Më 19 shkurt, një vajzë katër-vjeçare nga Gjakova vdiq në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë (QKUK), dy ditë pasi u dërgua atje nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës. Rasti menjëherë mori vëmendje të madhe publike për shkak të paqartësive dhe deklaratave kundërthënëse rreth rrethanave të vdekjes — paqartësi që menjëherë më nxitën pyetje, si gazetar i profilizuar në hulumtimin e sektorit të shëndetësisë.
Pak pasi dolën lajmet se vajza katër-vjeçare vdiq, prindërit e saj, e ëma Arjana Hajra dhe i ati, Haxhi Shala u prononcuan për medie, ku shpalosën rrjedhën e ngjarjes.
Hajra tha se vajzën fillimisht e kishte dërguar për kontrollë tek mjekja familjare në Qendrën për Mjekësi Familjare në Gjakovë gjatë ditës për shkak të ankesave që ajo i kishte pasur. Siç vazhdon Hajra, vajza kishte temperaturë dhe disa ndryshime në lëkurë për të cilat ajo dyshonte se ajo ishte rrahur. Pas vizitës, ajo thotë se mjekja i kishte përshkruar shurup për temperaturë dhe e kishte liruar për në shtëpi.
“Jepja qita dhe besoj i kalon”, thotë se i kishte thënë mjekja.
Hajra thotë se përkundër që e përdori shurupin siç i kishte thënë mjekja, gjendja e vajzës nuk u përmirësua. E brengosur, ajo thotë se në mbrëmje, e dërguan në urgjencën e mjekësisë familjare, nga ku më pas u referua për në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë “Isa Grezda”.
“Mos u boni marak se i kalon, nëse s’i kalon çoje n’spital. Jepja burrit tënd çikën le t’del jashtë ta man pak n’fllad”, thotë se i kishin thënë herën e dytë. Hajra, me vajzën dhe bashkëshortin kishin shkuar prapë në shtëpi, për t’u kthyer në Spitalin e Gjakovës pas pak kohe — vajzës i ishte përkeqësuar gjendja. Në spital, Hajra tregon se i kanë thënë “ngjitu nalt”, e lart i kanë thënë “shko poshtë”, pastaj poshtë i kanë thënë “hyp nalt” disa herë.
Gjatë pritjes për mjekët/et, pritje që sipas Hajrës zgjati rreth katër orë, ajo thotë se gjendja e vajzës veç ishte përkeqësuar tutje. Ndërkohë, vajzën më pas e intubuan dhe e dërguan me autoambulancë për në QKUK dhe përkundër se prindërit thonë se u janë lutur që të shkojnë me vajzën, nuk i morrën. Megjithatë, prindërit gjetën një veturë dhe shkuan e e gjetën vajzën e tyre në Emergjencë në Prishtinë.
Gjatë kësaj, prindërit nuk u informuan se çfarë po ndodhte me vajzën e tyre. Ata nuk ishin në dijeni se nga çfarë vuante e bija e tyre a se nga çka dyshohej se ajo vuante.
Melisa Shala, vajza që vdiq ishte nga komuniteti egjiptian. Policia e Kosovës njoftoi se për rastin u njoftua prokuroria dhe se është inicuar “hetim i vdekjes”.
Pas këtyre prononcimeve të prindërve, pati një reagim të fuqishëm publik rreth rastit. Më 21 shkurt, Human Rights Network (Rrjeti për të Drejtat e Njeriut), përbërë prej shtatë organizatave joqeveritare lëshoi një reagim ku, ndër tjera, thuhet “një vajzë e re 4-vjeçare humbi jetën në rrethana që sugjerojnë neglizhencë të rëndë mjekësore dhe diskriminim të mundshëm”, duke shtuar se pretendimet sugjerojnë për përgjigje mjekësore jo-adekuate, duke ngritur pyetje në lidhje me faktorë si diskriminimi etnik. Janë ngritur shqetësime edhe rreth bartjes së Melisës në autoambulancë pa kujdestar. Edhe Avokati i Popullit njoftoi se do të zhvillojë hetimet rreth rastit. Po ashtu, Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës lëshoi deklaratë për rrjedhën e rastit, si dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe QKUK lëshuan një komunikatë ku ndër tjera apeluan që të mos spekulohet për shkaqet e vdekjes deri në rezultatet e hetuesisë.
Ndërkohë të dhëna të ndryshme që qartësuan tutje rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti filluan të shpaloseshin, një prej më të rëndësishmeve ishte që vajza katër-vjeçare kishte vdekur si rezultat i një infeksioni që nuk lidhet me rrahje. Sidoqoftë, ngjashmëria e rrëfimit të prindërve të saj me përvoja të prindërve tjerë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian sjellin në pah nevojën që institucionet shëndetësore t’i shqyrtojnë praktikat e veta, të cilat, ndër viteve të përcjelljes së shëndetësisë, vazhdimisht janë dëshmuar si të pafavorshme për këto komunitetet.
