Një fustan për vajza është i vizatuar me shkumës në tabelën e gjelbër në krye të klasës. Me dimensione e matje të shënuara me kujdes, duket se është i gatshëm që me gjilpërën e makinës së qepjes të shndërrohet nga shkumësi në material e të dalë në botën reale.
Shtatëmbëdhjetë vjeçarja Artina Berisha qëndron para tabelës në një prej klasave të Qendrës Burimore “Nëna Terezë” në Prizren. Teksa ajo e demonstron procesin kreativ të krijimit të një fustani, arsimtarja e praktikës profesionale, Gjyltene Kovanxhiu, e vështron me vëmendje progresin e saj.
Me origjinë nga Peja, Artina është një prej 68 fëmijëve në këtë shkollë speciale e cila ofron një ambient të përshtatur për mësimnxënie për fëmijët e shurdhër. Teksa ajo e përgatitë fustanin për makinën e qepjes, arsimtarja ia kujton t’i kryejë kontrollat e fundit.
Përveç orarit të plotë të mësimnxënies, nxënësit në Qendrën Burimore kanë mundësi të marrin pjesë edhe në lëndë të praktikës profesionale si kjo për rrobaqepësi dhe mësime për gatim, ndërsa të gjithë përveç parashkollorëve banojnë në konviktet e shkollës.
Në të kaluarën kishin mundësi të merrnin pjesë në mësime praktike të zdrukthtarisë dhe punës me metale, por tani arsimtarët për këto lëndë mësimore kanë dalë në pension dhe shkolla është duke kërkuar arsimtarë të rinj. “Po kemi problem të gjejmë arsimtarë të ri për këto dy klasë”, thotë drejtori i shkollës Yrmet Shabani.
Kjo shkollë — e cila është një prej pesë institucioneve të tilla në Kosovë që ofrojnë ndihmë speciale për fëmijët me nevoja shtesë — duket se është e pajisur relativisht mirë sa i përket infrastrukturës, por arsimtarët nuk e njohin gjuhën e shenjave dhe gjatë orëve mësimore kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga interpretuesit.
Teksa Artina na flet për sfidat e përditshme dhe shpresat e saj për të ardhmen, fjalët e saj interpretohen nga Versa Selmani-Huduti, një profesioniste e trajnuar në dygjuhësi dymodale, dhe njëra prej vetëm dy interpretuesve të gjuhës së shenjave që punojnë në këtë shkollë.
Artina thotë se ëndërron të bëhet dizajnere dhe të punojë për një stilist/e në të ardhmen, ku do t’i vizatonte fustanet para se të shkonin në prodhim. “Vizatimet e mia janë të mira dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë”, thotë ajo.
Si shumë njerëz të shurdhër në Kosovë, Artina e ka shqetësim kryesor arsimin.
“Kualiteti i arsimit këtu [në shkollë] duhet të rritet”, thotë Artina. “Kemi nevojë për më shumë vegla dhe njerëz profesionalë për të na mësuar aftësi të reja”.
Shoqata Kosovare e të Shurdhërve thotë se cilësia e arsimit është problemi kryesor për personat e shurdhër në Kosovë, veçanërisht atëherë kur nxënësit e shkollave të mesme duan të regjistrohen në universitete.
Sipas Raportit të vitit 2010 për Statusin e Personave të Shurdhër në Republikën e Kosovës, 96% e fëmijëve të shurdhër që e kryejnë shkollën e mesme nuk e kanë nivelin e njëjtë të arsimimit si moshatarët e tyre, por e lënë shkollën e mesme pa aftësi elementare në shkrim dhe lexim. Kjo i privon nga mundësia për ta vazhduar arsimin universitar.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë — e cila ka për detyrë ta këshillojë kryeministrin lidhur me të drejtat e njeriut, mundësitë e barabarta dhe çështjet kundër diskriminimit — e njeh problemin dhe beson se është shumë shqetësues. Ai thotë se Ministria e Arsimit duhet të investojë shumë më shumë për ta trajnuar stafin dhe për t’i specializuar në punën me njerëz që kanë nevoja shtesë, dhe se duhet të ketë monitorim më të mirë të standardit të arsimit.
“Dikush duhet t’i inspektojë shkollat për të parë pse studentët po dalin analfabetë edhe pasi po e kryejnë shkollën e mesme”, thotë ai. “Është e papranueshme!”
Ndërkohë, Ligji për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara thotë qartë se — nëpër të gjithë sektorët — për çdo 50 punëtorë të punësuar nga një organizatë apo institucion, të paktën një duhet të jetë person me aftësi të kufizuara. Por kjo dispozitë shkelet gjerësisht.
