjohet, i matur, pothuajse i brishtë, sikur ende mbante jehonën e frikës. Duke e larguar komentimin, desha që filmi të rezistojë ndaj zhurmës së manipulimit. Pa sensacionalizëm, pa shtresa të tepërta, vetëm një njeri që rimerr në duar historinë e tij me fjalët e veta. Pauzat mes fjalive së tij, heshtjet që zgjasin, janë vetë akte rezistence. Ato refuzojnë të lejojnë që ky kujtim të riformësohet apo të harrohet.

Realizimi i këtij filmi ishte një akt i rikthimit të shpresës, si për mua, besoj që edhe për babain. Për vite kam qenë i paralizuar nga pesha e historisë, nga turpi i heshtur që ndodhi një mizori e tillë dhe nga hezitimi im për ta rrëfyer. Por, duke e sjellë në jetë, kjo mpirje u shndërrua në një shpresë të brishtë; me shpresën që duke e ndarë me publikun, rrëfimi do të jetojë përtej nesh.

“Mua besoj më shpëtoi portreti” do të shfaqet më 5 gusht, ora 20:30 në Dokukino Plato dhe më 6 gusht, nga ora 18:30, në Shtëpinë e Kulturës (salla e vogël).

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Raportim shtesë nga Ardit Hoxha.

 

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.