Megjithatë, ka diçka
Derisa institucionet përkatëse hetojnë rastin, përshkrimi i prindërve të Melisës rreth përvojës së tyre në Gjakovë, shkuarjet lart e poshtë në spital, pritjet, moskomunikimi te marrja në autoambulancë, flasin për një mjegulli rreth procesit të mjekimit.
Kjo mjegulli e shkaktuar kryesisht prej mungesës së komunikimit dhe paqartësisë nga personeli mjekësor, që sipas prononcimeve të prindërve duket se ka qenë e pranishme — nuk është histori e izoluar te familja e Melisës. Me të dëgjuar të intervistës së prindërve të Melisës, trajtimi që ata thonë se kishin marrë në Gjakovë u ngjante edhe rasteve tjera, të cilat i kisha dëgjuar gjatë realizimit të hulumtimit “Jetët që shuhen ende pa filluar mirë”, në vitin 2023, i cili trajton vdekshmërinë e lartë të foshnjave, sidomos nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Një nga to është historia e Kasandra e Aziz Mekollit nga Obiliqi. Xheneta, vajza e tyre vdiq në vitin 2021, vetëm dy muaj pas lindjes.
Kasandra e kishte lindur Xhenetën me operacion cezarian dhe të dyja ishin liruar nga Klinika e Gjinekologjisë në QKUK në gjendje të rregullt. Por gëzimi i ardhjes në shtëpi nuk zgjati shumë. Xheneta u sëmur pas disa ditësh dhe prindërit e dërguan fillimisht në ambulancën e fshatit e më pas edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq.
Azizi thotë se aty nuk u pritën mirë. Sipas tij, mjekja, e cila e vizitoi foshnjën refuzonte ta prekte me dorë. Kontrolla u krye tek pasi ai u revoltua. Më pas prindërit e kishin dërguar vajzën edhe për një kontrollë në QKUK, nga ku u lirua sërish për në shtëpi. Në mëngjesin e së nesërmes, Xheneta vdiq. Azizi dhe Kasandra nuk e dinë pse u vdiq fëmija. “Send nuk na kanë thanë”, thotë Kasandra.
As Mentor dhe Rukije Berisha nga Obiliqi nuk e dinë pse u vdiq fëmija vetëm shtatë ditë pas lindjes, në vitin 2019.
Mentori, 27-vjeçar, thotë se nuk ka mundur t’i kuptojë sepse “ata” [mjekët] flisnin në standard. “Unë e kam marrë vesh shumë pak se flisnin me gramatikë. Për sulm në zemër diçka më duket, nuk e di sigurt veç me t’rrejtë”, thotë Mentori.
As Rukija nuk i di arsyet e vdekjes së të birit. “Nuk kallxojshin”, thotë ajo për mjekët. Të dy prindërit thonë se janë paralajmëruar për disa probleme që mund t’i ketë fëmija pas lindjes, por asnjëri nuk e kishin pasur të qartë se për çfarë probleme bëhej fjalë.
Përkundër kësaj, foshnja ishte liruar nga spitali. “Na kanë dhanë një letër me shku për kontroll në privat”, tregojnë ata. Prindërit nuk kishin mundësi të shkonin tek mjeku në sektorin privat sepse nuk kishin me çka të paguajnë. Ata kërkuan ndihmë në QKMF të Fushë Kosovës. Në fakt, ata supozohej të shkonin në ambulancën specialistike të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, por për këtë nuk ishin të informuar.
Personeli mjekësor i QKMF në Fushë Kosovë, atë ditë e referuan Omerin për në QKUK, por ishte shumë vonë. Omeri shtatë-ditësh vdiq në autoambulancë rrugës për në spital.
Këto janë historitë të përsëritura të pacientëve romë, ashkali dhe egjiptianë — të cilat i bën bashkë edhe mosinformimi i qartë për gjendjen shëndetësore të tyre e në fund, as për shkakun e vdekjes.
Personeli mjekësor në asnjë nga këto raste nuk është siguruar nëse pacientët ose familjarët e tyre kanë arritur të kuptojnë qartë diagnozën, rrezikun potencial ose përshkrimin e terapisë. Në spitalet e përgjithshme mjeku kujdestar ose shefi i ekipit mjekësor është i obliguar që t’i informojë familjarët. Por këta të fundit në shumë raste nuk i marrin informatat e duhura gjë që shkakton edhe ngritjen e dyshimeve mbi trajtimin, siç u takon me Kartën për të Drejtën e Pacientëve e Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve të Kosovës në Sistemin Shëndetësor.
Kjo është dobësi e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Ngjashëm ndodhi edhe me Melisën. Nëna e saj duke qenë laike dhe e painformuar nga lëmia e mjekësisë, ndryshimet në lëkurë i interpretoi gabimisht tek vizita e mjekut, duke aluduar se ato vinin nga një rrahje e mundshme ndaj vajzës. Kur një aludim i tillë bëhet nga dikush që nuk e njeh mjekësinë edhe mund të jetë lehtësisht e kuptueshme, por është e pakuptueshme se si gjatë anamnezës dhe kontrollës personeli mjekësor nuk arriti të identifikonte ose së paku të dyshonte mbi shkakun e ndryshimeve në lëkurë.