Selmani-Huduti shpjegon se nxënësit, pasi e kryejnë shkollën “Nëna Terezë” në Prizren, zakonisht kthehen në shtëpi për të jetuar me prindërit, kryesisht për shkak të mungesës së mundësive të arsimit dhe perspektivave të kufizuara për të gjetur punë.
Shenja të vogla të ndryshimit?
Një prej atyre që ka arritur sukses përkundër mundësive është Armend Ademi. Sot, 32 vjeçari karizmatik është i punësuar si avokues për të drejtat e njerëzve të shurdhër nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, ku punon për ta ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për personat e shurdhër në shoqëri dhe mundohet t’u garantojë mundësi të barabarta pjesëtarëve tjerë të komunitetit të njerëzve të shurdhër.
Armendi mbeti i shurdhër pas disa problemeve shëndetësore kur ishte vetëm tetë muajsh, dhe më pas pati shumë vështirësi gjatë arsimimit fillor në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë për shkak të problemeve me komunikim, që ia bënë të pamundur mësimin e shkrimit dhe leximit.
Pasi e kreu shkollën fillore nëntë vjeçare, ai e kreu shkollën e mesme në Qendrën Burimore “Nëna Terezë” në Prizren. Ai thotë se ambienti ishte më i përshtatshëm për të, pasi që deri atëherë e kishte mësuar më mirë gjuhën e shenjave dhe aty kishte mundësi të bënte më shumë shokë dhe ta mësonte një zanat, edhepse ende kishte vështirësi në mësimnxënie pasi që arsimtarët nuk e dinin gjuhën e shenjave.
Në Qendrën Burimore Armendi e mësoi zanatin e zdrukthtarisë, por kurrë nuk pati mundësi ta praktikonte në mënyrë profesionale. Ai arriti të bëjë përvojë pune duke punuar si asistent në dyqanin e rrobave të dajës së tij, para se të punonte në një projekt të udhëhequr nga Republika e Çekisë në Kosovë. Kur iu ofrua një vend pune në Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve, ai thotë se nuk mund ta refuzonte.
Në shumë mënyra, jeta e Armendit duket si e plot burrave tjerë të rinj në Kosovë. Në lagjen Kodra e Trimave ku banon tani, shtëpia e tij me tulla dhe pa fasadë gjendet në një rrugicë ku shtëpitë janë afër njëra-tjetrës, siç janë edhe banorët të afërt me njëri-tjetrin.
Por nën dukjen pozitive nga jashtë, Armendi ballafaqohet me plot sfida në jetën e përditshme.
Pasi që familjarët e tij nuk dinë më shumë se disa fjalë në gjuhën e shenjave, ai thotë se përdorë gjeste për t’i përshkruar sendet në komunikimin e tij me të afërmit.
Mungesa e shërbimeve adekuate të gjuhës së shenjave është gjithashtu problematike kur bëhet fjalë për qasjen në shërbimet publike. Armendi thotë se ofrimi i shërbimeve të gjuhës së shenjave është shumë më i dobët se niveli i kërkuar dhe se njerëzit që kanë nevojë për këto shërbime nuk mund të mbështeten në to.
“Meqë shërbimet e gjuhës së shenjave rrallëherë janë ofruar, unë jam ballafaquar me probleme”, thotë Armendi. “Unë jetoj me gjashtë familjarë dhe kam kërkuar ndihmë prej tyre kur kam pasur nevojë të komunikoj”.
Qasja në shërbimet e gjuhës së shenjave është shqetësim për personat e shurdhër anembanë Kosovës. Janë vetëm 16 interpretues të çertifikuar të gjuhës së shenjave në gjithë Kosovën, të cilët u shërbejnë rreth 9,500 pjesëtarëve të komunitetit të personave të shurdhër, 5,000 prej të cilëve e kanë humbur krejtësisht dëgjimin, ndërsa 4,500 vuajnë nga humbja e pjesshme e dëgjimit.
Ofrimi i një shërbimi të tillë është zhvillim relativisht i ri, pasi që ka filluar tek në vitin 2013.
Hajredini thotë se me vite ka pasur diskriminim ndaj personave të shurdhër për shkak se ata kanë pasur vështirësi në komunikim, madje edhe për nevoja dhe shërbime rudimentare. “[Para vitit 2013] kishte raste kur morën diagnoza të gabuara mjekësore, apo kur nuk mund ta thonin versionin e tyre të ngjarjes në gjykatë për shkak të mungesës së interpretuesve”, thotë ai.